Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Libri, dhurata më e çmuar

| E hene, 18.01.2010, 06:58 PM |


Znj. K. Zylo, Z. M. Velaj kryetari i Bashkise, z. Paves dhe A. Mehmeti
Znj. K. Zylo, Z. M. Velaj kryetari i Bashkise, z. Paves dhe A. Mehmeti
Libri, dhurata më e çmuar

Nga Këze Kozeta Zylo 

Stamfordi qyteti mikpritës i shkrimtarëve me një natyrë të bukur vjeshte, duket se iu grishte më tepër muzën krijuesve.
Edhe pse pemët po zhvisheshin në nuditetin e tyre, ato largonin paqësisht drithërimën e vetmisë dhe sillnin pranë degëve të tyre cicërimën e poetëve dhe të shkrimtarëve, që i këndojnë aq bukur Atdheut, mallit, dashurisë…
Një shi i imët me fije të mëndafshta na shoqëroi gjithë kohën në atë ditë të diele, por trokitja e zërit të shiut zgjonte dhe më shumë ëndërrime në atë udhëtim paksa romantik…
Çuditërisht në këto udhëtime zgjohen dhe më shumë kujtimet e vendlindjes, kujtime që do të na shoqërojnë gjer në fund të jetës sonë.
Akitivitetet letrare që promovojnë libra dhe arritje të krijuesve, japin forcën shprehëse ku burojnë kumtet, dhe krijimet letrare hyjnë në rezonancë me krijuesin.
Vetëm kjo rezonancë do të evitonte në këto kohëra të çakërdisura, guximin e çartur të disave që e përdorin pseudokritikën për të çoroditur paksa lexuesin e papërgatitur, nëpërmjet gjykimeve inkompetente.
Për këtë shoqata e Shkrimtarëve këtu në Amerikë po mundohet të bëjë vlerësimin e duhur të krijimeve artistike dhe të operojë me parametra estetike.
Vlerësimet më së shumti i janë referuar kritikës profesionale, orientuese për të shkuar dhe pasur si pikë referuese mendimin e Osvald Hangfling i cili shkruan: “ Një detyrë e madhe e kritikëve është misioni i orientimit të njerëzve për t’i shikuar gjërat tek ajo që është estetike…”
Kështu në se krijuesit do të vuajnë nga ekzaltimi i kritikës jo profesionale, apo dhe e kundërta në se ata do të vuajnë nga kurthet e kritikës jo profesionale, si psh: kur një libër të mirë e hedhin rëndomtë poshtë dhe që shoqërohet nga mllefet inatçore, atëhere pikëtakimet e së bukurës, të artit, estetikës, medoemos nuk do të takohen kurrë…
Në shumë prej krijimeve të këtyre shkrimtarëve nuk mungon edhe fryma epike dhe lufta e popullit tonë në shekuj, qëe deshi fati ta vazhdonin akoma dhe në këtë fillim të shekullit 21.  
Ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, janë trimat e UÇK-s që frymëzuan një popull të tërë për t’u ngritur në Luftë dhe për të mbrojtur trojet e tyre nga kucedra serbe.
E kush më bukur se Uk Lushi do të shkruante për këtë luftë çlirimtare, kush më bukur se ai do ta përcillte me aq emocion këtë luftë, përveçse trimit të UÇK-s, si ai dhe shokët e tjerë që morën pushkën në dorë dhe luftuan ballë për ballë me armikun pa iu dridhur qerpiku?
Këto pasdite të bukura letrare përcjellin emocione të forta tek pjesëmarrësit dhe duken si ca varkëza të kaltra që notojnë vetëm në dallgëzimet e ëndrrave të poetëve!
Në poezitë e tyre gjen të pikëzuar peizazhet e mrekullueshme të Atdheut, natën blu me dritëzën e hënës dhe borën e bjeshkëve, një bardhësi që të lëbyr sytë dhe të tallazit shpirtin.  E gjithë kjo ditë poetike u shoqërua me zërin melodioz të këngëtares brilante Merita Halili, e cila me interpretimin e saj duket sikur rrëmben hallet e brengat e mëmëdhetarit dhe të fut në botën e magjishme të këngës...  Ajo shoqërohej nga mjeshtri muzikant, bashkëshorti i saj Raif Hyseni.  Të dy artistët përshëndetën shkrimtarët dhe pohuan se frymëzohemi prej tyre.

Promovimi i librave të botuara për vitin 2009 në Stamford

Aktiviteti u organizua në audotiriumin e librarisë "One Public Library Plaza", Stamford me moton :"Takimi i Fundvitit të Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë" 
Aktivitetin e përshëndeti Presidenti i shoqatës, poeti nga Presheva z.Adnan Mehmeti.
Midis të tjerash ai tha:
…Viti 2009 është një vit i suksessheshëm i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me plot aktivitete letrare.
Anetarët e Shoqatës sonë që botuan libra gjatë këtij viti na krijuan këtë eveniment per t’u bashkuar në një vend dhe bashkarisht për të promovuar librat.  
Përshëndesim z.Velaj, znj.Sulkuqi, z.Mrijaj, z.Lushi, znj.Moisiu, z.Turmalaj, z.Dilo, znj.Gjoka, znj.Saliu dhe z. Stefani. 
Ju sillni një bashkim mes krijuesve; një dialog me lexuesin dhe një risi në komunitet. Ju na mblodhët këtu në një qytet amerikan, por që flitet shqip. Secili prej jush ka identitetin e veçantë, por ju i përngjani lumenjve dhe detrave që bashkoheni në oqeanin e letërsisë…
Më vonë moderatorja ftoi në skenë z. Shkumbin Teta i cili prezantoi librat e poetit njëkohësisht dhe n/kryetar i shoqatës, z. Mehill Velaj.  Z.Teta në kritikën letrare me titull: “Poezia dhe proza e Velajt-pjesë e identitetit letrar në letrat shqipe” lexoi:
Po e nis këtë kumtesë me fjalët e mënçura, të ngrohta, dhe plot vitalitet letrar e kombëtar te Prof. Dr. Xhavit Aliçkaj për Poetin e prozatorin Mhill Velaj.:
"Tani në mesin tonë është poeti Mhill Velaj, e cili nuk e ka harruar Kosovën, as që e ka lënë shkrimin letrar."  Dhe vertet Velaj eshte në mesin tonë sot , me dy librat e tij botuar këtë vit :" Lule që rritemi në gurë" dhe " Ishulli i pulëbardhës".
Në vazhdim, disa këndveshtrime letrare nga autorë të ndryshëm, për poezinë dhe prozën e Velajt.
Kritiku e studiuesi, z.Fatmir Terziu, duke qenë edhe redaktor i vëllimit poetik "Lule që rritemi në gurë", të poetit e prozatorit Mëhill Velaj na jep një këndvështrim letrar për poezinë e Velajt.  Ja si shprehet mes të tjerash, Z.Terziu:
Duke e rilexuar me kujdes poezinë e bollshme të Velajt, natyrshëm ndihesh i ndihmuar në njohjen e saj. Mirëpo, për ta kuptuar më mirë atë natyrshëm duhen sjellë ndërmend njohuri të caktuara dhe kulturë letrare nga leximi i veprave të tjera, sidomos i kryeveprave të letërsisë kombëtare e botërore.  Kjo jo se e bën domosdoshmëri një lexim ndryshe, por sjell atë që T.S. Elliot thotë: "kur mendja e poetit është përqendruar në mënyrë perfekte për krijimin e tij, ajo është gjithmonë duke amalgamuar (përzier, lidhur) eksperienca të ndryshme".
Ndersa poeti nga Vlora z.Dalan Luzaj, kryetari i shoqates se Shkrimtarëve kishte sjellë përshëndetjen për të gjithë shkrimtarët ku midis të tjerash do të shkruante:
Do ta ndjeja vehten të privilegjuar të ndodhesha sot mes jush, në këtë gëzim shpirtëror, në këtë festë  krijuesish, që me veprat e tyre pasurojnë thesarin e kulturës sonë.  Botimet tuaja janë shprehje  e dashurisë për Atdheun, e talentit të fuqishëm dhe sakrificave tuaja.  Uroj, që këta libra të kenë vlera më shumë se pesha e tyre fizike!  Uroj që të ndiheni mirë, se jini ngjitur një shkallë më lart, në lartesitë  pa fund të krijimtarisë!
Uroj që librat tuaj të lexohen, për t’u thithur mushtin e vlerava  dhe mesazheve njerëzore që ata mbartin!  Mos harroni, se lexuesi  është një kritik, aq sa një filtër, që le të kalojnë uji dhe ruan në sipërfaqe xhevahiret që janë fshehur në të.  Ne se ju kënaqeni, do të thotë se kini merituar  emrin e nderuar shkrimtarë, apo poet, dhe njëhereshi shoqatës sonë  të krijuar nga i madhi Gjekë Marinaj i rritet emri, kur pasurohet me vlera...
Shkrimtarin Tom Mrijaj e prezantoi z.Klajd Kapinova i cili kishte sjellë punimin me titullin: “… Presim si zogla verës ndoi shkrim T’uejin…” 
…Vepra e re, hapet me një parathënie sinjifikative, hartuar me kulturë nga studiuesi i mjedjeologjisë Dr. Mentor Quku. Nuk është rastësi, që autori Mrijaj, ka si lexues dhe kritik të parë të monografisë pikërisht studiuesin e apasionuar pas figurës poliedrike të klerikut katolik, rilindasit produktiv, shkrimtarit, atdhetarit të flaktë shumë të mirënjohurin Dom Ndre Mjedja. Studiuesit bashkëkohorë: Quku dhe Mrijaj, kanë të përbashktën, se plotësojnë dhe begatojnë shumë mirë figurat Mjedja – Oroshi, që njëherit ishin bashkëkohës. I pari ishte profesor i letërsisë në Kolegjën Saveriane (Kolegji Papnor Shqiptar) në Shkodër, duke i dhënë mësim nxënësit shembullor të zgjuar Zef Oroshi (që më vonë do të bëhet Monsinjor); ndërsa i dyti Oroshi, ishte një nxënës shumë i dashur i dishepullit të tij – Profesor Dom Ndre Mjedjes. 
Studjuesi Tomë Mrijaj mbajti kumtesën:  
…Mendime rreth botimit të kumtesave mbi Simpoziumin, në librin:  “Imzot Pjetër Bogdani në New York”. 
Ky libër është botuar me shpenzimet e z. Mirakaj, duke kryer kësisoj një amanet dhe nxjerrë në pah kontributin e vyer, që kanë dhënë albanologët shqiptarë, për të na dhënë Arqipeshkëvin Bogdani si personalitet i madh i kombit tonë, që ndërroi jetë 320 vjet më përpara. Përmbledhja studimore, që ofrohet sot për herë të parë për lexuesit shqiptarë, ka në qendër të vëmendjes përsonalitetet e studiuesit shqiptarë, sikurse dhe studiuesit dhe shkrimtarët, që për shumë dekada kanë jetuar në botën e lirë deri sa komunizmi rrëzohet në Shqipëri.  Dy shkrime shumë interesante janë shkruar nga publicistët shqiptaro - amerikanë: redaktori i librit: “Imzot Pjetër Bogdani në New York” Klajd Kapinova dhe Anton Çefa me publicistin veteran Tonin Mirakajn, të cilët, në esencën e tyre trajtojnë kontributin e madh për shumë dekada, që ka dhënë dhe jep Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”), e themeluar dhe udhëhequr nga meshtarët: Mons. Dr. Zef Oroshi (1912-1989) dhe vijuesit e veprës dhe punës së tij: Prof. dr. Andrea Nargaj O.F.M. (1919 - 1999), Shkëlqësia e Tij Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë - Durrës, Dom Pjetër Popaj dhe Dom Nikolin Pergjini. 
Znj.Evisa Cina kishte sjellë një esse për nënën e saj Rajmonda Moisiun e cila lexoi:
…Shumicën nga Ju unë nuk i kam takuar kurrë, por ju njoh po kaq mirë, sa ju njeh nëna ime, e  cila na ka mbledhur sot. Unë jam bija  e Mondës, por jam edhe njëri nga miqtë e saj më të afërt  dhe, nga kjo arsye, prej kohësh kam nisur dhe jetoj edhe unë me shqetësimet letrare të nënës sime, përfshirë në këtë fokus, jetën dhe veprimtarinë letrare dhe publicistike. 
Shkrimtarët dhe poetët, këta njerëz që kanë superfuqinë shpirtëore të popullit të tyre që i ka rritur dhe mëkuar,  kanë nevojë nganjëherë për përkujdesje sa ka edhe një fëmijë...
Edhe publicisti dhe shkrimtari Riza Lahi ka shkruar per znj.Moisiu në fjalën recensuese të tij, rreth librit me tregime dhe esse “Duke kërkuar Ardianën” midis të tjerave se: “Raimonda Moisiu është një nga këto zemra që ka shkruar këtë vëllim shumë të ndjerë, të ëmbël pa masë dhe të kuptueshëm, siç janë përrallat. Ndoshta nuk do ta kishim pasur këtë bollëk në prozë të saj, në rast se ajo nuk do të vuante në emigracion mungesën e atdheut”.
Me vonë u lexua pershendetja e prof.Peter R. Priftit i cili shkruante:
Fakti që takimi i shoqatës bëhet në Bibliotekën e qytetit në Stamford, ka kuptimin e vet. Ajo tregon për punën e mirë që ka bërë President Mehmeti me shokë, midis autoriteteteve të qytetit dhe sferave akademike, për ta bërë familjare shoqatën në Stamford. Me fjalë të tjera, shoqata gëzon atje respekt dhe influencë -- që janë parakushte për bashkëpunime të frutshme midis shoqatës dhe vendësve. Ajo mund të shërbejë kësisoj si shembull për takime të njëjtë nëpër vende të tjerë të Amerikës.
E përgëzoj shoqatën për këtë iniciativë të mbarë, dhe i uroj një fundjave të mbushur me aktivitete të paharrueshëm, në dobi të letërsisë dhe kulturës kombëtare.
Në këtë kohë moderatorja i uroi mirëseardhjen kryetarit të Bashkisë së Stamfordit z.Michael Pavia, i cili kishte ardhur enkas për këtë aktivitet.  Ai me fjalë të ngrohta përshëndeti z.Adnan Mehmeti për ftesën që i kishte bërë dhe iu uroi të gjithë shkrimtarëve punë të mbarë.  Ai pati një kënaqësi të vecantë që ndodhej midis shkrimtarëve shqiptaro-Amerikanë dhe pohoi se do të merrte pjesë në këto aktivitete me shqiptarët për të cilët kishte një respekt dhe simpati të madhe për punën dhe kulturën e tyre që demonstrojnë në mjediset amerikane.
Shkrimtarin Uk Lushi e prezantoi gazetari Qazim Doda i cili solli kritikën e Kadaresë njëkohësisht dhe parathënie e librit, që ka për titull: “Saga e një batalioni”
Mund të thuhet pa asnjë droje se ky libër i Uk Lushit për batalionin “Atlantik”, është një ndër më të veçantit në historinë e shkrimit e të botimit shqiptar. Është i tillë sepse e veçantë dhe e pakrahasueshme me asnjë tjetër është saga e këtij batalioni në krejt historinë shqiptare.  Në një vështrim të parë ky vlerësim mund të duket i tepruar. Historia e botës është e mbushur plot me emra njesish ushtarake, të famshme e të pafamshme, ngadhnjyese e të mundura. Regjimente, brigada, divizione, legjione, armata, trupa sulmi, regjimente të blinduar, brigada internacionale, tabore të vdekjes e kështu me radhë. E po aq i mbushur me to është gadishulli ynë ballkanik, e jo më pak se gadishulli, hapësira shqiptare në Ballkan.  Ndër gjithë këto njesi, me emra zakonisht tingëllues e krenarë, batalioni, (pavarësisht se fjala ngjan tepër e përdorur dhe e rëndomtë) përbën një farë thelbi, siç e tregon vetë rrënja e emërtimit të tij nga latinishtja e vonshme. Për të respektuar atë thelb, në shqip batalionin mund ta quanim “luftues” ngaqë ndjesia e parë që rrezaton fjala, është pikërisht fjala “luftë”...
… Por historia e batalionit “Atlantiku”, ajo e madhja, e dyta, ajo që s’njeh shpërndarje dhe tretje, historia shpirtërore e tij, ka nisur pikërisht pas misionit të kryer të tij.  Ajo bën pjesë tashmë në mozaikun emblematik të kombit shqiptar…
Kurse znj.Ilirjana Sulkuqi i prezantoi vetë dy librat e saj: një është mozaik letrar me titull: “Po plas” dhe “Qirinjte e Galaktikës”.
Ajo përshëndeti të gjithë krijuesit dhe iu uroi atyre krijimtari të mbarë.  Ajo pohoi se kam shkruar në këtë mozaik letrar, esse, skica, tregime, shkrime kritike, intervista, letra, mesazhe…Eshte një dhuratë që iu jepet në dorë lexuesve dhe vetëm ata e dinë se sa çmohet dhe vlerësohet libri.  Në se lexuesi nuk e merr fare në dorë librin, shkrimtari duhet të mendohet dhe të kuptojë se diçka nuk shkon në krijimtarinë e tij.  Ajo dukej se drithërohej për vargjet e poetëve që sjellin mallin e secilit me fjalëza shpirti, që pikojnë mall.  Ajo tha se vetëm poetët dhe shkrimtarët që janë larg Atdheut e kuptojnë dhe e ndjejnë më mirë se cdo të thotë mall…
Librin “Diloiada” me bashkautor z.Eduard Dilo dhe z.Jorgo Telo e solli studiuesi Agim Boba.  Ai lexoi shkrimin e prof.Sami Repishtit ku ndër të tjera citoi:
...Tregimet e të ndjerit Kapiten Dr.Jani Dilo përputheshin plotësisht me dëshmite e mia okulare: ose të dëgjuara nga të tjerët: në qytet mbas “çlirimit”, në hetuesi mbas arrestimit, e ne burgje e kampe pune të detyrueshme, mbas dënimit tim -15 vjet- ne nandor 1947.  Një panoramë e këtillë që unë ruajsha në vete për dekada të gjata, u ringjall një ditë kur mora vëllimin “Diloiada” ose lotët e paterur të dhimbjeve. (Jorgo S.Telo dhe Eduard M. Dilo. Gjirokastër:Argjiro,2009)
…Nuk e lëshova nga dora derisa erdha në fund, faqe 100, Isha i mbushur plot me vrer e përshtypje te pashlyershme për këtë “:olimpiadë” vuajtjesh, e këtë botë padrejtësisht që lëkundën besimin në “mirësinë” e natyrës sonë njerëzore...
Që nga mbulesa e përparme e librit, ku paraqiten fotografitë e viktimave të familjes së intelektualit dhe patriotit shqiptar Ilia Dilo Sheperi, krijohet përshtypja se ketu kemi të bëjmë me vrasje masive (“mass murder”), se kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit. E megjithatë, autorët na befasojnë me dedikimin: 
“Ndjenja e adhurimit për njerëzit e mirë e mendimin e lirë, e neveritja për ligësinë e padrejtësinë na nxitën të shkruajmë këte poemë-balladë…”(Autorët).
Për krijimtarinë e znj.Eleonora Gjoka foli znj.Rajmonda Moisiu e cila tha:
Libri i poeteshës  së heshtur -  Eleonora Gjokës është nga më të bukurit që unë kam lexuar që të analizojë problemet e gruas. Me durimin e "Vajzës së valëve" - ajo vjen nga riviera  shqiptare nga ku ka lindur nje brilant i rrallë, sic është kënga e vajzës se valëve që ....që të vijë i dashuri i saj nga mërgimi -  Eleonora Gjoka ka  qëndisur me kujdes  "Imazhin e Gruas" në këtë esse madhore për të cilën do përgëzuar. 
Sigurisht që në këtë përgëzim -  më saktë, shumë pak, në atdheun tonë përtej oqeanit, e dinë se cfarë gjëje me vlerë kanë nxjerrë duart dhe mëndja e mprehtë dhe vëzhgonjëse e vajzës sonë nga Bregdeti.  
Z.Petraq J.Pali një ndër shkrimtarët e parë të shoqatës, kishte sjellë përshëndetjen për të gjithë krijuesit ku ndër të tjera do të shkruante:  Së pari Ju uroj punë të mbarë në Takimin e Shoqatës së13 të dhjetorit 2009 në Stamford.  Paçi shëndet dhe mbarësi dhe suksese në krijimtarinë tuaj artistike në letrat Shqipe.  Me keqardhje fizikisht nuk mund dot të marr pjesë në këtë takim të rëndësishëm të shoqatës, mirëpo me zemër dhe me shpirt jam aty tek ju, sepse bashkë na lidhin shumë gjëra dhe shumë linja të cilat janë të pazgjidhshme, si miq, si shokë, kolegë dhe si bashkëkombas.  
Z.Shaban Lajçi me veshjen e Rugovës solli nipat dhe mbesat e tij në skenë, ku me interpretimin e tij emocionoi pamasë pjesëmarrësit.  Ai përçoi mesazhin tek brezat, që kulturën dhe traditen nuk duhet ta harrojmë kurrë, ajo duhet të ngjizet në shpirtrat tanë.
Aktori Shpend Gjojcaj interpretoi poezi nga Gjergj Fishta, poezi që ngrejnë peshë zemrat e shqiptarëve në mbarë botën.
Aktivitetin e përshëndeti dhe editori i gazetës “Dielli” z.Dalip Greca.  Ai vlerësoi punën e shkrimtarëve dhe aktivitetet që po organizon shoqata e tyre.  Ne ju kemi borxh shkrimtarëve për t’i publikuar krijimtaritë e tyre dhe më shumë në media.  Unë premtoj se do të botoj më shumë nga krijimtaria e tyre në gazetën “Dielli”, gazetë ku gjysma e shkrimtarëve janë pajtuar në të…  
Znj.Rita Saliu e prezantoi bashkëshorti i saj, i cili do të lexonte kritikën e shkrimtarit Isak Havolli, me titull: “Kur malli bëhet shpirt i dashurisë për atdheun”
Ndonëse më herët nuk kishte botuar ndonjë libër me poezi, megjithatë në qarqet tona letrare këtu dhe sidomos në Amerikë, Rita Saliu, njihej si poete që kishte botuar poezi e shkrime të tjera në periodikun tonë, kudo ku jetonin shqiptarët.  Por, megjithëkëtë ajo më shumë njihej si një veprimtare e devotshme për çështjen kombëtare në Kosovë dhe sidomos në Amerikë, ku kishte derdhur gjithë mundin dhe dijen për të vënë një gur në kalanë shqiptare të Kosovës. Rita Saliu, në fushën e letersisë vjen tash më  e kompletur si poete, pasi po i prezantohet lexuesit me vëllimin poetik “Ecje Vertikalisht Nëpër Oqean”. Vargjet e librit “Ecje Vertikalisht Nëpër Oqean”, përjetesojnë shtegtimin e historisë së kësaj ndjeshmërie e cila i bëhet lajtmotiv gjithë frymezimit të poetes, të cilat janë vargje që zbusin shpirtin…
Shkrimtari i mirenjohur nga Gjirokastra, autori i mëse 13 librave z.Jorgo Telo nëpërmjet përshëndetjes së tij, iu uronte të gjithë shkrimtarëve suksese të mëtejshme në krijimtarinë e tyre.  Ai shprehte mirënjohjen e tij për Shoqatën e Shkrimtarëve që i kishte pranuar librat e tij në Panairin e Librit organizuar në Maj 2009.
Për librin e z.Guri Stefani do të diskutonte shkrimtarja znj.Rozi Theohari e cila tha:  Emrin e Guri Stefanit e kam dëgjuar në Boston dhe para se të njihesha me të kam lexuar librin e tij të parë.  Me Gurin më lidh, së pari, fati i përbashket i jetës sonë, të rritur me baballarët larg shtëpisë, emigruar në kurbet, në Amerikë.  Me Gurin kemi të njejtat lidhje shpirtërore me Amerikën, ku kanë jetuar e punuar rëndë baballarët tanë.  Këtu e ka burimin frymëzimi i shkrimtarit të ri, pranuar anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane në mars të këtij viti.  I urojmë suksese në këtë punëfisnike që e ka nisur…
Ndërsa znj. Shpresa Vranari do të lexonte kritikën e Aleko Dhimës për këtë libër, ku ajo citoi:    Autori në këtë libër përshkruan vitet e rinisënë qytetin e bukur të Korcës. Na jep me ngjyra të gjalla fakte dhe ngjarje historike, arkeologjinë e saj, lashtësinë si dhe shumë detaje të tjera të cilat përbejnë fytyrën e veçantë të  këtij qyteti.
Autori përdor një gjuhë figurative,ku rrezaton dashuria dhe krenaria për këtë qytet që mbetet djepi i kulturës dhe i qyteterisë.  Figurat e patriotëve si Themistokli Germenji, Papa Kristo Negovani, Sali e Gani Butka, apo figura të tjera të cilat luajtën një rol të dukshëm në përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, dalin  denjësisht nga pena e autorit…
Prof.Mentor Quku uronte qe nga Shkodra e kultures dhe e tradites te gjithe shkrimtaret dhe kryesine e Shoqates, per pune te mbare dhe suksese te metejshme.
Piktori i talentuar Astrit Tota vazhdimisht ka marrë pjesë në aktivitetet që ka organizuar shoqata jonë dhe Diaspora, kështu që dhe këtë radhë nuk mungoi fjala e tij inspiruese për krijuesit.  Ai shrehu mirënjohjen duke thënë se shkrimtarët mbajnë ndezur dritën e argjendtë të Shqipërisë dhe se janë trashëgimtarë të vlerave të letërsisë shqipe.  Ai falënderoi shkrimtarët që respektojnë Kadaren.  Mirënjohja e tij u shoqërua nën tingujt e pianistes se talentuar, znj. Hermira Gjoni.   
Pas mbylljes së diskutimeve shkrimtarët dhe pjesëmarrësit u ftuan në kokteil ku shijuan pijet dhe ushqimet tradicionale shqiptare.
Të gjithë pjesëmarrësit u larguan të ngarkuar me libra, me dhuratën më të çmuar të vitit, falur nga shpirti i qelqtë i poetëve dhe shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. 
Fotot u moren nga djali prej Kosove z.Minush Krasniqi i cili punon ne studion e fotografit te shquar, z.Fadil Berisha.  
Aktiviteti u filmua nga TV Kultura Shqiptare me producent z.Adem Belliu dhe nga TV ALBA LIFE me producent z.Qemal Zylo.

Artsitet e mirenjohur Merita Halili dhe Raif Hyseni
Artsitet e mirenjohur Merita Halili dhe Raif Hyseni
K. Zylo, A. Mehmeti, M. Velaj, T. Mrijaj
K. Zylo, A. Mehmeti, M. Velaj, T. Mrijaj
 Shkrimtaret qe na dhuruan libra per vitin 2009
Shkrimtaret qe na dhuruan libra per vitin 2009
Presidenti i shoqates z. A. Mehmeti
Presidenti i shoqates z. A. Mehmeti
Znj. I. Sulkuqi
Znj. I. Sulkuqi
New York, Dhjetor 2009 - Botuar me shkurtime ne gazeten “Illyria”