E premte, 29.03.2024, 12:23 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Ferdinand Dervishi: Esat Komti, boksieri që i vuri flakën vetes për të mos spiunuar të vëllanë

E diele, 17.01.2010, 12:34 PM


Dosja e Sigurimit, boksieri që i vuri flakën vetes për të mos spiunuar të vëllanë

Nga Ferdinand Dervishi

“Historia e Esat Komtit, që u vetëdogj në mes të Tiranës, në vitin 1980, për të mos dëshmuar kundër vëllait e nipit, është rasti i dytë i njohur në historinë e Komunizmit Lindor, pas vetëdjegies së një studenti çek më 1969, në mes të Pragës, në shenjë proteste ndaj pushtimit sovjetik...” Këto fjalë Kurt Kola, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë, i thotë me bindje, por pa ndonjë emocion të veçantë. Mbase sepse në jetën e tij të gjatë, kaluar burgjeve i rreshtuar në krahun e pakicës së shtypur nga ish-diktatura komuniste shqiptare, që njihet nga shumëkush edhe si e proletariatit, ka prekur e vëzhguar histori edhe më të dhimbshme. Në të vërtetë Esat Komtit, ish-boksierit të ekipit të Tiranës, që i dha fund jetës në mënyrën më të egër të mundshme, ardhur deri tani, shqiptarët nuk i kanë rezervuar asgjë të ngjashme me atë që populli çek e më tej e gjithë pjesa e botës së qytetëruar i rezervuan studentit Jan Palash, që më 16 janar 1969 u vetëdogj demonstrativisht në mes të sheshit Vaclav të Pragës në shenjë proteste ndaj pushtimit të vendit nga trupat e Traktatit të Varshavës. Kjo për faktin e thjeshtë se historia ka mbetur e panjohur, mbase edhe për shkak të familjarëve, që ose nuk e kanë vlerësuar sa duhet, ose nuk u është dhënë mundësia ta bëjnë publike, ose, më keq akoma, këtë mundësi nuk e kanë pasur. Mosgjetja e një fotoje të vetme të këtij personazhi të pazakontë, qoftë përmbi pllakën e varrit, shkon në dobi të kësaj ideje. Nga ana tjetër, këmbëngulja e Kurt Kolës për të bërë krahasim me heroin çek, që u vetëdogj publikisht për t’i dhënë një mesazh të fortë popullit të vet për mospajtim me pushtimin, nuk është krejt e pabazë. Sepse edhe tiranasi Esat Komti u kujdes që t’i jepte fund jetës me një mënyrë që të linte pas një mesazh sa më të fortë. Një ngjarje, që megjithë përpjekjet e pushtetit të kohës për ta izoluar, nuk mbeti e pakonsideruar nga bashkëkohësit, qoftë si vlerë njerëzore, qoftë si rebelim ndaj sistemit antihuman që regjimi kishte ndërtuar. Një akt burrërie, që të paktën si i tillë, nuk ka asnjë nevojë të vihet në peshoren e vlerësimit të mëtejmë. Fundja kjo histori, vetëvrasja me djegie në shenjë proteste ndaj regjimit, është e vetmja e njohur në historinë e komunizmit shqiptar.

