Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Faleminderit President!!!

| E enjte, 21.01.2010, 11:00 PM |


FALEMINDERIT PRESIDENT!!!

Me durimin tënd e bëmë, e ndërtojmë dhe e lulëzojmë shtetin e Kosovës së Re – të Dardanisë Antike

(monolog  /nga larg/ me presidentin historik – 
të parin të Republikës së Kosovës – 
Dr. Ibrahim Rugova, në 4 vjetorin e kalimit në amshim)

Shkruan: Engjëll KOLIQI 

Sot u mbushën plot katër vjet, që kur Dardania e Lashtë dhe e Shenjtë, Kosova e martirizuar por gjithmonë krenare mbeti pa strategun që ia nxorri kokën nga zgjedha shumë e vështirë e pushtuesve dhe ia hapi udhën e amshuar të lirisë, të demokracisë e të prosperitetit të mirëfilltë kombëtar e njerëzor. Nuk dua të bëj ndoj përkujtim biografik për Presidentin Rugova, as të shkruaj ndoj kolumne, apo artikull analitik, sepse kur jam i zhytur në kujtimet për Te nuk më mbeten fuqi krijuese, por thjeshtë dua që me këtë zemër të plasur të bëj me Te një monolog nga larg, një monolog duke i qëndruar besnik realitetit tonë dhe aspiratave e dëshirave tona që Ai ua kushtoi tërë jetën, tërë dijen, tërë fuqinë shpirtërore, intelektuale, mendore e mjeshtërore të një strategu të rrallë, çfarë do kjo botë e trazuar e çfarë vetë Zoti ia dhuroi Dardanisë Sonë.

Prandaj, kësaj radhe – siç dijnë shkrimtarët e mirë, po e imagjinoj një ndenjë me Presidentin e Madh dhe unë po flas, pa i lënë radhë Atij. Unë po flas, sepse më ka marrë shumë malli të flas me atë njeri të madh, me njeriun që na dha shumë, që na mësoi shumë – me njeriun i cili na mësoi të jetojmë njerëzisht e me dinjitet, me njeriun që na mësoi ta njohim e ta vlerësojmë veten tonë, me njeriun e parë të Dardanisë së Re. Pra, pa humbur shumë kohë e po filloj – shkurteshqip:

O President Rugova! Kaluan plot katër vjet e ne udhëtojmë pa Ty shtigjeve e labirintheve të Dardanisë së Re, të shtetit më të ri e më të këndshëm në botë, që Ti e ngrite mbi themelet e Dardanisë së Lashtë. Megjithëse të lodhur o President i dashur, ne po marshojmë pandalur dhe të paepur drejt prosperitetit dhe drejt ditëbardhave që po na presin, sepse Ti na ke bindur me identitetin tonë të shenjtë, me vlerat tona të mirëfillta njerëzore, me dashurinë tipike dhe të shenjtë dardane. Të lutem shumë President Rugova, mos më ndërprej me pyetje, sepse pastaj habitem dhe nuk mund të flas më... më lejo që kësaj radhe kjo bisedë me Ty të jetë vetëm një monolog nga ana ime, ma lejo këtë privilegj të lutem e Ti vetëm më dëgjo. Më ke pyetur mjaft e edhe më je përgjigjuir me kryeveprat tua në shërbim të Dardanisë, në shërbim të Ilirisë, në shërbim të identitetit dhe të dinjitetit tonë kombëtar e njerëzor, në shërbim të dashurisë së mirëfilltë për njeriun e për historinë, në shërbim të të mirës së përbashkët e të prosperitetit të amshuar për mbarë farën tonë e edhe më gjërë... Prandaj nuk ishin e nuk janë të rastësishtme hsumë epitete që për Ty dëgjuam e dëgjojmë nga të gjitha horizontet, duke filluar nga “Gandi i Ballkanit”, pastaj “ekstremisti që nuk lëvizte asnjë milimetër”, e çka nuk dëgjohet... Secili do t’a vlerësojë me kutin e vet veprën tënde, që të tjerët vështirë do e bënin. Kush nuk do të donte ta vlerësojë strategun, i cili dijti t’ia ndërrojë kahjen një historie të çoroditur ballkanike?! Kush nuk do t’i jepte vetit privilegjin të flasë për të Madhin Ibrahim Rugova, çfarë bota jonë rrallë kishte, mbase vetëm një herë në disa shekuj.

Me ish presidentin amerikan Bill Clinton
Me ish presidentin amerikan Bill Clinton
O President Rugova, Ti – biri i Dardanisë së Shenjtë, i pari e pe Nënëloken në rrezik jete dhe qenësie. Rreziku në shekullin e fundit po i kanosej nga shovinistët pa themel as pa identitet, që dijnë të bëjnë vetëm tragjedi – nga serbianët e tërbuar që “të vetmin shpëtim” e shihnin në trojet tona. Prandaj mblodhe popullin dhe secilit i dhe detyrat e veta operative – dikuj me pushkë, dikuj me laps, dikuj me diplomaci, dikuj me humanitet e me solidaritet, dikuj ... Ishe i pari që shqiptarëve u dhurove pluralizmin politik, duke themeluar Lidhjen Demokratike të Kosovës, që në të vërtetë nuk ishte vetëm parti politike, por ishte lëvizje mbarëkombëtare e shqiptarëve të pushtuar nga orditë sllave nën ish Jugosllavinë, ishte lëvizja që po organizonte kryengritjen e gjithëmbarshme kombëtare për lirinë e shqiptarëve dhe për demokracinë e vërtetë, ishte thikë helmuese që do të copëtonte krijesën shtetërore e kriminale të krijuar nën rrëke gjaku në Ballkan, me emrin Jugosllavi. Kështu o i Madhi President, ia mundësove secilit të veprojë në mënyrën e vet dhe me forcat e me formulat e veta, kështu që Dardanisë Plakë t’i rikthehet identiteti e dinjiteti kombëtar e njerëzor. Të gjithë i muarën dhe i kryen detyrat e veta. Sot edhe ne shqitarët kemi demokraci, bile do të thosha pak të tepruar, sepse janë shumë shqiptarë, si në Dardaninë Tënde edhe jashtë saj, që merren edhe me gjëra që nuk u takojnë, që ofendojnë e sulmojnë edhe pa motive edhe pa kurrëfarë levërdie, vetëm me ligjet absurde të tekeve personale e klanore bile edhe të rrezikshme, madje edhe duke dëmtuar çështjen kombëtare, me vetëdije apo edhe pa ditur gjë. O i Madhi President, ne po marshojmë edhe pa Ty, por janë disa që kanë shmangur udhën e po shkojnë tatëpjetëzave shumë të rrezikshme, ku – në mos sot, nesër do të rrolkullisen e do e thejnë qafën, duke rrezikuar edhe jetën. Tashmë disa po shihen duke u rrokullisur. Ka edhe të tillë që në shumë dreqëri dhe në interese personale e klanore, ende vazhdojnë të thirren në emrin e madh – Rugova. Po e shoh se ka ardhë koha që t’u thuhet mjaft njëherë e përgjithmonë dhe të stopohen, që të mos u lejohet të ngarkojnë më mbi shpinën e kërrusur të popullit tonë të vuajtur. Çuditërisht ka ende të tillë që mendojnë se patjetër ata duhet të jenë në ballë të çdo gjëje që bëhet në trojet tona, pa kuptuar se janë vetëm një pikë uji në oqeanin kombëtar. 

Me Papën Gjon Pali i Dytë
Me Papën Gjon Pali i Dytë
Sidoqoftë, o i Madhi President, shumica e arbërorëve sot lirshëm e njohin dhe e dijnë identitetin dhe dinjitetin e tyre, prandaj plot krenari marshojnë udhës së vërtetë historike, me bekimin e vetë Zotit, drejt bashkimit dhe prosperitetit të kombit tonë, pa sjellur telashe as implikime për popujt tjerë. Kjo është krenaria shumëshekullore dhe shenjtëria ilire, e dëshmuar në histori. Në mbretërinë tonë kombëtare, ashtu siç deshte Ti, do të mbrtetërojë dhe do të sundojë gjithmonë, edhe tej amshimit dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për të tjerët, besa e mirëfilltë, amaneti i të parëve tanë për një prosperitet të gjithëmbarshëm kombëtar e njerëzor, për një dashuri universale, jashtë intereseve personale, grupore e klanore. Dardania jonë po bëhet shtyllë e fortë e Ilirisë, çfarë e ke dashur gjithmonë dhe për të cilën ke punuar gjatë tërë jetës dhe veprimtarisë tënde publike. Ne, bijtë e Saj, po ndjeheni gjithnjë e më krenarë, gjithnjë e më të denjë për të dhënë kontributin tonë në regjimin e shenjtë të Dashurisë. Dhe të garantoj o President i Dashur dhe i çmuar deri në amshim, se Dita Jonë po vjen shumë shpejt. Po arrin ajo ditë, bile edhe më parë seç e kemi pritur. Dalëngadalë të gjithë arbërorët po e njohin mirë vetëvetin dhe po dëshmohen, me të gjitha traditat e shenjta dardano-ilire. Dinjiteti ynë po bëhet shembull i mirë në të gjitha horizontet dhe në të gjitha pëllëmbët e kësaj bote. Me dashurinë tonë të mirëfilltë po i bindim të gjithë se e vetmja rrugë e prosperitetit njerëzor e kombëtar është vetëm dashuria dhe kryerja e detyrave me dinjitet. 

Me Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën
Me Gonxhe Bojaxhiun – Nënë Terezën
Eja o President, dhe siç din vetëm Ti, me gjithë fuqinë e ekstremitetit dardano-ilir kapi të gjithë e t’i kthejmë në rrugën e drejtë, që të jetësojmë të gjithë së bashku aspiratat tona kombëtare e njerëzore, që të njohim identitetin tonë të mirëfilltë dhe të jemi të denjë të kremtojmë në Ditën e Madhe të Bashkimit Kombëtar, që shpejt po afrohet dhe po mbërrin. Bëji që të gjithë të këndojnë njëzëri në kremten mbarëkombëtare të kurorëzimit të Dashurisë Arbërore. Duhet vepruar pa vonuar, sepse kështu kërkojnë Shën Konstantini e Shën Niketë Dardani, Gjergj Kastrioti – Skënderbe e e Madhja Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza. Eja o President Rugova, sepse në elitën e figurave iliro-arbërore, mbas tyre në radhë je Ti, për ta mirëmbajtur e për ta kultivuar mrekullueshëm kopshtin iliro-arbëror. Eja se duhet të jemi të përgatitur për Ditën e Madhe. Eja o President, se pa Ty nuk mundemi. Eja se të thërrasin shekujt iliro-arbërorë, eja se të thërret amshimi ynë, eja se të thërret ardhmëria jonë kombëtare, eja se të thërret mrekullia!!! Eja, se pa Ty nuk jemi mësuar dhe e kemi vështirë. Eja e merri detyrat që ne vetëm nuk i kryejmë dot. Eja se gjithnjë të thërret realiteti ynë kombëtar, të thërret dinjiteti ynë, të thërret zëri i arsyes! Eja President Rugova, eja se të thërret Shqipëria – të thërret Kosova!

Me Sali Berishën
Me Sali Berishën
Anton Çetta – Ibrahim Rugova: NUK LEJOJMË MË ARMIQËSI NDËRMJET SHQIPTARËVE
Anton Çetta – Ibrahim Rugova: NUK LEJOJMË MË ARMIQËSI NDËRMJET SHQIPTARËVE
Adem Jasharit me shokë - Ua beson detyrat me pushkë...
Adem Jasharit me shokë - Ua beson detyrat me pushkë...
Analizonim projektin e Tempullit të Paqes së Nënë Terezës
Analizonim projektin e Tempullit të Paqes së Nënë Terezës
Me krenari prente shiritet e projekteve të realizuara
Me krenari prente shiritet e projekteve të realizuara
Ja Flamuri për të cilin luftova
Ja Flamuri për të cilin luftova
Të mendojmë për të ardhmen e hareshme të fëmijëve
Të mendojmë për të ardhmen e hareshme të fëmijëve
Edhe ti Hashim ke detyra të rëndësishme
Edhe ti Hashim ke detyra të rëndësishme
Punoj për Dardaninë time
Punoj për Dardaninë time
Trupat Mbrojtëse të Kosovës: nderime te varri i Presidentit
Trupat Mbrojtëse të Kosovës: nderime te varri i Presidentit
Garlate (Lecco), 21 janar 2010