E merkure, 30.09.2020, 09:43 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Hebrejtë në Kosovë gjatë pushtimit osman

E enjte, 21.01.2010, 10:51 PM


HEBREJET NË KOSOVË GJATË  PUSHTIMIT OSMAN

Nga Qazim Namani

Sipas M. Alvarezit, pas betejës së Kosovës më 1389, sulltan Bajaziti i parë i vendosi disa hebrenj në Prizren dhe në Artanë. Hebrenjtë në Prishtinë përmenden më 1442 kur dy tregtar nga Prishtina, njëri çifut dhe një  gjenovas e kishin punëtorinë e tyre të argjendit të cilët dhe përshkruhen si pagues taksash për veprimtarinë e tyre.
Hebrenjtë në masë të madhe në Ballkan u vendosën nga fundi i shekullit XIV-XV,  që vinin nga Spanja dhe Sicilia.  Në defterin turk për sanxhakun e Vushtrrisë të hartuar në vitin 1526 është i regjistruar një grup hebrenjsh prej 6 shtëpish në Artanë. Hebrenjtë e Artanës i përmend edhe udhëpërshkruesi i shekullit XVII Michel Febu, kurse Jakov Betzoko në shekullin XVI hebrenjtë i përshkruan si tregtar dhe fajdegji në këto anë. Hebrenjtë e Artanës përmenden deri në vitin 1610, kur nga kjo qendër shpërngulen për shkak të rrënjës së rëndësisë tregtare e xehetare të saj.
Hebrenjtë kudo që u vendosën u dalluan për tiparet e tyre etnike dhe fetare. Në mesjetë, hebrenjtë shquheshin për zotësitë e tyre, si tregtar, ndërmarrës, këshilltar dhe administrator. Numri i tyre në trevat shqiptare u shtua sidomos pas dëbimit të hebrenjve nga Hungaria më 1360. Një valë tjetër çifutësh “Ashkenazi”(nga Evropa e mesme dhe veri-lindore) erdhi në vitin 1470, dhe pas dëbimit nga Spanja dhe Portugalia më 1492 çifutët “sefardik”(folës të spanjollishtes) vërshuan këto treva, duke e kaluar numrin e çifutëve romaniot.
Në vitin 1568 bëhet migrimi i ri i hebrejve “maranë”(të krishtëzuar) të cilët erdhën nga Italia, Franca jugore dhe Portugalia dhe u vendosën në qytetet më të
Shtëpi e vjetër qytetare në Lagjen Biklia të Prishtinës në të cilën lagje jetonin edhe familje të Hebrenjve
Shtëpi e vjetër qytetare në Lagjen Biklia të Prishtinës në të cilën lagje jetonin edhe familje të Hebrenjve
zhvilluara të Ballkanit. Sipas regjistrimit të vitit 1498/99 në Artanë bashkësia e hebrenjve  numëronte gjashtë familje ku disa prej tyre ishin prerës parash, i kishin shkollat dhe bibliotekat e tyre.
Nga këto shkolla dolën njerëz të arsimuar, si  mjekë, këshilltar, financiar, tregtar të sulltanit. Qyteti kryesor i çifutëve ishte Shkupi, kështu që çdo rabin  që i vizitonte bashkësitë e Kosovës, sipas gjasave vinte nga Shkupi. Bashkësia çifute e Shkupit u shtua shumë më 1544 numëronte 3000 çifut, kjo lagje e çifutëve u shkatërrua kur Pikolomini i vuri zjarrin qytetit më 1689.
Sipas të gjitha gjasave prezenca e hebrejve në Mitrovicë daton që nga shekulli XVI. Ndër qytetet që jetojnë ma shumë hebrenj ishte Prishtina dhe Mitrovica. Hebrenjtë në Mitrovicë erdhën kryesisht nga Prishtina, hebrenjtë në Kosovë përveç gjuhës së tyre komunikonin në tri gjuhë shqip, serbisht dhe turqisht.
Pas trazira midis viteve 1690-1737 me sa duhet bashkësia e hebrenjve mbijetoi në Kosovë. Nga mesi i shekullit XIX kishte tregtarë çifut në Prishtinë, Gjakovë, Prizren dhe qytete tjera duke përfshirë dhe 10 shtëpi hebrenjsh në qytetin veri-lindor të Kosovës Prokuplje.
Gjendja shoqërore dhe ekonomike e popullsisë së qytetit të Prishtinës, sipas regjistrimit turk të vitit 1844, tregon se në Prishtinë jetonin 73% mysliman, 26% të krishterë dhe 1% hebrenj.
Statistika e popullsisë në Vilajetin e Kosovës e bërë vetëm për meshkuj në vitin 1880, numëronte 475 hebrenj, Prej tyre në Prishtinë ishin regjistruar 62 vetë, kurse sipas regjistrimit të vitit 1900 Prishtina kishte 179 meshkuj hebrenj dhe 183 femra.
Sipas konsullit Francez në pashallëkun e Prizrenit Emil Vyetu në vitin 1866 Prishtina kishte 11 mijë banorë, ku prej tyre afër 1000 ishin hebrenj. Konsulli i Austrisë në Perandorinë osmane, konti Andreaschy njofton se në sanxhakun e Prishtinës më 1885 kishte më se 1000 hebrenj. Sipas konsullit Marenin më 1899 në sanxhakun e Prishtinës kishte më se 1500, kurse në të Pejës 650 hebrenj.  
Studiues të ndryshëm kanë shënuar se në fund të shek. XIX në Prishtinë kishte pasur 350 hebrenj folës të gjuhës spanjolle. Sipas disa studiuesve në vitin 1910 në Kosovë kishte gjithsejtë 3000 çifut. Është e ditur se në legjislacionin e Serbisë, ka pasur disa nene anti-semitike që u anuluan vetëm pas presionit diplomatik të perëndimit më 1889. Pas pushtimit Serbo-Malazez të Kosovës më 1912, disa nga këta hebrenj u shpërngulën në Turqi.


        Sipas Nushiqit, Prishtina në vitin 1902 kishte 500 hebrenj, kurse Maranin për të njëjtin vit jep të dhëna jot ë sakta kur thonë se në Prishtinë jetojnë 22.000 qerkez dhe hebrenj.
Një numër i hebrejve mobilizohet me dhunë në armatën serbe kundër popullatës shqiptare, dhe shumë prej tyre vdesin në frontin e Selanikut. Me 1913 krye rabini i çifutëve sefardik të Beogradit Isak Alkalaj erdhi në Prishtinë për ti bindur hebrenjtë që të mos shpërngulëshin në Turqi, duke ju premtuar të gjitha të drejtat qytetare.
Ish Shtëpi e Hebrenjve ne Rrugën “Mark Isaku” Prishtinë
Ish Shtëpi e Hebrenjve ne Rrugën “Mark Isaku” Prishtinë
Nga udhë përshkrimi i Branisllav Nushiqit (mendohet me origjinë shqiptare) për Kosovën më 1912, i cili para luftërave ballkanike ishte konsull i Serbisë në Prishtinë shkruan se hebrenjtë jetonin në qytete të mëdha ku merreshin me zejtari, tregti. Në fshatra nuk shkonin e as në qyteteve vogla si p.sh. në Vushtrri nuk jetonte asnjë çifut. Nushiqi shkruan se në Prishtinë e kanë komunën e tyre dhe shkollën me shtatë nxënës dhe janë në shërbim të administratës turke.
Hebrenjtë nga Selaniku janë muslimanizuar në sektin donme. Pas dëbimit nga Rusia 50 familje hebrenj erdhën në Prishtinë, për çudi brenda dy viteve vdiqën të gjithë anëtarët e 50 familjeve.
Sipas statistikës turke në vitin 1911 në fondin Komiteti i Kosovës në Arkivin e Shqipërisë, dosja 27 theksohet se në Vilajetin e Kosovës jetonin 2009 hebrenj, prej tyre në Shkup 1343, në Prishtinë 547, në Kumanovë 93, në Mitrovicë 26 dhe disa persona te vetmuar ne Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Sipas statistikës së Komitetit të Kosovës të cekur më lartë dosja 22 nga viti 1913 në Shkup jetonin 567 hebrenj por nuk shënohen hebrenjtë tjerë në qytete tjera të Kosovës. Në regjistrin e vitit 1921 shënohet se në Prishtinë jetonin 322 hebrenj, në Mitrovicë 104, në Prizren 1, dhe 1 në Rahovec. Në regjistrimin e vitit 1931 në Prishtinë jetonin 373 hebrenj, në Ferizaj 3, Në Mitrovicë 110, në Prizren 11, në Gjakovë 6, dhe në Pejë 3 hebrenj.
Sipas të dhënave arkivore në territorin e Kosovës në vitin 1937 jetonin 506 hebrenj. Sipas dokumenteve ushtarake serbe në vitin 1905 në vilajetin e Kosovës jetonin 3000 hebrenj, më 1910 jetonin 3200, më 1915 vetëm 298 hebrenj jetonin në Vilajetin e Kosovës, çka do të thotë se të tjerët ishin shpërngulur në Turqi.

Sipas Almanakut Hebraik të vitit 1913 në Prishtinë shënohen 425 hebrenj, ndërsa në vitin 1921 ishin 322.


(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora