E merkure, 03.06.2020, 12:28 AM (GMT+1)

Editorial

Burbuqe Thaçi: Sherri i mikut të mirë në ditët e vështira!

E merkure, 30.12.2009, 08:58 PM


Sherri i mikut të mirë në ditët e vështira!

Studim rasti nga përvoja personale për diskriminimin me viza tranzit nga ana e Kroacisë kundër Kosovës

Nga Burbuqe Thaçi
Gazetare Hulumtuese
Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike
Prishtinë, Republika e Kosovës

Cili ishte lajmi më kryesor dhe më i shpeshtë, dhe njëkohësisht edhe më dëshprues, për Kosovën dhe shoqërinë e saj gjatë vitit 2009? Ndoshta nuk e kemi të vështirë ta zgjedhim një, dhe të arrijmë një lloj pajtimi për të. Pavarësisht kësaj, shpresoj se, nëse jo më kryesori, së paku lajmi që mori dhenë në Kosovë i cili vazhdon të prodhoj lajme përcjellëse, komente, debate, analiza, reagime, e shumëçka tjetër, ishte vendimi i datës 15 korrik për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian (KE) si organ ekzekutiv i Bashkësisë Evropiane (BE) për tri vende të Ballkanit Perëndimor: Serbinë, Malin e Zi, dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) në njërën anë, dhe përjashtimi i Bosnjë Hercegovinës (BH), Shqipërisë, dhe Kosovës në anën tjetër. Vendimi hyri në fuqi më 19 dhjetor 2009.
Nuk dua të thellohem shumë në diskutimin e diskriminimit në liberalizimin e vizave nga ana e KE-së, ndonëse do ta përmendi kur pashmanshëm e kërkon nevoja në raport me një heshtje të pafalshme, e ndoshta edhe të dënueshme, të shoqërisë kosovare ndaj një pengese më të kushtueshme me viza se ajo e KE-së. Fjala është për vizat tranzit të Kroacisë që i zbaton vetëm kundër Kosovës. Në vazhdim po u sjelli përvojën time personale me vizën tranzit të Kroacisë, e cila mestararisht kushton dyfish më shtrenjtë se ato të vendeve të BE-së. Edhe Kroacia është vend i Ballkanit Perëndimor. Ka përfituar nga liberalizimi i vizave të KE-së me herët. Tani është në proces të anëtarësimit në BE dhe kjo ka gjasa të ndodh gjatë vitit 2011.

Përshkrimi dhe diskutimi i rastit

Shënim: Për këtë problem të vizava tranzit të Kroacisë kundër Kosovës, krahasimin me regjimin e vizave të KE-së, heshtjen e pakuptimtë të shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, me theks të veçantë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Kosovës, jam duke e përgatitur një hulumtim më të gjërë.

Pas një qëndrimi disa javësh në Ljubjanë, në fund të muajit vendosa të udhëtoj për në Prishtinë nëpërmjet Kroacisë. Kisha vetëm një hall. Më duhej vizë tranzite kroate, përderisa prindërit e mi këtë problem nuk e kishin. Ata kanë pasaporta sllovene. Në ambasadën kroate në Lubjanë për një vizë 24 orëshe paguajta 71 euro. (Edhe në ambasadën e Kroacisë në Prishtinë po kushtojka 71 euro për 24 orë). Më pak se gjysmën e kësaj shume (35 euro) kisha paguar për vizë shengen italiane tre muajshe pa kufizime. Nejse, u nisëm, dhe gjithçka shkoi mirë deri në kufirin kroato – boshnjak – kroat, te porti i Neumit, e vetmja hapësirë e BH-së me dalje në detin Adriatik. Aty na ndaluan. Dhe filluan maltretimet psikike. Sipas policëve kufitarë, mua nuk më lejohej hyrja në ato pak kilometra shtet boshnjak. “Çfarë të bëjmë më ty”, ishte pyetja e policit (sipas të gjitha gjasave kroat; mbi 90% e popullsisë së Neumit janë kroatë), i cili dukej sikur kërkonte t’i futeshin disa euro në xhep, si “shpërblim” për të mos na humbur shumë kohë, në udhëtimin e gjatë që po na priste deri në Kosovë. Polici sillej vërdallë rreth veturës sonë, me regjistrim të Lubjanës. Një ekstrakt nga biseda që ia vlen të theksohet, ishte:
Polici: E dini ju që ne (BH) ende nuk iu kemi njohur juve (Kosovën) si shtet?
Unë: E di, por as ne (Kosova) ende nuk iu kemi njohur juve (BH-në) si shtet!
Pas 30 minutash, pritjeje, pasi polici në fund e kuptoi se ne nuk po e “hanim foren” t’i jepnim ryshfet, na liroi. Mirëpo, shqiptarët e Kosovës që udhëtojnë nepër atë rajon kroat të shtetit boshnjak, duhet të kenë kujdes dhe ta ngrisin zërin menjëherë kundër MPJ-së “sonë” sa nuk i ka shkuar mendja edhe këtij kantoni të BH të na plaçkis me viza tranzit. Harrojini një herë vizat e shteteve të BE-së dhe merruni me vizat tranzit më të shtrenjta që i zbaton një shtet “mik” i Kosovës i cili nuk është anëtar i BE-së.
Prej Neumit unë prap do të kaloja në Kroaci. E mllefosur, nga rruga e gjatë që bëmë deri aty, dhe nga ky maltretim që besoj nuk e meritonim, hapa dritaren e veturës së babait dhe fillova t’i hedh lëvoret e bananeve pak nga inati që mua si kosovare edhe sa do të  më duhet të maltretohem kështu nëpër kufinj, e më shumë nga mllefi që mu krijua për MPJ “tonë” të cilës, kurrë nuk iu kujtua ta diskutoj e ta zgjidh këtë problem. Unë jam vetëm një nga kosovarët e shumtë që ballafaqohen përditë gjatë vajtje-ardhjeve të tyre nepër Kroaci, ku vizat tranzit kushtojnë mesatarisht dyfish më shumë krahasuar me vizat tjera. Përfitimi nga këto viza tranzit është vetëm çmimi që duhet paguar për kalim nëpër Kroaci. Faktikisht, përfitimi i mirë dhe i paarsyeshëm është i ambasadave kroate në  kurriz të shtetasve të Kosovës.

Kur i hodha lëvoret e bananeve nga vetura gjatë rrugës nepër autostradë me shpejtësi të madhe, babai filloj të më qortoj:
-    Uuu qikë, sa e pa kulturuar që je! E çka bane ashtu?!
-    Po ia kthej Kroacisë shpenzimet e vizës tranzit, taksat për mbrojtjen e mjedisit dhe pagesat që i bëmë nepër vend ndalimet e autostradave.
-    Hahaha! Mirë, po ruaju se po na vërejnë, e na dënojnë, na kallin.
-    Le t’na kallin e le t’na djegin! Edhe ashtu s’po na lënë keq pa na plaçkitur. Kur t’na kallin, s’mund të na plaçkisin më dhe kjo është humbje për Kroacinë. Nëse na arrestojnë, bëhet pak e madhe dhe dikush nga Kosova, së paku MPJ-ja dhe ndonjë komentator i guximshëm, do të reagojnë.
-    Jaaa! Gabim e ke. Mos mendo se reagon kush nga Kosova, e aq më pak MPJ-ja.   

E përmenda këtë rast gjatë udhëtimit, jo aq shumë për të kërkuar nga shoqëria kosovare dhe institucionet e “saj” të merren me zgjidhjen e këtij problemi të vizave tranzit, por me tepër të theksoj se niveli i shpërlarjes së trurit në Kosovë është aq i tmerrshëm sa që supozoj, ndonjë shqiptar mund të dal dhe ta lajmëroj policinë kroate se, Buqja gjatë udhëtimit nëpër Kroaci i ka hedhur lëvoret e bananeve nga vetura! Kjo ishte arsyeja pse në fillim të shkrimit nuk e ceka se në cilin muaj të këtij viti kam udhëtuar nepër Kroaci. Nëse dikush është shumë i zellshëm, le t’i kontaktoj autoritetet kroate ta hulumtojnë rastin, ashtu që plaçkitjet me viza tranzit kundër Kosovës dhe taksat tjera në llogari të Kroacisë, konkretisht në rastin tim, te kenë sadopak domëthënie, pra le të ketë ndonjë aktivitet, çfarëdo qoftë, e mos të jenë vetëm plaçkitje “qyl”.   
    Me një vizë standarde shengen 35 euro (disa kushtojnë më shtrenjtë) ju mund të udhëtoni nepër vendet e BE-së për qëndrim të përkohshëm, të përhershëm, për punë, studime, e shumëçka tjetër. Mirëpo, për të shkuar në shumicën e atyre vendeve me veturë, autobus, apo tren, në momentin që shkelni në Kroaci duhet të keni vizë që kushton 70 + 1 euro (me aeroplan për në aeroportin e Zagrebit kushton 35 euro). Pse po e përmendi edhe këtë +1 euro dhe çfarë domëthënie ka kjo? Këtë 1 euro duhet ta paguani në bankë. Ajo nuk shkon në llogari të Kroacisë, por megjithatë del nga xhepi i juaj si shpenzim shtesë, duke mos llogaritur këtu edhe vajtje-ardhjen në bankë. Shumica e vizave paguhen brenda ambasadës. Për shembull, në ambasadën e Sllovenisë në Shkup ju paguani vetëm 35 euro brenda në ambasadë, pa pasur nevojë të shkoni në bankë dhe të paguani edhe një euro shtesë. Ambasada e Kroacisë në Kosovë (nuk është e vetmja në këtë rast) ndoshta me këtë sistem pagese të vizës në bankë don të zvogëloj vëllimin e punëve brenda saj me pagesa, prandaj ia beson këtë bankës.
Kur e përmendem udhëtimin për në Slloveni nga shtetasit e Kosovës, nuk duhet ta shikojmë këtë si diçka që nuk ka lidhje me Kroacinë. Sllovenia duke e ditur çmimin e vizave tranzit të Kroacisë vetëm kundër shtetasve të Kosovës, në një far forme i nxitë ose sinjalizon ata të udhëtojnë me aeroplan në relacionin Prishtinë - Lubjanë nëse duan ta shmangin plaçkën kroate. Ç’është e vërteta, edhe Sllovenia përfiton shumë nga kjo alternativë e udhëtimit të shtetasve kosovarë prej Prishtinës në Lubjanë. Kjo realizohet nepërmjet biletave shumë të shtrenjta të avio kompanisë sllovene Adria Airways. Të rralla janë destinacionet nga aeroporti i Prishtinë për në qytete tjera të Evropës kontinentale ku bileta mund të kushtoj më shtrenjtë se në relacionin Prishtinë - Lubjanë, cili mesatarisht sillet ndërmjet 300 dhe 350 euro. Me çmim më të ultë se ky, ju mund të udhëtoni shpesh me aeroplan nga Prishtina (drejt, pa ndërrim të aeroplanit) në Vjenë, Mynhen, Cyrih, Frankfut, Shtutgart, e në shumë qytete tjera të Evropës kontinentale që e kanë distancën nga Prishtina dyfish më të largët se Lubjana. Edhe për këtë çështje askush nuk e ka ngritur zërin në Kosovë. Unë do t’u sjell më shumë detaje në versionin e zgjeruar dhe përfundimtar të këtij studimi rasti.
Kosova në raport me Kroacinë dhe Slloveninë është gjendur në një pozitë gjeopolitike shumë të pafavorshme. Në fakt, Kosova nuk gjendet në pozitë të tillë, por këtë e kanë krijuar njerëzit ose institucionet e Kroacisë, Kosovës, e deri diku edhe të Sllovenisë. Askush pos shtetasve të Kosovës që udhëtojnë më së shumti përgjatë këtyre kufinjve (përderisa shqiptarët e Shqipërisë kanë dalje në det, nuk u duhet të kalojnë nga Kroacia) nuk paguan viza tranzit 71 euro për Kroaci. Kroacia ka zënë grykën për shtetasit e Kosovës që duhet të udhëtojnë për në shumë vende të BE-së si: Slloveni, Austri, Gjermani, Itali Veriore, e të tjera. Kushti për marrjen e vizës tranzit për Kroaci, është se ju si shtetas të Kosovës, duhet të keni vizë të shtetit tjetër ku synoni të udhëtoni. Posa të jetë çdo gjë në rregull me vizën tuaj shengen që ua ka lëshuar Austria ose Sllovenia dhe ju duhet të arrini atje me veturë, ambasada e Kroacisë në Kosovë i lëpin buzët menjëherë; juve u duhet viza tranzit për Kroaci, e cila kushton 71 euro. Paramendoni nëse udhëtoni si familje 4-5 anëtarëshe nëpër Kroaci sa do t’iu kushtoj vetëm për viza tranzit.

Si po funksionon sherri i mikut të mirë (Kroacisë) në ditët e vështira (kundër Kosovës)?

Për periudhë më të gjatë kohore, për shembull 6 muaj, viza tranzit për Kroaci kushton 35 euro. Pse e përdor Kroacia  këtë sistem të standardeve të dyfishta me viza kundër shtetasve të Kosovës, dhe për çfarë qëllimi?
Për ta kaluar Kroacinë me veturë, më së shumti u nevojitet 7-8 orë, eventualisht 10 orë me disa pushime, e jo 24 sa u jep afat viza 71 euro. Për afat më të gjatë të vizës tranzit, Kroacia është e vetëdijshme se ju duhet të flini diku në ndonjë hotel, të hani diçka, me fjalë tjera, të shpenzoni para që e tejkalojnë shumën e 35 eurove tjera që i ka përfshirë në vizën tranzit me afat të shkurt. Duket se të gjitha ambasadat e Kroacisë për shtetasit e Kosovës veprojnë si ekonomistë të mirë për vete.
Për t’ua përkujtuar edhe një herë kroatëve, qytetarët e Kosovës kanë kontribuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë. Në mesin e më të njohurve janë gjeneralët Rrahim Ademi dhe Agim Çeku. Edhe në sport, sidomos në futboll kanë kontrobuar shumë, ku vlen të përmenden lojtarët e kombëtares së Kroacisë Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku, shqiptarë të Kosovës me nënshtetësi kroate. Nuk po zgjerohemi më shumë në miqësinë e fortë të shqiptarëve dhe kroatëve në sport. Po ia përmendim edhe vetëm një rast. Atë të kampionit botëror në karate, Enver Idrizi (shqiptar nga Shkupi). Te ky i fundit është diçka me vlerë të rrallë të përmendet. Medalen e parë për Kroacinë e kishte fituar në ditën kur Kroacia ishte njohur si shtet i pavarur nga vendet kyçe të BE-së. Raportohet se vetëm shkaku i tij dhe prej asaj date kur e fitoj medalen, karate është bërë sport shumë i popullarizuar në Kroaci.  
Ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Zllatko Kramariq po shitet gati më shqiptar se ne duke shkuar në ahengje të ndryshme nëpër Kosovë. Në vend se në shenjë “falenderimi” për kosovarët ta zbuste koston e vizave tranzite kroate për kosovarët, të cilat nuk janë asgjë tjetër pos një plaçkë e madhe, ai vazhdon me sistemin e standardeve të dyfishta duke i diskriminuar shtetasit e Kosovës me viza tranzit. Sidoqoftë, ai nuk ka faj sa ka shoqëria e Kosovës dhe institucionet e saj. Cili institucion, organizatë joqeveritare (OJQ) e Kosovës, komentator i guximshëm e ka diskutuar ose raportuar seriozisht këtë problem? Askush.
     Ne ua dijmë për faleminderit qëndrimin pro-Kosovës të Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND). Por, regjimi i kushtueshëm i vizave ndaj shtetasve të Kosovës, është një problem i madh të cilin autoritetet kosovare bashkë me ato kroate do të duhej ta zgjidhnin. Kroacia nuk ka mundur të mbaj qëndrim pro-serb në GjND për një numër shumë të madh të arsyeve. Asaj i duhej qëndrimi pro-Kosovës. Po të mbante qëndrim pro-Serb, atëherë shumë shtetas të Kosovës do të nxiteshin të marrin pasaporta të Serbisë që të udhëtojnë nepër Kroaci sa herë të kishin nevojë, pa e paguar asnjë cent për viza (tranzit apo të çfarëdoshme). Duket se Kroacia kur mbajti qëndrim pro-Kosovës në GjND i ka mbrojtur edhe interesat e veta mirë.   
Kroacia ende mbetet mik i mirë i Kosovës. Vetëm se po e rjep në formën më të mundshme. Serbisë, Sllovenisë, Bosnës, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, nuk ia bënë kështu. Proverbi shqiptar “Miku i mirë njihet në ditët e vështira” është më se i vërtetë në rastin Kroaci – Kosovë. Shqiptarët e Kosovës e përkufizojnë ndryshe, ndërsa realiteti po e tregon se me çfarë veprimi njihet miku i mirë. A nuk u bë më e njohur Kroacia si mik i joni me këto viza?
T’i kthehemi edhe një herë MPJ-së “tonë”. Pas kthimit tim nga Sllovenia, lexoja ngapak lajme se çfarë është duke bërë kjo ministri për interesat e shtetasve të vet. Me doli një lajm shumë skandaloz. Ministri Skënder Hyseni dhe zëvendësja e tij Vlora Çitaku ishin pjesë e një vendimi skandaloz të kyreministrisë për t’a marrë nga një pagë hiq më pak se 16.800 euro. U trishtova. Edhe më herët jam trishtuar ngapak nga skandalet e institucioneve “tona” të cilat zakonisht vijnë në kohët kur shoqëria e Kosovës i ka punët më se keqi ose ballafaqohet me ndonjë vështirësi, por jo si tani. Prandaj, duke mos dashur të flas nga emocionet dhe shresoj se ju do të kuptoni drejt, e kam vëtëm një propozim të sinqertë për juve:

Në rast se shpërthen lufta e tretë botërore, ju lutem të keni kujdes maksimal nga shumica e shoqërisë kosovare dhe institucionet e saj.

Nuk është hera e parë dhe as e fundit që këto shfrytëzojnë rastet e ndikimeve negative kundër Kosovës të bëjnë marrëzira. Ata e shfrytëzojnë rastin kur jeni në “vurmak” për t’iu goditur fuqishëm, pavarësisht se i kemi dhe na kanë miq, dhe jemi të njëri tjetrit. A nuk po bindeni edhe këtu se “Miku i mirë njihet në ditët e vështira”?
Në dhjetëditëshin e parë të janarit  2010 në Kosovë do të jetë për vizitë kryetari i Kroacisë, Stipe Mesiq (tani në largim, i ka skaduar afati). Shumë media në Kosovë, sidomos gazetat, para disa javëve ka filluar me publicitet ta quajnë këtë si vizitë historike. Madje Komuna e Prishtinës mori vendim ta shpall qytetar nderi. Është bërë traditë e pahijshme e disa institucioneve të Kosovës në nivel qendror apo lokal të shpërblejnë njerëz të huaj për rolin e tyre kundërthënës ndaj shqiptarëve. Para më se një viti, Komuna e Istogut kishte shpallur qytetar nderi ish-zëvendës kryeadministratorin e Kosovës të shkarkuar nga posti, Stephen Schook. Ka pasur shumë komente për këtë vendim kundërthënës të Komunës së Istogut. Madje një koment që e gjeta në internet, më bëri të shpërthej në gaz nga ironia. Vetëm titulli i atij komenti “Schook-u agresiv, qytetar nderi i Istogut të butë!” të bënë për të qeshur (dhe natyrisht edhe për të qarë). Nuk janë aq të ndryshëm në këtë kuptim as shqiptarët e Shqipërisë. Krybashkiaku i Tiranës Edvin Rama do ta shpërblej çetnikun dhe antishqiptarin Goran Bregoviq (që mbante koncerte në urat e Serbisë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë gjatë vitit 1999) me “çelësin e Tiranës”. Tash së fundi, Oda Ekonomike e Kosovës i ndau mirënjohje një shtetase gjermane (Verena Knaus) nga një OJQ që paska thënë diçka rreth vizave të BE-së për Kosovën, që Odës Ekonomike iu paska dukur si krijim i imazhit pozitiv për Kosovën! Imazhi pozitiv i Kosovës krijohet me heqjen e vizave, e jo me “fol e rruj vo”. Universiteti i Prishtinës ka nderuar edhe antikombëtarin Sali Berisha me titullin “Doktor nderi”. Nuk po hyjmë në shumë raste tjera kur institucionet e Kosovës kanë shpërblyer shumë njerëz të huaj që Kosovës nuk i kanë sjellë gjë të hajrit në praktikë, e disa madje i kanë sjellë dëme si Schook-u, Berisha (ky më shumë Shqipërisë dhe çështjes kombëtare) dhe Bregoviqi (këtë e shpërblej Tirana). Po ndalemi te rasti i planifikuar për shpalljen qyetar nderi të Prishtinës të kryetarit kroat në largim, Stip Mesiq. Pse duhet të shpallet Mesiqi qytetar nderi i Prishtinës? Se flet mirë për Kosovën? Jo. Ai mund të shpallet qytetar nderi vetëm pasi ne nuk do ta lëshonim të kthehet prapa në Kroaci pa ia hequr vizat diskriminuese Kosovës. Ne duam zgjidhjen e problemeve praktike, jo demagogji si ushqim me fjalë të mira pas të cilave heshturazi na e fusin thikën pas shpine.   
Pavarësisht se çka i bënë Kroacia Kosovës, për shumicën e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, Kroacia është miku i mirë që njihet në ditët të vështira. Nëse është kështu, atëherë, të gjithë ju gazetarë, shkencëtarë, politikanë, hulumtues, komentator të guximshëm, mos e lëshoni Stipe Mesiqin të dal gjallë nga Kosova pa na i hequr këto viza diskriminuese dhe plaçkitje. Shkoni me qëllim të qartë në takimin me Mesiqin, pyesni vetëm për një qëllim tërë kohën dhe asgjë tjetër – heqjen e vizave. Mos u dalldisni fort duke pyetur lidhje e palidhje “kodër mas bregu” për lloj teme. Pyesni vetëm për vizat trazit tërë kohën. Kërkoni përgjigjen dhe zgjidhjen e vetëm të këtij problemi tërë kohën. Nëse ia arrini qëllimit dhe Kroacia na i heq vizat, atëherë mund ta quani mik (por ende jo të mirë). Lë të na trajtoj neve Kroacia së paku si i trajton serbët dhe Serbinë që i kanë shkaktuar gjakderdhje ndaj të cilave ne ishim në anën e Kroatëve. Le ta harroj Kroacia kontributin tonë për ta në luftë dhe sport. Le të na trajtoj njësoj si i trajton serbët dhe Serbinë të cilëve ua ka pa sherrin shumë dhe nga të cilët ka derdhur shumë gjak.
Unë do të isha në gjendje të vij dhe t’ia bëjë këtë presion Mesiqit, por kam frikë se “izbacivaqët” (term serb i “standardizuar” në shqip nga shumica e shqipfolësve në Kosovë) shqiptarë do të më nxjerrin shqelma jashtë po tentova të flas diçka për vizat diskriminuese dhe plaçkitjen kroate. Këtë nuk po e them aq shumë nga mllefi. Ju thashë më herët se niveli i shpërlarjes së trurit të shumicës së shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, është i tmerrshëm.
 


(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora