E premte, 19.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Mendime

A është në rrezik harmonia fetare?

E diele, 14.10.2007, 12:44 AM


Nga Plator Nesturi

Letra e hapur e 138 klerikëve nga çdo sekt mysliman drejtuar liderëve të krishterë për paqen e madhe midis dy besimeve, në të cilat përfshihet më tepër se gjysma e popullsisë së botës, mund të përbëjë fillimin e procesit më të rëndësishëm në këtë fillim mijëvjeçari, atë të bashkekzistencës paqësore, respektit reciprok dhe shuarjes së konflikteve mbi bazën e religjionit. Duket se atë që nuk kanë bërë në shekuj politikanët që në emër të interesave shtetërore veç kanë thelluar dasitë dhe shtuar urrejtjen, pritet ta marrin në dorë përfaqësuesit e lartë të dy besimeve. Të dyja fetë që në frymën e Zotit ( apo Allahut tek myslimanët) predikojnë të njëjtat vlera morale të njeriut; kundër dhunës, urrejtjes dhe intolerancës për t'i zëvendësuar ato me paqen, dashurinë njerëzore dhe mirëkuptimin, kanë karakteristika të përbashkëta që duhet t'i shërbejnë harmonisë midis tyre dhe besimtarëve të dyja palëve dhe t'i ndajnë ata në llogore lufte. Dita e zgjedhur për këtë letër të hapur, në prag të festës së Bajramit, që simbolizon ditën e Paqes, është rast i mirë për një apel të madhreflektimi. Në këtë periudhë të mbushur me vatra konfliktesh dhe ku urrejtja e përftuar mund të çojë në spirale më të rrezikshme të përfshirjes në të "e ardhmja jonë e përbashkët është në rrezik", shkruajnë klerikët myslimanë. Në fakt kur mbi 55 për qind e popullsisë botërore u përkasin këtyre besimeve dhe kur të krishterët dhe myslimanët "janë të kryqëzuar me njëri-tjetrin si asnjëherë më parë", natyrshëm që bota nuk është në paqe, po nuk qenë ata midis tyre. Në një kohë kur armatimet e botës moderne janë më të rrezikshme se kurrë, marrëdhëniet midis dy komuniteteve më të mëdha botërore marrin rëndësi si faktori më i rëndësishëm i paqes në planet. Vetë "mbijetesa e botës është në rrezik" nëse kristianët dhe myslimanët nuk bëjnë paqe midis tyre.

Është koha e duhur për një iniciativë të tillë, që kësaj radhe nuk kufizohet në salla simpoziumesh apo në takime të niveleve të larta, ku shtetarët më të fuqishëm të botës i kanë shtrënguar duart njëri tjetrit pasi kanë arritur veç zgjidhje të pjesshme për rajone të ndryshme të globit. Letra që i është drejtuar Papa Bendikti XVI, Patriarkut të Kishës Ortodokse të Kostandinopojës, Bartolomeu i I-rë, të gjithë patriarkëve të tjerë ortodoksë si edhe Arqipeshkvit të Kanterbërit, Rouan Uilliams dhe liderëve të tjerë të kishave protestane në tërë botën, pritet të ngjallë një lëvizje të re e gjigante në emër të paqes botërore dhe ku interesat e shteteve janë shumë më minorë sesa interesi i përgjithshëm i të ardhmes së planetit. Dhe liderët më të lartë fetarë me ndikimin e tyre të madh në popullsinë shumëmiliardëshe të dy besimeve mund të arrijnë atë që krahasuar me nismën e globalizmit ekonomik të të fuqishmëve të politikës botërore, mund të shndërrohet në globalizmin paqësor të feve dhe kulturave të ndryshme.

Ideja është hedhur. Të krishterët dhe myslimanët kanë me tepri të përbashkëta midis tyre sesa dallime dhe kjo është një bazë e mirë për paqen dhe mirëkuptimin midis dy komuniteteve më të mëdha në botë. Nisur së pari nga religjionet që kanë jo thjesht karakteristika të përbashkëta, por dhe rrënjë të përbashkët. Mbi këtë platformë dhe me shqetësimin për të ardhmen e mjegullt të botës, si pasojë e konflikteve dhe urrejtjes, pritet që kjo nismë të pasohet me organizimin e një konference të përbashkët të liderëve të komuniteteve të krishterë dhe myslimanë, e cila mund të zhvillohet në një vend neutral. Natyrisht, konferenca nuk mund të parashikohet të zhvillohet mbi terma teologjikë. "Gjetja e rrënjëve të përbashkëta mes myslimanëve dhe të krishterëve nuk është thjesht çështje dialogu fetar midis liderëve të zgjedhur", shprehen në letrën e tyre 138 klerikët myslimanë. Ajo i shërben të ardhmes së njerëzimit në një botë, në paqe dhe harmoni, në hapjen e një periudhe të re pa luftëra dhe urrejtje. "Vetë shpirtrat tanë, thuhet në letër, janë në rrezik nëse dështojmë në përpjekjet për paqe dhe harmoni".

Natyrisht kjo sfidë nuk është e lehtë pasi duhet të përballesh me shekuj të tërë paragjykimesh, por përballë parashikimesh pesimiste siç është "përplasja e qytetërimeve" e Hatingtonit, ia vlen të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar civilizimin njerëzor. Dhe përveç mbushjes së hendekut midis dy komuniteteve të mëdha, paralelisht një sfidë më vete është dhe kapërcimi i dallimeve midis vetë pjesëve përbërëse në gjirin e myslimanëve dhe të krishterëve. Nuk mund të ketë një paqe të madhe ndërmjet krishterëve dhe myslimanëve nëse sunitët me shiitët vijojnë luftën vëllavrasëse. Nëse katolikë, ortodoksë e protestantë mbeten të huaj me njëri-tjetrin gati njësoj si të bëhej fjalë për myslimanët, apo nga religjione të tjera. Thirrja së fundmi e Papës Benedikti XVI për bashkim të të krishterëve dhe takimi i pritshëm i tij me Patriarkun e Kishës Ortodokse të Moskës, ku natyrshëm mund të trajtohen këto çështje, janë tregues se në këtë kohë të globalizmit dhe të shkëmbimit të ndërsjellë, botës nuk i duhet që qytetërimet e saj të ecin vetmitare e në kahe të ndryshme. Izolicianizmi në një botë që zvogëlohet çdo ditë e më tepër nga teknologjia, është zanafilla moskuptimit të njëri-tjetrit çka përbën dhe bazën e konfliktit të nesërm.

Shqipëria në sfidat e besimit

E gjithë çka u tha më sipër, deri në organizimin e një konference që pritet të hedhë bazat e harmonisë dhe paqes në botë, duket si çështje tepër e madhe për t'i kushtuar rëndësi një vend i varfër si Shqipëria. Në fakt, si të vegjël dhe pa ndonjë peshë në përcaktimin e rrjedhave botërore, ne jemi mjaftuar të ndjekim çfarë vendosin të mëdhenjtë e globit. Por Shqipëria, si një vend ku bashkëjetojnë tre apo katër fe të ndryshme, mund të jetë një shembull i mirë jo vetëm i bashkekzistencës paqësore midis tyre, por edhe i forcimit të mëtejshëm të kësaj tradite të krijuar. Sidoqoftë, në frymën e përgjithshme të bëshkërendimit për harmoni dhe paqe të liderëve të komuniteteve myslimane dhe të krishtera, besoj se dhe në Shqipëri ka ende vend të ndrequr dhe përmirësuar. Tashmë ka kaluar periudha kur parulla "Feja e shqiptarit është shqiptaria", e cila i shërbente krijimit të identitetit kombëtar. Në kushtet e reja, pas shkëputjes së dhunshme nga ana e diktaturës komuniste nëpërmjet ndalimit të riteve fetare dhe mbylljes se kishave dhe xhamive, komunitetet fetare të rindërtuara kanë ende nevojë të orientohen drejt tolerancës dhe mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit. Boshllëku i krijuar gjatë pauzës të ndalimit të fesë nuk solli vetëm mangësi të klerikëve që do të drejtonin besimtarët, por dhe komunitete, që në ngjizjen e tyre ishin ende të çorientuar ne marrëdhënien me religjionin e tyre dhe me të tjerat. Kuptohet që në kushte të kësaj mangësie, si dhe të varfërisë së vendit, nuk do të mungonin dhe prurje me interferenca të ndryshme, qëllime të ndryshme dhe vende të ndryshme që mund të krijonin pështjellim edhe brenda një religjioni dhe bashkësisë së tij. Rastet nuk mungojnë midis "të vjetërve" dhe "të rinjve" midis myslimanëve apo dhe replikat e shfaqura midis bashkësisë ortodokse. A nuk mund të përbëjnë rrezik që konfliktet e brendshme brenda komuniteteve të transferohen edhe jashtë tyre? Në vend, shpesh ngrihet debat nëse rrënojat e vjetra të kishave i përkasin ritit bizantin apo roman, apo se Shqipëri është Lindje apo Perëndim (e parë kjo më së tepërmi mbi platformë fetare sesa shkencore), ashtu siç ka pasur raste të raste të prerjes së kryqeve të vendosura në vende dominuese. Në rastin më të mirë ato mund t'i quajmë sporadike apo akte të kontrollueshme dhe pa ndikim në marrëdhëniet midis komuniteteve. Por gjithsesi, pa dashur të vihet shenja e alarmit, është mirë që drejtuesit e të gjitha bashkësive fetare të krijojnë një forum të përbashkët, i cili të mblidhet herë pas herë (ndoshta një herë në vit), ku jo vetëm të japin mesazhe të paqes dhe të harmonisë midis besimtarëve të të tre komuniteteve, por dhe të bashkërendojnë punën dhe veprimtarinë e tyre në emër të bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët. Kur liderët botërorë të religjioneve mblidhen së bashku për të zhdukur gjuhën e urrejtjes dhe shuarjen e konflikteve në emër të paqes dhe tolerancës në botë, përse ky akt të mos vihet së pari në jetë këtu në Shqipëri, ku historia dhe tradita na japin shembullin se kemi qenë gjithmonë të afërt me njëri-tjetrin. Thuhet se edhe në Liban dikur tre komunitetet e atjeshme shkonin në harmoni me njëri-tjetrin, por sot, si rezultat i paudhësisë së fatit dhe të njerëzve, harmonia është zëvendësuar me mosbesimin dhe urrejtjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora