E premte, 13.12.2019, 07:22 AM (GMT)

Editorial

Bajrush Behrami: Parat, elita politike, brengat dhe varfëria e popullit

E merkure, 13.01.2010, 09:58 PM


PARAT, ELITA POLITIKE, BRENGAT DHE VARFERIA E POPULLIT

Nga Bajrush Behrami (sekretar i Shoqatës së të burgosurve politik, në Podujevë)

Të ardhurat personale të zyrtarëve me poste të larta, dallojnë tmerrësisht shumë nga ato të shërbyesve tjerë. Qeveria do duhej që këto rroga të ulen paksa dhe kështu të kursej mjete për ato shtresa që janë në nevojë, ashtu siç do duhej që të rishikoj zvogëlimin e rrogave në ndërmarrjet publike ku qeveria i menaxhon, sepse atje edhe vet qeveria mund tua ketë lakmi ndryshimin e madh të ardhurave.

Pasuria nga vjedhja e taksapagueseve e disa zyrtareve shtohet, me letra thonë se janë të pastër.

Viti 2010, ka filluar ashtu siç jemi mësuar të fillonin edhe vitet tjera, me pak befasi e shumë premtime. Me gjithë të rejat që do na i sjell viti 2010, siç janë ndryshimet në qeveri, apo fillimi i realizimit të “skenarit” të paralajmëruar nga EULEX-i, për arrestime të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin. Duke filluar nga zyrtarët e lartë, e të tillë ka mjaft, por që ky do të ishte fillimi i prurjes në jetë; mbrojtjen e ligjit nga ana e EULEX-it, për çka janë edhe këtu me mandat nga BE-ja. Zyrtarët e tyre thonë se kanë shumë dosje dhe se  hetimi ndaj tyre merr kohë. Pajtohemi. Këto paralajmërime të bëra nga zyrtarët kompetent të kësaj force ndërkombëtare të instaluar në Kosovë, nëse i bëjnë realitet atëherë do të fillonin demontimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Sigurisht se diçka e tillë do të mirëpritej nga  popullata e varfër e Kosovës. Nëse një gjë e tillë do të ndodh, të paktën njerëzit do të mendonin se diçka  më në fund ka filluar të ndodhë. Megjithatë ky fillim i mbarë sa mundet dhe pështjellohet nga vet zyrtarët e institucioneve të Kosovës. Madje lirisht mund të themi se kjo gjeneratë politikanesh të pacipë që mendojnë  fillimisht për atë çka u hyn në xhep  kanë kapur pushtetin dhe shtetin sa për ta shtrydhur dhe  plaçkitur deri në asht. E vërteta qëndron në atë se logjika për tu pasuruar ende mbetet si prioritet i kësaj kaste marroqe e cila gjoja brengoset për shtetin e Kosovës, sa herë që për mode duhet të “mbrohet” Kosova nga strukturat paralele, apo nga shërbimet inteligjente serbe të cilat veprojnë pa u trazuar në Kosovë. E vjetra (rritja e rrogave për deputetët) me të renë (me dhuratën paga e 13-të) janë risi e fillim vitit. Sigurisht se e kjo elitë politike këto mijëra euro i marrin. A mos dhanë ndonjë rrogë ndonjëherë për ndonjë familje të varfër. Kurrë s’ kam dëgjuar. Nejse!

Problemet e sigurisë që i ka Kosova nuk janë të pakta. Pjesa veriore e Kosovës, Mitrovica matanë Ibrit dhe një pjesë e mirë e territorit të shtetit tonë, as pas kaq vjetësh nuk kontrollohet nga Qeveria e Kosovës. Përzierja e Beogradit në fusha të ndryshme në Kosovë, që nga siguria, drejtësia etj, është shumë e dukshme, duke filluar nga emërimi i gjykatëseve në gjithë komunat me shumicë serbe është sfida edhe  e shtetit të Kosovës, por edhe e faktorit ndërkombëtar. Pushtetarët tanë “brengat” e tyre ua japin  mediave dhe këto deklarata-brenga harrohen ende pa u tharë boja në letër, apo me sa  zëri i tyre të shpërndahet në etër, duke mos bërë asgjë praktike. Dhe duhet thënë se brengat e elitës politike të Beogradit janë tjera nga këto të elitës sonë, sepse ata parësore kanë strategjinë e realizimit të interesave të tyre kombëtare dhe shtetërore,/kjo u pa me heqjen e vizave/ për ndryshim nga kjo e jona e cila ka strategji për të zhvatur para, fshihet thellë në sedrën e tyre.

Thuhet se do të behet “formatizimi” i qeverisë, por që opinioni ynë nuk e din pse do të bëhet. Ku janë dobësitë e atyre ministrave që duhet të ndërrohen? Zgjedhësit duhet ta marrin një njoftim se cili nga ministrat e qeverisë ka çaluar, apo këto çalime janë dobësi e gjithë qeverisë. Ndoshta! Nuk jam kundër ndryshimit në qeveri, sepse ndryshimet janë pjesë e punës të një kabineti qeveritar dhe si të tilla do sjellin  rifreskim, por që ky rifreskim të jetë i njëmendët, e jo të shkoj njeri ministër, apo disa ministra dhe të sillen disa të tjerë sa për të thënë se ja ne jemi këmbëngulës që të shkojmë përpara me ndryshime.

Pas zgjedhjeve të 2007, Thaçi e pat filluar mirë. Ai pat deklaruar se nuk do të ketë rroga të dyfishta dhe një varg deklarimesh tjera të cilat shtresat ma të varfra i patën mirëpritur, por meqë këtu tjetër flitet dhe tjetër punohet, sërish filloi me avazin e vjetër. Mangësia e kësaj qeverie, ashtu si e të gjitha qeverive tjera, është se gjithnjë janë marr pikërisht individë për të cilët më së shumti është përfolur për ta për afera të ndryshme e korruptime. Sigurisht kemi dëgjuar edhe të atillë që thonë se ‘me letra janë të pastër. Po pra. Me letra janë të pastër, ndërsa pasuria përrallore u shtohet. Pse bëhet kjo, sepse  jo veç mungesa e ligjeve, sa është edhe mungesa e dëshirës për tu përballur me këto fenomene, edhe si shoqëri edhe si institucione. Ndryshimet në qeveri duhet të bëhen, por që ato ndryshime të përfshijnë së pari njerëz kualitativ në aspektin intelektual dhe moral. Të jenë ekspert të fushave të tyre dhe  të pa kompromis në luftimin e atyre që shkelin rregullat dhe ligjet. Tash së fundi doli se edhe anëtar nga qeveria e Kosovës janë në listën e “zezë” të administratës amerikane. Një superfuqi siç janë SHBA-të, që aq shumë bënë për Kosovën dhe popullin e saj dhe të këtë vështrim kritik për individ të caktuar të kabinetit, kjo do duhej që të ishte brengosëse. Së pari për imazhin e qeverisë. Nuk di se ç’ farë mendon kryeministri, por sigurisht se kjo punë do të duhej sqaruar me ambasadën amerikane se ku qëndron problemi. Përderisa këta zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë në këtë listë duhet të mendojnë, a mos shërbimet inteligjente të SHBA-së kanë  gabuar në krijimin e dosjeve të tyre, apo janë të vërteta. Qeveria duhet që miqve amerikan t’ua sqaroj se këto që ata thonë nuk janë të vërteta, apo nëse janë atëherë duhet shikuar pozicioni i tyre në këto institucione. Unë besoj se  lidhur me përzgjedhjen e individëve në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe qeverinë duhet të jenë moralisht të pastër në mënyrë që kjo pastërti të reflektoj jo vetëm te qytetari i Kosovës, por edhe te faktori ndërkombëtar.




(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT