E shtune, 11.07.2020, 03:51 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Universi poetik dhe dashuria si testament hyjnor

E hene, 11.01.2010, 09:41 PM


R e c e n s i o n

Sejdi BERISHA:

UNIVERSI POETIK DHE DASHURIA SI TESTAMENT HYJNOR

(Gaqo Apostoli: “Ç’ma trazoi jetën një grua”, botoi DUDAJ – Tiranë, 2009)

Njeriu, që në vegjëli sikur krijon imazhin dhe rrethin e pakapërcyer të ndjeshmërisë, të dhembjes, të lumturisë, e të gjitha këto të shoqëruara me përjetimin karakteristik, mbase përcëllues. E, ky përcëllim ta detyron lotin dhe ëndrrën e pashpjeguar të njeriut për jetën dhe për dashurinë. Këtë veçanti, me plotë kuptimin e fjalës e hasim tek libri “Ç’ma trazoi jetën një grua” të autorit, Gaqo Apostoli.
Vetë titulli i librit dëshmon për zjarrminë e brendshme dhe të jashtme të poetit, i cili, po ashtu, sikur gjithnjë ka hezituar t’i nxjerrë këto poezi nga shpirti e zemra dhe t’ua dhurojë lexuesve si tilla. Por, kjo shprehje mendjeje, atë e ka detyruar që këngën ta fuqizojë me të kënduar e të sublimuar në libër, që, me siguri, në një masë, atij ia ka “ëmbëlsuar” mendjen e zemrën për tërë atë që e ka “plandosur”, por, jo vetëm kaq.

Vargu dhe kënga-gjurmë dhe plagë vjedharake

Përmes vargut, Apostoli, ka zhveshur vetveten nga të gjitha ato mundime, që dashuria në të njëjtën kohë ia ka ushqyer shpirtin, por, edhe në të njëjtën kohë, ia ka trazuar jetën, gjë kjo e cila kështu, poetit, në të shumtën e rasteve i duket më e qëlluar, më e begatë dhe më interesante. Ndoshta, pa këtë, jeta e tij do të reflektonte boshllëkun e vetvetes, do të ishte më e varfër, kurse kënga e vargu nuk do ta kishin këtë peshë kaq të madhe, të rëndësishme dhe të çmuar.
Libra kanë shkruar e kanë kënduar poetët edhe përpara, edhe tash, e do të këndojnë edhe nesër për dashurinë. Ajo, është një temë vjedharake, është “sëmundje” e shpirtit me fuqi vullkani. Sepse, diçka kur ikën, diçka kur zhbëhet, është helmi më i fortë dhe më i rëndë që mund të godas, por që, për habi, e bën të ëmbël këngën, vargun, poezinë, por ndoshta edhe rrugëtimin! Dhe, këto pastaj, përjetohen dhe ndjehen në mënyra të ndryshme, nga situata e pozicione të ndryshme. Kështu, pranvera herë bëhet vjeshtë, e herë bëhet dimër që sjell acar, e herë bëhet kopsht me lule. Në këtë mënyrë, poetit, ndoshta edhe i shkon përshtat, edhe pse i plasë zemra, kurse loti, tërë jetën i bëhet shoqërues; edhe në gjumë, edhe mëngjes, kur ndonjëherë nënkresa i bëhet qull dhe kështu këtë e lidhë pastaj me historikun e dashurisë.
Gaqo Apostoli, nuk është poet që shkruan e shkruan, por sikur është një poet i detyrimit të dashurisë. Këtu qëndron edhe pesha e vargut të tij, që është i stërngarkuar me mallin dhe etjen për atë që tani i mungon, bashkëshortja, e dashura e zemrës dhe shpirtit, Aida. Secilit njeri, por veçmas ai intelektuali me sensin dhe vlimin poetik, e që dashurinë e ka dashuri, e ka frikë, besë, ngarkesë, lumturi e mall të pashuar, atëherë, ikja e kësaj pjese të jetës, jo vetëm se i dhemb, por, përgjithmonë i lë gjurmë dhe plagë të pashëruara. Këtë barrë si labirint dhe ankth, e vërejmë që në poezinë e parë, me të njëjtin titull që ka libri, “Ç’ma trazoi jetën një grua”: “Ç’ma trazoi jetën një grua/Që erdhi papritur nga larg/Sado bëja ta dëboja/Ajo më shkrihej në gjak”! dhe, kështu fillon maratona e rrëfimit pothuaj rrëqethës i poetit, që tani dashuri e tij “...tërë rënkon/E mbyllur/në zemër”.
Këtë rrugëtim të poetit, rresht e hasim me një respekt, me të njëjtën etje, me të njëjtin mall, me të njëjtin zemërim, të cilat, jetën padyshim se ia begatojnë për të ecur tutje, por tani me vargun dhe këngën si ngushëllim apo si fëmijë. Në mbi njëqind e dhjetë poezi, autori, ka shfrytëzuar pretekstin e dashurisë që të na ofrojë edhe tërë jetën e tij, duke filluar që nga fëmijëria e deri në këtë moment, në këtë kohë, kur ai “përplaset” me veten e tij jo vetëm përbrenda ngrohtësisë krijuese letrare.

Poeti si pelegrin dhe begatia shpirtërore

G. Apostoli, sikur e ka pjekur veten dhe e ka “plakur” shpirtin që në vegjëli. Këtë, mund ta vërejmë tek poezia: “Arratisja e fëmijërisë”, në të cilin na “demonstron” ditarin e moshës fëmijërore të tij: “Fëmijëria ime/Nga puthja e parë u trembe,/Plaga e saj e njomë/Ende në buzë më dhemb”.  Pra, poezia është ajo që krijuesit ia nxjerrë jashtë tërë atë mllefin, por edhe mirësinë e madhështinë që ka për jetën, për njeriun, për atdheun: “Të dua/Këtë fjalë/Që krahët rreh hapësirave/E kam mbyllur në kështjellën e zemrës/Si një zog pa shpresë/Kur të shemben muret/Nën rrënoja le të vdesë”.
Kështu, “nxitimi” i vargëzimit përfshinë edhe shumë tema e përjetime, që përcjellin mesazhe njerëzore, por gjithnjë me peshën e dashurisë, të gëzimit e të dhembjes, si faktorë  që rrugëtojnë mbi binarët që kurrë nuk puqen në mes vete: “Peri i saj këputet nga puthja e dashurisë,/Tretet në sytë e djalit drejt pafundësisë”. Është interesant, se brenda këtij libri janë poezitë të cilat nuk janë shkruar brenda një, dy apo tri vitesh, por që i takojnë përjetimeve nga periudha të viteve e viteve, bile edhe decenieve. Për këtë arsye, ato janë radhitur kështu, nga viti në vit e mote të largëta, saktësisht shprushin begatinë dhe krenarinë shpirtërore si dhe karakterin prej njeriut mbase edhe poetit, që autori heshtazi e ka ruajtur duke u ndrydhur deri në palcë, e deri në botimin e kësaj vepre.
Andaj, gjatë këndimit poetik, merr me vete jetën e vet në mënyra, situata e forma të ndryshme, ashtu siç do vetë ai, por që gjithnjë me kujdesin dhe frikën për ta mos lënduar dhe për ta ruajtur afshin dhe fuqinë, por pse jo, edhe sinqeritetin e dashurisë: “...Sa shumë kërkova,/Që shkretëtira të mos e vriste dashurinë...”!
Po, pra. Vargu është si rrjetë merimange. Ai, dot nuk të lë të dalësh nga kënga, e kënga këndohet kur ndijimi dhe përjetimi dot nuk rrinë brenda në shpirt. Por, me këtë ngarkesë dhe në këtë rrëmujë jete, poeti gjithmonë qëndron pip në këmbë, vertikalisht, për të kënduar mirë edhe atëherë kur i dhemb zemra, edhe atëherë kur malli e loti e shoqërojnë si ngacmim që tërbon gjakun: “O, nënë,/Nuk jam rrëzuar,/Më lartë të ngrihem dua”. Madhështinë e jetës, por edhe themelet e saj, autori i sheh dhe i kërkon vetëm me zjarrin e dashurisë dhe të çiltërsisë shpirtërore: “Në prehrin tënd përkundem si ky det i madh,/Të them me gjuhë dallgësh mijëra të vërteta/Ti e ngrohtë si toka, si kjo tokë e rrallë,/Me gjinj shkëmborë, me fusha të pambjella” (Poezia: “Stuhi dashurie”). Të kësaj natyre, por, edhe po me këtë ndijim dhe zjarrmi poetike, janë edhe shumë poezi të tjera, si: “Mëngjesi i një të diele”, “Dashuri e ndaluar”, “Një grua-sirenë”, “Me ty mbijetoj” etj.
Po që se e analizojmë me kujdes poezinë, autorin e kësaj vepre sikur e takojmë edhe si një pelegrin, i cili viziton dhe me shpirtin e tij shëtitë nëpër shumë pjesë të atdheut, apo edhe cep më cep të tij, por edhe në vende të ndryshme të botës. Dhe kështu, vargu begatohet me bukuritë dhe mesazhin e tyre. Por, këtë rrugëtim, ai, gjithnjë e përcjellë me peshën e dashurisë, e cila, nganjëherë sikur i krijon “fobi”, dhe, për këtë arsye është i kujdesshëm për ta mos rrënuar në asnjë moment kështjellën e shenjtë të dashurisë, bile edhe atëherë ku penjtë janë në pisk për tu këputur, që pastaj do të shthurej shumëçka dhe do të ndërronin rrjedhat e lumit me, dhe pa gurgullimë!

Madhështia e këndimit për kuptimin e jetës

Ndoshta, autori, gjithnjë i është frikësuar detyrës së politikanit, e cila detyrë, realisht nuk përputhet me këngën e poetit dhe as me peshën e dhembjes shpirtërore. Për këtë arsye, sikur ka qenë në një formë edhe kujdestar për ta mos zvetënuar peshën e vargut poetik, por, as atë të dashurisë: “Mos u mërzit, e ëmbla grua/Zjarrin do ta ndezim përsëri/Dhe që sërish të jemi bashkë/Do ta rrëzojmë këtë mur të zi”. Se, “Ç’ma trazoi jetën një grua”, aq fuqishëm dhe tmerrshëm por edhe dhembshëm reflekton, autori dëshmon edhe në shumë poezi të tjera: “Në jetë kam tradhtuar/Gratë e kësaj bote,/Për ta mbajtur ndezur/Dashurinë për ty”.
Në poezinë e G. Apostolit, shohim dhe shijojmë madhështinë e këndimit për dashurinë, e cila i ngjanë, por është edhe më e fuqishme se tek shumë krijues të letrave tona dhe ato botërore: “...Brenda xhamave të dritares/I vetmuar/Dalëngadalë po vdisja/...Me një makinë ngjyrëzezë/Po vija tek ti”.  Në shumë poezi, autorin në “Ç’ma trazoi jetën një grua”, e shohim si njeri të magjepsur të dashurisë edhe atëherë kur nuk këndon për bashkëshorten. Kjo, vetëm sa shton edhe më shumë vlerën e vargut, i cili është aq i ngarkuar me dhembjen dhe hidhërimin e me hujin për dashurinë: “Dhimbja e çdo ikjeje/Është si pragu i vdekjes”! Bile, ai dashurinë sikur e shndërron edhe në themel frymëmarrjeje dhe të panteonit të paqenë të shpirtit. E, në këtë rrafsh, shpesh, rregullat e jetës kthehen në armik, që përkufizon “shfrenimin” e drejtë të dashurisë, dhembjet e së cilës shpërndahen katërcepërisht si polen, apo transformohen në petale lulesh të zemëruara: “Kur një mike e vjetër/Lexoi vargjet e mia/Kushtuar dashurisë/Nën dëshpërimin e ditëve/Nën magjinë e netëve/Tha me indiferencë:/Mjerë gratë e poetëve!”.
Dashurinë si fenomen, si veçanti, si dhunti, si lumturi, si shenjtëri, por edhe si marri, autori, thuaja se gjithnjë e arsyeton dhe e bën rrjedhë plotësisht normale, e cila rrjedhë e tillë, në të shumtën e rasteve duket anakronike, e shëmtuar, jonjerëzore, e pamoralshme. Mirëpo, përfundimin e rrumbullakon me arsyen e ndjenjës njerëzore, me thellësinë e mendjes dhe të elementit socio-filozofik mbase edhe biologjik. Sepse, është e vërtetë, rrjedhat e jetës janë të çuditshme dhe gjithnjë të paparashikuara. Andaj, poeti, thua se në secilin varg thotë: dashurinë mos e ngucni,... le të shkojë ajo rrjedhës së vet, edhe atëherë kur duket se nuk është e natyrshme dhe normale! Pra, edhe të bëmat, përgjithësisht, thuaj se duhet shikuar si normale: “Hapjani rrugën, o njerëz, gruas kur dashuron/Këtij lëmshi diellor që, ku lind, nuk perëndon/Faljani tradhtinë që botën nën këmbë rrëzon/Se është si fije bari që tërë jetën pafajëson”(Poezia: “Kur një grua dashuron”).
Në këtë vepër, hasim edhe poezi, të cilat, ndoshta, në këtë “vorbullën” e autorit nuk e kanë vendin. Megjithatë, edhe ato e plotësojnë pjesën tjetër të, nëse mund të thuhet kështu, dinjitetit dhe të karakterit të poetit dhe të njeriut, siç janë disa nga poezitë e ciklit “Peizazh njerëzor”. Ai, përveç vargjeve kushtuar babait, vajzës, etj., në disa sosh pasqyron shqetësimin e vet edhe si njeri edhe si politikan. Padyshim, se atë e grishë njerëzorja, ashtu siç e shqetësojnë padrejtësitë: “Kështjella e drejtësisë, si kala e Rozafës/Politika tërë ditën projekton në tubime/Pastaj, pa mëshirë, e shemb atë gjatë natës/Me intriga, me dhunë, para dhe...”, ose: “Jepuni njerëzve tokën/Dhe ata do t’iu falin qiellin”!
Ndërkaq, në ciklin “Kostelacioni i shtëpisë sime”, autori, në trajtë të autobiografisë, edhe pse edhe e tërë kjo që u tha më lartë, është pjesë e jetës së tij, ai edhe këtu vargëzon për veten e vet, e duke kuvenduar me nënën, me Shqipërinë, Kosovën, me periudhat historike të kombit etj. Dhe, duke i shprushur të gjitha këto, poeti ka në konsideratë nevojën akoma për ngritjen e vetëdijesimit dhe të ndërgjegjësimit për atdheun e kombin, për vendlindjen, për çfarë, normalisht, ka edhe nostalgji: “Korça ime/Shtëpia ku u linda/Një mëngjes, prilli të vitit ‘51/Në rrugën “Teli Ndini”/Numër 6/Një plakë guri ka mbetur përgjithnjë/Mbi portën e saj/Gdhendur në të/Vendlindja e babait: 1926”.
“Ç’ma trazoi jetën një grua”, është një vepër e fuqishme që shpreh në veçanti të rrallë begatinë përmbajtjesore të dashurisë dhe të rrjedhave të saj, edhe si aperitiv edhe si desert absolut i jetës. Andaj, kujtoj se autori, Gaqo Apostoli, lexuesve por edhe letrave shqipe u ka sjellë një sihariq në fushën e poezisë, të cilën, hiq ose rrallë, në këtë formë e në këtë masë e kemi hasur ndonjëherë tek krijuesit e kohës më të re. Dhe, për të mos i ikur temës së dashurisë, ai, në trajtë epilogu ka spikatur vargjet: “Një ditë/Kur të iki prej jush/O, njerëz të mirë/Do t’ju le trashëgim/Një dashuri të madhe/Një fjalë të vetme:/Lamtumirë!”. Është ky si një testament dashurie, që gjithnjë shëtit nëpër universin e poetit, por edhe të njeriut në përgjithësi, që është gjëja ndër më të vlefshmet që jetës i japë kuptim.



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora