E merkure, 24.04.2024, 04:31 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Intervistë ekskluzive me redaktoren e kulturës të gazetës “TemA”, zonjën Dhurata Hamzai

E marte, 26.01.2010, 10:59 PM


Megjithë mbylljen fatale të saj, misioni i gazetës “TemA” është i kryer

Më kujtohet një shprehje e Senekës në letrat dërguar Lucilit: “Ushtari që po mbytet, nuk mund të shpëtoj dot pa i lëshuar pajisjet e veta”. Ka rëndësi që shpëton ushtari, figurativisht gazeta “TemA” ishte “pajisja” që i shërbente në luftën për demokraci. 

“TemA” fatale dhe misioni i saj i kryer...!

Bisedoi: Kozeta Zylo 

Intervistë ekskluzive me redaktoren e kulturës të gazetës “TemA”, zonjën Dhurata Hamzai.
Ajo rrëfen si u mbyllën hapësirat kulturore dhe hapësira e fjalës së lirë bashkë me mbylljen fatale të gazetës “TemA”

Zonja Hamzai, këto ditë më kanë përcjellë shqetësimet për mbylljen e gazetës “TemA” shumë lexues dhe shkrimtarë shqiptarë që ndodhen në SHBA. 
Është gazeta ku ju jeni bërë e njohur si redaktore e kulturës dhe keni dhënë kontributin tuaj për hedhjen dritë tek krijuesit dhe krijimtarine në mërgim, në diasporë dhe sidomos për kulturën kosovare.  Përse veçanërisht gazeta juaj krijonte mjedis kaq të mirë për këto hapësira kulturore?

Hapësirat kulturore zgjerohen nga vetë mendësia dhe politika e botuesit të saj, i cili nuk mund ta kuptonte as një ditë të gazetës së tij pa risinë dhe dimensionin e lirisë së shprehjes. Prandaj, keqardhja më e madhe për mbylljen e gazetës “TemA” nuk ka qenë sepse mund të rrish pak kohë pa punë e rrjedhimisht pa të ardhura, por për lirinë e fjalës që po shtypet.  Një liri, që ndoshta, kur unë të punësohem në media të tjera të censuruara ose të drejtuara politikisht, do të më mungojë, ndërkohë që gazeta më ka mësuar të mos punoj as dot në kushte të tilla. Më besoni, gjithmonë kam ndjerë se pikërisht gazeta ku unë punoja, kundrejt një tufe mediash që kanë varësi shtetërore ishte caku i fundit ku gjente strehë fjala e lirë. Aty thuhej çdo gjë që në një media tjetër s’mund të thuhej.  Nuk pushonin telefonatat për gazetarët, sa nganjëhere e tepronin duke menduar se ne mund të bënin atë që nuk e bënte dot qeveria, ose institucionet. Por e vendosur përballë një realiteti mediatik kaq të përulur e servil, kësaj gazete i duhej të riskonte pareshtur dhe ne kemi kaluar çdo sfidë me vështirësi, derisa erdhi ora që shtypja u bë e padurueshme dhe ajo pas 11 vjetësh rezistence u mbyll. 

Sa vjet keni punuar në këtë gazetë dhe si e nisët punën në “TemA”?

E kam nisur punën në gazetën “Tema” fill pas vitit të parë të themelimit të saj dhe kujtoj se si ajo rritej në dimesionin e saj falë përkushtimit dhe idealizmit të kolegëve të mi, që jo pak herë kanë provuar paraburgimin ose thirrjet në sallën e gjyqit, ku vetëm e vërteta dhe argumenti ynë, ose mbështetja e ndërkombëtarëve na ka lënë më pas pa pasojat e ndëshkimit.  Pasioni i gazetarit na ka rrëmbyer aq shumë, po aq dhe Liria e fjalës, saqë jo pak herë kemi harruar të vëmë re se sa na kushton kjo punë, por nuk e besonim kurrë se do të rrënohej kaq shumë demokracia në këtë vend.  Mendonim se ishin veç pasojat e së shkuarës, mbeturinat, po tashmë ato po na vrasin e dhunojnë, duke ia arritur edhe të na mbyllin gojën.

Duke iu bërë presion ekonomik më parë dhe tashmë të ngelur pa punë, mendon se janë të qetë ata që e luftuan fjalën e lirë në gazetën “TemA”?

Mendoj se ende jo.  Izolimi i fjalës së lirë dhe i protestave është gjithmonë një përpjekje e një pushteti të errët që po sheh fundin e tij.  Ai bën gjithçka për të mos rënë, por kjo është e pashmangshme, veç se na kanë lodhur këto rëniet që na shkatojnë shumë plagë. Megjithatë më shumë se stafi i saj, u dëmtua një gazetë, një tribunë e Fjalës së Lirë, u rrënua një monument demokracie, sepse asnjëherë ndikimi ekonomik nuk ka lidhje me karakterin shprehës njerëzor.  Disa mendojnë se të jesh gazetar mund ta kesh një rrogë pak më të madhe se punonjësit shtetërorë, por mendo se e gjitha kjo shtesë shpenzohet në kërkim të raportit, telefonit, lëndës për lajm e intervistave.  Më në fund çdo gazetar, çfarëdo moshe që të ketë ngelet me financën e një adoleshenti, si thuhet në zhargon “me lek xhepi”, në rrugë, dhe fatkeqësiht shumë dendur i mungon familjes, për të mos i munguar shoqërisë dhe misionit që ka marrë përsipër.  Megjithatë pasioni justifikon gjithçka derisa ai prek sfidat që bëhet një zë që dëgjohet, një zë i lirë që shpalos problemet e jo rrallë vetëm prej penës së tij ndryshon edhe rrjedha e ngjarjeve regresive në rrugë më pozitive.

Të gjitha këto sfida që keni kaluar dhe po më thoni më janë dukur sikur nuk kanë vend në ndonjë gazetë tjetër, nisur prej uniformitetit kanë nisur të kenë kohët e fundit gazetat në në Shqipëri?

Ekziston përpjekja, sepse nuk mund të fyej kolegët kudo që janë, por tek “TemA” ndodhte që gjithmonë të mendohej ndryshe.  Ka qenë gazeta më origjinale dhe më e pavarur në treg. Unë nuk do t’i harroj sakrificat e kolegëve të mi, që për asnjë çmin tjetër, por veç nga pasioni dhe mendja e hapur ia lejonin vetes sakrifcat e orëve të vona, me një drekë të keqe Fast Food-i, aty anash tastierës së shkrimit e pa pushime të mjaftueshme. Kishte një gëzim tek të gjithë ne, kur na lejohej të shpreheshim hapur, kur na lejohej risia e sidmos kur kjo funksiononte në marrëdhënie me lexuesin, pra gjente mbështetje dhe lexim në publik. Gjatë gjithë kohës ne si staf kemi marrë telefonata dhe e-mail-e lavdëruese që kemi guxuar të kritikojmë ose të themi diçka.  Ndonjëherë ta bëje këtë na dukej e thjeshtë se ishim në një mendje, në një zë larg mediokritetit të shkrimit, por jo rrallë herë kemi marrë edhe kërcënime. Unë vetë jam kërcënuar, në njërin nga rastet me fjalë të tilla si “pse ke shkruar kundër ministrit X të kulturës”, dhe pas kërcënimve më janë shtuar fjalë vulgare. Vinte edhe një tjetër kërcnim i tillë në telefon anonim që “unë do të të heq nga puna, do të lë pa bukë”. Pra, shih se ç’tendenca ka pasur nga jashtë ndaj gazetarit, kur ai do të jetë i lirë.  Atij i betohen edhe se do t’i heqin “bukën e gojës”. Mendoni ju se është e lehtë të bëhet një media e lirë në një vend ku ndodhin gjera të tilla? Personi që më ka kërcënuar disa vite më parë, fliste në emër të një pushtetari.  Megjithatë këto gjëra kalonin duke pasur pak kujdes ndaj ndonjë dhune të mundshme. Ishim edhe të siguruar nga puna.  Duke analizuar edhe ngjarjet e fundit mbi sulmin që iu bë, drejtorit të gazetës, zotit Mero Baze, ai nuk është kujdesur dot as për veten e tij sa është kujdesur për mbrojtjen e gazetarëve të tij. Dukej se guximin ne e kishim nga brenda gazetës, jo me këshilla konkrete të botuesit, zotit Baze, por me vizionin, seriozitetin që na dëgjonte kur kishin sjellë diçka investigative. Kurrë nuk thoshte se nuk do të botohet ajo që ke parë dhe dëgjuar, por vetëm këshillonte, i ke të dhënat, faktet, ruaji në arkiv. Ai i besonte gjithë kopetencën profesionale një gazetari, kur e dërgonte në terren. Procesi redaksional prej tij ka qenë i shpejtë, efikas, teknik dhe etik, asnjëherë censurues. Madje, në të njëjtën gazetë “TemA” janë botuar akuza dhe replika e të akuzuarit për të vijuar deri në ndriçimin e çështjes. 

Kisha dëshirë të më flisnit pas kësaj se si e ka mbajtur gazeta hapësirën kulturore që duke nxjerrë në dritë jo pak autorë e intelektualë të mohuar nga diktatura, vlera e vepra që ende rrinë në hije, pothuaj janë promovuar aty? 

Ka qenë vizioni me të cilin nisi kjo gazetë dhe u bë e pëlqyeshme që unë të zgjidhja të punoja aty.  Pasioni im kanë qenë artet dhe letërsia, për të cilat dhe jam diplomuar para se të bëhesha gazetare.  “TemA” nisi që në fillim të kishte krahas editorialit të famshëm të Mero Bazes edhe suplementin kulturor.  Asnjë gazetë s’e pati në atë kohë, një të tillë, me përjashtim të ndonjë faqeje të së shtunës që rrekej të dukej në gazeta të tjera disi ndryshe. Një apo dy vjet pas nisjes së gazetës me vizionim të qartë, suplementi kulturor u pasurua tepër. U quajt “Fjala” dhe mori një rrugë të mbarë, drejtuar nga poeti dhe shkrimtari Agron Tufa, i cili ishte në fillim edhe redaktori im.  Ishte një kohë kur gazeta 100 vjeçare “Drita” vitet e fundit në duart e LSHA-së, ende shtetërore, ngeli një gazetë fantazmë, nuk bënte asgjë në dobi të krijuesve. Gjithçka e nisi gazeta “Tema” me suplementin e saj “Fjala”, një revistë kulturologjike e pasur me të gjitha zërat artistikë deri tek përkthimi e piktura. Redaktori i “Fjalës” dhe i kulturës atëherë në “TemA”, Agron Tufa themeloi një traditë shumë të mirë. Nisi ai i pari të rikthente kulturën e mohuar, kulturën e munguar, kulturën e matanë kufirit, por edhe debatin estetik e letrar që nuk ekzistonte as në rrethinat akademike të postkomunizmit. Ishte suplementi “Fjala” një krenari e gazetës “TemA”, një nga ta parat shprehëse të avanguardës letrare e artistike. Gazeta “TemA” ishte e plotë dhe e pasur, falë dy shtrirjeje të fjalës së lirë, në aspektin politik dhe kulturor. Por megjithatë gjithmonë e kërcënuar nga një klan parazitësh, enveristësh e dashakeqësish dhe përballë konkurencës së pandershme në treg. Unë, vitet e fundit, shumë vite më vonë, shoh se nisën disa gazeta që të ecnin sipas modelit të “Fjalës”, por jo në mënyrë origjinale, imituan diçka. Madje ka pasur gazeta që pesë vite më vonë, pas “Fjalës” mund ta quanin si ekskluzive që po zbulohet “X” vepër e Fishtës, “Y” e Koliqit, “Z” e Konicës, ndërkohë që e njëjta gjë ishte bërë ekskluzive pesë vite më parë në “Tema”, pikërisht kur “TemA” me shkrime transparente zgjonte institucionet kulturore që të bënin diçka për këta autorë të mohuar nga diktatura. Dhe kanë bërë. Ka pasur gjithmonë zëra kundër, armiq që gazeta “TemA” donin të mos lexohej, ose ndoshta të mos ishte lexuar, por kjo s’mund të ndodhte. Ka pasur ditë të tilla që “porositës” të caktuar blenin gjithë tufën e gazetave nëpër kioska që të mos binte në duar të lexuesit. Ndjesë që po dal nga rrethinat kulturore dashur pa dashur, por e bëj sepse “TemA” ishte unike në konceptin e saj redaksional dhe nuk mund ta mbaj dot meritën vetëm për vete si redaktore e kulturës. “TemA” i ka përkitur publikut.  Publiku nuk harron, dhe shumë njerëz nuk do ta harrojnë që shpesh vetëm tek “TemA” e kishin lirinë e fjalës, sepse shumë dyer redaksish u janë mbyllur, ashtu siç ka ndodhur edhe me korifej të artit e të kulturës, të cilëve në gazeta të tjera ua kanë zënë vendin dhjetëra portrete të “shoë” e “sex girls”-ve, sepse ato po ua shesin gazetën. Mendimi akademik, artet perfekte, mund të mos ndikojnë në shitjen e gazetës, por ne u kemi lënë hapësirën e merituar, duke riskuar edhe me këtë fakt. Shkurt botuesi i saj nuk ka fituar asgjë nga kultura, por ka paguar për kulturën, më shumë në kohën që hapësira e saj mungonte absolutisht.

Mendoj se botuesi juaj, zoti Baze, ka paguar edhe për politikën?

E vërtetë. Unë kujtoj kohën e fushatave elektorale, që “TemA” ishte një ndër të rrallat gazeta që sillte gjithçka nga terreni që lajmet të ishin sa më të sakta, gjë që sot kanë nisur ta bëjnë vetëm pak nga televizionet, por “TemA” s’ka patur kurrë aq mundësi ekonomke për ta përballuar kontaktin me terrenin dhe megjithatë e ka bërë.  Dëshira për të qenë gazeta e Fjalës së Lirë, gazeta e së vërtetës e kapërcente vështirësinë ekonomike. Pikërisht Fjalës së Lirë qeveria i doli kundër me dëmin e shkatërrimin fatal ekonomik. Prej një viti gazeta “TemA” nuk ka mbijetuar nga financat sepse ishte e thënë që do ta mbyllnin arbitrarisht, por ka mbijetuar nga gazetarët të cilët ditën që policia i bllokoi të gjitha mjetet, e bënë gazetën në trotuar me laptope e qendra interneti, si dhe nga përkrahja e kolegëve të gazetave të tjera që e mbështetën moralisht në protestën ndaj qeverisë kundër sulmit që iu bë kësaj gazete prej saj, por edhe nga përkrahja e ndërkombëtarëve dhe sidmos Ambasadës së SHBA, ku leksionin që dha zoti Withers në emër të lirisë mediatike, s’kam për ta harruar. Ai tha: “Gazeta “TemA” më ka kritikuar shpesh edhe mua, përfshi dhe disa nga politikat e SHBA-ve. Më besoni, nuk është aspak e lehtë ta shohësh veten të kritikuar në një gazetë, por unë duhet t’ju them se sado e rëndë të jetë, liria e fjalës gjithmonë ia vlen”.

Po tani që u mbyll, si do të jetë fati i këtyre gazetarëve, a po pengohet misioni i tyre?

Megjithë mbylljen fatale të saj, misioni i gazetës “TemA” është i kryer.  
Më kujtohet një shprehje e Senekës në letrat dërguar Lucilit: “Ushtari që po mbytet, nuk mund të shpëtoj dot pa i lëshuar pajisjet e veta”.  Ka rëndësi që shpëton ushtari, figurativisht gazeta “TemA” ishte “pajisja” që i shërbente në luftën për demokraci.  E rëndësishme është që “TemA” kaliti gazetarë, në mënyrë të atillë që ia kalojnë një akademie të gazetarisë. Ata janë gjallë, janë të vërtetë, kanë aftësi të shkruajnë dhe janë të vlerësuar në treg. Janë të kërkuar. Ata do të duhen në çdo rast kur të kërkohet një gazetë ose gazetari serioze, në çdo rast kur duhet shprehur zëri i shumicës. Unë kam ndjekur në disa raste edhe mënyrën si përgatiten gazetarët në Universitet, por ata sot e nisin ende detyrën e kursit me një intervistë naive, me pyetje: “Ku keni lindur dhe sa vjeç jeni?”. Jo, kam frikë se ata nuk do bëjnë dot lehtë gazetarin. Kam parë ca punë të tyre që nuk thonë asgjë për gazetarinë e vërtetë, janë si brumë që i jep ç’formë të duash. Ndërsa me gazetarët e “TemA”-s ka ndodhur ndryshe, kudo janë, një pjesë që kanë ikur më parë nga kjo gazetë, e të fundit. Ata kanë një fjalë që u dëgjohet, kanë libra të botuar, shkollim të mirë e shumë aftësira që gjenerojnë të tjera mundësi në misionin e lirisë dhe demokracisë, derisa ajo të marrë frymë lirisht në Shqipëri.

Po për kulturën, në veçanti çfarë mendoni a ka qenë e dobishme, ndësa këtu në Amerikë po më shprehin keqardhjen për mbylljen e gazetës.

Kjo më ka ndodhur edhe mua në postën elektronke.  Nuk po e besojnë që “TemA” u mbyll.  Pak më sipër më duket se kam theksuar që ishte hapsira dhe dimensioni i lejuar nga botuesi Mero Baze, vetë zanafilla e një dritareje kulturore.  Tema i pati e para fillimet e kritikës, ishte një zë ndryshe, ajo u bë hapësira e njohur e letërsië dhe kulturës së mërgimit. Unë prej dhjetë vjetësh kam në arkiv afro 100 artsitë të famshëm shqiptarë që kanë karrierë të madhe në mërgim, nga fusha e muzikës, pikturës, librit. Ne kemi artsitë të talentuar, shkrimtarë me zë dhe “TemA” në shumë raste i ka sjellë në Shqipëri, i ka bërë të mos harrohen, por nga ana tjetër ajo lexohet shumë edhe në interenet dhe jo pak herë vjen një dialog me të mërguarit për shkrimet tona. Tema u mbyll, por nuk ka humbur. Sikur vite të kalojnë në arkivat e saj ka thesare, edhe sikur jo tani, por shekuj më vonë studiusit të kërkojnë aty e të thonë: “Një kronikan i kohës ka thënë se, “TemA” njëra nga mediat e lira u sulmua nga qeveria e kohës, sepse paditi korruspionin, etj.”, kaq mjafton, kjo ka një vlerë të pakontestueshme...



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora