E premte, 19.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, sqaron regjistrimin e vitit 2011

E merkure, 27.01.2010, 07:26 PM


“Regjistrimi nuk e zëvendëson regjistrin civil ku shënohet kombësia”

Çfarë është regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave? 

Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë dhe banesave është numërimi i plotë i të gjithë individëve, njësive ekonomike familjare dhe banesave, destinacioni i të cilave është banimi. Ky është një vrojtim tejet kompleks, i cili siguron një informacion të rëndësishëm jo vetëm për politikëbërësit, por edhe për komunitetin e gjerë të përdoruesve dhe të biznesit. Qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë dhe banesave është të japë një panoramë aktuale dhe të saktë të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend. Regjistrimi jep një fotografim të momentit mbi gjendjen sociale dhe nivelin e jetesës së popullsisë në një moment të dhënë (momenti kritik i regjistrimit). Vetëm regjistrimi i përgjithshëm mund të sigurojë të dhëna kaq të plota dhe të detajuara dhe rezultatet e tij janë jetësore për një politikë dhe marrjen e masave efektive.
Çfarë të dhënash të reja do të mund të nxirren nga ky regjistrim në krahasim me atë të vitit 2001?

Në fillim dua të theksoj se dy risitë më të mëdha për regjistrimin e popullsisë dhe banesave 2011 kanë të bëjnë me procesin e dixhitalizimit të hartave dhe atij të skanimit optik. Mbledhja e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë është një fazë kritike e cila është e kushtueshme në terma kohe dhe kostoje. Për të shkurtuar kohën e mbledhjes së të dhënave INSTAT-i ka implementuar një teknologji të avancuar për mbledhjen e të dhënave. Pranë zyrave të INSTAT-it është implementuar sistemi i skanerëve optikë, të cilët arrijnë të lexojnë rreth 8000 pyetësorë në ditë. Kjo teknologji, e cila zbatohet në shumë vende të zhvilluara të Europës, siguron një ruajtje dixhitale të pyetësorëve të plotësuar. Gjithashtu, përdorimi i skanerëve optikë bën të mundur që të dhënat të mblidhen me shpejtësi, dhe të rritet ndjeshëm cilësia e tyre. Nëpërmjet këtij sistemi arrijmë të sigurojmë një bazë të dhënash më të sigurta dhe lehtësisht të menaxhueshme. Nga ana tjetër, në vitin 2001 hartat e regjistrimit mbulonin vetëm zonën urbane dhe ishin në format letër. Pas regjistrimit u bë i mundur vetëm prezantimi i të dhënave të agreguara sipas ndarjes administrative. Kështu, ky sistem i ri do të konvertojë hartat e regjistrimit në një bazë të dhënash hartografike të regjistrimit të popullsisë, në zona më të vogla sesa ato administrative siç janë komunat dhe do të shërbejë për të bërë analiza të pasura tematike duke kombinuar të dhënat hartografike me të dhënat sociale-ekonomike dhe demografike.
Ndërkohë që për sa u përket risive në të dhëna, përveç atyre që kanë të bëjnë me karakteristikat bazë demografike siç janë, gjinia, mosha, lidhja me personin e referencës (përcaktimi i bërthamave familjare), vendlindja dhe gjendja martesore duke iu referuar asaj ligjore dhe të tjera këto karakteristika janë pyetjet thelbësore duke iu referuar rekomandimeve të EU. Në këtë pyetësor i janë krijuar kushtet edhe personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, seksioni i punësimit në krahasim me vitin 2001 do të jetë më i zgjeruar, duke zbatuar dhe rekomandimet e EU-së në lidhje me pyetjet dhe metodologjinë e tyre të cilat sigurisht kanë evoluar që nga viti 2001.
Kur, në çfarë muaji është menduar të bëhet regjistrimi 2011?

Muaji që përzgjidhet të bëhet regjistrimi është muaji prill. Dhe ky është një standard ndërkombëtar, që është vendosur pasi të gjitha vendet e bëjnë në këtë periudhë, pasi është menduar që është periudha (muaji) më i mirë për t’u bërë regjistrimi. Nga ana tjetër kjo shërben dhe për të pasur një bazë krahasimore të njëjtë si brenda vendit ashtu edhe jashtë, pasi të gjitha vendet e realizojnë këtë në këtë periudhë.
Për çfarë arsyeje u vendos të bëhen pyetje në lidhje me fenë apo etninë?

Siç e dini, regjistrimi i popullsisë ka si qëllim në vetvete të masë popullsinë, lëvizjet migratore, vendbanimin dhe elemente të tjera siç janë punësimi, arsimi, niveli jetesës etj. Këto janë pyetje thelbësore (core topics) dhe janë qëllimi në vetvete i bërjes së regjistrimit, pasi disa lloj informacionesh nuk mund të maten në formë tjetër apo më mirë sesa me regjistrim të përgjithshëm. Por për qëllime statistikore mund të maten dhe të dhëna të cilat kanë të bëjnë me fenë, grupin etnik etj. Gjithnjë dua ta theksoj për qëllime statistikore, pasi kjo deri në një farë mënyre do t’u shërbente politikbërësve në hartimin e politikave të tyre edhe për grupet etnike, minoritetet etj. Pyetësori është në fazë përgatitore dhe do të diskutohet me të gjitha grupet e interesit si komunitetet fetare, partitë e ndryshme politike, ministritë, si dhe nga ekspertët e Eurostat.
A është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, përfshirja e pyetjeve mbi fenë dhe etninë në regjistrimin e përgjithshëm?

Standardet e Eurostat kanë të bëjnë me metodologjinë e pyetjeve etj., të cilat janë zbatuar dhe respektuar rigorozisht si për ato thelbësore (core topis) dhe për ato jothelbësore. Pra nuk ka standard nëse duhen apo jo pasi shembujt e ndryshëm në Europë tregojnë që ka vende që i marrin këto të dhëna.
A është e logjikshme që një proces kaq i rëndësishëm që synon të mbledhë informacion të gjithanshëm, të rrezikohet nga debati politik mbi dy pyetje që nuk kanë ndikim në jetën e shqiptarëve?

Në fakt, unë e kam ndjekur me vëmendje debatin që është bërë në lidhje me pyetësorin. Çdo debat gjithnjë ka një të mirë, pasi mund të reflektosh mbi interesat e grupimeve të ndryshme me qëllim që çdo proces në lidhje me këtë investim kaq të madh për vendin tonë të jetë sa më i suksesshëm. Unë nuk mendoj se ka arsye pse debati të rrezikojë procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave 2011. Për më tepër ka metoda statistikore apo pyetje të tjera të tërthorta, të cilat do të vërtetojnë këtë qëndrim individual. Nga ana tjetër, ne kemi një regjistër civil ku kombësia është e deklaruar në certifikatën familjare. Të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë nuk kanë për të ndryshuar regjistrin civil, pasi siç e theksova më lart do të shërbejnë për qëllime statistikore joligjore.
Çfarë informacioni siguron INSTAT nëpërmjet regjistrimit të popullsisë dhe banesave dhe kujt i shërben më shumë ky informacion?

Në nivel kombëtar, popullsia është e rëndësishme për planifikimin dhe shpërndarjen e institucioneve të kujdesit shëndetësor, të arsimit, punësimit etj. Rezultatet në bazë rajonesh janë të domosdoshme për përcaktimin e politikave rajonale, por më e rëndësishmja është shpërndarja e popullsisë dhe njohja e karakteristikave të saj në nivel lokal. Kjo ndihmon në njohjen më të mirë të nevojave për shkolla, spitale, zonat ku papunësia mund të jetë më e madhe, përcaktimin e vendeve për qëllime biznesi  etj. Regjistrimi është gjithashtu një mënyrë mjaft e mirë për të njohur dhe matur lëvizjet e brendshme të popullsisë (migracionin e brendshëm). Krahasimi i rezultateve të dy regjistrimeve të fundit, duke pasur parasysh edhe shtesën natyrore të popullsisë për këta dhjetë vjet, na ndihmon dhe na jep mundësi për të përllogaritur numrin e personave që kanë lëvizur jashtë Shqipërisë (migracionin neto)

Reagimi
Deputeti Mark Marku flet për abuzimet me regjistrimin
Deputetët e Partisë Demokratike shprehen dyshues në lidhje me nismën më të fundit të qeverisë për të bërë regjistrimin e popullsisë së vendit mbi baza etnike dhe feje. Mark Marku, deputeti demokrat i Qarkut të Lezhës, iu bashkua dje zërave kritikë dhe dyshues për këtë regjistrim, i cili do të nisë në fillimin e vitit të ardhshëm. Duke kujtuar abuzimet e shumta që janë bërë me etninë në disa zona të vendit, deputeti Mark Marku theksoi se ishte e udhës që të tregohej kujdes në këtë proces, sepse mund të sillte abuzime të shumta. “Në lidhje me etninë në shumë zona të vendit ka pasur parregullsi të shumta. Ndaj duhet të kihej kujdes për sa i përket një regjistrimi të tillë”, theksoi Marku. Sipas tij, pazbatueshmëri kjo nismë gjen edhe për sa i përket çështjes së fesë, pasi ka tepër konfuzion për sa i përket përkatësisë të vërtetë fetare të shumë familjeve, të cilat kanë bërë martesa të përziera. Po kështu çështjen e fesë, Marku e konsideron më tepër një qasje individuale, sesa një e dhënë mbi të cilën mund të merret një statistikë e saktë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora