E premte, 29.03.2024, 12:17 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Radio Kosova e Lirë ndërrmerr fushatë protestuese

E merkure, 20.01.2010, 09:54 PM


RADIO-KOSOVA E LIRË NDËRMERR FUSHATË PROTESTUESE DREJTUAR KËSHILLIT TË  PAVARUR TË MEDIEVE

Fushata ka për qëllim të ushtojë presion te drejtuesit e KPM-së, në mënyrë që drejtuesit e këtij Këshilli të përgjigjen në ankimet dhe kërkesat tona. Konsiderojmë se kjo është e drejtë elementare e çdo institucioni, i cili mbanë përgjegjësi për të shqyrtuar çdo ankesë apo kërkesë, që i drejtohet nga cilido medium, në një afat të caktuar kohor.

-KPM-ja ka zvarritur për vjet të tëra kërkesën e ligjshme të Radios-Kosova e lirë për shtrirje të dëgjueshmërisë dhe për evitimin e pengesave, që i bëjnë kësaj radioje, Radio-Dukagjini, Radio-Kosova, dhe radiot e tjera, të cilat kohë pas kohe lajmërohen në valën 94.2.

-KPM-ja, duke ditur se kjo valë është tejet e stërngarkuar, meqë në të njëjtën valë dhe përreth saj emetojnë disa stacione të ish-RJ të Maqedonisë dhe stacionet  e vendit me status të avancuar, pikërisht këtë valë i ka caktuar për emetim Radios-Kosova e lirë, radios të vetme të luftës në Kosovë, për mbrojtjen e së cilës, gjatë luftës së UÇK-së kanë rënë shumë dëshmorë dhe tre anëtarë të stafit.

-Kërkesat tona drejtuar KPM-së kanë vazhduar nga viti në vit, dhe, asnjëherë deri tani nuk kemi marrë përgjigje meritore, qoftë edhe negative. Në ankimet tona zakonisht thuhet se kërkesa do të shqyrtohet...

-Duke qenë se KPM-ja e burokratizuar dhe parazite  nuk merakoset fare, qoftë edhe për të  kthyer një përgjigje negative, Radio-Kosova e lirë do të bëjë përpjekje që përmes presionit demokratik të ndërmarrë një varg aktivitetesh, me qëllim që ky Këshill ta kuptojë se në Kosovën e lirë dhe të pavarur nuk mund të veprohet me diktat, injorim dhe nënçmim sikur është vepruar  në kohën e regjimit okupator të Milosheviqit.>>>

 

Fushata protestuese parasheh:

 

-Dërgimin disa herë në ditë të kësaj ankese në emailet e zyrtarëve të KPM-së.

-Njoftimin e medieve lidhur me këtë padrejtësi të ushtruar arbitrarisht kundër Radios- Kosova e lirë, e cila po zgjatë  qysh prej vitit 2001.

 

Ankesën tonë do t’ia drejtojmë:

-Qeverisë së Kosovës,

-Kuvendit të Kosovës,

-KMLDNJ-së,

-Shoqatave të luftës së UÇK-së dhe

asociacioneve të tjera.

 

Faza e dytë e fushatës  protestuese, parasheh një peticion drejtuar KMP-së dhe institucioneve relevante,  nënshkruar  nga familjarët e dëshmorëve, nga invalidët e veteranët e luftës dhe nga dëgjuesit e kësaj Radioje.

 

Faza e tretë e fushatës parasheh, protesta publike para Këshillit të Medieve, deri në plotësimin e kërkesave tona të ligjshme. Nga Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë

 

 

 

Përkrahje publike për protestën e Radios-Kosova e lirë, drejtuar KPM-së

 

 

Agjencia e pavarur e lajmeve "Mekuli Press" reagon me shqetësim të thellë për dhunën që UNMIK-u, EULEX-i, QEVERIA dhe gazetarucët e UNMIK-ut ushtrojnë ndaj "Radio Kosova e Lire".
Dëshirën që politikat në Kosove kanë për të kontrolluar mbi mendimin dhe fjalën e lirë shqipe, "Mekuli Press" ka me shume se 10 vite qe e ka thënë dhe i ka  argumentuar botërisht.
Politika rrënuese, që është duke bërë gjenocid kulturor e identiteti në Kosovën e okupuar nga mendimi stalinist, është duke bëre çmos që ta shkatërrojë edhe mediumin e vetëm e të pavarur shqip "Radio Kosova e Lire".
Por ky veprim qyqar e ekstremist nuk do te ketë sukses.
Nuk do te ketë sukses, sepse "Radio Kosova e Lire" është zëri i popullit; është zëri i demokracisë, fuqia e shpresa e mendimit te lire shqip....  - Me ju, ekipi i gazetarëve të redaksisë "Mekuli Press".


