E enjte, 28.03.2024, 12:03 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Përmbytjet, alarmi i projektuesit të portave të hidrocentraleve

E diele, 03.01.2010, 07:29 PM


Nga Lorenc Vangjeli, Shekulli

Me ujin, me zjarrin dhe me qeverinë mos luaj, uji të mbyt, zjarri të djeg, qeveria të merr shpirtin. Kjo aksiomë fataliste ngjan si një profeci ogurzezë që edhe mund të ndodhë. Të paktën kur bie fjala për ujin. Të paktën për ujin që ndodhet në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Aty ku dhe prodhohet shumica dërmuese e energjisë së nevojshme për vendin. "Portat e punës së remont-avarisë në Koman kanë mbi 20 vjet që nuk janë përdorur. Në Fierzë, edhe më shumë vjet, kurse në Vaun e Dejës, rrjedhja e tyre dallohet dhe me sy të lirë mbi digë Teknikisht këto porta duhet të vihen në funksionim një herë në gjashtë muaj për provë e për t´i mbajtur në gatishmëri, ndryshe, dalja e tyre jashtë funksionit, mund të shkaktojë tragjedi të paimagjinueshme. Ajo që ndodhi me portat shkarkuese të liqenit të Tiranës, përballë asaj që mund të ndodhë me hidrocentralet e Drinit, do të ishte vetëm një inskenim banal studioje filmike. Sepse portat e mbyllura mund t´i hapin derën fatkeqësisë"!

Alarmi i jashtëzakonshëm vjen nga inxhinier Dhimitër Cico, njeriu që plot 21 vjet më parë ishte një nga autorët e projektimit dhe montimit të këtyre portave në hidrocentralin e Komanit. Një punë e vështirësisë së epërme, nga e cila i ka mbetur si kujtim një çmim Republike, një nga dekoratat më të larta që jepte dikur regjimi komunist. Sot profesionist i lirë, Cico shtyhet dhe më tej, kur thotë se një situatë e ngjashme është dhe në dy hidrocentralet e tjera, në Fierzë dhe në Vaun e Dejës, ku portat e punës së remont-avarisë, me siguri, janë jashtë funksionit. "Skenari më i keq i mundshëm është ai që, kur portat duhet të vihen në përdorim, të mos jenë funksionale; uji i liqenit të Fierzës të dëmtojë digën e saj dhe pastaj, me reaksion zinxhir e njëjta gjë të ndodhë në Koman dhe në Vaun e Dejës. Pastaj, nuk do të ketë më as Shkodër dhe as Lezhë, së paku", - thotë inxhinier Cico.

Ai pohon se e ka shprehur shqetësimin e tij ku ka mundur, por askush nuk i ka kthyer përgjigje. E ka ndarë me kolegët e tij, me zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, por i është përgjigjur vetëm heshtja. Dhe, i dëshpëruar, mendon t´i drejtohet publikut duke e paralajmëruar direkt për rrezikun, në mënyrë që kush e ka për detyrë dhe përgjegjësi për ta shmangur atë, të marrë masa. "Asnjë qeveri nuk e ka menduar një gjë të tillë. E majtë dhe e djathtë. Këtu nuk është e rëndësishme të gjendet se kush është fajtori, e rëndësishme është që faji i shtresëzuar në gjithë këto vite, të mos sjellë nesër një tragjedi të jashtëzakonshme njerëzore", - thotë me dëshpërim inxhinieri Cico.

Në këtë intervistë ai flet për të shkuarën, për vitet kur hidrocentralet ndërtoheshin nga njerëz që punonin si skllevër dhe ushqeheshin si skllevër me çaj, djathë dhe fasule, me njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit që vigjilonin për "sabotime" të mundshme dhe me tekat e projekteve të tilla gjigante që sot i japin energji gjithë Shqipërisë.

****
INTERVISTE

Kush është inxhinieri Dhimitër Cico?

E kam të vështirë, si çdokush tjetër, besoj, që të flas për veten. Në kohën tonë, CV-të, siç i quajmë sot, na i bënin të tjerët. Mund t´ju them që kam kaluar tërë jetën time nëpër kantiere ndërtimi, kryesisht në hidrocentralet e veriut. Kam punuar si projektues dhe ndjekës i cilësisë së punimeve në hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit, Banjës, në ujëmbledhësin e Bovillës e të tjerë. Kam pasur fatin e pakrahasueshëm të punoj me profesorët e mëdhenj të ndërtimit në Shqipëri, me Farudin Hoxhën, specialistin e digave, Egon Gjadrin, specialistin e tuneleve, Petrit Radovickën, projektuesin e kaskadës, Thoma Meksin e papërsëritshëm apo dhe me mjeshtrin e turbinave Mihal Jorgoni. Nuk dua të bëj lista, sepse pastaj do të më duhet të përmend emër për emër të gjitha ata individë pa emër e pothuaj anonimë, kryesisht nga zonat e veriut, që kanë punuar në këto vepra me çmimin e sakrificës së epërme, që kanë punuar vërtet si skllevër, por plot nder, në kushte të paimagjinueshme.

Në vitin 1985, në kushtet e izolimit të plotë të vendit dhe në krizën ekonomike ku kishte hyrë regjimi, së bashku me një grup projektuesish, morëm përsipër të prodhonim në vend portat e remont-avarisë në Koman. Sot, kur Shqipëria nuk prodhon pothuaj asgjë, fjalë të tilla ngjajnë të çuditshme. Me çmimet e kohës, nga importi ato kushtonin mbi 8 milionë dollarë - sot disa fish më shumë - por ne mundëm t´i prodhojmë ato në vend për vetëm gjysmë milioni.

Çfarë janë këto porta?

Është e pamundur të shpjegohet me fjalë të thjeshta se çfarë janë ato dhe çfarë roli luajnë në hidrocentral. Teknikisht ato janë disa mekanizma gjigantë, me peshë totale 60 tonë dhe mekanizma ngritës me fuqi ngritëse 260 tonë. Në Koman janë 12 të tilla. Portat shërbejnë për devijimin e lumit, që të krijohen kushtet për ndërtimin e digës dhe veprave të tjera në kompleksin e një hidrocentrali dhe po ashtu, për shfrytëzimin dhe shkarkimin e plotave (prurjeve) të ujit në rastet e kalimit të niveleve maksimale në kupën e liqenit. Portat nevojiten për të bërë shkarkimin e ujit, në mënyrë që niveli i liqenit të mos kalojë mbi digë, sepse, në rast të kundërt, nuk do të kishte më digë e pasojat, pastaj, vetëm mund të merren me mend. Për funksionimin e këtyre portave ka një rregullore rigoroze, të miratuar që në ato kohë.

Në dijeninë tuaj, a është zbatuar rregullorja?

Mendoj që jo. Nga përvoja ime, por dhe nga kontaktet me kolegë të Akademisë së Shkencave që janë marrë me digat e larta, këto rregullore të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes, jo vetëm që nuk janë zbatuar, por ato me siguri i ka zënë dhe myku në sirtarët e arkivave. Unë po ju sjell për botim rregulloren origjinale të kohës për hidrocentralin e Komanit, që saktëson se si duhet të sillemi teknikisht me këto vepra. Por, nëse rregulloret them se i ka zënë myku, si specialist po ju them se portat e punës së remont-avarisë në këto hidrocentrale i ka zënë ndryshku. I ka salduar plotësisht ndryshku. Që do të thotë, nëse troket ora e ligë, kur të kërkohet që ato të vihen në punë, fatkeqësisht nuk do të funksionojnë e do të jemi përpara një katastrofe që, përballë saj, gjithçka e ligë ka ndodhur me këtë vend ndonjëherë, do të ngjante si ëndërr vere.

Cili do të ishte ky skenar i keq apo dhe më i keqi i mundshëm që mund të ndodhte në një rast të tillë?

Shpesh ne shqiptarët bëhemi trima pas lufte dhe të mençur pas kuvendit. Keni parë në filma se çfarë është cunami? Po, po! Pa asnjë ekzagjerim, Shqipëria do të goditej ndoshta në mënyrë të pariparueshme dhe me një kosto të paimagjinueshme nga një cunam i vërtetë uji e balte. Do të zhdukej ndoshta edhe Shkodra e Lezha, kurse viktimat në njerëz do të ishin si bilanci i shumë e shumë luftërave të marra së bashku. Po ju bëj vetëm një krahasim. Po ju kujtoj përmbytjen e disa lagjeve në Tiranë nga mosfunksionimi i portës së shkarkimit në liqenin artificial të Tiranës. Një portë e përmasave fare të vogla, diçka më shumë se një metër katror. Ajo që ndodhi në Tiranë, është vetëm miniatura e asaj që mund të ndodhë, nëse shpërthejnë digat e veriut në rast të mosfunksionimit të portave të hidrocentralit, kur të jetë nevoja. Është një reaksion zinxhir, që do të niste me shkatërrimin e digës së dheut në Fierzë e më pas me radhë, me digën e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Dua të paralajmëroj për këtë rrezik maksimal që sot mund të duket i tepruar dhe i largët për të ndërhyrë sa jemi në kohë. Ndryshe, asnjë mendje njerëzore nuk mund të llogarisë fatkeqësitë që do të na bien të gjithëve në kokë. E bëj këtë alarm si shqiptar, si qytetar, si inxhinier, me shpresë e besim se dikush do të kujtohet që "lopët e arta" që na japin dritë nga veriu, nga pakujdesia kriminale njerëzore, mund të shndërrohen në dema të tërbuar që do të na shkatërrojnë.

Kjo që thoni ngjan si një skenar apokaliptik. Keni paralajmëruar më parë për një gjë të tillë?

Shpeshherë e kemi ngritur këtë shqetësim me kolegët dhe me ta kemi ngritur e pranuar të njëjtin shqetësim maksimal. Sot ka pak vend për zërin e shkencëtarëve dhe për ta, njëlloj si me doktorët, shoqëria kujtohet vetëm në momentin e fundit, ndoshta edhe atëherë kur e keqja ka ndodhur. Personalisht i jam drejtuar me shkrim Ministrisë së Energjitikës, por nuk kam pasur asnjë përgjigje. Asnjë reagim. Vendosa t´i përgjigjem pyetjeve tuaja, me shpresë, jo për të pasur një përgjigje vetjake, por për të gjetur një mundësi transmetimi të këtij paralajmërimi, jo për të folur për të shpëtuar shpirtin tim siç thoshin latinët e vjetër, por për të parë një reagim konkret përballë një rreziku që është konkret në çdo kohë. Nesër, dhe askush nuk mund ta thotë me siguri se kur mund të jetë kjo nesër, do të jetë vonë. Dhe atëherë nuk do të ketë kohë për të pyetur se cilët ishin fajtorët dhe pse ndodhi. Atëherë, lum kush të shpëtojë!


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora