E enjte, 28.03.2024, 11:40 PM (GMT)

Faleminderit

Skënderbeu mes strategëve të mëdhenj

E shtune, 16.01.2010, 07:48 PM


Dorëshkrimi i rrallë është shkruar nga një mik i afërt i Mediçëve, i përket vitit 1451 dhe ruhet në Firence
 
Emri i Gjergj Kastriotit mes atyre të Belisarit, Atilës, Guiskardit e Timur Lengut
 
Nga Anisa Papleka
 
Numri i veprave të botuara në gjuhë të ndryshme që bëjnë fjalë për kryeheroin tonë është shumë i madh, megjithatë, bibliotekat dhe arkivat e ndryshëm të Evropës ruajnë dorëshkrime të pabotuara dhe të panjohura, në të cilat, autorë të njohur e anonimë kanë lënë dëshmi dhe fakte të gjalla me vlerë të jashtëzakonshme që na mundësojmë të ndriçojmë dhe të njohim rrethanat shoqërore-ekonomike, funksionimin e shtetit, organizimin politiko-ushtarak, veprimtarinë e kancelarisë diplomatike, të drejtën zakonore; por edhe të kaluarën dhe biografinë e përgjithshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
 
Në Bibliotekën Kombëtare Qendrore të Firencës, (La Biblioteca Nazionale Centrale di Firenze), ruhet një vëllim me dorëshkrime, me titull: "Vite d‘uomini illustri antichi e moderni" /Jetë njerëzish të ndritur të lashtë e bashkëkohorë/, në mesin e të cilëve është edhe një dorëshkrim - biografi, për Skënderbeun. (Për këtë dorëshkrim ka shkruar L. Marlekaj, L. Malltezi, M. Ahmeti etj).
 
Në fund të faqeve, anash, por edhe në mes të rreshtave, ka korrigjime e shënime të ndryshme, (veçanërisht të shumta, në biografinë e Giovani Corvinos), të bëra nga persona të panjohur, shkrimi i të cilëve dallohet nga ai i autorit, ngase është i dobët, e në disa raste edhe i palexueshëm, derisa shkrimi i autorit është i qartë, i bukur dhe lexohet lehtë, gjë që vërehet edhe prej kopjes së origjinalit nga fleta 141r, të cilën po e botojmë ne, si ilustrim.
 
Dorëshkrimi i biografisë /jetës/ së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut është i renditur i shtati. Numri i rreshtave në faqe nuk është i njëjti, ai varion nga 23 në 27, për faqe. Në gjithë dorëshkrim ka shënime anësore (margina), por edhe mes rreshtash, nga një dorë e dytë, e panjohur. Shënimet kryesisht janë përmirësime gabimesh drejtshkrimore, e vetëm në dy raste ndreqje emrash. Në tërësi, dorëshkrimi lexohet lehtë dhe pa vështirësi. Sipas zakonit të kohës, ka iniciale (nistore) dhe shkurtesa të shumta. Në dorëshkrim, nuk ka vizatime e as zbukurime.
 
Vepra e Anonimit, "Vite d‘uomini illustri antichi e moderni" /"Jetë njerëzish të ndritur të lashtë e bashkëkohorë"/, mund të datohet në bazë të një të dhëne shumë të rëndësishme, e cila ndodhet në faqen e parafundit, në tekstin e dorëshkrimit të biografisë së Skënderbeut, (faqe 149r në dorëshkrimin origjinal), ku autori ynë Anonim shkruan: "As pas lumturisë së pafundme e të papërshkrueshme të shtëpisë së Otomanëve nga viti MÇCLIII /1353/, (sipas të gjitha gjasave, këtu kemi të bëjmë me një lëshim të autorit, ngase mendojmë se, bëhet fjalë për vitin 1453, data e rënies së Konstantinopolit, e jo siç është shënuar në dorëshkrim, viti 1353), e deri më sot, MDXLI /1541/, nuk gjendet dikush, në historinë e vërtetë, që nën emrin e krishterë, me aq pak forca e ndihma, të ketë luftuar Turkun e Madh, sa i ndrituri Skënderbe (...)", pra sipas këtij shënimi, biografia e Skënderbeut është shkruar në vitin 1541! Datë kjo, që sipas mendimit tonë, përbën edhe fundin e shkrimit të të gjitha biografive tjera.
 
Prej këndej, vërehet qartë se autori ynë, përpara se të shkruante për jetën e udhëheqësit shqiptar, kishte shkruar për jetët e kalorësve të tjerë të nderuar dhe të shkëlqyer të asaj kohe si: Attendolo, Piçinino, Montefeltro, Sforza, Corvino dhe Hunyadi. Për të nxjerrë një përfundim të tillë na ndihmon vetë autori, i cili në dorëshkrimin: "Alberti di famiglie illustrissime", në kapitullin e fundit: "Aragones Hispaniarum Reges", i cili ndodhet i renditur si i fundit në lidhjen e tanishme, shkruan: "Karli i V-të dhe bashkëshortja e tij, e vdekur para pak kohe, dmth. në muajin maj të vitin 1539...". (Ex Carlo quinto Germaniae, ac Hispaniarum rege Siciliaeque, et eius coniuge nuper defunctae Videlicet anno M.D.XXXIX mense maio, quae Portugalliae Regis Filia fuerat, proles gentia vivit).
 
I gjithë dorëshkrimi përfshin 20 zëra, 17 biografi të personaliteteve luftarake dhe 3 kronika historike, të cilat nuk janë shumë të gjata, por janë shumë të pasura me të dhëna biografike të sakta, si dhe përshkrime interesante luftërash, por edhe momente episodike të ndryshme si p.sh., mbi origjinën, traditën familjare, stemat, flamujt, betejat, kështjellat dhe kalorësit që ishin në shërbim të tyre etj. Stili është tradicional për kohën kur u shkrua dorëshkrimi. Fjalitë janë të gjata, e nganjëherë edhe mjaft të komplikuara. Gjuha është mjaft e rrjedhshme, me disa veçori të caktuara, që na bëjnë të mendojmë se autori ynë Anonim ishte me origjinë nga Sicilia, ose të paktën atje kishte jetuar një kohë të gjatë.
 
Nga 17 luftëtarët që përshkruan Anonimi ynë, shtatë janë italianë: Giovanni de Medici, /ose Giovanni delle Bande Nere/ (1468-1526), Castruçio Castracani, (1281-1328), Micheletto Attendolo, (1377-1446), Jacopo Piçinino, (1386-1464), Ezzelino III da Romano, (1194-1259), Frederico da Montefeltro, (1422-1482); Muzio Attendolo, /ose: Sforza/ (1386-1423); dy bizantinë: Belisari, (505-565); dhe Narseti (512-568); dy normanë: Boemondo, (1050-1111); dhe Roberto Guiscardo, (1014-1085); dy hungarezë: Giovanni Hunyadi (1387-1456); dhe Mattia Corvino (1440-1490); një longobardas: Alboino, (ka jetuar në shekullin e VI, dihet vetëm viti i vdekjes, 572); një shqiptar: Giorgio Castriota Scanderbeg, (1403-1468); një hun: Attila, (ka jetuar në shekullin e V, dihet vetëm viti i vdekjes, 469); dhe një mongolas Tamerlano /ose: Timur lang/, (1336-1447).
 
Renditja e dorëshkrimeve në gjendjen e sotme, si duket nuk është bërë nga dora e autorit, por nga një dorë e dytë! Kjo gjë mund të jetë bërë kur është bërë lidhja e dorëshkrimeve në këtë volum, nga ana e bibliotekistit, ose ndonjë personi tjetër, ngase nuk është ruajtur as rendi alfabetik, e as ai kronologjik i personave dhe ngjarjeve. Pra, mendojmë se autori, nuk i ka shkruar me këtë renditje dorëshkrimet e tij. Këtë gjë e ilustrojmë me dorëshkrimin e "Vita di Scanderbego", i cili është i renditur si i shtati, e duhej të ishte ndër të fundit, në mos i fundit fare.
 
Autori ynë Anonim, është një historian /kronist, biograf/ italian, identitetin e të cilit, me gjithë përpjekjet tona të shumta, nuk kemi mundur ta zbulojmë. Disa të dhëna të pakta mbi autorin mund të nxirren nga vetë dorëshkrimi. Ka shkruar dy vepra, njëra ka humbur, ndërsa për dorëshkrime të tjera nuk kemi të dhëna. Fillimisht, mund të themi se autori ishte sicilian ose kohë të gjatë ka jetuar në Sicili. Në këtë përfundim na shtyn dialekti karakteristik sicilian në të cilin janë shkruar të gjitha dorëshkrimet.
 
Lidhjet e ngushta me familjen de Medici vërehen nga letra përkushtuese që shoqëron biografinë e Giovanni di Medicit, e cila u paraprin jetëve të tjera dhe i drejtohet djalit të tij, Cosimo, dukë i madh i Toskanës. Me një kujdes të veçantë, autori ngre lartë të bëmat e kësaj familjeje, duke vënë në pah meritat e saj, për përkrahjen dhe zhvillimin e letërsisë latine e greke, por edhe arteve të bukura e poezisë veçanërisht. Kësaj familjeje, autori ynë i kushton një vepër të tërë, e cila fatkeqësisht ka humbur.
 
Nga dorëshkrimi i biografisë së Frederico da Montefeltro-s, mësojmë se autori ishte i lidhur edhe me familjen e dukës së Urbinos, që kishte mbledhur rreth vetes një numër të madh humanistësh. Prej këndej mund të argumentohet që ai ishte i njohur në rrethet kulturore të këtyre dy qendrave të rëndësishme humaniste të kohës. Nga literatura e përmendur në dorëshkrimin që shqyrtojmë, mësojmë se autori ka njohur shumë autorë të kohës, e ndër ta edhe veprat e humanistëve shqiptarë: Marin Barletit, Dhimitër Frëngut e Marin Beçikemit etj.
 
Anonimi, fillimisht kishte hezituar të shkruajë për jetën e heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, dhe për këtë gjë tregon edhe motivet e tij! Së pari, vëren ai, se disa shkrimtarë dhe historianë të njohur të kohës së Papës Eugen i IV-të, (1432-1447), nuk përmendin as Skënderbeun e as veprat e tij të shumta luftarake. Shkrimtarë dhe historianë të tjerë kishin shkruar për Skënderbeun, "vetëm në mënyrë fragmentare, gjë që nuk i përkiste realitetit historik", shkruan Anonimi ynë. Ai thotë: "qeshë duke lënë në heshtje jetën e tij...", por më vonë ka ndërruar mendje, ngase disa miq e kishin këshilluar që: "të mos hiqja dorë nga renditja e këtij kavalieri në mesin e shumë kavalierëve të tjerë të nderuar, e të shkëlqyer të asaj kohe; jetët e të cilëve dhe bëmat e tyre, i kam renditur më sipër". Është interesant një pohim i Anonimit se: "një autor anonim venecian, kishte shkruar për Skënderbeun një biografi jokomplete dhe me një gjuhë vulgare, të trashë; e cila ishte vështirë të kuptohej". Ne nuk kemi njohuri për një vepër të tillë! Ndërsa për Marin Barletin dhe veprën e tij për Skënderbeun të shkruar në gjuhën latine ai ka mendim të lartë dhe pohon se vepra: "ishte shkruar me elegancë, kreativitet të lartë, stil të veçantë me një gjuhë të bukur, por gjithsesi, edhe me disa të meta të ndjeshme rreth ngjarjeve dhe gjykimeve, të cilat në disa raste, nuk janë të paanshme". Megjithëkëtë, Anonimi ynë vazhdon: "ngaqë isha i nxitur nga shenjtëria e tij, Papa Pius II, (1458-1473); nga Sabellico, /1436-1506/, (i ati i të cilit ishte takuar me Gjergj Kastriotin - Skënderbeun gjatë ekspeditës së tij në Itali, që kishte vajtur t‘i ndihmonte mbretit të Arragonës, Fredinadit II-të në gusht të vitit 1461); nga Callimaco; nga Niçolo Secondino; nga Pontano, /1426-1503/; si dhe nga Volaterrano, /1434-1516/; të cilët, në veprat e tyre shkruajnë për famën dhe bëmat e këtij burri fisnik, edhe unë, vendosa që ta renditja në mesin e jetëve, të kalorësve të tjerë, të nderuar dhe të shkëlqyer edhe princin shqiptar, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun..."
 
Kjo hyrje e shkurtër, që i paraprin jetëshkrimit të Skënderbeut, sqaron, jo vetëm qëndrimin e pasigurt e hezitues të Anonimit, para se të fillojë veprën, por në të njëjtën kohë, manifeston sensin kritik nga i cili ai është udhëhequr, por në të njëjtën kohë tregon edhe burimet e shfrytëzuara dhe të konsultuara për shkrimin e jetës së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Këto burime janë të shumta, të nduarduarshme, duke filluar që nga veprat e botuara, kronikat e biografitë e ndryshme, por edhe dokumentet e kohës, rast i rrallë ky, ngase për përpilimin dhe shkrimin e biografive janë dhënë vetëm të dhënat më kryesore, në formë shumë të shkurtër ose krejt fragmentare. Kjo gjë e dallon Anonimin nga autorët tjerë të periudhës pararendëse dhe veprat e tyre analoge, si p.sh., "Vite di uomini illustri del secolo XV" e Vespasiano da Bistiçi-t, /1421-1498/; "Vitea virorum illustrium" e Paolo Giovi-t, /1483-1552/, të cilat i kemi konsultuar. I pari, siç vërehet nga vetë titulli, shkroi për jetët e njerëzve të ndritur të kohës së vet, pra shekulli i XV, dhe i dyti, shkroi për jetët e njerëzve të ndritur të çdo kohe, e të çdo vendi. Por, si njëri ashtu edhe tjetri, krahas biografive të njerëzve të ndritur dhe të njohur, për bëmat e tyre luftarake, shkruajnë edhe biografi personalitetesh tjera, të cilët kanë të bëjnë me veprimtari të ndryshme, si religjion, letërsi, politikë, art, kulturë, burrështetas të ndryshëm etj. E kundërta është me Anonimin tonë. Ai përshkruan vetëm biografitë e luftëtarëve të famshëm dhe personaliteteve të mëdha që shkëlqyen në luftëra dhe në përdorim të armëve, që nga antika e largët, e cila padyshim se na ofron shembuj madhështorë të një heroizmi mitik, e deri në kohën e tij, e cila nuk mbetet gjë mbrapa kësaj epoke, duke përfshirë këtu edhe Heroin tonë Kombëtar me luftërat e tij madhështore! Autorët e cekur kanë ruajtur renditjen kronologjike të personaliteteve, biografitë e të cilëve i kanë shkruar, derisa tek Anonimi, nuk ndodh kështu. Autori ynë Anonim, ndërtoi tregimin e tij, /biografinë për Skënderbeun/, duke pasur si synim, jo vetëm efektin narrativ, por edhe hetimin historik, të mbështetur nga një literaturë e pasur, e plotësuar me dokumente të ndryshme, me dëshirë që të krijojë një figurë sa më të gjallë, por në të njëjtën kohë, duke u munduar të mos bjerë në lëshimet e Marin Barletit dhe autorëve të tjerë të kohës. Autori e ndjek Skënderbeun në provat e kurajës dhe të karakterit, por disi vë anash jetën shpirtërore dhe atë politike, duke lënë mundësi debati për autoritetin dhe madhështinë e tij!




(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora