Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Revista "Shqipëria etnike" Nr. 4/2009 (I)

| E marte, 05.01.2010, 08:30 PM |



SHQIPËRIA ETNIKE

Revistë e pavarur tremujore:
informative-kulturore-politike
Për:
-Shqipërinë Etnike në kufijtë e saj
-Riatdhesimin e Shqiptarëve
të dëbuar me dhunë
-Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar
Viti X nr. 4/2009 Verdhor-Brymor-Dimëror- 2009
Çmimi: për Mërgatë: 5 CHF, 3 €, 3 $
për Vend: ( Kosovë-Maqedoni-Shqipëri) 1.50 €
Prokredit Bank- Prishtinë-(Kadri Osmani)
Nr. i llogarisë:1110162085000136

Drejtor: Agim GASHI

Kryeredaktor: Kadri Mani

Zv.Kryeredaktor: Halil Xani
Redaktorpërgjegjës: Adem Berisha
Lektore: Jeta Bytyçi
Kompjuterist: Besnik Mehmeti
Anëtarë Nderi në Redaksi:
Rexhep Bunjaku, Ibrahim D. Hoxha,
Fetah Berisha dhe Ramadan Rexha
Simboli: Qamil Nivokazi
Adresa:
"Shqipëria Etnike"
c/o Kadri Osmani            
Kodra e Diellit
Rr. “Mehmet Gradica” nr. 64
10000 Prishtinë
etnike@gmail.com
Redaksia ka të drejtën e redaktimit
e të lekturës të punimeve
Shkrimet dhe fotografitë mund
të kthehen: me kërkesën dhe
shpenzimet e autorit.
________________________
Numri i parë i revistës tonë
"Shqipëria Etnike" doli më 10
Qershor 1999: në 121-vjetorin e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit 1878-1999; prandaj
kjo Lidhje është busulla jonë orientuese 

KRYEARTIKULLI

SOCIALISTË TË TË GJITHA VENDEVE-MENÇUROHUNI!

/Ali Aliu- Presheva, Hydajet Hyseni-Kaloshi e Hysni Milloshi, me edi ramët e haramët: ju vrafshin  gabelët e ju vajtofshin shkinat!/

Nga Kadri Mani

Le të na falë poeti Adem Istrefi për parafrazimin e nëntitullit (dhe jo vetëm të nëntitullit!) tonë nga romani i tij LEMERIA, frika e tmerri sa nga pushtuesit, poaq nga shokët e luftës, që po i merrnin në pyetje e po i vrisnin pas shpine shokët e vet, atje e këtu, dje e sot!! SHIK-u atje e SHIK-u këtu!! Të cilin shërbim unë me kohë e kam quajtur SHIAK:

Shërbimi Informativ Anti Kombëtar!!!!

Zezona filloi me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes atëherë dhe me prishjen e Marrëveshjes së OSLLO-s këtu.

Fill pas Luftë së Dytë Botërore, një brigatë partizanësh nga Tirana u vendos në fshatin tonë, dhe një natë e plagosën rojen e vet!

Dhe duke e dërguar te mjeku me një qerre fshatare, zhvillohet ky dialog:

-Po përse më plagosët ore!?!

-Mej derr, se po ta numroj në lule të ballit, e ke lëshuar vendin e rojës tre hapa!!! (Në periferi të Artanës (Novobrdës) s’kishte zonë kufitare!!!).

Na pajtoi i madhi Anton Çetta, dhe besëprerët e thyen besën!

A janë që të gjithë deputetët vjedhca!?- cili nga ata ka dalë në Parlament me dokumente të trashëgimisë e të thotë: Ja, malli i babait tim, unë nuk jam vjedhës.

Bojkotimet e socialistëve sot, festimi i 100-vjetorit të diktatorit Enver Hoxha, janë isharete të anakronistëve për kthim prapa, dhe për të reja masakra.

Hardhucët (dykëmbësh) nga provincat e veta të shkreta shkuan në mërgatë e mbetën njësoj të ngratë: ama me ta blerë nganjë kompjuter, vërshuan internetet- horrat, tamam si krimbat e qenefit oborrat!!

E si në lojë e si për hajgare, po na i fyejnë edhe figurat kombëtare! Ama atyre opo ju prijnë “inelektualët” e tipit të: albertino rakipëve, rexhep qosëve, salih kabashëve, sheradin berishëve... Nazim Bllaca... hetimet vazhdojnë... të na falin për momentin e tyre të pavolitshëm! Paçka se e keni dijtë mirëfilli atë populloren: borxhi nuk pret ditë të mirë.

“Ajo çfarë mund të bëjmë në kuptimin e nderit tonë, është thjesht të shkruajmë brenda perimetrit tonë të nja 20 kilometrave.”<!--[if !supportFootnotes]-->[1]<!--[endif]-->

Për ta konkretizuar këtë përbërës të qenësishëm, mund të sillen shembuj nga secila vepër e Fishtës, të thuash nga secla faqe, këtu po sjell vetëm tre vargje: amanetin e Ali Pashë Gucís, lënë nuses së vet, para se të nisej në luftë, i cili shenjëzon një kërkesë të rëndësishme, që ka bërë themelin e jetës dhe të mbijetesës së njeriut tonë nëpër kohë, edhe në kushte të rënda e të pazakonshme.

Nji amanet jam tue ta lânë

Rritma djalin djalë bujár

T’m’bâhet burrë e burrë shqyptár...<!--[if !supportFootnotes]-->[2]<!--[endif]-->

Pra, Ali Pashë Gucía kërkon nga gruaja tri çështje thelbore: t’ia rritë djalin bujar, që nënkupton edhe fisnik e mikpritës; burrë, që nënkupton edhe trim, burrë shqiptar, që nënkupton edhe trim shqiptar, edhe bujar shqiptar, edhe fisnik shqiptar, edhe mikpritës shqiptar. Një thjeshtësi shqiptimi në të parë, por që ngërthen një madhështi shprehjeje e kuptimi dhe ekzistence të njeriut tonë.<!--[if !supportFootnotes]-->[3]<!--[endif]-->

Më mirë një kursim, sesa një fitim

Zgjodhëm këtë fjalë të urtë nga thesari (i humbur!) i traditëlashtave tona, për ta shtruar pyetjen: në s’kemi ne shqiptarët pasuri apo s’kemi mend!? Dje s’kishim municion sa po kishte pushtuesi; sot kemi familje të tëra pas stehë mbi kokë, e në anën tjetër njëfasoj dalldie e shfrenuar e kremtimit të Viti të Ri: sa shtëpi do të ndërtonim vetëm me gjysmën e atyre fishekzjarreve të shpenzuara për çdo lagje!?!

Mendvezarar!


KUMBONAT BIEN PËR TË GJITHË

Nga Prof. Sami Repishti

Që nga mesi i muajit tetor, një grup prej gjashtë qytetarësh shqiptarë, ish të përndjekur politikë, janë

në grevë urie me qëllim që të tërheqin vëmendjen e publikut në përgjithësi, dhe të qeveritarëve në veçanti,mbi gjendjen e tyre të mjerueshme. Grevistët e urisë janë të ngulitur pranë hyrjes së Kuvendit të Republikës në mes të Tiranës, dhe të hapët për të gjithë ata që kanë sytë të shikojnë.

Këto viktima të pafajshme që detyrohen me ndërmarrë aksione të rrezikshme me çmimin e shëndetit të tyre -dhe ndoshta edhe të jetës së tyre -janë qytetarë të dermuem nga sëmundja, varfëria, e mungesa strehimit për vete dhe për familjet e tyre, gra dhe fëmijë. Akte të këtilla ekstreme janë zakonisht rezultati i një mospërfillje të paskrupull nga organet qeveritare që janë të detyruara me ligje për përkujdesje të qytetarëve. Fatkeqësisht, këto “autoritete“ që kalojnë ditë e vitë në kolltukët komode të zyrave të ngrohta në dimër dhe të freskëta në verë, nuk janë në gjendje me kuptue çfarë do të thotë të jeshë gjysëm invalid, pa strehim, pa punë, dhe i paaftë me sigurue bukën e përditeshme për fëmijët që vuajnë. Qeveritarët, “fëtyrët e të cilëve ndritin nga dhjami“ që fitojnë nga ushqimi i siguruar me rrogët e majme e të rrituna nga të ardhuna “legale“ që u siguron pozita e tyre në pushtet, nuk kanë as aftësinë me sigurue bukën për të uriturit, as ndërgjegjen qe i zgjon nga gjumi i rëndë i moskokëçarjes kur ballafaqohen me viktimat e akteve zyrtare.

Këto viktima, të diktaturës dje dhe të “demokracisë” sot, kanë një emër: Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Lizak Bejko, Konstantin Gjordeni, Petrit Shpuza, Lico Cola. Të gjithë së bashku, ata kanë kaluar më shumë se 100 vjet në burgje dhe kampe të punës së detyruarshme, për arsye të bindjeve të tyre politike në kundërshtim me ideologjinë dhe praktikën terroriste të regjimit komunist në Shqipëri. Sot, kur “pushteti” që i përbuzë, mbeshtetet në kapitalin moral të ish të përndjekurve, keto viktima shohin veten si “lecka të hjedhura poshtë” nga ata që nuk pranojnë të trazohen nga tregimet e tyre -historira të kaluara që u kujtojnë pushtetarëve karrierën gjatë regjimit komunist. Para ndërgjegjeve të këtilla, të gjithë ne ballafaqohemi nga nji rrezik vdekësor: ringjallja e diktaturës me një maskë të re.
Vëllezër, motra! Dëgjoni kumbanat e grevistëve të urisë; ato bien për të gjithë ne!

Në mbështetje të evidencës pjesore që kemi, dhe që është vetëm një pjesë e dokumentimit të plotë, këto viktima kanë kundërshtuar një regjim që shkeli pa skrupull dhe sistematikisht të gjitha të drejtat e njeriut, regjimin komunist në Shqipëri. Ai regjim ka vrarë me gjyq dhe pa gjyq mijëra shqiptarë të pafajshëm, ka internuar ma shumë se 12 000 familje të pafajshme, ka detyruar nj popull të tërë të izoluar nga bota në punë të rënda dhe për bukën e gojës, ka përvetësuar arbitrarisht të gjithë pasurinë private të qytetarëve, duke e shpenzuar në armatime të pakuptim, ka shtypë çdo liri personale e qytetare, dhe ka nënshtruar gjysmën e popullsisë me terror, frikësim e uri, tue i detyruar me informue kundër gjysmës tjetër që refuzoi nënshtrimin me sakrifica të papërshkruarshme. Grevistet e urisë janë pjesë e kësaj ushtrie fisnike që përfaqëson anën morale të shoqërise sonë.

Dje në kondita ekstreme mbrojtën të drejtën, të vërtetën, njerezoren dhe nderin e kombit shqiptar. Sot, ata deklarojnë botërisht:
“ Të  jeshë  luftetar i së  vërtetës dhe i së  drejtës    një  vend ku sundojnë  gënjeshtra dhe padrejtesia, ëeshtë  një  detyrë  fisnike e njerëzore. Padrejtesia në  këtë  vend  është kthyer në  formën më    keqe të  sundimit,  duke hedhur mbi vete mantelin e “demokracisë”. 
Ky mesazh i tyre merr një karakter universal. Sepse, mos me pranue sjelljet e qeveritarëve tuaj kur ata krijojnë përshtypjen e qëndrimit të gabuar, do të thotë me ruajtë humanitetin e të gjithë popullit tënd.

Kohët kanë ndryshuar, sistemet diktatoriale shkojnë e vijnë, por individët me karakter, dhe koncepti i dinjitetit njerëzor janë vlera të përhershme. Dhe kjo me kujton mallkimin e Amos-it në Biblën e Vjetër: ”Ju (sundimtarë) urreni çdo njeri që kundërshon padrejtesinë, cilindo që flet të  vërtetën e plotë  para gjykatësit. Ju keni shtypë të varfërin dhe keni grabitë djersën e punës tij. Ju persekutoni njerëzit e mirë, ngopeni me bakshishe, dhe përbuzëni të  varfërit sa herë    ata kërkojnë  drejtësi…”

Grevistët e urisë nuk kanë iluzione me përmbysë qeverinë; ata kanë vendosmerinë dhe autoritetin moral me turpnue qeveritarët para botës së qytetruar – dhe Bashkimit Europian – tue tregue qartësisht ku qëndrojnë të shtypurit dhe të harruarit, ish të persekutuarit në këto ditë të turbullta për vendin tonë. “Aty ku nuk ka drejtesi, aty nuk mund të kemi paqe!” qortonte Papa Gjon Pali II. Është detyra e të gjithë neve me eliminue konditat që shpien individët në dëshprim, dhe përfundime shkatërruese.

Duket sikur qeveritarët shqiptarë janë jashtëzakonisht larg popullit shqiptar. “Prezenca e “së keqes” në shoqëninë shqiptare do të përfundojë, në mënyrë të paevitueshme, në korruptimin e plotë të atyre që sundojnë, ose në revoltën e atyre që persekutohen. Historia është e mbushur plot me shembuj të këtillë. Duket sikur në Shqipëri ka elemente që punojnë për një “zgjidhje” të këtillë. Megjithatë, nuk duhet harruar se në politikë “fitorja” nuk është njelloj si “suksesi”.

*

Është bërë zakon në Shqipëri që për të mbuluar të vërtetën, elementët demokratë akuzohen si “shfrytezues” e “parazitë”, sepse shumë prej tyre kërkojnë rekuperimin e pasurisë dhe pronave të sekuestruara pa të drejtë. Nuk është turp të keshë pasuri, ose të jeshë pronar tokësh, përsa kohë që ato njihen nga ligji si prona private.

Në Kushtetutën Amerikane gjinden tri fjalë që përcaktojnë filozofinë e themeluesve të kësaj demokracie të madhe: liria, jeta, dhe kërkimi për lumturi. (life, liberty and the pursuit of happiness). (në versionin e parë, ishte: jeta, liria, dhe prona private. Meqenëse më 1776, skllevët zezakë njiheshin si “pronë“ (chattel) e jo si qenie njerëzore si të gjithë, një përcaktim i këtillë do të kishte formalizue skllavërinë. Prandej u zevendsue me “kerkimin e lumturisë). Në thelb, koncepti i pronës private kishte aq rëndësi, sa edhe jeta dhe liria.

“Prona private” (the private property) është diçka që i takon vetëm pronarit të ligjshëm, do të thotë një e drejtë ekskluzive me posedue, me gëzue në kuptimin më të gjerë të fjalës çdo gjë që ka një çmim, ose një interes, e konsiderohet kryesisht si burim pasurie.

Rëndësia e pronës private qëndron në faktin se është burim i të ardhurave që shërbejnë për plotësimin e nevojeve materiale e kulturore vetiake, e familjare. Një gjendje e këtillë e bën pronarin të lirë e të pavarur nga ‘shteti”. I lirë, dhe i pavarur në një shoqëri ku sundon ligji, individi quhet qytetar i lirë, dhe në shoqërim me të tjerët, ai përbën shoqerinë e lirë, ose “botën e lirë” që neve na pëlqen. Kjo gjendje ideale që frymëzon çdo qenie njerëzore.

Me ardhjen e komunizmit në Shqipëri, koncepti i pronës ndryshoi rrënjësisht. Ajo u përcaktue si“…diçka që është    përputhje me parimet e një  shoqërie që  i përgjigjet kërkesave të moralit komunist” (Fjalori i Gjuhës Sotme Shqipe,1980, f. 370) Kjo do të thotë pasuri shtetërore ose kooperativiste, jo private. Si rrjedhim, pa burime jetese të pavarura dhe plotësisht në mëshirën e “shtetit”, d.m.th. nji proletar. Natyrisht, shumë shqiptarë e kundershtuen një sistem të këtillë dhe përfunduan në burgje dhe kampe përqëndrimi, ose u detyruan të punojnë në qendrat e punës me të vështira për bukën e gojës dhe u persekutuan pa mëshirë. Kështu jetoi Shqipëria për 45 vjet me radhë.

Por absurditeti i një zhvillimi të këtillë shfaqet sot kur sistemi komunist është përmbysë dhe metodat e tia vazhdojnë të zbatohen nga qeveritarë te indoktrinuem që refuzojnë të pranojnë kuptimin e mirefilltë të pronës private: jetë të lirë e të pavraur nga “shteti”. Është absurde kur shihen viktimat e regjimit komunist të sillën vërdallë zyre më zyre me kerkue të drejtën e tyre, pasurinë e trashëgueme, dhe të sorollatën nga një administratë shurdhëmemece që ‘sundon” dhe nuk “qeverisë”, nga “aparatçikët” e sistemit komunist e jo nga “shërbestarët” e demokracisë, të shoqërisë së lirë. Ku vete sot Shqipëria dhe shoqëria shqiptare?

Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetesuese. Nuk jetohet vetëm me bukë dhe për bukë. Një jetë pa liri, pavarësi e dinjitet, nuk vlen të jetohet. Me protestën e tyre, grevistët e urisë i bien kumbonës dhe paralajmërojnë se fati i tyre sot është pararëndës i një fati që rezervohet për të gjitë ata që sot heshtin e qëndrojnë indiferentë.

Heshtja vret; indiferenca vret. Është e vështirë me besue se ndërgjegjja e popullit shqiptar është aq e fjetur sa të lejojë vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithçka, ndoshta edhe jetn e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqëri shqiptare të lirë e demokratike. Koha do të tregojë!

23 dhetor 2009

Ridgefield, CT, USA
———————————————————————————————
Sami Repishti ,PhD.
City University of New York (ret.)
Ish i burgosun politik ne
Shqiperine komuniste (1946-56) dhe ne
Jugosllavine komniste (1959-60)
Aktivist per te drejtat e njeriut

  

Akademiku Bedri Dedja - mësues i mësuesve dhe profesor i profesorëve të fushës së tij

Nga Prof. Emil Lafe 

encikloped@yahoo.com

 

Falënderoj autorin e shkrimit, prof. N. Abdiun, dhe znj. E. Dedja që na e dërgoi. Kam qenë ndër studentët e parë të prof. Bedri Dedes, që në v. 1955. Mësimet e tij dhe personalitetin e tij si pedagog dhe dekan, nuk i kanë zbehur 50 e ca vite që kanë rrjedhur.

Mendoj që me rastin e 80-vjetorit, Akademia e Shkencave, ka për detyrim shkencor e moral të organizojë, në bashkëpunim dhe me institucione të tjera, një veprimtari shkencore në fushën e studimeve të akademikut B. Dedja. Materialet e kësaj veprimtarie të botohen pa vonesë në një vëllim përkujtimor jubilar (ose siç i thonë gjermanisht Denkschrift), që të përmbajë edhe një biografi të B. Dedes dhe bibliografinë e plotë të shkrimeve të tij.

Shoqata e Psikologëve pa vonesë le të bëjë hapat përkatës.

Me nderim

Emil Lafe

Neokomun(social)istët  e përçarjes së madhe

(Kujtesë enveristëve të thekur në mbarë trojet tona etnike)

Nga Prof. Eshref Ymeri

Virusi i përçarjes, çuditërisht, shfaqet me një forcë të jashtëzakonshme mbijetese mes shqiptarëve, sidomos mes atyre që popullojnë Shqipërinë Londineze. Nuk është e vështirë ta përcaktosh se ku e ka burimin dhe kush po e ushqen kaq gjatë këtë virus të mallkuar që nuk po i lë shqiptarët të ngrenë kokë dhe të arrijnë të krijojnë shtetin e tyre të bashkuar kombëtar në mbarë trojet e veta etnike kompakte. Ka qenë shovinizmi evropianoperëndimor ai, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin e egër sllavogrek, e ka mbjellë dhe vazhdon ta mëkojë çdo ditë këtë virus të rrezikshëm për t’i mbajtur shqiptarët jo vetëm të hallakatur nëpër pesë shtete të Evropës Juglindore, por edhe të përçarë nga njëri-tjetri brenda kufijve politikë ku jetojnë.

Njw arsye tjetwr e mbijetesës së këtij virusi famëkeq shpjegohet edhe me ekzistencën e një shtrati shumë pjellor, të krijuar nga ana e veteranokomunizmit të djeshëm shqiptar, shtrat ky që vazhdon të “plehërohet” me shumë kujdes në ditët tona edhe nga ana e neokomunizmit shqiptar me mbulojë socialiste.

Shembujt më domethënës të kësaj përçarjeje fatkeqe vazhdojnë t’i japin në vijimësi shqiptarët e Shqipërisë Londineze. Çdo fund nëntori në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, të ndarë në dy kampe të papajtueshme me njëri-tjetrin, festën e çlirimit të vendit ata e festojnë gjithsekush sipas një kalendari të vet: të djathtët më 28 nëntor, të majtët më 29 nëntor.

Për mendimin tim, studimi shkencor, më seriozi deri tani, ku argumentohet me fakte se cila është data e vërtetë e çlirimit të vendit - 28 apo 29 nëntori - është ai që ka botuar në formë dispense Qendra e Pavarur Sociologjike “Eureka” me titull “28 nëntori i tretë” (Tiranë, tetor 2002), me autor historianin e mirënjohur, zotin Vasfi Baruti, doktor i shkencave. Kopje të këtij studimi me të vërtetë shterues për këtë temë autori ua pati dërguar me kohë të gjitha personaliteteve kryesore të politikës shqiptare, si Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Opozitës dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare. Megjithëse krerët kryesorë të politikës shqiptare kanë kohë që e kanë marrë në dorë këtë studim të mirëfilltë shkencor, asnjëri prej tyre nuk ka treguar as shenjën më të thjeshtë të dashamirësisë qytetare për t’i shprehur falënderimet e veta autorit për punën shumë të mundimshme që ka kryer, duke gërmuar nëpër burime interesante arkivore, në shtypin periodik të kohës, nëpër  buletine dhe gazeta të gjithfarëllojshme, që nga viti 1944 deri në vitin 2001, të cilat kapin një shifër prej 104 zërash. Vetë problemit të diskutimit të datës 28 apo 29 nëntor, si ditë e çlirimit të vërtetë të vendit, dr. Baruti i ka kushtuar 9 studime radhazi, të botuara në gazeta të ndryshme në një hark kohor mjaft të ngjeshur, duke filluar nga maji i vitit 2000 deri në prillin e vitit 2002.

Për të kënaqur kërshërinë e lexuesve shumë të respektuar për këtë studim mjaft befasues, këtu po ndalem në disa citate bukur të goditura të dr.Barutit, të nxjerra nga publicistika e Shevqet Musarajt dhe fjalimet apo shkrimet e Enver Hoxhës lidhur me datën e çlirimit. Nga publicistika e Shevqet Musarajt, e përmbledhur në vëllimin e dytë të veprave të tij, dr.Baruti citon disa rreshta nga artikulli me kujtime, të titulluar “Tiranë, 30 vjet më parë…”, të botuar për herë të parë në gazetën “Zëri i Popullit”, 28.IX. 1974. Aty Musaraj kujton 28 nëntorin e vitit 1944: “28 nëntor, mëngjes… Një sihariq tjetër i madh u përhap si një fllad i ëmbël pranvere… Sot do të hyjë në Tiranë Qeveria Demokratike… Ndërkaq anëtarët e Qeverisë janë ngjitur në tribunë dhe shoku Enver Hoxha merr fjalën:  “Sot hapet një faqe tjetër e historisë sonë, një faqe që është në dorën tonë ta bëjmë dhe do ta bëjmë po aq të lavdishme, sa edhe luftën tonë kundër okupatorit dhe kjo është lufta për rindërtimin e Shqipërisë…”  Në mes të fjalimit shoku Enver njofton lajmin që sapo i ka ardhur, se Shkodra, qyteti i fundit i pushtuar, u çlirua…” (f.412. Citohet sipas studimit të dr.Barutit, f.35).

Pra, dëshmitari i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, shkrimtari Shevqet Musaraj, e pranon shkoqur që Shkodra qenka çliruar më 28 nëntor 1944. Por ç’thotë vetë Enver Hoxha për ditën e çlirimit të vërtetë të Shqipërisë. Le të citojmë pjesë nga studimi i lartpërmendur i dr.Vasfi Barutit, të nxjerra nga fjalimet dhe veprat e Enver Hoxhës: “28 nëntori, dita e flamurit, u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (Enver Hoxha, Fjalim para popullit të Tiranës, Buletin i Luftës, 28 nëntor 1944 dhe: Enver Hoxha, Fjalim para popullit të Tiranës, Tiranë 1945, f. 2; citohet sipas po atij studimi, f.34).

Dhe dr.Vasfi Baruti vazhdon të citojë fjalët e Enver Hoxhës në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist në Berat, më 26 nëntor 1944: “Dita e 28 nëntorit ditë e shenjtë, dita e Indipendencës” (po aty). Kurse dy ditë më vonë, “para popullit të Tiranës, 28 nëntorin do ta cilësonte “dy herë të shenjtë”, madje duke e cilësuar atë si dita e çlirimit dhe “harroi” pohimin e dy ditëve më parë se 28 nëntori ishte dita e shënuar e indipendencës! Çfarë mund të ketë ndodhur në harkun kohor të dy ditëve, midis 26 dhe 28 nëntorit? Pak besohet se luhatja në cilësimin e 28 nëntorit nga një herë në dy herë i shenjtë të jetë një iniciativë personale e Hoxhës, kur ditë më parë, në Plenumin II të Beratit, Hoxha ishte buzë greminës. Më e besueshme: Hoxha duhet të ketë qenë i dominuar  nga kundërshtarët “rebelë” të qeverisë, veçanërisht ministrat Kokoshi, Malëshova si edhe Pulo, se i pari dhe i fundit, pas gati një viti, do të ishin debatuesit e vetëm përballë këmbënguljes së Ramadan Çitakut që mbronte 29 nëntorin… Në mesazhin e urimit të 28 nëntorit, përmes valëve të Radios “Jugosllavia e Lirë”, Tito dërgonte edhe mesazhin për një festë të përbashkët: “Festa juaj popullore do të jetë edhe festa e popujve tanë” (f.34).

Po cilat ishin arsyet që Tito, më 28 nëntor 1944, na dërguakësh mesazhin pë një festë të përbashkët dhe cila na qenkësh ajo festë jugosllave që u dashkësh të përputhej me festën tonë të Çlirimit? Ato arsye i shpjegon fare qartë dr.Baruti në studimin e tij mjaft interesant. Aty përmendet “29 nëntori, që kujtonte Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it dhe që koincidonte me Kuvendin Kushtetues të 29 nëntorit 1945 për shpalljen e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë. Dita e mbledhjes së Kuvendit Kushtetues, 29 nëntori, u deklarua festa kombëtare e Jugosllavisë, që do të përkujtonte njëherësh dy ngjarje historike të RFP të Jugosllavisë. Por edhe diplomatët e Titos në Tiranë nuk mund të mos bënin punën e tyre, pa pritur të vinte dita e 29 nëntorit, kur edhe në Jugosllavi u shpall festë kombëtare” (f.30). Pikërisht puna e agjentëve të Titos dhe bashkëpunimi afatgjatë i Enver Hoxhës në shërbim të sllavokomunizmit bëri të mundur që “më 9 nëntor 1945 Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar vendosi me shumicë votash (pa deklaruar numrin e votave pro dhe kundër): 29 nëntori do të jetë Festë Kombëtare e çlirimit të Shqipërisë” (po aty).

Uiliam (William) E. Griffith, në librin e vet me titull “Shqipëria dhe mosmarrëveshjet sovjeto-kineze”, shkruan: “Në verën e vitit 1939, Partia Komuniste Jugosllave po planifikonte të merrte kontrollin e komunistëve shqiptarë dhe Miladin Popovoçi, kreu i Kosmetit, grup komunist rajonal, vendosi lidhje me grupin komunist shqiptar të Shkodrës” (Gazeta “Tema”, 23 tetor 2007, f. 12). Pra, ishte pikërisht Partia Komuniste Jugosllave ajo që paskëtaj do të vendoste për gjithçka në Shqipëri, madje edhe për datën e çlirimit të vendit tonë.

Por, mjerisht, vendimi i 9 nëntorit i Kryesisë së KANÇ kishte parahistorinë e vet fatkeqe: Enver Hoxha, bashkë me disa nga krerët kryesorë të PKSH, për të zezën e kombit shqiptar, të vënë kokë e këmbë në shërbim të Beogradit dhe të mbarë sllavokomunizmit të urryer, që gjatë luftës kishin vendosur ta përfshinin Shqipërinë në një Federatë Ballkanike, nën dominimin jugosllav. Me këtë rast, dr.Baruti thekson: “Vendimet e Kongresit të Përmetit, bashkë me to edhe Rezolucionet, ku përcaktohej detyra për t’u përfshirë në Federatën Ballkanike, shumë shpejt u detajuan, u konkretizuan dhe u dërguan kudo në bazën e Partisë e të ushtrisë, në të gjitha rajonet e vendit. Hoxha udhëzonte: “Duhet të shumëzoni në një numër të madh materialin që u dërgohet dhe ky material të punohet me kujdes në të gjitha celulat, byrotë e batalioneve.” Nuk ka më qartë se kaq: Enveri ishte flamurmbajtësi më i madh i Federatës Jugosllave” (f.33). Për më tepër: “Enver Hoxha, në zbërthim të Rezolucionit të Kongresit të Përmetit, theksonte se Konfederata Ballkanike është “vija e vetme dhe rruga e shpëtimit që duhet të ndjekin jo vetëm kosovarët e çamërit, por edhe gjithë popujt në Evropë, që Traktati i Versaille-s i kishte bërë lesh e li” (f.31).

Kësisoj, Enver Hoxha që gjatë luftës paskësh krijuar bindjen foshnjarake (për të mos thënë idiote) se çështja jonë kombëtare do t’u zgjidhkësh në kuadrin e serbosllavizmit, se të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe të Çamërisë “do të zgjidheshin vetëm me krijimin e Federatës Ballkanike!” (f.33).

Në fund të muajit nëntor 1947 Tito bëri një vizitë në Bullgari, vizitë kjo, e cila u pasua nga ajo e Enver Hoxhës në muajin dhjetor. Çfarë deklaruan Tito dhe Hoxha gjatë asaj vizite?

Tito, Sofie, 25 nëntor 1947: “…ne po realizojmë një bashkëpunim kaq të ngushtë dhe  kaq të përgjithshëm, saqë çështja e Federatës nuk është gjë tjetër, veçse një formalitet” (Gazeta “Bashkimi”, 17 dhjetor 1947; citohet sipas po atij studimi, f.31).

Enver Hoxha, Sofie, 19 dhjetor 1947: “…tre popujt janë si një popull, me një zemër, me një shpirt dhe me një vullnet. Kjo është garancia e pathyeshme e avenirit të sigurt dhe të lumtur të popujve tanë” (Gazeta “Bashkimi”, 19 dhjetor 1947; citohet sipas po atij studimi, po aty).

Ndërsa në veprën “Titistët”, të botuar në vitin 1982, Enver Hoxha, kur analizo Plenumin II të Beratit, të mbajtur më 23 nëntor të vitit 1944, fillon ta kthejë pllakën dhe, si një politikan pa shtyllë kurrizore, del para publikut me deklaratën e mëposhtme: “Në Plenumin e Beratit Stojniçi e hodhi si një balonë prove idenë e Konfederatës Ballkanike.., minë e kurdisur e me rreziqe, që mban markën e prodhimit titist” (f.196; citohet sipas po atij studimi, po aty).

Kaq fushë, thua, ta kishte kujtesën Enver Hoxha, saqë të mos ishte në gjendje të mbante mend se çfarë kishte deklaruar në Kongresin e Përmetit, të mbajtur disa muaj para Plenumit II të Beratit? Le të ndalemi edhe në një citat tjetër që dr.Baruti e ka nxjerrë nga fjalimi i Enver Hoxhës në Kongresin e Përmetit: “Lufta e popullit tonë krijon konditat për krijimin e një Konfederate Ballkanike.., krijon konditat për një Federatë që do të kishte një peshë të madhe për zhvillimin e drejtë të politikës evropiane” (Gazeta Zyrtare, 2 dhjetor 1944; po aty). Më poshtë dr.Baruti nënvizon: “Deklarata e bërë në Rezolucionet e Kongresit të Përmetit nuk gjendet në asnjë nga vëllimet me “Dokumente të Organeve të Larta të Pushtetit Revolucionar Nacionalçlirimtar” (po aty). Sigurisht që nuk gjendet dhe nuk mund të gjendet, sepse fshehja e së vërtetës ka qenë dhe mbetet tipari më thelbësor i amoralitetit politik të komunistëve në tërësi dhe të komunistëve shqiptarë në veçanti.

Veçse mbarë shqiptarët me formim nacionalist kujtesën historike e kanë fort të mprehtë dhe nuk mund t’i harrojnë planet e Enver Hoxhës për t’i bërë gjëmën kombit shqiptar. “Për Titon dhe Hoxhën problemi i krijimit të Federatës Ballkanike ishte i zgjidhur dhe kishte mbetur thjesht një formalitet që priste vetëm momentin, protokollin. Veçse Hoxha ishte tepër më i avancuar me metaforat e tij, se të tre popujt ishin “njësuar” në një popull me një trup, me një zemër, me një shpirt, me një qëllim! Çfarë mesazhi sillte Hoxha në Tiranë pas kthimit nga vizita në Bullgari? I sapokthyer nga Bullgaria, nga Sheshi “Skënderbej” u drejtohej gjithë shqiptarëve me një mesazh të gjatë: “…Jugosllavia e mareshalit Tito është shtylla e shëndoshë e bashkimit, e vëllazërimit të popujve tanë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. Pra, marrëveshja që nënshkruam me popullin bullgar përforcon, çimenton edhe më tepër këtë vëllazërim, këtë bashkim të të tre popujve tanë… Detyra e popullit tonë është që të vëmë të gjitha forcat tona që këto marrëveshje t’i zbatojmë në jetë… Jemi tre popuj, Jugosllavia, Shqipëria dhe Bullgaria, por kemi një zemër dhe luftojmë për një qëllim dhe me një vullnetë të çeliktë… Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947; citohet po nga ai studim, f.32).

Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe Enver Hoxha do të shkelte mbi vetveten si pa gjë të keqe, duke zbuluar faqe botës antimoralin e tij karakteristik.

“Përballë vendimeve të… Kongresit të Përmetit që shpallte bashkimin e Shqipërisë në një konfederatë me Jugosllavinë e Titos, përballë panegjerikëve të Enver Hoxhës për Titon dhe bashkimin e popullit shqiptar me popullin bullgar dhe popujt e Jugosllavisë, me në krye Titon, është e mjaftë të vëmë Letrën e Enver Hoxhës dërguar Stalinit dhe Partisë Komuniste (b) të Bashkimit Sovjetik (mars 1949), ku i kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngritjen e armatosur të popujve të Jugosllavisë për përmbysjen e regjimit antipopullor të Titos, kur para një viti e ca shpallte publikisht dhe me zë të lartë “njësimin” në një trup, me një shpirt, me një zemër, me një vullnet të popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë. Hoxhës nuk i digjej shpirti për Kosovën: para disa vjetësh, ende pa u çliruar, kosovarëve u kishte dërguar mesazhin e qartë: jini mirë në Jugosllavinë e Titos! As është kjo një demagogji e kulluar e servilizëm i shëmtuar? Enver Hoxha “argumentin” Kosovë e përdorte për të fituar pikë para Stalinit, shprehje domethënëse kjo e një makiavelizmi bajat” (po aty).

Pra, ishin arsyet e lartpërmendura ato që bënë të mundur marrjen e vendimit të 9 nëntorit nga ana e Kryesisë së KANÇ për ndryshin e datës së çlirimit të Shqipërisë nga 28 në 29 nëntor, për ta njësuar atë me festën kombëtare të Jugosllavisë. Vulën e falsifikimit të këtij fakti historik do ta vinte i pari vetë Enver Hoxha, i cili, në përputhje me vendimin e Kryesisë së KANÇ-it, fjalinë e lartpërmendur, ku  28 nëntori vlerësohej si dy herë i shenjtë, si ditë e Çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar, do ta ndryshonte si më poshtë në mesazhin që i dërgonte popullit shqiptar në mbrëmjen e 27 nëntorit 1945: “28 dhe 29 nëntori - dy datat më të mëdha të Historisë sonë Kombëtare” (f.34). Dr.Barutit i bie në sy një fakt interesant: “Mesazhi mbushte një faqe të gazetës “Bashkimi” të 28 nëntorit, kur të nesërmen (për herë të parë - E.Y.) do të festohej 29 nëntori në gjithë vendin, dhe Kryeministri Hoxha në mesazhin e tij nëntë herë i drejtohej 28 nëntorit dhe asnjëherë 29 nëntorit! Vështirë se kjo mund të jetë e pranueshme, kur sapo ishte mbushur një vit nga dita e çlirimit të vendit dhe përparësi merrte dita e Çlirimit, lufta e plagët e saj ishin ende të freskëta. Një vit më parë Hoxha kishte deklaruar se 28 nëntori ishte dita dy herë e shenjtë dhe që ishte ende fare e freskët në kujtesën e shqiptarëve. Në këto kushte, Hoxhës i duhej të bënte një kalim të butë që mund të ketë qenë një lloj testi për të parë reagimet që mund të vinin e nga do të vinin. Dhe reagimet nuk vonuan, në radhë të parë nga “Rinia”, organ i rinisë shqiptare, e cila më 27 nëntor, lajmin për festën e re të Çlirimit, 29 nëntorin, e shoqëronte me një citat të gjatë të Enver Hoxhës, dhe pikërisht me deklaratën politike të tij më 28 nëntor 1944, kur 28 nëntorin, ditën e Flamurit, e cilësonte si ditë dy herë të shenjtë, si ditën e Çlirimit dhe të bashkimit të popullit shqiptar” (f.34-35).

Viti 1968 ishte viti kur do të festohej 60-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës. Me këtë rast, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, me drejtoreshë Nexhmije Hoxhën, filloi botimin e serisë se veprave të Enver Hoxhës. Në muajin maj të atij viti doli nga shtypi vëllimi i parë. Në vëllimin e dytë, fjalia e lartpërmendur e Enver Hoxhës “Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e Çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar” u ndryshua si më poshtë: “Dita e Flamurit u bë dita dy herë e shenjtë, dita e pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (f.422; citohet sipas po atij studimi, f.35).

Kurse 16 vjet më vonë, në vitin 1984, Enver Hoxha, në librin me titull “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re (Kujtime e shënime historike), shkruan: “…Të nesërmen e kësaj dite të paharruar (28 nëntorit - E.Y.) na erdhi lajmi i çlirimit të qytetit të Shkodrës, i cili shënonte edhe çlirimin e gjithë Shqipërisë. Kështu, pranë ditës historike të 28 nëntorit, Ditës së madhe të Flamurit, u radhit Dita tjetër e madhe, 29 nëntori, Dita e Çlirimit të Atdheut dhe e fitores së revolucionit popullor” (f.473; citohet sipas po atij studimi, po aty). Kësisoj, kemi “jo pak “lajthitje” të Enver Hoxhës për ditëfestën e Çlirimit, dhe këto nuk mund të mos jenë shumë domethënëse për skenat dhe prapaskenat e tij, pasi të gjitha vijnë tek argumenti politik i ndryshimit të ditëfestës së Çlirimit, nga 28 në 29 nëntor” (po aty).

Në debatin e Kuvendit të 22 nëntorit të vitit 1993, i cili ishte shumë i ashpër dhe vazhdoi për më shumë se pesë orë, “opozita socialiste e vuri relacionin e shumicës parlamentare nën goditje “agresive” të motivuara edhe politikisht, ngase vendimi për ndryshimin e ditës së Çlirimit “mohonte” luftën dhe gjakun e dëshmorëve (!). Mungoi debati konstruktiv, që madje e nxiti edhe relacioni me spikatje subjektive e larg së qeni me objektivitet shkencor” (f.44). Tani, ata deputetët e majtë të parlamentit shqiptar, si Maqo Lakrori, Halil Lalaj, Moikom Zeqo, Dritëro Agolli etj., të cilët diskutuan me aq pasion kundër zhvendosjes së ditës së çlirimit për më 28 nëntor, le të marrin në duar studimin shkencor të dr.Vasfi Barutit dhe, nëse janë në gjendje, le të na provojnë të kundërtën, veçse me argumente shkencore, jo me militantizëm partiak! Do ishte mirë që të njëjtën gjë ta bënin edhe historianët me brumosje të majtë, prof.Xhemil Frashëri, Prof.Xhelal Gjeçovi, prof. Paskal Milo dhe prof. Pullumb Xhufi, të cilët e mbrojnë me aq zjarr 29 nëntorin e tyre të parapëlqyer, larg objektivitetit shkencor.

Neokomunistët socialistë filluan ta përkujtonin 29 nëntorin e tyre të dashur që më 27 qershor 2004. Në faqen 2 të “Gazetës Shqiptare” të asaj dite shkruhej me gërma të mëdha: “Dita e Çlirimit. Flet drejtori i Muzeut Kombëtar. “Po kërkojmë filmin dokument”. Zeqo: Do jetë pjesë e pavionit të Antifashizmit”. Më poshtë botohej lajmi: “Drejtori i Muzeut Kombëtar, Moikom Zeqo, tregon se në punën e tij për të krijuar pavionin e Antifashizmit shqiptar synon të vendosë edhe filmimet e bëra më 29 nëntor të vitit 1944 nga Adem Mani. Zeqo, i pyetur nga Gazeta Shqiptare, thotë se “në Muzeun e Shkodrës gjendet një objekt tepër interesant. Një pilot italian i kish dhuruar në kohën e luftës një qytetari shkodran, të quajtur Adem Mani, një kamera 8 mm. Ky i fundit e përdori atë për të filmuar largimin e forcave gjermane nga qyteti i Shkodrës më 29 nëntor”.

Në faqen 3 të “Gazetës Shqiptare” të po asaj date pata lexuar shkrimin e gazetares Brikena Shllaku me titull: “Flet Isa Alibali, miku i kameramanit shkodran” dhe nëntitujt: “Shkodra u çlirua më 29 nëntor”. “Zbulohet prova, një mjek filmoi hyrjen e partizanëve”. E lexova cep më cep dhe me shumë kujdes artikullin në fjalë. Nuk gjeta në të asnjë provë që të vërtetonte bindshëm se Shkodra qenka çliruar më 29 nëntor. Një qytetar shkodran, zoti Adem Mani, sipas fjalëve të zotit Isa Alibali, paska bërë filmime të ngjarjeve të Shkodrës pikërisht më 29 nëntor 1944! Por  mbi ç’bazë mund të merren për të vërteta shkencore fjalët e këtij  qytetari? Por a mund të përbëjnë fjalët e tij një fakt me të vërtetë historik? Në intervistën që gazetarja i kishte marrë zotit Isa Alibali ka disa gjëra të qepura me fije kashte.  Duke u interesuar për filmimet e  zotit Adem Mani, ajo e pyet zotin Alibali: “Çfarë kishte filmuar? I keni parë ato”? Dhe ai përgjigjet: “Në filmimet e tij kanë qenë të fiksuara jetë nga qyteti i Shkodrës, kryesisht vitet ’43-’44. Kam parë  filmime të formacioneve partizane para çlirimit dhe pas çlirimit; ditën kur kanë hyrë partizanët në Shkodër, mëngjesin e 29 nëntorit”. Dhe pak më poshtë një pyetje e dytë: “Ju i keni parë këto filmime, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje”? Ja dhe përgjigjja e dytë e zotit Alibali: “Pothuajse të gjitha, përveç filmit të datës 29 nëntor”. Hajde merre vesh po të duash se cila është e vërteta! Kur kërkohet të sajohen gjëra të paqena, sigurisht që lexuesit do t’i ofrohen në faqet e gazetës edhe xhevahire të tilla! Por në këtë mes ka edhe diçka tjetër të qepur me fije kashte. Në faqen 2 të gazetës në fjalë zoti Moikom Zeqo thotë për zotin Adem Mani se ai e përdori kameran e dhuruar nga piloti Italian “për të filmuar largimin e forcave gjermane nga qyteti i Shkodrës më 29 nëntor”, kurse në faqen 3 gazetarja Brikena Shllaku pohon se “Adem Mani, një ndihmës mjek (në njërin nga nëntitujt thuhet mjek), që kishte arritur të shtinte në dorë një kamera të një ushtari (zoti Moikom Zeqo thotë se kamera paska qenë dhuratë e një piloti) italian, ka filmuar hyrjen në qytet, në mëngjesin e 29 nëntorit, të reparteve partizane”. Tani lind pyetja: Çfarë paska filmuar në të vërtetë zoti Adem Mani më 29 nëntor 1944? Largimin e forcave gjermane nga Shkodra (Moikom Zeqo), apo hyrjen në Shkodër të reparteve partizane (Brikena Shllaku dhe Isa Alibali)?

Para dy vjetësh dr. Baruti, në Arkivin e Shtetit, ka zbuluar dhe bërë publik një tjetër dokument interesant, në të cilin vërtetohet përfundimisht se dita e 28 nëntorit, paska qenë e vendosur me ligj si dita e çlirimit të Shqipërisë Londineze. Ja çfarë thotë dr. Baruti: “E vërtetë e pamëshirë. Më 5 nëntor 1945 bëhet Mbledhja e 14-të, seanca I, e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar…Mbledhja e Kryesisë miratoi Ligjin  nr. 134, datë 5.11. 1945 dhe neni 1, rreshti i dytë, saktëson ditën e Çlirimit: “28 nëntor 1944”. Përderisa togfjalëshi (“28 nëntor 1944”) i ligjit 134 nuk është shfuqizuar dhe nuk është shfuqizuar as më 1945 dhe as deri sot, atëherë togfjalëshi “dita 28 nëntor”, dita e Çlirimit, ka fuqi ligjore edhe sot. Kjo e vërtetë ka edhe fuqi kushtetuese: nenin 178, pika 1 e Kushtetutës: “Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar” (Gazeta “Tema”,  13 tetor 2007, f. 18, 19).

Ore neokomun(social)istë të Shqipërisë Londineze, ore adhurues të kuturisur të 29 nëntorit! Pse lodheni kot duke i rënë njëri gozhdës dhe tjetri patkoit. Vazhdoni ta festoni 29 nëntorin tuaj, të njësuar me festën kombëtare të Jugosllavisë së vdekur që sot prehet në koshin e plehrave të historisë, se nuk ju trazon kush. E dimë që Enver Hoxha, edhe pas vdekjes, do të vazhdojë të na mbajë të përçarë deri atëherë, kur shqiptarë të kenë krijuar shtetin e tyre të bashkuar kombëtar në mbarë trojet e veta etnike! Se ditë çlirimi nuk ka për Shqipërinë, se më 28 nëntor ajo u çlirua nga nazifashizmi, por ra nën sundimin e egër të sllavokomunizmit dhe dita e çlirimit të vërtetë të Shqipërisë ka për t’u festuar me një madhështi të paparë vetëm atëherë kur mbarë trojet etnike shqiptare do të jenë të unifikuara në një shtet kombëtar.

Të vjen të vësh ulërimën kur njihesh me këto të vërteta tragjike rreth veprimtarisë antikombëtare të Enver Hoxhës në ndërtimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë titiste, këtë armike të betuar të kombit shqiptar. Enver Hoxha e kishte katandisur veten deri në atë shkallë, saqë tërhiqej zvarrë para shovinizmit jugosllav, i cili, me përbuzjen që ushqente ndaj Shqipërisë Londineze, kishte guxuar t’i diktonte atij edhe ditën e Çlirimit, e cila duhej të ishte detyrimisht e njësuar me festën kombëtare të Jugosllavisë! Këtë fat do të kesh kur në marrëdhëniet me vendet e tjera zhvishesh nga dinjiteti kombëtar dhe lejon të të poshtërojnë deri në atë farë feje, saqë të të trajtojnë sikur të kanë shërbëtor të tyre. Do të ishte mirë që edhe udhëheqësit e popullit shqiptar të Kosovës ta kenë parasysh figurën e diskredituar të Enver Hoxhës në marrëdhëniet që ai vendosi me serbosllavizmin. 

L. Baranovi, V. Moshetovi dhe V. Lesakovi, ish-instruktorë në Drejtorinë e Jashtme të KQ të PK (b) të Bashkimit Sovjetik, më 18 mars 1948 i dërgonin M.A.Suslovit një informacion me titull: “Rreth direktivave antimarksiste të udhëheqësve së Partisë Komuniste të Jugosllavisë në çështjet e politikës së brendshme dhe të jashtme”. Në atë informacion, ku flitej edhe për qëndrimin e qeverisë jugosllave ndaj Shqipërisë, ndër të tjera, theksohej: “Përfaqësuesit jugosllavë sillen në këtë vend sikur ta kishin koloni të tyre” (Vostoçnaja Jevropa v dokumentah rossijskih arhivov. 1944-1953. Vëll I. 1944-1948, f.794).   

Po si shpjegohet fakti që, pas dashurisë përvëluese për Titon dhe Jugosllavinë titiste, të pasuar nga një “armiqësi përcëlluese” në dukje, Enver Hoxha, me gjithë “rishikimin” e krejt  marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, nuk pati kurrë burrërinë politike ta korrigjonte ditën e çlirimit të vendit nga 29 nëntori në 28 nëntor dhe t’i kërkonte ndjesë publikisht popullit shqiptar të kësaj ane të kufirit për atë gabim që bëri më 27 nëntor 1945 nën diktatin e Titos?  Ai s’e bëri korrigjimin e atij gabimi fatal, sepse autokritika e sinqertë nuk ishte në natyrën  e karakterit të tij! Shkrimtari moralist francez Laroshfuko (La Rochefoucauld - 1613-1680) na ka lënë një aforizëm të bukur: “Ne shpesh damkosim të metat e të tjerëve, por rrallë qëllon që, duke ndjekur shembullin e tyre, të korrigjojmë të metat tona”. A kemi të bëjmë këtu me një qëndrim thjesht kokëfortë të Enver Hoxhës? Hegeli thotë: “Njeriu kokëfortë ngul këmbë në vullnetin e tij për të vetmen arsye se ky është thjesht vullneti i tij, ai ngul këmbë në të pa një arsye bindëse, domethënë, pa pasur parasysh faktin që vullneti i tij të përfaqësojë në vetvete diçka që ka një vlerë universale”.

Dr.Vasfi Baruti thotë se në këtë mes “bie në sy tradicionalizmi 50-vjeçar i festës së përvitshme të 29 nëntorit, merr vlerë deduksioni i njohur se forca e tradicionalizmit është më e tmerrshme, më e fuqishme se forca e zakoneve, e traditave shekullore” (f.43). Ndoshta kështu është me të vërtetë. Por unë shikoj edhe një tjetër arsye në qëndrimin konservator të veteranokomunistëve dhe të neokomunistëve socialistë për të vazhduar ende me kokëfortësi festimin e ditës së Çlirimit të kësaj pjese të Shqipërisë pikërisht më 29 nëntor, të njësuar politikisht me ditën e festës kombëtare të Jugosllavisë, e cila tani, si term gjeografik, siç e përmenda më lart, po prehet në koshin e plehrave të historisë! Unë jam i prirur të mendoj se veteranokomunistët shqiptarë “virgjërinë” e tyre politike ia dhuruan serbosllavizmit dhe, për këtë arsye, ata vazhdojnë të provojnë ende kënaqësinë e paharrueshme që u ka falur për gjithë jetën “kontakti” i parë me të. Rrezatimin e kënaqësisë së dhurimit të “virgjërisë” politike të baballarëve të tyre serbosllavizmit sot po e ndiejnë me afsh në qenien e tyre neokomunistët socialistë, të cilët përjargen keq sa herë vijnë në “kontakt” me polikanë serbosllavë. Le të kujtojmë për një cast zotin Ilir Meta se si para ca vjetësh po ngazëllonte kur pritej me aq përnderime në Beograd,  ku ndodhej për një vizitë të çuditshme, me thjesht mandatin e një deputeti nga Tirana, ndërkohë që i vinin rrotull kryeministri dhe presidenti i vendit, duke shkelur edhe rregullat më elementare të protokollit zyrtar! I meritonte zoti Ilir Meta gjithë ato përnderime! Ishte në rolin e “trashëgimtares” së erotizmit politik me Beogradin, në rolin e “dashnores” veterane  të serbosllavizmit. Nuk harrohet kurrën e kurrës ai që të ka “grabitur” një herë e një kohë “virgjërinë” politike. Madje dashuria për të, sipas psikanalizës, kthehet në një torturë të përhershme, e cila nuk të ndahet këmba-këmbës në jetë të jetëve! 

 Nëntor 2009

 NGA POEZIA SHQIPTARE

Nebih Bunjaku

PLAKU SI FËMIJA

Gjithkushi e di filozodinë

plaku është si fëmija

një ditë vetëu binda

nga vitet e mia

 

jam në fund të fundit

të rrugës së vjetër

me njërën këmbë këtu

tjetrën n'botën tjetër

 

me teke të çuditshme

sikur të isha fëmi'

mu në pikë të dimrit

shpesh kërkoj qershi

 

edhe ditën tjetër

tekanjoz si fëmija

kërkoja akullore

nga shoqet e mia

 

kur dalldisen ndjenjat

sikur di rinia

nën dalldinë e shpirtit

më vlon dashuria

 

ndonëse pak i lodhur

shpirtin e kam të ri

një lule pranvere

më harlis përsëri

 

(zgjodhëm nga përmledhja e autorit:

„prushimë buzësh“, Prishtinë, 2008)

 

NGA POEZIA BOTËRORE

 Radovan Zogoviç/ ARDHËSIT

(Nga Këngët e Ali Bibakut)

KËNGA E PARË

Unë Ali Binaku heq tespihet e mij të shurdhër

dhe me çdo kokërr të rëndoj mbi qafë vargun e gurëvet

unë Ali Binaku të mallkoj gjithë ç`ke deri në farën e gjinisë sate!


Pse, pse në pullaz ma vrave të shenjtin shpend, lejlekun?

Në oxhakun tim i falej allahut,

në oxhakun tim puthte sqepat e bardhë

që si bima prej bucës shpojnë lëvozhgën e vesë,

prej oxhakut tim shtrinte në votrën time rrembat e bardhë,

dhe kurrë me krah s`ma rrëzoi mollën prej rrembi,

dhe kurrë me sqep s`ma shpoi syrin e kuq të qershisë

(që të kullojë ninëza e kuqe!) –

shpend i shenjtë

kur pushka e parë krisi në të –

me habi shikoi syhapur shpend shenjti;

kur pushka e dytë krisi në të -

vetëm qafën përkuli si lulja e bardhë në erë;

kur pushka e tretë krisi në të -

ra prej oxhakut tim, i përgjakur,

në pullazin tim...

<!--[if !supportFootnotes]-->

<!--[endif]-->

<!--[if !supportFootnotes]-->[1]<!--[endif]--> Derek Walcott, Arti i poezisë. Në “Aleph”. E përmujshme letrare nr. 9, shtator, Tiranë 2000, f. 37. Duke u përgjigjur në pyetjen se çka e ka shtyrë të shkruaj vargun “Po mallkove vendlindjen ke bërë mëkatin  final”, Derek thotë: “Mendoj se dheu prej nga vjen është nëna jote, nëse i kthen krahët dhe e mallkon, atëherë ti e ke mallkuar nënën tënde.”

(Derek Walcott, Arti i poezisë. Në Aleph. i cit. f. 45.)

<!--[if !supportFootnotes]-->[2]<!--[endif]--> Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís. Botim i tetë. Provinçja françeskane shqiptare. 1997, f. 83.

<!--[if !supportFootnotes]-->[3]<!--[endif]--> Anton Nikë Berisha: Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë- Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës, Prishtinë, 2003, f. 31-32.