E merkure, 24.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Viti 2009 - një vështrim i shkurtër

E enjte, 31.12.2009, 09:00 PM


Viti 2009 - një vështrim i shkurtër

Nga Valon Kurtishi

Ka vite në historinë e kombeve që mund të jenë të bardhë e fatsjellës njëjtë siç ka edhe vite të tillë siç i quan Kadareja ynë i madh, “të mbrapshtë”, që mund të sjellin vetëm zi për interesat e popujve e vendeve të veçanta. Viti që lamë pas, viti 2009 mund të quhet në përgjithësi si fatsjellës dhe i bekuar pasi ishte i mbushur me ngjarje të një rëndësie historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi.

1. Më 4 prill 2009, Republika e Shqipërisë u pranua si anëtare me të drejta të plota në organizatën më të fuqishme ushtarake që ka njohur historia, në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO). Me këtë, Shqipëria dhe shqiptarët u siguruan në aspekt fizik nga ndonjë e papritur që mund tu vijë në këto zona të turbullta gjeografike si Europa juglindore. Për më tepër, duke qenë një organizatë ushtarake por edhe politike, si një paradhomë e Bashkimit Europian, Anëtarësimi në NATO kontribuoi menjëherë në stabilizimin e skenës politike shqiptare shpeshherë konfliktuoze deri në pafundësi. Pikërisht në këtë drejtim integrues, më 28 prill në Pragë kryeministri Berisha paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE e cila u pranua nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, çeku Mirel Topolanek. Në të njëjtën kohë, u kërkua nga Shqipëria që të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme. Këto edhe u realizuan më 28 qershor 2009, që u çertifikuan si nga komisionerët e dy partive të mëdha ashtu edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Bojkoti i zgjatur i Partisë Socialiste është më tepër për konsum të brendshëm dhe pritet të marrë fund së shpejti. Nga ana tjetër, më 19 dhjetor Shqipëria mori dritë jeshile nga Këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së për të ecur para në rrugën drejt integrimit të plotë në BE. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Shqipërisë do të ndodhë siç duket në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm që është një ngjarje e rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Një fenomen interesant ndodhi këtë vit me ekonominë shqiptare e cila ishte e vetmja në Europë me një ritje prej 3% në vitin e krizës së madhe financiare që përfshiu mbarë botën. Këto ritme pozitive të zhvillimit pritet të ruhen dhe madje dhe të riten në vitin e ardhshëm.

2. Republika e Kosovës më gjithë vështirësitë e shumta në qeverisje dhe pengesat e mëdha nga faktorë regjionalë e globalë është duke u konsoliduar në rrugën e saj të pavarësisë dhe integrimit europian. Këtë vit patëm shumë njohje të reja të pavarësisë së shtetit të ri europian. Këto njohje nuk ishin të sasisë dhe cilësisë që do të donim ne si shqiptarë. Për këtë ka ndikuar lobingu i fuqishëm sërb-rus në kancelaritë botërore si dhe dërgimi i çështjes së pavarësimit të vendit në GJND në Hagë. Kuptohet se një numër i shteteve presin vendimin e kësaj Gjykate për tu shprehur pro njohjes së Kosovës. Qeveria e Kosovës bëri një argumentim të fuqishëm dhe shumë shkencor para këtij paneli ndërkombëtar të gjykatësve. Në këtë ajo e kishte ndihmën e hapur të demokracive të zhvilluara perëndimore dhe shumë vendeve tjera liridashëse nga të katër anët e botës. Duket se vendimi i Gjykatës do të jetë asnjëanës që do të jetë edhe një shtysë më shumë për shumë vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur ta bëjnë atë. Në këtë drejtim duhet të kontribuojë edhe atmosfera e qetë dhe pa incidente për tu shënuar në zgjedhjet e fundit lokale, ta parat që u organizuan plotësisht nga organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kapacitetet shteformuese të shoqërisë shqiptare kosovare ishin në një provim të rëndë të cilin e kaluan me sukses. Zhvillimi ekonomik i vendit është duke çaluar dhe këtu faji duket të jetë proporcional mes paaftësisë qeveritare për të krijuar ambient të volitshëm për investime dhe bllokadës ndërkombëtare ekonomike. Anëtarësimi në organizma të tillë financiarë ndërkombëtarë si FMN apo BB duket se nuk është duke dhënë rezultatet e pritura nga shoqëria dhe opinioni vendor. Pritet të shihet se çdo të ndodhë në të ardhmen e afërt. BE e inkurajoi qeverinë me një plan të veçantë për anëtarësim por mosdhënia e regjimit të njëjtë të liberalizimit të vizave si për vendet tjera fqinjë duket se e penalizon padrejtësisht qytetarin e Kosovës.

3. Qytetarët shqiptarë në IRJM edhe këtë vit e kaluan në një diskriminim të plotë politiko-ekonomik që ua ka paracaktuar tashmë historikisht elita sllave e politikës dhe shoqërisë. Kjo paaftësi për të dalë nga rethi vicioz i diskriminimit të tmershëm e të kudondodhur etnik duket se është bërë një fakt i pandryshueshëm me të cilin shqiptari i këtushëm është i detyruar të jetojë dhe madje edhe ta pranojë si fakt të kryer. Elementi sllavishtfolës i udhëhequr nga qarqe nacionaliste të qeverisë Gruevski ka vazhduar politikat e mëparshme eliminuese madje ka realizuar një “State-Capture” perfekt në plotëkuptimin e kësaj fjale. Qeveria si organi më i lartë i administratës publike kontrollohet si asnjëherë më parë vetëm nga maqedonasit etnikë. Elementi shqiptar aty duket të jetë më i dobëti dhe më i paafti në historinë politike 19 vjeçare të pluralizmit në këtë vend. Kjo situatë anakronike është tragjike në vetvete pasi vetë ligjshmëritë e zhvillimeve shoqërore kërkojnë një përparim, një zhvillim, një demokratizim të përgjithshëm të raporteve sociale me kalimin e kohës. Thjesht, ndikimi i faktorit shqiptar në qeverinë maqedonase ka rënë në nivelet më të të ulëta e historike do të thonim. Ministri të tëra e shumë të rëndësishme si ajo e Mbrojtjes, e Kulturës, apo e Punëve të jashtme thjesht nuk kanë asnjë përfaqësues shqiptar në kierarkinë  e lartë vendimmarëse të tyre. Në një numër të ministrive tjera faktori shqiptar luan thjesht një rol dekorativ prej “Under-Dog”, të padurueshëm për kohën në të cilën jetojmë sot.
Në momente të caktuara si dhe për të çoroditur akoma më shumë elementin shqiptar këtu, gjatë këtij viti u ndërmorën disa iniciativa me karakter të qartë shovinist që me një të rënë të lapsit i çojnë shqiptarët e këtushëm dekada prapa në zhvillimin e tyre social.
Në fushën politike një çështje që nuk është duke marë zgjidhje me gjithë rregullimin e qartë të saj në Marrëveshjen e Ohrit është çështja me gjuhën shqipe. Megjithëse në këtë Marëveshje qëndron qartë, e zeza në të bardhë, se gjuha që e flasin 25% e popullsisë është zyrtare, Kuvendi miraton ligj të ri të quajtur në mënyrë makiaveliste, “për gjuhët’, ku përsëri në mënyrë shumë të papërcaktuar tipike sllave ngushtohet përdorimi i gjuhës shqipe. Çështja me simbolet shtetërore akoma nuk merr zgjidhjen e duhur dhe të drejtë për një shtet dyetnik si ky vend. U miratua një Ligj i cili ndryshon stemën e vendit duke bërë një ndryshim ideologjik por që në fakt nuk prek thelbin e problemit e ai është: etnizimi sllav i simboleve shtetërore në një shtet dyetnik. Përfaqësimi i drejtë dhe proporcional i shqiptarëve në institucionet shtetërore, një detyrim tjetër ndërkombëtar ky dalë nga Marrëveshja e Ohrit është hedhur në “Calendas grecas”. Edhe kur bëhet ndonjë punësim në emër të shqiptarëve punësohen elementë të ndryshëm apatridë turkofonë apo sllavofonë që e mohojnë shqiptarësinë e tyre edhepse punësohen nga një parti politike shqiptare dhe në emër dhe në kuotat e caktuara për shqiptarët etnikë.

Kriminelët shtetërorë vazhdojnë të mbrohen me paratë publike të qytetarëve shqiptarë dhe ka gjasa që pas lirimit të Boshkovskit të lirohet edhe krimineli tjetër Tarçullovski. Nga ana tjetër shqiptarët mbahen nën fre me gogolin e hapjes së rasteve të Hagës si dhe u montohen akuza te reja të ngjashme me rastin e Sopotit. Në raste të caktuara organi shtetëror nuk dënjon as të përdor dhunë të pastër e të organizuar fizike ndaj qytetarëve shqiptarë me qëllim pastrimin etnik të zonave të caktuara siç u pa në Nerez të Shkupit apo manipulimin e nxënësve në favor të segregacionit etnik siç u pa në shkollat e mesme të Strugës.
Arsimi i mesëm i qytetarëve shqiptarë vijon të jetë inekzistent në zona të tëra në jugperëndim të vendit si dhe në zona qëndrore si në Idrizovë p.sh, edhepse një e drejtë e garantuar me kushtetutë kjo. Universitetet shqiptare diskriminohen në mënyrë të skajshme në ndarjen e mjeteve buxhetore kurse cilësia e mësimdhënies në to ka rënë në nivele katastrofale edhe si rezultat i politizimit të skajshëm brendashqiptar në to. Për më tepër në një akt të paprecedentë dhe për çudi edhe në bashkëpunim me aktorë ndërkombëtarë u soll një vendim qeveritar i cili obligon nxënësit shqiptarë që të mësojnë gjuhën maqedonase dhe një gjuhë tjetër të huaj që në moshëm gjashtëvjeçare. Pedagogët shqiptarë nga ana tjetër me një vendim tjetër detyrohen që evidencën pedagogjike ta mbajnë në gjuhën maqedonase. Investimet në shkollat me mësim në gjuhën shqipe vazhdojnë të jenë në shifra të papërfillshme. Janë ndërtuar një numër i madh i impianteve sportive në shkollat më mësim në gjuhën sllave, një praktikë krejtësisht e papërfillshme në shkollat dhe zonat etnike shqiptare të vendit. Qeveria sponsorizoi nga paratë e gjithë qytetarëve kuptohet përkthimin e një numri të madh të botimeve shkencore nga gjuha angleze në gjuhën sllave që për kulturën shqiptare duket si një ëndër e parealizueshme. U hartua dhe u botua me para publike një enciklopedi nga Akademia e shkencave e cila shiqiptarët e këtushëm i solli këtu nga malet e Shqipërisë së veriut në shekullin e XVIII!?. Kultura shqiptare është në gjendje të mjeruar. Këtë e ilustroi më së së miri vendimi arrogant dhe rugaçëror i Gruevskit i cili me një të rënë të lapsit ua mori shqiptarëve monumentin e rëndësishëm historik shqiptar, Hanin “Kurshumlia”, duke ua falur shovinistëve turq. Instituti shqiptar “Pjetër Bogdani” u nxorr në rrugë. Në një bashkëpunim të çuditshëm dhe shumë djallëzor me qarqe pseudoshkencore turke dhe sllave, trashëgimia kulturore shqiptare myslimane, ortodokse dhe katolike deshqiptarizohet në përmasa të frikshme dhe tragjike. Komunitetet fetare të vendit janë deshqiptarizuar dhe në to investohet me të madhe që ta humbin krejtësisht karakterin historik, autokton dhe origjinal shqiptar.

Në politikën e jashtme asnjë ndikim i shqiptarëve në çështjen e emrit të vendit si shprehje sa e paaftësisë e aq edhe e pamundësisë për të ndikuar në vendimmarje. Në delegacionin që negocion me palën greke nuk gjendet asnjë shqiptar i vetëm. Diplomati i vetëm shqiptar i cili u përpoq të ndërmerte diçka në diplomacinë e këtij vendi, ambasadori në BE Blerim Reka u duplua menjëherë nga një zëvendës në fakt kontrollor maqedonas etnik.
Deklaratat e kohëpaskohshme të politikanëve të ndryshëm shqiptarë të IRJM që kërkojnë integrimin sa më të shpejtë në BE apo NATO dalin shumë qesharake kur shihet qartë qëndrimi proqeveritar i faktorit ndërkombëtar. Njohja e shtetit të Kosovës apo përcakimi i vijës kufitare kanë qenë krejtësisht rezultat i presioneve euro-amerikane e asesi rezultat i ndonjë ndikimi eventual shqiptar në qeverinë maqedonase. Kjo u pa qartë kur njohja u bë në mënyrë të koordinuar dhe të njëkohshme si nga IRJM ashtu edhe nga Mali i Zi. Ndikimin krejtësisht të papërfillshëm të faktorit shqiptar në qeverisje e tregoi shumë qartë progres-raporti i fundit i KE ku nuk u përmend fare Marrëveshja e Ohrit dhe ku shqiptarët u emërtuan si një minoritet në një radhë me komunitete të tilla të vogla si  romët, sërbet, pseudo-turqit etj.

Politika ekonomike përpilohet dhe realizimi i saj në praktikë kontrollohet tërësisht nga elementët sllavë në qeverisje. Prandaj suksesi apo mosuksesi ekonomik i qeverisë maqedonase i përjashton krejtësisht nga çdo meritë partitë “qeveritare” shqiptare. Qendrat ekonomike dhe financiare sllave e kontrollojnë plotësisht ekonominë e vendit. Politika e investimeve publike është krejtësisht në duart e po këtyre elementëve. Investimet publike dhe ato të huaja janë të koncentruara kryesisht në Maqedoninë lindoredhe në pjesët qëndrore të banuara ekskluzivisht me sllavë etnikë si në Bunarxhik apo Strumicë e Manastir për shembull. Zona e lirë ekonomike e Tetovës është shndëruar në një përallë gati 20 vjeçare me të cilën qeshen të gjithë. Koridoret e fuqishme rrugore apo unazat e ndryshme komunikuese, të gazifikimit, ato elektrifikuese etj,  i anashkalojnë direkt zonat e banuara nga shqiptarë etnikë. Sivjet u miratua edhe strategjia e regjionalizimit ekonomik e cila i getoizon shqiptarët duke i koncentruar vetëm në zonën e Pollogut. Harta e rajonalizimit ekonomik të vendit ka një ngjashmëri të çuditshme me hartën për ndarje etnike të propozuar nga ASHA maqedonase gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001. Kontaktet ekonomike të shqiptarëve të këtushëm me Shqipërinë dhe me Kosovën janë reduktuar në maksimum, pasi siguria në rajonet shqiptare është në duart e bandave kriminale shqipfolëse që janë krejtësisht nën urdhërat dhe kontrollin e shërbimeve shtetërore të sigurisë. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik nuk mund të realizohet dhe investimet e huaja as që imagjinohen pa një siguri fizike të “Would be” investitorëve dhe pa një stabilitet politik. Emigracioni ekonomik është shumë më i shprehur në zonat e banuara me shqiptarë etnikë, njëjtë siç është mbështetja në ndihma sociale apo mospagesa e rymës elektrike, tregues të qartë këta të varfërisë dhe bllokadës ekonomike të po këtyre zonave. Ekspertët ekonomikë në qeverisje janë të gjithë me përkatësi etnike sllave që meren madje edhe nga jashtë duke u paguar nga buxheti i dobët shtetëror. Marketingu ekonomik është koncentruar kryesisht në duart e maqedonasve etnikë. Tregu i mediave mbizotërohet potësisht nga të njëjtët.

Parë në tërësinë e saj, gjendja e përgjithshme e komunitetit shqiptar në IRJM është katastrofale dhe shumë jonormale për një masë prej 800.000 mijë qytetarësh në një shtet më më pak se 2 milionë banorë. Kapacitetet materiale dhe shpirtërore të komunitetit shqiptar nuk janë në proporcion të drejtë me atë çfarë është duke dhënë dhe duke marrë në jetën reale të këtij vendi. Shpresohet se gjeneratat e reja dhe forcat e reja shoqërore do të ndryshojnë diçka në këtë drejtim në rrugë evolutive ose në forma tjera më të drejtpërdrejta.


(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora