Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Kontributi i hebrejëve në zhvillimin ekonomik, tregtar dhe kulturor

| E diele, 24.01.2010, 09:55 PM |


KONTRIBUTI I HEBREJËVE NË ZHVILLIMIN EKONOMIK, TREGTAR DHE KULTUROR

Nga Qazim Namani

Sa i  përket komuniteteve në Ballkan edhe pse më të paktë në numër ishin çifutët, ata në të shumtën e qyteteve e mbanin rrjetin tregtar dhe ishin  të inkuadruar në zhvillimin ekonomik të qyteteve. Shumica prej tyre ishin pasardhës të çifutëve të larguar nga Spanja, që ishin mirëpritur nga sulltan Sylejman madhërishmi(ligjdhënësi), dhe njiheshin edhe me emrin spanjoll. Çifutët merreshin kryesisht me tregti, dhe me shumicë gjendeshin në Selanik.  Çifutët si bashkësia më e madhe në Selanik i konsideronin grekët si rival për kontrollin e tregtisë së zhvilluar të qytetit i cili kishte mbi 30 sinagoga, ata e flisnin gjuhen LADINO, ose gjuhen Judeo-spanjolle, të cilën e shkruanin me shkronja hebraike.
  Hebrenjtë e kishin organizuar rrjetin tregtar në hapësirat e pushtuara nga P.O. në Evropë si: Jeni Pazar- Vushtrri- Prishtinë, Prishtinë-Prokuple-Sofje pastaj Prishtinë - Shkup- Manastir, Prishtinë – Shkup – Stobi - Selanik, Prishtinë- Shkup - Dibër dhe rrjetin Pejë-Gjakovë-Prizren- Lezhë - Shkodër. 
  Një dokument i vjetër i vitit 1588 bënë të ditur se një hebre kishte ngarkuar në një anije në portin e Lezhës xehe të xeherorëve të Artanës dhe Trepçës dhe lesh cilësor të Shkupit që e eksportonte në Ankonë të Italisë. Nga shek XVI-XVIII kemi të dhëna se familjet çifute Bahar, Ruben dhe Salamon ishin shpërngulur nga Artana në Prishtinë. Qyteti kryesor i hebrenjve të Kosovës ishte Shkupi, kështu që çdo rabin që vizitonte bashkësitë e  hebrenjve të Kosovës, sipas gjasave vinte nga Shkupi. Pol Xhonson në librin e tij “Kohet Moderne” shkruan se nuk ka gjë më të tmerrshme se tirania në kulturë. Çifutët kudo që jetonin shquheshin në shkencë, filozofi, arkitekture, skulpturë, pikturë, muzikë, si botues, kritik të artit etj. Të arritura të larta në fusha të ndryshme të kulturës dhe shkencës kishin arritur çifutët që jetonin në Gjermani. Në republikën e Vajmarit çifutet u shquan në shumë fusha kulturore në Gjermani, kështu që u ngrit teoria e komplotit kulturor çifut. Kjo ishte arsyeja kryesore e zhvillimit të antisemitizmit në Gjermanin e Vajmarit. Në këtë kohë Gjermania nuk konsiderohej vend ku kishin lindur fillet e antisemitizmit. Vendi i programeve anti-Semite ishte Rusia, kurse qyteti i intelegjencës anti-Semite ishte Parisi. 
  Disa historian mendojnë se urrejtja e Hitlerit për çifutët erdhi pas një takimi të shkurtër që kishte pasur me një prostitute çifute, e cila e infektoi me sifilis. Kjo teori u aktualizua pas dëshmive të fuqishme të bazuara në ditarin e mjekut personal të Hitlerit, Theo Morrel. Supozohet që Hitleri u infektua në moshën 19 vjeçare, në vitin 1908 në Vjen, ndërsa në librin e tij “Mein Kampf” asaj sëmundje i kushtoi madje 13 faqe, duke shkruar për të si sëmundje të cilën e transmetojnë çifutët. Në një fjali në librin e tij Hitleri shkruan se shëndeti i kombit gjerman mund të mirëmbahet vetëm në rast se të gjithë çifutët zhduken. Psikiatrit menduan që kjo sëmundje e solli Hitlerin deri në atë pikë që nga një politikan i ri dhe ambicioz, në një person me tru të çrregulluar, i cili vepron për shkatërrimin e më të dobëtëve se vet dhe në ndikimin e kësaj sëmundje mundë të urdhëronte hapjen e llogoreve për çifutët mendojnë psikiatrit.
Fillimisht natyra e vërtetë e Hitlerit fshihej prapa dukjes së tij normale. Kur partia konservatore gjermane e zgjodhi Hitlerin si kancelar e rrethoi atë me konservator të respektuar. Në kabinetin e parë të Hitlerit, të 30 Janarit 1933 kishte vetëm tre anëtar të partisë naziste. Me një spastrim duke vrarë disa nga rivalët e kundërshtarët e tij me 30 janar 1934 brenda tetëmbëdhjetë muajve nga marrja e postit, Hitleri u bë diktator i Gjermanisë. Hitleri synonte që ta përmbysë sistemin e Versajës, për tu riarmatosur dhe aplikuar politiken ekspansioniste.
  Është e ditur se hebrenjtë kanë jetuar në shumë vende dhe lokalitete në rrjedhën e lumit të lakuar, në të cilën trevë gjendeshin minierat e njohura të Artanës. 
Në punimin e Mr. Pavle Dželetoviç Ivanovit vërehet se shumë  familje të hebrenjve kishin sufikse sllave në mbiemrat e tyre, e ndër to ishte edhe familja e Samuil Jusefa Rubeniçit nga Prishtina, me profesion rrobaqepëse. Kjo familje e kishte blerë një truall në vitin 1922 afër postës së Prishtinës.
   Shqiptarët e fshatrave të komunës së Prishtinës kishin krijuar miqësi me familjet tregtare ë hebrenjve që jetonin në Prishtinë, ata furnizoheshim kryesisht nga tregtarët hebrenj, dhe ishin blerës të mallrave të tyre. Po ashtu edhe hebrenjtë mbanin lidhje reciproke dhe shpesh herë i vizitonin fshatarët në shtëpitë e tyre. 
Gur varreze nga Batllava, fotografuar nga Ali Berisha
Gur varreze nga Batllava, fotografuar nga Ali Berisha
Ferat Musa nga  lagjja e Balajve nga fshati Prapashticë rrëfen se si gjyshi i tij Musa kishte pasur lidhje të forta tregtare dhe miqësore me një familje hebrenje e cila e kishte pasur shitoren pranë xhamisë së madhe në Prishtinë. Kur Musa kishte vdekur, hebreu kishte qarë, dhe kishte kërkuar nga djali i Musës, Shabani që miqësia e krijuar të vazhdohet. Barnat që i kishte marrë te kjo familje hebrenje i shërbyen për ti kuruar plagët e disa shqiptarëve të plagosur në luftën e dytë botërore. Edhe për hebrenjtë e fshatit Brainë thuhet se me kohë janë serbizuar. Te popullata e malësisë së Gallapit është ruajtur edhe sot toponimi te Hani i Jahudisë në fshatin Brainë. 

Pas rënies së ekonomisë në qytetin e Artanës një numër i konsideruar i këtij komuniteti shpërngulet në Prishtinë, Mitrovicë dhe qytete tjera të Kosovës. Mendoj se veprimtari i shquar për çështjen shqiptare Isa Boletini i kishte sjellë në pronat e tij disa familje të hebrenjve për ta ndihmuar në udhëheqjen e ndërmarrjes së tij për përpunimin e gurëve për mullinj, për të cilët thuhet se janë të njohur në tërë Mesdheun. Një familje hebrenje vendoset fare pranë shtëpisë së Isa Boletinit te vendi i quajtur  Guri i Tupanit. Kësaj familje i mundësohet të shfrytëzoi një objekt të vogël kulti për komunitetin hebre. Studiues tjerë mendojnë se ky objekt kulti më parë ishte një kishës e vogël katolike, pronë e familjes Boletini para myslimanizmit të kësaj familje, apo ndonjë objekt i vogël kulti që ndërtohet për të plotësuar kushtet e komunitetit hebre të sjellë në këtë fshat, e kurrsesi ndonjë kishë serbe e ndërtuar në shekullin XIV si propagandohet nga politika ditore dhe shkenca serbe. 
  Pas pushtimit të Kosovës, ky komunitet hebre serbizohet, të njëjtin fat e përjetoi dhe familja e Avramit që e kishte shtëpinë te guri i tupanit. Objekti i kultit të tyre u shndërrua në kishës të vogël ortodokse, e cila i zgjeroi pronat e saj,  sidomos pas konfiskimit të pronave të familjes së Isë Boletinit në vitin 1953. Pas kësaj periudhe u bënë investime të mëdha, u falsifikua historiku i kësaj kishe të vogël dhe u pagëzua Manastiri i Sokolicës.