E premte, 29.03.2024, 12:54 AM (GMT)

Editorial

Dibran Demaku: Kur qeveria bie në gjumë?!

E enjte, 14.01.2010, 09:56 PM


KUR QEVERIA BIE NË GJUMË?!

Nga Dibran Demaku

(Fjeta se kujtova që je i quet ti)

N´vakt t` Aslla`pashës ni katunar,tuj shkue n`Pejë,nalet n`Vitomoricë me pushue.I lëshon dy kualt me kullotë me samarë e me thasë qysh ishin kanë e bjen e flen n`hije t`ni peme.Kur i del gjumi,kualt ja kishin vjedhë hajnat.Shkon tu Aslla´pasha me ba davë.I thot:
-T`u ngatë jeta pashë,m`kan hupë kualt.
-Ku t`kan hup?-e dveti pasha.
-N`Vitomoricë.
-Ku ke ti kur t`hupën?
-Kesh fjetë.
-Pse me fjetë e me t`hup kualt?
-T`u ngatë jeta pashë,kam fjetë se kujtova qi je i quem ti,se m`e pas ditë që ti je fjetë,unë s`kisha fjetë.
Pashës i erdhi inati për këto fjalë,u dha zor kryepleqëve,e ata n`krye t`tri dite,i gjetën kualt e pasha ja kthei katundarit.

(Nga Anton Çetta: Prozë popullore nga Drenica,Prishtinë 1990)

Nga kjo anekdote nxjerrim mësimin se qeveria që udhëheq një vend  duhet që në çdo moment t`u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të vendit të vetë.Sepse në këto kohët moderne që jetojmë ne, gati çdo qeveri zgjidhet nga votat e popullit të atij vendi.Dhe si e tillë ajo është e thirrur që të  kujdeset që qytetarët e vendit të vetë të jetojnë sa më mirë që të jetë e mundur.Bile qeveria e ka për detyrë që qytetarët e vetë edhe t`i mbrojë nga keqpërdoruesit e ndryshëm,nga mitmarrësit,nga plaqkitësit,nga hajnat e edhe nga vrasësit.Vetëm ajo qeveri që i kryen këto detyra ndaj popullit të saj mund të thuhet e ka kryer me nder misionin e vetë.Dhe atëherë mund të thuhet se qeveria e atij vendi qëndron gjithnjë zgjuar edhe kur qytetarët e saj janë në gjumë.E kur qeveria rri zgjuar keqbërsit e ndryshëm nuk kanë rrugë të lira për manovrim.Atëherë,po edhe populli bën gjumë të qetë dhe pa ëndrra të trishtueshme.
Ndërkaq nëse qeveria e një vendi e zgjedhur nga votat e qytetarëve të vetë,mbyllet në gëzhojën e vetë dhe kërkesat e nevojat e qytetarëve të vetë i lë anash,atëherë për atë qeveri mund të thuhet se ka rënë në gjumë të thellë dhe sheh ëndrra vetëm për vetën e vet.E kur qeveria bie në gjumë,keqbërsve të ndryshëm u hapen rrugët dhe ata si në livadh të babes bëjnë çfarë të duan!Apo thënë më mirë ata kërcejnë e hedhin valle!Ndërkaq popullates tjetër nga këto kërcime e hedhje vallesh i kërcasin dhëmbët!
Lind pyetja a janë në krye të detyrës qeveritë e ndryshme në trojet shqiptare?! A rrinë gjithnjë zgjuar dhe në ballë të nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të vetë?!Apo kanë rënë në gjumë dhe ndaj nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të vetë i kanë mbyllur sytë dhe veshët?!
Për të gjitha këto pyetje autori i këtij shkrimi nuk mundi të gjejë ndonjë përgjigje! Mbase lexuesit tjerë do të mund të gjejnë ?!...


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora