E premte, 19.04.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Fragmentizmi gjeografik në poezinë Remzi Bashës

E hene, 25.01.2010, 09:55 PM


(Ky aspekt diskursiv që lidhet me arsyen e shprehjes së emocioneve të shtjelluara ndaj dashurisë së Atdheut)

Nga Fatmir Terziu 

Poeti dhe shkrimtari shqiptar, Remzi Basha është një nyje që bashkon aspektin letrar që ‘këmbëngul’ në të shprehurit e nuancave më të sakta kuptimore, jo vetëm me anë të vargut, por edhe me anë  të prozës së tij, madje ka raste kur ai arrin nivele të mbara në këtë drejtim. Ai është i komunikueshëm që në leximin e parë dhe krijimtaria e tij kuptohet lehtë, për arsyen e saj, se është e trajtuar qartë dhe pa komplikime të sforcuara. Kjo bie më shumë në sy në poezinë e tij që afrohet tek lexuesi që në paraqitjen dhe prezantimin e parë. Jo më kot T.S. Elliot shprehet: “Poezia e vërtetë mund të komunikojë para se të kuptohet.” Kjo thënie, në aspektin krijues dhe analizues, duke parë aspektin krijues të Bashës e bën të rëndësishëm trajtimin e poezisë dhe prozës poetike të këtij autori. Drita Braho duke vëzhguar krijimtarinë e Bashës shprehet: “Proza poetike e veçantë nga ndërtimi, përcjell mesazhe dashurie e pavdekësie”. Dhe pikërisht duke parë krijimtarinë e Bashës, nën dritën e thënies së Elliot dhe pikasjen e Brahos, shihen në këtë këndvështrim katër pika që referohen së pari tek gjeografia e trajtimit të mesazheve dhe ideve, së dyti tek karakteret dhe karakterizimi i figurave historike në dobi të mesazhit dhe idesë së tij në shërbim të lexuesit, së treti tek aspekti i lidhjes me anën historike dhe selektive të kohërave në shërbim të lexuesit dhe brezave dhe së fundi tek dashuria dhe patriotizmi i tij që lëvrohet nëpërmjet vargut dhe tekstit të shkruar. 
Poezia “Vendlindjes sime” është shembull ku mund të shihen qartë katër këto fragmetime analitike që përqafojnë idenë se Poezia e Bashës njësohet me fushën e poezisë tradicionale, e cila kryesisht është e tipit lirik. Poezia e lartcituar është një normë e gërshetuar mes stilit tradicional të vjershërimit ku bie në sy elementi i rimës: “Kodra të mbushura me pemë/Të rënduara janë nga malli/Ku gazi del nga gjiri i tokës/Dhe plaku bëhet si djali.”. Fragmentimi i parë i lidhjes së aspektit të trajtimit gjeografik i përket vendlindjes në këtë poezi ku vargjet “Të dua shumë Sllupzhan/Toka ime ku u rrita” japin një mesazh të qartë se autori këtë aspekt të rëndësishëm të poezisë e ka një arsye të rrëndësishme për të plotësuar tre formatimet e tjera që shihen në vargjet e mëposhtme: “Mbushur me vreshta e stoli/Të ka betuar Perëndia/Ku bleron dimër e verë/Si bletë të rrinë njerëzia.” Autori nuk i zbulon vlerat duke krijuar thjesht dhe shprehur mall, por duke dhënë një arsye më shumë në aspektin kompleks të diskursit poetik, me tërë infrastrukturën që i krijon atij elementi i komunikimit. 
Mënyra se si poezia e Bashës i referohet aspektit të fragmentizmit gjeografik dhe stili i të kënduarit me mall ndaj vendlindjes në një mënyrë të larmishme e të prekshme e bën poetin Riza Lahi të shprehet për krijimtarinë e Bashës: “Lexoj librin e Remziut dhe tund kokën i menduar. Unë kam shokë e miq emigrantë të Shqipërisë që shkruajnë poezi, letersi. Ende nuk e kujtoj të kem lexuar dikë prej tyre, përfshirë edhe veten time, që të ketë kësi proporcioni në poezite e tija. T’i shkruajë vendlindjes së tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri.” Ky aspekt diskursiv që lidhet me arsyen e shprehjes së emocioneve të shtjelluara ndaj dashurisë së Atdheut lidhet në vargjet e tij si një mesazh i qartë me një stil tërheqës. Poezia “Tjetër” e paraqet këtë me vargjet e saj: “Epo ç’të them/Tashmë më ka zënë mërzia/Dhe vetmia e madhe/U bë shumë që s’jemi parë/Të lumtë je në Atdhe/Mjerë unë kaq larg…”. 
Duke larguar disa bariera gjuhësore dhe duke punuar më shumë në gjetjen e duhur të disa fjalëve e vargjeve, pra me një vëmendje më të dedikuar, Poezia dhe proza poetike e Bashës, mund të konsiderohen si një pasuri me një prurje signifikative, ku elementet e diskursit natyror formojnë arsye për të stacionuar rënëdësinë e kësaj krijimtarie. Kjo në planin që vjen nga këndi i mesazheve të përcjella nga kjo krijimtari është një konsideratë që duhet marr në vëmendjen e autorit së pari dhe së dyti nga kritika dhe studiuesit shqiptar. Mjafton të vëzhgosh në brendësi të një poezie të tillë që ka vlera dhe mesazh prekës e të gjesh atë që Anton Berisha e ka konsideruar në gjuhën e Gurakuqit se Poezia shqiptare e këtij lloji ‘ka versifikacion silabik dhe kuantitativ”, kupton qartë rëndësinë që vjen nga përkujdesja gjuhësore ndaj vargut dhe fjalës së poezisë (Berisha, 1983:21). Në këtë drejtim autori ka shtuar vëmendjen e tij dhe natyrshëm të qenit anëtar e Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë për rrethinën e tij dhe duke qenë tashmë një autor i disa veprave letrare të lexuara e të vlerësuara, krijon një dialektikë mes arritjes që ka vepra e tij dhe vlerave që ajo ka gatuar për kohërat. Autori ka prurë vlera historike, letrare dhe mesazhiere. Kjo ndoshta vjen më e përforcuar nga ajo që kritiku shqiptar Agim Pepa e konsideron me ‘rininë e autorit jashtë Atdheut”, gjë që vjen si një preambulë në faktin e përqëndrimit logjik dhe filozofisë që vjen nga trajtim logjik mes fjalës dhe emocionales së saj. 
 
Nusja e kombit
 
Nga Namik Selmani 

(Në vend të një parathineje për librin “Nusja nga Çamëria” të autorëve Drita Braho dhe Remzi Basha)
 
Në vetrinat e librarive shqiptare, por dhe ato botërore nuk është i panjohur shkrimi dhe botimi i një libri nga dy autorë, ndonëse është një fenomen i rrallë letrar dhe nuk mund të gjendet lehtë. Breza kryesore të një familjeje, miq të ngushtë , shokë të një shkolle, njërëz të një profesioni, etj mund të krijojnë këtë dualitet miqësor letrar që në një tryezë shkronjash të vënë pjesën e tyre para lexuesve pa e kuptuar kurrë se si mund të ndahet copa e lavdisë për secilin. Të bashkojnë emocionet e rrëfimet, të bashkojnë urimet e jetët njerëzore.  Libri i autorëve Drita Braho dhe Remzi Basha  duket se është vërtet një risi në letërsinë tonë. Jo thjesht nga përmbajtja , ndërtimi i librit, por së pari nga ai mesazh emocional kombëtar që jepet në këtë libër. Është një risi se si mund të shkëmbehen aq miqësisht dhe zyrtarisht vlerat shpirtërore të një kombi që, për shumë kohë ka jetuar i ndarë dhe së bashku  kanë patur të ndara, lëndinat, dasmat, trojet, kullat, djepet, mullinjtë, lëmenjtë, këngët e padyshim edhe ….edhe shkronjat.
Të vendosur larg njëra-tjetrës Kosova e Çamëria kanë patur një Kod të veçantë Mbijetese duke bashkuar brenda qënies së tyre ëndrrën e madhe e të përgjakur të lirisë, ninullat e djepeve, tupanet e betajve dhe të dasmave, vikamat e morteve, dashuritë fytyrëskuqura, bakllavatë e bajrameve dhe të festave të shumta… Duket se ky libër që mban dy emra që i përkasin dy pjesëve të kombit tonë, është bukurisht zëdhënësi shpirtëror më jetëgjatë këtij bashkimi të ëndërruar të paktën tash 100 vjet, i historive jetëtragjike të dy pjesëve të kombit shqiptar. Është një risi e re në këtë fillimshekulli XXI kur ëndrra e bashkimit tani po shihet në dritë të ditëve që po jetojmë, të rrugëve që po ndërtojmë, po preket,  po ndjehet, po bëhet pjesë e së ardhmes… Me një përvojë jo të pakët sidomos në poezi, autorja Drita Braho nga Markati i Konispolit  dhe Remzi Basha nga Kosova sjellin  dy rrëfime tronditëse. I pari të çon në Çamëri. Në Pargën magjike dhe tragjike njëkohosisht ku shkruhen tragjeditë më të thekshme të shekullit XX.  
Tjetra të dërgon në Luftën e Kosovës të para 10 viteve që solli pastaj lirinë në këto troje i sajuar për lahutarë të zot, duket se bashkimi kërkon doemos një libër të ri si është edhe ky që po marrin në duar lexuesit e të dy krahinave.Brenda këtij rrëfimi futet edhe kujtesa për poetin zëtragjik Bilal Xhaferri nga Ninati që ka kënduar për lirine e Çamerisë e te Kosoves madje edhe është ndëshkuar për këtë atdhetarizëm të pashoq. Tablotë epike dhe ato lirike që i lënë bujarisht vendin njëra-tjetrës duket se  sjellin më pranë lexuesit ehon shpirtërore të shqiptarit. Me një leksik të zgjedhur nga të dy krahinat,  me një subjekt interesant, me një odise luftrash që të dërgon herë në Pargë, Filat, Paramithi e herë në Drenicë, herë në Jon e herë në malet e Kosovës që po presin pranverën , me një folklor të zgjedhur nga ai hambar i pafund këngësh të të dy krahinave. Libri të rrëmben me romantizmin e epizmin e vet në secilin rresht të tij. 
Mesazhi i një historie të njëjtë, i betejave dhe fitoreve që përqafen në subjekt aq qartë me  dramave  e përbashkëta  me dhimbje, me amanete të thëna e të pathëna, romani është një fletë e hapur që duhet lexuar. Personazhet e romanit i përkasin të dy brezave. Në qendër të tyre është bukuria fizike, shpirtërore, motivi i fortë i ditëve që ata jetojnë. Dilua, Bujari, Sadetja, Aisheja, gjyshja të mbeten në kujtesë. Në roman zënë vend shumë figurat femërore të të dy krahinave gjë që nuk  e kemi parë dhe aq shumë në romane të tilla me temën hiastorike Në to ka shumë shumë dritë. Dritë peisazhesh që të trondisin me bukuritë e tyre. Një dritë e re  që buron edhe nga Forca e Jetës , nga dashuria për të . Kullat e Kosovës dhe shtëpitë çame në Jug janë shumë afër me njëra-tjerën e nuk harohen lehtë. Një histori tragjike dhe heroike për lirinë lamë pas.  Një historie re na pret. E mesazhierë të kësaj ardhjeje fisnike  janë sot modestisht këta dy autorë Drita Braho dhe Remzi Basha me romanin e tyre të parë të përbashkët “Nusja nga Çamëria”.
 
Dasma e Therandës

Nga Namik Selmani 

Luftëtari i UÇK- së Idriz Selimaj edhe tani pas më se10 viteve nuk kishte ndjerë një gaz kaq të madh sa ai i dasmës së djalit të shkrimtarit kosovar Remzi Basha, Kushtrimit që martohej me vajzën budakovare. Një dasëm që bëhej në lokalin e tij në Therandë të Kosovës që ai ia ka vënë emrin “Estrada” Ai i gëzohej jo vetëm tingullit të këngës, goditjes së tupanit që grishte aq shumë  këngë  dhe valle burrërore që nga më të vjetrat gjer te më të rejat. I gëzohej çiftit Basha si të ishin njerezit e tij të afërt se këtej e tutje Kosova do të ishte më shumë fëmijë të lirisë që do të lidhen me më shumë dashuri me tokën.me të ardhmen.  Edhe kurbeti që është ende i pranishëm në Kosovë do ta bënin më të zbutur se do të kenë të lirë vatrën e  tyre të lindjes, vatrën e baballarëve e gjyshërve që ranë duke e kërkuar atë me pushkë, me penë, me vargje, si ka bërë edhe poeti dhe i zoti i kësaj dasme  Remzi Basha me vargjet e tij të bukur .
Kushtrim Basha dhe Vjollca ishin më të lumturit e dasmës. Për lumturinë e tyre kishin ardhur që nga larg shumë  njerëz.  Që në ditët e para të hapjes së dasmës  dolën në garë instrumentet popullorë karakterisitikë të Kosovës. Urimet në shtëpinë e Remziut ishin të panumërta Dhe do të arrinte kulmin kjo dasëm kur në fillim të saj do të uronte i zoti i shtëpisë .Kishte ardhur nga Suedia dhe për shumë kohë kishte punuar që dasma të ishte sa më e bukur, e paharruar për të gjithë.  Më tej, një këngëtar  i shquar popullor si Afrim Muçishti fton në podiumin e nderit të dasmës  poeten me origjinë nga Çamëria  Drita Braho që vinte nga Berati. Drita e kishte të vështirë që të mbante emocionet e  saj. Kishte ngjitur shumë presidiume e podiume të tjerë. Por ai i asaj dasme i ishte dukur më i veçanti që kishte ngjitur në jetën e  saj. Ishte një Skenë e madhe ku shkriheshin aq natyrshëm vallet e këngët e Kosovës me ato të Çamërisë, shkriheshin urimet e brezave, jetohej lumturia që te jep jo vetëm një tubim dasmorësh, por edhe në tubim shqiptarësh që gëzojnë me aq pathos për këto ditë bashkimi.
Ajo vinte njëkohosisht edhe si një lloj përfaqësuese e Çamërisë në Kosovën që i gëzohej aq shumë lirisë së saj. Bashkë me djemtë e saj Isufin dhe Alketin në ato ditë të dasmës së madhe ata kishin sjellë edhe urime të ngrohta për të gjithë pjesëmarrësit . Dhe nuk ishin pak, por rreth 500 vetë. Të gjithë dasmorët me zë të lartë thonin se nuk mbanin mend për shumë vite një dasëm kaq të madhe  me njerëz  sa ajo e asaj dite.në ato pak minuta që i dhanë asaj ajo i tregoi për poetin Bilal Xhaferri nga Ninati i Konispolit që luftoi dhe shkroi aq shumë për Kosovën e lirinë  e saj edhe në Çikago të SHBA. Brenda kësaj njohjeje ajo kujtoi se edhe i zoti i saj ishte një poet me zë të ngrohtë që di të këndojë aq bukur për historinë e Kosovës e të Çamërisë ,
Tingujt e valleve e të këngëve duket sikur shkonin deri larg në Budakovë prej nga ishte edhe nusja e asaj dasme.
Gjeografia e të ftuarve ishte shumë  e gjërë. Kishte në të të ftuar nga Sudia nga Italia, nga Danimarka, nga Maqedonia pa folur këtu për krahina të ndryshme të Kosovës. E qeshura e djalit kosovar nga Suedia Bujar Fetahu i shoqëroi gjatë gjithë dasmës dasmorët e shumtë.” E ku ka më bukur se dasmat tona ?”- thoshte herë pas here Bujari . Sytë e të gjithëve ishin mbushur me lotë gëzimi. Po nga Suedia kishte ardhur edhe babai i poetit dhe i zotit të Dasmës  Një bacë i thinjur në mshën e 95 viteve . Aikishte parë sa e sa dasma në jetën e tij . Kishte ndjerë sa e sa krisma luftrash në jetën e  tij. Kjo dasëm po ia bënte dhe më të bukur jetën, këto vite pleqërie. Në gojën e tij ai kujtoi vargjet e një këngë të njohur edhe në Çamëri edhe në Kosovë

Pa Kosovë e Çamëri
Nuk ka Shqipëri

Në atë karvan të madh krushqish që shkojnë për të marrë nusen në krye ishte një djalë i bukur e i vëshur me kostum popullor të Kosovës që quhej Artan Me një flamur në duar ai drejtonte të gjithë dasmorët që nga momenti kur shkuan për të marrë nusen deri në fund të dasmës. Ai nuk u ul në asnjë minutë për nder të flamurit kombëtar që mbante në duar. Dukej se bashkë me këtë pamje kaq festive kishte një vend të nderuar edhe besa,  edhe mikpritja
Në ditën e dytë nusja u vesh me kostum popullor që ia dhuronte sipas zakonit dhëndërri. Në vilën e bukur të Isuf Budakovës, krushkut të nuses, ishte po ai gëzim që kishin lënë në shtëpinë  e Remziut.  Isufi ishte inxhiner gjeolog i diplomuar në  Zagreb të Kroacisë me rezulatate të shkëlqyera. E sot ai është një biznesmem i shquar në Therandë. Edhe këtu mikrpitja ishte në shkallën më të lartë, Vetë Drita dhe fëmijët e saj ishin ndër të ftuarit  e nderit dhe dëshmitarë të kësaj ngrohtësie njerëzore të Kosovës që vazhdonte të ishte e gjallë edhe sot e kësaj dite.
Dasma e Kushtrim Bashës me Vjollca Budakovën po përvijonte një portret të ri të Kosovës. Dasma të tilla prej vitesh  nuk bëhen më në tymin e barutit të luftës edhe pse këngët për trimërinë e për dëshmorët e luftës çlirimtare të UÇK-së janë gjithmonë të pranishme në këto dasma . Dasmat e reja që do të sjellin edhe më shumë djem e çika të bukura në tokën e saj të lire, padyshim në këto ditë kur ajo i gëzohet Pavarësisë së saj janë faqja më e lumtur e kësaj historie të re. Faqja më e lumtur e saj. Në këtë vjeshtë të mbushur me aromë frutash e me dasma të panumërta në Therandë, në Prekaz, në Prishtinë e Prizren, është vetë rinimi i saj. Një rinim që të jep më shumë forcë  më shumë dashuri e bashkim kombëtar.
…Kur po vinin në Berat në Rrugën e Bashkimit, si kishin dëshira që ta quanin me mijëra e mijëra kosovarë që kalonin në të, poetes Drita Braho i vinin në mend vargje të reja. I vinin  në mend rreshtat e romanit të bukur që e kanë shkruar me Remzi Bashën që ka një emër të bukur e domethënës “Nusja e lirisë”. Edhe nusja që po zbukuronte shtëpinë e tij  në Therandë e në Suedinë e largët, në Danimarkë e në trojet shqiptare të Maqedonisë  ku e kishin ftuan çiftin e lumtur,  ishte në nuse e vërtetë lirie. Një nuse Shqipërie…(Namik Selmani)




(Vota: 5 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora