E enjte, 28.03.2024, 11:52 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Ardi Hoti: Reportazh nga Shkodra, aty ku po zhvillohet beteja me ujin

E shtune, 09.01.2010, 09:27 PM


Reportazh nga Shkodra, aty ku po zhvillohet beteja me ujin

Nga Ardi Hoti, Shqip

Sapo futesh në territorin e Shkodrës, kupton se “tërbimi” i lumit Drin e ka trazuar fort qytetin e moçëm. Nga larg, kalaja e Rozafës, poshtë së cilës rrjedh Drini, duket se po lufton pa ushtarë për të mbrojtur Shkodrën nga uji. Ende pa hyrë në qytet, në zonën e Berdicës, Bahçallëkut e Ajasmës, syri të rrok vetëm ujë. Kushdo e ka mjaft të vështirë të shquajë rrugë, ndërsa banesat rreth e rrotull janë zhytur në ujë deri në 2 metra.
Nëse ngjitesh lart, në kalanë e Rozafës, Drini duket i frikshëm dhe pamja që të ofrohet u ngjason skenave të filmave.

Situata

Zonat e banuara janë kthyer në ishuj dhe fusha të tëra, mijëra hektarë, janë të mbuluara me ujë, duke krijuar një liqen të madh. Zona e Bahçallëkut nga kalaja e Shkodrës të duket se po kthehet në një ishull, ndërsa në të majtë të tij ndodhen fushat e mëdha të Dajçit, Trushit e Velipojës. E ke të vështirë të besosh që mbi atë tokë ku para një jave fermerët punonin tokën, uji ka mbuluar gjithçka dhe nuk të zë syri asnjë pëllëmbë tokë, por vetëm varka me motor. Kjo është panorama që të ofrohet deri pa kaluar urën e Bahçallëkut, por kur kalon këtë urë, mendon se do e gjesh dhe qytetin të mbuluar me ujë.

Qyteti

Por realisht qyteti i Shkodrës ka një jetë normale dhe asnjë rrugë nuk është mbuluar nga uji. Por banorët, duke e parë veten të rrethuar nga uji, ndihen të frikësuar nga një situatë e papritur që mund të krijohet, nëse do të ketë probleme me digat. Bisedat në qytet kanë vetëm një kryefjalë: Uji. Në lokale, në rrugë dhe ambiente të ndryshme, njerëzit vetëm pyesin dhe kërkojnë të dinë nga njëri-tjetri si po shkon puna. Sapo dikush futet në lokal, sytë kureshtarë drejtohen nga i sapoardhuri i cili deklaron: “Është duke rënë uji, nuk ka probleme”. Në atë moment duket sikur njerëzit nisin të marrin frymë lirisht, por pas pak minutash sërish i kthehen pyetjes nga e para: “A thua u rrit uji”? Qytetarët e Shkodrës këto ditë duken si të hutuar, pasi nuk janë mësuar me kaq shumë forca të ushtrisë dhe policisë, patrullime në lartësi të ulët të helikopterëve. Madje një ditë më parë paniku i qytetarëve arriti deri aty, sa nisën të blenë ushqime rezervë në pritje të ndonjë katastrofe.

Zonat e përmbytura

Por ndërsa qendra e qytetit komenton periferinë, te kjo e fundit situata duket më afër ujit. Në lagjet që lagen nga Buna dhe Drini janë përmbytur qindra shtëpi. Ndërkohë, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet mbetet Dajçi dhe Oboti. Të dyja janë në ujë, por ndërsa në Dajç banorët janë evakuuar pothuajse të gjithë, në fshatin Obot banorët ende qëndrojë brenda fshatit që tashmë është kthyer në një ishull. Një nga banorët e Obotit, Mark Ndreu, i cili po kthehej në fshatin e tij shprehet: “Do shkoj në shtëpi me varkë. E dimë se jemi në rrezik, por është e kot, nuk kemi ku t’i lemë shtëpitë, bagëtinë. Po t’i lëmë shtëpitë, kemi frikë se na i vjedhin, ndaj kemi menduar që më mirë të qëndrojmë”. Ndërsa një nga banorët e Dajçit, Prek Kola, i cili tashmë e ka braktisur shtëpinë, na thotë se “ne qëndruam dhe rezistuam për shumë ditë. Por kur pamë se uji po na mbulonte shtëpitë, nuk kishim nga të shkonim dhe u detyruam të iknim. Kështu ka për të ndodhur dhe me banorët e Obotit, të cilët pavarësisht se janë të rrethuar në ujë, ata ende nuk janë mbuluar. Kur të rritet uji, edhe ata do të kërkojnë të evakuohen”. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së djeshme, situata dukej disi më e përmirësuar për sa u përket shkarkimeve nga hidrocentralet. Por gjithsesi ky mbetet një lajm i mirë vetëm për momentin, pasi për sa kohë Shkodra do të jetë e rrethuar nga uji, situata do mbetet kritike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora