E marte, 16.04.2024, 03:10 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Bojkot maqedonishtes

E marte, 19.01.2010, 11:00 PM


Bojkot maqedonishtes

Nga Valon Kurtishi

Ministri i arsimit të Fyromit Todorov siç duket nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i tij antidemokratik dhe antieuropian për futjen e obligueshme të maqedonishtes për fëmijët shqiptarë që në klasë të parë të shkollës fillore. Këtë ua bëri me dije për të satën herë me radhë me anë të mediave gjithë qytetarëve të këtij minishteti ballkanik. Në deklaratat e dhëna ditëve të fundit shihet qartë një prirje e çuditshme autoritariste dhe gati totalitare për të injoruar zërat ndryshe që vijnë jo vetëm nga shoqëria civile  por edhe nga vetë prindërit si dhe një numër i madh i kryetarëve të komunave shqiptare në vend.

Ministri në fjalë nuk ndalet vetëm në dhënien e deklaratave por është nga ata që veprojnë edhe në praktikë për realizimin e kërcënimeve të tyre të çuditshme. Kështu ministri i arsimit dhe shkencës realizoi një tur vizitash në disa komuna shqiptare ku iu kërcënua fuqishëm kryetarëve të tyre deri me marjen e kompetencave në sferën e arsimit nëse ata organizojnë ndonjë bojkot të vendimit të tij antishqiptar. Në ditët në vazhdim ministri u paraqit në media me deklarata të forta të tipit, “maqedonishtja doemos të mësohet” apo ne nuk tërhiqemi nga vendimi jonë asesi”.
Në margaritarin e fundit të tij para mediave ishte thënia se megjithë aksionet e fundit të organizatave joqevritare, apo kryetarëve të komunave - “maqedonishtja do të jetë e obligueshme dhe vendimi nuk do të hiqet”. Pra ky ministër dhe kjo qeveri janë të vendosur dhe shumë seriozë në tendencën e tyre për ta bërë maqedonishten të obligueshme për fëmijët shqiptarë që nga klasa e parë e fillores, d.m.th që në moshë 6 vjeçare.
Ekspertë shqiptarë e të huaj, shoqëria civile shqiptare, prindërit, gjithë komunitetit demokrat i këtij vendi e kanë pranuar se ky vendim bëhet me qëllime të caktuara politike dhe nuk ka të bëjë fare me realitetin pedagogjik, politik dhe kulturor të vendit. 
Ekspertët e lëmisë përkatëse e kanë vërtetuar gjithë kohës sa zgjat ky debat se futja e tre gjuhëve që në moshën 6 vjeçare është ngarkesë e tepërt dhe  panevojshme për fëmijët e çfarëdo kombësie qofshin ato. 
Për më tepër Konventat europianë për arsimin elementar e ndalojnë reptësisht keqpërdorimin politik të gjuhës së instruksionit në sistemin arsimor. Në një farë mënyre, fëmijët e mitur janë nën përkujdesjen e vazhdueshme të prindërve të cilët e kanë të drjetën e plotë që të zgjedhin se në cilën gjuhë do të shkollohen fëmijët e tyre. Pra, shkollat publike edhe mund të jenë në pronësi të qeverive, por fëmijët janë të prindërve dhë askush nuk të drejtë ti detyrojë atanë diçka të papëlqyeshme për to. 
Ekspertët e fushës juridike e kanë thënë se aplikimi i një vendimi të tillë është thyerje e qartë e kushtetutës e cila shpreh qartë që në këtë shtet gjuhë zyrtare është edhe ajo që e flasin së paku 20 % e qytetarëve të këtij vendi. Me këtë nëse ministri e ka marë vendimin për mësimin e obligueshëm të maqedonishtes duhej që me automatizëm të merte vendimin e njëjtë për mësimin e obligueshëm edhe të shqipes nga gjithë shkollarët filloristë të këtij vendi pa dalllim përkatësie etnike, fetare apo racore.

Linguistët, antropologët, kulturologët, komunikologët etj, shohin në këtë vendim të ministrit dhe kësaj qeverie një strategji alarmante për asimilimin në perspektivë të fëmijëve shqiptarë në sllavë. Njihen forma të këtilla veprimi në fillim si formë e përshtatjes me një gjuhë të caktuar , pastaj në fazën e dytë adaptimit dhe në fund asimilimit të plotë të komuniteteve të caktuara në kulturën mbizotëruese. 
Kjo nuk është e thënë të ndodhë menjëherë apo në një afat të shkurtë kohor. Strategjitë e tilla moderne të tëhujasimit apo asimilimit të komuniteteve të tëra aplikohen në baza të rrugëtimit të ngadalshëm dhe janë persistente, apo “step by step”(hap pas hapi) siç quhen në literaturën angleze. E hapi i parë në këtë drejtim është futja e obligueshme e maqedonishtes që në klasë të parë. Me këtë fëmija shqiptar etnik çoroditet që në moshë të njomë. Hapat tjerë në funksion të kësaj ideje të sëmurë shoviniste do të anoncohen në vazhdim. 
Pikërisht për këtë arsye ne si shoqëri civile i ndërmorën gjithë këto veprime kundërshtuese që ti dalim të keqes para që në nismë, që në fillesat, që në embrionin e saj.
Debatet publike kundër vendimit, mbledhja e nënshkrimeve dhe dorëzimi i tyre në MASH, apelimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese në konkluzat e së cilës edhe ashtu nuk besojmë, ishin hapat e parë në strategjitë tona transparente dhe tolerante të kundërshtimit të vendimit në fjalë.
Mosreflektimi i ministrit ndaj gjithë kësaj fryme kundërshtuese dhe ndaj protestave e reagimeve të shumta na çon në hapin e ardhshëm demokratik i cili do jetë bojkoti i organizuar i mësimit të maqedonishtes nga gjithë filloristët shqiptarë. 
Prandaj ne si shoqëri civile me gjithë kapacitetin tonë moral dhe kombëtar, dhe në emër të së ardhmes së pandryshuar shqiptare të fëmijëve shqiptarë, u bëjmë thirje gjithë këshillave të prindërve, drejtorive të shkollave fillore, pedagogëve, gjithë atyre që janë të involvuar në një mënyrë ose në tjetrën në procesin edukativo-arsimor, para së gjithash dhe kryesisht gjithë prindërve shqiptarë në këtë vend, që ta realizojnë në mënyrë të qetë, të kulturuar, apolitike  dhe shumë demokratike bojkotin e maqedonishtes për gjithë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në klasën e tetë në këtë vend. 
Nuk ka ministër apo qeveri që mund të mohojë apo dënojë vullnetin  e një populli të tërë. “Vox popoli - vox dei”. 
Bojkoti do të marë fund vetëm nëse Ministri do ta tërheqë këtë vendim antidemokratik dhe shovinist dhe do të miratohet vendim i ri me të cilin edhe fëmijët maqedonas që nga mosha 6 vjeçare do të mësojnë shqipen dhe anglishten, pra tre gjuhë njëkohësisht. 
Ftojmë opinionin publik shqiptar dhe partitë politike shqiptare bashkë me gjithë grupet tjera të interesit që të jenë në përkrahje të iniciativës së shkollarëve shqiptarë. U bëjmë thirje publike gjithë mediave shqiptare që të jenë në krye të detyrës në këto momente të vështira për arsimin shqip në IRJM.

Të nderuar prindër

Në këtë moment vendimtar për të ardhmen shqiptare të fëmijëve tuaj, mereni fatin tuaj në duart tuaja dhe mos lejoni tjerët tua çorodisin, akulturojnë, dhe në instancë të fundit asimilojnë fëmijët që në moshën gjashtëvjeçare. Vendimi është në duart tuaja. Askush nuk guxon të luajë me fatin dhe me ardhmërinë e lumtur të fëmijëve tuaj. Ju jeni shqiptarë, Fëmijët tuaj janë shqiptarë, Të mbetemi edhe në të ardhmen shqiptarë.


(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora