E shtune, 20.04.2024, 12:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Irhan Jubica: Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës

E diele, 14.10.2007, 01:53 PM


Nga Irhan Jubica

Gjergj Fishta

Pikëpyetje, shumë pikëpyetje?
A janë hedhur me të vërtetë në Drin eshtrat e Gjergj Fishtës?
A mos kjo histori është më shumë një legjendë, që për shkak të ndjeshmërisë së publikut, rezultoi më funksionale se ajo letrarja e vitit 1963, me protagonistë një gjeneral dhe një prift?
A është e mundur që i njëjti dëshmitar të ketë qenë i pranishëm edhe kur është dhunuar varri, që sipas një varrmihësi, ka qenë rreth dy metër larg pllakës së mbishkruar, edhe kur janë futur eshtrat në thes, edhe kur janë ngarkuar në karro edhe kur karroja ka ecur përgjatë qytetit nëpër një rrugë rreth 3 km deri në Drin? Drini qarkon një pjesë të mirë të Shkodrës, ndaj në ç’vend janë hedhur në Drin? Në ç’datë? Në ç’orë? Kush tjetër ishte dëshmitar? Cilët ishin varrmihësit? Po karrocieri? A e dinin varrmihësit se për çfarë po gërrmonin? Po karrocieri, a e dinte se çfarë po hidhte në lumë? Kush i urdhëroi të gjithë këta njerëz? Po sikur eshtrat e Fishtës të mos jenë hedhur fare në lumë, por të jenë fshehur diku tjetër?
Pse nuk i janë përgjigjur këtyre pyetjeve asnjë nga françeskanët që shkruan historinë e atij Kuvendi të famshëm? Pse nuk është shpallur një kërkim zyrtar i pjesës tjetër të eshtrave? A është e vërtetë se lufta ndaj besimit në Shqipëri, më së shumti ishte luftë kundër katolicizmit (dhe myslimanizmit), e udhëzuar apo frymëzuar nga ortodoksia sllave për shkak ndoshta të një xhelozie të vjetër të tyre ndaj katolikëve shqiptarë, meqenëse edhe numri i klerikëve ortodoksë të përndjekur është i papërfillshëm, sidomos në raport me besimet e tjera? Nuk janë pikëpyetjet e vetme që dalin duke lexuar dëshmitë aq të pakta e fragmentare të atyre që e jetuan atë kohë. Një pjese të këtyre pyetjeve tenton t’i përgjigjet ky shkrim, por natyrisht pyetja më thelbësore mbetet “Pse?”.

Jeronimi përsëri

“…U shkatërruan kishat… Pranë altarëve të Krishtit u lidhën kuajt si në grazhd… Eshtrat e martirëve u nxorën nga varret”. Fjalët e përkthyesit “Shë Hieronim” ilir të Biblës në latinisht, sipas Bogdanit, duket sikur janë shkruar në vitin 1967, e jo dikund rreth vitit 400 të mijëvjeçarit të parë, e ndonëse i referohen dyndjes së hunëve, gotëve, skithëve e vandalëve në Ballkan e më gjerë, e japin më së miri tablonë përmbyllëse të luftës së komunistëve shqiptarë kundër besimit. Kjo luftë kishte nisur që në vitin 1945 me burgosjen, torturat, internimin, pushkatimin e mbi 200 klerikëve, me grabitjen dhe vjedhjen e autorësisë së arkivave unikale të kishave, vlera e të cilave më shumë se fetare ishte kulturore e historike shqiptare, me prishjen e 2300 objekteve me vlera arkitekturore të kultit. E pikërisht në vitin 1967, plot 1900 vjet mbas 29 qershorit të kryqëzimit dhe tretjes së varrit të apostullit të Krishtit, Shën Pjetrit, në Shqipëri u dhunuan dhe u tretën eshtrat e Shën Fishtës, “Apostullit të Madh të Shqiptarizmës”, siç e quan Koliqi. Në fakt, për faj të shqiptarëve ose jo, panteonit kurrë të ngritur të kombit i mungojnë shumë prej eshtrave të të vdekurve të mëdhej: varri i Gjergj Kastriotit u dhunua prej turqve, përpara se trupi i pajetë i Pjetër Bogdanit të hidhej në shesh po prej aziatikëve. (Zef Simoni shkruan se më 1946, pas torturave, edhe trupi i varur i priftit Mark Gjani iu hodh qenve e kockat u lëshuan në përrua.) As serbët nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e mbledhësit të Kanunit, Shtjefën Gjeçovi; “L’Osservatore Romano” i 30 janarit 2000 thotë se në të njëjtën mënyrë u sollën edhe komunistët me eshtrat e Jak Serreqit, Lazër Mjedës, Gaspër Thaçit, Ernest Cozzit, Bernardin Shllakut e Gjergj Fishtës. Në shumë shkrime përmendet edhe Dedë Gjo’ Luli, për të cilin herë thuhet se ka qenë varrosur pranë Fishtës, e herë në kapelën e vogël, në të majtë të altarit të Kishës Françeskane, bashkë me fretërit e lartpërmendur, por kjo nuk i pengoi komunistët ta njihnin hero, edhe pse ia tretën eshtrat.

Fjalët e kohës. Fishta që s’është

7 shkurt 1967. Gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”e “Puna” botojnë fjalimin pesërfaqesh, në dukje kundër burokracisë, që Enver Hoxha kishte mbajtë një ditë më parë në takimin e zgjeruar të disa organizatave të rinisë e Partisë së Punës. Disa ditë më vonë, fjalimin e botojnë edhe “Zëri i rinisë”, “Jeta e re” e çdo gazetë lokale në vend. Gazetari i KQ të PPSH-së Xhelil Gjoni njofton në “ZP”-në e 8 shkurtit se gjimnazistët durrsakë të “Naim Frashërit” kanë marrë një nisëm për ta çliruar vendin prej së vjetrës e prej fesë. Ky kryeartikull, në gazetën më të frikshme në vend, pasohet nga të tjerë shkrime që pasqyrojnë entusiazmin e rinisë për “dacibaot” që bllokojnë edhe dyert e kishave e xhamijave. Kinezëria kulturore përkrahet në Durrës nga shkolla “Mujo Ulqinaku”, e më pas nga i gjithë vendi. Në artikullin e gjatë “Kotësia dhe dëmi i paragjykimeve fetare” të ZP së 18 marsit, Selami Tabaku, Arif Gashi dhe Gjon Jaku (ky i fundit i akuzuar prej një bashkëkohësi si një ndër “spiujt e parë të sigurimit në Shkodër, informatori kryesor për pjesën katolike”) akuzojnë Patër Anton Harapin (që më 1944 shkruante: “…për fe e atdhe… ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer”), Hafiz Ali Tarin (antizogist, teolog musliman që kishte mbajtur një fjalim të ndjerë në varrimin e Fishtës) e Sali Myftinë për lidhje të ngushta me pushtuesit. Fishta është kudo, por nuk përmendet askund. Fishta nuk përmendet as në një shkrim për shtypin në Shkodër, që Vehbi Bala boton në “Jeta e re”, ku ia ka dalë ta përjashtojë publicistin Gjergj Fishta nga kontributi i themeltar në krijimin e drejtimin e “Elcisë së zemrës s’Jezu Krishtit”, “Zanit të Shna Ndout” e “Postës së Shqypnies”, por sidomos të “Hyllit të Dritës” pa të cilin nuk ka as histori të shtypit shqiptar. Është koha kur në faqet e para të gazetave, nëpërmjet titujve të mëdhenj masat e ndërsyera kërkonin “t’i djegim”, “t’i shkatërrojmë” jo vetëm zakonet prapanike dhe mashtrimet e fesë. Një përfaqësi e lagjes “Kongresi i Përmetit” po në Shkodër, më 19 mars i shkruan një letër “shokut Enver Hoxha” ku e njofton se xhamijat që kishin në lagje po i kthenin nga qendra terri në institucione kulture. Aksione të tilla raportoheshin përditë nga radioja dhe gazetat, si në Gjepalaj, Durrës, Tiranë, Roshnik të Beratit, Kukës etj. E për ta mbajtur të ndezur zjarrin ku do të digjeshin armiqtë, më 16 prill Këshilli i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë i drejton një tjetër thirrje popullit “për t’u ngritur mbi të vjetrën”. Bashkë me fletërrufetë e panumërta ku në emër të rinisë kërkohej ndalimi i fesë, kjo ishte ana e dukshme e asaj që ndodhi më 1967, vit që i parapriu ateizmit zyrtar e që kulmoi me hapjen në Shkodër të të vetmit muze ateist në botë. E padukshmja pjesë e këtij aisbergu qe fatale për shkak se kalonte nga zyrat e Sigurimit të Shtetit. E Sigurimi nuk ka bërë asnjë fletërrufe.

Thash e them ose “bëj e bjer”

Historia e shkruar për herë të parë në një “RD” të fillimvitit 1991, përveç kopjimit nga njëra gazetë në tjetrën, do të qarkullonte si ata gojëdhënat, vërtetësia e të cilave, për shkak se i mvisheshin diktaturës komuniste të konfirmuar si gjakatare dhe e pashpirt, nuk kërkonte fakte konkrete, por mjaftohej me një pusullë anonime. Shumë prej autorëve që shkruan për Fishtën qysh prej erës së demokracisë e këtej, shprehen të sigurt se ka ndodhur pikërisht ashtu si shkruante më 1990, sipas Zef Pllumit, një anonim në sallën e klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut”: Me urdhër të Bilal Parrucës, atëkohë kryetar i Komitetit Ekzekutiv si dhe kryetar i Frontit Demokratik të Shkodrës, eshtrat e Fishtës janë hedhur në Drin. Duket pra, se ky është kontakti i parë që jo vetëm Zef Pllumi ka pasur me lajmin për zhvarrimin e Fishtës, sepse në një shkrim tjetër, vetë Pllumi pyeste: “A u zbulue ndonjiherë vorri i vërtetë i Fishtës dhe a u hodhën në lum eshtnat e tij? Nuk mund [të] them kurrgja me siguri”. Këtë artikull të rifillimit të “Hyllit të Dritës” Pllumi e sjell në vitin 2001 në “Françeskanët e mëdhaj” dhe e rikonfirmon në 2006 në “Histori kurrë e tregueme”, por duke i bashkngjitur një shkrim ku, n’mes tjerash thuhet: “Kje natë. Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin.” E më pas “…zoti Ferdinand Topalli, i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hjedhë në Drin” (“Histori kurrë e tregueme”, 2006). Ndryshe nga Pllumi që shkrimeve të veta u shton nga ndonjë element, por pa e zbuluar të vërtetën, Konrrad Gjolaj, gjithashtu françeskan dhe i burgosur, në veprën e tij të guximshme “Çinarët” (1996) i përmend thuajse shkarazi “vorret e përdhunueme të Fishtës, Mjedës…” ndërsa duke iu referuar vdekjes së Bernardin Shllakut, hedh dritë mbi vendin e mundshëm të tretjes së eshtrave të Fishtës, kur thotë se Shllaku ishte varrosë në Kishën Françeskane, por “me ‘revolucionin kultural’ edhe eshtnat e Tija u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtnat e vllazënve të tjerë t’asaj Kishe”. Ipeshkvi Zef Simoni, në të shumëcituarin në botë “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni, nga 1944-1990” (botuar një vit pas “Martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare 1944–1990”, Tiranë, 1993), e rreshton Fishtën në një listë emrash të priftërinjve katolikë që iu tretën eshtrat, pa treguar asgjë konkrete se si, ku, kur e kush i ka bërë këto krime. Ndërkaq, me një akrobaci absurde Dhori Qiriazi arrin të mos e përmendë fare dhunimin e eshtrave të Fishtës, në librin e tij “Krishtërimi në Shqipëri” që ndoshta duhej të kishte kushtimisht shumë të vërteta për persekutimin e klerit katolik, e posaçërisht të varreve të tyre, si një ndër krimet më barbare të kryera nga komunizmi. As Kapllan Resuli në “Fishta dhe të tjerë” (2001) nuk e përmend fare zhvarrimin e Fishtës, pavarësisht synimit të librit të tij. Në vitin 1992, ndërsa i jepte përgjigje akuzave që iu patën bërë për 50 vjet Fishtës, studiuesi fisnik Injac Zamputi nuk ka dashur me sa duket, të merret me çështjen e eshtrave. Megjithatë, brenda kapakëve të librit të tij “Fishta. Koha, njeriu, vepra”, botuesi F. Ferra e merr të mirëqenë dhunimin e varrit të Fishtës, kur shkruan “Veprën e Fishtës nuk arritën ta zhdukin, si zhdukën eshtrat e tij”. Natyrisht, libri me dy data “Gjergj Fishta. Jeta dhe vepra” i autorit Vehbi Bala nuk mund të kishte diçka për zhvarrimin e mistershëm të Fishtës, jo vetëm për shkak se në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985, ky autor kishte shkruar “tanë të zezat”, por edhe se lënda e librit daton shkurt 1961, pra 6 vjet përpara natës pa datë të dhunimit të varrit. Një autor tjetër, M. Korça, në “Patër Gjergj Fishta… gjeniu pa varr” edhe pse nuk jep asnjë burim, e nuk citon asnjë dëshmitar, siguron se “ish …edhe një natë e errët shkurti kur u përdhunua varri. Një palë eshtra flakeshin në Dri për ta asgjësuar. … Bilal Parrucën caktuan që urdhërin ta jepte!” Në këtë frymë duket se janë hartuar mjaft artikuj. F. Radovani në “Një monument nën dhè” është i sigurt se “përveç françeskanëve të tjerë u dhunue vorri i Poetit Kombëtar At Gjergj Fishta dhe … eshtnat… u tretën.” Edhe një ndër studiuesit më seriozë të letërsisë shqipe, Anton N. Berisha në librin e tij “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë”, (Prishtinë 2003), nuk e ndjen të nevojshme të citojë asnjë burim kur pohon: “Tërbimi i kuqalashëve ndaj këtij krijuesi madhor [Fishtës] dhe veprës së tij mbërriti deri në absurd: ia zhdukën varrin dhe eshtrat!”. Disa vjersha e skica të tashme të realizmit demokratik gjithashtu e marrin të mirëqenë dhunimin e varrit të Fishtës, veç me një të dëgjuar. Në fund të vitit 1996, dy shkrime të njëpasnjëshme në RD për ceremoninë e rivarrimit të Fishtës, veç gafave panumërta nuk ofrojnë asgjë nga e vërteta; madje njëri prej tyre mund të konsiderohet i papërgjegjshëm: mbasi i ka quajtur disa herë eshtrat “mbetje të tretura të trupit të poetit”, A. Malja shkruan më 29 dhjetor se kisha françeskane e Shkodrës u prish gjatë vitit 1967 dhe “Me këtë rast humbën edhe eshtrat e At Gjergj Fishtës.” Vetëm një ditë më parë, I.Seci, në të njëjtën gazetë kishte përmendur disa herë se eshtrat e Fishtës ishin tretur nga barbarët komunistë, por pa dhënë as më të voglin detaj se si ka ndodhur kjo. Aty shkruhet gjithashtu se Fishta ka vdekur me 30 janar e jo dhjetor, se ka vdekur në vitin 1910 e jo 1940 etj.; gabime të mundshme teknike. Por padyshim, maja më e lartë e asaj që mund të quhet manipulim me çështjen, është një libër i sapobotuar me autor Pjetër Pepa. Rreth 15 nga 1600 faqet e dyvëllimshit “Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri” (2007), i kushtohen kapitullit me titullin “20 mars 1967. Hidhen në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar Padër Gjergj Fishta”. Mbasi shpall qysh në titull lajmin, autori duket se pendohet në rradhët në vijim, kur shkruan: “Për të qenë i saktë me historinë, më duhet të them që nuk jam i sigurtë nëse, vërtet, në këtë datë u hodhën në Drin eshtrat e Poetit Kombëtar!” Dhe më pas: “U hodhën në Drin e gjithçka përfundoi me turp” (v.II, faqe 373). Edhe pse nuk e vë në dyshim hedhjen e eshtrave në Drin, autori nuk e gjykon të nevojshme të sqarojë lexuesit, por edhe historinë me të cilën pretendon të jetë i saktë, se si ndodhi akti e cilët ishin aktorët.

Nga ta kapësh

Ndoshta askush nuk dëshiron ta diskutojë vërtetësinë e (f)aktit të tretjes së eshtrave të Gjergj Fishtës, por pas shfletimit të mijëra faqeve libra e gazeta është e pamundur t’i rezistosh tundimit për të bërë pyetjen tjetër: kur? Ka kaq pak informacion në qarkullim, dhe koha për hapjen e arkivave të fshehta duket se nuk do të vijë asnjëherë në Shqipëri, sa është thuajse e sigurt se ndoshta për shkak të natyrës së çështjes, edhe kjo pyetje aq e thjeshtë e joimplikuese “Kur?” mund të mos marrë kurrë përgjigje. Për aq kohë sa të dyja datat e ofruara nuk mbështeten në dëshmi apo dokumente, do të ishte e gabuar të besohej si kohë e kryerjes së atij riti hienash qoftë nata e shkurtit, e pretenduar nga M.Korça, qoftë 20 marsi i përgënjeshtruar nga vetë P.Pepa.

Nominus svnt odiosa

Është mëkat që Konrrad Gjolaj, ky burrë i dehur prej të vërtetës nuk ka shkruar asgjë për zhvarrimin e Fishtës, edhe pse të krijohet përshtypja se pikërisht kjo lëndë përbënte kapitullin që sikur i është hequr në çastin e fundit librit të tij “Çinarët”, së fundmi ribotuar nga françeskanët “me lejen e të parit të fesë”. Megjithatë, boshllëkun që krijojnë autorët e tjerë në veprat e tyre për Fishtën, në lidhje me pyetjen e rradhës “Kush e dhunoi varrin”, mund ta plotësojë rrëfimi i jashtëzakonshëm i fratit velipojak Gjolaj, alias Tomë Marku. Një ndër kapitujt e këtij libri të panderuar me asnjë “Pendë” prej MTKRS e madje jo fort të pëlqyer nëpër Shkodër e gjetkë për të vërtetat therëse, është ai kushtuar mësuesit të tij, njërit prej dy priftërinjve gjermanë të pushkatuar në Shkodër më 1946: Alfons Trackit. Përpara këtij kapitulli, vjershat e këngët e panumërta kushtuar mësueve janë të vogla, por le të kthehemi në çështje. Faqe pas faqeje, duke paraqitur gjendjen e klerit katolik qysh prej vitit 1945, At Gjolaj nuk heziton të japë një mori emrash të atyre që ishin protagonistët e sulmit mbi besimin, sulm që nuk u ndal me vdekjen. Viti 1967 nuk është dhe aq i largët, ndaj paraqitja e emrave të mëposhtëm mund t’ia kthejë kujtesën atyre që dinë diçka për këtë ngjarje të errët. Gjithmonë duke cituar At Konrrad Gjolajn nga libri i tij “Çinarët” (1996), konstatojmë se: Misto Treska, Kolë Jakova, Rasim Guri, Gjovalin Luka, Irakli Bozo, Tonin Jakova, Gjon Bushati, Muhamet Oruçi, Ahmet Daja, Sadetin Mandija, Ismail Barbullushi, Zija Dibra, Mark Ndoja, Arif Gjyli, Hajdar Delvina, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Qazim Kapisyzi, Zoj Themeli, Fadil Kapisyzi, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Lilo Zeneli, Zoj Shkurti, Nesti Kopali, Gjon Prendushi, Çesk Shoshi, Hys Zaja, Pjetër Darragjati, Mestan Janiku, Aranit Çela, Tonin Miloti, Spiro Pane, Gjon Jaku, Rrahman Përllaku, Qamil Gavoçi, Gani Dizdari, Ahmet Çaku, Mahmut Kaja, Shaban Arra, Gaspër Leci, Martin Margilaj, Gac Mazi, Nuri Llazani, Stavro Frashëri, Çiril Pistoli, Sabri Hoti, Ethem Barbullushi, Gjon Banushi, Hamit Beqja, Ramiz Alia, Ylvi Dibra, Pjerin Kçira, Gjovalin Mazreku, Zef Bardhoku, Vehbi Çanga, Luigj Shala, Hulusi Hako, Dilaver Sadikaj, Pjetër Hasi, Mark Uli, Sadik Rama, Rustem Sykja, Nevzat Haznedari, Ndoc Deda, Vehibe Xhabija, Xhixhi Mazi, Xhuhere Mushani, Satber Jubani, Minire Haxhi, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Çoku, Asllan Lici, Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Bik Pepa, Kadrie Kopliku, Marie Vasili, Mita Leka, Bose Marku, Marie Siliqi, Laje Haxhia, Gjylafe Gjylbegu, Jovanka Perja, Violeta Stavri, Adlije Kazazi,Pal Mëlyshi, Xhemal Selimi, Adlije Bushati, Ndreko Rino, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Faik Kapllani, Skënder Drini, Tano Banushi, Hasan Smaja, Lin Çollaku, Nush Baba, Asim Halili, Zef Shohi, Faik Minarolli, Ali Xhunga, Hilmi Seiti, Dhimitër Shkodrani, Jahe Tefiku, Mustafa Qilimi, Hilmi Hebovija, Loro Beltoja, Xhemal Dini, Angjelin Kumria, Fadil Ymeri, Ramiz Hafizi, Halit Isufi, Fadil Kraja, Jovan Vojushi, Selahedin Cena, Luigj Frangaj, Mikel Prennushi, Musa Kraja, Lin Simoni, Pjetër Hasi e Mark Tarri ishin njerëzit më aktivë të kohës në krye të luftës kundër fesë dhe njerëzve të fesë.
Ai përmend edhe Ndoc Vasilin, xhakonin e ri, që më vonë, sipas tij do të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit në futjen e armëve në Kishë, si dhe disa priftërinj të tjerë, të cilët më vonë janë penduar e falur nga eprorët e kishës. Sipas Gjolajt, detyrat dhe përfitimet e secilit ishin të ndara: një pjesë ishin spiunë; një pjesë agjitatorë dhe bërtitës në salla gjyqesh kundër klerit; një pjesë përvetësuan veprat shkencore nga arkivat e kishave dhe u doktoruan, me studimet e Justin Rrotës, psh.; një pjesë ishin të pabesë me miqtë; një pjesë i kanë lyer duart me gjak duke torturuar për vdekje, duke gjymtuar këmbë, duke ngulur gozhdë në kafka, apo duke ekzekutuar të pafajshëm; një pjesë ndërmerrnin hetime, ngrinin akuza dhe nënshkruanin mandate vdekjeje; një pjesë ishin ordinerë, hajdutë, kriminelë, përdhunues; një pjesë… Është e qartë se përderisa bëhet fjalë për periudhën nga vitet 1945 e në këtej, pjesa më e madhe e emrave të akuzuar prej Gjolajt kanë vazhduar ta udhëheqin deri në fund luftën kundër fesë, pra edhe mbylljen e kishave e të xhamijave. Ndryshe nga anonimi i dhjetorit 1990 që citon Zef Pllumi, Konrrad Gjolaj nuk përmend emrin e Bilal Parrucës, një figurë aktive në jetën partiake, shoqërore, madje edhe gazetareske në Shkodrën e atyre viteve, por shtimi i këtij emri nuk përjashton mundësinë që dhunuesit e varrit të Fishtës të jenë disa prej emrave të lartpërmendur. Edhe konfirmimi apo hedhja poshtë e kësaj hipoteze të mbështetur në fakt, në një taban të qëndrueshëm, i takon gjithashtu të ardhmes, meqenëse së tashmes, dëshmitarët kanë vendosur t’ia mbyllin gojën. Prej kohësh jo vetëm në “gazetën gojore të Shkodrës” qarkullon një variant, sipas të cilit dy burra të së njëjtës familje, me të njëjtin mbiemër kanë kryer zhvarrimin dhe hedhjen e eshtrave në Drin. Por këto dy burra mbajnë mbiemrin e një prej anëtarëve të kuvendit të Shqipërisë. Pushteti i politikës, jo vetëm në Shqipëri, ka mbytur të vërteta dhe njerëz të mëdhenj, ndaj pyetjes se a janë emrat e të akuzuarve nga kjo “gazetë” në listën e mësipërme, apo ato emra ruhen jo vetëm prej politikës, por ndoshta edhe për arsye të reputacionit të besimit, më saktë se askush tjetër mund t’i përgjigjet dëshmitari i vetëm publik i zhvarrimit, F. Topalli, i cili flet nëpërmjet shkrimit të dikujt tjetër, por pa treguar asnjëherë se cili paska qenë ai status i tij kaq i fuqishëm, që i ka mundësuar praninë që në momentin e dhunimit të varrit e deri në hedhjen diku në Drin të eshtrave të Gjergj Fishtës, ndoshta në njërën nga ditët e para të prillit të largët 1967. Po në këtë qytet, një ish-punëtor kërkon shpërblim të majmë për të treguar vendin, ku sipas tij janë fshehur eshtrat e Fishtës, që ai pretendon se nuk janë hedhur në Drin. Se sa të drejtë ka në pretendimin e vet ky njeri, ndoshta nuk ka për t’u mësuar asnjëherë, jo vetëm se që prej 16 vjetësh ai nuk ka gjetur njeri t’ia blejë të vërtetën e tij, por dhe se ky variant është hedhur në treg, kohë më parë nga njerëz me kredibilitet të dyshimtë e me qëllime aspak të qarta.

Kadare viziton varrin e Fishtës

Në njërën nga ditët e para të prillit të vitit tonë 2007, Ismail Kadare ka vizituar privatisht Kishën Françeskane në Shkodër. Ndoshta është rastësi që kjo vizitë bëhet në 40-vjetorin e ndalimit të fesë, kohë që shënon edhe dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës, por Kadare mund të ketë dashur të përkujtojë pikërisht atë ngjarje me mikun e tij të ri, Zef Pllumi. Drejtuesi i Bibliotekës së mrekullueshme Françeskane, xhakoni Viktor Demaj nuk e mohon ardhjen e Kadaresë te françeskanët, por kujdeset që ta distancojë kishën, duke e quajtur thjeshtë si “një vizitë private për Atë Zef Pllumin”. Fra Viktori, që pret të shugurohet meshtar sivjet, nuk dëshiron të tregojë asnjë detaj nga vizita, edhe pse dihet se përveç shëtitjes në ambientet e ish-kinema “Punëtorit”, Kadare ka pasur, gjatë ndenjes njëditore, edhe një drekë të konsideruar “pune” me disa bashkëpunëtorë të afërt të klerit françeskan në Shkodër, e ndonjë të ftuar tjetër. Ka zëra që duke u nisur nga dashuria e re e shkrimtarit Kadare për katolicizmin, flasin për mundësinë e konvertimit në të krishterë, ashtu siç thuhet se mund të jetë shndërruar një tjetër lider shqiptar, vite më parë. Mbështetësit e kësaj teze e paraqesin këtë veprim të mundshëm të shkrimtarit, si një sakrificë që Kadare është i gatshtëm të bëjë për të dëshmuar para botës prirjen dhe identitetin perëndimor të kombit që përfaqëson. Për motive që nuk dihen, vizita u mbajt sekret, larg mediave dhe opinionit, por mësohet se kujdestarët e kësaj vizite e kanë dëmtuar karakterin pozitiv të pelegrinazhit të Kadaresë në Kishën e Fishtës, me ndërhyrjet tejet të zellshme për të ruajtur fshehtësinë. Megjithatë, për këtë vizitë është folur mjaft në opinion. Një pjesë e intelektualëve thonë se “duke njohur karakterin e Kadaresë…” nuk çuditen, ndërsa pjesa tjetër pohon të drejtën e individit për ndryshim. Vetë Demaj thotë se “Kadare pranoi” faktet, duke u përpjekur kështu, nga një pozitë jo fort komode të ruajë më shumë se “Nderin e Kombit” Zef Pllumi, vetë Kadarenë, për disa qëndrime aspak të lashta denigruese ndaj figurës së klerit katolik, e posaçërisht ndaj Fishtës.

“Ai që nuk pendohet, a duhet falë?”

Por pavarësisht nga meshtari i ardhshëm, ipeshkvi Zef Simoni mendon ndryshe. Në “Letërsia shqipe e pamè ndryshe” autori i mëse një dyzine librash, pa ia mohuar për asnjë çast talentin shkrimtarit të njohur, duket sikur i vë ngjitur shprehjen italiane “sprecato”, kur pasi parashtron se “…Shkrimtarët e realizmit socialist… janë lajkatarë të regjimit e të personës së tij [diktatorit]”, bëhet i drejtpërdrejtë: “Ismaili e ka mbushë realizmin socialist me qindra vargje e rreshta që nuk hyjnë në vlera, sepse kanë lëvdue partinë e kanë rrëzue të gjitha strukturat e shoqnisë”. “…Një shkrimtar tjetër me talent Ismail Kadare, që do t’ishte nxanës i bindun, tue i ndejtë gatitu diktatorit”, shkruan Simoni duke portretizuar autorin e sulmit mbi Fishtën. “Kadareja nisë të bante ndryshime, - vazhdon Simoni duke iu referuar kohës së tashme, - …i hiqte romanit negativ “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” priftin, korrigjonte disi shkrimet fajtore kundër Fishtës…” Në një nga botimet për eksport, K. Bihiku duket se bën historinë kur shkruan: “The most well-known writers of this literature such as Gj. Fishta, V. Prenushi, A. Harapi etc. supported the ideological expansion of Italian fascism, thus, paving the way for the Italian aggression of April 7, 1939”. Pa dyshim që për shkak të famës dhe përgjegjësisë, vetëm Kadaresë do t’i kujtoheshin qëndrimet mohuese ndaj Fishtës. Kështu, në kohë të ndryshme Kadare është kritikuar nga Injac Zamputi, Kapllan Resuli, Kasëm Trebeshina, Petraq Kolevica, Fatos Lubonja, Aurel Plasari etj. “Fjala ‘kronikë sterile’, shkruan monsinjor Zef Simoni në kapitullin “At Gjergj Fishta, maje e letërsisë kombëtare”, kur flitet për “Lahutën” prej Ismailit asht jo thjesht e gabueme, por randë gabim, fort gabim, tejet e gabueme, ‘tërësisht e gabuar.” Por ipeshkvi Simoni thotë se “e duem shkrimtarin ma nalt”, e për këtë “Ideali ma i zgjedhuni në botën e fajeve, asht ai i pendimit rranjësuer”, sepse “… ndër ne, të gjithë shkrimtarët… [e] realizmit socialist, … rrijnë si në nji mëkat të pafalun…në këtë mënyrë mund të bahen fytyra … pa çiltërsi”. Ndërsa retorika e At Konrrad Gjolaj është e prerë: “Ai që nuk rrëfehet, ai nuk pendohet, dhe ai që nuk pendohet, a duhet falë?”. A është i të njëjtit mendim edhe At Zef Pllumi? Fra Viktori qeshet, duke shtuar se kjo është mrekullia e françeskanëve shqiptarë: një tolerancë mendimesh të ndryshme. Ndoshta në këtë këndvështrim duhet parë kjo vizitë e shkrimtarit në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, e patjetër edhe në varrin e Fishtës e në ata altare, kapela e korridore ku përpara se me lindë Kadare, shkelnin sandalet e françeskanit më të madh shqiptar.

Kush ia bëri varrin Fishtës

Në pllakën përkujtimore në të majtë të Kishës Françeskane shkruhet një tjetër datë e rivarrimit të eshtrave të Fishtës, nga ajo që shkruajnë kronikat e pakta të kohës, të cituara më sipër. Megjithatë, tepër i çuditshëm është fakti se prej 4 nëntorit 1990 të mbajtjes së meshës së ringjalljes në Rrmaj, ose prej mbrëmjes së dhjetorit ’90, kur “anonimi” konfirmoi dhunimin e varrit, ose prej vitit 1991 kur u krijua shoqata me emrin e poetit, ose prej vitit 1993 kur Kisha Françeskane po rikonstruktohej e deri më 13 nëntor 1995 “mbas dy vjet punimesh kur i erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri”, nuk u bë asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave të Gjergj Fishtës. Janë pesë vjet të gjatë që në rrëfimet e disa françeskanëve që kanë shkruar me shumë pasion për Fishtën, mbushen me shkrime gazetash. Zef Pllumi thotë se shteti shqiptar “demek-demokratik” e bëri veshin shurdh përpara kërkesës së tij për ndihmë në gjetjen e varrit që ai vetë shkruan se ia ka hapë Fishtës, natën e akullt të 31 dhjetorit 1940. Por Pllumi, i cili pretendon se lajmin për dhunimin e varrit të Fishtës e mësoi nga një “anonim” vetëm në vitin 1990, nuk thotë se cilat ishin “hienat” që mund të silleshin rreth varrit të Fishtës edhe mbas vitit 1993, kur në Kishën, çelësat e së cilës i kishte Cavallini, punohej për restaurimin edhe nga dëshmitari i 1967-ës, i mbikqyrur madje nga një Topall tjetër, bashkëshorti Tonç i kryeparlamentares së ardhshme demokrate. Edhe pse i noterizuar, procesverbali i gjetjes së eshtrave duket se ka përplasje me të vërtetën, më së paku për sa i takon datës. Gërmimet kanë filluar me dt. 13 nëntor, e në “Françeskanët e mëdhaj” shkruhet se “N’e nesre gërmimet vijuen përsëri. U gjet … nji copë nga petku fetar (stola)…” ndërsa procesverbali që daton 13 nëntor 1995, e përfshin në listën e objekteve të gjetura, edhe stolën, krahas kockave të tjera, falangave, karpeve e metakarpeve, ndoshta të dorës së majtë të Fishtës, duke pasur parasysh vendvarrimin. Pllumi shkruan se skulptori i monumentit të vetëm të Fishtës, Pjerin Kolnikaj, është edhe autori i projektit të varrit, të realizuar me materiale mermeri me shkronja bronzi. Pa iu nënshtruar asnjë analize shkencore, eshtrat e gjetura 2 m nën dhè, bashkë me protagonistët që u grupuan në një komision të posaçëm, pritën deri më 1996 për të nderuar kujtimin e poetit, varri i të cilit i ka kushtuar shtetit 1350 dollarë.

Duke kërkuar një “Pse?”

Më kot, Ernest Koliqi, një vit përpara dhunimit të varrit të Fishtës, shkruan nga Italia: “Kush dënon Fishtën, don t’asgjâsojë frymën e lidhjes së Prizrendit, mohon idén qenësore të rilindjes shqiptare. Kush don me i a vorrue veprën në humnerë të harresës, kapërdin faktorët historikë e gjeografikë që përbâjnë arsyen qênjeje së nji Shqipnije shqiptare.” Më vonë, Zef Valentini nuk do të mjaftohej me habinë për vazhdimin e sulmeve, por do t’i kërkonte “gati zyrtarisht” shtetit shqiptar ta rivlerësonte Fishtën, duke u bërë ndër të parët që kuptuan arsyet e dënimit të poetit: “Si mundet vallë… që regjimi i Hoxhës dhe i Shehut e kanë dënuar me ostracizmin më të egër? Ata s’janë aspak as njerëz të ditur as mendimtarë të shkëlqyer, por vetëm të pajisur me nuhatje e dinakëri, cilësi këto mëse të zakonshme në Shqipëri. E vërtetë është se dëshmia e parë e fushatës antifishtjane qe ndikimi i fortë serb në vitet e para të regjimit komunist; e kjo kuptohej qartë, poeti i madh kishte luftuar gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave.” (“Popuj dhe misione”,1 Prill 1972). Kjo ide e Valentinit për sulm mbi Fishtën për llogari të jugosllavëve, mbështetet ndoshta pa dijeni të këtij teksti, edhe nga “cërnagorasi” Kapllan Resuli, i cili në “Fishta dhe të tjerë” e akuzon Fishtën për antimalazez e antiserb, duke shkruar: “…[Fishta] impenjohet për t’i indoktrinuar shqiptarët me urrejtje ndaj sllavëve-ortodoksë në përgjithësi e ndaj cërnagorasve në veçanti…”. Për çudi, kjo tezë ishte hedhur më parë edhe nga Kadareja, te “Ardhja e Migjenit…”, ku autori i “Lahutës së Malcisë” akuzohet për ksenofobi, sidomos drejtuar sllavëve. Në atë kohë “për fat” nuk ishte botuar ende ditari i gruas së konsullit austiak, gjatë rrethimit të Shkodrës, von Zambur, ku ajo shkruan: “20 mars 1913, e enjte, … sot pasdreke isha te Marta [familja e kapedanit të Mirditës Prenkë Bib Doda, Shënimi im, i.j.], ku takova fratin françeskan Fishta, i cili u shkreh me tërë rreptësi kundër malazezëve, kundër barbarizmave të këtij shteti që e mban veten si “komb i civilizuar”, sepse akuzuesit do të kishin pasur një “provë” më shumë. Ndërkaq, një tjetër autor kujton se akuza të këtilla ndaj Fishtës janë bërë që në vitet e para të atij që quhet “çlirim” i vendit. Shtypi katolik botëror shkruan se menjëherë pas nënshkrimit të një traktati miqësie të Shqipërisë me Jugosllavinë, “Lahuta e Malcisë” u konsiderua “vepër antisllave” dhe u ndalua. A mund të thuhet pra, se për shkak të këtyre akuzave që i bëheshin Fishtës herë-herë edhe nga shqiptarë, ambasadori ortodoks jugosllav në Tiranën e fundviteve ’40 do të ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqeve “të popullit” kundër klerikëve katolikë në Kinema “Rozafat”? Konrad Gjolaj thotë se i ka parë vetë në pushimet e seancave prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë duke pirë kafe me diplomatët e Titos. Në një rast tjetër, nëpërmjet një ish-sekretareje dhe përkthyeseje të Enver Hoxhës, tregohet krenaria e diktatorit shqiptar teksa i raporton ambasadorit jugosllav goditjen për vdekje që i kishte dhënë katolicizmit në Shqipëri vrasja e Anton Harapit, por diplomati i kërkon zhdukjen e Gjon Shllakut për rrënimin e plotë të françeskanëve shqiptarë. Sipas porosisë, Shllaku u dënua me vdekje në prani të diplomatit jugosllav, të cilit Mati Prennushi do t’i drejtohej gjithë neveri: “Heee, … Serb, o serb!” I njëjti diplomat është i pranishëm edhe në dënimin me pushkatim të Dedë Malajt e burgosjen e disa të tjerëve. Miqësia me jugosllavët mori fund, për t’u hedhur në krahët e një miku tjetër sllav: Bashkimit Sovjetik, por për Fishtën gjërat nuk ndryshuan. Duke iu referuar dashurisë së gjatë me Kinën, në mënyrë shumë kontradiktore Zef Simoni shkruan se pikërisht në këtë periudhë “nisi të vlerësohet Fishta”, kur në fakt kjo kohë përkon me ethet e revolucionit kulturor, pasojë e të cilit është edhe dhunimi i varrit të poetit. Deda, nipi i ish-sekretarit të Fishtës, Antonin Fishta, që prehet në kapelën në të majtë të altarit të Kishës Françeskane në Shkodër, nuk kujtohet ta ketë mësuar atëherë lajmin për dhunimin e varrit të Gjergj Fishtës. Ai mendon se axha i tij, i cili është një ndër klerikët që nuk firmosën Statutin e ofruar nga qeveria për ngritjen e një modeli anglez të Kishës Katolike Autoqefale Shqiptare të shkëputur nga Vatikani, siç kishin bërë myslimanët dhe ortodoksët, duke pranuar edhe emërimet e “kryetarëve të feve” nga shteti - mund ta ketë ditur për Fishtën, sepse shihej gjithnjë e më shumë i mërzitur, derisa edhe vdiq më 1970, i mbyllur në vetvete, por “ai nuk fliste me njeri për këto gjana”. Megjithatë, duket shumë e çuditshme që prosllavizmi i flaktë apo i mbuluar i Tiranës (i akuzuar edhe si shkaktar i lënies së Kosovës nën Jugosllavi për 50 vjet), të ketë vendosur fatin e eshtrave të Gjergj Fishtës, poetit që vjershën e parë ia kushtoi një bashkëkombasi të Titos “Al Valente Poeta Sign. Silvio Kranjcevic” (1892); priftit që kishte aq autoritet sa të ndërhynte me sukses te Krajl Nikolla duke ia shpëtuar jetën Mati Prennushit, të dënuar me varje nga serbët për ngritjen e flamurit më 1911 në Deqiç.

Pelegrinazhi i munguar

Qysh prej dhjetorit 1940 kur u shpall si “premtim” e deri më sot, varri i Fishtës nuk u bë asnjëherë vend pelegrinazhi, si varri i Hygoit, Kafkës. Herë-herë duket se kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së publicitetit të kësaj ideje, por nuk janë rastet që kanë munguar. Fra Viktori e pranon se “krejt pak” njerëz kujtohen të kthejnë te Fishta kur hyjnë në Kishën Françeskane, e ndërsa numri i njerëzve që mund të vijnë enkas për varrin e poetit është edhe më i pakët. Ndoshta njerëzve ua bllokon rrugën mjegulla e misterit të pakuptimtë për fatin e eshtrave e të autorëve të këtij krimi, mjegull që nuk davaritet, por veç shtyhet tash 15 vjet nga njëri rrëfim në tjetrin, i njerëzve besnikë të aleancës së heshtjes. Në mos në letër, në arkivat e gjalla të françeskanëve pa diskutim janë të fotografuara të gjitha detajet dhe protagonistët e ndodhisë që megjithatë, implikon dhe vë në dyshim edhe moralin e shtetit shqiptar, si palë që duhet të kishte ofruar hapjen e hetimeve zyrtare. Nuk dihet nëse ndonjë përpjekje e tillë nuk i është përkrahur shtetit, e as se ndoshta 40 vjet mbas dhunimit të përgjithshëm të fesë, sot Kisha është e mjaftuar me marrjen o zgjerimin e disa pronave, me ndonjë ftesë nga politika e të njëjtit shtet që ende nuk ka lypë ndjesë për rrënimin e institucionit të besimit te shqiptarët, ashtu si kanë bërë Gjermania pas Luftës së Dytë, apo Gjon Pali II në emër të Vatikanit për Kryqëzatat, e së fundi edhe serbi Tadiç për kroatët. Nuk mund të dihet as nëse ndërhyrja për t’i dhënë Zef Pllumit të gjithë titujt zyrtarë është dirigjuar për të larë të mëkatet ndaj Fishtës, por Zef Pllumi nuk është Gjergj Fishta. Suksesi i protagonizmit absolut të Fishtës në shumë fusha, me siguri që meriton më shumë se barazvlerësimi me shpikësin e viagrës. Por ndoshta problemi kësaj here quhet pozicionim i palëve: prej rrëfimeve të deritashme për eshtrat e Fishtës, mësohet se llogorja e dëshmitarëve është e zënë. Duhet një palë tjetër si e akuzuar. Për këtë duhet pritur sa të zbardhë, e mandej mund të shihet se kush është në llogoren përballë; por meqë terri informativ rreth këtij fakti mund të zgjasë, mbetet të besohet se armiku mund të mos mësohet asnjëherë. Ose se nuk ka pasur kurrë llogore tjetër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora