E enjte, 28.03.2024, 08:31 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Rrëzimi i Paktit Detar, deklarata zyrtare e Gjykatës Kushtetuese

E merkure, 27.01.2010, 07:43 PM


Fejzi Braushi
 
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin e marrë një ditë më parë, me të cilën rrëzoi Paktin Detar me Greqinë bërë nga qeveria shqiptare.
Në faqen e saj zyrtare, Gjykata Kushtetuese sqaron se rrëzimi i Paktit është bërë njëzëri, duke theksuar se në të ka pasur shkelje të rënda.
Më poshtë deklarata zyrtare e Gjykatës Kushtetuese 
"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë njofton se në mbledhjen e saj të dt.26.01.2010, në bazë të nenit 131/ b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".

Gjykata Kushtetuese thekson se në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982.

Vendimi i arsyetuar i kësaj Gjykate do të vihet në dispozicion në një kohë tjetër të përshtatshme.


******
Qeveria merr goditjen e radhës nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka rrëzuar me shumicë votash marrëveshjen e shumë debatuar të përcaktimit të shelfit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë, e njohur ndryshe si marrëveshja për ndarjen e kufirit ujor mes dy vendeve tona. Vendimi nuk është bërë ende i njohur në mënyrë zyrtare, por burime pranë trupit gjykues konfirmojnë se marrëveshja në fjalë është konsideruar në tërësinë e saj si antikushtetuese dhe në kundërshtim me interesat territoriale dhe ekonomike të vendit tonë, pa dhënë detaje të mëtejshme lidhur me pikat e kontestuara. Ajo që mësohet është se diskutimet brenda tryezës së gjyqtarëve kanë qenë të gjata deri në orët e vona të pasdites së djeshme, ku dhe është arritur që shumica e gjyqtarëve t'i japin të drejtë pretendimeve të shprehura nga Partia Socialiste në kërkesën e saj të paraqitur në muajin nëntor. Burime nga Gjykata Kushtetuese deklaruan fillimisht për gazetën se raporti ka qenë 9 me 0 teksa është diskutuar verbalisht. Ndërkohë që gjatë nënshkrimit të procesverbalit mësohet se ka pasur ndryshime të qëndrimeve duke kaluar në raportin 7 me 2. Megjithatë, gjithçka pritet që të qartësohet zyrtarisht nga vetë Gjykata. Ndërkohë, një element i rëndësishëm që ka luajtur në marrjen e këtij vendimi ka qenë edhe sugjerimi që kjo gjykatë i jep qeverisë për të rinegociuar marrëveshjen me shtetin grek, por kësaj here duke iu përmbajtur parimit të baraslargësisë dhe jo atij të barazisë së brigjeve të dy vendeve tona. Faktikisht një vendimmarrje e tillë ishte paralajmëruar që gjatë seancës gjyqësore që zhvilloi kjo gjykatë në datën 8 dhjetor ku për më shumë se 7 orë mbledhje u shqyrtuan të gjitha pretendimet e palëve në këtë debat, PS-së nga njëra anë, qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kuvendit nga tjetër. Dhe pika më e dobët që u evidentua në atë seancë ishte pikërisht parimi i ndjekur nga pala jonë në përcaktimin e vijës ndarëse ujërave dhe shefit detarë me Greqinë. Kështu, siç edhe këmbënguli në këtë seancë anëtari i trupës gjykuese dhe njëkohësisht relatori i çështjes Xhezair Zaganjori, parimi i barazisë i zbatuar në arritjen e kësaj marrëveshje kishte qenë i disfavorshëm për vendin tonë, pasi kjo kishte bërë që shteti grek të futej në ujërat tona detare, duke iu afruar tokës shqiptare. Për këtë arsye ai la të kuptohej në këtë gjyq se rruga më e mirë dhe praktika më e ndjekur në precedentët e tjerë të huaj ka qenë ajo e baraslargësisë. Ndërkohë, një tjetër argument që duket se ka luajtur rolin e vet deçiziv në këtë përfundim të gjykatës ka qenë edhe fakti se në negocimin e bërë mes palëve që hartuan këtë marrëveshje, ishte anashkalimi i rolit të presidentit si kryetar shteti. Kanë qenë përfaqësuesit socialistë ata që kanë ngritur dyshimin se gjatë negocimit pala jonë nuk ka qenë ligjërisht e autorizuar për të mbrojtur interesat dhe për të folur në emër të shtetit shqiptar. Kjo, pasi atyre u ka munguar autorizimi nga ana e kreut të shtetit, ashtu siç edhe e përcakton ligji për hartimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Në nenin 4, të Ligjit të sipërcituar, parashikohet shprehimisht se "Përfaqësuesit e shtetit, që ngarkohen të zhvillojnë bisedime dhe të nënshkruajnë traktate ose marrëveshje me përfaqësuesit e shteteve të tjera, ose që caktohen të shkëmbejnë instrumente ratifikimi apo të depozitojnë instrumente ratifikimi, aderimi ose denoncimi pranë një organizate ndërkombëtare apo pranë një shteti, pajisen me plotfuqi të rregullta". Sipas socialistëve, plotfuqia e rregullt përbën një kusht absolut për fillimin e bisedimeve dhe për lidhjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Në kërkesë-padinë e tyre socialistët pretendonin se nga praktika e gabuar e ndjekur dhe përllogaritjet e dala prej saj, vendi ynë humbiste një sipërfaqe të konsiderueshme detare në detin përballë Sarandës dhe në kanalin e Korfuzit. Marrëveshja fillimisht u ankimua në gjykatë nga një grup partish të djathta dhe të majta opozitare, por më pas gjykata rrëzojë legjitimitetin e pjesës më të madhe të tyre, duke pranuar vetëm kërkesën e Partisë Socialiste.

Gazeta "Shekulli" ishte ndër të vetmet media në Shqipëri që organizoi në 12 tetor një dëgjesë publike për faljen e një pjese të territorit të Shqipërisë nga qeveria. Ftesës së gazetës iu përgjigjën historianë, politikanë dhe përfaqësues të medias


Beteja e qëndrimeve prej prillit 2009, mes qeverisë që mbronte paktin dhe oponentëve
Marrëveshja me Greqinë, si i merrej deti Shqipërisë 
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte firmosur në Tiranë në prill 2009 nga ish-ministrat e Jashtëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis, dhe në praninë e kryeministrave, ai shqiptar Berisha dhe ai grek Karamanlis. Sipas ministrisë së Jashtme, për të arritur deri te firmosja e marrëveshjes ishin dashur rreth 2 vite bisedimesh, për të cilat qeveria shqiptare i ishte përgjigjur kërkesës së qeverisë greke për përcaktimin e kufijve detarë dhe delimitimin e sheflit kontinental. Sipas variantit të palës shqiptare, kufiri ujor ishte ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë) dhe e vetmja pikë, e cila nuk ishte përcaktuar, por që pritej të merrte përgjigje të shpejtë ishte ajo, ku ujërat detare bashkojnë të tria vendet, Shqipërinë, Greqinë dhe Italinë. Kryenegociator i palës shqiptare ka qenë sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferid Hoxha, ndërsa për palën greke ka qenë këshilltari special i ministres Bakojanis, Xhorxh Savaides.
"Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare", thuhej në nenin 1 të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë "për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Gjithashtu, në marrëveshje të dyja palët angazhohen të marrin përsipër për të zgjidhur në rrugë diplomatike, çdo mosmarrëveshje që mund të lindë në lidhje me interpretimin apo zbatimin e saj. "Nëse një mosmarrëveshje e tillë nuk zgjidhet brenda katër muajve nga dita në të cilën një nga palët bën të ditur synimin e saj për të filluar procedurën e parashikuar në paragrafin e mësipërm, ajo do t'i dërgohet me kërkesën e secilës prej palëve, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ose ndonjë organi tjetër ndërkombëtar", thuhej në marrëveshje.
Marrëveshja pretendon se respekton në nenin 1 të saj, ku shprehimisht thuhet se "kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë. Në mënyrë më specifike vija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e secilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë nga e cila matet gjerësia e ujërave territorialë detarë. Sipas matjeve, ka rezultuar se pika 30 është larg nga Kepi i Stillos në distancën 2.4 km dhe nga Korfuzi i Greqisë me distancën 9.6 km ç'ka tregon se shteti helen ka përfituar vetëm në këtë pikë nga marrëveshja 7.2 km det. Po kështu, edhe pika 100, e cila është larg nga Kepi i Qefalit në Shqipëri në distancën 11 km, kurse nga ishulli i Erikuzës në Greqi në distancën 15.6 km. 


Oponenca

Kundërshtari publik dhe me argumente teknike të marrëveshjes ishte Prof. Asoc. Dr. Myslim PASHA, mjeshtër kërkimesh dhe kolonel në rezervë i Forcave të Armatosura. Ai që pas nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverive në prill denoncoi paktin detar si shitje të detit dhe cenin të sovranitetit të vendit. Për shumë muaj, z. Pasha shpjegoi me anë të medias, pikat e errëta të marrëveshjes dhe moskompetencën e ekipit negociator shqiptar, i cili vetëm kishte pranuar propozimet greke.
Në një letër të hapur drejtuar anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, që më 5 tetor 2009, Prof. Asoc. Dr. Myslim PASHA, u shpjegonte ligjvënësve pikat e errëta të marrëveshjes, që kishte marrë miratimin e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, edhe pse deputetët nuk kishin pasur mundësi të shikonin një hartë të marrëveshjes, sepse ajo ende nuk ekziston. Pasha kërkonte shtyrjen e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, që ishte vendosur në 19 tetor 2009, derisa të qartësohej gjithçka nga ekspertët dhe marrëveshje të bëhej transparente për opinionin publik. 
Gazeta "Shekulli" ishte ndër të vetmet media në Shqipëri që organizoi në 12 tetor një dëgjesë publike për faljen e një pjese të territorit të Shqipërisë nga qeveria. Ftesës së gazetës iu përgjigjën historianë, politikanë dhe përfaqësues të medias ndërsa ashtu siç pritej mungonin përfaqësuesit e ftuar nga qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes.
Njëherësh blogje dhe rrjete sociale si Facebook, u përfshinë në kundërshtimin e aktmarrëveshjes për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një blog, që më 1 tetor 2009 nisi mbledhja e firmave të atyre që ishin kundër. 
Nga ana e saj qeveria ishte e vendosur për ta mbrojtur paktin detar. Ministria e Mbrojtjes me anë të kundëradmiral Kristaq Gervenit, dhe ministria e jashtme me anë të ambasadorit shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, ish-kryetar I ekipit negaciator shqiptar, përsëritën tezat se nuk ishte bërë asnjë shkelje ligjore dhe nuk ishte falur asnjë milimetër det. Madje, vetë kryeministri Berisha, duke komentuar analizën e prof. Pasha e quajti sharlatan dhe u shpreh se qeveria nuk do të tërhiqej nga pakti, me justifikimin se Shqipëria dhe Greqia nuk kanë pasur kufi detar mes tyre. 




(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora