Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


YMER PAMPURI ËSHTË KAMPIONI I BOTËS

| E diele, 14.10.2007, 04:53 PM |


Nga Besnik Dizdari

Zbulim sensacional pas 29 vjetëve

Papritmas zbulojmë se Shqlperia ka ne histori Kampionin e vet të vetëm të Botës
E verteta historike e zbuluar nga Dr. GIOVANNI ARMILLOTTA

Nuk e zbulova unë por Dr.GIOVANNI ARMILLOTTA nga Pisa, miku im i hershëm italian, ndjekësi i pakrahasueshëm i zhvillimit të sporteve në Shqipëri, sot studjues i historisë dhe politikës, kryeredaktor i revistes «Africana», autor librash e kërkimesh me vlerë (libri i fundit Egitto. Affari esteri 1967-1986). Them se jam nga ata që nuk marr kurr meritat e të tjerëve, madje nga ata që e di mirë se çdo të thotë të të marrin meritat. Dr. Giovanni Armillotta, më shkruan se pas 29 vjetëve ka zbuluar se Rekordmeni ynë i parë dhe i vetëm Olimpik, YMER PAMPURI, është sot e kësai dite Kampioni Botës në peshëngritje, madje i vetmi shqiptar i tillë në historinë e Shqipërisë. Papritmas zbulohet se Ymer Pampuri ka tash 29 vjet që është Kampion i Botës, madje zyrtarisht i konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) dhe askush në Shqipëri nuk e di këte. Ky në një farë mënyre është “turpi” ynë, po tash që e zbuluam na duket sikur Pampuri u shpall sot Kampion i Botës dhe jo para 29 vjetëve.

Ngjarja e madhe në kujtimin tonë

Ky zbulim, të cilin falë Dr. Armillotta-s, ka nderin ta paraqesë për herë të pare «Futbolli Shqiptar» – e vetfnja gazetë e sotme shqiptare që di, vlerëson, saktëson dhe njeh historinë e sportit shqiptar, qoftë dhe me mundësitë modeste qe i blatojnë, na çon te një rrugë historike njohjeje unikale.
Më duket si sot dita e 29gushtit 1972, teksa me cilësinë e gazetariltë «Bashkimit» ngjita me nxitim shkallët e ATSH-së që e kishim përballë dy hapa larg në qendër të Tiranës në Bulevardin Zog I, në atë ndërtesë ku pas disa viteve do të shkonte «Bashkimi» dhe në katin e sektorit të jashtëm desh u ndesha me të paharrueshmin NAPOLEON ROSHI, një punëtor i madh i gazetarisë, madje pionier i gazetarisë sportive me temën ndërkombëtare në Shqipëri. Ai nxitonte me fletën e Associated Press në dorë për te makina e tij e shkrimit dhe mua gati më thërriste: “Besnik, Ymer Pampuri rekord olimpik!”. E donte sportin miku më i moshuar, e dinte se sa e doja dhe unë e se si e ndjenim të dy deri në palc kuptimin e jashtzakonshëm këte ngjarje të madhe botërore për sportin tonë.
E mandej gjithçka që bëhet e njohur, që dihet. Shqipëria e mbyllur deri në grykë, në udhëtimin e saj të parë olimpik në histori që kthehet me një Rekordmen Olimpik, një njeri i thjeshtë i Tiranës, një artist i Cirkut, Ymer Pampuri, një fenomen i vërtetë, prekursor i madh i peshëngritjes shqiptare. Ka qenë 1972, një vit i çuditshëm shqiptar, papritmas paksa i hapur, me RAI-n po të hapur që zbriste nga Mali i Dajtit e hynte në ekranet e televizorëve tonë bardhezi, ende të rrallë, me një TVSH që papritmas transmetonte gati 10 orë në ditë Lojërat Olimpike të Mynihut nga një njeri i vetëm, SKIFTER KËLLIÇI, nën redaktimin e VLADIMIR GRILLO-s, natyrisht nga Studio e Tiranës. Ishte viti i të famshmit Festivali i 11-të, që do të mbyllte edhe mëfort Shqipërinë. Kurr në historinë e një vendi muzika nuk ishte treguar më e pamshirëshme. Po ato dit gushti ende shndriste paksa një diell, i dyshimtë megjithate. Ymer Pampuri ishte aty për të shndritur më fort në mrekullinë e tij.
Historiani amerikan DAVID WALLECHINSKY, gjithë komentin e tij për këte garë, në historinë e tij bestseller, ia kushton sensacionit shqiptar. “Ymer Pampuri, një klloun cirku, – shkruan ai, – theu rekordin olimpik në forcë duke kryesuar në fakt pas raundit të parë për shkak të peshës së tij më të lehtë trupore. Sidoqoftë, për shkak se shkëputja dhe shtytja nuk perfeksionoheshin në Shqipëri, ai nuk mund të renditej më tepër se respektivisht në vendin e 12-të dhe të 10-të ne këto displina. Në tregarësh Pampuri u rendit i 9-ti”. Kur ka ardhur në Shqipëri më 1992, Wallechinsky më ka ardhur e më ka takuar në redaksinë e “Sportit”, i lumtur se kishte përfshirë në këto 4 rreshta historinë olimpike të Ymer Pampurit. As ky studjues skrupuloz i olimpizmit, çuditërisht nuk më ka thënë asnjë fjalë për Ymer Pampurin – Kampion i Botës.
Gara është zhvilluar më 29gusht 1972 dhe në stilin e forcës, Pampuri arrin pra 127.5 kg., çka ishte Rekord Olimpik. “Sportisti shqiptar Pampuri brënda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik” siç thekson AP-ja.
Ymer Pampuri, 27 vjeç, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), në të vërtetë, vetëm pak më parë me 125 kg në Forcë, ishte shpallë Nënkampion i Evropës ne Kostanca të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972. Ai përbënte një figurë te madhe të sportit shqiptar dhe kjo thyerje e rekordit olimpik të legjendarit YOSHINOBU MIYAKE të Japonisë – rekord i vendosur prej këtij në Olimpiadën e Tokios (1964), madje fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko, po n'ë Mynih, vetëm i 4-ti – bëhet protagonisti nivelit botëror. Një kontuzion muskular e pengon të shkëlqejë në stilet e tjere, po edhe me kaq ai mbetet i papërsëritshëm. Pampuri eshtë një pionier legjendar i asaj që do të mbrrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Evropian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 prapa Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Ishte kampionati i fundit ku PIRRO DHIMA i Shqipërisë arrin pesë rekorde kombëtare dhe dy vjet me vonë, në Barcelonë, tash nën ngjyrat e Greqisë, ai bëhet kampioni i parë olimpik me kombësi shqiptare, duke vazhduar edhe me dy tituj të tjerë. Për të mbrritur te LUAN SHABANI, Kampion i Botës e Nënkampion Olimpik, e deri te AGIM XHELILI – Nënkampion i i Botës edhe javën që shkoi. Përfat, që te gjithë përfaqësues të Greqisë.

Moskuptimi i deklaratës së Pampurit

Zyrtarisht ne na duhet të mbesim me Kampionin e Botës Ymer Pampurin, edhe ky “i zbuluar” pas 29 vjetëve!
Ngjarja e sotme, e bartur nga arkivi i 29 vjetëve më parë, është një aventurë e vërtet Interneti, të cilën Dr. Armillotta e ndërton nga Italia falë një afeksioni shqiptar të rrallë.
Gara e 29gushtit 1972 – një duel spektakolar midis NURIKIAN të Bullgarisë dhe SHANIDZE të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, ka ndërmes atë verë të 72-shit Ymer Pampurin, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jipet medalja. Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Shtypi shqiptar i kohës, e quan ate “medalje të rekordit olimpik”, të cilën ne më 1972 e konsideronim si ndere te një rekordi olimpik, çka absolutisht nuk njihet në Olimpiada. Naivë! Kanë qenë nderet për Kampionin e Botës, Ymer Pampurin nga Shqipëria, medalja e Kampionit të Botës dhe diploma e titullit. Në shtypin shqiptar të gjitha këto me nxitim ij anë mveshur rekordit olimpik. Kemi gabuar të gjithë. Deri diku ishte e spjegueshme kur mendon se asnjë gazetar nuk shoqëroi delegacionin e vogël shqiptar në olimpiaden e tij të parë. Përgjegjës, trajner, sigurimsa, por jo njeriu i informacionit, gazetari:
Duke iu kthyer gazetës «Sporti popullor» të kohës, jehona nuk ka përmasat realiste, normale të një suksesi kësisoji. Përballë një politizimit të shquar nën titujt e mëdhenj të tipit “Lart flamurit e garave socialiste”, “Kooperativistët e Progonatit merren gjërësisht me fizkulturë” apo “Nje sukses i zbatimit të protokollit të Këshillit të Ministrave për t’u përfaqësuar denjësisht në aktivitete ndërkombëtare”, sensacioni botëror i Ymer Pampurit duket si të ishte një ngjarje e frikëshme për t’u publikuar në përmasa të mëdha!
Megjithate, kur më 14 shtator 1972 delegacioni mb'ërrin në Shqipëri, dhe pritet në aeroport nga Zëvëndësministri i Arësimit dhe kulturës, Prof. BEDRI DEDJA dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare, i ndjeri MIHAL QIPO, me një pasion e kontribut të jashtzakonshëm për këte sport, iu jipet fjala protagonistëve, Pampuri dhe trajnerit të tij tashma historik ZYHDI MAZREKU. Pak rradhë që kanë kaluar kotsëkoti, kur sot vërejmë se brënda tyre ka qenë e jithë e vërteta, Ymer Pampuri deklaron në gazetë, fjalë për fjalë kështu:

“Në ceremoninë e mbylljes m’u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e Kampionit Olimpik për stilin e forcës”.

Pampuri ka dashtë të thotë pikërisht “medalja e Kampionit të Botës”, sepse dihet që kampioni olimpik ishte vetëm një: bullgari Norair Nurikian me 402.5 kg në tregarësh (forcë+shkëputje+shtytje) dhe asnjë tietër, pra as Pampuri ynë edhe pse theu rekordin olimpik. Dhe ka thënë “medalja e Kampionit Olimpik”, çka nuk ishte aspak e vërtetë. Ajo ka qenë pagabueshëm medalja e Kampionit të Botës, të cilën Pampuri e ngatërron duke thënë gabimisht “medalja e Kampionit Olimpik”. Kur dihet se ai është renditur i 9-ti në tregarësh me shifrat 342.5 kilogram,duke thyer rekordin kombëtar me 15 kilogram më tepër, një rast i paprecedent në historinë e peshëngritjes sonë.

Zbulimi i pas 29 vjetëve

Dr. Amillotta, pasi rishikon edhe një herë rastin e Pampurit zbulon se Lojërat Olimpike të vitit 1972 për turneun e peshëngritjes kanë qenë edhe Kampionat Botëror, madje ndërsa Olimpiada jep vetëm 3 medalje: të artë, të argjentë, të bronztë vetëm për renditjen si tregarësh, për Kampionatin Botëror jepen medalje për katër kampionë te botës në çdo peshë dhe për secilin stil si dhe për tregarëshin. Është bash kjo rregullore që e shpall Ymer Pampurin Kampion të Botës në stilin e forcës. Me 13 gusht 2001, pasi bindet, Armillotta i shkruan statisticienit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes GOTTFRIED SCHÖDL, duke i thënë:

“Në substancë pra, Ymer Pampuri është jo vetëm Rekordmen Olimpiky por dhe Kampion i Botës në stilin e forcës për Kampionatin XLVI Botëror, sepse ne kolonat tuaja Shqipëria ka një medalje ari për Kampionatet Botërore”

Një ditë me vonë, më 14 gusht 2001, njeriu i IWF, Gottfried Schödl i përgjigjet Armillotta-s:

“I dashur Doktor, Ju keni të drejtë. Pampuri është më 1972 me rastin e Lojërave Olimipike të 1972 Kampion i Botës në Forcë, ne kategorinë 60 kg me 127,5 kg. Të falat më të mira.

Gottfried Schödl”

Punë e kryer! E kryer me vonesë 29-vjeçare, kuptohet për ne, që vite të tana nuk kemi fiksuar historinë e sportit tonë.
U zhyta ndërkaq edhe unë në Internet. Gjeta shi historianin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes (IWF), Gottfried Schödl, në të vërtetë në faqen zyrtare te Internetit të Federates Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Në faqen ku jipen vëndet dhe datat e zhvillimit të Kampionateve Botërore qysh nga 1891, një asteriskë tërheq vëmëndjen në gjashtë vite: 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984. Poshtë tyre lexoj: “Lojerat olimpike të viteve 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984 llogariten edhe si Kampionate Botërore”.
Ne na intereson vetëm viti fatthënë 1972, që konfirmon Pampurin Kampion të Botës. Dhe ja tek kollona “Medals in Olympic Games and World Championships 1891-2000” (“Medaljet në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Botërore 1891-2000”), tek “seniors” (“Të rritur”) në kollonën e “G” (“Gold” – “Ar”), gjej: “ALB 1”, që do të thotë “Shqipëria 1 medalje ari”.
Një “1” i vetëm natyrisht, i vetëm në historinë tonë, një “1” legjendar, i paarritshëm, i mbetur i vetëm, gjithmonë i vetëm.
Emri është YMER PAMPURI. Me gërma kapitale. Sot e kësaj dite i vetmi Kampion i Botës i Shqipërisë, “zbuluar” më 2001, pas 29 vjetëve, si të ishte fjala për zbulime arkeologjike. Kemi ditur deri më sot se më 29 gusht 1972, në Lojërat Olimpike te Mynihut, në pjesëmarren e parë të Shqipërisë, Ymer Pampuri, theu Rekordin Olimpik, por ja që “u be” ndërkaq, edhe Kampion i Botës në stilin e forcës të peshës 60 kilogram.
Urimet më të mira pas 29 vjetëve Ymer Pampuri! Peshëngritja shqiptare, sporti shqiptar, Shqipëria kanë edhe ato Kampionin e Botës, të vetmin: YMER PAMPURI!

Sporti Shqiptar 2001