Vetësakrifikimi 

Dëgjuar kujtimet e ish-të persekutuarëve politikë të Tiranës, njohës të fisit Komti, ngjarja ka qenë pak a shumë e tillë. Më 6 maj 1980 Esat Komti kishte trokitur në shtëpinë e së motrës, që gjendej pranë ish-pastiçeri “Flora”, te Rruga e Durrësit. Përpara se të spërkaste veten me vajgur, ai kishte kërkuar që të bënte një dush. Ishte mëngjes, kohë e pazakontë dushi për shqiptarët e kësaj kohe, por motra, si gjithë motrat, i kishte krijuar të gjitha kushtet, pa bërë asnjë pyetje, pa kuptuar vendimin ekstrem në sytë e tij, pa e vënë re hijen e vdekjes, që kishte nisur ti ngatërrohej të vëllait nëpër këmbë. Sepse ish-boksieri profesionist i peshave të mesme të ekipit të Tiranës njihej, apo kishte krijuar rreth vetes, atë përshtypjen e një njeriu të ftohtë e sqarimepak, atë pamjen e lodhur nga bërrylat e shumta të jetës e të brejtur nga hallet, që nuk ja rrëfente askujt. Prandaj edhe e motra ishte bindur pa bërë pyetje. 
Të parët që do të mësonin të vërtetën e vetëdjegies së Esat Komtit ishin njerëzit e shërbimit policor politik të kohës, apo Sigurimit të Shtetit, siç njihet. Sepse Esat Komti listohej diku si bashkëpunëtor i tyre. Lajmi se ishte vetëdjegur në mënyrë demonstrative ishte përplasur me zhurmë të papritur. Sepse njerëzit që siguronin gjithë mbarëvajtjen e shëndetit të kastës në pushtet, që për pasojë gëzonin mbështetje absolute dhe fuqi të pakufi, që kishin sajuar e realizuar me sukses njëmijë të zeza me duart e tyre, që kishin arritur të shpërfytyronin të gjithë sa kishin vënë në shënjestër, pavarësisht cilët ishin e nga vinin, nuk kishin dëgjuar kurrë për një fund të ngjashëm. Madje, madje, rasti ishte krejt i panjohur në historinë e gjithë ekzistencës së këtij organizmi. Fatmirësisht për ta, vetë Esati e kishte bërë gjithçka më të lehtë, më të shpjegueshme. Ishte kujdesur që para se të largohej nga kjo botë, të shkruante dy gisht letër.

Njeriu që i binte shtetit me grusht

Historitë e komunizmit shqiptar nuk fillojnë kurrë me “na ishte se ç’na ishte njëherë”. Sepse e nisur në këtë formë, historia duhet të përfundojë në totalin e rasteve me fund të lumtur, me frazën “dhe ata jetuan të lumtur përgjithmonë”. Historitë e komunizmit shqiptar, sidomos bëmat e Sigurimit të Shtetit, të ulur këmbëkryq në një vend të varfër e me kultivim të kufizuar të humanizmit, janë që të gjitha të trishta me përfundime edhe më të trishta. E tillë është edhe historia e rrobaqepësit Esat Komti, tiranasit të vënë në shënjestër të regjimit për shkak të prejardhjes familjare, babait Islam Komti, që dikur kishte shërbyer si xhandar i Mbretit Zog dhe një vëllai, që për pak kohë kishte punuar për rojet e financës në Itali. Të dhëna që lexohen në një dokument të Sigurimit të Shtetit të përpiluar menjëherë pas vdekjes së tij me mbishkrimin “Informacion mbi vetëvrasjen e bashkëpunëtorit ‘Luani’ të Drejtorisë së Punëve të Brendshme, Tiranë” dhe të nënshkruar përfund nga Tahir Malo, Drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Një dokument, që në faqen e fundit të tij, u “heq veshin” strukturave të sigurimit për punë të dobët, të pakujdesshme që për pasojë ka çuar drejt vetëvrasjes bashkëpunëtorin. 
Esat Komti, sipas këtij dokumenti, ishte një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Luani”. I njëjti dokument lë të kuptohen edhe rrethanat e vendosjes së këtij pseudonimi. Sepse pothuaj në krye të shpjegimeve shënohet se Esat Komti nuk ka pasur qëndrim të mirë përballë regjimit, se ai ishte dënuar disa herë me burg, në të gjitha rastet për rrahje, në shumicën e tyre saktësisht për “fyerje, kanosje e goditje të personit zyrtar”. Pra Esat Komti ishte njëfarë luani, një tip luftarak që i përsheshte turinjtë më të mirit, që i dilte përpara, qofshin këta njerëz më pushtet apo jo, qofshin policë apo spiunë të Sigurimit të Shtetit. Dhe detajet e dokumentit pohojnë se pikërisht për këtë lloj sjelljeje të pazakontë, Esat Komti është dënuar disa herë dhe konkretisht: “Me vendim nr. 175 datë 13.06.1956, për goditje të personit zyrtar dënohet me një vit heqje lirie dhe me kusht për 5 vjet. Me vendim nr. 246 datë 13.08.1956 dënohet me 8 muaj heqje lirie për rrahje. Me vendim nr. 275, datë 14.09.1957 dënohet me një vit heqje lirie për sjellje të padenja në shoqëri. Me vendim nr. 58 datë 03.06.1960 dënohet me një vit e gjysmë për heqje lirie për kanosje dhe fyerje të personit zyrtar. Me vendim nr. 212, datë 24.10.1970 dënohet me tetë vjet heqje lirie për kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të pushtetit”. Transkiptuar, pak a shumë një pasqyrë e tillë fillon e thotë se Komti, pasi ka rrahur një njeri të shtetit dhe është mbyllur në burg, sërish pas dy muajsh ka rrahur në brendësi të rrethimit me tela me gjemba dhe sërish është dënuar. Bashkëkohësit e tij rrëfejnë se në rininë e vet Esat Komti ka qenë boksier i peshave të mesme i ekipit të Tiranës, ndërsa të paktën për një rast rrahjeje ata konfirmojnë se viktimë ka qenë një oficer i Sigurimit të Shtetit. Pra Esati ishte një format i pazakontë i atyre kohërave, që nuk kishte frikë të ngrinte dorën ndaj askujt, edhe pse një grusht i vetëm mund të kushtonte pesë apo tetë vjet burg. Këtu duhet të ketë lindur edhe ideja e mjeshtërve të rekrutimeve në Sigurimin e Shtetit, të cilët pasi e kanë bindur tjetrin, pasi kanë marrë aprovimin e tij për detyrën, e kanë emërtuar “Luani” pseudonimin e bashkëpunëtorit më të ri të tyre.

Bashkëpunëtori i Sigurimit

Rrethanat në të cilat Esat Komti ka pranuar të jetë një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit nuk shkruhen në informacionin për vetëvrasjen e tij. Aty lexohet vetëm se ai, Esat Komti “është tërhequr në bashkëpunim nga sektori i ndjekjes së krimeve të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë në datën 19.11.1966 dhe përjashtuar në vitin 1968, pas arrestimit dhe dënimit”. Ndërkohë në pasqyrën e dënimeve të Komtit, që gjendet në faqen 2, në të  njëjtin dokument, nuk është shënuar asgjë për periudhën 1966-1968, ndërsa dënimi me 8 vjet heqje lirie, të kryera kokërr më kokërr, “për kundërshtim me dhunë të përfaqësuesve të pushtetit”, mban datën 24.10.1970. Gjithsesi çelësi i rekrutimit të Komtit duket se qëndron te vetë familja e tij, e gjitha e vënë në shënjestër të diktaturës së proletariatit. Në dokument thuhet se familja e tyre ka zbritur nga fshatrat e Krujës në Tiranë më 1920, se mbiemri është ndryshuar nga Koçi në Komti, se janë marrë me tregti dhe bujqësi, se kanë blerë shtëpitë e tyre në kryeqytet, se gjatë kohës së Zogut babai i Esat Komtit, Islami, ka qenë polic, punë që e ka lënë më 1942, se në këtë kohë ai ka pasur miqësi me burrin e ardhshëm të së motrës, Muharrem Telën, i cili edhe ai, kishte dyqane e toka... Në vazhdim në të njëjtin informacion thuhet se “qëndrimi i familjes së Esatit, pas çlirimit nuk ka qenë i mirë” dhe se që të gjithë vëllezërit e Esatit kanë provuar burgun, më i madhi, Bastriu, 8 vjet, i dyti në radhë, Bedriu, 3 vjet, i treti, Bahriu, ishte arrestuar më 30 prill 1980 nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit dhe nën të njëjtën akuzë, në janar 1980, ishte arrestuar edhe nipi, Ylvi Komti. Duket ekzistenca e një familjeje të tillë, e dalë nga “udha e Zotit”, e kishte detyruar Sigurimin e Shtetit të kërkonte një informator “të brendshëm” në fisin armik “Komti”. Apo gjithçka kishte qenë një përllogaritje edhe më djallëzore se kaq. Nga ana tjetër vetë Esat Komti, apo “Luani”, nuk dihet se përse u ka thënë “po” kasapëve të familjes së tij. Mbase pa e menduar gjatë, mbase për të përfituar, për të gëzuar edhe ai të mirat e një shoqërie me pak të tilla, mbase me detyrim, në këmbim të disa viteve burg më pak, mbase për të siguruar njëfarë mbrojtjeje për veten dhe të afrimit, pa e kuptuar kurrë deri në fund se çfarë mund ti kushtonte, pa e kuptuar kurrë se çfarë donin në të vërtetë, pa e mësuar menjëherë se qëllimin kryesor e kishin që ai të spiunonte para së gjithash fisin e vet, filluar nga vëllezërit. Se në atë sistem, në sistemin komunist të Shqipërisë, kështu ishte ndërtuar. Vëllait i kërkonin të spiunonte të vëllanë, gruas i kërkonin të spiunonte burrin, birit të spiunonte të atin, nënës të bijën... Kështu Sigurimi i Shtetit lexonte mendimet në mesin e familjes shqiptare, në mesin e fisit, në mesin e mëhallës, lagjes, qytetit duke ndërhyrë për të bërë modifikimet e duhura, duke nxjerrë jashtë radhëve me përdhunë më të pakënaqurit me pushtetin, duke i degdisur burgjeve e kampeve të përqendrimit. Një mendje gjeniale, vetëm me anë të këtij sistemi, i kishte garantuar jetëgjatësi absolute pushtetit. Dikur, vetë njeriu brenda këtij sistemi nisi të kishte frikë edhe nga mendimet e pabindura në kokën e vet. 

Nipi dëshmitar

“Paraditen e 6 majit 1980, Esati duhet të vinte të dëshmonte në gjyqin tim. Gardiani më kishte lajmëruar se do të nisesha për në sallën e gjyqit në orën 10:00. Por ora erdhi e shkoi dhe nuk më trazuan. Nga dreka gardiani erdhi sërish duke më thënë se nuk do shkoja atë ditë në gjyq. Më vonë e mësova se xhaxhai im, Esati, atë mëngjes i kishte vënë flakën vetes vetëm e vetëm që të mos vinte në sallë e të dëshmonte kundër meje”, rrëfen i tërë dhe i plotë, Ylvi Komti, nipi i Esat Komtit, tashmë 67-vjeçar, me detyrë Sekretar i Shoqatës Kombëtare të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë. Dhe historia në vazhdim është e pabesueshme. Ylvi Komti është një dëshmitar i gjallë i historisë së fisit të vet të vënë në shënjestër të Sigurimit të Shtetit. “Ne Komtët, sidomos xhaxhallarët e mi, na merrnin të gjithëve në rajonin e policisë, sa herë që në Tiranë vinin delegacione të huaja. Kaq shumë me ‘damkë’ na konsideronte regjimi”, vazhdon ai rrëfimin e pazakontë. Por edhe vetë Ylviu ishte arrestuar në rrethana të habitshme. Më 1979 punonte si dizenjator i Ndërmarrjes së Ushqimit Social, kur e kishin dërguar me shërbim në Korçë. Rrugës, në Elbasan, Sigurimi i Shtetit e rrëmben me një makinë dhe për 14 ditë me radhë - sepse një kohë të tillë, pa masë arresti, e parashikonte edhe ligji - u nënshtrohet torturave të egra më qëllim që të tregonte bashkëpunëtorët që bënin propagandë kundër shtetit. “Se që unë bëja, për këtë ishin të bindur, pasi nuk kishte të ngjarë që për ta nga fisi Komti të dilte ndonjë bimë e mirë.”, rrëfen Ylviu buzagaz dhe me një babaxhanllëk karakteristik për tiranasit e vjetër. Kujton edhe identitetet e kasapëve të tij, N. Dautaj, F. Trebeshina, E. Kadia, N. Mici... “E niste dajakun i pari, dhe kur lodhej, ndërrohej me tjetrin. Dhe ishin goxha të bëshëm nga trupi. Qëllonin fort e më bërtisnin: armik i popullit! Por një xhaxha imi, Bedriu, më kishte mësuar, më kishte përsëritur shpesh që, nëse një ditë do të shkoja në duar të hetuesve, apo prokurorëve, të mos pranoja asgjë. Prandaj ata e patën të vështirë me mua dhe duket, për të arritur atë që donin, më sollën si dëshmitar në qeli Esatin, xhaxhain e vogël. Por ai nuk e hapi gojën. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Ai u vetëdogj vetëm që të mos vinte të dëshmonte në gjyqin tim”, shpjegon Ylviu një histori që vërtetohet kapërcipërisht në iformacionin e Sigurimit të Shtetit për vetëvrasjen e bashkëpunëtorit “Luani”. Sipas këtij: “Më 26.01.1980, Ylvi Komti u arrestua sekret dhe pas 14 ditësh në hetim nuk u zbërthye, mohoi kategorikisht që kishte zhvilluar veprimtari armiqësore...” Ndërkohë që Ylli ishte marrë në Elbasan me thes në kohë dhe torturohej me turne, edhe Bahriu, vëllai tjetër i Esatit dhe njëkohësisht xhaxhai tjetër i tij, ishte arrestuar nën akuzën për agjitacion dhe propagandë. “Unë nuk arrita ta mësoja shumë shpejt, por ka të ngjarë që edhe arrestimi i vëllait, veç historisë sime, ti ketë rënduar Esatit dhe ta ketë shtyrë drejt vetëvrasjes”, rrëfen dëshmitari i gjallë i një prej historive më ekstreme të komunizmit shqiptar. Por këtu vetëm nis, vetëm fillon. Sepse e keqja për gjithë fisin, vjen menjëherë pas vetëdjegies së Esat Komtit. “Po atë natë që Esati i vuri flakën vetes, gjithë lagjia ku jetonim, shtëpitë tona private, u rrethuan nga policia e Sigurimi i Shtetit. Kishin sjellë pesë kamionë dhe forcërisht na internuan familjet. Morën edhe familjen time, sigurisht. Por edhe familjen e vëllait, Fatmirit, motrat Violetë dhe Jolldiz, nënën Ikbale, nusen e vëllait, Melihanë dhe djalin Lukino, në atë kohë një vjeç, të cilin e kishin futur në raftin e bukës, pasi në kamion nuk kishte vend. Kështu i degdisën në Akërni të Vlorës, në ca baraka ushtrie, një vend i shkretë, ku rriten ca bimë të egra, mishtore, gjithë kripë”, rrëfen Ylvi Komti duke ruajtur më të keqen për në fund. Një fund me përmasa apokaliptike, edhe pse për një komunitet të vogël. Një fund që të kujton pushtimet e hakmarrjet e ushtrive, apo hordhive, në ditën që arrinin të rrënonin muret e kështjellave, momentin që kronikanët e kohës e përshkruanin: “... në fund, pasi shkulën edhe gurët e themelit të kështjellës, e pluguan dhe e mbollën tokën me kripë, që asgjë të mos rritej në jetë të jetëve”. Pak a shumë kjo ishte realizuar me pronat, saktësisht banesat e fisit Komti menjëherë pas internimit të qenieve humane në bregdetin e Vlorës. “Unë kisha një shtëpi të bukur, rreth 2500 metër/katrorë pas godinës së ‘Zërit të Popullit’. Por pas burgosjes sime në Spaç dhe internimit të familjes, komunistët e shembën shtëpinë dhe në truallin e përftuar ndërtuan dy pallate të rinj, që i populluan me familjet e pinjollëve të tyre”, përmbyll thelbin e historisë së jetës së vet Ylvi Komti, pa harruar të shtojë se të njëjtin fat patën edhe shtëpitë e xhaxhallarëve të tij, djemve të tyre, ndërkohë që familja që u shkatërrua totalisht ishte pikërisht ajo e të sapo vetëdjegurit, Esatit, pasi gruaja dhe vajza e tij, mbetën në mëshirë të një shteti që nuk e njihte mëshirën.

Fundi si i Luanit

“Vëllezërit e mi nuk janë armiq. Nuk mund të dëshmoj kundër tyre. Të gjithë fajin e ka agjenti A. Mataj, që më detyroi... Ju nuk më latë asnjë rrugëzgjidhje...” Kjo ishte pak a shumë përmbajtja e letrës së fundit të Esat Komtit para se të vetëvritej. Letra që kishte ndihmuar agjentët e Sigurimit të Shtetit të kishin shumë shpejt të qartë përse-në e aktit të pazakontë të njeriut që e konsideronin si bashkëpunëtor të tyre. Sipas informacionit që Sigurimi i Shtetit kishte përpiluar menjëherë pas vetëdjegies së bashkëpunëtorit “Luani”, Esat Komti ishte rekrutuar dy herë, fillimisht më 1966, duke shërbyer deri në 1968 dhe së dyti më 17.01.1979. Këtë radhë, si objekt pune Sigurimi i Shtetit i kishte dhënë të kishte nën vëzhgim... tekstualisht në dokument: “...për t’u përdorur në përpunimin e një grupi që zhvillonte agjitacion e propagandë armiqësore dhe që përbëhej nga Bedri e Bahri Komti (vëllezër të ‘Luanit’), Ylvi Komti (nipi i ‘Luanit’), Jalldez Komti (mbesa e ‘Luanit’), Ali Oseku, dhe J. e G. Tela (krushq te familjes Komti. red) të cilët u morën në 2A (hetim i personave që dyshohej se ushtronin veprimtari armiqësore. Red.) e PP (përpunim paraprak. Red) dhe u çel dosja agjenturiale”. 
Sigurimi i Shtetit, në pamje të parë, duket sikur e kishte tepruar të ngarkonte një personalitet me karakteristikat e sjelljet e Esat Komtit me spiunimin e njerëzve të vet më të afërt. Sepse të dhënat e bashkëpunëtorit “Luani” i kishte krejt të qarta. Ai nuk ja përtonte kujt grushtet e shkelmat. Qofshin këta njerëz me pushtet apo jo, përfshirë policët, hetuesit apo edhe vetë njerëzit më të paprekshëm, agjentët e Sigurimit të Shtetit. Në informacion nuk saktësohet, por dënimi i fundit, ai i vitit 1970 me 8 vjet heqje lirie, me motivacionin “për kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të pushtetit” ka të ngjarë të ketë lidhje pikërisht me rrahjen publike të një agjenti të Sigurimit të Shtetit. Ylvi Komti, nipi i Esatit, e rrëfen një histori të tillë, të vëzhguar me sytë e tij. “Një ditë, kur të katër vëllezërit dolën nga rajoni i policisë, Esati, sa e pa, i kërceu me grushte e shkelma një operativi të Sigurimit të Shtetit, që quhej, mos gaboj, Harun. Për këtë bëri tetë vjet burg të plota”, rrëfen Ylviu një moment kyç, që ilustron karakterin e Esat Komtit. 
Pas daljes nga burgu, më 1979, Sigurimi i Shtetit e kishte kontaktuar sërish Esat Komtin duke i marrë sërish dakordin për të rifilluar zanatin e “bashkëpunëtorit”. Duket, nga ana e vet, Esati nuk e ka marrë shumë seriozisht kërkesën për të spiunuar vëllezërit, nipat e mbesat. Prandaj i përballur me faktin e kryer, me një nip të arrestuar e të dërguar në gjyq dhe me një vëlla të sapo arrestuar, duket nuk gjen dot më tej një rrugëdalje. 
“Në datën 06.05.1980, me cilësinë e dëshmitarit ‘Luani’, ishte thirrur si dëshmitar nga gjykata për të dëshmuar për nipin e tij Ylvi Komti. Po këtë ditë, në orën 09:30, në shtëpinë e së motrës, u vetëdogj me vajgur, dhe në orën 09:30 vdiq në spital. Në shtëpi u gjet një fletore ku shënonte shkaqet e vetëvrasjes, ku ngre akuza për p. operativ (punëtorin operativ. Red) A. Mataj, që e ka rimarrë e mbajtur në lidhje, shënon se vëllezërit e tij nuk janë armiq dhe kërkon që këtë çështje ta zgjidhë...”, thotë ekzaktësisht informacioni i Sigurimit për këtë ngjarje. Ndërsa në fund, në faqen 5 dhe të fundit të këtij informacioni, lexohen edhe dobësitë e të metat “në punën tonë”, pra në punën e Sigurimit për këtë çështje. Që janë katër gjithsej. E para: “Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, mbështetur në personalitetin e këtij personi, nuk duhej ta kishte rimarrë në lidhje...” Që transkiptuar do të thotë se një njeriu me personalitet të fortë si Esat Komti, që i përsheshte turinjtë kujtdo, nëse ishte me të drejtën, nuk duhet t’i ishte ngarkuar detyrë të spiunonte të afërmit. E dyta: “Shpejtimi dhe nxjerrja dëshmitar në kundërshtim me përcaktimin për t’i marrë dëshmi vetëm për sanksionim, në një kohë kur ishte goditur edhe i vëllai, e ka tronditur dhe e ka shtyrë në vetëvrasje”. Që do të thotë se edhe vetë Sigurimi i Shtetit është nxituar ta nxjerrë bashkëpunëtorin si dëshmitar, duke tejkaluar normat e zakonshme të punës. E treta: “Shpejtimi dhe dërgimi në gjyq i Ylvi Komtit, pa e analizuar në Drejtorinë e Parë, kur ky problem ndiqej i centralizuar, përbën shkelje dhe ka lejuar kontradikta ndërmjet sektorit operativ dhe atij hetimor”. Që do të thotë se për Ylvi Komtin, që nuk e hapi gojën në 14 ditë tortura, duhet të gjendej një tjetër zgjidhje. Dhe e katërta: “Dega e VIII nuk e ka udhëhequr mirë problemin dhe me një punë të kujdesshme mund të kishte eliminuar të metat e të parandalonte këtë ngjarje”. Që kuptohet se çfarë thotë. Por nuk mbaron as këtu. Sigurimi i Shtetit ka lënë pas këtë dokument të vitit 1980, ku në pamje të parë duket se ai kritikon veten për punë të dobët. Por në të njëjtin dokument nuk shkruhet se ditën që Esat Komti i vuri flakën vetes, i gjithë fisi i tij i afërt u internua me përdhunë në një zonë të shkretë, të zgjedhur sa më larg qenieve të tjera njerëzore. Se vëtëdjegia e bashkëpunëtorit ua bëri më të lehtë punën për të larë duart me “armiqtë” e këtij fisi. Po kështu aty nuk thuhet asnjë fjalë për një qarkore të viteve ’70-’80, të shkruar dhe të nënshkruar nga vetë Enver Hoxha, sipas së cilës “klasat e përmbysura duhet t’i shkatërrojmë duke përdorur njerëzit e tyre, duke i futur të spiunojnë njëri-tjetrin, vëllai- vëllanë, gruaja-burrin...”. Një histori të tillë, të provuar në lëkurën e tij edhe një piktor i mirënjohur shqiptar e ka deklaruar botërisht: “Edhe ajo me të cilën ndava për shumë vjet të njëjtin shtrat, më doli dëshmitare kundër në gjyq”. Prandaj edhe historia e vetëdjegies së Esat Komtit ka përmasa të konsiderueshme. Një histori që në totalin e saj veçon një njeri me shpirt të paepur, akti i të cilit, vetëdjegia si zgjidhja e vetme për të mos u bërë keq njerëzve të tij të afërt dhe më tej edhe si protestë kundër veprimeve të regjimit të kohës, duhet të paktën të respektohet nga shoqëria pasardhëse. Një histori e pazakontë që tregon thelbin e së ashtuquajturës diktaturë e proletariatit në Shqipëri, ku shumica sundonte mbi pakicën, një pakicë të cilën me anë të ligjeve të paligjshme, që zbatonte, e trajtonte njëlloj sikur një ushtri pushtuese në kohërat e Epokës së Gurit deri në Mesjetë trajtonte një popull të mundur, duke i rrëmbyer gjithçka, që nga liria, pasuria e deri te vetë jeta. Shpesh duke i realizuar të gjitha këto, me anë të mjeshtërive më të rafinuara, pa i futur fare duart në zjarr për të nxjerrë gështenjat, me anë të metodës së shkatërrimit mes tyre. Një rend shoqëror që duhet të kujtohet me turp, pa harruar njëkohësisht respektin e mirënjohjen për ata që i rezistuan, ata që sakrifikuan për të mos e pranuar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora