E enjte, 28.03.2024, 11:17 AM (GMT)

Editorial

Isa Mulaj: (Pu)shteti mercenar laik dhe satanik i Prishtinës ndërsen shovinizmin fetar të Beogradit kundër Kosovës

E hene, 11.01.2010, 10:00 PM


(Pu)shteti mercenar laik dhe satanik i Prishtinës ndërsen shovinizmin fetar të Beogradit kundër Kosovës

 "Atdhetari gjithmonë duhet të jetë i gatshëm ta mbroj vendin e tij nga qeveria e tij" - Harry Browne.

Nga Isa Mulaj

 Origjina e Satanit në botën e vërtetë

         Në mesin e viteve 1970-ta, Bashkimi Sovjetik (në vijim BRSS) u pajis me një lloj rakete ndërkontinentale me rreze të gjata veprimi deri në 16.000 km. Ishte e gjatë 32,2 metra, diametër 3,02 metra, me mbushje bërthamore deri në 25 megaton (afër 200 herë më e madhe se bomba e hedhur në Hiroshima), me së paku 10 koka (secila për të goditur caqe të ndryshme), dhe 40 objektet mashtruese që të paraqiteshin në radarin e mbrojtjes kundërajrore si 10 kokat tjera bërthamore, ose gjithsejt 50 projektila. Një grup i analistëve të CIA-s erdhën në përfundim se kjo ishte arma që i jepte BRSS-së përparësi për ta goditur i pari SHBA-në sipas doktrinës që u bë e njohur si First Strike (Goditja e Parë), e cila ndryshe quhej edhe Decapitation Strike (Goditje me Heqje të Kokës). Goditjet e tilla gjatë luftës së ftohtë garantonin shkatërimin reciprok të të dyja palëve (MAD - Mutually Assured Destruction), porse BRSS e kishte përparësinë për të goditur i pari me raketën me së paku 10 projektilë kundrejt raketave ndërkontinentale të SHBA-ve në Minuteman III që bartnin më së shumti 3 projektilë.

Në BRSS (tani edhe në Rusi) familja e raketave të tilla famëkqe për Decapitation Strike njihej si R-36, kurse modelet e tyre me shumë lloje numrash dhe shkronjash si: R-36M, 15A14, 15A18, R-36MUTTH, e të tjera. Shumica e ushtarakëve të NATO-s, me konkretisht të SHBA-ve, e kishin të vështirë t'i mbajnë mend gjithë ato shkronja dhe ata numra, prandaj e kishin sistemin e vet të emërtimit që duhej të ishte më i thjeshtë, më i kapshëm dhe më domethënës nga pamja dhe rreziku që paraqesin armët. Sistemi i emërtimit të armëve sovjetike (tani edhe të Rusisë) ishte ndërtuar me shkronja. Për shembull, çdo aeroplani luftarak sovjetik në anglisht duhej të fillonte me shkronjën F për Fighter, B për Bomber, H për Helicopter, C për Cargo (Transportues), mandej për raketat, SA për Surface-to-Air (Tokë-Ajër), SS për Surface-to-Surface (Tokë-Tokë) dhe M për Miscellaneus (të Lloj-llojshme). Në qoftë se aeroplani sovjetik MiG 31 në qarqet NATO-s është emërtuar Foxhound, atëherë ushtarakët e kenë kuptuar se bëhet fjalë për një aeroplan luftarak, sepse emërtimi fillon me shkronjën F. Pos incialit F, ushtarakët në shumë raste e kuptojnë menjëherë edhe nga emri i plotë natyrën e atij aeroplani, si: Foxhound (zagari i dhelprës) simbolizon aeroplan gjuajtësin me shpejtësi të madhe (ose zagarin që është në gjendje ta zë dhelprën); Aeroplani bombardues Tu-95 njihet në NATO si Bear (Ariu) për shkak të zhurmës së madhe, madhësisë së madhe dhe pamjes që duket ngapak si ariu. Helikopteri Mil Mi-4 njihet si Hound (zagari), sepse asnjë fluturake e luftës nuk i përngjan më shumë zagarit se ky. Helipkopteri më i vonshëm Mil Mi-24 u kodua si Hind (Drenusha), pasi në pamje anësore duket se i përngjat formës së drenushës (por është më i rrezikshëm se "zagari" Mil Mi-4).

Shkurtesa SS për armët sovjetike, të Rusisë, dhe Kinës përdoret nga NATO për raketat Tokë-Tokë (Surface-to-Surface). Çdo raketë e tillë për NATO-n duhet ta ketë parashtesën SS, e pastaj ndonjë emër anglisht që duhet të filloj me shkronjën "S". Kështu raketën RT-2PM Topol (ende në shërbim), NATO e njeh si SS - 25 Sickle (Drapëri). Drapëri shërben për korrje dhe me këtë emërtim aludohej rreziku për caqet e NATO-s nga raketa. Raketës RSD-10 Pioner, iu vu kodi SS-20 Saber (Shpata), e prodhuar për shkatërrimin e bazave të NATO-s në Evropë, prandaj edhe quajt shpatë. Është tërhequr nga arsenali më 1991 në marrëveshje me SHBA-në.

Raketa R-36 me të cilën filluam këtë shkrim, ende mbetet në funksion, përkundër se ishte planfikuar të eliminohet. Për shkak se drapëri, shpata dhe emrat tjerë që simbolizojnë rreziqet e mëdha tani më ishin "harxhuar" për shumë lloje të raketave sovjetike, duhej gjetur një emër shumë të përshtatshëm për armën më shkatërruese, atë për Goditjen e Parë ose Heqje të Kokës. Ai emër jo vetëm që duhej të fillonte me "S" por edhe të simbolizonte diçka më madhe dhe më të rrezikshme se Saber (Shpata). Në anglisht u gjet emri më i mirë i mundshëm me shkronjën S që simbolizonte të keqen më të madhe, dhe kështu raketës R-36, NATO ia vuri emrin SS-18 Satan (Dreqi). Ky pra ishte (dhe ende është) Satani praktik i kësaj bote, edhe pse deri më sot nuk është përdorur. Mirëpo, satani më i keq për neve se SS-18-shi gjendet në Kosovë. Pyetja është: Cili është ai dhe çfarë misioni ka?

Satani i vërtetë i kësaj bote kundër shqiptarëve të Kosovës është politika dhe qeveria kosovare

Me datën 6 janar 2010 mbërriti në Kosovë kryetari Serbisë Boris Tadiq. Teorikisht, ai duket se vjen në një shtet tjetër. Por sipas versionit zyrtar të qeverisë së Kosovës, Tadiqi praktikisht vetëm po udhëton brenda shtetit të tij të quajtur Serbi ku përfshihet edhe Kosova të cilën ai nuk e njeh si të pavarur politikisht nga Serbia. Zëvendëskryeministri i Kosovës Ramë Manaj, me rastin e lejimit të vizitës së Tadiqit në Kosovë, i paska deklaruar Radios Evropa e Lirë si vijon: "Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe ai nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë". Nëse kuptohet si duhet, kjo deklaratë e Ramë Manajt duket si një kod me efekt satanik sikur modeli i raketës R-36M. (More mos janë marrë incialet e kësaj rakete nga Ramë-36Manaj!?). Ja pse?

1)     Me kushtetutë, Kosova është shpallur shtet laik ose i pafe, dhe është deklaruar se feja është e ndarë nga shteti dhe politika, se feja është çështje individuale e secilit qytetar, dhe si e tillë duhet të qëndroj larg politikës dhe shtetit. Ku bazohet kjo dhe a është e vërtetë se Kosova me Kushtetutë është shtet laik?

2)     Nëse e lexoni Planin e Ahtisaarit,  sidomos Shtojcën V për Trashëgiminë Kulturore, do të shihni privilegje përrallore të cilat  ndoshta as engjujt e Zotit nuk do t'i gëzonin, që i janë ofruar nga politikanët shqipfolës të Kosovës Kishës Ortodokse Serbe (KOS).  Kishat, xhamiat  dhe çdo tempull tjetër fetar i shqiptarëve, ose çfarëdo që është e shqiptarëve, nuk guxojnë të përemenden në Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutë. Tyrbja e Sulltan Muratit që përmendet në Planin e Ahtisaarit si rajon diçka i ngjashëm me 40 zonat për serbët të shpallura si "të mbrojtura", është objekt i minoritetit turk në Kosovë, dhe ndoshta cilësohet se është shpallur si i tillë (i mbrojtur) edhe për Turqinë e sotme. Juve me siguri u kujtohet fort mirë gjuha kërcënuese e këtyre shqipfolëse kundër ndryshimit të Pakos së Ahtisaarit në formën përfundimtare të cilën e ka edhe tani. Vetëm kthehuni pak prapa në arkivat e lajmeve dhe i gjëni deklarimet e politikanëve të sotëm "Asnjë presje nuk bënë të hiqet ose ndryshohet nga Pakoja e Ahtisaarit".

3)     Identifikimi i Kosovës si pronë e KOS-it në Planin e Ahtisaarit duket se është në kundërshtim shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e Kosovës për shtetin laik. Se këndjemi këto mospërputhje dhe kundërthënie të ashpra e hedhin poshtë deklarimin e të gjithë atyre që mendojnë se Kushtetuta e Kosovës është përgatitur në përputhje me Planin e Ahtisaarit, dhe se e para i nënshtrohet të dytit. Por pavarësisht kësaj kundërthënie të cilën mund ta vërej edhe lopa, Kushtetuta e Kosovës në kuptimin alegorik thotë se vetëm shqiptarët ose mbi 90% e popullsisë së Kosovës duhet të jenë laik, ndërsa 5% të serbëve jo vetëm që nuk duhet të jenë të tillë, por ata me qykë t'zorit duhet të udhëhiqen nga KOS-i, deshën e s'deshën;

4)     KOS-i ka përkrahur dhe bekuar krimet kundër njerëzimit në Kroaci, Bosnjë, dhe Kosovë. Krimet në Kosovë pas KOS-it nuk i pranon shumica e politikanëve shqiptarë të Kosovës, duke filluar nga Grupi Negociator për Statusin Përfundimtar të Kosovës, anëtarët e komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës (në të cilët nuk kanë shkruar asnjë nen; këtë e di sepse isha në rrjedha kur Kushtetuta e "jonë"u përgatit në tërësi nga të huajt) dhe së fundi Qeveria e Kosovës.

5)     Shihe ti njëherë deklaratën e Ramë-36Manajt; "..se vizita e Tadiqit do të lejohet, por me kusht që ajo të mbetet në kuadër të karakterit fetar". Çka fshihet këtu? Tadiqi nuk vjen në Kosovë si kler fetar por si politikan dhe kryetar i shtetit të Serbisë. Ai nuk po thotë se po vi në Kosovë si pop apo patriark, por si politikan dhe kryetar i Serbisë në kuadër të të cilës e llogaritë edhe Kosovën. A mundet dikush të thotë se ai nuk po vie në Kosovë si politikan? Në Serbi ka kisha ortodokse më të mëdha dhe më të mira se në Kosovë. Nëse Tadiqi është njëmend fetar, ai do të shkonte për vizitë në cilëndo kishë në Beograd, e jo të harxhoj mund për të ardhur në Deçan për vizitë "fetare". Këtu bie poshtë deklarata e Ramë-36Manajt për karakterin "fetar" të vizitës së Tadiqit në Kosovë. Mendoni vetëm pak ju lutem kur Qeveria e Kosovës insiston në karakterin fetar e jo politik të vizitës së Tadiqit në shtetin "laik". Kush e ka përkrahur dhe bekuar gjenicidin serb kundër shqiptarëve në Kosovë më shumë se KOS-i?

6)     Tadiqi si politikan më mirë do të ishte të bëjë vizitë politike se fetare në Kosovë (edhe ashtu vizita e tij ishte politike). Sepse kështu do të lirohej pak nga përgjegjësia morale e KOS-it dhe rolin e saj në krime kundër njerëzimit. Por Tadiqin nuk e lë propaganda mediale e liderëve  politik shqiptarë të Kosovës të distacohet nga kjo përgjegjësi, me faktin se këta insistojnë që politikën kundër Kosovës ta bëjë në bashkëveprim me KOS-in. Kështu liderët politikë të Kosovës e detyrojnë Tadiqin të bëhet më i keq kundër shqiptarëve se sa ndoshta vetë ai do të ishte në gjendje të jetë i tillë. A ma satana janë këta (liderët politik të Kosovës) kundër shqiptarëve, a SS-18-shi? Unë vë bast me juve se shqiptarëve të Kosovës më së shumti i kërcënohet rreziku nga dreqërit tanë. Duket sikur për shqiptarët e Kosovës është fatkeqësi që nuk e kanë fatin ta shijojnë marrjen e goditjes nga një SS-18 Satan! A e dini pse? Sepse me SS-18 Satan shqiptarët e Kosovës (po i përjashtojmë 1/3 si të pafajshëm) do të zhdukeshin në mënyrë higjenike, pa dhimbje e vuajtje, dhe kështu do të martirizoheshin pa pasur nevojë t'i akuzoj njerëzimi serbët se kanë bërë krime të lloj-llojshme kundër shqiptarëve! Satanët politik shqiptarë jo vetëm që po heshtin, por i bekojnë krimet e serbëve kundër shqiptarëve dhe po e hapin gradualisht rrugën për krime tjera të ngjashme si ato paraprake. Ju e dini mirë se çfarë krime të tmerrshme kanë qenë ato. Prandaj, në vend të përsëritjes së atyre krimeve në mënyrë të ngadalshme me shumë vuajtje dhe tek njerëzimi nepër botë të krijohet bindja se serbët janë të këqinj se kanë bërë shumë shpesh krime kundër shqiptarëve, më e mirë është zgjidhja e një Decapitation Strike me SS-18 Satan. Kështu do të kryheshin dy punë me një udhë. Në njërën anë shumica e shqiptarëve do t'i mënjanonin mundimet e tmerrshme gjatë krimeve të serbët, dhe në anë tjetër serbët do të shpëtonin nga kualifikimi i njerëzimit si "bad guys".     

7)     Për atë 1/3-ën e shqiptarëve në pikën paraprake që thamë se janë të pafajshëm, nuk do të thotë se të gjithë janë të mirë. Po të ishin të mirë, me siguri nuk do t'i lejonin satanët politik t'i bëjnë këto eksperimente me ta. Diku gjysma e popullsisë së Kosovës me siguri është pajtuar me gjenocidin e kaluar dhe këtë që është duke planifikuar.,Dëshmi për këtë është sa herë kanë votuar për satanët politik, për Grupin Negociator, Komisionin Kushtetues dhe shumëçka tjetër. Nëse në mesin e 1/3-ës së shqiptarëve të Kosovës ka njerëz të mirë, atëherë ku janë që nuk veprojnë kundër satanëve?

8)     Dallimi thelbësorë ndërmjet SS-18 Satan dhe satanëve politik të Kosovës, është se SS-18-shi përdoret (nuk është përdorur kurrë deri më sot në luftë) kundër shteteve dhe popujve armik, kurse satanët e Kosovës nuk janë në gjendje vetë të bëjnë krime në masë kundër popullsisë të cilës ata i përkasin, por thërrasin armikun e jashtëm për të eksperimentuar lloj-lloj "bim beteri" kundër popullsisë të cilën (kinse) e përfaqësojnë dhe udhëheqin.

9)     Zevendës kryeministri tjetër i Qeverisë, Hajredin Kuçi, kërkon përkrahje nga EULEX-i në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkatësisht që EULEX të delegojë disa ekspertë të fushës së liberalizimit të vizave. Sikur të ketë qindra dhe mijëra ekspertë të tillë në Kosovë, Hajredini nuk do të za gjumi duke kërkuar ndërkombëtar për t'i shpallur laik në këtë drejtim. (Laik në këtë rast do të thotë "injorant" ose "që nuk di", ose "budalla"). Çudit fakti pse Hajredini dhe Qeveria e tij nuk kërkojnë ndihmë nga Tadiqi në liberalizimin e vizave për Kosovën por e lënë atë të futet në Kosovë pa kurrfarë vize. Hajredini mendon se liberalizimi i vizave është çështje e kopallave dhe dialogjeve. Ai duhet të kërkoj ndihmë nga ata që e kanë votuar për t'iu dhënë llogari për (mos)punën e Qeverisë dhe krimin e organizuar që është duke e udhëhequr në kurriz të popullsisë. Ekspertët nuk mund të bëjnë gjë për liberazimin e vizave, sepse kjo është çështje që del vetvetiu nga qeverisja efikase e shtetit, e kjo nuk mund të arrihet kurrë derisa Kosovën e qeverisë sistemi i satanëve. Hajredini hyn në kodin e tyre me inicialin H sikurse edhe kryministri. Më herë kur folëm për kodet e NATO-s për armët sovjetike dhe ruse, u njoftuam se çka simbolizon H dhe përmendem dy shembuj.

10) Kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu kërkon shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë. Kujt ia bënë ai këtë kërkesë dhe kujt ia transmeton këtë lajm? Vetë Sejdiu me Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetën e Kosovës i ka fuqizuar këto struktura paralele. Strukturë më paralele është Qeveria dhe Presidenca të cilat nuk dihet se kujt i jepin llogari. Më së shpeshti u jepin llogari shumë miqëve të njohur e të panjohur ndërkombëtarë. A nuk është kjo strukturë më paralele se e serbëve në Kosovë? Strukturat paralele serbe në Kosovë i jepin llogari Serbisë dhe komunitetit lokal të serbëve, sepse kështu e parasheh Plani i Ahtisaarit të cilin Fatmir Sejdiu insistonte të mos ndryshohej. Serbia në Kosovë vetëm po zbaton ato që për të cilat është pajtuar Grupi Negociator, Qeveria dhe Presidenca. Sipas gazetës austriake Money, Serbia paguan 725 zyrtarë të sigurimit serb në Kosovë, dhe ka ndarë 42 euro për strukturat paralele. Serbia ka marrë kryesimin e CEFTA-s, ka futur Kosovën në hartën e saj të cilën e ka pranuar Eurostati, bënë çtë dojë në Kosovë, derisa satanët e (pu)shtetit të Kosovës shikojnë si të vjedhin më shumë nga populli i vetë (sepse nga strukturat paralele serbe nuk munden), madje kur u duket se Serbia nuk po bënë sa duhet kundër Kosovës, dalin me ide "përparimtare" që serbëve dhe strukturave paralele t'u jepen traktorë, para të gatshme nga 2.000 euro, ndihmë kryetarit të Serbisë për ta promovuar politikën e tij në Kosovën laike në kontekstin religjioz, e të tjera. 

Këto ishin 10 pikat e Satanit (ka edhe më shumë) që udhëheq me Kosovën. Duken sikur 10 projektilët me mbushje bëthamore të raketës termonukleare SS-18 Satan (edhe ky mund të bart më shumë se 10 projektilë). Të dyjat janë me pasoja të ngjashme. Efektet e tyre ndryshojnë nga periudha kohore që zgjasin. Satani sovjetik ka efekt të menjëhershëm me Decapitation Strike. Satani kosovar nuk ka kurrfarë fuqie, nuk është në gjendje të bëjë gjë, dhe angazhon armiqët kundër Kosovës. Satani i parë është më higjienik në pasoja. Satani i dytë është më i lig dhe i detyron armiqët të zbatojnë metoda të pista kundër shqiptarëve të Kosovës, ose mbytje më të ngalashme. Herëdo kur, njerëzimi do të reagoj arsyeshëm kundër armiqëve tanë, së paku duke ua përmendur atyre sa për t'i diskredituar kur e kërkon nevoja, se: "Ju i keni këto njolla për shkak se keni vepruar kështu kundër shqiptarëve të Kosovës". Përgjigja mbrojtëse e armiqëve ose heqja e përgjgësisë së tyre mund të jetë: "Ne kemi ndjekur parimet tona, e më tepër kemi respektuar vullnetin e udhëheqësisë së Kosovës të shprehur me Planin e Ahtisaarit dhe Kushetutën e Kosovës të përgatitur nga të huajt".

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë pse t'i druhen "Goditjes së Parë" nga SS-18-shi ose nga Forcat Strategjike Raketore (Raketnje Vojska Strategiçeskogo Naznaçenja), e as nga Serbia,  sa nga udhëheqësia politike kosovare. Sepse kjo e fundit në brendi ka një lloj kodi satanik me të cilin u shërben armiqëve të Kosovës për t'iu dhënë shqiptarëve Goditjen e Parë, të dytën, të tretën dhe të fundit. A po u duket, apo vetëm po u bëjnë sytë!? 

Përshendetje nga kryeqyteti i Kosovës "Satanagrad" ku miratohen lejet për vizita satanike të politikanëve nga shtetet armike.



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora