Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi- Basha: Profesor Ymer Berisha dhe Organizata Politike Ilegale Patriotike Shqiptare ''Besa Kombëtare'' në Kosovë

| E shtune, 16.01.2010, 12:00 AM |


PROFESOR YMER BERISHA  DHE ORGANIZATA POLITIKE ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “BESA KOMBËTARE” NË KOSOVË

Nga Prof. Dr.  Sabile Keçmezi- Basha

sabile_basha@hotmail.com

Gjatë luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit e PKJ-së  kishin premtuar  se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej duke u respektuar Deklarata e Moskës, Karta e Atlantikut, Deklarata e Teheranit dhe Letra e Titos e botuar në gazetën “Proleter” e shumë dokumente të tjera  me rëndësi historike. Në Jugosllavin e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera  të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë[1]. Që më vonë të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia.

Fill pas Luftës së Dytë Botërore, në Kuvendin e Prizrenit ( 8-10 korrik 1945), Kosova u shpall se “me dëshirën e vet popullsisë së saj, i bashkohej Serbisë Federale në kuadër të Federatës Jugosllave”. Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan[2]. E tërë kjo ndikoi që në Kosovë të formohen dhe të veprojnë shumë organizata patriotike-politike shqiptare. Një ndër këto organizata që zhvilloi veprimtari të dendur, që la gjurmë, e bëri jehon por që e tërë veprimtaria e saj ishte afatshkurtër ishte organizata politike-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” e udhëhequr nga patrioti dhe atdhetari i shquar profesor Ymer Berisha.

            Organizata ilegale-patriotike shqiptare “Besa Kombëtare”, që ishte e formuar kryekëput kundër ideologjisë komuniste. Dhe qëllimi suprem i saj ishte bashkimi i tokave shqiptare.

Sipas disa të dhënave që kam, thuhej se organizata u formua  në mars të vitit 1945, në fshatin Llapçevë, në kuvendin e udhëheqësve të grupeve të armatosura të trekëndëshit Klinë-Rahovec-Gjakovë. Kuvendi i Llapçevës pati një jehon të madhe, ku masat patriotike shqiptare e argumentuan më së miri këtë me pjesëmarrjen e shumtë të patriotëve në këtë takim, siç ishin: Ukë Sadiku, Ndue Përlleshi, Muharrem Bajraktari, Alush Smajli etj. Përndryshe fillet e kësaj organizate  sipas disa të dhënave  i hasim edhe më herët, më 28 nëntor 1944. atëherë kur prof. Ymer Berisha me disa nxënës të Normales “Sami bej Frashëri” të Prishtinës organizojnë një mbledhje me fshatarët në Obri të Epërme. Në këtë tubim  të madh me fshatarët, jo vetëm që u shënua dita historike e Flamurit dhe e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por u proklamua  edhe formimi i organizatës ilegale politike e ushtarake me emrin “Besa Kombëtare”, kryetar i së cilës ishte zgjedhur prof. Ymer Berisha.[3] Por, deri në mars të vitit 1945 shumë pak ose fare pak zhvilloi ndonjë aktivitet në teren, ndërsa pas vitit 1945, në pjesën e dytë të vitit zhvillon një aktivitet të dendur[4], dhe luajti një rol të rëndësishëm në ilegalen shqiptare.

Në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin Popoviqit ( 13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë që OZNA haptas justifikoi terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Prijësit e Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare të Frontit Nacional Shqiptar , të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të shndërrohen në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.

Prof. Ymer Berisha, edhe pse në kushte tejet të vështira, zhvillonte një aktivitet të dendur në çdo pëllëmbë të Dukagjinit dhe në Kosovë në tersi. Ai punonte me ngulm e vendosmëri që të bënte lidhjen e të gjithë krerëve të rezistencës si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri. Këtij qëllimi ia arriti me kontaktimin e Pashkë Bibë Mirakajt, i cili ishte njëri ndër udhëheqësit më me ndikim në lëvizjen e rezistencës që zhvillohej në Shqipërinë Veriore. Të njëjtat qëllime dhe dëshira për një unitet sa më të madh të lëvizjes, i ushqente dhe i përkrahte edhe Pashkë Bibë Mirakaj, që ishte vëllai i Kolë Bibë Mirakajt, i cili ishte ministër gjatë kohës së Italisë, dhe ndodhej në mërgim në Itali. Që të dy, edhe prof. Ymer Berisha e edhe Pashkë Bibë Mirakaj ishin të vetëdijshëm se pa një unitet të përbashkët të të gjithë ilegales shqiptare nuk do të ketë Shqipëri Etnike. Në mars të vitit 1945, Pashkë Bibaj i dërgon një letër profesorit, me të cilën kërkon të takohet me të. Korrieri duke e dërguar letrën në rrugë e sipër bie në pritë, dy prej tyre vriten, por megjithatë letra bie në duart e profesorit. Takimi ndërmjet tyre realizohet, por me shumë vonesë ngase që pritej[5] dhe çdo vonesë në takim ishte shumë e dëmshme për lëvizjen.

Pas takimit që pati prof. Ymer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945, në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët e lëvizjes ishte i pa mohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në vendin Mirëditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në Dobërdol.

Kuvendi i Dobërdolit

 Në këto rrethana të krijuara, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5 gusht 1945.

Sipas vlerësimeve që vinin nga tereni, situata për mbajtjen e Kuvendit të Dobërdolit ishte e volitshme. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Ymer Berisha takimin ndërmjet krerëve  të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Roxhaje dhe Pazarit të Ri gjithsejtë 158 veta[6].  

   Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë Sadiku, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli,Qazim Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shumë të tjerë.

Përfaqësuesit nga rrethi i Vushtrrisë, Podujevës, Mitrovicës, nuk merrnin pjesë për hir të situatës së vështirë, por profesori ata i kishte njoftuar me kohë për detyrat dhe organizimin e punës së tubimit. Përfaqësuesit nga Ferizaji, Gjilani,e Kaçaniku për arsyen objektive , e që ishin objektive nuk kishin prezantuar në takim[7]. Kuvendi i Dobërdolit sipas dëshmive që kemi  kishte zgjatur dy ditë. Gjatë tërë punës së kuvendit, në kodër mbi Llugë afër Dardhës së Madhe siç e quanin vendasit, u vendos flamuri me shqiponjën dykrenore dhjetë metra i gjatë, që e ruante roja e nderit Alush Smajli i Llazicës.

Në mënyrë solemne Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues i organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike foli vetë profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata politike është shumë e rëndë dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të mëdha, por theksoi se , ne duhet të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të marrim pushtetin”. U kërkua që edhe në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të masave, dhe të jenë të gatshëm për aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë, sepse e ruanin luftëtarë të spikatur, njëherit edhe tërë fshati bënte roje, por dalloheshin Smajl Hajdari, Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit[8]. Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që të sulmohen njësitë e “UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin inkorporuar forcat çetnike pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një goditje e rëndë për armikun. Në këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do të udhëhiqet nga kryesia e përbërë  prej 12 vetave. Supozohet se në Drenicë ishte hera e dytë që formohej kjo organizatë, por me pak ndryshime, ngase atëherë quhej organizata e rinisë “Besa Kombëtare”[9], dhe ishte e zyrtarizuar, si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri.

Kuvendi zgjodhi  Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berisha u caktua udhëheqës i sektorit politik. Të dy këta ishin anëtarë të rrethit të ngushtë të Shtabit Udhëheqës të organizatës.

Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte edhe një garanci se grupet do të aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më tepër në teren sipas direktivave të udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u ndan në  12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”[10]. Pas kryerjes së kuvendit, grupet u larguan njëra pas tjetrës, pa pasur as më të voglin problem. Të gjithë delegatët u shpërndan me përshtypjet më të mira, posaçërisht ndjenin një simpati dhe një besim të madh ndaj profesor Ymer Berishës.

Për pjesëmarrjen në Kuvendin e Dobërdolit, për strehimin e kaçakëve dhe për përkrahjen e lëvizjes për çlirimin kombëtar dhe për një Shqipëri etnike, udhëheqësit e këtij kuvendi  si dhe shumë veprimtar të kësaj ane u dënuan me burg shumëvjeçar. Iu plaçkitën dhe iu dogjën shtëpitë, u maltretuan familjet dhe bënë akte genocidale ndaj tyre. Represion shtazarakë përjetoi sidomos familja e Dan Pjetrit, në pronën e të cilit u mbajt Kuvendi. Po në këtë familje ishte e strehuar 6 muaj edhe Marie Shllaku.

Organizimi i organizatës

 Organizata politike-patriotike “Besa Kombëtare” gjatë veprimtarisë së vet arriti të ketë një strukturë organizative, që i përshtatej kushteve dhe rrethanave në të cilat vepronte. Përveç Shtabit Udhëheqës që ishte i përbërë prej 12 vetash, në kuadrin e saj në mënyrë aktive vepronin edhe katër grupe:

1. Roja besnike, që ishte një grup pranë Shtabit që kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurimin e Shtabit të Organizatës me një besnikëri fanatike.

2. Urdhërdhënësit, ata vepronin në kuadrin e shtabit dhe merreshin kryesisht me sjelljen dhe përcjelljen e porosive, kryesisht vepronin për shtabin.

3. Atentatorët, ishin grup në të cilën përfshiheshin personat specialë që ishin caktuar nga vetë shtabi për të kryer ndonjë atentat në njerëz të caktuar të pushtetit apo në ndonjë tradhtar të popullit që shtabi e shihte si të nevojshëm për likuidim. Dhe grupi i fundit që vepronte në gjirin e organizatës ishte edhe

4. Dora pastruese ose dorë-vrasësit, që kishin për detyrë të bëjnë likuidimin e personave, kryesisht tradhtarëve, në mesin e të cilëve ishin bashkëpunëtorët e OZN-es. Ata përcillnin tradhtarët dhe personat që bashkëpunonin me okupuesin, i dorëzonin në shtab dhe sipas vendimit të shtabit i likuidonin.[11]  Qëndrimi ishte që këto grupe të vepronin edhe në shtabet e sektorëve, që ishin të përfshirë në 16 rrethe.

Shkurtimisht do të jap prezantimin e udhëheqësve politikë e ushtarak në rrethet e Kosovës.

Rrethi   udhëheqësi politikë           udhëheqësi ushtarak

1. Prizren       Nijazi Alishani               Ali Riza, kapiten

2. Gjakova  Mehmet agë Rashkoci       Demë Ali Pozhari

3. Rahoveci  Alush Ismaili                  Qazim Bajraktari

4. Peja          Zef Gjin Deda                   Ndue Përlleshi

5. Rugovë      Islam Tabaku                    Zhukë Haxhia

6. Istog             Azem Shala                       Feriz Bojaj

7. Drenicë         Mulla Ilazi                        Sadik Lutani

8. Suharekë   Sali Rama                        Mehmet Sherifi

9. Sanxhak     Sadik Radovci                  Bik Dreshoviqi

10. Prishtinë       Ismail Gorani                   Luan Gashi

11. Mitrovicë                        Ahmet Selaci

12. Vushtrri                          Ahmet Selaci

13. Podujevë                         Ahmet Selaci

14. Ferizaj                           Adem Gllavica

15. Gjilan                            Adem Gllavica

16. Kaçanik                         Adem Gllavica.                                            

Sipas të dhënave vërehet se gjashtë rrethet e fundit, në kuvend ku u bë përcaktimi i përfaqësuesve, rrethi i Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës, Ferizajt, Gjilanit dhe Kaçanikut nuk i kishin delegatët e vet, andaj caktimi i përfaqësuesve të tyre u bë nga rrethet tjera që ishin prezent.

Vlen të cekët se puna që bëhej për këtë organizatë dhe në këtë organizatë ishte tepër konspirative dhe çdo veprim ishte i matur. Për tërë punën që bëhej në terren organet e OZN-es nuk kishin njohuri, ndonëse vijimisht gjurmonin grupe të shumta dhe kishin një numër të madh spiunësh në terren, që i kishin angazhuar për zbulimin e tyre. Edhe pse në disa shkrime thuhej se në grupin e Ukë Sadikut, UDB-eja kishte njeriun e vet, ai disi ishte filtruar në grup, por prapëseprapë  personi spiun nuk kishte guxim ti lajmohej qendrës. Kemi të dhëna se edhe pasi se ishte kryer tubimi, OZNA kishte mbledhur informatat për grupet ilegale, kahet e shkuarjes së tyre, njerëzit më aktiv etj.

Më 9 shtator 1945, organet e OZN-es  në bashkëpunim me ushtrinë sulmojnë pjesën më kryesore të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë dhe në Drenicë. Në këto përleshje u vranë 28 ilegal, në mesin e tyre humbi jetën edhe vëllai i patriotit të njohur- Ukë Sadikut, Shaban Sadiku, dhe Adem Shala. U plagosën 4 veta nga grupi, ndërsa nga Brigada e Bokelit  u vranë 14 veta.

Kuvendi i Mirëditës ishte caktuar që të mbahet në shtator, por për shkak të sulmeve që i bënë organet e OZN-es dhe brigadat e UNÇ_së, ata qenë të detyruar që takimi i Mirditës të mbahet pa prezencën e kosovarëve. Pas takimit të Mirëditës , prof. Ymer Berisha mori letër nga Muharrem Bajraktari, ku njoftohej për punën e Kuvendit dhe nga ai kërkonte që së bashku me Ukë Sadikun të takohen në Shqipëri për detajizime të punëve e detyrave që dolën nga aty. Kryetari i organizatës “Besa Kombëtare”, prof. Ymer Berisha, Ukë Sadiku në përcjellje të 12 luftëtarëve u nisën për në Shqipëri në takim me Muharrem Bajraktarin. Me ta shkuan edhe Qazim Bajraktari, Mehmet Aga, Demë Alia dhe Ndue Përlleshi. Megjithatë takimi nuk u bë[12] për shkak të një mosmarrëveshjeje të vogël për vendin e takimit.

Komitetet e “Besës Kombëtare” në terren

 Qëllimi i organizatës ilegale patriotike shqiptare “Besa Kombëtare” ishte që të formojnë sa më shumë komitetet të reja në terrenin e Kosovës dhe të Sanxhakut. Sipas instruksioneve të prof. Ymer Berishës, Marsel Vuçaj , administrator i këshillit popullor të Pejës, u angazhua që në këtë qytet të formojë Komitetin e rrethit të “Besës Kombëtare”, në të cilën ai- Marsel Vuçaj u zgjodh kryetar, ndërsa për anëtarë u zgjodhën : prof. Isa Çavolli, Muhamet Vokshi, Viktor Gashi, Jusuf Haxhia e Jak Krasniqi, që të gjithë nxënës të shkollës së mesme, Hamza Begolli mësues dhe Franjo Çiflaku .

Po në këtë qytet u formua edhe komiteti i rinisë i “Besës Kombëtare”, që e përbënin dy mësues, Skender Rizaj dhe Engjëll Berisha dhe nxënësit e gjimnazit si :Osman Basha, Shefqet Kelmendi, Kamber Pajaziti, dhe Ramiz Kelmendi.

Komiteti i rrethit të Pejës së bashku me, Komitetin e Rinisë së Pejës zhvillonin një bashkëpunim të ndërsjellë, dhe çdo aktivitet që zhvillohej, bëhej në mënyrë të koordinuar.

Detyrat, që kishin prioritet, ishte ajo që sa më shumë të rinj të përfshihen në radhët e organizatës. Lirisht mund të thuhet se kjo ishte edhe një detyrë e përgjithshme që vlente për tërë organizatën. Të vinin sa më tepër kontakte me masat e gjëra, dhe sa më shumë ti brumosnin me ndjenjën patriotike ndaj atdheut, dhe të nxisnin urrejtjen ndaj okupatorit.

Me këto dy komitete lidhje të ngushta kishte edhe Kolë Parubi, ku më vonë me kontaktet e shpeshta që kishte me Bernard Llupin dhe me Marsel Vuçajn nxorën përfundimin se ishte më se e nevojshme të formonin Komitetin e Ri Qendror, dhe pas një kohe, e tërë kjo u bë realitet. Përveç tre të lartpërmendurve në komitetin e ri Qendror u caktua edhe Hajdar Planeja- Maloku[13], i cili u caktua për kryetar të komitetit, për anëtar u caktua Enver Sudi, maturant nga Prishtina dhe Gjergj Bahtiri mësues nga Shkodra. Hajdar Planeja qysh si i ri ik nga vendlindja ( Planejë, Gjonaj, Has), shkon në Shqipëri. Atje mbaron shkollën e mesme dhe me bursën e Shtetit Shqiptar, studion dhe e mbaron Akademinë Ushtarake në Itali. Pasi shërbeu një kohë si oficer në Shqipëri, në vitin 1941 u kthye në Kosovë dhe shërbeu si ushtarak- toger në Gostivar, kapiten në Gjakovë dhe njëkohësisht  bashkëpunoi edhe me forcat antifashiste[14]. Më 1944, iu bashkëngjitë lëvizjes ilegale shqiptare, ku më 1946 u likuidua nga okupatori sllav. Enver Sudi gjatë tërë kohës ishte mik i ngushtë i Haki Tahës dhe mbante lidhje  të vazhdueshme me të.

Si detyrë tjetër me prioritet e Komitetit të Ri Qendror ishte fillimi i menjëhershëm i përgatitjeve për luftë të armatosur kundër okupuesit, dhe të punohet sa më shumë në drejtimin e bashkimit të trojeve shqiptare. Për tërë këtë edhe komiteti kishte për qëllim formimin e komiteteve të reja në terren, si ato të rretheve pa ashtu edhe ato komunale. U mor qëndrimi që sa më shpejt të aktivizohen sektorët si ai i financave, i propagandës dhe ai i agjitacionit. Të bëhet grumbullimi i armëve si dhe materiali sanitar. U kërkua që shërbimi i informimit të jetë shumë më aktiv.

Në nismë Komiteti Qendror ishte shumë aktiv, por me largimin e Hajdar Planejës, aktiviteti u pakësua. Anëtarët e tjerë filluan të bëhen më të kujdesshëm, meqenëse ata ishin vazhdimisht të përcjellë nga organet e OZN-es, andaj një aktivitet i pakësuar ishte i natyrshëm dhe një kujdes më i madh ishte më se i nevojshëm. Edhe pse në krahasim me aktivitetin e mëhershëm të Komitetit të Ri Qendror vërehej ngecja. Komiteti i ri aktivitetin e vet e orientoi në formimin e komiteteve të reja të rretheve  dhe të komiteteve komunale, që ishte njëra ndër detyrat parësore të saj. Në ndërkohë u formuan komitetet e rretheve në Gjakovë, në Prizren, në Istog, në Drenicë. Në Pejë ishte i formuar komiteti më herët. Komitetet e komunave u formuan  në Kievë të Rahovecit, në Has të Prizrenit, në Ponoshec, në rrethin e Gjakovës, në Polac, në Glanasellë në rrethin e Drenicës, në Klinën e Poshtme dhe të Epërme dhe në Runik. 

Të gjitha komitetet kryenin detyrat që iu kishte caktuar komiteti Qendror. Por, një aktivitet më të dendur e zhvillonte komiteti i rrethit të Gjakovës. Ky rreth me punën e vet formoi edhe dy komitete rajonale. Kryetar i komitetit të rrethit të Gjakovës ishte drejtori i shkollës Sylejman Lleshi, anëtarë ishin: Zef Mekaj, profesor nga Shkodra, Skender Curri dhe Mavrush Nura profesor nga Gjakova, Dula Hilmiu e Murteza Kryeziu mësues, Nusret Zeka nga Shqipëria. Gati shumica e anëtarëve të këtij komiteti më parë i takonin partisë së juristëve të Sylejman Rizës nga Gjakova [15]. Me një unitet të madh të gjithë këta anëtarë ia dolën të zhvillojnë një aktivitet dhe të kryejnë punë shumë të frytshme në organizimin e organizatës.

Në komitetin e rrethit të Drenicës dhe të Skenderajt, shfaqej një dukuri, e cila duhet të ceket, se në të dy komitetet, udhëheqësja e tyre ishte e angazhuar në organet e pushtetit të ri jugosllav, por në organizatën patriotike ilegale shqiptare “Besa Kombëtare”, që të gjithë ishin aktivist të dalluar. Kryetari i komitetit të rrethit  Hilmi Zariqi, në të njëjtën kohë ishte edhe kryetar i Këshillit Popullor Krahinor dhe deputet i Kuvendit Popullor të Serbisë, përndryshe me profesion ishte tregtar i suksesshëm. Anëtarë të komitetit ishin edhe Ilaz Cungu, sekretar i komitetit të rrethit të PKJ-së, Hysen Thaqi, shef i sektorit për punë të brendshme të këshillit popullor të rrethit. Avdullah Rexhepi nga Vërbovci, nëpunës dhe Ibrahim Spahiu nxënës me gjimnaz të mbaruar nga fshati Broçne[16].

Duke pasur parasysh përbërjen e anëtarëve të komitetit të rrethit të organizatës “Besa Kombëtare”, në rrethin e Drenicës, del e dhëna se të gjithë anëtarët e saj ishin në të vyejtën kohë edhe anëtarë të PKJ-së, dhe në funksione  të ndryshme të pushtetit. Ata në këtë mënyrë luajtën  një rol të madh dhe patën një ndikim të pamohueshëm me plot sakrifica, ata ndikuan që Qazim Sabiti, që ishte nëpunës i organeve të OZN-ës në Skenderaj, që të lajmërojë organizatën për çdo aktivitet të mundshëm të organeve të pushtetit. Falë aktivitetit të Qazim Sabitit, të gjithë anëtarët e organizatës ilegale zhvillonin aktivitet pa fijen e drojës se do të zbulohen nga UDB-ashët. Ata lëviznin të lirë në terren, takoheshin ndërmjet veti në pikë të ditës. Me informata që sillte nga OZN-a, sektorit për informim i mundësoi që të depërtojë në sekretet më të thella të OZN-es. Në këtë mënyrë u zbuluan të gjithë bashkëpunëtorët e UDB-es. Bëhej me kohë njoftimi i pritave të shumta, që i venin organet e pushtetit si dhe bëhej me kohë njoftimi i çdo lëvizjeje që bënin njësitet ushtarake në terren. Qazim Sabiti me punën dhe aktivitetin e vet të dendur që bëri për organizatën ilegale ndikoi që organizata të ketë një jetë më të gjatë në rrethin e Drenicës. Bile, falë syçeltsisë së Qazimit shpëtoi nga zënia e sigurt nga organet e OZN-ës Muharrem Bajraktari. Aso kohe Koloneli Muharrem Bajraktari, vepronte e jetonte në Shqipërinë Veriore, në rrethin e Lumës. Organet e Sigurimit i kishin rënë në gjurmë, dhe plani u përpunua deri në detaje për zënien e tij. Në grupin e nxënies ishte caktuar edhe Qazim Sabiti, ndonëse ishte caktuar edhe një grup tjetër për të shkuar në takim me te. Qazimi s’iu atdhetar që ishte, çdo gjë po përcillte me kujdes, dhe çdo gjë zbuloi me kohë. Informata e Qazimit në momentin e pikërishem ishte më e shpejt se veprimi i UDB-ashëve. Ata në rrugë e sipër për në takim me Muharrem Bajraktarin, u sulmuan nga forcat patriotike, dhe Muharrem Bajraktari i shpëtoi zënies së sigurt nga UDB-eja.

Komitetet përveç formimit të tyre në Dukagjin, e në Drenicë, ato u formuan edhe në Kosovë. Në Prishtinë vepronte komiteti i rrethit, por pas një pune të frytshme, ata u zbuluan dhe u likuiduan.

Bashkëpunimi i OPISH “Besa Kombëtare” dhe ONDSH-së

 Qëllimet e gjithë ilegales së organizuar shqiptare   ishin dhe mbetën uniteti në organizim dhe në veprim, mirëpo rrethanat politike impononin një aktivitet të veçantë të grupeve. Për hir se mundësia e bashkëveprimit ishte e pamundshme, edhe pse qëllimi suprem i të gjitha organizatave ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, për të krijuar një Shqipëri Etnike. Ose siç do të thoshte Vasfi Samimi në librin “Nëna Kosovë” se “Çdo njeri duhet ta dijë se ne nuk duam as një Shqipëri të vogël as një Shqipëri të Madhe, por duam vetëm e vetëm një Shqipëri të vërtetë...”[17] Qëllimi i tërë ilegales ishte që masat e gjera popullore të përfshihen në organizatën ilegale. Krejt e natyrshme ishte që një patriot apo një aktivist i zakonshëm të jetë anëtar edhe i organizatës “Besa Kombëtare”, por në të vyejtën kohë të jetë edhe anëtarë  i Organizatës “Nacional Demokratike Shqiptare” apo i ndonjë tjetre. Gjatë hulumtimeve kam hasur në shumë të dhëna që anëtari i një organizate kryen një aksion në një organizatë tjetër që plotësisht përkrah programin e saj, megjithëse as programet e këtyre dy organizatave nuk ndryshojnë shumë ndërmjet veti. Andaj hasim edhe në vështirësi se si të bëhet klasifikimi i tyre. Në dokumentet, që i ekspozon UDB-eja për organizatën e Pejës thuhej se ai grup i takon “Besës Kombëtare”, ndërsa në disa materiale e shkrime individuale hasim se ky grup i takon organizatës “Nacional Demokratike Shqiptare”. Mund të ndodhë, se dëshmitë, që bëhen nga të arrestuarit, për ta ruajtur njëri-tjetrin, dëshmojnë, edhe atë gjëja se ata nuk janë anëtarë të së njëjtës organizatë. Në bazë të të dhënave  që kemi, mund të konkludojmë se dallime përçarëse nuk kishte ndërmjet tyre. Programet e të gjitha organizatave ilegale ishin vetëm një, pra programi kombëtar pa ngjyrime ideologjike. Llogaritet se si personalitet në vete që paraqitet në vitet 1943-1946, me program dhe platformë për mbrojtjen e kufijve etnik dhe iniciator për formimin e organizatave ilegale ishte profesori atdhetar dhe strategu i lëvizjes Ymer Berisha. Ishte shok e mik i ngushtë i Kolë Bibë Mirakajt.[18]

Me urdhrin e tij, Prof. Ymer Berisha erdhi në Kosovë si profesor i Gjimnazit “Sami Frashëri”. Qëllimi ishte që të përhapë sa më shumë idetë atdhetare për bashkimin e tokave shqiptare. Po ashtu prof. Ymer Berisha llogaritet si themelues edhe i organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Qëllimi i tërë kësaj ishte siç thoshte profesori, nëpër mes organizatave po bëhet masivizimi më i madh i shqiptarëve në frontet e rezistencës. “ONDSH-ja” ka qenë organizatë e formuar në prapavijë, ku edhe zhvillonte aktivitetin e saj. “Besa Kombëtare” kryesisht mbështetej në grupet e ilegales, dhe me ta bashkëpunonte  ngushtë, edhe pse edhe kjo veprimtarinë e vet e mbështeste në formimin e komiteteve në prapavijë. Hasim , edhe këtë, ndërmjet këtyre dy organizatave që anëtarët e tyre të mbajnë mbledhje të përbashkëta, zgjidheshin në vende udhëheqëse në të dy organizatat. Rasti i Kongresit të Pestë të NDSH-es, ku si udhëheqës i saj u zgjodh prof. Ymer Berisha. Organizata “Besa Kombëtare”, vepronte kryesisht në territoret e Dukagjinit dhe përfshinte një pjesë të Kosovës. ONDSH-ja përfshinte një territor sa më të gjerë të Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore. Thënë me një fjalë dallimi  ndërmjet këtyre dy organizatave nuk ka ekzistuar, veç se në emërtime të ndryshme. Andaj nuk ka qenë fare me rëndësi se cilës organizatë i ke takuar, veçse ku ke vepruar dhe se sa ke vepruar.

Dënimet drakonike  ndaj të burgosurve politik

            Pas zbulimeve të shumta që u bënë ndaj anëtarëve të organizatave ilegale në Kosovë e në viset tjera të banuara me shqiptarët në Jugosllavi, pasonin proceset e gjata gjyqësore dhe dënimet fort të mëdha e drakonike që u shqiptonin anëtarëve të tyre. Ndërsa për dhunën e torturat që u përdorën ndaj tyre në lokalet e hetuesisë, do të jetë një histori e veçantë.

            Fillimi i vitit 1946, në Kosovë fillon me një valë të paparë ndjekjesh e arrestimesh. Hijet e zeza të UDB-ës e OZN-ës, shpërndahen dhe trokasin shtëpi me shtëpi, zënë pritat. Fillojnë reprezaljet që do të mbetën kujtimi më i hidhur në histori. Kosova jetonte natën e shën Bartollomeut pas së cilës do të lindin shumë procese gjyqësore historike, dëshmi e dhembshme e kohës nën robërinë Jugosllave.

            Qershori i vitit 1946, mezi që kishte ecur një vit i “Çlirimit” nga fashizmi. Në Prizrenin legjendar përgatitej kontingjenti prej 27 vetave për të dalë në bankën e të akuzuarve  dhe në emër të popullit, në të ashtuquajturin “gjyqin e popullit” të marrin dënimin. E duhet theksuar se pas këtij  kontingjenti, që kryesisht përbëhej prej nxënësve  e intelektualëve, ku më vonë do të pasohet nga dhjetëra e qindra të tjerë, po ashtu shqiptar  të shkolluar, e liridashës, që grupe-grupe do t’i nënshtrohen “vëllazërim-bashkimit” jugosllav.

            Procesi më i madh gjyqësor, dhe që zgjoi interesimin e masave të gjëra shqiptare, pa dyshim është “Procesi i At Bernard Llupit”, Kolë Parubit, Gjergj Martinit, Marie Shllakut e shumë të tjerëve, që ishin bashkëpunëtorët e ngushtë të prof. Ymer Berishës.

            Marie Shllaku ishte bashkëpunëtore e ngushtë e profesorit, me të doli në male, dhe kur u formua organizata patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, në Kuvendin e Dobërdolit ajo mbajti procesverbalin në tubim.

            Procesi i lartpërmendur filloi me 29 qershor 1946 dhe përfundoi me 11 korrik po të njëjtit vit, që dot thotë se zgjati gjithsej 13 ditë pa llogaritur ditët e hetuesisë e të tjera. Prokuror publik i këtij procesi, siç ishte bërë rregull si në çdo proces tjetër ishte Ali Shukriu. Procesi u mbajt në Prizren. Para trupit gjykues, që e përbënin kryetari i trupit gjykues- Dragutin Janjiq, gjyqtar porotë ishte Ismet Mulla dhe Selajdin Ahmeti. Procesmbajtës ishte Branisllav Kijari. Mbrojtës të të akuzuarve ishin Bozhidar Zuleviq dhe Hysamedin Ejupi, Jovo Poznanoviq dhe Urosh Golluboviq me të vetmin avokat edhe ai ishte një rus i mbetur pas lufte këtu, Vlladimir Znamenski nga Gjakova.

            Me 29 qershor, Prizreni i bukur kishte ditë zie. Para trupit gjykues të okupuesit, në bankën e zezë u ulën 27 të akuzuar shqiptarë. Ata akuzoheshin vetëm pse kishin dashur vendin e tyre, lirinë dhe një Shqipëri Etnike. Në një pyetje të një hetuesi drejtuar Marie Shllakut, se qe sa kohë ke filluar të merresh me politikë, ajo iu kishte përgjigjur “Po, që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria e ime për atdheun, përpjekja ime qysh se di për vete për një Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë”[19] dhe ja pse u dënua me vdekje Marie Shllaku- Zhanë D’Arka shqiptare.

            Para trupit të lartpërmendur gjykues u dënuan 27 veta:

 

1. Marie M. Shllaku, studente,(1922), Shkodër,13.07.1946. LP. neni3/1-2/2-4/2. (me pushkatim)

2. Bernard Filip Llupi, frat, (1886), Shkodër, 13. 07. 1946. LP. neni 3/ 7-11.        (me pushkatim)   

3. Kolë Tomë Parubi,profesor,(1905), Shkodër, 13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1. (me pushkatim)

4. Gjergj M. Martini, mësues,(1917),Shkodër,13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.(me pushkatim)

5. Marcel L. Vuçaj, nëpunës, (1923), Prizren, 13.07.1946. LP. neni 3/ 1- 2/ 1- 4/1.   (2 vjet burg)

6. Isa Nexhat Çavolli, profesor,(1913), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.     (12 vjet burg)

7. Masar Hivzi Begolli, profesor, ( 1918 ), Pejë, 13. 07. 1946. LP. neni  3/1- 2/1- 4/1.    (lirohet )

8. Hamzë Niman Begolli, mësues, (1916), Pejë, 13.07.1946. LP. neni  3/1- 2/1- 4/1.      ( lirohet )   

9. Muhamet I.Vokshi, nxënës, ( 1928 ), Pejë, 13.07.1946. LP.  neni 3/ 1- 2/ 1- 4/1.  (5 vjet burg )

10. Jusuf Haxhiymeri, nxënës ( 1927 ), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.      ( 1 vit burg )

11. Viktor Mark Gashi, nxënës, (1929), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1-4/1.      ( 1 vit burg )

12. Frano Zef  Çifllaku, nxënës (1928 ), Pejë, 13.07.1946. LP. neni  3/ 1,2/ 1,4/ 1.   ( 5 vjet burg)

13. Jak Selë Krasniqi, nëpunës (1922), Ferizaj, 13.07.1946. LP. neni 3/ 1,2/ 1,4/1.   ( 5 vjet burg)

14. Osman Bajram Basha, nxënës, (1931), Pejë,13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1.       (1 vit burg)

15. Skender Eshref Rizaj, nxënës, (1929 ), Pejë,13.07.1946. LP. neni 3/1,2/1,4/1.       (1 vit burg)

16. Engjëll Fran Berisha, nxënës, (1929), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.     (1 vit burg)

17. Shefqet Rr.Kelmendi, nxënës,(1910), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.     (1 vit burg)

18. Ramiz J. Kelmendi, nxënës,(1930), Pejë, 13.07.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 1/1.       (1 vit burg )

19. Kamber O. Pajaziti, nxënës, (1929), Pejë, 13,07.1946. LP. neni  3/1- 2/1- 4/1.     (1 vit burg )

20. Sebë T. Mateja, nxënës, (1924), Prizren, 13.97.1946. LP. neni 3/1- 2/1- 4/1.      (5 vjet burg )

21. Jak Tadej Shahini, mësues ( 1919 ), Gjinovc, 13.07.1946. LP. neni  3/1- 2/1- 4/1.   ( lirohet )

22. Gita Mjeda, punëtore (1928 ), Prizren,  13. 07. 1946. LP. neni  3/1-2/1- 4/1.           ( lirohet )

23. Lucija Gj. Lekaj, shtëpiake, (1923), Shkup, 13.07.1946. LP. neni  3/1- 2/1- 4/1.     ( lirohet )

24. Sebë Petër Koliqi, furrtar, (1914), Prizren, 13. 07. 1946. LP. neni 11.                  (5 vjet burg)

25. Myftar B. Bala, bujk, ( 1914 ), Debërdolan, 13. 07. 1946. LP. neni 3/7 , 11.      (12 vjet burg)

26. Binak Dema,  ( 1871 ), Glloxhan, 13. 07. 1946. LP. neni  11.                               ( 1 vit burg ) 

27. Gjergj Deda, bujk ( 1918 ), Dobërdolan, ( Rahovec), 13. 07. 1946. LP. neni  1  ( 2 vjet burg )

 

            Me 24 nëntor, në qytetin e Prizrenit, herët në mëngjes u pushkatuan katër martirët e kombit: Marie Shllaku, At Bernard Llupi, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini. Procesi gjyqësor i 27 vetave ose “Procesi i At Bernard Llupit” nuk ishte as i pari e as i fundit për shqiptarët e Kosovës. Sikurse edhe në proceset e më parme kundër shqiptarëve dominonte mosha e re, dhe të gjithë ishin intelektualë,me shkolla të mesme dhe fakultete  të mbaruara, kryesisht në perëndim.

 

Vrasja e prof. Ymer Berishës

 

Profesor Ymer Berisha u lind më 1912 në Gjurgjevik të Madh, fshat afër Klinës. Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit, shkollën Normale e kreu në Elbasan. Fakultetin e Shkencave Natyrore, dega e Historisë- Gjeografisë dhe Akademinë Ushtarake e kreu në Romë- Itali. Pas, kryerjes së fakultetit, u kthye në Shqipëri, dhe punoi si mësues në shumë fshatra të Shqipërisë Veriore. Më 1939, kur Italia e okupoi Shqipërinë, ai së bashku me xhaxhanë e vet Sejdi Berishën, kaloi në Kosovë. Më vonë, në Prishtinë filloi të punojë si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” (1941-1944). Pas pushtimit të Kosovës më 1944 u arratis në malet e Drenicës dhe nga aty organizoi rezistencën e armatosur kundër pushtuesve  të rinj[20]. Prof. Ymer Berisha konsiderohet njëri ndër ideologët dhe krijuesit e platformës politike për mbrojtjen e kufijve etnikë të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjatë tërë jetës së vet ishte luftëtar i denjë kundër fashizmit e komunizmit (të kësaj ideologjie sllave).

Ai luftonte  për Kosovës dhe për të gjitha trojet shqiptare, që ishin të copëtuara padrejtësisht nga shovinistët fqinjë dhe fuqitë e mëdha. Rrezikun kryesor e shihte tek shovinizmi serbomadh, që mbante Kosovën dhe aspiratat e saja nuk përfundonin me aq. Të njëjtin rrezik e shihte edhe në jugun e Shqipërisë, nga shovinistët grekë. Profesor Ymer Berisha njihte vetëm një ideologji, ajo ishte ideologjia kombëtare shqiptare, idealet e së cilës gjetën mishërimin e vet në Mbledhjen e Mukes dhe në vendimet historike të Bujanit.

Mendohet se iniciator dhe themelues i ONDSH-së ishte vet ai, po më 1945, në Kuvendin e Dobërdolit formoi edhe organizatën tjetër ilegale “Besa Kombëtare”. Në emër të kësaj organizate “Nga malet e lira të Dardanisë” i shkruan shefit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjeneralit Hadson, një letër me të cilën e njoftonte për terrorin sllavo-komunist mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, dhe duke kërkuar ndihmë e përkrahje nga aleatët anglo-amerikanë. Si patriot që ishte, Ymer Berisha, do të angazhohet drejtpërdrejt në proceset e Kosovës, duke mbajtur kontakte me masën e gjerë shqiptare. Profesori i Gjurgjevikut, në vjeshtën e vitit 1944 do të vijë në Drenicë dhe do të bisedojë me Shaban Polluzhën, Sadik Zenelin, Jusuf Gradicën Rexhep Vojvodën dhe me shumë njerëz  të tjerë autoritarë të kësaj ane e të Artakollit për fatin e Kosovës. Në Drenicë, me 28 nëntor do të mbajë një tubim me fshatarët e kësaj ane dhe aty do të thotë “ Nuk ka besë më me serbë, prandaj duhet të organizohemi dhe të luftojmë deri në bashkimin kombëtar”[21]. Si intelektual i formuar që ishte, ai ishte njohës i mirë i rrethanave politike dhe qysh atëherë kishte shprehur dyshimin rreth realizimit të vendimeve të konferencës së Bujanit. Duke i njohur mirë këto rrethana, ai bënte përpjekje të vazhdueshme që shqiptarët në Drenicë, në Llapushë dhe në disa pjesë të Dukagjinit t’i bind për t’iu kundërvënë politikës okupuese me të gjitha forcat, madje së fundi edhe me kryengritje të armatosur.

 

Me fillimin e kryengritjes në Drenicë, Ymer Berisha do të thoshte se suksesi i saj do të varet nga zgjerimi i saj në të gjitha anët e Kosovës. Në Drenicë do të sjell armë dhe si deklaron Hajriz Domaneku, në Obri kishte sjellë disa automatikë me të cilët luftuan deri sa u shua rezistenca e Drenicës.[22] Pasi shuhet lufta e Drenicës, profesori prej këtu kaloi në ilegalitet dhe kaloi në anën e Prizrenit, Podrimes dhe Rahovecit. Më vonë angazhohet në unitetin e ilegales shqiptare, dhe në territoret e Dukagjinit formoi komitetet e rajoneve, të rretheve e të komunave, që kishin të vyejtën strukturë si në NDSH-e.

Më 22 tetor 1945, ai e informoi shefin e misionit ushtarak anglez, gjeneralin e zënë ngoje për përfundimin e luftës së Drenicës dhe për gjendjen në Kosovë. Por ky raport kishte rënë në duart e OZN-es, sepse korrieri ishte bashkëpunëtor i tyre.[23]e që nuk ishte hera e parë që një njeri i tillë ishte infiltruar në radhët e lëvizjes. Profesori ishte i shqetësuar për situatën që mbretëronte pas aneksimit të Kosovës Serbisë. Sepse për nga përmasat, qëllimet, metodat që përdoreshin, propaganda që zhvillohej, dhuna që zbatohej mbi shqiptarët ishte e njëllojtë me atë që ushtrohej dhe përdorej në vitet e sundimit të dinastisë mbretërore të paraluftës. Përpara luftës shqiptarët ishin element destabilizues për Jugosllavinë, ndërsa pas lufte ishin separatistë, e çka jo tjetër. Duke e vërejtur pakënaqësinë e dëshirimin e popullit, Ymer Berisha vënë lidhje me të gjitha organizatat ilegale, që vepronin në Kosovë dhe intensivisht punoi për të bërë bashkimin e tyre. Sipas Gjon Serreqit, që i jep deklaratë hetuesit në burg, thotë se “ Me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës kemi pasur lidhje prej qershorit të vitit 1946, nëpër mjet të Rexhep Lushit, korrierit të Hilmi Zariqit. Aksione të përbashkëta nuk kemi pasur. Ata kanë kryer aksione në Dukagjin, kurse ne këtu. Ymer Berishën të gjithë ne e kemi nderuar si organizatorin më të aftë. Ai na pat njoftuar se është i ndërlidhur me Muharrem Bajraktarin me konsullin anglez në Tiranë, Hadsonin”, përfundon Gjoni para organeve hetimore[24]. Këtë deklaratë ai e jep diku në orët e hershme të mëngjesit.

Ymer Berisha kishte lidhje të ngushta edhe me Ukë Sadikun dhe me të gjithë krerët e shqiptarëve në ilegalitet. Pas një aktiviteti të dendur në fshatrat e Gjakovës, dhe pas një konsultimi që pati me Ukë Sadikun, atë, profesorin e njoftojnë se në malet e Lipovicës do të mbahet kongresi V i ONDSH-së, dhe ai ishte i ftuar të marrë pjesë në të. Sipas të dhënave që i jep Gojko Medenica, me 10 korrik të vitit 1946 në malet e Hereçit të Gjakovës, i rrethuar nga forcat e të ashtuquajturës “Mbrojtja popullore dhe e milicisë jugosllave”, u vra në udhëtim e sipër për në Kongresin V të ONDSH-së, që mbahej në Lipovicë[25]. Së bashku me përcjelljen bëjnë rezistencë, për të dalë nga rrethimi. Por prof. Ymer Berisha vritet me 8 patriotë, dhe 12 të tjerë plagosën rëndë[26]. Së bashku me ta vritet edhe mësuesi Fehmi Kura.[27]

Vdekja e prof. Ymer Berishën dhe e bashkëluftëtarëve të tij do të mbahet fshehur deri më 25 korrik 1946, kur do të mbahet Kongresi i Lipovicës. Atëherë zbulohet korrieri i rrejshëm ( në të vërtet ishte spiun i Spasoje Gjakoviqit), Rexhep Alush Carabregu, që një kohë të gjatë kishte luajtur lojën e korrierit duke bartur letra nga Shtabi II( Organizata nr.2) në Drenicë dhe “Besa Kombëtare” në Dukagjin. Nga trysnia  që iu bë atij nga gjyqi popullor i kongresit në Lipovicë, ai pranoi se Ymer Berisha me ndihmën e tij kishte rënë në grackë dhe ishte likuiduar.[28] Andaj gjyqi popullore e dënoi aty për aty me pushkatim edhe Rexhep Carabregun aty afër, ku mbahej kongresi.

Kongresi i Lipovicës i filloi punimet më 25 korrik 1946, dhe në këtë kongres u propozua që komandanti i përgjithshëm i ilegales shqiptare u emërua prof. Ymer Berisha, në mungesën dhe në padijen për vrasjen e tij për 15 ditë më parë. Pasi u zbulua likuidimi i Ymer Berishës nga ana e UDB-es, shtypi i kohës bënte njoftimin e shkurtër se u vra ballisti, antipopullori, antidemokratik Ymer Berisha, spiun gjerman, i cili ka qenë i shtyrë dhe i përkrahur nga reaksioni i jashtëm, ka qenë udhëheqës kryesor politik i të ashtuquajturës “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar” me të cilat ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin bashkuar spiunët fashistë, zogistë, irredentistë, ballistë dhe tradhtarët e tjerë, të popullit shqiptar, të cilët ishin në shërbim të reaksionit të huaj”.[29] Pa fijen e turpit, shtypi i kohës i mëveshëte lloj-lloj epitetesh, duke filluar nga ato më të çoroditurat e deri tek ato më fyeset për një patriot e atdhetar siç ishte ai. Qëllimi i parë dhe i fundit i të gjithë këtyre të rënëve kishte vetëm një emër dhe një synim që të gjitha trojet shqiptare të bashkoheshin në një shtet etnik- Shqipërinë etnike.

 

Dilemat e ilegales shqiptare

 

Me vrasjen e prof. Ymer Berishës, Lëvizja popullore për Lirimin e Tokave Shqiptare, humbi strategun, ideologun, atdhetarin e trimin e pakompromis për bashkimin e tokave shqiptare. Ukë Sadiku e Gjon Serreqi mbetën pa këshilltarin e tyre. Kongresi i Lipovicës (V), u mbajt pa prezencën e tij. Në kongres gjatë punës u shtruan shumë pyetje, shumë detyra dhe lindën shumë dilema. Lëvizja u ndodhë para një udhëkryqi, ilegalen shqiptare e pritnin ditë të vështira. Shumë grupe ilegale e jatakë të tyre u zbuluan, filluan gjithandej Kosovës e Dukagjinit procese të gjata gjyqësore, anëtarët e tyre dënoheshin me vite marramendëse burgimi, ata më autoritativë në popull i pushkatonin dhe i ekspozonin në qytete të ndryshme. Njerëzit likuidoheshin dhe humbnin pa gjurmë.

Terrori antishqiptar u intensifikua në zonat kufitare, për t’u shtrirë më vonë në tërë Kosovën. Përveç raporteve të rregullta serbe, maqedonase e malazeze, një rol të veçantë në këtë drejtim e kishin organet e “mbrojtjes popullore”. Organet e partisë e të pushtetit ekzistonin formalisht, sepse ligjin e bënin repartet ushtarake. Shërbimi i OZN-ës përgatiste listat me emra e mbiemra të njerëzve, që ishin më autoritativët te populli shqiptar, të cilët për një kohë të shkurtër likuidoheshin, burgoseshin ose mbylleshin në kampet e përqendrimit që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Edhe pse ishte krijuar një situatë e rëndë, megjithatë, kërkesa u shqyrtua  në shumë takime të ilegales, por në Kongresin e Lipovicës, u arrit kulminacioni i dilemave, të qëndrohet në Kosovë apo të dilet jashtë për një kohë të caktuar. Pikërisht në kongres lindën dy fraksionet e lartpërmendura. Një pjesë e ilegales vendosi të shkojë jashtë vendit, me qëllim që së paku të vazhdonin aktivitetin në një formë tjetër jashtë Kosovës dhe të shpëtonin nga likuidimet  dhe të nxirrnin jashtë një potencial të konsiderueshëm njerëzish, të cilët për një kohë do të ishin pre e “pushtetit popullor” jugosllav. Në këtë rrugë, më 28 nëntor 1945, u nis Batalioni I me Hysen Tërpezën në krye (Komandant i Shtabit të Përgjithshëm), dhe grupi tjetër i ilegales i udhëhequr nga Adem Gllavica[30].Të dy këto grupe që u nisën për të depërtuar në kufirin grek, që ishte krejt e natyrshme, ngase Greqia ishte vendi më i përshtatshëm për qëndrim.

Derisa këto dy grupe tërhiqeshin para ushtrisë jugosllave pjesa tjetër e ilegales që mbeti në Kosovë organizohej në grupe të armatosura për të bërë rezistencë forcave sllave që ri robëronin Kosovën. Kjo rezistencë udhëhiqej nga tri qendra kryesore: 1. Nga “Besa Kombëtare” në krye me prof. Ymer Berishën, 2. Organizata NO-2 e udhëhequr nga Ajet Gërguri, dhe 3. Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar nga Halim Spahiu dhe Tahir Deda. Kërkesat për largim nga Kosova do të shtrohen përsëri në Kongresin e Lipovicës nga ilegalja e mbetur.

Gjysmë viti më vonë, në Kongres përveç shumë vendimeve të rëndësishme që do të merren, do të dominoj[në edhe dy opsione kryesore: 1. Qëndrimi në Kosovë, pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet, dhe opsioni 2. mbështet zbarkimin e përkohshëm të komitetit në Shqipëri[31]. Pjesa e cila u përcaktua që të depërtonte në Shqipëri, në rrugë e sipër u sulmua nga ushtria dhe organet e UDB-es dhe të OZN_es, një pjesë e madhe e ilegales u likuidua. Pushteti Jugosllav pas kësaj humbjeje të madhe të rezistencës trumbetonte zëshëm se në arrati, në vitin 1947, mbetën vetëm 33 persona[32]. Edhe pse thuhej kështu në këtë “Rekapitullim” të shtetit jugosllav, mund të supozohet se simpatizantë e anëtarë të organizatave “Besa Kombëtare” e të “ONDSH_së” kishte më tepër dhe se organet e ndjekjes  asnjëherë nuk arritën ti zbulojnë dhe ti asgjësojnë në tersi, ndaj edhe më tutje formohen komitetet e reja në tërë trojet shqiptare në ish- Jugosllavi.

Nga kjo që u tha më lart mund të konkludojmë se populli shqiptar i Kosovës në periudhën ndërmjet viteve 1945-1947 e këndej deri në ditët e sotme bëri luftë të pandërprerë për mbrojtjen kombëtare. Sakrificat e popullit shqiptar për të qëndruar i pa thyer në trojet e veta dhe për ruajtjen e qenies kombëtare ishin të mëdha[33]  

 

Korrespodenca e OPSH “Besa Kombëtare” me personalitete të tjera të rezistencës shqiptare

 

Lëvizja e rezistencës shqiptare qysh prej ditëve të para të formimit dhe veprimtarisë patriotike të tyre, mbante lidhje të ngushta ndërmjet veti. Sidomos, baza për korrespondimin e tyre ishte përkatësia kombëtare, ideologjia dhe tradita. Ato e ndihmonin njëra tjetrën dhe i koordinonin aksionet e tyre politike ose ushtarake. Lidhjet kryesisht mbaheshin  me anë të njerëzve të besueshëm, por në raste më të shpeshta  ato përcilleshin me gojë e në raste të rralla edhe me shkrim. Rastet që mbaheshin me shkrim gjatë kalimit të kohës kanë pasur mundësi edhe të ruheshin, e sidomos ato letra që kanë rënë në dorë të organeve shtetërore jugosllave. Fatin e tillë e patën letrat, korrespondenca që ka pasur profesor Ymer Berisha me Ahmet Selacin, Ukë Sadikun. Me këtë rast vlen për ti veçuar letrat e profesorit që i këmbente me misionin anglez, respektivisht me gjeneralin Hadson.

Këto lidhje që mbaheshin ndërmjet organizatës “Besa Kombëtare”, dhe misionit anglez mbaheshin me sakrifica të mëdha, kryesisht ato udhëhiqeshin përmes lidhjeve, përmes ambasadave, që ndodheshin në Shkup e në Tiranë. Njoftimi me kohë për gjendjen aktuale dhe për terrorin që ushtronte pushteti serb në trevat shqiptare kishte një rëndësi të madhe. Sado pak faktori i jashtëm kishte një ndikim jo transparent në zbutjen e dhunës. Me 22 tetor 1945 prof. Ymer Berisha mbante një letër këmbim të dendur me gjeneralin anglez- Hadsonin, në mes tjerash në një raport për situatën e rëndë politike në Kosovë i shkruante:

Shkëlqesi,

Tërë populli i Dardanisë Ilire, me zemër të thyer për shkak të terrorit dhe të plaçkitjes nga ana e partizanëve, i dërgon me përulësi, nëpërmes shkëlqesisë suaj, qeverisë angleze këtë ankesë...” Ushtria jonë nëpër male është e gatshme për luftë. Me vete e ka me zemër e me shpirt tërë popullin. Por, fatkeqësisht, na mungojnë armët dhe pajisjet. Prandaj me vetëdijen e të vuajturit, presim çdo urdhër e ndihmë për ata që po vuajnë tash 11 muaj...”

Me këtë letër i bëhet me dije gjeneralit Hadson për vrasjet dhe torturat që i kishte bërë pushteti “ demokratik e popullor” jugosllav ndaj shqiptarëve menjëherë pas “çlirimit”, për masakrën e Tivarit, të Dubrovnikut, për luftën e Drenicës, për vrasjet e 75 krerëve të saj, dhe për rënien e 4 heronjve: Shaban Polluzha, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica dhe togerin Gani Agaj i Llaushës. Profesori e bënte me dije se mbi 4000 luftëtarë janë të gatshëm për luftë, por vetëm presin ndihmën nga perëndimi, për të vazhduar më vonë në letër:

“Ekselencë e nderuar, shqiptarët me përulje u lutën fituesve anglo-amerikan që të intervenojnë në Kosovë e ta ndalin terrorin partizan, në mënyrë që të mos pranohen zgjedhjet nën shtypjen e armëve, sepse vetëm 2% me dëshirë votojnë për bashkëjetesë në Jugosllavi”

 

Në letër më tutje vihet në pah se si ushtria serbe ka mbytur 26.000 njerëz të pafajshëm, kanë djegur mbi 150 shtëpi, 6.000 familjeve shqiptare u është grabitur tërë pasuria. U bë rikolonizimi i tokave shqiptare. Nga populli me tradhti është bërë grumbullimi (mbledhja) e armëve. Meqenëse me sukses u krye ky aksion, në vend të lirisë së premtuar, filluan të robëronin atë, duke zbatuar mbi ta torturat e terror të paparë në historinë e popullit. Pasi i mblodhën armët, i burgosën të gjithë krerët, bajraktarët dhe personalitetet e njohura i hodhën në burgjet më të këqija, në të cilën shumë prej tyre vdiqën nga uria...I merrnin natën nga burgu nga 10-15 veta dhe duke luajtur me muzikë pas torturave të mëdha i vrisnin duke i rrahur e pushkatuar, duke i therur, duke i vrarë, e në disa raste duke iu rënë me çekiç në kokë, duke i u vënë nën thonj gjilpërat, duke u rënë brinjëve, duke ua prerë pjesët e trupit derisa ata ende ishin gjallë...[34] Raporti që i dërgohet gjeneralit Hadson ishte shumë më i gjatë. Ai përmbante më tepër se 2500 fjalë. Këtë letër e nënshkruan profesor Ymer Berisha, si kryetar i organizatës “Besa Kombëtare”, ndërsa si anëtarë të këshillit të organizatës nënshkruajnë edhe Mulla Ilaz Broja, Hysen Bajraktari, Ndue Përlleshi, Feriz Boja, Ndrec Lleshi, Mehmet Aga, Sokol Dini, Shaqë Gaca, Zeqir Lutani, Bardhec Rogani, Jetullah Rrezalla dhe Zef Doda.

Përveç lidhjeve që mbaheshin me misionin anglez në Tiranë, ato ishin më të shpeshta me grupet e brendshme, e personalitete të dalluara kombëtare. Në një letër që i dërgon Ahmet Selacit, Berisha kërkonte që të dinte se sa njerëz ka nën armë, po që se dilet në luftë.

Vëllait

Ahmet Selacit

Kosovë

 

Organizata  jonë “Besa Kombëtare” është interesuar me kohë të njohë të gjithë shqiptarët e mirë andej e këndej dhe ty të kam çmuar si një patriot të vyeshëm dhe trim të rrallë për luftërat që ke bërë në Shalë të Bajgorës kundër armiqve të kombit shqiptarë... Merru vesh me bashkëpunëtorët e tu të tjerë dhe na njofto me shkrim sa luftëtarë, në rast lufte mund të dalin me armë në dorë në qarkun dhe në komunën tënde, sepse këtë do ta dijë kuvendi i parisë nga Shqipëri e Vjetër”

 

Kryetari i organizatës

‘’Besa Kombëtare”

Ymer Berisha

 

Lidhje të ngushta kryetari i organizatës “Besa Kombëtare” mbante edhe me Pashkë Bibën dhe me emigrantët e tjerë shqiptarë në Bari të Italisë. Por ajo që vlen të cekët për korrespodencën e profesorit janë edhe lidhjet e tij me Muharrem Bajraktarin. Ndërsa ky i dyti kishte lidhje me shumë oficerë anglezë që ishin pran shtabit kryesor të UNÇ_ të Shqipërisë [35]

Me 6 korrik 1946 në emër të Muharrem Bajraktarit, Ymer Berishës i shkruante Pashk Bibë Mirakaj:

 

Komitetit

“Besa Kombëtare”

Kosovë

 

Me 26 shtator 1945 morëm një letër nga ju. Për mbledhjen në male me 3 nëntor, të cilën e ka kryesuar Muharrem Bajraktari, ju ka shkruar ai personalisht... Situata ndërkombëtare, shkurtimisht do të dukej kështu angloamerikanët pas fjalimit të Çerqillit të mbajtur me 5 mars 1946 në Kolexhin e Fulttonit në Vashingtom, janë deklaruar krejtësisht haptazi kundër Bashkimit Sovjetik, duke e njoftuar botën për rrezikun komunist që po i kërcënohet... Peticionin që na keni dërguar ia kemi përcjellë me kohë gjeneralit Hadson, por ai tash gjendet jashtë Shqipërisë, sepse Anglia i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me të ashtuquajturën qeveri e Shqipërisë...

Rroftë Shqipëria Etnike,

6 korrik 1946

Të fala të përzemërta

P.B. Mirakaj[36]

 

Lidhjet me organizatat tjera nuk i mbanin vetëm Ymer Berisha, të njëjtën mënyrë të korrespondimit e mbante edhe Komiteti Qendror i ONDSH-së në Shkup, me konsullatën angleze në këtë qytet. Halim Orana që ishte përfaqësues i Shoqatës së Shqiptarëve  pran Shtetit të Pavarur Kroat. Ai mbante lidhje të rregullta me kroatët dhe organizatën në Shkup. Po këto lidhje i zhvillonin edhe Gjon Serreqi e Ajet Gërguri me Muharrem Bajraktarin.

Në të gjitha këto lidhje që u vunë, kishin një qëllim të përbashkët që të koordinojnë punët në terren, të organizojnë aksione të përbashkëta kundër okupuesit sllav, për zbarkimin e anglezëve në bregdetin e Shqipërisë, ose për tërheqjen eventuale nëpër Greqi e Shqipëri.



[1] Dr. Lefter Nasi, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 1990, f. 409

[2] Akademik Gazmend Zajmi, Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual ( Simpozium i mbajtur në Tiranë me 15-16 prill 1996, Tiranë 1996, f. 243.

[3] Radoshin Rajoviq,  Autonomia e Kosovës, Rilindja 1987, f. 341

[4] Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947, Prishtinë 1998 f. 115

[5] Ljubomir Shotra, Neprijatelska delatnost organizacije Besa Kombëtare na Kosovu i Metohiju, f. 9-13

[6] Branisllav Bozhoviq, Milorad Vaviq, Surova vremena na Kosovu i Metohiju, Beograd 1991, f. 539

[7] Po aty

[8] Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Shqipëria e Marie Shllakut, Pejë 1995, f. 9.

[9] Gojko Medenica, Nata e frorit ( Aksioni për zënien e komandantit të bandave balliste për Kosovë e Metohi, Ukë Sadikut), Rilindja 25 shkurt 1965.

[10] Po aty

[11] Branisllav Bozhoviq, Milorad Vaviq, Surova vremena na Kosovu i Metohiju, Beograd 1991, f. 539.

[12] Rilindja, 27 shkurt 1965.

[13] Rajko Vidaçiq, Obraqun sa ballistima 1944-1945, Beograd 1990, f .65-66.

[14] Tahir Z. Berisha, Emrat që nuk harrohen, Prishtinë 1996, f. 389.

[15] A.V.I.I. nj. K. 61, 23- 27.

[16] Po aty, 12/ 1b -34b- 37

[17] Vasfi Samimi Visoka, Nëna Kosovë, Tiranë 1995, f. 39.

[18] Kolë Bibë Mirakaj gjatë Italisë fashiste , në Qeverinë Shqiptare deri në vitin 1943 ishte ministër

[19] Nga deklarata e Marie Shllakut dhënë hetusve në qershor 1946.

[20] Tahir Z. Berisha, Emrat që nuk harrohen, Prishtinë 1994, f. 206-207.

[21] Muhamet Mjeku, Lufta e Drenicës, Prishtinë 1991, f. 146.

[22] Po aty, f. 147.

[23] Gojko Medenica, Nata e frorit ( Aksioni për zënien e komandantit të bandave balliste për Kosovë e Metohi, Ukë Sadikut), Rilindja 25 shkurt 1965.

[24] Aktgjykimi i Gjon Serreqit nr. 66/47

[25] Rilindja 1, mars 1965.

[26] Hasan Shala, Izet Hoti, Besa e gurit, Prishtinë 1996, f. 61.

[27] Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë 1991, f. 487.

[28] Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore

[29] Rilindja 1, mars 1965

[30] Dr. Daut Bislimi, Formacionet politiko- ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë 1997, f. 230.

[31] Po aty, f. 231.

[32] Rekapitullimi i UDB_es pas vitit 1947. Dr. Sabile Keçmezi- Basha, Formimi dhe veprimtaria e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Kosovë nr. 18-19, Prishtinë 1997, f. 171-181.

[33] Ahmet Qeriqi, Kongresi i Lipovicës-ngjarje e rëndësishme e rezistencës popullore, Bujku 1996, 24 janar.

[34] Dr. Muhamet Pirraku, Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë 1992, f. 55.

[35] Raporti nga gjykimi i anëtarëve të ONDSH-së në Shkup, “Borba” 28-29 janar 1947.

[36] Sinan Hasani, Kosova të vërtetat e mashtrimet, Prishtinë 1986, f. 140.