E enjte, 25.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Speciale

Kujtim Mateli: Shqipëria e jugut në shekujt XV-XVI dhe Mazhani me famë në histori

E marte, 12.01.2010, 10:56 PM



Pamje nga Mazhani
Pamje nga Mazhani

Shqipëria e jugut në shekujt XV-XVI dhe Mazhani me famë në histori

Nga Kujtim Mateli

Për Mazhanin në rrethin e Përmetit është folur kalimthi, por historia e tij është e hershme dhe sa më larg të zhytemi në historinë e tij, aq më afër na shfaqen konturet e një qytetërimi që pret në radhë të parë dorën e arkeologëve, por edhe të studiuesve të fushave të ndryshme që mund të zbardhin sadopak historinë e tij.
Po le të njihemi më nga afër:
Mazhani ndodhet në pjesën veriperëndimore të rrethit të Përmetit, fillon aty ku ngrihet qafa e Kiçokut dhe në një gjatësi rreth 5 km. shtrihet përgjatë rrëzës së Trebeshinës. Në juglindje kufizohet me fshatin Psarr. Ndërsa në lindje dhe veri ka fshatrat Ballaban dhe Komorak. Sipërfaqja e tij është rreth 15 km katror. Në vitet 70-të, nga fshati Mazhan, për arsye organizimi u shkëput një pjesë e tij dhe formoi fshatin Kondas. Po meqë këtu flitet për periudha të hershme, territor i Mazhanit do të konsiderohet ashtu sikundër fshati ka qenë para viteve 70-të. 
Për të kuptuar më mirë madhështinë e tij, le të shohim institucionet fetare që kanë qenë përdorur nga banorët e këtij fshati: 
Besimi i banorëve të sotëm është ai i bektashinjve. 
1- Teqeja e Kiçokut.
Kjo teqe ka qenë institucioni më i rëndësishëm i besimit të bektashinjve. Ajo nuk u ka shërbyer vetëm banorëve të Mazhanit, por edhe të fshatrave përreth. Pas viteve 90-të u rindërtua nga Alizot Canollari. Sot është bërë një qendër e rëndësishme e besimit fetar.
2-Mekami në qendër të fshatit Mazhan.
Mekami ka qenë tepër i frekuentuar nga banorët e fshatit. Pas viteve 90-të u rindërtua përsëri.  Data 24 qershor është lënë si dita e takimit të banorëve të fshatit që janë larguar dhe ky takim realizohet në mjediset në afërsi të mekamit. Në këtë ditë përveç banorëve të larguar vijnë dhe ata nga fshatrat përreth.
3- Vakëfi. Diku në krye të fshatit gjendet një vend që e quajnë vakëf. Në dokumentet osmane figuron që nga viti 1583.

4-Xhamia e Psarrit. 
Ishte në kufirin që ndan Mazhanin nga Psarri. Nuk duhet të ketë funksionuar gjatë, pasi prej banorëve nuk ka të dhëna që ky institucion të ketë ushtruar funksionin e tij.
5-Kisha e Shën Mitrit
Në fund të fshatit Mazhan në lindje të tij është një vend që që quhet Shën Mitri. Emri i këtij vendi lidhet me një kishë që i ka shërbyer fshatit. Kujtimet për të janë të mjegullta nga banorët e fshatit, por gjithësesi emri i vendit na tregon praninë e këtij institucioni të krishterë në këtë mjedis. 
6-Kisha e Kreshovës.
Ajo ndodhet në lagjen Kreshovë. Vendodhja e saj është e përcaktuar. Para vendit të quajtur Sheshi i Melicës ndodhen rrënojat e kishës. Dy emërtimet: Kisha dhe Rrethi i Kishës lidhen me këtë institucion të krishtërimit.
7-Kisha e Kondasit.
Po në lagjen Kondas a mund të ketë patur një kishë?
Sipas gojëdhënave edhe kjo lagje ka patur një kishë, por nuk ka një emërtim vendi që mund të japë të saktë vendndodhjen e saj. 
8-Bregu i kryqit
Në fund të fshatit, në një kodër të dukshme, është një vend që quhet : “Bregu i kryqit” Këtu ka qenë një kryq që shërbente jo vetëm për banorët e fshatit, por edhe më gjerë. Ky kryq i vendosur në këtë kodër shihej nga më shumë se 5 fshatra. Ai  bënte edhe lidhjen midis tri kishave, sepse që këtej mund të shiheshin qartë Kisha e Kreshovës, e Kondasit dhe ajo e Shën Mitrit. Mazhani i shekujve të shkuar, me dy kisha të rëndësishme dhe me një kryq që dukej gjatë gjithë segmentit të rrugës Bubës-Këlcyrë, sidomos në pjesën e mesme të këtij segmenti, e ka bërë Mazhanin të ndihej krenar për besimin e tij. Për kryqin e Mazhanit thuhej se kishte lartësinë e një ndërtese dy katëshe . Me këto përmasa ishte i dukshëm ngado që kodra e kryqit mund të shikohej. Një kilometër më lart shtrihet një tjetër kodër që nga banorët quhet Lisi i Belçit. Në krye të saj ka qenë një lis gjigant. Tregojnë se, kur ishte ditë e kthjellët, ky lis dukej që nga Konica.  Nga këto dy maja kodrash banorët e Mazhanit vështronin Tomorrin dhe i drejtonin atij lutje.

Vende të shenjta që i përkasin besimit të vjetër të shqiptarëve.
9- Lisi i shenjtë i Kreshovës
Ky lis gjendej në oborrin e njërës prej shtëpive. Duke qënë i veçuar kishte patur të gjithë hapësirën që të formonte një kurorë të ndryshme nga ajo që e formojnë lisat që ndodhen në një pyll. Kurora e tij ishte në formën e një ombrelle. Kishte një lartësi që shkonte rreth 20 metra. Degët e fundit mbullonin një sipërfaqe të madhe dhe vende-vende gati sa nuk preknin tokën. Ishte i pacënuar. Kurrë nuk e kishte provuar sopatën. Ndonjë degë e thatë që rrëzohej, nuk digjej në zjarr. Largohej dhe hidhej diku që të mos e shkelte këmba e njeriut. Ishte një lis madhështor .
10- Lisi i shenjtë i Goxhajt.
Ky lis mund të ketë qenë më madhështori në të gjithë krahinën. Lartësia e tij shkonte deri në 30 metra. Ndodhej në lëndinën e një pylli, por në afërsi të tij kanë banuar njerëz. Diku, në lindje, janë gërmadhat e një shtëpie të vjetër. Njeriu e kishte të pamundur ngjitjen në të. Nga të gjithë lisat përreth, ishte i fundit që e humbte gjelbërimin. Njerëzit e konsideronin të shenjtë. Mbi degët e tij nuk ishte dukur ndonjëherë dora e njeriut me sopatë. Dora e njeriut mund t`i drejtonte atij vetëm lutje.
Këto kanë qenë disa nga vendet ku njeriu përulej para Zotit. Mund të ketë patur dhe të tjera vende të shenjta, por koha ka bërë punën e saj. Ka fshirë nga kujtesa e njerëzve një pjesë të kësaj historie. Po gjurmët e saj nuk ka mundur t`i ruaj të plota as toka. Megjithatë, 10 vende të shenjta janë të mjaftueshme për të parë madhështinë e banorëve të këtij fshati që nuk i humbi kurrë lidhjet me trojet e veta edhe në kohët më të vështira. 
Le t`i referohemi një pike në historinë e këtij fshati që ndodhet i dokumentuar në defterët e perandorisë osmane

Mazhani në kohën e pushtimit osman
  të kuptohet historia e fshatit Mazhan do të  shkojmë në një periudhë historike që është e dokumentuar nga arshivat osmane dhe ky është viti 1583. Për Mazhanin gjejmë këto të dhëna: 
Fshati Mazhan (në tekst Mazheni) Mevkuf-banojnë këtu tre bylyqe; shtëpi 83, vejusha 7, beqarë 9. Të ardhurat 5122 akçe.
Nev-jaft i zbuluar nga Kolojani në fshatin e lartpërmendur
Mazhani (pasi u përfshinë edhe shtëpite e parregjistruara) kishte:
Shtëpi 112  dhe të ardhurave të mësipërme u shtoheshin edhe  4890 akçe.

Për të kuptuar më mirë pjesën e mësipërme le të shpjegojmë edhe disa nga emërtimet të cilat na u bënë të qarta gjatë studimit të dosjeve të kohës së Perandorisë Osmane të kësaj periudhe. 
1- Mevkuf. Tokë ose pronësi tjetër të destinuara t`u shërbenin institucioneve fetare. Më vonë u quajtën vakëfe. Mazhani kishte një vakëf i cili ndodhej atje ku ne sot i themi: vakëf. Në këtë vend sot është shkolla 8-vjeçare.
2- Nev-jaft. A) Jashtë defterit, e tepërt, tepëricë. Tokë e rigjetur. Spahinjtë kishin tendecë që disa familje të mos i rregjistronin me qëllim që një pjesë të të ardhurave ta merrnin për vete. Në rastin konkret në fshatin Mazhan nuk ishin rregjistruar 29 familje dhe bashkë me to edhe toka edhe të ardhura të tjera që kishin në pronësi.
3- Bylyqe. Nga osmanishtja. Grumbuj. Në këtë rast ishin tre grumbuj me shtëpi dhe në rastin konkret duhet të ketë qenë: Mazhani (qendër) Kreshova dhe Kondasi dhe këto dy të fundit deri në vitet shtatëdhjetë kanë qenë lagje të Mazhanit. Pra në vitin 1583 Mazhani ka qenë një fshat i madh që përfshinte territorin ku shtrihet Mazhani i sotëm dhe i lagjeve Kreshovë dhe Kondas të cilat rreth vitit 1970 u shkëputën nga Mazhani për arsye të rritjes së popullsisë dhe krijuan fshatin Kondas.

4- Akçe. Njësi matëse me të cilën vlerësoheshin të ardhurat në vlerë. Shembull: Taksa e mullirit ishte 5 akçe në muaj. Një kilogram grurë vlerësohej me 10 akçe. Një kilogram elb ose thekërr 6 akçe.
Po cilat ishin zërat që tatoheshin në këtë periudhë(duke marrë për bazë vitin 1583):  Taksë kullote, e dhjeta e zgjojve të bletës, taksë për perimet, taksë shpendësh, nijabeti dhe taksa e martesës, taksa e drithrave, e dhjeta e vajit të ullirit dhe taksa të tjera sipas zërit të të ardhurave, mulli etj. Ishte gjithashtu dhe taksa e bekçiut (rojtarit të fshatit)
Fshatra me emrin Mazhan në Livanë e Janinës. 
Në Livanë e Janinës janë dy fshatra me emrin Mazhan. Njëri ndodhet në Nahijen (krahinën) e Malakasit dhe tjetri në Nahijen e Radovizit. Është për t`u theksuar se në Nahijen e Renjasës ndodhet një fshat me emrin Ballaban.
Le të shohim konkretisht njërin nga fshatrat me emrin Mazhan, atë që ndodhet në Nahijen e Malakasit. 
Fshati Mazhan, timar i Ibrahim Çaushit, çaush i mirmironit të Rumelisë, varet nga Malakasi. ( në Livanë e Janinës rregjistrimi është bërë sipas familjeve.)
Gjonço Selo
Jorgo Teodori
Dimo Farmaqi
Llukë Dimo
Ishtana Kllaqi
Dimo Istathi
Niko Istathi
Miho Gjoni
Niko Leka
Jorgo Leka
Ishtamo Marko
Dokë Bernano
Jani Petri
Jorgo Aleksi
Ishtano Jorgo
Petro Jorgo
Dhikë Jani
Jorgo Jani
Miho Jorgo
Ishtana Murali
Niko Stefo
Jani Niko
Dimo Nika
Istefo Gjoni
Jani Ishtaniani
Doke Nika
Istathi Jorgo
Jorgo Dimo 
Gjithësejt 28 familje.
Ajo që na intereson është se a ka ndonjë lidhje midis fshatit Mazhan në rrethin e Përmetit dhe atij të Janinës? Vështirësia qëndron në faktin se në Mazhanin e Përmetit rregjistrimi nuk është bërë sipas familjeve. Ajo që do të na vijë në ndihmë është të shohim emrat e vendeve, sepse emrat e vendeve janë rregjistri më i mirë atje ku mungon dokumentacioni.
Veçojmë disa emra dhe mbiemra familjesh që kanë një lidhje me emrat e vendeve në fshatin Mazhan dhe konkretisht në lagjen e Kreshovës. Ja disa nga emrat e vendeve që do t`i krahasojmë  me emrat e familjeve të fshatit Mazhan të Janinës.
Emrat e vendeve në Mazhan të Përmetit: Doko, Lisalekaj (Lisat e Lekës) Qafa e Stefës (e cila ndodhet përballë lagjes Kreshovë.
Emrat e familjeve në Mazhan të Janinës: Niko Leka, Jorgo Leka, Dokë Bernano,  Dokë Nika, Niko Stefo.
Nga krahasimi shohim se mbiemrat Leka, Stefo dhe emri Dokë,  të fshatit Mazhan të Janinës u përgjigjen emrat e vendeve: Doko,  dhe emrat në gjinore e Lekës dhe e Stefës. (Lisat e Lekës dhe Qafa e Stefës) Kështu duke patur në dispozicion një material me emra vendesh dhe njerëzish mund të arrijmë në një konkluzion se ndërmjet Mazhanit të Janinës dhe Mazhanit të Përmetit ka patur një lidhje midis tyre që është realizuar nga lëvizja e popullsisë ndërmjet këtyre dy fshatrave. 
Krahasimi i fshatit Mazhan me qendrat e tjera të banuara të asaj periudhe(sipas rregjistrit të vitit 1583 dhe më parë.)
Në vitin  1427 kemi një rregjistrim të disa qyteteve të Shqipërisë. Popullsia e këtyre qyteteve paraqitej shumë e kufizuar.
Argirikasri  (Gjirokastra) 121 shtëpi
Himara …………………………117 shtëpi
Sopoti ……………………………60 shtëpi
Kanina…………………………216 shtëpi
Klisura (Këlcyra)………….100 shtëpi
Belegradi (Berati)………….175 shtëpi
Në këtë mënyrë, secili nga këta qytete paraqitet në gjëndjen e një fshati të madh. Kështu po të krahasojmë Mazhanin sipas rregjistrimit të vitit 1583, me 112 shtëpi, del se Mazhani ka qenë një qendër e rëndësishme në atë peridhë dhe më parë në periudhën mesjetare.  Po të shtojmë se qendrat e mësipërme: Argirikasri  (Gjirokastra, Himara, Sopoti, Kanina, Klisura (Këlcyra) dhe Belegradi (Berati) filluan të luanin rolin e qëndrave të zonave të mësipërme, ato erdhën duke e rritur numrin e popullsisë së tyre me familje që zhvendoseshin nga fshatrat përreth, drejt këtyre zonave të banuara  dhe kështu lindën qytetet ku banorët e fshatrave përreth shkonin atje për të shitur prodhimet e tyre dhe për një sërë shërbimesh të nevojshme për të përballuar jetën në fshat. Pra Mazhani  me 112 shtëpi, ndodhet midis Këlcyrës me 100 shtëpi dhe Argirikasri  (Gjirokastra) 121 shtëpi. Po Mazhani  para vitit 1583 duhet të ketë qenë edhe më i madh, sepse që nga koha e pushtimit osman, fshatrat filluan të braktiseshin në dy drejtime kryesore:  
a) drejt vendeve ku mundoheshin t`u shpëtonin  taksave. Kështu mund të ketë ndodhur që Mazhani i Janinës të jetë formuar me banorë të fshatit Mazhan të rrethit të Përmetit. Kjo për faktin se ndërmjet dy fshatrave ka elementë që e vërtetojnë këtë lidhje. Por edhe lëvizja e popullsisë ka qenë në drejtim të jugut,  të cilat ishin relativisht më të qeta si dhe në drejtim të Perëndimit (Itali) dhe në Lindje. Atje ku është vendosur Mazhani i Janinës në atë periudhë, ka qenë toke e banuar nga shqiptarët, kështu që kjo lëvizje është kryer pa vështirësi. 
b) drejt qyteteve ku filluan të punonin në mjeshtëri të ndryshme. Këtë e shohim nëse do t`i referohemi një rregjistrimi të mëvonshëm, pas 156 vjetësh, atij të vitit 1583 shohim se Gjirokastra numëron 369 familje të krishtera. Këlcyra kishte 244 familje. 
Pra rritja e qyteteve erdhi si rezultat i ardhjes së familjeve nga fshatrat përreth. Kështu Mazhani duhet të ketë qenë më shume se 112 shtëpi në vitin 1427. 
Edhe vetë qyteti i Përmetit në vitin 1583 kishte:
 42 shtëpi me kryefamiljar të martuar dhe
4 shtëpi me beqarë
Pra shohim se Mazhani ka patur një numër më të madh shtëpish se i Këlcyrës dhe i Përmetit. Atëhere shtrohet pyetja. Cilat kanë qenë arësyet  që Mazhani të ketë qenë një nga fshatrat më të zhvilluar në numër popullsie dhe cili ka qenë roli i tij në luginën e Dëshnicës dhe atë të Vjosës? Në këto kushte përgjigje do të marrim nga arkeologjia dhe nga gjuhësia duke bërë gërmime tek vendi i quajtur Sheshi i Melicës dhe duke analizuar emrat e vendeve për të përcaktuar kohën e emërtimit të tyre.
1- Në lagjen Kreshovë, pjesa tek kisha, kërkon medoemos dorën e arkeologut për të thënë më shumë për këtë fshat. Në vitet 60-70-të, kur toka u punua për herë të parë me traktor, në një sipërfaqe disa dynymëshe, dolën në sipërfaqe copra të shumta qeramike. 
2- Emrat e vendeve. 
Në lagjen Kreshovë ekzistojnë emërtime që na tregojnë se ky vend ka qenë i banuar herët. Është i banuar në ato periudha kur prona nuk ishte ndarë midis individëve, por përdorej bashkërisht.Të kësaj kohe janë emërtimet: Thanëz, Polig, Kallf, Drepale, Sheshi Melicës etj. Këto janë parcela që kapin sipërfaqe disa hektarëshe. 
Kur individët filluan ta ndanin tokën midis tyre për të prodhuar më shumë, brenda këtyre parcelave disa hektarëshe gjejmë emrat e pronarëve që i zotëronin këto parcela të vogla . Psh. Emërtimi i sipërfaqes Thanëz kishte brenda saj rreth 20 pronarë, parcelat e të cilëve mbanin emrat e pronarëve ekzistues, por edhe të atyre të mëparshëm.  
2-a Për emrin e vendit Melica
Për të gjykuar për kohën e formimit të këtij emri le të shohim elementët përbërës të tij: mel-icë. Për të gjykuar mbi fjalën mel-, le të shohim se si është përfituar ajo duke parë etimologjinë e fjalës: ëmbël.
Etimoligjia: ëmbël, ambël. Eqerem Çabej, pasi citon një sërë autorësh që janë marrë për të shpjeguar etimilogjinë e kësaj fjale më në fund vëren: “ Etimologjikisht është më fort refleksi i një baze *a’-mel-, duke përmbajtur te –mel-trajtën e shkurtuar të mjalt-it. Kështu “i embël” është dhënë në shqip me një fjalë të kuptimit “ i llojit të mjaltit” si het. milittu “i ëmbël”: milit “mjaltë”. Elementi a- do të gjykohet si te ager, avull, veçse në toskërishte përpara m-së u ndërrua në ë. Të ëmbël, ambël –b- është tingull sekundar homorganik zhvilluar pas m-së, si te: të mbëdha, flambur, embër, zembër etj.” (Eqerem Çabej, studime etimologjike në fushë të shqipes fq.170). 
Pra mel- është trajta e shkurtuar e fjalës mjaltë. 
” …pranë ambël, kjo pas mendimit tim a-mel, prej indoeur. mel- shq. mjaltë”. (Eqerem Çabej “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” fq. 122) 
Siç shihet emri melica ka në rrënjë të tij emrin indoeuropian të fjalës mjaltë. Ka shumë mundësi që ky vend të jetë quajtur fillimisht “Sheshi mel-it” dhe më vonë me lindjen e prapashtesave në gjuhën shqipe për formimin e fjalëve të reja të jetë shtuar kjo prapashtesë(-ica) në kohë të vonshme. 
2-aa.Që fjala mel- është emri indoeuropian i mjaltit mund ta vërtetojmë edhe në një mënyrë tjetër:Emri indoeuropian mel- është ruajtur dhe tek një emër i përgjithshëm: hamel. Ky emër ka qenë i përdorshëm shumë tek banorët e këtij fshati. Kuptimi i tij ka qenë: njeri që dëshiron që tjetri të mos jetë mirë, të ketë sa më pak pasuri dhe punët t`i shkojnë sa më keq. Për këtë njeri thoshin se ka hamelin në bark. 
I kundërti i këtij njeriu është ai që gëzon që tjetrit t`i shkojnë punët sa më mirë. Për të thoshin se nxjerr mjaltë nga goja apo e ka barkun behar. Pra e keqja dhe e mira mbaheshin në bark. 
Po si është përfituar fjala hamel? Ajo është e ndërtuar nga dy fjalë kuptimplote: ha dhe mel (mjaltë). I miri, ai gojëmjalti, ai që e kishte barkun behar, ai ishte dhe bartës i mjaltit që e bënte kaq të mirë. Nëse sot themi: e ka barkun behar, në kohë të moçme duhet të jetë përdorur shprehja: ka melin në bark. Njeriu i keq kishte në bark atë që i hante melin, pra hamelin. Melin,(mjaltin) e hante ajo ndjenja e keqe, që kërkonte ta shihte njeriun të vuante. Njeriut që identifikohej se e mbante këtë ndjenjë të keqe i thoshin: hamelzi.
2-b Për emrin e vendit Drepale.
 “Drip. Këtë fjalë të Leotit, Resteli e çon te rrënja indoeuropiane drep-;”(Eqerem Çabej, studime etimologjike në fushë të shqipes fq.140). 
 Pra drep- është një nga fjalët më të vjetra në gjuhën shqipe. Në kuptimin e sotëm ajo nuk përbën më fjalë. Por si një nga fjalët e para indoeuropiane e përdorur dhe në gjuhën shqipe, sigurisht që ka patur kuptim. Kjo mund të vërtetohet dhe nga fjala angleze drop (në kuptimin pikon, bie pikë-pikë, kullon, si dhe  bie, rrëzohet, shembet, vidhiset). Fjala drepale ka dalë nga drep+ale (prapashtesë). Por derisa në gjuhën shqipe të jenë përdorur prapashtesat për formimine fjalëve të reja, fjala drep është përdorur në kuptimin e përafërt me fjalën angleze drop ( kullon, bie, rrëzohet). Vendi  i quajtur drepale është një arë rreth dy ha. dhe që vazhdimisht  rrëshqet (rrëzohet),sepse përshkrohet nga ujra që kullojnë në pjesë të ndryshme të kësaj parcele që ndodhet ndanë një përroi. Nisur nga sa thamë  më sipër shqipja duhet ta ketë përdorur fjalën drep- për rrëzoj, ashtu sikundër është sot kuptimi në anglisht për drop. Emri i vjetër drep- nuk u përdor në kohët e mëvonshe, ndoshta për shkak të fjalëve të reja sinonime me të.
Së këtejmi mund të arrijmë në konkluzionin se ky fshat është banuar qysh në periudha të moçme dhe asnjëherë nuk ka mbetur i pabanuar edhe kur kanë ndodhur lëvizje masive. 
2-c Për emrin e vendit Thanëz
Thanëz është formuar nga fjala thanë me prapashtesën z-, por jo si prapashtesë zvogëluese. Në këtë rast është përdoruar për të formuar emrin e një vendi.
Me studimin e prejardhjes së kësaj fjale nga një rrënjë indoeuropiane janë marrë shumë studiues të kësaj fushe si Kamarada I, G. Meyer, Hahni etj. Pederseni thoshte: “Thana e shqipes është e afërt me irlandishten congan “bri”.
Ndërsa Eqerem Çabej thoshte: “Në punë të gurrës së kësaj fjale në lagjen e indoeuropinistikës, gjer më sot fjala e fundit nuk është thënë” (Eqerem Çabej “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe” fq. 217)  Si shihet kemi të bëjmë me një emër vendi shumë të vjetër.

2-d Për emrin e vendit Kallf. 
Emri i vendit Kallf ka dalë nga fjala kall, duke i shtuar një f- si në rastet e mësipërme për të formuar një emër vendi.
” G. Myeri …kall (edhe në Alb. Studien III 3) e afron me ind. e vjetër Kalayati…” -;”(Eqerem Çabej, studime etimologjike në fushë të shqipes fq.259).
 Pra fjala kall e gjuhës shqipe është një folje indoeuropiane e cila është në përdorim në gjuhën  e përditshme. Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe gjejmë emrin kallf me përkufizimin “ Zejtar që punon si ndihmës i ustait”. Me këtë kuptim e gjejme edhe në një poezi të Sefulla Malëshovës. Kuptimi i kësaj fjale është i vonshëm, sepse ai ka fillur të përdorej në kohën kur lindi zejtaria dhe që duhet ta ketë zanafillën e saj në kohën e përpunimit të metaleve.  Po tek banorët e Mazhanit ajo ka dhe një kuptim tjetër që është më i hershëm. Përdoret për njerëzit që nuk janë shumë rezistent. Është kallf,- thuhet  për njerëzit që në të parë mund të mos dallojë, por që trupi i tij nuk përballon asgjë.
Po përse ndihmësit të ustait i dhanë emrin: kallf? Nëse ustai është një njeri i shkathët që në farkën e tij godet metalet dhe i përpunon siç i duhen, ndihmësi i tij qëndron i palëvizur, duke mbajtur me anë të një ganxhe metalin që përpunohet.Është kallf ( I thoshin ndihmësit të ustait) sepse ai qëndronte pothuaj gjithë ditën në këmbë, i palëvizur. 
Njeriu i ngathët dhe jo rezistent thirrej:kallf
Ndihmësi i ustait e mori emrin kallf nga ky tipar i njeriut.
 Por mendoj se emri Kallf, si emër vendi, të jetë më i hershëm se kuptimi që i kanë dhënë banorët e këtij fshati si emër i përgjithshëm.
2-dh. Për emrin e vendit Polig.
Ky emër është formuar nga rrënja indoeuropiane poli- duke i shtuar një g- për të formuar nga emri i përgjithshëm një emër vendi. Po ky vend mund të jetë shkaku që është populluar që nga kohët më të hershme dhe nuk është braktisur në mënyrë të plotë nga banorët e tij. Poli në greqisht do të thotë : shumë. Ky duhet të ketë qenë edhe kuptimi në gjuhën shqipe. Poligu ka qenë një vend disa hektarësh ku qindra dru arre rriteshin në atë vend. Arra duhet të ketë qenë ushqim kryesorë tek banorët e tij, një ushqim që përfitohej pa i kryer asnjë shërbim. Ndaj para një përfitimi kaq të madh, askush nuk kishte arsye që të largohej. 
Banorët e tij kishin një nderim të veçantë për drurin e arrës. Ata gati e kanë konsideruar si të shenjtë. Arra nuk pritej pa shkak. Tek banorët e tij ka ekzistuar një mit i çuditshëm. Arra nuk mbillej. Nëse dikush e mbillte, do të vdiste. Ky veprim i pa arsyeshëm për kohën tonë, duhet të ketë patur në zanafillë të tij një veprim teje të arsyeshëm. 
3- Kapërcimi i gjendjes indoeuropiane
Mazhani na tregon se kjo trevë ka qenë e banuar që nga koha kur shqipja duke e zgjeruar bazën e saj indoeuropiane po kalonte në krijimin e dialekteve: gegërishtes dhe toskërishtes. Mazhani dhe mbarë treva e Përmetit, si pjesë e atij grupimi që formoi dialektin e toskërishtes, ruan në emra vendesh fjalorin e vjetër indoeuropian, të cilin  nuk mundi ta ruante dot në të folurën e përditshme. Ky fjalor (fjalori i emrave të vendeve) do t`na ndihmojë të depërtojmë në misterin e mijëvjeçarëve para lindjes së Krishtit.

Parajsa me emrin Mazhan.

Por këtij pylli me arra, po t`i shtojmë dhe klimën e ngrohtë, vend i parrahur nga erërat, i shtrirë në një lartësi që shkonte nga 300- 500 metra mbi nivelin e detit, me një pyll që shtrihej në pjesën veriore të tij dhe që thirrej: Shullë, ku rritej derri i egër, kaprolli dhe dhjetra kafshë të tjera që i përdornin si ushqim gjatë gjithë vitit, me bletë të shumta që i rritnin fshatarët, por që i gjeje lehtësisht në pyllin e Shullërit dhe më tej në Derven, e bënin Mazhanin një mrekulli për banorët e saj. Lisat në ledhet e arave ku rritej hardhia dhe që banorët u thonë kuaj, drurët e shumtë frutorë: molla, qershia, fiku, dardha dhe dhjetra të tjera e bëjnë Mazhanin një fshat të kompletuar që nuk i ka munguar asgjë. Për Mazhanin më shumë se kudo gjetkë vlejnë ato vargjet e Naimit: “Bota qëkur është zënë/ Shqipëria gjallë ka qenë”.  



(Vota: 54 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Avzi Mustafa: Akademik Olivera Jashar - Nasteva - 10 - vjet e mertisur dhe e harruar Qazim Namani & Behxhet Dibrani: Gërmime klandestine në fshatin Gumnishtë (komuna e Vushtrrisë) Sabile Keçmezi- Basha: Zanafilla e shtypit shqiptar Bukurosh Z. Dylgjeri: Pse quhemi “Shqiptarë”? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XVI) Valon Kurtishi: Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV) Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora