E premte, 29.03.2024, 04:02 PM (GMT)

Mendime

Isa Mulaj: Letër përgjigje e hapur ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell

E premte, 22.01.2010, 09:57 PM


Zotëri Dell, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i USAID-izuar!

Letër përgjigje e hapur ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell

“Idetë të cilat Amerika i nxitë jashtë shtetit, janë dukshëm të ndryshme nga ato që i praktikon brenda shtetit të vet” – Joseph E. Stiglitz, Nobelist amerikan për Ekonomi.

Ambasadori i SHBA-ve i rikthyer në Kosovë, Christopher Dell, me datën 15 janar 2009 kishte marrë pjesë me fjalim në të ashtuquajturën “Dita e Drejtësisë” me parullën “Kremto Sundimin e Ligjit”, qe të dyja të shpifura nga ministrja skandaloze Nekibe Kelmendi. Manifestimi i tillë ishte pjesë e projektit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për mbështetjen e sistemit të (pa)drejtësisë në Kosovë. Reklama e USAID-it në pano me parullën “Nga populli Amerikan” ishte më e madhe dhe shkëlqente më mirë se stema e Kosovës. Mediat, shtypi ditor në veçanti, i kushtuan vëmendje të madhe kësaj ngjarje. Në mesin e shumë gazetave ditore për ngjarjen në fjalë, po bazohemi në raportin e ‘Kosova Sot’, pasi ambasadori Dell në “Ditën e (Pa)Drejtësisë” në Kosovë me 15 janar qenka prononcuar me fjalët: “Populli e di siç vërejti ‘Kosova Sot’ në editorialin e 13 janarit se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reformë të thellë”. Kjo është arsyeja pse po iu drejtohemi ambasadorit Dell me disa komente, sqarime dhe pyetje në të njëjtën gazetë, me shpresën se, ambasadori duke qenë shumë i zënë me punë, së paku do të gjejë kohë për ta lexuar ‘Kosova Sot’, sidomos në rastin kur atij i drejtohet një letër. Letra në vijim merr për bazë kryetitullin e lajmit “Vetëvendosja ia prish Kelmendit Ditën e Drejtësisë”, botuar në ‘Kosova Sot’ në ballinë dhe faqe 4, me datën 16 janar 2010.

Që të jemi më korrekt me lexuesit dhe ata të kuptojnë më lehtë temën e cila po diskutohet, do t’i përdorim citatet origjinale të ambasadorit Dell në ‘Kosova Sot’

“Ai [ambasadori Dell] ka shtuar se vendi ynë [Kosova] duhet të krijoj institucione të fuqishme, të afta dhe të pavarura të zbatimit të ligjit dhe të gjyqësisë, të cilat ofrojnë qasje dhe i shërbejnë publikut”.

Deklarim i së vërtetës. Vetëm se funksionin praktik të saj nuk po e lejon USAID-i. Ju lutem keni durim, sepse më vonë sqarohet se si USAID-i e shantazhon sistemin e drejtësisë në Kosovë duke qenë vetë shkelës i madh i ligjeve, jo të Kosovës por të vetë USAID-it dhe SHBA-ve.

Policia dhe gjykatat

“Sipas Dellit, ekzistenca e forcave të policisë, prokurorëve dhe gjykatave nuk do të thotë se ekziston sundimi i ligjit”.

Pjesërisht e vërtetë. Forcat e policisë së Kosovës numërojnë diku rreth 8.000 pjesëtarë, përjashto këtu mbi 1.000 policë ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit të sundimit komunist, Kosova ka pasur 3.500 policë, jo vetëm për ta siguruar rendin dhe ligjin, por edhe për ta zbatuar diktaturën komuniste. Njëzet vite më vonë, Kosova ka gati trefish më shumë policë të pajisur me mjete bashkëkohore për t’u bërë shkelës i shpeshtë i ligjit në bashkëpunim me prokurorët dhe gjyqtarët. Për nga numri i policëve në raport me banorë, Kosova është një shtet policor që mund të radhitet i dyti si i tillë pas atij të Millosheviqit. Ekzistenca e këtyre dy sektorëve të shtetit në Kosovë në gjendjen në të cilën janë sjell më shumë dëme se dobi. Është fat i madh që shumica e popullsisë për momentin nuk ka besim në to, derisa të dyja (policia dhe gjyqësia) janë krijuar sipas një dokumenti ndërkombëtar të cilin mendoj se ju z. Dell e dini se për çfarë qëllimi.

Nëse ekziston ndonjë institucion në të cilin ligji e ka humbur domethënien, atëherë ky është Misioni i USAID-it në Kosovë. Ne kemi fakte të forta për shkelje të ligjeve amerikane ose tuajat në USAID. Ne jemi pak më të drejtpërdrejt se ju z. Dell dhe nuk flasim në terma të përgjithësuar por u ofrojmë emra konkret si Luan R. Gashi, Urime Abdyli, e disa tjerë të parëndësishëm si Urim Ahmeti dhe Flora Arifi. A u ke folur ndonjëherë ti këtyre të punësuarve në USAID për shkeljet ligjore? Jam i bindur se kurrë. Atëherë, pse na mban fjalime për gjendjen e sistemit të drejtësisë në institucionet e Kosovës dhe nevojën e reformimit të tij i cili për juve është teorikisht i huaj, e në anën tjetër nuk jeni në gjendje ta reformoni sistemin abuziv të USAID-it i cili praktikisht është i juaji? Pse ju brengoseni aq shumë për zbatimin e ligjeve keq të formuluara të Kosovës dhe lejoni shkeljet sistematike të ligjeve të SHBA-ve në USAID, unë thjeshtë nuk po e kuptoj këtë enigmë tuajën?

Udhëheqësit dhe populli

“Populli i këtij vendi dëgjon atë se çka kanë të thonë udhëheqësit e këtij vendi, dhe ai i përcjell se çka bënë udhëheqja dhe qeveria e vet”.

Pjesa e parë e fjalisë është pjesërisht e pavërtetë, ndërsa pjesa e fundit e vërtetë. Vetëm një pjesë e vogël e popullit dëgjon çka thonë udhëheqësit kukull të këtij vendi. Nëse merret parasysh ajo pjesa më e madhe dhe në rritje që i kupton gjërat në mënyrë më të arsyeshme, dëgjojnë më shumë se çka thoni ju dhe gati çdo herë i marrin deklarimet tuaja sikur ato të jenë të udhëheqësve “tanë”. Unë mendoj se kjo shtresë e popullsisë që përbën shumicën ka të drejtë që beson kështu. Ndërsa për pjesën e dytë të fjalisë tuaj, është e vërtetë se populli i përcjell se çka bënë udhëheqja dhe Qeveria e Kosovës, por nuk janë të sigurt nëse këto të bëma janë krejtësisht sipas tekeve të tyre, apo me konspirime të ndonjë “dore të padukshme” ndërkombëtare. Po e them këtë sepse disa qytetarë janë të infektuar me teori të ndryshme konspirative me të cilat në njërën anë fajësojnë SHBA-të dhe njëkohësisht mendojnë se ndoshta Amerika e ka mirë por ne nuk i dimë qëllimet e saj. Në këto teori konspirative iu apostrofojnë edhe juve zotëri ambasador, por unë besoj fuqishëm se e tëra është çështje e jo profesionalizmit të udhëheqjes dhe Qeverisë kosovare për t’i kamufluar vjedhjet dhe shtypjen që e bëjnë kundër popullit, dhe fajtor për këtë është shumica e popullit që nuk vepron kundër tyre për t’iu kërkuar llogari nga frika se mos këta hajdutë janë vegla të ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. Nuk po e them këtë për t’ia hequr një pjese të popullsisë dyshimin e paarsyeshëm, pra nuk po dua t’u lirojë juve nga ndonjë përgjegjësi në raport me këto, por t’i bindi aq sa mundem se faji është të një pjesë e madhe e popullsisë e cila i beson teorisë së konspiracionit për gjoja rolin tuaj vendimtar si ndonjë udhëheqës absolut i politikës dhe popullit të Kosovës. Pavarësisht se do të ketë shumë qytetarë që do të më refuzojnë në këtë pikë, unë megjithatë u tregova më herët se nuk po e liroj nga përgjegjësia ambasadorin Dell dhe po ia ngarkoj atij përgjegjësinë më të drejtpërdrejtë – atë për USAID-in. Të shohim nëse do të ketë më shumë reagime rreth “përgjegjësisë” tuaj ndaj udhëheqjes dhe Qeverisë së Kosovës të cilën ju nuk e keni, dhe ndaj USAID-it të cilën e keni drejtpërdrejtë. Paraprakisht po dyshoj se reagimet e shumë trutharëve vendorë që e hanë sapunin për djathë do të përqendrohen në përgjegjësinë tuaj në të parën dhe do të anashkalojnë të dytën, çka unë mendoj se është gabim.    

“Populli i vëren kur fjalët përdoren për të maskuar mosveprimin apo fshehur korrupsionin. Nuk mjafton që Qeveria dhe udhëheqësit politikë të bëjnë zotime për ta luftuar korrupsionin. Edhe ata vetë duhet të respektojnë ligjin”.

Krejt në rregull me përjashtim të fjalisë së fundit e cila nuk qëndron. Çështja e respektimit të ligjit bazohet në forcë, e jo në kërkesa për respektim të tij. Askush nuk është i nxitur të respektoj ligjin me kërkesa por me sanksione dhe forcë. Fjalët për ta maskuar korrupsionin i përdor edhe USAID-i dhe për këtë to ofroj fakte z. Dell, ato të cilat ia kam dërguar Absurdit të Përgjithshëm në Washington DC. Ne duam ta shohim së pari respektimin e ligjit në USAID në bazë të asaj që keni deklaruar ju për Qeverinë dhe udhëheqësit politikë të Kosovës. Me ke bërë shumë përshtypje me këtë deklaratë dhe krijova bindjen se qasjen ndaj problemeve e paskemi shumë të ngjashme, ndonëse ju pak të njëanshme duke harruar USAID-in. Më e keqja është se ju zotëri ambasador bëni thirrje për respektim të ligjit në një ngjarje të organizuar nga Nekibe Kelmendi. Në cilësinë e numrit një të drejtësisë në Kosovë, kjo nuk përton të bëhet pjesë e plaçkitjes së 16.800 eurove si pagë bingo për muajin dhjetor 2009 nga buxheti i Kosovës shumë të varfër. Çka të thuhet tjetër për respektin ndaj ligjit kur numri një i tij e shkel atë me të dyja këmbët? Zonja Kelmendi është përgjegjëse për plaçkitjen makabre të buxhetit në muajin dhjetor 2009 edhe nga 13 funksionarë tjerë në shumën prej 218.400 eurove. Ruana zot prej “drejtësisë” së saj! Paramendo zotëri Dell sikur ju të merrni një pagë ilegale si ministër (ju i thoni Sekretar) i drejtësisë së SHBA-ve në shumën sa 10 herë paga e juaj mujore çka do të kishte ndodhur me juve? SHBA-ja ka buxhetin më të madh në botë, por unë besoj se në mos politika, së paku do t’iu dënuar ndonjë shtresë e shoqërisë. Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe kur numri një i drejtësisë së saj mundohet ta hajë buxhetin në mënyrë kaq të poshtër e të pafytyrë, atëherë çfarë mund të presim nga kriminelët? Sidoqoftë, kriminelët në të shumtën e rasteve kanë një lloj sistemi të veprimit dhe shpenzojnë mund të madh për të ardhur ilegalisht të shuma e pagës bingo njëmujore të Nekibe Kelmendit, e kjo nuk shpenzon kurrfarë mundi por vetëm i merr të gatshme paratë e tatimpaguesve të Kosovës, vendit më të varfër në Evropë.  

Investitorët e huaj dhe sundimi i ligjit

“Janë investitorët e huaj të cilët sipas Dellit i vërejnë gjithashtu problemet e sundimit të ligjit. Ambasadori amerikan për ta argumentuar këtë ka marrë shembull investimet e huaja në shtetin fqinj Malin e Zi, të cilat janë njëherë më të larta se ato në Kosovë”.

Teorikisht e vërtetë dhe praktikisht e ngatërruar. Cili është roli i USAID-it në këtë drejtim? Pyete dikë të quajtur Sarah Ezzy dhe Violane Konar – Leacy në USAID/KPEP, dhe ankesat kundër tyre të dorëzuara Absurdit të Përgjithshëm në Washington DC.

I nderuar ambasador Dell,

Desha ta përmbyll këtë letër këtu por nuk munda ta anashkaloj edhe një koment ndaj deklarimeve të ministres Kelmendi në atë ditën e famshme të (pa)drejtësisë. Krahas fjalimit tuaj, ajo paska thënë janë miratuar një varg ligjesh nga Kuvendi i Kosovës (shumica pa u lexuar fare!) dhe se kësaj po i duket se këto “garantojnë sundimin e ligjit në vend”, dhe se “pushteti gjyqësor në Kosovë është [qenka] i pavarur”. Ka të drejtë kur thotë “i pavarur”, sepse askush nuk varet si duhet nga sistemi i tillë i cili nuk i shërben si duhet askujt pos klanit mafioz të Nekibe Kelmendit me kompani. Vetëm në ketë kuptim sistemi i drejtësisë në Kosovë për momentin është i pavarur, e që nuk do të duhej të ishte. Po të ishte pak më domethënës sistemi i drejtësisë, zonja Kelmendi do duhej arrestuar dhe gjykuar për vjedhje të parave nga buxheti i Kosovës, e shumëçka tjetër.

Në ditën e (pa)drejtësisë qenka prononcuar edhe Lirije Osmani, Drejtuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, njëra nga anëtarët e Komisionit Kushtetues për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta si akti më i lartë juridik i shtetit me tepër i përngjan disa ligjeve raciste dhe diskriminuese sikur ato të Hitlerit kundër hebrenjve, dhe është për disa herë më bizare se ligjet e Millosheviqit kundër shqiptarëve. Nëse ju zotëri Dell insistoni në zbatimin e ligjeve të tilla, atëherë cila ishte arsyeja e intervenimit të NATO-s dhe SHBA-ve në Kosovë? Pyetja e fundit: “ Cili është qëllimi i USAID-it për mbështetjen e sistemit të paqartë të drejtësisë kur vetë USAID-i ka nevojë për reformë të thellë (populli e di këtë!)”?

Këtë letër po ia drejtoj ambasadorit Dell në cilësinë e udhëheqësit të një OJQ-je, jo të shoqërisë civile skajshmërisht të politizuar dhe korruptuar. Udhëheqësit e shoqërisë civile në Kosovë të cilëve USAID-i u jep deri në miliona dollarë, më kanë akuzuar zyrtarisht në policinë e Kosovës se unë kam bërë krime kundër njerëzimit në Bosnjë. Kështu një prej detyrave më kryesore të shoqërisë civile të financuar nga USAID-i doli të jetë heqja e fajësisë së Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit për krimet në Bosnjë dhe imponimi i krimeve të tyre Isa Mulajt. Nga kjo rrjedh se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është aq shumë i korruptuar dhe politizuar sa është i USAID-izuar, që do të thotë më shumë se i kriminalizuar. Nga ambasadori Dell kërkojmë de-USAID-izimin e sistemit të drejtësisë që ne ta zgjidhim rastin drejt.   

Me respekt dhe duke pritur përgjigjen tuaj
Isa Mulaj


(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora