Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Si e përballuam vdekjen tënde, president?

| E merkure, 20.01.2010, 11:00 PM |


Me rastin e Katër vjetorit të vdekjes së Presidentit  Rugova

Si e përballuam vdekjen tënde, president?

Nga Halit Bogaj

U bënë  4 vjet nga mungesa e prijësit tonë të madh i  cili na la sikur të ishim jetimë. Na la të vetmuar por personaliteti i tij madhështor jeton i paprekur në  çdo zemër shqiptare, kuptohet tek ata që ia dinin vlerat  universale dhe që e kuptuan se kush ishte me të vërtetë..Por këtë e kuptoi një popull i tërë dhe mbarë bota e gjerë demokratike e cila ka merita të shumta që e çmoi si duhet dhe e adhuroi njeriun tonë më të dashur në  historinë më të re të Kosovës. Të gjithë ata miq dhe dashamirë që erdhën në varrimin e presidentit tonë  historik,  e kishin kuptuar misionin e tij të  shenjtë drejt të cilit Dr. Rugova e udhëhoqi gati 20 vjet popullin e tij në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë aq gjatë të pritur. E krahasonin me profetin Moisie, me Gandin, Martin Luter Kingun, Dallaj Lamën dhe me figura të tjera të famshme, duke e ditur se vërtet ishte i tillë. Për të derdhnin lotë edhe burrështetas si Bil Klintoni, Medlin Ollbrajt, Havier Sollana dhe të tjerë, të cilët, duke e çmuar aq fort Dr. Rugovën shpreheshin’’ se kishin privilegjin që e njohën’’, që do të thotë se sa thellë kishte hyrë në zemrat e tyre presidenti ynë , me emrin e të  cilit janë të lidhura të gjitha të arriturat tona të derisotme dhe e nesërmja jonë e lavdishme. E çmonin burrat e njohur të vendeve të ndryshme, sepse e meritonte.

Për të  ndienin dhembje të pakompenzuar edhe shkrimtarët tanë të mëdhenj si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Sabri  Hamiti etj., por edhe qeveritarët shqiptarë- që nga presidenti Moisiu , Sali Berisha dhe të gjithë ata që erdhën nga Tirana për t’ia bërë nderimet e fundit presidentit tonë të ndjerë pa të cilin ka mbetur ky popull në  ditët më të nevojshme pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të  Kosovës, të cilin, siç shprehej ai,’’Bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë  vetëm formalisht ngase Kosova faktikisht është e pavarur’’.

Pa Dr. Rugovën mbetëm të vetmuar ngase një lider i tillë nuk mund të lind dhe të formohet për çdo  ditë. Njerëzit si ai i  sjell vetëm I Madhërishmi tek popujt e robëruar për t’u  ndihmuar atyre që të dalin nga errësira në rrezet e diellit të lirisë së tyre kombëtare. E Rugova ne na nxori në dritë dhe na solli në  Tokën e Premtuar, ashtu si edhe profeti Moisie popullin ebreit. Na ktheu në tokën të cilën gati  e humbëm përgjithmonë. Na solli atje pas një pritjeje të gjatë e cila më në  fund ishte një mrekulli e veçantë për të cilën luftuan breza të tërë që nga stërgjyshërit dhe etërit tanë që i kërkuan vazhdimisht të drejtat e tyre të shkelura në mënyrën më barbare.

Presidenti Rugova ndoqi një rrugë të përkrahur nga bota demokratike, i  bindur fuqimisht se ajo do të rezultonte me sukses, çfarë ndodhi me të vërtetë. Dhe si i tillë ai fitonte përkrahje të madhe kahdo që shkonte dhe kur takohej me politikanë të  shquar brenda dhe jashtë Kosovës së tij të dashur, për të cilën  nuk iu dhimbtë as jeta atë  ditë të kobshme kur doli para popullit për ta njoftuar se vuante nga një sëmundje vdekjeprurëse. Të gjithëve na kujtohet ajo  ditë e tmerrshme në të  cilën mësuam se vdekja e tij ishte e paevitueshme, por ai e pranonte atë me një  forcë titanike dhe të paparë, e cila ishte dëshirë e të Gjithëfuqishmit.Me ç’rast, edhe neve na bëri edhe më të fortë, edhepse me zemër të plasur e pranonim realitetin që po vinte.

Dr. Rugova krijoi themelet e shtetit më të ri edhe me humanizmin dhe durimin prometheik, duke bërë shumë miq në botë të cilët ia la përherë  Kosovës së dalur nga lufta e fundit çlirimtare. Ndarja fizike me presidentin ishte dita më e pikëllueshme për popullin tonë të cilit i priu me dinjitet, maturi dhe guxim të madh deri në çastin e fundit të jetës së tij .

Të gjithë e dinë se çka bëri Dr. Rugova për ne. Ai me vizionin largpamës i rihapi shkollat dhe fakultetet e mbyllura me dhunë nga okupatori, duke e ditur fare mirë se do të vinte dita më e gëzuar e çlirimit tonë definitiv kur nxënësit dhe studentët tanë do të ktheheshin sërish në bankat e tyre dhe do të vazhdonin të mësonin siç kishin vepruar gjeneratat tona të mëhershme.

Dr. Rugova e bojkotoi shtetin serb për t’i krijuar paralelisht segmentet më vitale të jetës sonë të përditshme dhe të ekzistencës sonë të rrezikuar, ku përveç zullumit që na e shkaktonte aparati represiv armiqësor, nuk hetohej fare që nuk funksiononim si shtet. Madje madje kur i tekej Serbisë, kryente aksione antinjerëzore të plaçkitjes së mallrave dhe parave të mbijetuesve shqiptarë të  cilët mundoheshin me mish e me shpirt që t’i mbanin familjet e veta dhe popullin tonë të vuajtur në qindra mënyra.  Pikërisht falë angazhimit aq kolosal dhe emrit të tij të ndritur, i tejkaluam sfidat e llojllojshme të  cilat na dilnin  çdo ditë përpara. Dhe populli e dinte fare mirë se duhej t’i besonte atij që shkonte nëpër dyert  e kancelarive më të  fuqishme botërore për t’u treguar atyre se edhe durimit tonë të madh i vinte fundi dhe se duhej të ndërmerrej diçka për ta shpëtuar Kosovën.

Ai e kishte kuptuar fare mirë’’vijën e kuqe’’të Bushit të vjetër, prandaj e dinte  se Serbia do të ndëshkohej.

Të gjithë ata që vinin e shkonin te presidenti ynë  e shihnin njeriun e urtë që priste ditë më të bardha për të gjithë ne. Ndonjëherë ndokush nuk mund të besonte se pritja e tij  do të jepte rezultate të sigurta, por edhe pesimistët më të mëdhenj më në fund e hetuan largpamësinë e tij dhe realizimin e ëndrrës sonë shekullore. Dhe pikërisht rruga e tij aq e gjatë na solli këtu ku jemi sot- në fitoren tonë përfundimtare të cilën  e gëzojmë të gjithë ne. Është thënë edhe herave të tjera,se kush ishte Dr. Rugova , e pamë të gjithë edhe me rastin e vdekjes së tij të hershme, kur njerëz të shumtë nga vendi  dhe diaspora bënin homazhe mbi varrin e tij në Varrezat e dëshmorëve të kombit në  Velani. Kishte edhe shumë të tillë që qanin mbi varrin e kësaj ikonte të dashur e cila do të mbetet e amshuar për shumë gjenerata. Por edhe bota kur të flasë do të  thotë’’se shtetin e Kosovës e krijoi paqësori  Dr. Ibrahim Rugova’’, një humanist dhe politikan i shquar me tipare specifike në këtë pjesë të Ballkanit të trazuar.