Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Hebrejt e Kosovës gjatë luftës së dytë botërore

| E enjte, 28.01.2010, 10:57 PM |


HEBREJT E KOSOVËS GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Nga Qazim Namani

Pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermanët në luftën e dytë botërore shumë çifut nga viset veriore u shpërngulën në viset e Maqedonisë, Kosovës dhe të Dalmacisë që ishin në kontroll të Italianëve. Bazuar në regjistrimin e popullatës  mes dy lutave, gjerë në vitin 1941 Në Kosovë jetonin 92 familje me popullatë hebrenje. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga fuqitë e boshtit në prill të vitit 1941, pjesa më e madhe e Kosovës u pushtua nga italianët të cilët proklamuan ligjet raciale, por megjithatë ato nuk u zbatuan. Nuk u shpallën ndjekjet kundër çifutëve dhe ata nuk ishin të detyruar të bartin yjet e verdhë në rroba, shumë çifut nga Serbia erdhën në Kosovë sepse gëzonin një lloj sigurie.

Gjatë viteve 1939-1940 organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotiqi dhe përkrahej nga një pjesë e klerit serb i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë qarqeve gjermane ju dorëzoi listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.

Kur plani gjerman “Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi(Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.

            Më 24 prill 1942 e vizituan Mitrovicën Dr. Harolld Turner, krye shef i Shtabit Administrativ pranë Administratës ushtarake të Serbisë dhe përfaqësues i qeverisë kuislinge serbe, Millan Aqimoviq. Komanda qarkore e rojës shtetërore serbe gjendej në Mitrovicë. Organizata “Zbor” vazhdoi të punoi dhe veproi në mënyre të organizuar dhe pas pushtimit gjerman. Stevan Iliq, udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë më 8 korrik 1941 e kishte vizituar sekretarin e përgjithshëm të “Zborit” në Beograd, dhe prej asaj kohe rregullisht ju dërgonte raport atij dhe Millan Nediqit për rrethana në Kosovë. Stevan Iliq u emërua shef i Qendrës Informative për Kosovë. Stevan Iliqi bashkëpunonte gjithashtu edhe me Gestapon në Mitrovicë.

Qeveria Serbe e Millan Nediqit në fillim të vitit 1942 i shtoi shpërblimet për informimin, zënien dhe likuidimin e kundërshtarëve. Në luginën e Ibrit vepronte edhe aradha çetnike në udhëheqjen e Mashan Gjorgjeviqit i cili ju drejtua Millan Nediqit me kërkesë që të ju lutet organeve ushtarake gjermane që kjo aradhë të mbetet në këtë luginë. Kjo u arrit pasi që çetnikët kishin dhënë shumë dëshmi të bashkëpunimit me gjermanët. Në prill të vitit 1942 edhe lotiqistet erdhën në luginën e Ibrit, më këtë rast organizuan një solemnitet më 26 maj 1942. Meshën e kreu në kishën ortodokse në Leshak Kleriku-Lotiqist Boshko-Haxhi-Trifunoviq. Në mars të vitit 1943 u formua korpusi i dytë çetnik i Kosovës me shtatë brigade.

Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për mirëmbajtjen e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nediqit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashë, në Podujevë, Vushtrri, dhe Novi Pazar.

Disa qindra hebrenj nga Prishtina dhe Mitrovica u depërtuan në kampin e Zemunit, e pastaj në Bergen-Belsen. Bazuar në këtë të dhënë nga Muzeu i Zagrebit, në Kosovë thuhet se ka pas 550 hebrenj, prej tyre janë vrarë 210 ose 38,2%. Nga kjo e dhënë kuptojmë se bëhet fjalë për vrasjen e 210 hebrejve, shifër kjo që qarqet e ndryshme sllave u orvatën që këtë të keqe të ju lanë shqiptarëve.

Nga të dhënat e cekura më lartë mundë të pohojmë se edhe nëse është bërë kjo vrasje dhe dorëzim i hebrejve , këtu nuk kanë dorë shqiptarët sepse me shumë shembuj konkret dëshmohet virtyti i shqiptarëve dhe sakrifica e tyre për shpëtimin e hebrejve. Shqiptarët e Kosovës edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat gjermane u gjenden në pozita të larta shtetërore atje dhe pot ë ishin vrasës dhe ndjekës të hebrejve këtë do ta bënin edhe në Shqipëri. Shtohet pyetja a thua fati i 210 hebrejve ishte vepër e forcave çetnike që vepronin në Mitrovicë dhe rrethinë të cilët në atë kohë bashkëpunonin me forcat gjermane. Kjo bënë të mendohet se këta hebrenj ishin nga Serbia të cilët u penguan që të hyjnë në Kosovë nga kolaboracionistet serb, duke i kthyer prapë në Serbi-Zemun për ti dërguar pastaj në kampin e Bergen Belzenit, sigurisht se shqiptarët nuk i dërguan në Zemun as prej Zemuni në kamp për vrasjen e tyre. Kjo çështje kërkon një studim të hollësishëm për të kuptuar realitetin dhe fatin e këtyre 210 hebrejve që studiuesit sllav e veçanërisht ata serb u orvatën që këtë të keqe të ju veshin shqiptarëve të Kosovës. Nga dokumentet e kohës dhe të mbijetuarit e hebrejve që kishin qenë në kampin e Prishtinës kuptojmë për sjelljen humane dhe korrekte të ushtarëve Italian dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët bënë çmos që hebrenjtë nga ky kamp të dërgohen në Shqipëri.

Kur në vitin 1942 gjermanët urdhëruan kapjen e çifutëve në Kosovë, autoritetet shqiptare i urdhëruan çifutët që të shkojnë në Shqipëri. Rreth 500 çifut sa ishin në Kosovë në atë kohë kaluan në Shqipëri të cilët u vendosën në Berat, Krujë. Pas kapitullimit të Italisë Shqipëria u pushtua nga gjermanët por ë gjithë çifutët u strehuan te fshatarët shqiptar. Shqipëria doli nga lufta e dytë botërore si i vetmi vend evropian që kishte më shumë çifut se para lufte.

            Pas luftës së dytë botërore në Prishtinë jetonin familja e z. Haim Adzhesit, e z. Zhak Rubenoviqit, e zonjës Sarina samuiel-Baharit dhe disa anëtar të familjeve hebraike të cilat  mbijetuan.

 Prenk Uli që kishte qenë sekretar i Prefekturës së Prishtinës gjatë luftës së dytë botërore njihet si shpëtimtari më i madh i hebrenjve në Prishtinë, këtë e dëshmoi Josif Levi i cili kishte qenë rabin hebraik në Prishtinë kur thotë se Prenk Uli me trimëri të pa shoqe i shpëtoi 52 hebrenj.

Sipas Michele Sarfattit në rrethana të pa qarta në Kosovë, ende nuk ka ndodhur të vërtetohet e njëjta sjellje ndaj hebrenjve sikurse në Shqipëri. Duke ju referuar dy letrave të deleguarit apostolik në Shkodër dhe kujtimeve të një hebreu të mbijetuar e më vendbanim në Beograd. Sarfatti shpreh mendimin se afro 500 hebrenj u janë dorëzuar nazistëve, ndoshta pa dijeninë e shqiptarëve por të cilët më pas u likuiduan në Bergen-Belsen. Edhe Bernd Fischer ka mbrojtur mendimin se izraelitet në Kosovë kanë qenë më të rrezikuar se ata në Shqipëri. Sipas tij në Kosovë pati një humbje të hebrenjve prej afro 40% , duke parashtruar hipotezat se ndoshta batalioni “Skenderbeg” mundë të ketë bashkëpunuar me forcat naziste. Me 23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë me anë të një letre drejtuar Ekrem bej Vlorës e përgëzoi qeverinë për vendimin e marrë më 29 maj 1942 për largimin e hebrenjve nga Prishtina për në brendi të Shqipërisë. Ky letër këmbim zyrtar shoqërohet edhe me listën e plote të 94 familjeve dhe 87 individëve hebrenj të larguar nga Prishtina në Shqipëri.

 Ka më shumë se dy dekada që shkruhet se në Kosovë ka ekzistuar divizioni “Skanderbeg” i krijuar me emër të Himmler-it, që ka vrarë , masakruar , viktimizuar dhe dërguar në kampet e përqendrimit qindra hebrenj. Duke manipuluar me këto të dhëna disa studiues pa burime dhe fakte historike, i futën shqiptarët e Kosovës në grupin e popujve të ish Jugosllavisë që e përkrahën holokaustin dhe bënë krime, vetëm që të zbusin shifrat për dhjetëra mija hebrenjsh të dërguar në kampet e përqendrimit. Në “Atlas of the holocaust” të Martin Gilbert-it Kosova nuk ekziston e veçuar dhe nuk raportohen të dhëna për holocaust. Në një hartë të Shqipërisë shtetërore përshkruhet itinerari i 400 hebrejve që nga Shkodra ndjekin drejtimin për në Prishtinë, por nuk shënon datën se kur ka ndodhur kjo lëvizje. Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se autori i atlasit duke e ditur se në vitin 1941 një kontingjent prej 350 hebrenjsh të Dalmacisë erdhën nga viset verilindore të Adriatikut në Shqipëri, ndoshta autori supozon se hebrenjtë ndërrua drejtimin dhe shkuan në Prishtinë. Ose ndoshta autori s’ka njoftime se ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se ky kontingjent hebrenjsh u prit në Durrës dhe u sistemua në Kavajë.

            Stephen Schwartz, duke shkruar për përfundimet e judeofobisë në Bosnje gjatë luftës, shkruan se “ it is true that the Albanian waffen SS Skanderbeg division turned some 210 Jews in Kosovo over to the nazis”. Së paku ai kujtohet të saktësoj se “not one Jew was handet over in Albaniaitselt” (“The Jews, the serbs, and the truth”).

Shumë autor të shtyrë nga qarqe të ndryshme anti shqiptare, apo edhe ndoshta duke mos pasur njohuri të mjaftueshme rreth ngjarjeve që ndodhën në Prishtinë, gjatë luftës së dytë botërore, me apo pa dashje gabuan kur shkruan për divizionin SS Skënderbeu dhe çështjen e hebrenjve në burgun e Prishtinës.

Jean-Moise Braitberg, një prej studiuesve të “Steinberg Institute” pohon një shifër tjetër. Sipas tij në prill të vitit 1942 ministri shqiptar I punëve të brendshme instruktoi që hebrenjtë e ardhur për shkak të luftës të mblidhen në një kamp përqendrimi në Prishtinë. Prandaj “On evalue a 400le nombre de Juifs arêtes par les fascists albanais et places sous leur garde au camp de Pristina, la plupart d’entre eux furent envoyes a Bergen-Belsen et illy eu environ 100 survivants”. Në fakt autori duhej ta dinte se në vitin 1942 nuk kishte divizion “Skenderbeg”, ai u krijua në mars 1944, ose të paktën që ende nuk ishte themeluar as kampi i përqendrimit i Bergen-Belsen-it.

C.K. Savich dhe tribuna e tij “Serbiana” nuk mundë të qëndronin pa propozuar shifrën e tyre: “The definitive work on Hitler’s final solution in Yugosllavia estimates that 550 Jeës lived in Kosovo, when Hitler took over Yugosllavia. 210 of them, or 38%, were murderd in Kosovo, mainly by Albanians. In fact, the skanderbeg division’s first operation was to act as an Einsatzgruppe againstthe Jews”.

Nuk është e ditur se nga cili burim janë marrë shifrat e përmendura por për implikimin e divizionit SS Skënderbeu në holocaust shkruan dhe studiuesi B. Fischer, që nga të arrestuarit prej nazisteve “400 hebrenj të Kosovës përfunduan në Bergen-belsen, nga mundën të mbijetojnë vetëm 100”.

Tani është vërtetuar se për herë të parë shifra prej “519 personash” të arrestuar nga divizioni SS Skënderbeu e ka përmendur studiuesi serb Milorad Vavic (“Kosovski jevreji za vreme okupacije 1941-1944”, të botuar më 1983), këtë e ka rimarrë të referuar “ dhe në burimet arkivore serbo-hebraike” P. D. Ivanov, në librin e tij “Jevreji Kosova i Metohije” Beograd 1988 fq. 70.

Prof Dr. Shaban Sinani shkruan se dr. Mr. Altskan, funksionar në departamentin e kërkimeve në muzeun memorial të holokaustit ja ka dhuruar kopjen e një dokumenti, të depozituar në arkivin e Pentagonit (US ARMY) në vitin 1947, së bashku me një riprodhim identik të dokumentit bazë gjermanisht, në përbërje të një korrespodence që zgjat ndërmjet viteve 1943-1944. Transkriptimi i dokumentit NOKN-general, NOKN- Slave Labor, Summary (indicate page nos.) Page 27, WIII, Abëehrlage (situation of defense), point 4, Verhaftuingen (arrestes).The SS Division arrested 510 Jews, komunisten, helper of partisans (Bandenhelfter) and persons suspicious in political respect (pilitisch verdachtingen). They ëere taken in custody (Sichorungsverëahrung) in division’s prisoner camp and 249 of them transported to Germany labor. (Analyst’s note: “SS Div” quoted in the situation report is SS Div. “Skanderbeg”. Only pages 1, 27 and 33 of the situation of report are of importance” Maj.Gen. Kuebler, Joseph- personal record attached. 17. janar 1943: konrad: National Socialist in action and word; 8 august 1944: Rendulic, Kuebler is a good National Socialist”.

Prof. Shaban Sinani shkruan se në përmbajtjen e këtij dokumenti gjendet filli i konfuzionit të qëllimshëm me shifrat e “hebrenjve të viktimizuar në Kosovë”. Dokumenti bënë fjalë për arrestimin 510 personave, por ata nuk ishin të gjithë hebrenj. Të arrestuarit kryesor ishin komunistë, mbështetës të partizanëve (të bandave), persona politikisht të dyshimtë, andaj me të drejtë prof. Shaban Sinani e shtron pyetjen: pse ky zell, atëherë, për ta gjeneralizuar menjëherë shifrën dhe për t’i implikuar shqiptarët në ushtrim të holokaustit? Duke i bërë një analizë të kujdesshme përhapjes së parë të këtij fakti, dhe duke mos bërë asnjë saktësim se në këtë numër përfshihen edhe shumë kategori tjera kundërshtarë të nazizmit, mund të kuptohet qëllimi: të paraqiten shqiptarët e Kosovës si të prirë për krime kolektive, veçmas si pjesëmarrës aktivë në Shoah. Manipulimet me shifra të hebrenjve që lufta i zuri në Kosovë merr fund me zbulimin e listave të transportit (“Transportliste”), të hartuar në Prishtinë pikërisht në gusht të vitit 1944. Në këtë dokument divizioni SS “Skënderbeu” ngarkohet  të kryej detyrën “transport der kommunisten und partizanen”. Lista gjendet në treguesit: AQSH, F. 153, V. 1944, D. 172, fl. 10-38. Pjesa e parë e kësaj liste mbyllet me numrin 239, kurse pjesa e dytë e listës mbyllet me numrin 249. Ekzistojnë edhe dy aneks-lista, të dhënat e të cilave përllogaritur një për një. Sipas këtyre listave, që sinkronizohen në të njëjtin veprim që përmend dhe dokumenti i MMH, divizioni SS “Skanderbeg” ka shoqëruar dhe jo dorëzuar apo viktimizuar në kampin e përqendrimit të Saimishtes afër Beogradit dhe jo në Bergen-Belsen. Në të dy listat, bashkë me dy anekset,  që përmbajnë 519 emra, janë vetëm 32 hebrenj të depërtuar nën shoqërimin e divizionit SS “Skënderbeu”. Pjesa tjetër e personave të arrestuar janë shqiptar të arrestuar si komunist, partizanë, kundërshtarë të nazizmit; gjithashtu antifashistë malazezë dhe pak serbë.

Bazuar në këtë listë që e ka ofruar prof. Dr. Shaban Sinani, dhe listën e hebrenjve që kanë jetuar në Prishtinë deri në vitin 1941 të publikuar në punimin e magjistraturës së Mr. Çedomir Prilinqeviqit, përveç një emri vajze të quajtur Dijamanta Avrami asnjë emër tjetër nuk përputhet me hebrenjtë e Prishtinës. Deri më tani nuk ka ndonjë e dhënë tjetër që dëshmon për internimin e hebrenjve nga divizioni SS Skënderbeu. Shumë pak është për të besuar se shqiptarët kinse i paskan shoqëruar këta hebrenj deri në Beograd, kur tani ma veç janë të njohura përpjekjet e shqiptarëve dhe kontributin që dhanë për shpëtimin e hebrenjve në momentet ma kritike për ta. Akuza për pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në shoah do të përfundonte vetëm kurë të kuptohet qëllimi dhe gënjeshtra e disa studiuesve e veçanërisht atyre sllavë që manipuluan me shifrat prej 400, 519, apo 800 hebrenjve të depërtuar kinse në kampe të përqendrimit nga divizioni SS “Skënderbeu”.

            Të shohim si ka qëndruar gjendja me hebrenjtë që ishin të pranishëm në mesin e popujve tjerë të Ballkanit dhe më gjerë.

Autoritetet e Beogradit gjatë luftës së dytë botërore njoftonin R.SH.A. në Berlin se Serbia ishte pastruar nga çifutet.

Sipas statistikës së luftës së dytë botërore për holocaust në shtetet evropiane jetonin 9.508.340 çifut prej tyre janë vrarë 5.962.129 ose 63% kanë mbijetuar 3.546.211. Nga kjo statistikë shihet se në jugosllavi nga 78.000 çifut janë vrarë 63.300 apo 81% kishin mbijetuar 14.700. Në Greqi nga 77.380 ishin vrarë 67.000 apo 87%, kishin mbijetuar 10.380. Në Itali nga 44.500 ishin vrarë 7.680 apo 17% kishin mbijetuar 36.820.

 Në fillim të vitit 1943 për pak javë, thuajse e gjithë bashkësia çifute e Selanikut, prej afro 50.000 banorësh u depërtua në Aushvic. Vetëm një numër i vogël i tyre mbeti gjallë. Kjo bashkësi në kohën e lulëzimit të saj që njihej me emrin MALKAH ISTAILMbretëresha e Israelit” tani nuk ekziston më. 

Selaniku është quajtur edhe nëna e çifutëve, në këtë qytet para lufte jetonin  komunitete hebrenj që mbanin emrin nga vendet që kishin ardhur pas dëbimit nga Spanja dhe vendet tjera më 1492 si: Kastiljan, Aragon,Toledo, Sicilian, Kalabrian, Kordovas, Portugez, Romaniot dhe Ashkanet. Në vitin 1498 Selaniku kishte 30.000 hebrenj.

            Ata pak hebrenj të Selanikut që shpëtuan, shpëtuan po thuajse falë fisnikëve grekë të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar miqtë ose shokët e biznesit. Ekstremet e shifrave 100% shpëtuan në Shqipëri dhe vetëm 10% në Selanik përbën një fushë kërkimesh të pasur për historianët.

            Kur të analizojmë numrin e çifuteve të vrarë nga kolobarcionistet dhe shovinistet e shteteve fqinjë të shqiptarëve, shqiptarët si popull mundë të krenohen me virtytet e tyre njerëzore dhe morale për të cilat janë shquar në të gjitha luftërat rajonale. 

            Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe hebrejve kanë qenë në një nivel shumë të lartë. Fizikani më i madh në botë, Albert Ajnshtajn që kishte origjinë hebrenje u ftua në Tiranë nga mbreti Zog. Krijuesi i teorisë së relativitetit ka zhvilluar edhe disa takime zyrtare e jo zyrtare me drejtuesit e shtetit shqiptar.

 Dr. Ana Kohen thotë se familja e saj ishte nga Janina, ku vetëm 10% e hebrejve shpëtuan. Shkuam në malet e Vlorës i ndërruam emrat në mysliman, u përziem me vendasit të cilët na pranuan dhe na trajtuan si vëllezërit dhe motrat e tyre.

Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943 shumë çifut gjetën strehim ndër fshatar dhe familje shqiptare. Pas pushtimit Italian të Kosovës, disa hebrenj që erdhën nga veriu u vendosen në kamp, italianët ishin njerëzor në trajtimin që u bënin hebrejve në këtë kamp familjesh hebrenje. Kur hebrenjtë u ankuan për mbi popullim të kampit, italianët ua bënë këtë çështje të njohur gjermanëve. Të nesërmen ata shkuan te kampi, morën gjysmën e hebrenjve që ndodheshin aty i dërguan tek një pyll(Tauk-Bahqe) afër Prishtinës dhe i pushkatuan. Në vitin 1944 në Prishtinë kur komunistet e morën dhe e pushtuan qytetin bënë pushkatime të shqiptarëve dhe hebrenjve të vendi i quajtur “Shenjëtaria” në Tauk-Bahqe. Këtu u pushkatua edhe hebreu i pasur z. Salamon Bahari dhe djali i tij Moshe Bahari me shpifjen e akuzës se gjëja babë e bir iu kishin dhënë ryshfet gjermanëve dhe shqiptarëve që ishin bashkëpunëtor të armikut, por qëllimi kryesor i pushkatimit të tyre ishte plaçkitja e pasurisë së z. Salamon Bahar i cili kishte qenë pasanik i madh para dhe gjatë luftës. Sarina Samujel Bahar e shoqja e z. Moshe Baharit, jetoi në Prishtinë deri në vitin 1981, kur dhe vdiq.

Shtëpi e vjetër qytetare ne Lagjen Biklia në Prishtinë
Hebrenjtë nga Serbia dhe Kroacia filluan të zhvendosen në trevat ku jetonin shqiptarët, ku ndiheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve dhe Italianëve, derisa edhe këtu arritën gjermanët. Sido që të ketë ndodhur, mënyra se si shqiptaret i trajtuan hebrenjtë mbetet e pakrahasueshme me atë çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrenjve tek gjermanët e as nuk morën pjesë në arrestimin e tyre. Në Prishtinë , me kërkesën e gjermanëve, autoritetet lokale i përpiluan listat e hebrenjve. Kjo solli arrestimin e 60 burrave hebrenj. Një doktor simpatik shqiptar Spiro Lito, e bindi kryesinë e vendit që të mos lejonin dërgimin e 60 hebrenjve në Poloni.  Hebrenjtë u dërguan në Berat, u pajisen me dokumente false dhe u shpërndanë nëpër Shqipëri,  në qytetet Lushnjë, Shijak, Kavajë e Krujë.

Për trajtimin e hebrejve të ardhur nga viset tjera te ish Jugosllavisë Gavra Mandil në librin “Zivot u cerno-belim slikama” jep të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar mikëpritjen dhe qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës ndaj çifuteve, por dhe mikpritjen shqiptare gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

 Po ashtu edhe trajtimi i hebrejve në burgun e Prishtinës nga ushtarët Italian ishte human dhe njerëzor. Në këtë libër përshkruhen kujtimet nga udhëtimi i hebrejve nga Prishtina për në Kavajë.

            Pas hyrjes së trupave naziste në Prishtinë u krijua një gjendje e vështirë, si për isrealitët vendas, ashtu edhe për ata që kishin ardhur nga viset tjera. Zhulia Kantozi, një nga isrealitet e Prishtinës që më pas erdhi në Shqipëri, në dëshminë dhënë autorit në vitin 1968, ka pohuar se në Prishtinë u grumbulluan rreth 2000 hebrenj. Me urdhër të nazisteve, të gjithëve na vunë në krah një shirit të bardhë me shkronja të zeza ku shkruhej fjala “Jud”. Në të gjitha banesat dhe dyqanet e hebrenjve kishin vendosur nga një flamur gjerman. Në letërnjoftime na kishin shtamposur një “J” me ngjyrë të kuqe. Kur erdhën Gjermanët në Mitrovicë u kërkuan autoriteteve italiane t’u dorëzonin isrealitët e Prishtinës. Ndër isrealitet dhe popullsinë vendase u dha alarmi. Shqiptarët e Prishtinës, përfshi edhe ndonjë nga autoritetet e vendit, shkuan menjëherë në komandën e karabinierisë italiane dhe iu luten që të mos i dorëzonin, por të gjenin rrugë e mundësi për ti shpëtuar duke i nisur për në Shqipëri. Italianët që tregoheshin më humanë e tolerant e morën parasysh këtë kërkesë dhe në grupe  i nisën në Shqipëri.

Francesco Jacomoni, në kujtimet e tij shkruan se si kryeministri shqiptarë i asaj kohe Mustafa Kruja, kishte kërkuar takim dhe e kishte lutur që ti shpëtoi isrealitet e tokave shqiptare të Kosovës. Jacomani e miratoi këtë kërkesë dhe menjëher veproi për largimin e isrealitve nga Prishtina për ti sjellë në Shqipëri.

Mustafa Kruja u tregua i aftë për të përballuar situatat me guxim dhe shpirtbardhësi pas marrjes së detyrës së kryeministrit. Tek ai kishte shkuar konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për ti paraqitur një not verbale përmes së cilës qeveria naziste kërkonte ti dorëzoheshin më shumë se treqind hebrenj që pas largimit nga Jugosllavia ishin strehuar në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane në Beograd kishte të dhëna të sakta rreth emrave dhe vendndodhjes së tyre në Kosovë. Mustafa Kruja erdhi dhe më kërkoi leje që ti linim të pa shqetësuar në Shqipëri sepse atje nuk kishte në gjithë vendin ushtarë gjerman që mundë ti identifikonin. Sidoqoftë u ra dakord që refugjatët hebrenj të transferoheshin në zonën e Gjirokastrës që ishte në kufi me Greqinë, e cila mbahej e pushtuar nga trupat italiane. Ata do të pajiseshin me pasaporta shqiptare me emra të rremë dhe me materiale të tjera aty ku do të ishte e nevojshme. Këto masa i bënë të  mundur Mustafa Krujës që pas disa ditësh ti përgjigjej konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se, të gjitha kërkimet në Kosovë rreth këtyre emrave nuk kishte nxjerr asgjë.

Zyra politike e Ministrisë së Punëve  të brendshme me telin shifër nr. 11/19, datë 30.03.1942, urdhëroi prefekturat Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Dibër, që gjithë isrealitët Brenda tri ditëve, me letër shtrëngimi të dërgoheshin në prefekturën e Beratit. Në bazë të këtij urdhri më 05.04.1942 në Berat arriti kontingjenti i parë i hebrenjve prej 100 vetash. Nga Peja u nisën më 09.04.1942 për në fushën e përqendrimit të Pezës 79 isrealit. Me urdhrin telegrafik11/25 të datës 01.04.1942 Zyra Politike e Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prizrenit, urdhëroi që të gjithë isrealitët e ardhur aty nga viset tjera të grumbulloheshin në një fushë përqendrimi për të gjithë Kosovën, në marrëveshje me autoritetet ushtarake. Më pas me urdhrin telegrafik 11/95 të datës 05.07.1942, të Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, drejtuar prefekturës së Prishtinës, të 69 isrealitët që qëndronin në burgun e Prishtinës u nisën për në Shqipëri në qendrat e përqendrimit: Kavajë, Burrel, Krujë e Shijak. Gjatë vitit 1942 dhe fillim të vitit 1943 erdhën edhe grupe të tjera hebrenjsh nga Prizreni, Prishtina, Ferizaj dhe vende tjera.

            Riza Drini ish prefekt i Prishtinës gjatë viteve 1941-1942 dhe Hysen Prishtina në vitet 1943-1944 kanë ndihmuar në shpëtimin e shumë hebrenjve të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës përmes formave të ndryshme i dërgonin në Shqipëri. Riza Çitaku ish banor i Prishtinës, në vjeshtën e vitit 1943 ka strehuar dhe shpëtuar bashkëshorten e Josef Baharit, e cila kishte shkuar nga Kavaja në Prishtinë për ti parë prindërit. Pasi e kishin future në kamp, ajo ishte arratisur dhe ishte strehuar për një kohë të Rizai i cili me ndihmën e prefektit Hysen Prishtina e shpëtoi.

            Murteza studenica në librin e tij “Shqiptarët dhe Hebrenjtë” shkruan: Kur gjermanët kishin kërkuar listën e hebrenjve që jetonin në trojet etnike shqiptare, dy hebrenj lider të komunitetit hebraik, z. Kohen dhe z. Jakoel shkuan në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe kërkuan mbrojtje. Ekzistonte një marrëveshje midis gjermanëve dhe Xhafer Devës, se gjermanët nuk duhet shumë të përzihen në punët e brendshme të qeverisë. Këta dy hebrenj u takuan me Xhafer Devën, ishin të shqetësuar se ky do ti dorëzonte në Gestapo (Geheim Stat Polizei-Policia Sekrete Gjermane). Xhafer Deva për befasinë e këndshme të këtyre dy hebrenjve, refuzoi që ti dorëzonte listat e emrave të hebrenjve, që gjendeshin në trojet etnike shqiptare. Mjekët dhe gjykatësit shqiptar nga Kosova i dërgonin hebrenjtë qoftë për mjekim apo për ta kryer burgun në Shqipëri , me të vetmin qëllim shpëtimin e tyre.

             Martin Gilbert është i pari që në librin e tij “Atlas of the holocaust” shënoi mbi hartën e Shqipërisë shtetërore “200 hebrenj të zhdukur”. Askush s’e di se ku e gjeti autori këtë shifër. Në të kundërtën, qoftë Instituti “Yad Vashem” në Izrael, qoftë Muzeu Memorial i Holakaustit në SH.B.A., Institucionet më të specializuara për historinë tragjike Shoah ose Holokaust, rastin e Shqipërisë ku s’pati viktimizim dhe përzënie të hebrenjve, e veçojnë si një model të papërsëritshëm. Sipas enciklopedisë “Pinkas Hakehillot Yavan” (Yad Vashem, 1998), në Shqipëri s’ka pasur holocaust. Forumi Ndërkombëtar i Holokaustit, që u themelua në Stokholm në vitin 2000 po ashtu rikonfirmoi se në Shqipëri jo vetëm nuk ka pasur holocaust, por janë shpëtuar qindra e mijëra hebrenj të vendeve tjera që gjeten shpëtim nën mbrojtjen e shqiptarëve.

              Studiues dhe njohës të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së holokaustit si: B. Fischer, N. Malcolm, H. Sarner, J. Goldfarb, P. Stambul, në kohë të ndryshme janë shprehur se “në analizën përfundimtare 100% e hebrenjve të Shqipërisë mbijetuan nga lufta”. Në dy dekadat e fundit, për shkaqe nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe keqdashjen për këtë faqe të përndritur të historisë së popullit shqiptar, kanë nisur të shërbehen për qëllime statistikore gjithë far shifrash, që synojnë ta njollosin ndoshta të vetmin shembull ku hebrenjtë, vendës e të ardhur, u shpëtuan në tërësi shkruan prof Dr. Shaban Sinani.

             Kur nazistët i kërkuan listat e hebrenjve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi ti dorëzonte ato. Populli shqiptar pa dallim feje ju dha strehë, bukë, mbrojtje dhe bëri         që asnjë prej tyre të mos bëhej pre e holokaustit.

              Naftali një i ri që lufta e kishte zënë katërmbëdhjetëvjeçar tregon se si nga Serbia kanë kaluar në Bullgari, e më pas në Kosovë, i cili burgoset me tërë familjen e tij. Atëherë ai thotë ne pamë anën më të ndritshme të shqiptarëve.  

             Një grup gjykatësish shqiptarë erdhën dhe kërkuan që të bëhej zhvendosja e refugjatëve më në jug të vendit. Ata e bënë këtë për të shpëtuar jetët tona dhe për t’ia arritur kësaj na transferuan në Kavajë.

            Ana Lalaj në studime te saj tërheq një paralele midis qëndrimit të shqiptarëve ndaj hebrenjve dhe qëndrimit të shqiptarëve ndaj fqinjëve. Te shqiptarët nuk gjen asnjë platformë civile apo ushtarake të shfarosjes në masë, të zhdukjes së shtetit fqinjë ose të kombit fqinjë. Përkundrazi, mesazhe miqësie e mirëkuptimi janë përcjell që nga Rilindësit e deri në ditët e sotme.

             Komiteti i hebrenjve të Jugosllavisë i drejtohet me përshëndetje Qeverisë demokratike të Shqipërisë në Maj 1945 ku thuhet: “Kur hebrenjtë e Jugosllavisë, Polonisë, Gjermanisë” etj., shuheshin me gaze e mjete hekuri nga nazifashistet, pa dallim, burra, gra, e fëmijë, në Ballkan ishte një popull që u ngrit mbi çdo teori racore dhe mbi qytetërimin perëndimor, popull hero dhe mikpritës i Shqipërisë…Në historinë e kësaj lufte do të mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar e heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet ndoshta i vetmi, nga të gjithë popujt e pushtuar të Evropës, që pengoi dhe ndaloi shfarosjen dhe ndjekjen e hebrejve.

             Më 17 Janar 2007 në ditën ndërkombëtare të  mbijetuarve dy vëllezër shqiptarë Mefail dhe Njiazi Biçoku nga Librazhdi janë nderuar nga Lidhja Izrealite kundër racizmit (Organizata Hebrenje në SH.B.A.) pasi gjatë luftës së dytë botërore familja Biçoku kishte strehuar 26 hebrenj.[1]

Po ashtu për strehimi9n e hebrenjve në Kosovë me çmim u nderua Mustaf Rezniqi.


[1] http://listserv buffalo.edu/cgi-bin/ëa?A2=ind 07 01d&L=albaneës&P=442

FUND