E enjte, 28.03.2024, 07:24 PM (GMT)

Editorial

Simon Puta: 17 janari i Gjergj Kastriotit

E diele, 17.01.2010, 12:08 PM


17 janari i Gjergj Kastriotit

Nga Dr. Simon PUTA*

Më 17 janar 1468 mbylli sytë përgjithmonë, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, nderi dhe lavdia e Arbrit, krenaria e çdo shqiptari që nuk don të asimilohet. Jemi mësuar ta quajmë hero legjendar për të vënë në dukje madhështinë e veprës së tij, por ai ishte dhe mbetet realitet historik, i cili, si Davidi kundër Goliathit, për një çerek shekulli luftoi e fitoi mbi perandorinë më të madhe të kohës, perandorinë osmane. Nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, ngadhënjyesit mbi Kostandinopojë u turpëruan përpara mureve të kalasë së Krujës. Duke përkujtuar heroin tonë kombëtar, në kujtojmë gjeniun e artit ushtarak, mbrojtësin e lirisë e të truallit arbëror, shtetformuesin e parë shqiptar me Kuvendin e Lezhës, njohësin e disa gjuhëve të huaja, kalorësin e krishterimit, siç e ka vlerësuar Evropa atëherë dhe sot. Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin, ne kujtojmë diplomatin e madh dhe mjeshtrin e shpatës, përkujtojmë mbrojtësin dhe trashëgimtarin e traditave më të mira iliro-shqiptare. 

I marrun peng nga Sulltani, i arsimuar dhe i stërvitur në shkollat osmane, i imponuar të studionte kulturën dhe ritet osmane, i detyruar të merrte emër joshqiptar, Ai edhe mund ta harronte atdheun e tij e principatën e të atit. Duke u islamizuar dhe osmanizuar, ai do të qeveriste pa telashet e perandorisë "principatën e Krujës", si vasal i Sulltanit. Por jo. Ai nuk mund të qeveriste popullin e tij të robëruar. Shpirtin e lirisë ai nuk e kishte braktisur. Ai nuk harronte se turku ishte pushtues. Në vend të robërisë ai zgjodhi lirinë, në vend të turpit ai zgjodhi nderin, në vend të fesë që donte ti impononte pushtuesi, ai mbajti fenë e të parëve dhe të kontinentit ku bënte pjesë. Shkëlqimi që i dha popullit tonë e bën atë shqiptarin më të madh që ka nxjerrë kombi ynë deri tani. 

Barrikadë për depërtimin e osmanëve në Evropë, ai qe i pari që e orientoi dhe e lidhi Shqipërinë me Evropën. Pesë shekujt që pasuan pas vdekjes së Gjergj Kastriotit qenë shumë të rënda për Shqipërinë. Siç e thekson me forcë rilindasi ynë modern, Ismail Kadare, Turqia nuk donte vetëm ta pushtonte Shqipërinë, por ta asimilonte, ta shpërbënte. Nëpërmjet dhunës fizike e psikologjike, me kërbac e me kulac filloi politika e amnezisë. Shqiptarët duke harrurar historinë e tij, gjuhën e tij, fenë e tij, origjinën e tij, ritet e kultet e tij, nuk do të mbeteshin më shqiptarë por do të turqizoheshin. Së pari, turqit prishën varrin - ka hero pa varr? - prishën kishat e të parëve - ka fe pa vepra kulti? Ku janë? - ndaluan gjuhën shqiptare dhe turqizuan emrat. Emrat e zahitëve pushtues tani i gjen në shumicën e familjeve shqiptare duke dëmtuar krenarinë tonë kombëtare dhe kujtimin e heroit tonë. Sigurisht këto u shoqëruan me dhunë e terror. Ndërgjegjja kombëtare u mpi. Nën gjithë këtë trysni rrezikonim asimilim të plotë. 

Por, sa herë që Shqipëria përgjumej, kujtimi i Gjergjit tonë, e kthjellonte. Në kulmin e rrezikut të asimilimit kombëtar ne qemë me fat për rilindasit tanë, të cilët sollën në kujtesën e mpirë shqiptare, kujtimin e zulmën e kohës së Heroit të madh. Pa kujtimin e tij zor se do të ishte bërë Shqipëria, e, edhe nëse do të bëhej, shumë më të vështirë do ta kishte. Edhe pse Turqia u përzu nga trojet tona, ajo i kishte përgatit haxhi qamilët e vet, të cilët, duke mos u bërë fare përshtypje se janë shqiptarë, u rebeluan ndaj lirisë e kombit të tyre e me armë në dorë bërtisnin: duam babën (duam Sulltanin). 

Edhe sot, kur Turqia nuk arriti të çrrënjosë Gjergj Kastriotin nga ndërgjegjja jonë kombëtare, e as fqinjët tanë nuk arritën ta bënin të tyre, duke i hequr kombësinë shqiptare, në skenë janë haxhiqamilët modernë, të cilët po hedhin baltë mbi heroin tonë kombëtar. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Kujtimi i tij i pengon këta profesorë e akademikë, shqipfolës anadollakë, të përfundojnë procesin e ri të asimilimit të plotë që pati në program sulltanati osman. Ata, anadollakët shqipfolës, shpresojnë, pasi, edhe sot pas një shekulli që është përzënë Turqia nga trojet tona, ne akoma kemi të osmanizuara ritet, emrat e banorëve, kemi të osmanizuar besimin. Këto janë plagë që na i la pushtuesi e akoma nuk jemi çliruar shpirtërisht prej tij. Vështirë për tu thënë e më vështirë për tu pranuar, por kundër këtyre plagëve pat luftuar pesë shekuj më parë heroi ynë kombëtar, krahas lirisë së vendit. 

Në ndryshim nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë zgjidhur me kohë e me kurajë problemin e tyre kombëtar, ne jemi akoma në proces. Në këtë proces ne kemi nevojë për një maturi e refleksion të thellë, të kemi guxim ta pranojmë të vërtetën mbi gabimet tona gjatë historisë. Jemi tamam në atë fazë rimëkëmbje, ku siç thotë Haveli, "e vërteta është e vështirë të pranohet. Për një popull, më parë se të hedhë themele të sigurta për të ardhmen e tij, duhet të pranojë me kurajë të vërtetën, sido që të jetë ajo". ...Kjo do ta nderonte edhe kujtimin e Gjergj Kastrioti, - vetëdijes sonë kombëtare.

*Ish-deputet i PD në parlament (1992-1996) 



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora