E enjte, 28.03.2024, 12:24 PM (GMT)

Speciale

Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII)

E merkure, 30.12.2009, 07:53 PM


SYLEJMAN ALIU

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)

“Babai i kombit”


Përmbajtja “babai i kombit”, siç pranon i ngazëllyer të quhet Rexhep Qosja nëpërmjet shërbyesve të tij të mllefeve të egra, po të shpjegohet në shtrirjet biologjike, jo vetëm është bizare, por të shtynë të kërkosh edhe mamanë e kombit. Derisa ekzistuaka (edhe figurativisht) një baba i tillë, domosdo ky komb do të duhej ta kishte dhe një mama! Deri tash kjo mama nuk është gjetur, kurse “babai i kombit” rron me trauma të mëdha dhembjesh dhe gjithnjë përpiqet të gjejë mamanë e birit të tij, që quhet komb, fare pak në letërsi e më shumë në politikë. Kombi i tij (shqiptar) tash rron në kujtesë të mirë të mamasë serioze letërsi dhe me mamanë e tij të tashme, që quhet politikë. Mamaja e kombit, që quhet letërsi, “babanë e kombit” duket sikur e ka flakur për shkak të impotencës dhe klimaksit të hershëm, por dhe të potencës shumë produktive në marrëdhëniet e tij me mamanë mantenutë, që quhet politikë, me të cilën tash jeton mjaft sëmurshëm “babai i kombit”, sa për të fshehur pasojën e shterpësisë intelektuale. Megjithatë, ky “baba”, tashmë me impotencë krijuese, ka vendosur të ngarendë që të gjejë mama të tjera të kombit, duke e marrosur përfundimisht birin e tij komb, duke e shtrirë mbi të kurvëri mantenutash, të cilën nuk pranë ta quaj vlerë të padiskutueshme morale. Atij nuk i bën përshtypje se kombi qesh me të, se kombi kërkon të mos jetë pjellë e tij dhe e mantenutave përfituese parash të “babait të kombit”.

I dëshpëruar me zërin e tij pa jehonë dhe i dëshpëruar që nga shfaqja e penave të zellshme, të cilët me punë tregonin se s’e kishin “baba të kombit” njeriun e sëmurë nga vetvetja, i denoncoi dhe u përpoq t’i rrënonte. Nuk i arriti këto synime, por arriti që të bëhet aq i neveritshëm sa njerëzit e penës së zellshme nuk donin ta merrnin mundimin që t’i thoshin gjë, që t’ia shpjegonin vetveten e tij të sëmurë dhe vetveten e tij brenda një dosjeje të trishtueshme veprimesh të fshehta të deritashme ndaj “birit“ të tij, që quhet komb. Ai tash rron me “mrekullitë” e përditshme të injorantëve, para të cilëve vjen edhe si “hije e Zotit”.

Po ky “baba i kombit”, krejtësisht i heshtur brenda zhurmës së vetë thuaja të çdoditshme, është edhe “revolucionar i vonuar demokratik” kundër të gjithë atyre që ia rrënuan epokën enveriste dhe u bë krah i renegatëve që e përgjakën Shqipërinë më 1997, që e zhbënë thuaja tërësisht. Po ky “baba i kombit”, pas vajit të madh që kishte bërë për vdekjen e Titos dhe pas denoncimit publik të të gjithë intelektualëve të viteve ’70-të në “Morfologjinë e një fushate”, Kosovën e shndërroi në “fermë qensh”, kurse popullin dhe intelektualët në qen e në bushtra në pamfletin e tij kundërkombëtar “I ringjalluri i penduar”. Megjithatë, “këta qen e bushtra“ dhe kjo „fermë qensh” përsëri heshtën, që të mos bien në nivelin e përllomur të “babait të kombit – qen”, pa iu vajtur mendja se heshtja e tyre ishte edhe pajtim i plotë se edhe Kosova është “fermë qensh“, kurse populli dhe ata vetë ishin „qen e bushtra”.

Intelektualët, përsëri në emër të urtisë, nuk bëjnë gjë tjetër, përveç talljes me të nëpërmjet heshtjes së plotë. Kjo iu mjafton të pranojnë në heshtje se janë edhe vetë banorë dhe pjesëtarë të kësaj “ferme qensh”, të cilët i shërbyen “babait të kombit”, që quhet Rexhep Qosja me gjithë parashtesën respektuese “akademik”, duke pranuar të jenë personazhe poshtëruese, fyese dhe mallkimesh të tij. Disa nga këta intelektualë thonë se ai është krejtësisht i çmendur me të tilla pamflete. Thonë kështu, jo për ta fyer atë, por për të treguar se sa të urtë janë vetë ata, që thonë kështu. Por ai nuk ndalet, sepse është në kërkim të madh të gjetjes së mamave të tjera të kombit në shtëpinë publike të politikës dhe të definicioneve rrënuese të të gjitha dimensioneve njerëzore, kombëtare dhe morale.  

 

Halucinacionet e “patriotëve”


Varfanjakët shpirtërorë janë heronjtë më të guximshëm të llafeve. Zhurmën e tyre e shndërrojnë në rrahagjokse dhe e keqpërdorin për të fshehur hilenë e zezë për kombin dhe për gjeografinë kombëtare. Që të dëgjohet më shumë dhe më qartë kjo zhurmë dominuese, ata bëhen agresivë. Duke u bërë agresivë, hilja e tyre e zezë manifestohet si sëmundje psikiatrike. Ata bëhen dëbues, refuzues, rrënues, mohues… sepse vetëm nëpërmjet këtyre formave të veprimit anormal, atyre u bëhet se shquhen, duke mos llogaritur se janë dhe mbesin gjithnjë e më të vetmuar. Vetminë e tillë nuk e krijon pazakonshmëria, por zakonshmëria neveritëse e frikës së tepruar, që  manifestohet me veprime të sëmura dhe amorale të tyre. Prandaj përpiqen të tregohen me aftësi të veçanta rrënuese mbi secilin ndërtim shoqëror, majave të të cilave gërmadha pastaj kokorisin pandalshëm. Të tillët bëjnë sikur harrojnë vetveten e njëmendtë, si formë kundërpërgjigjeje ndaj harresës për ta të mjedisit të shëndoshë ku jetojnë. Duke harruar vetveten, ata flasin për heronjtë e vdekur, si mënyrë e tyre e zgjedhur për t’u identifikuar me ta. Përpiqen t’i përvetësojnë mënyrat e vdekjes së heronjve, duke dashur që kështu ta mundin frikën dhe t’i riushqejnë ambiciet e ngritjes së pameritueshme të tyre.

Duke folur dhe duke bërë zhurmë amorale, duke lozur pa mjeshtëri fatin e heronjve të vdekur, ata përpiqen ta vdesin edhe të sotmen dhe shëndetin e galerisë së re të heronjve, të cilët nuk flasin, të cilët janë të heshtur më shumë se ç’duhet, të cilët duken më të nënshtruar nga dhuna e varfanjakëve shpirtërorë. Kur arrin zeniti i “nënshtrimit” të tillë të të pasurve shpirtërorë e intelektualë, varfanjakët shpirtërorë, të cilët njëmend duhet të zënë vend në psikiatri, hidhërohen dhe pëllasin edhe më shumë, duke akuzuar se mjedisi ku jetojnë u bëka për ta aq injorues dhe aq i tmerrshëm, i cili nuk iu bindka halucinacioneve të tyre, të cilët përpiqen të ngrihen nga frikacakë në heronj të guximshëm. Fjala e ngulmët e të cilëve, edhe pse e nxitur nga frika dhe nga inferioriteti i zakonshëm i frikacakëve debilë, mund të rrënojnë qetësinë e madhe të pasurisë shpirtërore e intelektuale të të tjerëve. Dhe njëmend, ndodhë kështu. Trillojnë hapësirën e vet të dominimit dhe, të mbushur me halucinacione të sëmura, fillojnë t’i ekzekutojnë publikisht meritat morale të të tjerëve. Ata që mund të shpëtojnë nga halucinacionet e sëmura të të tillëve, ngarendin shpejt e shpejt dhe ikin nga këto hapësira të ndotura sëmundjesh halucinunative të këtyre varfanjakëve moralë e intelektualë. Ikjen e tillë, këta varfanjakë e kuptojnë si triumf të tyre, që do të thotë si ngadhënjim i sëmundjes së tyre dhe jo si ikje normale e të shëndoshëve nga skizofrenia e pashërueshme e varfanjakëve intelektualë e shpirtërorë. Ky veprim përngjan në anekdotën e lepurit frikacak, nga i cili u trembkan, megjithatë, bretkosat. Lepujt e tillë njerëzit i shohin si bretkosat dhe mburren si “heronj”.

Kategoria e tillë e “heronjve” të zhurmës së fjalëve dhe të agresivitetit për pushtimin e hapësirave për sëmundjen e tyre të pashërueshme, nga frika se mund të duken të parëndësishëm, bëhen inspiratorë të gënjeshtrës dhe të një servilizmi të ndotës. Kjo kategori, ku prinë Rexhep Qosja, ngrihet kundër urtisë së mendimit dhe kundër strategjisë së fjalës së urtë. Të tillët bëjnë jetën e urithit dhe shëmtojnë fushën kombëtare të shëndetit. Psikiatrit, siç thotë filozofi Herman Hese, këtë kategori njerëzish, të cilët duken të vertikaltë, i quajnë psikopatë. Ata i karakterizon agresiviteti, i cili s’ka burim tjetër pos frikës dhe inferioritetit në mjedisin shoqëror. Ata janë të vetëpërjashtuar nga respekti dhe nga shoqërimi. Duke u vetëpërjashtuar që të duken se të vetmuar do të duken më të guximshëm dhe më heronj, ata brenda sëmundjes së tyre të nënvlerësimit, bëhen akuzues të pashembullt. Nëpërmjet akuzave të tilla shpifëse, bëhen gjithnjë e më të vetmuar dhe gjithnjë e më të neveritshëm si imponues të situatave fare të parëndësishme. Bëhen “patriotë” të përsëritshëm dhe të bollshëm, kurse nga përsëritja e shpeshtë dhe e bollshme patriotike, ata fshehin vetveten e mjerë dhe të vetmuar, të strukur dhe qyqare. Kur të arrijnë që në kuadër të mëshirës dhe të mirëkuptimit të të tjerëve për gjendjen e rëndë shpirtërore të tyre, të pushtojnë skaje hapësirash, u bëhet vetja hero, duke mos menduar se heronjtë nuk ishin dhe nuk janë të sëmurë si ata.

 

Poetika negative e frymëzuesit rrënues


Të gjitha përsëritjet publike të autorit dhe të “revolucionit të vonuar demokratik” janë të njëjta. Mjetet e përparshme rrënuese dhe përçarëse (urrejtëse) i përdorë edhe sot pas një vere të tij krejtësisht të thatë politike të ndërsimeve të egra. Ka të njëjtën qasje të organizuar negative ndaj të gjitha ndërtimeve kombëtare. Është ky autor i “revolucionit të vonuar demokratik”, i cili e preferonte zhbërjen e Shqipërisë nga renegatë ultra progrekë dhe ultra proserbë, si mundësi e triumfit të ideologjisë së kuqe mbi kombin, që nuk ishte “ideologji lokale”, por që kishte një shtrirje të gjerë dhe që arrinte deri në Moskë dhe deri në Kinë, ku i kishte lënë “eshtrat” e interesit të kombit edhe Enver Hoxha.

Në Akademinë përkujtimore të marsit 2002, kushtuar sakrificës sublime dhe kapitale të Adem Jasharit, ky autor bëri promovimin e mendimit të gjithmonshëm negativ të vetvetes, të cilin u përpoq ta fuste si energji lëkundjesh dhe si energji urrejtjesh të tij, jo vetëm ndaj individëve të caktuar në historinë tonë të politikës, por edhe ndaj institucioneve të reja dhe të brishta të Kosovës. Ai përdori dhe keqpërdori autoritete të njëjta, që kishte përdorur dhe kishte keqpërdorur gati një dekadë të tërë. Për të s’kishte rëndësi të dinte se rrethanat reale tashmë kishin ndryshuar krejtësisht. Për të kishte rëndësi të shpjegonte se ai ishte dhe kishte mbetur i njëjtë dhe me të njëjtat energji të një strategjie të mbrapsht ideologjike, me fuqinë e së cilës ai kërkon t’i përmbysë ndërtimet e reja demokratike. Çështjet e tij ideologjike nuk janë të rëndësishme, sepse tash ai ka mbetur si një mohikan e vetëm. Dikush mund ta lavdërojë këtë autor të “revolucionit të vonuar demokratik” dhe këtë autor të apelit, kur i gjithë populli dëbohej nga fashizmi serb, “që të mos e lëshojmë Kosovën, sepse shqiptarët e saj s’kanë atdhe tjetër”, për shkak të respektit për mosndryshueshmërinë e energjive të tij negative. Megjithatë fjalët “shkencore”  të tij më nuk i dëgjon askush. Nuk i dëgjon, sepse brenda tyre sillet e pështillet qëllimi i organizuar i tij për të rrënuar, për të penguar dhe për të bërë diferencimin e njerëzve, që ai i kishte dhe i ka si mjete personale të ngritjes mbi rrënoja. Meqenëse nuk e dëgjon kush, qëllimet e tij bëhen më të vrara dhe më te tejdukshme.

Në këtë Akademi përkujtimore ai u përpoq, në radhë të parë, të shembte autoritetin e Kuvendit të Kosovës, në të cilin janë ulur “edhe ata që këtij vendi nuk i kanë dhënë asgjë, ama bash asgjë asnjëherë”, për të shtuar vetëm pak më vonë se “ne dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim borxh atdheut”. Ai me këto pohime i referohet popullit të “mallkuar”, që paska votuar për “ata që s’kanë dhënë asgjë, ama bash asgjë asnjëherë”, për të mbjellë te ai një urrejtje të shfrenuar, çfarë e ka ai ndaj tij dhe ndaj atyre që kishin krijuar me shumë sakrifica dekadën më të vështirë shtetformuese të Kosovës. I fyen edhe deputetët. Fyerja e tij ndaj këtij togu ligjvënës parlamentar, nuk është vetëm shfrim emocionesh të ndërtuara nga dështimet e filozofisë së tij kolektive të egocentrizmit të tij privat dhe krejtësisht të sëmurë, por janë këto qëndrime hilesh të dëshmuara deri tash ndaj çdo përpjekjeje ndërtimesh a institucionesh. Në këtë Akademi përkujtimore për të madhin Adem Jashari, realisht nuk do të duhej të lejohej keqpërdorimi nga ky autor i vlerave të luftës dhe keqpërdorimi politik i emrit të kësaj legjende (Adem Jashari) për të shfryrë, në emër të tyre, gjithë vrerin urrejtës ndaj të gjithë atyre që, edhe politikisht, edhe luftarakisht, e hoqën kthetrën serbe nga truri shqiptar.

“Ne dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim borxh atdheut” tha ky autor filozofimesh rrënuese. Ai thotë “ne dhamë…”, duke futur edhe veten në shumësin heroik të sakrificës kolektive. Po, ç’dha ai, përveç mjekrës dhe tebdilosjes në grua për të ikur nga Kosova para rrebeshit fashist serb, edhe pse kishte ftuar popullin që të mos e lëshonte Kosovën? Ç’ishte kjo thirrje e “moralshme” e tij? Duhej që populli të kundërshtonte e të qëndronte në Kosovë dhe në Kosovë të vritej e të masakrohej nga kanibalët serbë dhe vetëm ai, mjekërruar dhe i tebdilosur në grua si është më zi, të shpëtonte? Duhej që ai, vetëm ai të arrinte të shpëtonte, duke lënë kolona të mëdha shqiptarësh të dëbuar? Si një grua të shenjtë, atë dhe vetëm atë e pritën borxhlinjtë e tij ideologjikë. Pastaj nga pritja e këtyre borxhlinjve plot respekt për të, ai, pasi kishte hequr shaminë prej gruaje, kishte ikur në Shqipëri, ku sipas informacioneve të sakta, miqtë e tij ideologjikë, e kishin vendosur në shtëpinë e majës ideologjike, në vilën e Enver Hoxhës. Prej atje, pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur i gjithë populli i dëbuar kishte mësy nga të gjitha anët të kthehej vrullshëm në atdheun e tij të djegur, Rexhep Qosja, tash me mjekër të rritur, u pati deklaruar gazetarëve se “shumë nga ata që kanë qëndruar në Kosovë janë lojalë të Serbisë”! Ky është morali i këtij autori që thotë se “ne dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim borxh atdheut”. Përveç mjekrës, çfarë dha tjetër ky „baba“ shumëfytyrësh i „kombit“?

Në Akademinë e madhe përkujtimore për të madhin Adem Jashari, ky autor tha se në parlamentin e Kosovës nuk gjeti vend njeriu që kishte kaluar 28 vjet nëpër burgjet serbe (Adem Demaçi), duke u bërë se harronte se pikërisht për këtë “simbol qëndrese”, pasi e kishte stërshfrytëzuar për nevojat e veta rrënuese, kishte deklaruar se “ai është tash si një limon i shtrydhur”. Tash e rivë në përdorim të tij për të njëjtat qëllime. Ai thotë, gjithashtu, se në Kuvendin e Kosovës nuk zunë vend as ata që dhanë miliona dollarë dhe marka për Kosovën. Kjo deklaratë e tij në fjalën keqpërdoruese në këtë Akademi të dhembjes dhe të kujtimit tregon se “kishte harruar” se shqiptarët nuk kishin dhënë “miliona dollarë dhe marka” për të blerë vende në Parlament, por për ta çliruar Kosovën. Ata që dhanë kaq shumë dollarë e marka nuk e kishin mendjen te biznesi politik dhe, sigurisht, nuk do të duhej të lejonin të keqpërdoreshin kështu nga ky autor, keqpërdorim ky që ka qëllimet e veta tradicionale ndërsimesh, urrejtjesh dhe përçarjesh, deri te shembja e ndërtimeve të deriatëhershme të marrëveshjeve dhe të institucioneve në Kosovën e lirë nga pushtuesi serb.

 

Shileri dhe Qosja


Në qytetin Marbach të Gjermanisë është vendlindja e shkrimtarit të madh Fridrih Shiler. Në qytetin e tij të lindjes është edhe shtëpia e tij muze. Në këtë shtëpi, në monitorë të mëdhenj, “shfaqet” krijimtaria e tij e madhe letrare e shkruar me penë dhe me dorë. Vizitorët e shumtë fitojnë përshtypje dhe emocione të veçanta në këtë shtëpi-muze dhe përballë dorëshkrimeve klasike të këtij shkrimtari të madh gjerman. Të gjithëve iu bëhet se aty, në gjysmëdritën e ambientit krijues, është edhe shkrimtari.

Po në këtë qytet është biblioteka e madhe dhe marramendëse fondesh të jashtëzakonshme librash, e cila mban emrin e shkrimtarit të madh vendas “Fridrich Shiler”. Para objektit kolosal të kësaj biblioteke shtrihet i bukur parku i madh “Fridrich Shiler”. Në mes të këtij parku rri krenar monumenti i Fridrih Shhilerit, që zë majat e qiellit dhe që nga atje vështron popullin e tij të vyeshëm dhe të etur për artin, për dijen.

Flitet kështu për Marbachun, për Shilerin, për popullin gjerman, i cili kontributin e heroit të mendjes dhe të artit kombëtar ka ditur dhe di ta ruaj edhe në shtëpinë muze të Shilerit, edhe në bibliotekën e madhe dhe të pasur, edhe në parkun e bukur, të mbushur me lule e freski, edhe monumentin gjigand të këtij shkrimtari kombëtar. Por nuk mund të flitet kështu për asgjë të njëjtë në Kosovë. Duket sikur në Kosovë s’ka heronj të dijes dhe të artit. Duket sikur në Kosovë ka heronj të tillë të dijes dhe të artit, por të cilët nuk duam t’i njohim, nuk duam t’i duam, nuk duam t’i kemi. Nëse do të dëshironim t’i duam dhe nëse do të dëshironim t’i kemi, pastaj, ne do të dukeshim fare të vegjël përballë kujtesës për ta. Nuk e bëjmë, do të thotë, këtë punë kurrën e kurrës. Ata që ishin heronj të dijes dhe të artit, duhet të harrohen dhe të mbulohen me “madhështinë” tonë të trilluar. Megjithatë, heronjtë e dijes dhe heronjtë e artit te ne nuk bëjnë pjesë në repartet e përpunimit patriotik të politikës dhe si të tillë janë të papërdorshëm, ose janë me afat të kaluar përfundimisht. Heronjtë e dijes dhe heronjtë e artit janë mesazhe ndërgjegjeje dhe mesazhe morale, për të cilat sot nuk ia ka ngenë askush.

Flitet gjithashtu se qe disa vjet është bërë gati një përmendore e plakut të urtë krijues, të ndjerit Anton Çetta, studiues, që të vihet në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku punoi dhe krijoi kohë të gjatë. Nuk e kanë lënë të vendoset aty kjo përmendore. Instituti Albanologjik, i cili s’ka ndonjë emër tjetër dijetarësh, krijuesish dhe studiuesish, është pa përmendore. Oborri i tij është pa asnjë simbolikë dhe është si çdo oborr tjetër objektesh të banimit a të zyrave burokratike. Thuhet se këtë përmendore të të urtit Anton Çetta nuk e lanë të vendoset aty, sepse vendi do të duhej të rezervohej për krijuesit e gjallë politikë dhe patriotik-folklorikë. Hapësira monumentale e oborrit të këtij Instituti është mjaft e gjerë që të zë edhe shumë përmendore krijuesish të ardhshëm kombëtarë. Por nuk duam se nuk duam të kemi përmendore të shumta, përmendore kolektive, sepse atëherë, ai që e ka rezervuar vendin e përmendores për vete (Rexhep Qosja, siç thonë miqtë e mendimit të tij brenda këtij Instituti), do të duket i parëndësishëm me të tjerët, sepse ai dëshiron të jetë i pari dhe të jetë i vetmi, duke dashur që edhe kështu të tjerët të kenë mundësi më të mëdha ta quajnë “baba i kombit”, që është një ambicie jokrijuese, por politike të një egocentrizmi banal dhe mohues.

Shkrimtarët e mëvonshëm e të mëdhenj gjermanë nuk iu trembën famës së pavdekshme të Shilerit. Përkundrazi. Jo vetëm shkrimtarët, jo vetëm shtetarët, por i gjithë populli gjerman mburren me gjenitë e vetë. Kjo i ka bërë dhe i bën fisnikë dimensionesh të mëdha kulturore dhe kombëtare. Vetëm në mjediset tona s’ka të tilla monumente të kulturës monumentale. Në ambientet tona nuk mungojnë monumente të tilla monumentale, por ato ne vetë i bëjmë të harrueshme, ne vetë i përdhosim. Qosja prinë në të gjitha fushatat përdhosëse të këtyre monumenteve të dijes kombëtare, fushatë këtë që e ka nisur me „Morfologjia e një fushate“, ku përpiqet të rrënojë një varg emra krijuesish të veçantë në Kosovë, siç përpiqet nga Kosova të rrënojë emblemat kombëtare krijuesish e humanistësh në Shqipëri e më gjerë, të cilët tash janë në majat më të larta të autoritetit krijues e human në gjithë botën. Thuhet t’i rrënojë këta nga Kosova, sepse kur në raste të rralla, ngjet të gjendej në Shqipëri, deklaronte ndryshe.  Në raportin e ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, dërguar Ramiz Alisë (1989) (Gazeta 55, datë 09-10-2009), thuhet: Rexhep Qosja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës, është shprehur: “Me është bërë qejfi për faktin se televizioni i Tiranës ka dhënë një emision për mua, por unë nuk i meritoj gjithë ato vlerësime që më bëhen nga Shqipëria, sepse në Shqipëri ka figura më të mëdha se unë si: Aleks Buda, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj. (Gazeta 55, datë 09-10-2009)

 

Kur akademiku ligjëron me trillime


Është e trishtueshme se si “fjalët” e këtij akademiku nuk bëjnë asnjë jehonë. Flet e shkruan dhe askush nuk ia vë veshin. Nuk ia vënë veshin as ata që e “duan”, as ata që e nxisin. Në të vërtetë, tashmë s’ka kush t’ua vërë veshin “llafeve” të tij të shkruara rrjedhshëm, sepse tashmë Rexhep Qosja i ka rrënuar të gjithë. Duket se atij i mjafton vetëm vetja në Kosovën e rrënuar nga ai dhe njerëzit e saj, të cilët e kanë “komprometuar idenë e shtetit”. Kjo duket nga larg në serinë e tij të shkruar me të njëjtin mbititull në një gazetë të përditshme (Epoka e re).

Edhe ata që nuk binden të rrënohen, detyrohen t’i përballojnë krejtësisht në heshtje intelektuale britmat e tij të shkundura përfundimisht nga çdo realitet. Punë e madhe! Janë intelektualë këta, prandaj mund t’u përballojnë ligjërimeve shpifëse të këtij akademiku nostalgjik, duke u futur thellë në heshtjen e plotë. Edhe në këtë thellësi të heshtjes së tyre, akademiku Qosja arrin t’u thotë të gjitha ato që s’i kap mendja e njeriut normal dhe të gjitha ato që, as janë thënë, as janë bërë ndonjëherë. Po të ligjëronte ky akademik ato që thuhen dhe ato që bëhen, nuk do të dukej më akademik, por do të dukej (ironi) një njeri i zakonshëm dhe i rëndomtë fare, mu si akademikët dhe intelektualët e tjerë të Kosovës, të cilët, megjithatë vazhdojnë të mos u përgjigjen shpifjeve dhe trillimeve të tij.

Megjithatë, fjalët e tij, edhe të niveleve të shpifjeve, të cilat thuhen me pezëm e trill, nuk do të duhej të mbeteshin kështu pa jehonë. E di burri i botës, ky akademik, i cili Kosovën dhe popullin e saj e quajti si “fermë qensh”, se si ndërtohet shteti dhe se si mbrohet ideja e shtetit nga komprometimi! Deri tash ai ka ndërtuar shumë shtete, sidomos Shqipërinë e djegur nga “revolucionarët e vonuar demokratikë”. Po të mos ishin kryetari i tashëm i Kosovës dhe ai i Kuvendit të Kosovës, shteti i Kosovës do të ishte ndërtuar moti. Por kryetari i tashëm i Kosovës (fjalën e ka për dr. Rugovën- shënim imi), i cili, siç shkruan ai në gazetën Epoka e re,“Sot, qindra vjet pas Lekë Dukagjinit, bajraktari, i quajtur president, shpërfill të vogël e të madh (bile edhe akademikun tonë ligjërues shpifjesh – vërejtja jonë) dhe të vegjëlve e të mëdhenjve të Kosovës u del përpara me flamurin e tij, me himnin e tij, me darkën e tij, me kristalet e tij, me dekoratat, urdhërat e medaljet e tij… dhe me të shpërblyerit e tij privatë!”, deklaron ai në këtë intervistë. E shihni? Akademiku Qosja, i cili ka mungesa mbi gjashtëvjeçare në ASHAK, vetë konstaton se të gjitha këto të numëruara qenkan “të tij privat”(Të dr. Rugovës, vërejtja ime). Askush nuk merr guxim t’i thotë askujt diçka kaq shpifëse për gjërat private. Guxon dhe guximi ia jep këtë të drejtë Rexhep Qosjes, i cili nuk rresht së foluri dhe së shkruari dhe, megjithatë, të gjitha këto shkrihen në një tallje të heshtur. Vetëm unë nuk dua që të përfundojnë fjalët dhe shkrimet e tij në këtë mënyrë. Ju them se ai ka të drejtë të thotë e të shkruaj gjithçka. Ka të drejtë aq më parë kur askush s’e dëgjon dhe rrallëkush e lexon në gazetën e përditshme. Them se ka të drejtë, sepse të vërejturit e ka të mprehtë mu sikur fjalën. E ka parë ai me vëmendje analitike dhe me shqetësime barku se si kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me të zbritur nga aeroplani, jo vetëm që nuk e mbante vetë mantelin e tij, por atë ia lëshon në dorë truprojës së tij. Ky gjest i kryeparlamentarit, vërtet, ishte i tmerrshëm dhe i padurueshëm për ndjenjën akademike të Qosjes. Do të duhej të ndodhte e kundërta: truproja do të duhej t’ia jepte mantelin e tij kryeparlamentarit që ta bartte, sepse kështu akademik Daci kishte shansin e vetëm në jetën e tij që të tregohej se sa popullor ishte dhe që i përkiste tribunit të proletariatit, për të cilin aq shumë angazhohet Rexhep Qosja. Por kryeparlamentari nuk bëri kështu dhe nuk e shfrytëzoi këtë shans hyjnor.

Një njeri si kryetari i Kosovës, i cili, sipas Qosjes,  e paska „privatizuar“ krejtësisht jetën e tij private, veprimet dhe “të shpërblyerit e tij privat”, nuk mund ta ndërtojë shtetin e Kosovës. Një njeri si kryeparlamentari akademik Nexhat Daci, që është një „nepotist flagrant“, i cili ia jep mantelin e tij ta bartë truproja, nuk mund të ndërtojë shtetin e Kosovës. Kështu ata e “komprometojnë idenë e shtetit”.

Të gjithë ata që fjalët dhe shkrimet e këtij akademiku i lënë të derdhen në boshin e heshtjes, do të duhej të kujtoheshin se si veproi Qosja kur ishte në KPA. Atje ai vuri themelet e fuqishme të ndërtimit të shtetit. I rrënoi të gjitha institucionet e Kosovës, të ndërtuara gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të paraluftës përballë automatikëve të ushtrisë e të policisë së shfrenuar serbe, ku s’kishte marrë pjesë vetë dhe, në vend të tyre, ndërtoi departamente. Kosovës nuk i duheshin institucionet, por departamentet, të cilat janë, edhe pse nivelesh komunale, shkallë më të përparuara shumëherë se institucionet shtetërore. Që atëherë ky akademik u pa se di të ndërtojë shtetin! Që atëherë ky e ka ditur se po t’i linte dhe po t’i shumonte institucionet e Kosovës nuk do të mund ta kontrollonte as korrupsionin e as komprometimin e tyre. Me departamente shteti i Kosovës ndërtohej më lehtë dhe nuk rrezikohej nga komprometimi dhe nga korrupsioni. Ai e dinte se për të nuk kishte vend në institucione, të cilat do t’i votonte populli. Ai e dinte se mund të gjente vend vetëm në departamente, të cilat nuk i votonte populli. Prandaj u bë levë e fuqishme e rrënimit të institucioneve të Kosovës, të ngritura me aq mund e gjak.

Akademik Qosja, vërtet, ditka të bëjë shtetin, mu sikur kishte ditur të bënte partinë e tij, e cila sot, edhe pse nuk ekziston, është shumë e fuqishme në arenën tonë politike. Ajo ka fare pak anëtarësi, ama, ajo që është, është shumë e fuqishme. Është aq e fuqishme sa nuk e mori as edhe një për qind të votave. Do të ishte edhe më e fuqishme sikur Kosova të mos kishte fare kryetar të vetin e as kryetar të Kuvendit. Do të ishte edhe më e fuqishme sikur ai të ishte edhe kryetar i Kosovës, edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, me kusht që të mos kishte zgjedhje, nga të cilat pastaj nuk do të merrte as edhe një votë nga populli!




(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (IX) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (IV) Hilmi Saraçi: Masakra serbe në Qyqavicë, në vendin e quajtur “Llaza” dhe në Beqiq (Besnik) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (III) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VII) Qazim Namani & Arzie Zeneli: Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt Naile Mala-Imami: Sa shqiptarë jetuan dhe sa janë tani në Beograd? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (V) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (II) Sulejman Sulejmani: Rezistenca ndaj Brigadës së XII Maqedone... Hilmi Saraçi: Si u pushkatuan 21 shqiptarë nga forcat partizane komuniste...

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora