Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Kurtishi: Nacionalizmi sllavomadh provokon përsëri

| E premte, 15.01.2010, 10:58 PM |


Nacionalizmi sllavomadh provokon përsëri

Nga Valon Kurtishi

E izoluar nga faktori ndërkombëtar dhe e terrorizuar nga mungesa e sigurisë politike shkaku i mos anëtarësimit në NATO, qeverisë së Nikolla Gruevskit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shkaktojë tensione ndëretnike në vend. Këtë e bën në mënyrë që ta afrojë mundësinë e anëtarësimit në BE në mënyrë artificiale e jo si rezultat i përmbushjes së standardeve europiane. Kështu vepron në mënyrë që duke u bërë një “trouble maker” tipik ballkanik, BE ta shpërblejë dhe ta futë në union nga dera e prapme. D.m.th që të evitojë turbullira të mëtejme nacionaliste në këtë pjesë të Europës, Bashkimi Europian të lejojë hyrjen sa më të shpejtë të IRJM në këtë organizëm demokratik mbikombëtar. 
Edhe NATO nga ana tjetër e zënë me shumë probleme të saja të reformimit të brendshëm në rethana të ndryshuara politike si dhe me misione të paqarta politikisht dhe të kushtueshme financiarisht nga Bosnja deri në Afganistan, të evitojë luftëra e konflikte të reja dhe ti ofrojë IRJM-së anëtarësim të pakusht dhe sa më të shpejtë. Çështja e kontestit absurd gati 20 vjeçar të emrit me Greqinë është një pikë tjetër serioze rajonale ku IRJM paraqitet si një plangprishës kokëfortë në raportet ballkanike të forcës. Goditja e brendshme ndaj shqiptarëve synon të lehtësojë presionin e jashtëm në çështjen e vetos greke.
Se qeveria e IRJM-së i ka hyrë seriozisht realizimit të planit të konfliktualitetit të brendshëm e jashtëm njëkohësisht, shihet qartë nga aksionet e fundit të cilat nuk lënë vend për të dyshuar pikërisht për atë strategjinë e mbrapshtë integruese që e përmendëm më lartë. Tensionimi ndëretnik dhe dalja e VMRO-së dhe Gruevskit personalisht si mbrojtës të interesave nacionale të sllavëve maqedonas është shansi i vetëm i cili e mban në pushtet këtë regjim duke i shtuar pikë në sytë e opinionit publik sllav këtu. 

Daljet e shumë reklamuara në media ditëve të fundit të ministrit të arsimit Todorov, i shërbejnë pikërisht kësaj strategjie të çuditshme të provokimit shovinist i cili kërkon të realizohet në kurriz të 35% qytetarëve të vendit. Insistimi në implementimin e vendimit qeveritar për futjen e detyrueshme të maqedonishtes për gjashtëvjeçarët shqiptarë është pjesë e këtij plani djallëzor në funksion të tensionimit artificial të situatës së brendshme politike. Përndryshe nuk ka si të shpjegohet këmbëngulja në thyerjen e qartë të Marrëveshjes së Ohrit dhe kushtetutës së vendit në lidhje me gjuhët zyrtare që fliten këtu. 

Në drejtim të problematizimit të përgjithshëm të situatës shkojnë edhe aksionet e ditëve të fundit për arrestimin e pjesëtarëve të ish UÇK-së, të akuzuar për goja krime lufte nga regjimi në fuqi apo edhe vdekja enigmatike e një të burgosuri shqiptar nga Brodeci në burgun e Manastirit. Arrestimet dhe eliminimet e tilla të bujshme, spektakolare dhe të mediatizuara deri në pafundësi amorale nga media sllavishtfolëse, i shërbejnë qëllimit të largimit të vëmendjes nga çështje tjera emergjente dhe acarimit artificial politik. Vetë akti i tillë i arrestimit është një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Ohrit dhe ligjit për amnisti i cili e zgjidh edhepse jo shumë qartë çështjen e pjesëtarëve të formacioneve të armatosura shqiptare dhe veprave që mund të jenë të kryer por që kanë të bëjnë me luftën e vitit 2001, (gazeta zyrtare e IRJM, nr.18, 8 mars 2002). 
Acarimi i fundit e tregon edhe nivelin shumë të ulët të pavarësisë së sistemit gjyqësor në vend si dhe instrumentalizimin total të strukturave të sigurisë shtetërore si shërbimit të intelegjencës apo policisë nga faktori politik sllav këtu. Kjo e tregon edhe njëherë se sa larg dhe jashtë sistemit fyromian janë shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare në veçanti. 
Nëse kjo qeveri e ka z.v ministrin e brendshëm shqiptar dhe ai nuk ka asnjë mundësi ndikimi në çështje të tilla si arrestimi arbitrar i pjesëtarëve të UÇK-së apo në ministrinë e drejtësisë kemi përfaqësues shqiptar kurse kjo ministri vazhdon të montojë raste të tilla si “krimet shqiptare të vitit 2001”, atëherë shihet qartë se këta janë të pafuqishëm në vendimmarje dhe luajnë rol thjesht dekorativ në qeveri.
Nëse z.v ministri i arsimit është me përkatësi etnike shqiptare dhe nuk është në gjendje ta prapësojë çështjen e futjes së dhunshme obligative të maqedonishtes për nxënësit shqiptarë apo përfaqësuesit shqiptarë në ministritë e kulturës dhe financave nuk mund të ndalojnë botimin përkatësisht financimin e një enciklopedie fashizoide antishqiptare, atëherë shihet edhe më qartë roli dekorativ i elementëve shqiptarë në pushtet. 

Nëse në pjesët e banuara me sllavë etnikë janë ndërtuar dy zona të lira ekonomike dhe janë duke u realizuar investime të mëdha publike kurse në zonat shqiptare nuk mund të ndërtohet dot as një fabrikë e vetme për riciklimin e mbeturinave atëherë është e kotë fare që ministri i ekonomisë është shqiptar etnik. Jo se ky ministër shqiptar nuk dëshiron investime në zonat e tij elektorale po thjesht nuk është në gjendje ta realizojë atë që do. 

Nëse në gjithë hapësirën e Maqedonisë lindore është në vlugun më të madh investimi publik në ndërtimin e autostradave, rrugëve dytësore, rrjeteve hekurudhore, aeroporteve, përçuesve të ndryshëm të energjisë etj, kurse në perëndimin shqiptar nuk kemi asnjë investim serioz në infrastrukturën publike, atëherë nuk ka ç’të kërkojë më tepër një shqiptar etnik në Ministrinë e transporteve të këtij vendi.

Nëse fermerët sllavomaqedonas përfitojnë 100 milionë dollarë amerikanë në vit subvencione qeveritare dhe shumë lehtësira tjera fiskale në eksportimin e produkteve të tyre kurse bujqit shqiptarë as që e dinë se ekzistojnë mundësi të tilla financimi, atëherë përfaqësuesi më i lartë shqiptar në këtë organ të administratës publike është thjesht inekzistent ose nuk ka asnjë mundësi ndikimi shkaku i pengesave sllave. 

Nëse gjithë ky diskriminim i pandalshëm dhe omniprezent në miratimin e ligjeve në Kuvendin popullor, në ndarjen e mjeteve buxhetore, në investime publike, në gjyqësi, në arsim, në kulturë, në çdo sferë të jetës shoqërore në përgjithësi ndodh çdo ditë dhe nuk ndalet dot, atëherë është e kotë dhe e palogjikshme pjesëmarja shqiptare në jetën politike dhe në qeveritë e ndryshme të Fyromit. 
Në këtë mënyrë vihet në pyetje vetë logjika e bashkëqeverisjes sllavo-shqiptare këtu. Në këtë mënyrë vihet në pyetje vetë arsyeja e ekzistencës së një shteti të përbashkët sllavo-shqiptar si Maqedonia.
Problemi duket se qëndron sa në paaftësinë proverbiale dhe korrupsionin antikombëtar të partive politike shqiptare aq në strategjitë e mbrapshta të partive sllave për kapjen e shtetit dhe mbajtjen e shqiptarëve në pozita sa më inferiore që të jetë e mundur në këtë shoqëri dyetnike.
Provokimi dhe insistimi në realizimin ligjor të provokimit janë karakteristikë e regjimeve autoritare të cilëve u ka perënduar koha njëherë e mirë në kontinentin tonë europian. Faktori qeveritar shqiptar duhet ti dalë së keqes para në mënyrë që gjendja të mos degradojë dhe precitipojë deri në nivele të frikshme kur populli ta marë situatën në duart e tij. Atëherë prishen balancat shoqërore dhe ndodh revolucioni popullor, ndodh “populli”. Revolucionet nuk parapëlqehen sot në shoqëritë e avancuara teknologjike perëndimore. IRJM bën pjesë gjeografikisht në kontinentin e avancuar postindustrial ku nuk lejohen tërmete të tilla shoqërore. Megjithatë, revolucionet kombëtare ndodhin dhe janë shumë të mundshëm pikërisht në shtetin e fundit në kontinent i cili përpiqet të instalojë praktika diskriminuese sa perfide aq edhe mesjetare në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura etnike.