 

E nderuara Redaksi e Radios Kosova e lirë



 

Për mua dhe shumë bashkëkombës që njoh, do të ishte e natyrshme dhe e ligjshme që i tërë Stafi i Radios Kosova e lirë bashkë me raportuesit nga tereni, të cilët ishin aktivë gjatë luftës çlirimtare, do të duhej të ishin pjesë përbërëse, e patjetërsueshme dhe në vendet kyçe të mediave shtetërore në Kosovë (Radio dhe Televizion). Fakti që asnjëri nga pjesëtarët e Stafit të Radios Kosova e lirë, të gjatë luftës nuk ushtron asnjë funksion udhëheqës apo që nuk figuron as edhe si këshilltar në Radion dhe Televizionin shtetëror të Kosovës është i pakuptueshëm dhe tregon - thënë së tepërmi butë mungesën e seriozitetit të përgjegjësve të njëpasnjëshëm, kombëtar dhe ndërkombëtar,  të Radios dhe Televizionit shtetëror të Kosovës që nga vera e vitit 1999.  Edhe pse Kosova nuk është - si të gjitha shtetet tjera - me e vërtetë e pavarur, unë megjithatë do të shfrytëzoja nga rasti dhe do t’ i propozoja Kuvendit të Kosovës si organ ligjdhënës, të ndërmarrë hapat e duhur që Stafi i Radios Kosova e lirë, edhe pse me vonesë, të integrohet meritueshëm në RTK, duke i mundësuar secilit anëtar  të Stafit të luftës të marrë përsipër detyrat në bazë të përvojës dhe aftësive profesionale, apo në rastin tjetër të aprovohet mbështetja e nevojshme financiare për Radion Kosova e lirë, si e vetmja zëdhënëse autoktone dhe e drejtë për drejtë nga vendi, gjatë periudhës më të vështirë dhe më të lavdishme të Kosovës. 
Me respekt!
Osman Osmani, Prishtinë

 

E përkrahim fuqishëm protestën e Radios-Kosova e lirë

Jemi tetë veteranë nga pjesa jugore e Drenicës, ish-pjesëtarë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Shprehim indinjatë të thellë kundër padrejtësive që kjo farë “Komisijska medija” po i bën Radio-Kosovës së lirë. Po ashtu shprehim kundërshtim edhe kundër kryesive të Shoqatave të luftës së UÇK-së, të cilat nuk po reagojnë dhe nuk po e përkrahin të vetmen Radio të luftës në Kosovë. Pengesat që disa radio shqip e serbisht po i bëjnë Radios-Kosova e  lirë, me qëllim që zëri i saj të ngulfatet, na detyron të reagojmë fuqishëm dhe të kërkojmë që zëri i kësaj radioje të shtrihet në tërë Kosovën. Jemi të gatshëm t’ i përgjigjemi ftesës  për të protestuar kundër diskriminimit. që po i bëhet kësaj radioje, thuhet në mes tjerash në letrën përkrahëse drejtuar RKL-së, nënshkruar nga tetë veteranë të Drenicës.

Përkrahje „RADIOS-KOSOVA  E  LIRË“

 

Presioni dhe shantazhet, që po i behën të vetmes emetuese të së vërtetës, të vetmes transmetuese të zërit të lirisë, në këtë kohë, ku aq shumë trumbetohet për lirinë e fjalës dhe të mendimit, në Kosovën e sotme të lirë dhe demokratike, me një sistem shoqëror pluralist, ku çmohet dhe vlerësohet, në mënyrë selektive  liria e mendimit dhe mendimi i lirë, për mua nuk janë edhe aq befasuese, sepse ne jemi të vetëdijshëm së zëri i së vërtetës për shqiptarët është goditur në vazhdimësi, qysh para Luftës së Dytë Botërore,  dhe më pas si në kohën e Rankoviqit, të Titos e të Millosheviqit, e deri te lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Baza e “Radiokosovës së lirë”, madje edhe është sulmuar me armë dhe është granatuar qindra herë nga pushtuesi serb gjatë kohës së luftës në Kosovë. Kreu i stafit të kësaj radioje  kërkohet nga regjimi i Beogradit edhe përmes Interpolit. Është paksa ngushëllues  fakti që kundërshtarët e zërit të lirë dhe të lirisë së Kosovës, kanë mbetur po ata që kanë qenë: armiqtë të vjetër. Radio-Kosova e lirë, nuk ka krijuar armiq të ri!...

 

Larg qoftë, po sikur të vritej gjatë luftës stafi i RKL-së, dhe kjo radio të dështonte në misionin e saj, sot po këta pretendues së ngufatjes së zërin e saj, do të mbanin mbledhje përkujtimore në “Sallën e kuqe”, duke thënë: “Trimat e Radio-Kosovës ë lirë në malet e Berishës, ranë duke e përhapur zërin e së vërtetës për Kosovën dhe popullin e saj!”...

Prandaj, RKL-ja nuk duhet të shqetësohet për këtë, sepse  e ka të qartë se ngulfatësit e së vërtetës për shqiptarët, janë po ata, të njëjtit, ata të moçmit, edhe pse tani me kot fshihen pas petkut të demokracisë!

Janar, 2010 Mehmet Bislimi

 

 

Abdullah Prapashtica përkrah protestën e Radios-Kosova e lirë, drejtuar KPM-së

 

Radio Kosova e lire është i vetmi radiostacion në tërë hapësirën shqiptare që nga Deti Jon e deri te Alpet Argjendare, që dëgjuesit nuk i bombardon me muzikë e emisione në gjuhe të huaja dhe as me emisione në gjuhen shqipe, të cilat për qëllim kanë nënçmimin e vlerave kombëtare, shpëlarjen e trurit nga vlerat kombëtare dhe me mbivlerësimin dhe instalimin e vlerave të huaja kulturore, ideologjik e fetare, gjë që ndodh me shumë radio stacione tjera...
Kjo që po ndodhë me Radio Kosovën e lirë është një shembull konkret aktual i obstruksioneve të tilla që kanë ndodhur me krejt luftëtarët e lirisë jashtë grupeve sektare në pushtet dhe kjo duhet të ndërpriten menjëherë. Apeloj te Kuvendi i Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë dhe korrigjojë politikën e kuadrove në KPM, sepse udhëheqja e kësaj politike të gabuar nga qarqet e caktuara, sigurisht se do të sjellë krizë të panevojshme institucionale!

 

Mr: Kadri Rexha: Kërkesat e Radios „Kosova e lirë “ janë të drejta

 

      Nga mjetet e informimit mësojmë se Radio “Kosova e Lirë“ ka ndërmarr një fushatë protestuese drejtuar Këshillit të Pavarur të Medieve. Në kuadër të kësaj fushate RKL e riaktualizon kërkesën e saj të kahmotshme për shtrirje të dëgjueshmërisë dhe evitimin e pengesave që kësaj Radioje i bëjnë  Radio Dukagjini, Radio Kosova dhe radiot tjera, të cilat kohë pas kohe ndërhyjnë në valën e saj duke ia penguar shtrirjen dhe dëgjimin në trevat e Kosovës. 
      Është e tepërt të thuhet se kërkesat e RKL-së janë të drejta dhe brenda kuadrit te të drejtave të ligjshme të simotrave të saj dhe të medieve tjera informative të pavarura. Është e tepërt të thuhet se në çfarë rrethanash të vështira ekonomike dhe presioni të gjithanshëm ka punuar dhe punon Stafi i palodhshëm i RKL-së. Është e tepërt të thuhet se historia e RKL-së i ka rrënjët në gjakun e lirisë dhe të pavarësisë, se RKL është radio me identitet kombëtar, se RKL i ka dëshmorët e vet dhe gazetarët e dëshmuar të luftës, se RKL është medium i përjetësimit të dëshmorëve dhe zë i lirsë, se RKL është zë afirmativ i politikës, i kulturës dhe i shkencës përparimtare kombëtare dhe asaj botërore si dhe zë fshikullues kundër të ligës, degjenerimit, shundit dhe errësirës.>>>
     Heshtja e KPM, në këtë rast, para një kërkese kaq themelore të RKL-së është sa e çuditshme po aq domethënëse, sa e dëmshme po aq regresive. Dhe për të qenë çudia edhe më e madhe e gjithë kjo heshtje, e gjithë kjo zvarritje dhe i gjithë ky indiferentizëm i KPM-së bëhet në kohën e lirisë, në kohën e demokracisë, në kohën e fjalës dhe të mendimit të lirë, në kohën qarkullimit të lirë të mallrave dhe të ideve, në kohën  e globalizmit ndërplanetar.   
   Prandaj, bërja shurdh e veshit të KPM-së dhe e mekanizmave tjera të pushtetit ndaj kërkesave të drejta dhe të ligjshme të RKL-së si dhe marrja e qëndrimit kundër ekzistencës, zhvillimit dhe zgjerimit të RKL-së nga ana e KPM-së dhe e mekanizmave tjera të pushtetit do të thotë të dalësh hapur  kundër idealeve të dëshmorëve të kombit dhe kundër emblemës së vetme të gjallë të UÇK-së, kundër zërit burrëror të luftës së djeshme dhe zërit kushtrimtar të lirisë së sotme dhe të bashkimit të së nesërmes, kundër fjalës dhe mendimit të lirë dhe kundër vlerave shpirtërore dhe materiale të kombit, me një fjalë kundër vetë kombit shqiptar dhe kundër progresit të gjithëmbarshëm historik.
   Dhe sprovat si kjo nuk janë të reja për RKL-në. 
   Dhe përballimi i sprovave të tilla tashmë kanë hyrë në histori.
   Sepse me RKL-në është e drejta. 
   Sepse me RKL-në është mbarë Kombi.

Agim Vuniqi: E përkrah publikisht protestën e Radios-Kosova e lirë, drejtuar KPM-së

Mediumet e informimit janë pjesë e pandarë e ushqimit me informacione për
njeriun, pasi që çdo gjë është e lidhur me kohën dhe është në pajtueshmëri me ligjet natyrore në të cilat mbështet jeta dhe njerëzimi. Do të ishte e natyrshme që çdo gjë që ndërtohet në kushte normale të mbështetet në ligjet ekzistuese të shtetit, por të cilit shtet? Mediumet e informimit që jepnin informacione "jetonin" dhe "vepronin" sipas ligjeve serbiane, dhe mashtronin popullin..!? Populli paguante informacione jo objektive meqë gazetaria shqiptare krijohej nga zyrat, dhe po të njëjtat mediume të shkruara dhe vizuale zhvillonin monizmin në kushte të reja-ato te okupimit klasik, dhe monizmi forcohej duke lansuar "pluripartizmin" në robëri, dhe të gjithë liderët e porsakrijuar mbanin ligjërata për demokracinë që zhvillohej në Kosovë me ligje serbiane, dhe shumica prej tyre kënaqeshin me privilegjet e "demokratizimit" dhe "demokracisë" shqiptare e cila "frymonte" përmes ligjeve serbiane, dhe të gjithë paguanin tatimet Serbisë, çuditërisht shumica besonin se demokracia krijohet me ligje te huaja-dhe kështu legalizohej robëria, dhe kështu ato mashtronin dhe populli vetëmashtrohej. Dukuria e vetëfinancimit të robërisë në emër të "demokracisë" u këputë mu në kohën e duhur, kur veç kishin filluar të krijoheshin raporte të reja politike në botë, kur sferat e interesit veç kishin filluar të ndërronin, mu atëherë kur lindi shpresa për çlirim, atëherë kur populli u shkundë nga letargjia dhe filloi të lindë liria, atëherë kur UÇK-ja (lëvizje politike dhe ushtarake) ashtu si dikur LNDSH-ja, por tash shumë më organizuar dhe shumë më e fuqishme, krijoi relacione të reja në Ballkan, ajo mbështetej nga NATO-ja dhe ishte aleate e NATO-s, jepte informacione të bollshme logjistike nga toka, dhe kështu luftën e fitoi UÇK-ja me ndihmën e NATO-s, meqë ajo ne fakt edhe kishte filluar luftën. Dhe si mund te fitohej lufta pa informacione, Shtabi i
Përgjithshem i UÇK-së krijoi agjencitë e para që përçonin lirinë, ato
shpërndanin informacione për luftën në Kosovë, për masakrat bizare të serbeve që bënin ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë, dhe kështu fillojë të ndriçojë liria, dhe kështu lindi Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress-i, ishin këto agjencitë e vetme që vepronin dhe shprehnin vullnetin e popullit, por edhe që jepnin informacione nga terreni. Ato më 4 janar festuan ditëlindjen, dhe të gjithë i gëzohen lindjeve dhe ditëlindjeve, më së tepërmi i gëzohen ata që u rilindën, e rilindi populli, rilindi nga balta, rilindën "kufomat" e gjalla, dhe kështu të gjithë duhet të gëzohen, gëzohem edhe unë që rilinda edhe pse jashtë atdheut - në Amerikë, rilindja nuk është lokale ajo është universale, UÇK-ja e ftoi Amerikën në Kosovë, dhe ajo i ftoi shqiptarët në Amerikë, dhe të gjithë frymojnë se bashku shqiptarë dhe amerikanë, na qofte për hajr miqësia, por edhe rilindja. Urime popull rilindja, urime ditëlindja - UÇK, Kosovapress, Radio Kosove e lire edhe ty Kosova ime.


 



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora