E premte, 29.03.2024, 07:02 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: Një Ricos tjetër, dhuratë për Vitin e Ri

E diele, 10.01.2010, 09:34 PM


Një Ricos tjetër, dhuratë për Vitin e Ri

Nga Këze Kozeta Zylo

Gjithmonë në prag festash si përherë fillojnë përgatitjet e shumta, dhe ajo që më kënaq gjer në pejzat e shpirtit, janë dhuratat që iu bëj fëmijëve, babait, miqve…shokëve, shoqeve.
Këtë radhë para përgatitjeve të dhuratave të mia më erdhi një mysafir i veçantë pranë portës sime, poeti botëror, Ricos, “Njeriu me karafil” nga Greqia, që dukej sikur po stoliste pemën, në mes të qiellit New Yorkez.
Degëza yjesh ndriçonin gjethet e pemëve dhe krihnin butë-butë retë e muzgut pranë dritares sime gjysmë të celur në mesin e dhjetorit.
E fokusuar e tëra në faqet e librit, lexoja vargjet e bukura të poemës me titullin “Dritarja” autori dukej sikur vështronte dhe vështrohej brenda syve të heronjve lirikë që ka zgjedhur, kurse unë pata një ndjesi disi të çuditshme, poeti Ricos ishte brenda vështrimit tim si një fotografi e heshtur…, por me një dritë të magjishme nga një botë tjetër.
 Ky libër përkthyer mjeshtërisht nga shkrimtari shqiptar, z.Pilo Zyba, m’u duk sikur më mbushi dhomën me tinguj simfonie, kompozuar nga vetë poeti Ricos, ky diell poetik, keshtu e quan poeti shqiptar, z.Grigor Jovani, drejtor i revistës së dashur “Pegasi” Poeti Ricos me gjuhën e zemrës së tij, që është paksa vështirë të dallosh misteret brenda vetëdijes së tij, sjell portretin e bukur dhe delikat të gruas, me një veshje pranverore, që bleron degë të gjelbërta, qiell të porsalarë dhe krahë pulëbardhash përsipër qiellit mëngjesor.
Vetëm një zemër poeti që dashuron gjer në palcë, mund të poetizojë dhe të shprehet aq bukur për bukurinë delikate të një gruaje.
Ai nuk mund të ndahet nga vështrimi magjiplotë i gruas, e cila është një substancë e përhershme e dashurisë, dhe brenda syve të tyre janë disa fizarmonike të vogla, nga ato me te cilat luajnë fëmijët e gëzuar në natyra të virgjëra…
Poetit Ricos i tallazitet shpirti, që fërgëllohet në flakë brenda gjoksit të tij për të dashurën bukuroshe.

Autori me te bijen e Janis Ricos dhe mbesen e tij
Autori me te bijen e Janis Ricos dhe mbesen e tij

Të gjitha këto të kujtojnë poetin lirik shqiptar Lasgush Poradecin me vargjet:
Kujtimi im që s’më le të qetë, kujtimi im q’u llaftaris pas teje.  Në qetësi ësht’isker prej rrufeje, në cast llaftari, zjarr e flakë vetë.
Në këto poezi ndjejmë së brendshmi shkëndija sensualiteti që dritëzohen nga ngjyrimet semantike, romantike, erotike nga e dashura e tij, nëpërmjet krijimit te Sonata e Dritës së Hënës, në një mbrëmje pranverore.
Poeti edhe pse në këtë rast i ka kënduar Hënës, unë se c’ndjej një hënë tjetër të padukshme…
Në “Sinfoninë e Erës”, vargjet ndodhen në plasaritjen e buzëve, ndërsa heshtja flet më thellë, heshtja tradhton fjalët e tyre…
Në këtë heshtje të tyre, dëgjon hapat e mjegullës në rrugët e thata dhe të shkretuara.
Në strofat e krijimtarisë së tij gjejmë here pas here përthyerje të linjës poetike dhe elemente kreative gjithë frymëzime me përjetim real.
 Ndërsa tek “Kënga e motrës sime” e cila e ka emrin Lula dhe ja ka kushtuar asaj, vellai poet thotë:  “Buzëqeshja jote, më mjafton”…
Edhe pse nuk e pata fatin kurrë për të shijuar dashurinë e motrës së vërtetë biologjike, dëgjova një himn të vërtetë nga një vëlla poet, për motrën e tij të shtrenjtë, i cili i lutet t’i qetësojë shpirtin. 
I lutet me përgjërim gjer për të përqafuar cepat e këmbëve të saj të zbathura! 
Vëllai poet i kendon hymn motrës së tij, motrës së gjithe botës, e për rrjedhojë dhe motrës sime jo biologjike…
Ai lartësinë e buzëqeshjes e gjen vetëm atje, tek Dielli që është ati i tij, ruajtësi i tij ndaj dhe i drejtohet:
Askush nuk i lidh dot, flatrat e mia në botë/ Drita gulçon më lart/ edhe nga dashuria jote, motra ime/ edhe nga dashuria ime!
Ai i këndon shpirtit të saj të brishtë, që mblidhte kokër-kokër lotët e të varfërve, të të shtypurve, që edhe pse shtëpia e tyre u shëmb, ajo qëndronte si një hije e Shënmërisë, që iu tregonte të varfërve brenda çatisë së shpuar, yjet.
Motra e poetit një yll ndriçues, që baret në pyje të gjelbra, shëron zogjtë e zhveshur dhe ngroh insektet e ngrira…dhe buzëqeshja e saj shkrin degët e akullta të dimrit, dhe mua lexuesen e trazuar, ma mori gjumin peng në këtë natë me njolla malli dhe motra jo biologjike më dha mjaltë shpirti.
 Vetëm një poet si Ricos mund të të lerë pa gjumë dhe të ta kthejë natën si mëngjes yjor.  Ai i këndon vajzës së tij Erit, vogëlushes që i sjell fenerët e luleve, një kopësht të vogël me polen lulesh dhe flatrat e një fluture ku të shetisi ëndrra e bardhë e vogëlushes.
Babai poet mbledh fijëzat e diellit dhe i thur shportën vogëlushes, që ajo ta mbushë me guralecë, guacka deti, ushtarë prej lapsash, që të bëhen dritë e bardhë dhe zambakë.
Dhe ai i nanuris të bijës, ashtu sic di të nanurisë një baba poet, i nanuris vogëlushes që ka vënë kokën në jastëk Hëne.
Ai nëpërmjet metaforave dhe krahasimeve aq të bukura ka dhënë portretin e vogëlushes, bijën e tij një ëngjëllore të vërtetë.
Ai e ndjen veten se është i spërkatur nga mielli i misrit të yjeve, që në magjen e zemrës së tij shkruan këngët e shpirtit, bukën e këngës, që të shuajë urinë e botës, e bashkë me të, të shpëtojë dhe bijën e tij nga uria!
Ai i lutet vogëlushes, i merr dorën dhe i thote: Eja të ikim/ Kanë orë që na presin…! Hidhi hapat, vogëlushe!
 Autori të mahnit me forcën emocionale të vargut, pena e tij nuk heshti dhe për poetet.
Në poemën: “Borxhi i poetëve” ai shkruan:  Kujdes poetë, mos mbytemi në detin e këngës sonë,/ mos na gjejë të papërgatitur çasti,/ poeti është i pranishëm në çdo thirrje të kohës së tij./
Këtë mision fisnik që poeti Rico na e përçon përmes vargjeve, e ka kryer më së miri edhe poeti përkthyes, z.Zyba, i cili tashmë është i pranishëm me përkthiimn dhe krijimtarinë e tij dhe në sofrën letrare shqiptaro-amerikane.
Duke lexuar poetin Rico, që më erdhi si dhuratë e vyer për Vitin e Ri, ndjej se poemat e tij janë ndriçuese në çdo kohe, janë tiguj melodiozë, tinguj që s’do të shurdhohen kurrë!

Janar, 2010
New York



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Këze Kozeta Zylo: Një pikë hëne (Cikël poetik) Këze Kozeta Zylo: Burrit shqiptar, Ibrahim Rugova Këze Kozeta Zylo: Devollinjtë valëvisin Flamurin kuq e zi, në Brooklyn të New Yorkut Këze Kozeta Zylo: Ambasada shqiptare në New York, pritje me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar Këze Kozeta Zylo: Për ty, Flamur Këze Kozeta Zylo: Requiem për profesor Bedri Deden Këze Kozeta Zylo: Dëgjofsha përherë zogun këngëtar! Këze Kozeta Zylo: Një e dielë me psherëtimë vjeshte në New York Këze Kozeta Zylo: Një ditëlindje e bukur, ku dhurohej vetëm dashuri Këze Kozeta Zylo: Një mbrëmje festive midis devollinjve në Brooklyn Këze (Kozeta) Zylo: Çmimi Nobël dhe shqiptari Kadare Këze Kozeta Zylo: Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë Këze (Kozeta) Zylo: Qindra shqiptarë morën pjesë në Paradën Internacionale të përvitshme, në Manhattan Kozeta Zylo: Requiem për Lazër Radin Këze (Kozeta) Zylo: Ekspozita "Besa" Kodi i Nderit ne Kombet e Bashkuara Këze (Kozeta) Zylo: Ngrije Kosovën gjer në madhështi Kozeta Zylo: Kritiku “mik”, po e demton se tepermi edukimin e shijeve estetike te lexuesit Keze (Kozeta) Zylo: Debati tolerues midis kundershtareve ne te gjitha fushat eshte nje shenje e civilizimit qytetar Kozeta Zylo: Mijra shqiptare te Diaspores Amerikane demonstruan per Pavaresine e Kosoves Keze (Kozeta) Zylo: Ambasada shqiptare ne Washington D.C. dha nje pritje ceremoniale per Diten e Flamurit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora