E marte, 23.04.2024, 01:24 PM (GMT+1)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XVI)

E premte, 08.01.2010, 10:55 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS

(Rexhep Qosja në pasqyrë)

Pretendime të mëdha – artikulime konfuze

Iluzionet u botuan në përmbledhjen Anatomia e kulturës, librin më pretencioz të RQ. Kush nuk e ka kuptuar nga Iluzionet, sheh qartë në Anatomi se qëllimi i autorit nuk është të mohojë rezultatet e krijimtarisë sonë në përgjithësi, ai vetëm mohon rezultatet e të tjerëve, duke u ndarë atyre Jo-në e tij, kurse krijimtarisë sonë dhe nivelit të saj u mjafton të huazojë qoftë edhe një pjesë të mendimit që ka RQ për veten dhe krijimtarinë e vet.

Lexuesve të Anatomisë do t'u ketë rënë në sy dhe mund t'u kujtohet kontradikta e qartë mes vlerësimit që i bëhet zhvillimit tonë kulturor dhe krijimtarisë në Parafjalë, në Iluzionet dhe në disa artikuj të tjerë. Parafjala vetë është shumë kontradiktore. Nis me pohimin mbi interesimin e paktë të shoqërisë për kulturën, një e vërtetë të cilën "mjerisht e ka dëshmuar edhe realiteti socialist, e madje, edhe realiteti ynë kosovar", me pohimin se "interesimi shoqëror për krijimtarinë kulturore nuk ishte në nivelin, në të cilin do të duhej të ishte", se "një kohë të gjatë krijimtaria jonë kulturore thuajse është varur prej vetvetes" dhe se ka pasur "indiferencë" shoqërore ndaj krijimtarisë kulturore (fq.7) Në faqen vijuese vjen pohimi tjetër se "pavarësisht prej kësaj të vërtete" mbi interesimin e paktë shoqëror, krijimtaria kulturore në këto hapësira ka shënuar një përparim të madh", i kemi të gjitha institucionet kulturore artistike, shkencore, ardhmëria e kulturës sonë "është jashtëzakonisht premtuese" (fq. . Pas kësaj, fillon R.Q. të përgatitë shfaqjen e pretendimit të vet kryesor. "Të gjitha analizat e deritashme të kulturës", thotë R.Q. kanë qenë kuantitative, krahasimi i të sotmes me të djeshmen kanë sjellë vetëkënaqësi. Por, - "është harruar ashtu se për krijimtarinë kulturore mund të flitet në radhë të parë në bazë të kritereve aksiologjike" (!) (fq.9). Pa ditur dhe pa dashur të dijë për dialektikën e kategorive sasiore e cilësore, vlerore, R.Q. i rezervon vetes monopolin e "kritereve aksiologjike", duke i mohuar analizat e deritshme. Dhe vjen kryesorja.
Po bëhet e qartë se "një aspekt i tillë i vrojtimit kuantitativ, thuaja pa vlerësim i të mbërriturave kulturore nuk është më adekuat..." (fq. 9). Duke harruar se pas kësaj Parafjale vijnë artikuj si Iluzionet, me pohime të tjera, tani kur i duhet, thotë tjetër gjë: "Praktikisht kultura jonë tani hyn në një periudhë të ngritjes kualitative, kur bëhet e vetëdijshme për domosdonë e vetëdijes së vet, kritikës dhe teorisë, sepse s'mundet pa të. A mund ta konsideroj këtë vepër shprehje të një vetëdije të tillë? - Pavarësisht se çka do të thotë lexuesi i saj eventual, unë them po"(!) (fq.10. nënvizoi FA)

Arrogancë më e madhe me artikulim më konfuz vështirë të gjendet. Analizat e përparshme të krijimtarisë kulturore ishin vetëm sasiore, pa "kritere askiologjike"(!), kurse kultura jonë e sotme kërkon vetëdijen e vet, kritikën dhe teorinë. Kjo vetëdije e kulturës sonë, kjo kritikë dhe teori e kulturës sonë u arrit pikërisht me R.Qosjen dhe Anatominë e tij! Lexuesi përjashtohet nga diskutimi, R.Q. bën pyetje vetë dhe përgjigjet vetë. Por, prapë, në mënyrë të paevitueshme shtrohen shumë pyetje: Si ka mundur kultura e djeshme të jetë pa vetëdije të vet, pa kritikë e teori, të cilitdo nivel? Përse? Ç'kuptim ka dhe sa është e vërtetë të pohosh se analizat e përparshme ishin vetëm sasiore? A merret kultura jonë vetëm si kulturë kosovare dhe pse? Ç'do të thotë se kultura jonë po hyn në një shkallë të ngritjes kualitative që e kërkon vetëdijën e vet, kur dihet se në Iluzionet thuhet se krijimtaria e viteve të fundit është një gjendje krize? Cilat qenkan karakteristikat e kësaj ngritjeje kualitative të kulturës dhe mos koincidojnë rastësisht me pranimin e RQ në Akademi? Më në fund: Ç'kuptim ka, a nuk është substanciale, a nuk është temë-pa temë të bisedohet për një autor, për një vepër si për vetëdije e vetëdijësim të kulturës sonë, si për teori e kritikë të saj? A mos është kjo një imitim i gjymtë i pretendimit të Hegelit se në veprën e tij ideja u bë e vetëdijshme për vetveten? Si mund të pretendojë dikush të jetë kritik e teoricien i kulturës e të mos e dijë ose të injorojë faktin se çdo akt krijimtarie kulturore është moment vetëdije e vetëdijësimi dhe se krijimtaria e përparshme s'ishte instinktive, s'kishte si ta priste dhe pse ta priste R. Qosjen për t'u vetëdijësuar?!

Pas këtyre absurditeteve, sikurse në Morfologji që i shan që më parë ata që mund t'i përgjigjen, ashtu edhe këtu i diskualifikon që më parë ata që nuk pajtohen: kush është në këtë botë jallane s'e di se kurrë nuk është e lehtë të kesh të drejtë para kohe"!

A mund të bartte Anatomia barrën e këtyre pretendimeve? Natyrisht, jo. Përmbledhjen në fjalë e përbëjnë artikujt e shqyrtuar mbi krijimtarinë dhe iluzionet, seria e moralizimeve që e pat botuar edhe në "Rilindje" dhe ndonjë artikull tjetër! Hiç pa i konsideruar të parëndësishme temat e trajtuara, s'mund të mos vërehet se shumica e temave esenciale të kulturës nuk trajtohen fare, temat e trajtuara shikohen nga aspekte sporadike, margjinale, në vend të studimit të thelluar autori zgjedh thuaja se reportazhin, eseun që nuk obligon, këto mandej i ngarkon me subjektivizëm e insinuata, me aluzione, kritikën e bën të kufizuar, provincializmin e kritikon në mënyrë provincialiste, etj. Si mund të dalë njeriu me kaq pretendime e të botojë, që në fillim, një artikull për letërsinë e revolucionin, madje me nëntitull: "Çështje teorike", kur artikulli të jetë përfolje e të njohurave, vështrim i dobët e plot gabime. Autori e ndjen të nevojshme të flasë edhe për çështje të strukturës shoqërore dhe shihni si shkruan: "Pavarësisht pse superstruktura zhvillohet edhe simbas disa ligjësive që janë specifike për të, prapë, siç e kanë konstatuar klasikët e marksizmit, asgjë nuk mund të ngjajë në të, pa ngjarë më përpara në jetën shoqërore (!) (fq. 29). Pohim më absurd s'di se mund të thuhej.

R.Q. dëshiron t'ia marrim pretendimet seriozisht, kur zihet në gabime dhe në dobësi të këtilla filloriste, të akuzon se po zhvillon fushatë kundër tij, bile të projekton rolin në fushatë si rol-gjithsesi "filozofik". Ose, të përmendim eseun që pason: Gojtaria ose muza e harruar. Njeriu do të priste të shqyrtohen çështje të rëndësishme dhe aktuale të kulturës së gjuhës. Por, jo. Në vend të kësaj gjejmë erudicion leksikonesh për oratorinë, dhe prapë kapërcime dhe akrobacione logjiko-verbalistike. Pasi përmend oratorë të shumtë të vendeve dhe kohërave të ndryshme, shkruan; "Edhe Rilindja kombëtare shqiptare ka artistët e saj të fjalës së bukur, ndikuese, përvetësuese, të cilët s'kanë pasur mundësi objektive të dalin në tribunat e popullit të vet, por i kanë folur me shkrim (!) (fq.58). Por, ç'është ky shqelm që e derdh edhe atë që mund të jetë mbledhur më parë? A nuk shihet se të folurit "me shkrim" nuk është gojtari?

Kur mungojnë gjymtyrët kryesore dhe janë dhënë dobët të tjerat, çfarë anatomie është ajo? A mund të jetë anatomi e kokës ajo që reduktohet në anatomi të mykut dhe mjekrës?!

Dobësitë kryesore të stilit dhe të metodës së polemikës e të rezonimit të R.Q. në mënyrë edhe më drastike shprehen në pamfletin e quajtur Morfologji. Nga këto do të dallojmë: projektimin e dobësive të veta te të tjerët, dogmatizmin në të menduar, inkonsekuencën dhe alogjikësinë në të konkluduar dhe në të argumentuar përgjithësisht.

Projektimi i dobësive personale te të tjerët është karakteristikë e kahershme e R.Q.

Shprehje e kësaj dobësie janë shumë trillime të pamfletit. Linçi?
Po a s'ishte R.Q. që, për një mospajtim të shfaqur, madje të pabotuar, ndërmori çmos që t'i kërcënohet R. Ismajlit me dëbim nga fakulteti? A s'është R.Q. që me rastin e zgjedhjes së I. Rugovës si asistent në Institut ngrihet kundër kësaj rizgjedhjeje? Madje në të njëjtën mbledhje kur një tjetër zgjidhet për një titull më të lartë?! Dhe s'do t'i thotë kush se kjo s'bën. E njëjta gjë ngjet me kategorinë e privatasistentit. Cili u imponon raporte vazale bashkëpunëtorëve të rinj si R.Q.? Më në fund, që të krijosh raporte të tilla duhet të kesh mundësi, të kesh pushtet. A s'është R.Q. ndër kryemonopolistët në kulturën tonë, me më shumë funksione udhëheqëse e monopol faktik se të gjithë ata që i sulmon, edhe të ishin 3-4 herë më shumë? Dhe, a s'e dëshmojnë raportin e privatasistentit pikërisht recensentët e pamfletit?

Të paditet për monopol një shtëpi botuese dhe redaktorët e saj, duke injoruar këshillin botues, raportet vetëqeverisëse si dhe faktin që kjo shtëpi botuese programin vjetor të botimeve e vë në diskutim publik, nga drejtori i një institucioni që i lejon vetes të mashtrojë këshillin shkencor duke i prezentuar një titull, për të botuar një titull krejt tjetër - kjo është vërtet një impertinencë e padëgjuar.

Antidogmatizmin, me sa mund të gjykohet nga fjalët dhe qëndrimet e tij, R.Q. e kupton si sjellje të pazakonshme. Prandaj mund të deklarojë që në fillim: me jetën dhe veprën mohoj çdo dogmatizëm! … Dogmatizmi është, në radhë të parë, mënyrë e shtangët, e vrazhdë, jodialektike e të menduarit. Dogmatizmi është oktroim i të vërtetave, është stil i fjalës së fundit, i të vërtetave definitive, absolute, "pavarësisht se çka do të thotë lexuesi", është pra, në një masë të madhe pikërisht stil i R.Q. Si të menduar, dogmatizmi është arbitraritet e subjektivizëm, është injorim i fakteve dhe shkelje e arsyes, është përgjithësim pa bazë dhe akrobacion logjik, është "obduksion" në vend të analizës, është verbësi ndaj lidhjeve e ndryshimeve, ndaj përshkrimit të të kundërtave, ndaj subtilitetit mendor dhe nuancave përgjithësisht, është të mos kuptosh relativitetin dhe dinamikën jetësore. R.Q. vërtet na dha shembuj të shumtë të këtij dogmatizmi. Ç'do të thotë të shtrembërosh faktet, të interpretosh një simbol, p.sh., kullën, subjektivisht si simbol të izolimit e të paditësh autorin për izolacionalzëm? Ose të konkludosh: kush s'di të flasë, s'di të shkruajë, kush shkruan kështu prozë s'mund të shkruajë poezi, etj., etj., duke injoruar faktin e shkrimeve, madje shumë të suksesshme, të personit për të cilin flitet. Ose, të rikujtojmë çka quan ai harikiri. R.Q. nuk sheh ose nuk do të shohë, i mundur nga frika se mos po konstituohet edhe ndonjë vlerë tjetër, se deklarata për një tezë të mbrojtur, që fillon me "nuk e kam lexuar ende" relativizon veten, kurse e nuancuar në formën: "nuk kemi arsye të mos e presim si vepër më të mirë" - shpreh një bindje e një shpresë, nuk pretendon të imponohet. Të sulmosh duke injoruar këto nuanca: si mund të vlerësohet pa u lexuar, është dogmatizëm. Të sulmosh se s'mund të dihet kalibri i intelektit për personin që nuk ka shkruar, do të thotë të mbyllësh sy para shumë mundësive të tjera të përcaktimit të aftësive. Të përsërisësh për këtë sulm, duke injoruar faktin se personi në fjalë ka shkruar, madje me shumë sukses, bile edhe në revistat që boton Instituti, ku R.Q. është drejtor, se përmbledhja e poezive të tij është botuar, bile katër herë, do të thotë të mbyllësh sy para fakteve e të jesh shumë dogmat.

Alogjikësia dhe konkludimet akrobatike të R.Q. janë aq të shpeshta, sa vetëm ato do të kërkonin një vështrim edhe më të gjerë. Të përmendim vetëm një shembull. A. Podrimja paska shkruar diçka për dendësimin e vargut. Me të drejtë ose jo, ka përmendur dy vargje si të pasuksesshme. Ç'bën R.Q.? Ai pyet: kush e shkroi vargun e parë? Përgjigjet: E. Mekuli. Dhe konkludon: pra, sipas A. Podrimjes, E. Mekuli, s'qenka poet i mirë!
Kush e shkroi vargun e dytë? Rr. Dedaj. Pra as ky s'qenka poet i mirë! Por, si mund të bëhen kësi përgjithësimesh, kësi fluturimesh nga një varg në tërë poezinë e një autori! R.Q. që na i përmend Dekartin dhe Traktatin për metodën, Spinozën dhe Etikën, Lajbnicin dhe Monadologjinë a s'di se kërkesa themelore e tyre ishte pikërisht rigoroziteti, disiplina e të menduarit? Natyrisht, do të më përgënjeshtronte, më duket, vetëm ai që do të më thoshte: s'kishte kohë R.Q. për logjikë, merrej këtu me provokacion.



Shpresa e kotë

"Ndërgjegjja e kohës" sonë s'do të ishte e këtillë po të mos merrej edhe me çështje më të mëdha shoqrëore, këtë herë me Plenumin e Brioneve dhe me integrimin e veprimtarisë botuese. Por, ç'subjektivzëm ekstrem, ç'shikim i errësuar?! Fragmentin mbi Plenumin e Brioneve dhe zhgënjimet e tij R.Q. i titullon: Shpresa e kotë (!).

Natyrisht, në dialektikën e jetës shoqërore, në kompleksin e faktorëve objektivë, subjektivë dhe të gërshetimit e të ndërhyrjes së tyre, gjithkush mund të ketë batica e zbatica, shpresa e shpresa të
kota, gënjime e zhgënjime. Dhe askush s'mund të dalë prej lëkurës së vet ose pakkush mund t'i shohë çështjet pavarësisht nga vendi që zë vetë në marrëdhënie të caktuar. Por, duhet të jesh vërtet një subjektivist ekstrem ose të jesh R.Qosja e t'i shohësh të gjitha çështjet vetëm sipas vetes. E të mos shohësh domethënien dhe dimensionet historike progresive të kthesës së Brioneve e të zhvillimit të pastajmë, madje pavarësisht nga travajat personale. R. Qosja, më në fund, absolutisht më së paku ka të drejtë të ankohet gjë. A nuk u ngrit ai - në sajë të punës së vet, por edhe në sajë të marrëdhënieve shoqërore të favorshme, të mirëkuptimit e të solidaritetit, e edhe të keqtrajtimit të disa mundësive - pikërisht në këtë periudhë të pas Brioneve, nga përkthyesi në Radio në drejtor të trefishtë të Institutit Albanologjik, në profesor ordinar të Fakultetit, në akademik dhe sekretar seksioni në Akademi? A nuk ishte në këtë ndërkohë edhe kryetar i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, kryetar i studimeve pasuniversitare, kryeredaktor i "Jetës së re"? A nuk botoi në këtë kohë tërë atë mori shkrimesh, me vlerë e edhe pa vlerë, madje edhe nga disa herë? Dhe, pse të mos e themi, a nuk ishte dhe a nuk është edhe sot një ndër më të privilegjuarit në jetën tonë të kulturës? Pse të zhgënjehet, çfarë shpresash të tjera të kota na paska pasur?

Plenumin e Brioneve R.Q. e kupton në mënyrë shumë abstrakte, zhgënjimin e lidh me "fushatën", me "presionin". Plenumin e Brioneve, shkruan ai, "e kisha pritur si një kusht (!) të lirie më të pacënuar (!) (295). "Për më tepër isha i bindur se do të jem qytetar plotësisht i lirë, që domethënë se do të mund të shkruaj lirisht... ashtu siç mendoj, ashtu siç dëshiroj pa u frikësuar..."(!) (294-5). Vizionisti ynë planetar, që mban monopolin e "totalitetit", nuk do të merret me dialektikën dhe konkretësinë e lirisë, për të cilën "lë kokën", i mjafton ta trajtojë si papërgjegjësi. Pikërisht si të këtillë e do ai lirinë, si të drejtë "të pacenuar", që të shkruajë "siç dëshiroj, pa u frikësuar", si të drejtë që të botojë, duke gënjyer organet përkatëse, një libër sharjesh e trillimesh, libër në të cilin, në kaptinë të veçantë përshkruan vetëm sekretin e botimit të pamfletit dhe shan që më parë të gjithë ata që do të mund t'i përgjigjen, dhe askush të mos e pyes "pse shkruan kështu", askush të mos kërkojë përgjegjësi. Ose, të botojë librin provokativisht në 2000 ekzemplarë, duke shpërndarë disa qindra kopje me përkushtime e gratis, madje edhe jashtë shtetit në stilin e aksioneve të "revolucioneve kulturore", për të siguruar eventualisht sa më parë dhe sa më me sensacion botim të dytë, dhe askush të mos i thotë gjë. Përkundrazi, Bashkësia e shkencës t'ia paguajë botimin, duke përfshirë edhe honoraret shumëmilionëshe të autorit, madje edhe për botime të tjera eventuale! Në të kundërtën, do të deklarohet i zhgënjyer, do të mendojë se "shpresa, gëzimi, lumturia ime e qershorit të vitit 1966 kishin qenë të
kota"(!) (296). "Kisha harruar atëherë, se deformimet kolektive mund të shërohen më lehtë se ç'mund të shërohen deformimet individuale", shkruan R.Q. (295), duke mos na bërë t'i kuptojmë se kur i paska pasë ditur këto që i paska harruar. "Dhe kisha harruar...", vazhdon ai duke na bërë të kuptojmë prapë se për raportin e të përgjithshmes dhe të veçantës, të kolektives dhe të individuales edhe sot më tepër llomotit se sa di gjë.

Për të arsyetuar zhgënjimin, R.Q. hap "faqen e dytë" të fushatës. Faqen e saj të parë e përbënin "artikujt atakues dhe diskreditues". Sa qenë gjithsej? Rreth dhjetë, duke përfshirë edhe ata që vetëm me ndonjë fusnotë kishin të bënin me të, ose intervistat ku vetëm një pasus mund të duket se ka të bëjë me të. Dhe, këto u botuan para më se gjashtë vitesh, në një kohë kur R.Q. botoi rreth 6 libra me aq shumë çështje kontestuese! Kjo na qenka fushatë, faqja e parë e saj?! Këtë faqe të parë, që i mbeti bukur zbrazët, R.Q. e mbushi pa
fort kriter. Më inkuadron në fushatë edhe mua, ndonëse pas vitit 1974 kur shfaqa, në dy raste, mendime të ndryshme me të tijat, nuk pata të bëj më fare me të. Profesioni nuk më lidh me të, kërshëria intelektuale më çon kah autorë më seriozë.

Faqja e dytë - i njëjti mjerim. R.Q. paraqet publikisht - dhjetë ankesa. Në njërën thotë se një pjesëtar i fushatës paska kërkuar që me rastin e botimit të artikujve të R.Q. në gazetë, emri i tij të mos shtypet me germa të mëdha! Dhe, për këtë të ankohesh publikisht pas gjashtë vitesh?! Ankesa tjetër: po ai persn para katër vitesh, në një ekspozitë në Lublanë, paska protestuar pse janë ekspozuar librat e R.Q. dhe jo "librat e paqenë" të të tjerëve! A u hoqën librat e R.Q.? Jo! Pse e trazojnë librat e paqenë? Ankesa tjetër: i njëjti person i ka shkruar një redaktori të NIN-it një letër me fjalë fyese për R.Q., por jo si reagim publik. Vijojnë dy-tri letra anonime, por me datë e vulë, 2-3 kërcënime telefonike me likuidim (të papërcaktuara, a moral a fizik, apo moral e fizik njëkohësisht) (!) Kjo është faqja e dytë e fushatës! Dhjetëra letra anonime, shqetësime me telefon e presione të tjera përmbi gjashtë vite! Kësaj i thonë fushatë!

Natyrisht, s'është të mos dënohen publikisht letrat anonime, shqetësimet telefonike e turpe të tjera të ngjashme, që mjerisht nuk janë të rralla. Janë këto primitivizma, janë idiotizma të tilla. Por, ç'kuptim ka vajtimi personal publik? Cili pjesëtar i jetës publike është i kursyer nga këto?

Edhe më e pakuptimtë dhe e papërgjegjësi është për letra anonime dhe biseda telefonike (anonime) të dalësh publikisht dhe pa argumentim e të padisësh "pjesëtarët e fushatës". Unë, në mendjen time, mund të mos e përjashtoj fare R.Q. nga autorësia e ndonjë letre anonime që kam marrë, por të padis publikisht, pa argumentuar, cilindo, do të ishte papërgjegjësi e palejueshme.

S'ka dyshim se, në qoftë se R.Q. e trajton lirinë në këtë mënyrë, si sjellje arbitrare dhe e papërgjegjësi, shpresat e tij lidhur me Plenumin e Brioneve dhe lirinë e "pacënuar" s"mund të jenë vërtet asgjë tjetër veçse shpresa të
kota.

Objekt i këtij vështrimi nuk ishte ajo që mund të jetë punë e rezultat me vlerë i R.Q. Objekt shqyrtimi është dështimi dhe pamfletizmi i tij. Dhe dëmi shoqëror e kulturor i skandalizimeve. Qëllimi im ishte të tregoj se për një funksion kulturor të rëndësishëm nevojitet më shumë dije, më shumë moral, më shumë humanitet. Dhe këto mund t'i zëvendësojë deklarativizmi e kaprici.





Bejko: Qosja është i vonuar disa shekuj



Me qenë se e filluam këtë libër me poezinë e Ali Podrimjes, “Mes dy gurëve”, mendoj se duhet ta mbyll me shkrimin e z. Sadik Bejko

Së pari, për "dy të mëdhenjtë e letrave shqipe". Kadareja ka qenë dhe mbetet "banor" i lagjes së shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë të gjallë deri më sot. Ka "biznesin" e tij të librit në Evropë, banesën e tij atje, jep leksione në universitetet më të mëdha të Evropës dhe Amerikës, ka marrë çmimet më të mëdha letrare të pothuaj gjithë shteteve kryesore evropiane.

Rexhep Qosja deri më 1980 përfundoi veprën e tij si studiuesi më i përkryer i drejtimit sociologjik të letërsisë. Shkolla e re që studion literaritetin (letrarësinë) jo sociologjinë e letërsisë, e nxori atë nga fusha e tij e studiuesit të letërsisë dhe, pas kësaj, është marrë me politikë, politologji, kulturologji, publicistikë etj. Shkurt, është intelektual i shkoll?s së vjetër. Unë e kam studiuar atë dhe e çmoj për sa ka dhënë.

Nuk është e saktë ajo që Kadareja është për një identitet të krishterë të shqiptarëve. Esse-ja e Kadaresë mbi identitetin, ndër të tjera është dhe kundër disa tezave të Qoses që e përçajn? mespërmes qytetërimin shqiptar: "Shqiptarët u takojn? dy qytetërimeve, qytetërimit perëndimor dhe qytetërimit lindor" (Rexhep Qosja, gazeta "Korrieri", 19 shkurt, faqe 16). Kadareja ka mendimin se ka një dhe vetëm një identitet shqiptar, pavarësisht përbërësve fetarë brenda tij. Se bota na njeh e na pranon si të tillë. Ajo na ka ndihmuar me bukë më 1992, me ushtarë më 1997, ka sulmuar një shtet të krishterë për të mbrojtur Kosovën, kryesisht myslimane, më 1999. Ismail Kadareja nuk është islamofob siç akuzohet. Përkundrazi. Veç të tjerash, në ese-në për Danten, ai e "qorton" poetin e madh fiorentin që profetin Muhamed e zbret në "Ferr". Nuk mund ta quash atë islamofob se shprehet me rezerva ndaj letërsisë së bejtexhinjve për orientalizmin në frymë, në gjuhë dhe për poetizimin e pedofilisë prej kësaj poezie.
Po ashtu, nuk mund ta quash Kadarenë të identifikuar me krishtërimin dhe kundër myslimanizmit, se merr në mbrojtje Nënë Terezën dhe letërsinë shqipe të qarkut katolik. Ese-ja e Kadaresë duhet lexuar në tezat e saj kryesore dhe jo të kapesh nga bishti për të ngritur akuza për gjëra që nuk janë brenda saj.

Rexhep Qosja i mëshon
fort asaj që shqiptarët në dy të tretat janë myslimanë, madje mendon se Shqipëria mund të realizojë sintez?n e dy qytetërimeve, të Lindjes me Perëndimin, se kultura jonë shpirtërore dhe materiale është me një përbërës të fortë të orientalizmit.

Gjithë Ballkani e ka një përbërës të tillë oriental. Shtetet e tjera në mos ca më shumë se sa ne. Kjo kulturë ballkanike me mite, me fantazma udhëheqësish të së kaluarës, me inate përvëluese ndaj njëri-tjetrit, i ka trashëguar këto nga helmi i despotizmit oriental që kaloi nga Bizanti te pallati i Sulltanit e mandej në Mosk? (Robet Kapllan). Komunistët bizantinë të Ballkanit, (të Shqipërisë, të Serbisë, të Greqisë etj.), shikonin te Moska, te trashëgimtarja e Bizantit, një atdhe të dytë (babanë Stalin, babanë Lenin). Ndër ne Haxhi Qamili ka kërkuar babën sulltan. Mbas tij, në emër të përbërësit kulturor islam, po ngrihet Rexhep Qosja të na sintetizojë me babën e vjetër.

Sintezën e orientit me botën latine dhe helenike e bëri Bizanti, nuk ka mbetur ta bëjë ndonjë tjetër. Atë e kemi ende këtu. Tipare orientale ka Janina, Athina e vjetër, Shkupi, Budva, Ulqini, lagjet "Mangalem", "Kala" dhe "Goricë" t? Beratit etj. Frymë orientale kanë muzika e Haxhidhaqit dhe e Teodoraqit në Greqi, e Bregoviçit, filmat e Kusturicës dhe veprat e shumë artistëve të tjerë. Edhe cezaropapizmi, teokracia në pushtet, para se ta shpikte islami e ka vendlindjen në Bizant, pastaj shkoi dhe te cezaropapizmi komunist i Moskës. Rexhep Qosja është i vonuar disa shekuj për të bërë sinteza të tilla që kanë mbaruar e janë rinovuar për së dyti e për së katërti në Ballkan. (Sadik Bejko, studiues, pedagog në Universitetin e Tiranës)





Pasthënia



Duke shkruar këtë libër për Qosjen sikur kisha një prirje të veçantë t’i besoja atij për të gjitha ato që kishte shkruar, që kishte deklaruar, që shkruan dhe që deklaron në secilin rast që i jepet.
Po e zëmë, i besoj shumë se ka shkruar mbi katër mijë faqe, por jo për çështjen shqiptare. Në përmbajtjen e tyre nuk shihet të jetë trajtuar asnjë çështje shqiptare të asnjë periudhe. Në përmbajtjen e këtyre shihen dhe lexohen vetëm të këqijat, në të shumtën e rasteve të trilluara. Përmbajtje të tilla gjenden kudo dhe kurdo në të gjitha propagandat kundërshqiptare. I besoj, po ashtu, se akademik Qosja nuk është prej atyre që propagandojnë në të tilla mënyra të „këqijat“ shqiptare në të mirë të vendit të tij, në të mirën morale të popullit të tij. Shumë, bile më shumë se shumë, këto të këqija ai i fabrikon dhe i shndërron në mjete të tij, në armë të tij për të sulmuar këdo që nuk është si ai. Si ai, fatmirësisht, ka fare pak, madje tepër pak. Ai gjithmonë thekson popullin, që këtij të fundit t’ia mbushë mendjen se është ai që di, është ai që guxon, është ai që ka të drejtën e plotë të rrënojë, të zhvlerësojë. Se vetëm ai ka fuqinë e ndëshkimit publik të të tjerëve, të të gjithë atyre që janë në shkallë më të lartë, madje shumë më të lartë, qoftë në krijimtari artistike, qoftë në politikë dhe qoftë në fushën e ndërgjegjes së kthjellët kombëtare. Prandaj, duhet t’i përulet edhe populli. Duke menduar kështu hilshëm dhe sëmundshëm, ai mendon se është i vetmi. Duke menduar se është i vetmi, ai pahetueshëm ka ngelur krejtësisht i vetmuar brenda zhurmës së tij të pareshtur „morale“ të gënjeshtrës, të shpifjes dhe të denigrimit sa më të pistë, jo vetëm të të sotmes, por edhe të së djeshmes kombëtare me aq shumë sakrifica të popullit shqiptar në përgjithësi.

I besoj, sepse ky akademik, që ishte intelektuali më për hasret i ish-komitetit të LKJ-së në Kosovë, sistemin e të menduarit, sistemin e përndjekjes dhe të shëmtimit të çdo lideri kundërkomunist, e ka ruajtur si mësim nga jeta e tij prej hasreti të dohershëm. Me një anë Akademia Serbe e Shkencave dhe titizmi, në përgjithësi, e mbushte botën me pamflete e projekte kundër shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, me qëllim të keqësimit të gjithmonshëm të imazhit të mirë, por dhe inferior të shqiptarëve, kurse në anën tjetër Rexhep Qosja, pa iu hetuar dora e tij të zgjatur në këto shërbime, krijonte dhe krijon edhe dosje dhe pamflete të ngjashme publike për gjithë kreun intelektual të Kosovës, edhe ashtu i përndjekur dhe nën llupën e sigurimeve jugosllave. Nëse nuk do të ishte kështu dhe nëse nuk ngjante kështu me këtë pari intelektuale e krijuese në Kosovë, atëherë si ishte e mundur që kjo të ndiqej dhe të mos kishte privilegje, siç kishte gjatë gjithë kohës titiste të LKJ-së Rexhep Qosja? Nuk guxonte LKJ-ja dhe sigurimi jugosllav ta ndiqte për shkak të guximit të tij të jashtëzakonshëm atdhetar? Jo! Përse i ndiqnin, i burgosnin, i keqtrajtonin, pra, shumë nga krerët e tjerë intelektualë të asaj kohe?

I besoj, sepse Rexhep Qosja nuk ishte dhe nuk është njeri i sakrificave dhe këtë e pranon çuditërisht edhe vetë. Ai kurrë nuk i kishte ndjerë brenda vetes, brenda ndërgjegjes së tij, brenda moralit të tij intelektual bëmat e regjimit politik mbi popullin e tij, sepse ai nuk ishte frymëzuar asnjëherë nga regjime të tilla politike, por gjithmonë nga filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj. Prandaj, ai nuk e ka shkruar thuaja asnjë faqe për këto çështje, që do të thotë për çështjet shqiptare. S’e ka shkruar asnjë faqe libri për të përndjekurit kolegë të tij profesorë, asnjë faqe për të përndjekurit kolegë të tij akademikë, asnjë faqe për atdhetarët, që sakrifikuan jetën për çështjen shqiptare, asnjë faqe libri për të burgosurit politikë shqiptarë në kohën e Titos së tij të madh. Nuk e ka shkruar asnjë faqe libri as për legjendën Adem Jashari, të cilin e shfrytëzon gjithkund dhe për çfarëdo që t’i zhvlerësojë kundërshtarët e tij tashmë të shumtë. Ai shkroi, njëmend, mbi katër mijë faqe të shara e rrëzime shqiptarësh, virtytesh e zellesh të mëdha, jo vetëm krijuese, por edhe atdhetare. Çfarë të keqe i bën popullit shqiptar fama botërore e prodhimit letrar, po e zëmë e Ismail Kadaresë? Përveç nderit kulturor, nëpërmjet të të cilit bota njeh tash siç duhet kombin shqiptar, asnjë të keqe nuk i bën akademik Qosjes. Përse atëherë ky nuk pranë nga të sharat e tij kundër Kadaresë? Ç’rëndësi ka sot që Qosja ta quaj këtë shkrimtar të madh si mit të komunizmit? Punë e madhe edhe po të ishte kështu! Ai është tashmë emblemë e kulturës shqiptare, e kombit shqiptar në botën e madhe krijuese. Përse, pra, kjo famë e tij e xhindosë këtë akademik, në Akademinë e të cilit (në Prishtinë) nuk mund të marrë asnjë votë, siç nuk e mori asnjë votë edhe në politikë?

I besoj, edhe pse nuk e thotë haptas, se ai ka shumë shqetësime. Shqetësimet e trazojnë dhe këto e bëjnë të inatshëm. Ai duhet të ketë famë, jo Kadare! Atë duhet ta dojë populli dhe jo siç e deshi dhe vazhdon ta dojë edhe pas vdekjes Ibrahim Rugovën. Ai duhet të jetë populli dhe ai duhet të jetë shteti. Ai duhet të jetë në Kosovë e në Shqipëri kryetar i shqiptarëve në përgjithësi, ai duhet të jetë kryetar Parlamenti, ai duhet të jetë kryeministri. Ai dhe vetëm ai. Krerët shqiptarë në Kosovë e në Shqipëri, natyrisht, edhe pse të sharë nga ky akademik, edhe pse të fyer nga ky akademik, nuk patën dhe s’kanë kohë ta presin, sepse i duan vendet e tyre, shtetet e tyre, të cilat duan t’i zhvillojnë dhe duan t’i integrojnë në sistemet e mëdha ndërkombëtare. Qosja është i vonuar, sepse s’kishte kohë dhe energji të njëmendtë morale të ecte bashkë dhe vëllazërisht në të gjitha këto projekte të rëndësishme kombëtare. Ai pati dhe ka kohë të mjaftueshme të shëmtojë sa më shumë dhe sa më shpesh frytet e mëdha zhvillimore të vendeve shqiptare. S’e kishte fuqinë e sakrificës, prandaj u ndal të shkruante mbi katër mijë faqe pamflete, meny sharjesh, britmash jashtë kohës kundër bashkëkombësve të tij të famshëm dhe ata në rrugën e famës, qëllime dhe përmbajtje të cilat shqiptarët i kishin lexuar edhe gjetkë në propagandat kundërshqiptare.

Rexhep Qosja ka shumë probleme, jo nga të tjerët dhe me të tjerët, por me vetveten. Ai as arriti, as arrin të kuptojë (as nuk dëshiron të kuptojë) se përderisa e shante dhe përpiqej ta rrënonte dr. Rugovën, përpiqej të shante dhe të rrënonte mbi 90 për qind të shqiptarëve në Kosovë, që ishin në krah të tij. Atij i ngelte përkrahja e më pak se 10 për qind. Ai shau e shanë pa ndërprerë Sali Berishën, edhe pse qeveria e tij hapi rrugën e Shqipërisë për në NATO dhe tash atje ajo është e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj Aleance më të fuqishme ushtarake në botë. Ai shan Sali Berishën, i cili po e realizon ëndrrën gjithshqiptare të integrimit dhe të bashkimit të kombit edhe nëpërmjet rrugës Durrës-Morinë. Ai shau e shan me fakte të trilluara urrejtëse Sali Berishën dhe qeverinë e tij, që po i hapin rrugë shqiptarëve të lëvizin të lirë në Evropë, të barabartë si të gjithë të tjerët… Qentë le të lehin, karvani ec, thotë një fjalë e urtë. Nga tërpia e tij e vazhdueshme që vetëm të shajë, vetëm të rrënojë, vetëm të mohojë vlerat e arritura, përkundër vështirësive marramendëse si në Shqipëri, si në Kosovë, Rexhep Qosja, si autor i devotshëm i këtyre mijëra faqeve pamfletesh, dhe vetëm i këtyre pamfleteve pështirosëse, mund të merret me mend se ai kurrë nuk do të shkelë në këtë rrugë (Durrës-Morinë) mu pse, në sajë të çykës së tij të inateve, e ka ndërtuar Sali Berisha.
Apo ndoshta do të shkelë, sepse do t’i bëhet, sipas paranojës me të cilën jeton, se duke shkelur mbi këtë rrugë, i bëhet se po shkelë mbi shtatin e Sali Berishës me të katër rrotat e automjetit.

Rexhep Qosja ka shumë probleme, jo nga të tjerët dhe me të tjerët, por me vetveten. Lexuesi ka mundur të shohë nga përmbajtja e mësipërme e këtij libri se ai qe denoncuar publikisht si plagjiator, si akademik që vjedh mundin shkencor të të tjerëve dhe këto pastaj, pa iu skuqur bile as mollëza e tij e hajthme, i strehon në librat e tij si autor i tyre. Autorët e njëmendtë, nga të cilët vodhi ky akademik, reaguan publikisht dhe thanë se Rexhep Qosja, nga një studiues letërsie, vjedh punët shkencore të të tjerëve, duke sjellë dhe fakte të qëndrueshme edhe nëpërmjet faksimileve, të cilat nuk lenin asnjë shteg të kundërshtoheshin. Ktheu ndonjë përgjigje mohimi për plagjiaturë dhe hajni të tilla Rexhep Qosja? Jo. Megjithatë, nuk e harroi këtë denoncim aq publik dhe aq të qëndrueshëm me fakte nga autorët e vërtetë të vjedhur nga ai. Sajoi gënjeshtrën publike se Akademia e Shkencave e Kosovës ia paska mbyllur dyert dhe, nëpërmjet kësaj gënjeshtre, që u demantua nga vetë ASHAK-u, ai zhvlerësoi akademikët nga të cilët kishte vjedhur dhe i quajti si njerëz që në Akademi janë sa për të shkruar artikuj gazetash (këta akademikë reagimet e veta denoncuese ndaj hajnisë së Qosjes i kishin botuar në gazetat tona të përditshme). Ai nuk iu përgjigj fare as shpjegimit publik të ASHAK-ut se askush nuk ia kishte mbyllur dyert e Akademisë, por ishte ai që më shumë se gjashtë vjet vullnetshëm nuk kishte shkelur në këtë Akademi. Mungesën e tij krerët e kësaj Akademie e kishin toleruar dhe, përkundër të gjitha rregullave, përsëri e kishin vënë në listat e tyre zgjedhore, në të cilin proces Qosja nuk e kishte fituar asnjë votë. Pse nuk e përgënjeshtroi këtë shpjegim të ASHAK-ut Rexhep Qosja? Edhe kështu ai mendon se gënjeshtra e tij është shumë më e fuqishme se të gjitha të vërtetat e të tjerëve dhe, prandaj, nuk bën zë i fshehur pas hijes së vetëmadhështisë së tij, por vazhdon të rrojë pa asnjë siklet moral, vazhdon të ligjërojë para publikut pa asnjë fije turpi, pa asnjë fije ndërgjegjeje. Ruan tiparet mesjetare të inateve në mënyrën më të pashpjegueshme, ku nuk ka rënë e nuk lejon të bie asnjë rreze drite e të sotmes. Nuk është i tillë vetëm atëherë kur e rrëmben lakmia dhe kujtesa për të kaluarën e tij privilegjesh hyjnore të periudhës së Titos.

Teorinë filozofike të së keqes e ndërton mbi emrat dhe me emrat konkretë të ndërgjegjeve tona të njëmendta kombëtare.
Nis shtrirjen e një teorie dhe ajo, pa vonuar, përthekohet në mënyrën më të vrazhdë me një sertësi të ultë dhe përfundon me inate të pashërueshme, të cilat, pastaj, degjenerojnë në urrejtje pa shpjegim.

Gjatë shkrimit të këtij libri, vërtet u përpoqa të gjeja në të gjitha përmbajtjet e shkrimeve të akademik Qosjes diçka të mbarë, që s’e kishte sertësinë e inatshme, që s’e kishte urrejtjen për të „parët e parë“ në shoqërinë shqiptare, por nuk ia dola. Aty ku fillimet e ligjërimit filozofik të tij duken si paralajmërim urtësie e dijeje, përfundojnë gjithnjë shumë rrëzuese, shumë mohuese, shumë denigruese. Edhe kur e përdorë ironinë dhe sarkazmin, edhe satirën edhe të vërtetën, i stërkeq me elementet e tij të brendshme urrejtëse e poshtëruese për emra të njohur e me famë, si në letërsi, si në politikë, si në jetë, o si të vdekur. Përfundojnë gjithnjë me reflekse dehumane dhe akombëtare. Përfundojnë në „fermë qensh“. Nuk është e keqja kur të keqen e quan ashtu siç është. E keqja e tij e vrazhdë është kur ai të mirën, të mbarën, përpjekjen e ndërgjegjshme, historinë e sakrificave gati mbinjerëzore të popullit tonë, i quan të këqija dhe të gjitha këto i shtron në rrugën e tij të vetëquajtur morale dhe atje i shkelë, i bën hedhurina.

Ky është Rexhep Qosja! Fatkeqësisht!



Fund

Shënime për autorin

Sylejman Aliu u lind më 1947 në katundin Kashtanjevë të Ferizajt. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Ferizaj, kurse studimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”, gazetar e redaktor shumëvjeçar i së përditshmes “Rilindja”, kryeredaktor në gazetën e përditshme “Bota sot”, kryeredaktor po ashtu i së përditshmes “Iliria Post” dhe drejtor në Shtëpinë Botuese të Librit “Rilindja”. Tash drejton shtëpinë botuese “SAGA” në Prishtinë.

Përmbledhjen e parë me tregime “Ankthi” e botoi më 1974. Pasojnë “Shtëpia në pluhur”, 1978, “Fillimi i vjeshtës”, 1980, “Gjuetari i dehur”, 1987, “Trazimi i heshtjes”, 1994, “Vdekësit e popullit” (dramë), 1998, romanin “Muzgu i bardhë”, 2003, skenarin e filmit “Dhembja krenare”, të cilin e ka realizuar më 1989 Radiotelevizioni i Prishtinës. Së shpejti pritet të dalë para lexuesve romani “Mashtrimi i dashurisë”, si dhe dy libra të tjerë publicistikë të këtij autori.

Disa tregime të këtij autori janë përfshirë në disa përmbledhje autorësh nga Kosova, që u botuan në Shqipëri.

Veprat e këtij autori janë vlerësuar dhe cilësuar mjaft të suksesshme nga kritika letrare.



(Vota: 9 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Valon Kurtishi: Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV) Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV)

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora