E marte, 23.07.2019, 09:07 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Sllavizim i planifikuar shtetëror i hapësirave publike në IRJM

E marte, 26.01.2010, 10:58 PM


Sllavizim i planifikuar shtetëror i hapësirave publike në IRJM

Nga Valon Kurtishi

Idolatria apo idhujtaria si dhe arkitektura monumentale janë ndër tiparet dalluese të regjimeve diktatoriale apo thënë më drejt, ajo është një segment shumë i rëndësishëm i imazhit të diktaturave të ndryshme përgjatë gjithë periudhave historike. Njihet arkitektura monumentale e cila himnizonte e madhëronte mbretërit e ndryshëm të Sumerit, Akadit apo Babiloni i famshëm me ato ndërtesat më të larta në botë për kohën. Varrezat e faraonëve egjiptianë të njohura si piramida janë gjigante në madhësinë e tyre duke rrezatuar njëkohësisht respekt dhe frikë ndaj sovranit që prehej në to. Më vonë këtë stil ndërtimi e kopjuan edhe shtete të shumta antike e në veçanti perandoria romake me ndërtimet e saj pompoze e impresive në të katër anët e perandorisë së fuqishme. 
Në periudhën moderne si kopjues të kësaj arkitekture dhe imazhi janë shquar diktaturat komuniste e fashiste si dhe teokracitë bashkë me regjimet e prapambetura të botës së tretë, asaj që me eufemizëm arrogant në literaturën perëndimore emërtohej si “botë në zhvillim e sipër”.
Me demokratizimin dhe humanizimin gjithnjë e më të shprehur e të përgjithshëm të raporteve shoqërore në shkallë globale dhe me rënien e totalitarizmave të ndryshëm bie edhe intensiteti dhe prezenca e këtij fenomeni parapolitik. Sot idhujtaria monumentale bashkë me kultin e personalitetit janë tërësisht jashtë kohe dhe hapësirë jo vetëm në vendet e demokracive të zhvilluara post-industriale, si vendet e OECD, Amerikës veriore apo Japonisë, por edhe në shumicën e sistemeve politike në nivel botëror. Kanë mbetur sisteme të caktuara e të vetmuara relike të komunizmit totalitar si Koreja e veriut, Kuba, teokraci islamike të tipit të Iranit, organizata parashtetërore si Hezbollahu, si dhe diktatura personale pseudo-socialiste si puna e Venezuelës së Çavezit që praktikojnë akoma sot idolatri të tilla primitive. Madje edhe në Afrikën e zezë e cila për një kohë të gjatë ishte sinonim i prapambeturisë së përgjithshme nuk vërehet një prezencë në përmasa të gjera e këtij fenomeni parapolitik shumë primitiv.
Kohëve të fundit një veprim i tillë është duke u planifikuar në nivele të larta qeveritare e akademike si dhe realizuar në praktikë me shumë bujë nga qeveria e  Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, vendi i vogël me më pak se dy milionë banorë në Europën juglindore. Kështu, qeveria djathtiste e VMRO, një ish-organizatë terroriste bullgare kjo që sot ka evoluar në parti politike moderne “maqedonase” duke ndryshuar emër, ideologji e përkatësi etnike, ka inicuar një fushatë të madhe të gjetjes së rënjëve antike të sllavëve të sotëm maqedonas si dhe një fushatë të dytë për etnizimin total të hapësirave publike të vendit. 
Përderisa përpjekjet dhe investimi shtetëror për gjetjen e rënjëve antike të sllavëve të sotëm maqedonas mund të duket dhe është një dilentantizëm qesharak që askush në botën akademike ndërkombëtare nuk e mer seriozisht, çështja e sllavizimit të shesheve dhe hapësirave tjera publike të qyteteve dyetnike të këtij vendi krijon precedentë negativë dhe ka implikime të rrezikshme për shqiptarët në veçanti dhe gjithë popullsinë e këtij vendi në përgjithësi. 
Kështu në kuadër të planeve fazhizoide për eliminimin dhe zhdukjen e tërësishme të trashëgimisë kulturore historike të shqiptarëve në Shkup, para më tepër se një viti qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal bëri dislokimin e shtëpisë së Nënë Terezës duke e spostuar në një lokacion tjetër, për të liruar vend për ndërtimin e planifikuar të një katedraleje të madhe sllavo-ortodokse aty. Kështu shtëpia e nobelistes së famshme shqiptare nga Shkupi u largua përfundimisht nga vendi origjinal ku kishte qëndruar dekada me radhë. Me këtë, komuniteti katolik shqiptar në Shkup i reduktuar nën terrorin sllav në disa dhjetëra individë nga disa dhjetëra mijëra që ishte dikur, u godit që në fillimet e kësaj fushate qeveritare. Pas këtij aksioni antihuman i cili nga pala shqiptare kaloi gati në heshtje të plotë dhe me protesta nga disa pak shoqata joqeveritare, qeveria vazhdoi me planet e veta ambicioze duke hapur fronte të reja antishqiptare pikërisht në sheshin e kryeqytetit të vendit. Ajo anoncoi planin ambicioz për vendosjen e një numri të madh të përmendoreve gjigante e busteve të ndryshme (reth 90) në qendrën historike të Shkupit shqiptar. Për të qenë sa më origjinale në punën e saj, ajo shpalli konkurse publike si dhe porositi krijimin e tyre në ndërmarje të specializuara për këto punë në Firence të Italisë. Kostoja financiare e këtij operacioni arin në disa dhjetëra milionë euro të paguara nga gjithë qytetarët e këtij vendi të cilët kuptohet se u takojnë grupeve të ndryshme etnike. 

Përtej gjithë kostove ekonomike për qytetarët apo shijeve arkitektonike reth rregullimit të sheshit të kryeqendrës, kjo është një çështje e cila nuk mund të tolerohet dhe pranohet nga popullsia shqiptare si në Shkup ashtu edhe në gjithë vendin, pasi ky shesh është njëkohësisht i Shkupit dhe i gjithë Republikës. Qendra e  kryeqytetit është fytyra zyrtare që përfaqëson IRJM në median ndërkombëtare. Kjo nga ana tjetër implikon çështje kardinale të natyrave etnike, fetare, sociale, substanciale për komunitetet që e përbëjnë këtë shtet të brishtë ballkanik. 
Pikërisht për këto arsye shoqëria shqiptare në Fyrom duhet ta pengojë me të gjitha mjetet e mundshme realizimin e këtij plani të çmendur për sllavizimin total edhe në aparencën e jashtme të hapësirave publike në vend. Nëse elementët etnikë sllavo-maqedonas janë të bindur në këtë që bëjnë dhe nuk lëshojnë pe, atëherë së paku një numër i madh i figurave atje të jenë pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar. Nëse në këtë shesh ka vend për figura të tilla bullgare e maqedonase si Goce Dellçev, Nikolla Karev, Gjorçe Petrov, Jane Sandanski, apo të tjerë atëherë doemos të ketë vend edhe për figura të tilla sublime në historinë e kombit tonë me origjinë nga këto treva si Leka i madh, Justiniani i parë, Nënë Tereza, Dervish Cara, Bajram Curri, Isa Boletini, Xhemë Hasa e deri tek heronjtë e vitit 2001.
Në vijim të prodhimit të tensioneve dhe krijimit artificial të situatave shpërthyese në marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërkonfeksionale, së fundi është problematizuar deri në përmasa absurde edhe çështja në lidhje me ndërtimin e kishës së madhe sllavo-ortodokse në qendër. Edhe për ndërtimin e saj qeveria ka ndarë në mënyrë eksprese një shumë të madhe parash duke diskriminuar kështu në mënyrë shumë publike e të pabesueshme komunitetet tjera fetare në veçanti atë mysliman. Për më tepër komuniteti mysliman insiston një kohë të gjatë për rindërtimin po në qendër të kryeqytetit të një xhamie të quajtur “Burmali”, shkatëruar në vitet 20 të shekullit të kaluar e cila nuk lejohet të rindërtohet në të nëjtën kohë kur më një kokëfortësi të paparë avancohen planet për ndërtimin e kishës maqedonase. Kjo paraqet në fakt trajtim të pabarabartë apo edhe diskriminim të një komuniteti të caktuar fetar e cila në një mënyrë ose në tjetrën lë një shije të hidhur dhe shkakton tensione të panevojshme mes komuniteteve fetare dhe grupeve të ndryshme brenda tyre. Kjo është një situatë e cila mund të shfrytëzohet nga fanatikët dhe ekstremistët në radhët e vetë bashkësive fetare në vend apo edhe nga grupe e organizata fundamentaliste nga jashtë.
Shikuar në tërësi, nëse gjithë këto plane megalomane për ndërtime përmendoresh, bustesh, monumentesh, objektesh fetare monoetnike sllave realizohen dhe trashëgimia historike shqiptare nuk bëhet pjesë integrale e sheshit të Shkupit, do të humbë krejtësisht kuptimi i një shteti dyetnik, demokratik dhe tolerant ku gjithë komunitetet janë të përfaqësuara proporcionalisht si në qeverisje, ekonomi, kulturë, ashtu edhe në jetën sociale në përgjithësi. 
E mira e vetme e anashkalimit dhe diskriminimit të këtillë të hapur e shovinist të kulturës shqiptare duket të jetë vetëdijësimi gjithnjë në ritje i masave shqiptare për kotësinë e pjesëmarjes në jetën publike të këtij shteti diskriminues e të huaj për ta si dhe hapja e perspektivave të reja për zgjidhje edhe territoriale të çështjeve të hapura etnike në vend.


(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT