E enjte, 28.03.2024, 06:29 PM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Të sanojmë bashkë situatën në zonat e përmbytjeve

E premte, 08.01.2010, 09:59 PM


SI GJITHMONË

TË BASHKOHEMI TË GJITHË SHQIPTARËT

TË SANOJMË BASHKË SITUATËN NË ZONAT E PËRMBYTJEVE

NË SHQIPËRINË VERI-PERËNDIMORE

Le të veprojmë bashkë e shpejt të gjithë shqiptarët, duke shmangur çdo dallim ideologjiko-politik, rajonal apo religjioz, ashtu siç kërkojnë traditat tona të shenjta kombëtare – si institucionet shtetërore të Shqipërisë e të Kosovës, poashtu edhe forcat politike opozitare e edhe mërgimtarët, respektivisht diaspora shqiptare

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Këto ditë, për fat të keq, jemi dëshimtarë dhe të gjithë e ndjejmë rëndë në shpirt fatkeqësinë natyrore të përmbytjeve në rrethet e Lezhës dhe të Shkodrës, në një pjesë të madhe të Shqipërisë veri-perëndimore. Popullsia e atjeshme ka halle të mëdha dhe shumë rreziqe (deri te jeta) nga këto përmbytje, institucionet vendore dhe ato qendrore të Shqipërisë po mundohen me të gjitha mënyrat ta tejkalojnë këtë gjendje të vështirë dhe të rrezikshme e të gjejnë shpëtimin e asaj popullsie nga më e keqja, institucionet dhe populli i Kosovës kanë shprehur gatishmërinë dhe janë vënë në vijën e parë të frontit të ndihmave konkrete humanitare  e profesionale. Prandaj, që të jemi të pandarë dhe me moton “bashkimi bën fuqinë” menjëherë duhet të inkorporohemi në këtë akcion mbarëkombëtar edhe ne të tjerët – opozita shqiptare dhe diaspora.

            Siç bëjnë të ditur massmediat, krerët e institucioneve qenderore dhe të atyre vendore – Bamir Topi, Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe kryetarët e bashkive e të komunave të zonave të përmbytura, kanë vizituar zonat e rrezikuara dhe kanë shprehur dhembjen e tyre dhe gatishmërinë institucionale e personale për të ndërhyrë në sanimin e gjendjes.

            Edhe nga Kosova është dëgjuar zëri i arsyes. Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu u ka telefonuar drejtuesve të institucioneve të Shqipërisë, për të shprehur keqardhjen dhe gatishmërinë e mbarë popullit të Kosovës. Njësitet speciale për akcione humanitare dhe të shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shkuar të ndihmojnë popullatën në zonat e përmbytura. Kryetari i Komunës së Gjakovës Pal Lekaj ka ofruar nga institucioni që ai drejton një ndihmë simbolike financiare dhe – edhepse i takon krahut politik opozitar të Kosovës – ka apeluar te të gjithë kryetarët e komunave dhe te mbarë populli i Kosovës, që të kyçen në akcionet humanitare dhe t’u ofrojnë bashkëkombasve në Shqipërinë veri-perëndimore ndihmat e nevojshme dhe solidaritetin vëllazëror.

            Mirëpo ky akcion humanitar ende nuk mund të quhet mbarëkombëtar dhe plotësisht i vlefshëm e funksional, sepse ende mungon zëri i arsyes nga ana e krahut politik opozitar në Shqipëri dhe nga diaspora e madhe shqiptare – anekënd botës. Duhet dëgjuar sa më parë zërin e arsyes që na vjen nga traditat tona të shenjta kombëtare, që gjithmonë – sidomos në raste të tilla të fatkeqësive e të rreziqeve – të jemi të gjithë të bashkuar.

            Prandaj, do të duhej që pa humbur kohë të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë, në përbërje të plotë – pozitë e opozitë, dhe të marrë vendime historike të solidaritetit njerëzor e të veprojmë të gjithë bashkë në tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së vështirë. Për të bërë fushatë zgjedhore dhe për të premtuar kanë shkuar të gjithë edhe andej. Madje edhe janë zgjedhur  deputetë me votat e asaj popullate. Askush nuk i ka thënë popullit atje se do i mbroj interesat e tyre vetëm nëse është në pushtet... Edhe opozita mund të kontribuojë dhe ka çka të kontribuojë. Është ora dymbëdhjetë pa një minutë dhe duhet të bashkohemi të gjithë urgjentisht! Edhe shoqatat dhe klubet shqiptare në diasporë, anembanë botës – deri në Amerikë, Australi e Oqeani duhet të organizohemi sa më parë dhe të vëhemi në dispozicion konkret për të tejkaluar këtë gjendje të rëndë. Duhet të veprojmë menjëherë, se ata atje janë vëllezërit tanë dhe ua kemi borxh moral t’u ndihmojmë.

            Tash kur dinamika e shpërndarjes së lajmeve është e përshpejtuar dhe e sofistikuar, të gjithë i kemi parë edhe të filmuara ato zona të mbuluara me ujë dhe rreziqet e mëdha që i kanosen popullatës atje. Prandaj, kush ka shpirt të mirëfilltë shqiptari, nuk mund të rrijë duarkryq në këto rrethana që mund edhe të sjellin tragjedi të mëdha. Duhet lëvizur të gjithë dhe menjëherë dhe duhet ofruar ndihmën tonë – aq sa mundemi e aq sa dijmë. Duhet shpëtuar jeta e njerëzve, jeta e motrave tona e vëllezërve tanë. Me plot vetëdije dhe me ndjenja e them se nëse lejojmë që atje të ndodhin tragjedi, as jeta jonë nuk do të ketë kuptim as lulëzim. Atëherë le të ndihmojmë të gjithë – menjëherë, pa humbur asnjë sekond!

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora