E marte, 16.04.2024, 08:35 AM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI)

E marte, 29.12.2009, 08:58 PM


Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë nëpër mes gazetës “Lajmëtari i Lirisë”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha


Parapërgatitjet për regjistrimin e popullsisë

 

Pasi se ishte pushtuar dhe aneksuar Kosova dhe viset tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, pushtetarët e Beogradit, megjithatë nuk ishin të qetë. Tokave shqiptare ia kishin vënë kufirin dhe merrnin e plaçkitnin çdo të mirë natyrore nga tokat tona, por populli shqiptar kishte bërë benë se nuk do i lëshonin këto toka për pa u farua të tanë, thoshte kënga popullore. 

Shikuar në aspektin ekonomik, Jugosllavia kishte interesa të mëdha për tokat e pushtuara shqiptare si në Kosovë, Dukagjin, Maqedoni, Mal të Zi, e në Serbi. Pasurit natyrore në këto vise  ishin procentualisht  nga më të mëdhatë në gjithë territorin  administrativo-politik të Jugosllavisë. Ato sigurojnë një pjesë të madhe  lëndësh të para dhe rezerva të begatshme  natyrore, që ndikojnë dukshëm në potencialin  e përgjithshëm  të pasurive  të këtij vendi. Ndërkaq në pikëpamje politike, pushtimi i këtyre viseve –bashkë me përpjekjet e vazhdueshme  për pushtimin e Shqipërisë Veriore deri te lumi Shkumbin (para lufte), ose për shndërrimin e gjithë Shqipërisë në republikë të shtatë (pas LDB-nga shovinistet serb e malazezë është konsideruar detyrë ”kombëtare” dhe hap i domosdoshëm në sendërtimin e ëndrrës pushtuese sllavomadhe, në gjurmët e përtëritjes së shtetit mesjetar serb të Nemanjiqve[1], shkruan autori për synimet gllabëruese të shovinistëve të Beogradit.

Punimi “Armikut- gurin e gjakut”, i cili është shkruar në prag të fillimit të përgatitjeve të regjistrimit të popullsisë në Jugosllavi (1981), autori e ndan në pesë nëntituj, duke folur veç e veç për secilën pjesë.

Ta zëmë, në nëntitullin “Popullsia pengesë e pa kapërcyeshme”, trajtohet situata politike dhe aspiratat ekspansioniste  të shovinistëve të Beogradit të cilët  i kurdisnin për tokat shqiptare. Në shkrim konstatohej se për ta shfrytëzuar sa më shumë dhe pa frikë pasurit tona, vazhdimisht ka ekzistuar një frikë e madhe tek pushtetarët dhe një pengesë e pa kapërcyeshme :popullsia vendëse shqiptare. Etnikisht, kjo popullsi gjithmonë kishte qenë kompakte  në viset e veta, kurse historikisht, ajo kishte një traditë të madhe luftarake e rezistuese ndaj pushtuesve të huaj edhe më të mëdhenj e më të fuqishëm... Zgjidhja më e mirë, siç kanë treguar përpjekjet e vazhdueshme  jugosllave dhe siç është e natyrshme  për shumë pushtues barbarë, do të kishte qenë shfarosja  e plotë e shqiptarëve[2], por pasi se kjo formë e zhdukjes së shqiptarëve ishte tregua e pasuksesshme, okupatori kishte ndërmarr masa tjera ndëshkuese, që i manifestonte në forma e metoda të ndryshme. Andaj, duke i ditur të gjitha këto, pushtetarët gjetën njëmijë e një arsye që sa më shumë shqiptarë të malltretojnë, të torturojnë dhe pas kësaj sa më shumë të arrestojnë dhe ti dënojnë me vite të shumta burgu.

Në nëntitullin e dytë “Genocidi mbi shqiptarët”, thuhej se pasi se shfarosja e plotë e shqiptarëve me mjete të dhunës u tregua e parealizueshme qysh në fillim, autori sjell disa shkaqe për të cilat nuk u realizua ky planë.

1. Për shkak se shteti amë i shqiptarëve , pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, - siç detyrohen të pranojnë me keqardhjen më të madhe  kreatorët e shovinizmit serb- u konsoliduan më shpejt nga ç’pritej dhe i topiti në një farë dore apetitet serbe për pushtimin e Shqipërisë.[3]

2. Ky konsolidim i Shqipërisë, për aq sa e dekompozoi në zhgjëndërr të hidhur  ëndrrën e ëmbël jugosllave, edhe popullsisë shqiptare në viset e pushtuara i jepte impulse për një qëndresë sa më të madhe e më heroike përpara tërbimit shovinist të jugosllavëve.[4]

3. Sikundër që me ndihmën e fuqive të mëdha i kishte shtënë në dorë këto vise, Jugosllavia, po karshi fuqive të mëdha dhe karshi opinionit ndërkombëtar kishte disa obligime[5] (sado formale) lidhur me qëndrimin ndaj popullsisë së pushtuar vendëse.[6] Se sa iu kishte përmbajtur këtij Traktati shteti SKS, më së miri e dëshmon shkrimi i Komisionit Ndërkombëtar i Kontrollit, i formuar në një institut evropian, i cili në atë kohë raportonte: “Djegie shtëpish e fshatrash, vrasje masive e popullsisë së paarmatosur e të pafajshme , dhunë e ashpërsi e pashembullt, plaçkitje dhe akte mizore  nga më të ndryshmet, këto ishin mënyrat që kanë përdorur dhe po përdorin ushtritë serbe  e malazeze për t’ua ndryshuar kryekëput fizionominë etnike krahinave të banuara qind për qind me shqiptarë”[7] Nuk ishte hera e parë që Jugosllavia dhe pushtetarët e saj që merrnin mbi vete dhe nënshkruanin lloj-lloj traktate e deklarata për respektimin e të drejtave të kombeve që jetonin në Jugosllavi. Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ato u shtruan dhe u tentua të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar se e ardhmja e Kosovës do të zgjidhej nga vetë popujt që jetonin atje, me mirëkuptim nga partitë e regjimet demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri e në Jugosllavi, pas fitores mbi fashizmin[8]. Gjatë luftës vazhdimisht ishte folur e shkruar se pas saj ( luftës), do të respektohet Deklarata e Moskës[9], Karta e Atlantikut[10], Deklarata e Teheranit[11], Letra e Titos[12] e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit[13] e, shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.

            Në Jugosllavinë e pasluftës u deklaruan se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të luftës këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin , dhe si të tilla nuk u morën parasysh. Edhe pse viset shqiptare përbënin një tersi territoriale, ishin kompakt nga pikëpamja kombëtare, kishin një vijueshmëri e shtrirje të përcaktuar qartë nga pikëpamja  gjeopolitike gjatë kufirit me trungun amtar dhe me republikat e tjera të Jugosllavisë, u ndanë midis njësive federale Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë[14]. Të gjitha këto ndikuan që në popullatën shqiptare të rritet pakënaqësia. Këtë më vonë e pranuan edhe vet udhëheqësit jugosllav.

Në nëntitullin e tretë “Pranimi i fajit pas aktit të kryer”, shkruhet për ndërmarrjen e presionit e të dhunës ndaj shqiptarëve, por metoda më e preferuar e okupuesit ishte dhe mbeti falsifikimi i të dhënave statistikore mbi numrin e shqiptarëve  dhe mbi lëvizjen demografike  të popullsisë shqiptare. Në këtë drejtim Jugosllavia kishte investuar shumë, sepse fshehja e numrit të shqiptarëve  në truallin e saj administrativo-politik si dhe fshehja e numrit të shqiptarëve të shpërngulur në Turqi e gjetkë, ka një ndikim me shtrirje të gjerë, e presupozon rezultate afatgjata në pretendimet pushtuese ndaj viseve shqiptare.[15]

Për fillimet e falsifikimeve, autor thotë se ato kanë filluar herët, në fillimet e para pushtuese jugosllave, menjëherë pas vitit 1912. Falsifikimin e kishte filluar Jovan Cvijiqi, gjeograf serb, e për të vazhduar nëpër vite e dekada dhe për të kulmuar më 1999, bile me të njëjtën politikë vazhdohet edhe sot.

Pos numrit të popullsisë që vazhdonte të jetonte  në tokat e veta  apo të marrë rrugën e kurbetit në territoret e pushtuesit, të dhënat statistikore të të gjitha kohërave përpiqen  të na e fshehin me këmbëngulje  e perfiditet sidomos numrin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, me plane shtetërore jugosllave  për shpopullimin e trojeve shqiptare nga elementi autokton dhe popullzimin e tyre – me elementin kolonësh sllav[16] thotë autori i shkrimit të gazetës.

Një titull mjaft interesant e mban nëntitulli i shkrimit “Si të pacifizohen shqiptarët e kroatët e Bosnjës”, në të cilën autori shkruan në vazhdim se në të gjitha regjistrimet jugosllave të popullsisë, më 1921, 1948, 1953, 1961 dhe 1971, numri i shqiptarëve  dhe i kroatëve  të Bosnjës  është falsifikuar në mënyrat më të liga. Për realizimin e këtij qëllimi, shovinistët  serbomëdhenj kanë trilluar emërtime të çuditshme  për kombësi  të shpikura prej tyre dhe “teza” të shumta që s’kanë të bëjnë aspak me shkencën.[17] Për të vazhduar me analiza të mëtejshme se në regjistrimet para lufte, shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklaronin kombësinë e tyre, se si pyeste kush, po vetëm të deklaroheshin lidhur me  besimin e tyre fetar dhe me gjuhën amtare. Në pozitë të ngjashme  ishin edhe kroatët e Bosnjës të besimit fetar mysliman. Mbi të dy palët bëhej presion dhe insistohej që këta të deklaroheshin turq. Në mënyrë që pastaj me dhunë e presione  t’u epet rruga e Anadollit.[18]

Për të bërë numrin sa më të vogël të popullatës shqiptare në ish-Jugosllavi, pushtetarët kishin shpikur edhe terme që nuk kishin të bënin fare me shqiptarët. Ata kishin trilluar apo thënë më ndryshe kishin falsifikuar edhe emërtimet më të ndryshme për  shqiptarët edhe si popull edhe si komb. Pushtetarët trilluan një tezë neveritëse për ne duke na quajtur “arnaut” (serb të shqiptarizuar). Cvijiqi shënonte për  ekzistimin e 140 familjeve  “arnaute” në Kosovë. Ndërsa, Dimitrije Tucoviqi e kundërshtonte një të dhënë të tillë duke thënë se “kurrë historikisht  nuk kanë ekzistuar  rrethana që të kushtëzonin  shqiptarizimin e serbëve”[19].

Autori i shkrimit, na rrëfen për falsifikimet në vitet e kaluar se çfarë ka ndodhur me popullatën shqiptare, por për të nxjerr mësim nga pësimet, ai merakosët për regjistrimin e vitit 1981, për  të cilën bëheshin përgatitje të mëdha, dhe pale se çfarë marifetllëqesh do të shpikin për ne. Dhe vërtet frika e autorit u dëshmua më vonë se ishte e arsyeshme. Në krizën më të madhe në historinë e jugosllavëve, në kohën e lëvizjeve më të mëdha të disidentëve politik, të përçarjeve  edhe në vetë radhët më të larta të qeverisë jugosllave; në kohën e burgosjeve të papashme politike të shqiptarëve e të kroatëve dhe të lëvizjeve të mëdha të këtyre dy kombësive për çlirim definitiv nga Jugosllavia[20].Po atë vit, më 1981, NIN-i kishte shkruar që është mirë që gjatë regjistrimit të popullsisë, të parashihej edhe kolona, që kush të donë mund të regjistrohet edhe “Jugosllavë”, dhe ashtu kishte ndodhur, se termi në fjalë sa ishte tendencioz po ashtu ishte edhe i rrezikshëm për popujt jo sllavë siç ishte rasti me shqiptarët.

Në nëntitullin e fundit të shkrimit “Armikut-gurin e gjakut”, që titullohej  “Dezintegrimi i kompaktësisë etnike të shqiptarëve”, bëhej fjalë edhe më tej për shpikjen e termit “jugosllavë”, dhe që cak sulmi kishin “myslimanët” dhe shqiptarët. Si gjithmonë pushtetarët asnjëherë nuk kishin marr as mundin më të vogël që të bisedonin dhe të merreshin vesh për të gjitha këto marifetllëqe. Sipas autorit të shkrimit, ai konstaton se edhe  në regjistrimet e kaluara, të vitit 1971, shqiptarët e patën kuptuar se ka ardhur koha e fundit që të dalin në dritë të gjitha dredhitë e pabesitë jugosllave dhe patën vendosur që jugosllavëve, në vend që t’ia fal kombësinë e vet, do t’ falë më me qejf gurin e gjakut. Ndonëse edhe atëherë u bënë manipulime  me numrin e popullsisë, rezultatet e regjistrimeve  qenë fatale për jugosllavët (sidomos për maqedonasit, të cilët i kishin vonua për gjashtë muaj rezultatet nga republika e tyre, vetëm e vetëm për të manipuluar disi numrin tejet të madh të shqiptarëve). Këto rezultate i dhanë impulse të reja  popullit tonë të robëruar. U pa se, sa i përket shtimit natyror dhe moshës mesatare  të popullsisë, shqiptarët janë kombësia më vitale jo vetëm në Jugosllavi; u pa se , me gjithë përpjekjet më ç’njerëzore  të armikut për të zhbirë farën e popullit tonë nga viset shqiptare , ajo kurrsesi nuk po rrallohet[21], përkundrazi për vjet po shtohet dhe po rritet.

Për veprimet e tyre të pushtetit jugosllav, ata arsyetonin në vete duke parashtruar para vete shumë qëllime:

1. Në rastin më fatlum për pushtuesin, me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve  deri në një minimum dhe me shtimin proporcional të numrit të kolonëve sllavë në tokat shqiptare, shovinistët jugosllav pretendojnë të fitojnë “të drejtat historike” mbi tokat tona;

2. Në një rast më pak fatlum  për ta, kur nuk do të mund të sigurohej dezintegrimi i dukshëm i kompaktësisë etnike shqiptare po një dezintegrim i pjesërishëm, atyre u mbetet në dorë mundësia që popullsisë sonë t’ia reduktojnë edhe ato të drejta  formale, që i përgjigjen shkollës së caktuar të kompaktësisë etnike më të madhe etnike të shqiptarëve. [22]Mirëpo, me zhvillimin e ngjarjeve të mëvonshme, tërësisht në Kosovë dhe Jugosllavi ndryshoi situata politike. Me shpërthimin e demonstratave studentore të vitit 1981, intelektualet dhe anëtarët që aderonin në lëvizjen ilegale të Kosovës, ngritën zërin dhe reaguan ashpër se nuk mund të mbahet regjistrimi nën tytat e armëve. Andaj ishte krejt normale që regjistrimi i popullsisë i vitit 1981, u bojkotua në mënyrë masive nga shqiptarët.

Shkrimi “Dallgët e luftës revolucionare dhe antiimperialiste ngrihen gjithnjë e më lart”, është u huazuar nga gazeta e përditshme shqiptare “Zëri i Popullit” dhe në vija të përgjithësuara jepen të arriturat e shteti shqiptar brenda planit të gjashtë pesëvjeçar dhe përgatitjet që bëhen për me dal sa më të suksesshëm në planin tjetër gjatë viteve 1981-1985.

Nga ATSH-ja, po ashtu huazohet shkrimi “Shtohen përherë e më shumë shpenzimet për armatimin ( Një milion dollarë në minutë për përgatitjet për luftë)”. Në këtë shkrim kritikohet ashpër politika e shteteve të perëndimit, se  në shtyp e televizionet e huaj, e sidomos të atyre Amerikane e Ruse, flitej me të madhe se angazhohen për paqe dhe stabilitet në botë, në të vërtet në botë ndodhë e kundërta, duke e argumentuar me të dhënën se vetëm brenda një minute bota harxhon një milion dollar për armatim[23], dhe më këtë angazhim për të prodhuar sa më shumë armë të sofistikuara, ata dëshmojnë haptas se sa janë për “paqe”.

      

“Trakti” i Lëvizjet Nacional   Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera  shqiptare nën Jugosllavi” (LNÇVSHJ)

 

Në fillim të shkrimit njoftohen lexuesit se shkrimi “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar”, fillimisht është shkruar në formë “Trakti” nga ana e “LNÇVSHJ”, i cili kishte qarkulluar një kohë të gjatë në radhët e atdhetarëve në vend dhe diasporë.

Lëvizja... shkrimin e kishte ndarë në nëntë nën pjesë dhe në secilën veç e veç kishte prezantuar zhvillimin e luftërave shqiptare për liri e pavarësi.

Në nën pjesën “Pse historia  u bë njerkë për popullin shqiptar”, konstatohej se populli shqiptar është një ndër  popujt më të vjetër në Ballkan dhe Evropë. Por e keqja ishte se gjatë gjithë historisë, ata nuk patën miq dhe përkrahje nga të tjerët. Edhe ata që i kishin ishin shumë të vegjël dhe nuk mundnin të ndikonin në rrjedhën e ngjarjeve historike. Periudha njerkë për shqiptarët ishte shumë e rëndë dhe e vështir. Edhe pse i sulmuan dhe i copëtuan, megjithatë shqiptarët arritën që t’iu rezistonin armiqve të shumtë, dhe nuk ishte e çuditshme se më 1878, populli shqiptar organizoi dhe formoi lëvizjen e vetë kombëtare, me organet e saja politike në të gjitha viset shqiptare-Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren. Me anën e saj, populli i ynë i tregoi botës se populli shqiptarë është një dhe i pandarë. [24] Formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pati jehon të madhe dhe ndikoi dukshëm që në skenën politike evropiane të mendohej pak më ndryshe. Kryesia e “Lëvizjes...” kështu e komenton se nën presionin e Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarëve , të cilët kishin dalë me armë në dorë e të organizuar në nivel të lartë për ta mbrojtur vatanin nga copëtimi që i kërcënohej, edhe fuqitë e mëdha u detyruan disa herë t’i ndërronin vendimet e Kongresit të Berlinit[25]., por më vonë për të gjitha këto ata u hakmorën keq ndaj tyre, duke dërguar flotën e përbashkët evropiane  në Ulqin e Tivar, për t’ia dorëzuar Malit të Zi ato vise shqiptare, që ai vet nuk kishte mundur ti marri kurrë.

Pas kongresit të Berlinit, dhe pasi u copëtuan dukshëm tokat shqiptare, Serbia dhe “Shkencëtarët” e saj morën një fushatë të paparë vetëm e vetëm për të bindur opinionin botëror se Kosova është tokë serbe, dhe se e quanin “Stara Serbia”. Nuk ngurruan që të thoshin e të shkruanin lloj-lloj trillimesh duke thënë se “shqiptarët paskan ardhur në Kosovë aty nga shekulli XVII e XVIII[26]. Por, në ndërkohë kishin “harruar” se me rrena nuk shkruhet historia.

Gjatë historisë dihej se shqiptarët në vitet 1908, 1909, 1910, e sidomos në vitin 1912, kur perandoria osmane dridhej nga themeli nga luftërat çlirimtare, kur i tërë populli shqiptarë dhe posaçërisht ai i Kosovës u ngrit në Luftë Çlirimtare e udhëhequr nga trimat më në zë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi[27] e shumë të tjerë.

 Më 1912, në kohën më të vështir kur hordhitë e egra sllave ia kishin mësy tokave shqiptare, plaku i urtë Ismail Qemali s’bashku me Isa Boletinin ngritën flamurin e Skënderbeut në Vlorë dhe shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Edhe pse u shpall Shqipëria, shtet i pavarur, megjithatë tokat shqiptare u copëtuan si më keq, gjysma e trojeve shqiptare iu futën në dorë robëruesve tanë të rinj, shumë më të egër se të përparshmit. Edhe pse populli shqiptar i kishte liruar me gjak tokat e veta, megjithatë edhe më tej vazhdoi si amanet, që të luftohej për realizimin e aspiratave të popullit shqiptar për krijimin e shtetit brenda kufijve kombëtar[28] shkruajnë anëtarët e LNÇVSHJ.

Pas okupimit të tokave shqiptare, nga ana e Serbisë filloi një fushat e paparë dhune e terrori. Pushteti serb ndaj shqiptarëve u sillnin në mënyrën më të vrazhdë. I mohonin të kaluarën e lavdishme dhe luftonin me lloj-lloj shantazhesh për të ardhmen. Njëra ndër metodat më të preferuara të tyre ishte dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre, zhdukja e tyre fizike, kolonizimi i tokave shqiptare me element sllav[29] e shumë prapësi të tjera. Gjatë luftërave të më vonshme, pushteti serb u kujdes që në mënyrë sistematike të zhduk e të ç’faros sa më shumë shqiptarë. Ajo kohë ishte koha e shovinistëve serbë si e Vasa Qubrilloviqit, Ivo Andriqit, Ivo Vukotiqit dhe shumë të tjerëve, kur me këmbëngulje kërkonin nga pushtetarët që të merrnin masa drastike për zhdukjen e shqiptarëve. Ata shkuan aq larg sa shkruan elaborate të tëra se si dhe kur është më së miri ti zhduknin shqiptarët.

Në etapa të caktuara historike bëhet edhe analiza e situatës nga ana e anëtarëve të LNÇVSHJ-së. Në nën pjesën e titulluar “A bënë dot shqiptari ç’bënë kralët dhe shovinistet e rinj”, bëhet fjalë për LDB dhe tokat shqiptare të cilat ishin pushtuar nga nazi-fashistët Dhe duhet përmendur se edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar mori pjesë aktive në të dhe për herë të dytë i çliroi tokat e veta. Duke u mbështetur në forcat e veta dhe pa ndërhyrjen e aleatëve, populli i ynë ngadhënjeu mbi fashizmin, madje duke iu ardhur në ndihmë edhe popujve të tjerë, siç ishin ata të Jugosllavisë...[30], për të vazhduar më tej se deri në Konferencën që u bë në Bunjaj të Malësisë së Gjakovës, masat e gjera popullore në Kosovë nuk i kuptonin sa duhej qëllimet e LNÇ-së. Por, këto qëllime u kuptuan me themel pasi u shpall Rezoluta e kësaj Konference, ku thuhej se “Populli shqiptar, i cili me shekuj luftoi për çlirimin dhe për krijimin  e shtetit të vet kombëtar, dhe pjesa e trojeve shqiptare e pjesa e trojeve  shtetërore shqiptare, me çlirimin nga pushtuesit, do t’i realizojë aspiratat e veta dhe do t’i bashkëngjitet shtetit amë, Shqipërisë. Për këtë do të garantojë Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Anglia, si fuqi aleate në Luftën e Dytë Botërore”[31].  Se populli i Kosovës dhe i Viseve tjera shqiptare, që kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit amë deri në fillim të II Botërore, para konferencës së përmendur kishin frikë se do të përsëritej e kaluara. Gjatë LDB, nuk mungonte edhe angazhimi i madh i komunistëve, duke e bindur popullin se poçes arrihet të luftohet nazi-fashizmi, atëherë garantonin ata se edhe çështja shqiptare do të zgjidhej drejtë e mirë ashtu edhe siç aspironin shqiptarët. Mjerisht, edhe kësaj here u dëshmua e kundërta. Kosova dhe shumë vise shqiptare u copëtuan në shumë republika jugosllave dhe Kosova u aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Shqiptarëve në këtë periudhë nuk iu kishte ngelur rrugë tjetër, veçse të organizoheshin dhe të bënin rezistencë të armatosur. Janë të njohura Lufta e Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, sulmi i Gjilani nën udhëheqjen e Mulla Idriz Gjilanit, Sulmi i Ferizajt e shumë luftëra të tjera anë e kënd në tokat shqiptare. Kur kryengritjet e shumta u shuan me gjak nga ana e “partizanëve” çetnik, atdhetarët shqiptar u detyruan që në një ilegalitet të thellë të vazhdonin dhe të organizonin shumë grupe e organizata ilegale që në vazhdimësi luftuan për qëllimin më sublim dhe më suprem për bashkimin e tokave shqiptare.

Për realizimin e planeve të vjetra, okupuesi serb filloi të aplikonte metoda të reja, dhe për të gjitha këto flet nëntitulli në vazhdim “ Planet e vjetra-metoda të reja” të traktit të ilegales.

Një nga metodat më të përshtatshme që filluan për ti përdorur pushtuesit e rinj, ishte po ajo metodë që e kishin përdorur edhe më herët kralët serb: 1. Shpërngulja permanente e shqiptarëve nga trojet e veta. Meqë përballë popullsisë vendase  dhe asaj botërore, ky aksion  nuk mundë të ndërmerret me dhunë të hapur, sikurse në kohën e Jugosllavisë së vjetër, ata i hynë një aksioni të tërthorët. Përtërin e ripërtërin marrëveshjen xhentellmene turko-jugosllave, dhe kërkuan që nga Kosova dhe viset tjera shqiptare të shpërngulën sa më shumë shqiptar të besimit mysliman. Gjatë viteve të tmerrshme të dhunës e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve filloi edhe shpërngulja e madhe për në Turqi. Duke e parë rrezikun e madh nga shpërngulja dhe duke lënë mbrapa shumë fshatra të zbrazura shqiptare, atdhetarët shqiptar nuk qëndruan duarkryq dhe ndërmorën masat e nevojshme për të penguar zbrazjen e tokave shqiptare. Në statistikat e gjykatave të qarqeve në Kosovë janë të njohura shumë procese gjyqësore që u organizuan ndaj të gjithë atyre që pengonin në shpërnguljen e shqiptarëve. Si gjithmonë, pushteti nuk delte hapur kundër atyre që pengonin shpërnguljen por gjenin shumë e shumë arsye për ti hedhur në burg, që në një mënyrë amortizonin reagimin kundër shpërnguljes.

2. Si metodë e dytë që u aplikua me mjaft sukses ndaj shqiptarëve që kishin ngelur nën Jugosllavi, ishte edhe metoda e grumbullimit të armëve tek shqiptaret, apo ndryshe në popull njihej si “Aksioni i mbledhjes së armëve” gjatë vitit 1955/56. Aksioni ishte organizua me pretekstin se  gjoja u kishin mbetur  nga lufta  shumë armë shqiptarëve dhe të gjitha ato paraqitnin rrezik për sigurinë e rendit në Jugosllavi. Në fakt, Aksioni i armëve  ishte një nga mënyrat për presion  mbi popullin shqiptar, me qëllim kryesor e të fundit- shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e gjetkë. Gjatë aksionit populli shqiptar u torturua  aq shumë nga UDB-eja, sa që një numër i madh njerëzish e humbën edhe jetën, kurse pjesa tjetër (e banorëve të moshës madhore), mbeti me pasoja të rënda fizike e psikike.[32] 

Për aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë, pas viteve 1966/1968, shkruante edhe shtypi i vendit dhe shtypi botëror. Gazeta “Vus” e Zagrebit, kishte shkruar se gjatë kohës së aksionit të armëve  nga viset shqiptare nën Jugosllavi u shpërngulën dhe shkuan për Turqi rreth 300 mijë shqiptar. Kundër këtyre metodave perfide që organizoheshin nga ana e pushtetit u bë rezistencë e madhe si në mënyrë individuale po ashtu edhe në formë të organizuar. Gjatë kësaj kohe u formuan dhe vepruan shumë organizata ilegale që kishin për qëllim rezistencën e shqiptarëve dhe u mundonin që në masat e gjera të bënin informimin e drejtë për shpërnguljet në Turqi dhe metodat e ndryshme të dhunës që përdornin okupuesit. Gjatë kësaj periudhe, numri i të burgosurve politik u shtua dukshëm, në këtë kohë u mbajt procesi gjyqësor i njohur me emrin “Procesi i Adem Demaqit”, Procesi gjyqësor i Metush Krasniqit me shokë. Në burg u mbyt me dhunë mësuesi patriot i Letancit të Llapit, Shaban Shala, Fazli Grajqevci e shumë e shumë të tjerëve anë e kënd Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi.

Më 1968, angazhimi i atdhetarëve tek masat e gjera shqiptare, dha edhe rezultatet e para të lakmueshme. Fillohet me organizimin e demonstratave që mbahen në Prizren (6 tetor, ‘’68), për të kaluar në Therandë (8 tetor ‘’68), për tu organizuar me 19 tetor në qytetin e Pejës, për të mos mbetur anash Gjilani me rrethin, me 27 nëntor, 1968. Po ashtu, jepen të dhëna të bollshme për demonstratat në Besian, për të pasuar më vonë nga ato të Ferizajt me dallim prej një ore, për të vazhduar më vonë zinxhir, në Mitrovicë, dhe për të kulmuar në Prishtinë, ku demonstrimi i masave e studentëve i arrin majat, me fillim në orë 16 pa pesë minuta, e, për të përfunduar diku kah mëngjesi i ditës së nesërme (28 nëntor ’’68).

Bërja e demonstratave për herë të parë në Kosovën e pas LDB, në opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar pati jehon të madhe duke e ndarë një kohë historike në dysh: kohën para demonstratave dhe atë pas demonstratave. Andaj, edhe informimit iu kushtua një rëndësi e veçantë, edhe pse udhëheqja e atëhershme u mundua që të minimizonte rendësin dhe qëllimin e tyre. Proceset gjyqësore që u organizuan dhe u mbajtën ndaj demonstruesve-organizatorë, binin në sy me shqiptimin e pakët të viteve të burgut. Ç’është e vërteta, ato nuk ishin të vogla ngase grupit të organizatorëve dhe të tjerëve që u arrestuan iu shqiptuan mbi 100 vite burg të rëndë, porse krahasuar me dënimet e mëhershme që iu shqiptoheshin shqiptarëve , e që ishin dënime prej shumë viteve, këto ishin më pak të larta.

            Ishte edhe një urdhër nga “lart”, që i udhëzonte gjykatësit, që mos t’iu kushtohet ndonjë rëndësi e veçantë demonstruesve, por edhe mos të shkruhej drejtë për kërkesat e tyre. Shtypi jugosllav, i vlerësoi si të organizuara nga “armiqtë “ e popullit jugosllav e shqiptar.

Edhe pse kanë kaluar vite e vite, konstaton “Lëvizja...”, kërkesat e popullit shqiptar  edhe më vonë ngelën të njëjta, kërkesa ato që kishte parashtruar populli shqiptar që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me Rezolutën e Konferencës së Bujanit, më vitin 1945, më 1968 e më 1978, dhe nëpër të gjitha këto vite përcillej si kushtrim kërkesa e LSHP me Abdyl Frashërin se shqiptarët nuk duan as më shumë e as më pakë se “Një komb shqiptar, një shtet shqiptar” dhe kjo e drejt e ligjshme u nëpërkëmb vit pas viti deri më 1999.

Dhe për këtë të  drejtë dhe të vërtet  e dinë mirë robëruesit jugosllavë. E di mirë tërë bota se, pa krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve  kombëtar shqiptarë- nuk do të ketë paqe në Ballkan[33]  thuhej në traktin e LNÇVSHJ-së.



[1] Armikut-gurin e gjakut! (Në prag të regjistrimit të popullsisë, që fillon në prill), Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 8.

[2] Popullsia, pengesë e pakapërcyeshme, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 8.

[3] Genocidi mbi shqiptarët, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar- Shkurt 1981, f, 8.

[4] Po aty.

[5] Traktati i Pakicave, ishte nënshkruar më 1919, në Saint Germin-en-Laye, nënshkruese e së cilës ishte edhe Jugosllavia e Vjetër., dhe në të thuhej se “Shteti Serbo- Kroato-Slloven merr përsipër t’u sigurojë të gjithë banorëve  mbrojtjen  më të plotë të jetës  e të lirisë, pa dallim  klase, kombësie gjuhe, race  ose feje”

[6] Punim i cituar “Genocidi…”, f, 8.

[7] Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, 1919.

[8] Udhëzime të S.V. Tempos për KK të PKJ-së për Kosovë, me 2 tetor 1943, f. 2

[9] Deklarata e Moskës u miratua në tetor 1943 , e cila kërkonte të “zbatohej bashkëpunimi më i ngushtë në udhëheqjen e luftës dhe në të gjitha çështjet, të cilat kanë të bëjnë me kapitullimin  dhe çarmatimin  e shteteve armike.

[10] Karta e Atlantikut, u nënshkrua  ndërmjet V. Çerçilit dhe F. D. Ruzveltit. Në këtë dokument të rëndësishëm në mes tjerash thuhet “kthimi I të drejtave sovrane  dhe të vetëadministrimit atyre popujve , të cilëve u janë marrë ato dhe respektimi I të drejtave të të gjithë popujve ,  që të zgjedhin  formën e vet të qeverisjes ( 14 gusht 1941)

[11] Deklarata e Teheranit, u soll me 1 tetor 1943, u nënshkrua ndërmjet  Ruzveltit, Çerçillit dhe Stalinit. Kjo deklaratë garantonte se të gjithë popujve  aleatë në Luftën Antifashiste so t’u njihet e drejta për të rregulluar marrëdhëniet e veta “sipas aspiratave  të tyre të ndryshme dhe sipas ndërgjegjes së tyre vetanake” 

[12] Letra e Titos u botua në dhjetor të vitit 1942, në gazetën “Proleter”, me titull “Çështja kombëtare në Jugosllavi në dritën e Luftës Nacionalçlirimtare”. Në mes tjerash në lidhje me çështjen e shqiptarëve thuhej se  “Çështja e Maqedonisë, çështja e Kosovës e Metohisë, çështja e Malit të Zi, çështja e Kroacisë, çështja e Sllovenisë, çështja e Bosnjës e Hercegovinës do të zgjidhet lehtë ashtu siç dëshirojnë të gjithë, sepse do ta zgjidhë populli, kurse këtë  të drejtë e fiton çdo popull, me pushkë në dorë, në këtë luftën e sotme Nacionalçlirimtare” 

[13] Rezoluta e Bujanit, u miratua me 31 dhjetor 1943 dhe me 1 e 2 janar 1944, në fshatin  Bunjaj të Malësisë së Gjakovës. Në Mbledhjen Themeluese të Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës  e Dukagjinit. Në këtë mbledhje merrnin pjesë 49 delegatë ( 43 shqiptarë, 6 serbë e malazezë). Përveç Rezolutës që është një dokument me një rendësi të madhe historike, u soll edhe Proklamata e Kryesisë së KNÇ-së së Kosovës, në të cilën thuhet se “Liria e juaj, qëndron në luftën tuaj, sepse vetëm lufta e armatosur, e përbashkët kundër okupuesit dhe ndihmësve të tij është rruga me të cilën sigurohet liria dhe e drejta për vetëvendosje dhe shkëputje”. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe udhëheqësja e re prej 9 vetave ( 7 shqiptarë, 2 serbë e malazezë).  

[14] Dr. Lefter Nasi, E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi, Tiranë 1990, f. 409

[15] Pranimi i fajit pas aktit të kryer, Lajmëtari I Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 8.

[16] Punim I cituar “Armikut- gurin e gjakut”, f, 8

[17] Si të pacifizohen shqiptarët e kroatët e Bosnjës, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 9.

[18] Po aty.

[19] Po aty.

[20] Po aty.

[21] Dezintegrimi i kompaktësisë etnike të shqiptarëve, Lajmëtari i Lirisë Vitit II, nr. 1, Janar-Shkurt 1981, f, 9.

[22] Po aty.

[23] Shtohet përherë e më shumë shpenzimet për armatimin, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1, Janar –Shkurt 1981, f,11.

[24] Një komb shqiptar, një shtet shqiptar, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.

[25] Pse historia u bë njerkë për popullin shqiptar, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.

[26] Me rrena nuk shkruhet historia, “Stara Serbija” pjellë e shovinizmit, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.

[27] “Trojet shqiptare u çliruan me gjakun e djemve më të mire të Shqipërisë, po çlirimi qe jetëshkurtër, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 12.

[28] Po aty.

[29] Qëndrimi i kralëve serbë ndaj tokave të robëruara, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981,f, 12.

[30] A bënë  dot shqiptari ç’bënë kralët dhe shovinistët e rinj, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 13.

[31] Rezoluta e Konferencës së Bujanit, (31 dhjetor 1943-1,2 janar 1944)….

[32] Planet e vjetra-metoda të reja, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar-Shkurt 1981, f, 14.

[33] Pa krijimin e shtetit shqiptar Brenda kufijve kombëtar nuk ka paqe në Ballkan, Lajmëtari i Lirisë, Viti II, nr. 1. Janar- Shkurt 1981, f, 15.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora