E enjte, 28.03.2024, 03:25 PM (GMT)

Kulturë

Albërie Hadërgjonaj: Si po censurohet kënga për Ibrahim Rugovën

E marte, 29.12.2009, 07:53 PM


Si po censurohet kënga për Ibrahim Rugovën
    
Nga Gazeta Ballkan

Është një nga këngëtaret me historinë më të veçantë… Në “12 në Hollivud” (pas viteve 90), ajo fitoi zemrat e publikut shqiptar, ndonëse ishte në një moshë fare të re. Disa vite më vonë, ajo u bë tejet popullore falë këngës “Lozonjare”, duke u shndërruar në një nga artistet më të pëlqyera të momentit. Që në moshën 16 vjeçare Albëria bëhet nënë, një emocion paksa i mjegullt në kujtesën e saj, por sot ajo është e vetëdijshme se të qenit nënë, ka qenë gjëja më e bukur që mund ti ndodhte. Ajo ka një raport të shkëlqyer si me Agnesën ashtu dhe me Anxhelinën, ndërkohë që familja e saj është sot më e bashkuar se kurrë. Shtatë vite të bashkëshortit të saj (Mentorit) në burg, nuk e dobësuan Albërien, por i dhanë asaj më tepër forcë dhe kurajë për ta mbajtur familjen të bashkuar. Vetëm pak kohë pasi bashkëshorti kishte fituar lirinë, në shtypin rozë del lajmi se Albëria po ndahej. Një lajm aspak i vërtetë, por që i ka rrënjët te një zënkë e zakonshme mes çiftit. Megjithatë, e keqja ka kaluar; kanë kaluar po ashtu edhe vitet kur Albëries iu desh të braktiste skenën, sepse i duhej të kujdesej për dhembjen dhe dy vajzat e saj. Sot, ajo ngjitet në skenë më dinjitoze se kurrë… Me 2 albume në treg dhe më një këngë kushtuar Ibrahim Rugovës, ajo po njeh vetëm ngjitje në karrierë. Edhe pse, pikërisht kënga e fundit po i censurohet. “Kënga nuk ka ndonjë qasje politike, sepse unë jam një artiste dhe politikën e bëjnë ata që dinë ta bëjnë. Ideja erdhi për arsye se unë e kam dashur presidentin e ndjerë si individ dhe e vlerësoj shumë për punën që e ka bërë për Kosovën. Ai e ka merituar nuk ka diskutim këtu, ne duhet të kishim bërë edhe më shumë për të”, thotë Albëria për një të përditshme kosovare, ndërsa për më tepër ndiqni intervistën…

Si fillim, a mund të na tregoni se si e keni arritur suksesin e deritanishëm?

Ndoshta ka qenë rastësi që unë të jem pjesëmarrëse e shumë festivaleve kombëtare. Unë isha një vajzë e re pa i mbushur ende 19 vjeç dhe nuk e di, më duket se më buzëqeshi pak fati. Por mendoj se edhe teknika vokale, dhe bashkëpunimi me kompozitorë të mëdhenj nga Shqipëria janë “fajtorët” që më sollën deri këtu ku jam sot.

Jeni paksa këngëtare “misterioze”. Deri vonë nuk është ditur se nga jeni; Kosova, Amerika apo Shqipëria. Çfarë ka të përbashkët jeta juaj me këto tri vende?

Është shumë e vërtetë që jeta ime ka qenë mister për njerëzit që e shohin Albërien në ekran. Kjo është ndoshta pasojë e asaj që unë si fëmijë, pas viteve 81, u shpërngulem me familjen time nga Kosova, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën gjendeshim, dhe për një jetë më të mirë shkuam në Amerikë. Pas viteve 94 u kthyem në Shqipëri, ku edhe përfundova studimet. Përndryshe unë kam lindur në Kosovë, fëmijërinë e kam kaluar në Amerikë, dhe tani jetoj në Tiranë.

Kënga për presidentin Ibrahim Rugova është një prej hiteve tuaja të fundit? Si ju lindi ideja, kush është autori i kësaj kënge?

Autori i kënges është Luan Zhegu, kompozitorë e tekstshkrues është Xhon Peci. I falënderoj shumë për një punë të mrekullueshme që kanë bërë. Ideja ka qenë e imja dhe e bashkëshortit tim. Unë e kam dashur shumë Presidentin historik të Kosovës, Doktor Ibrahim Rugovën, dhe kam pasur nostalgji për ta parë, por fati deshi që ai të largohej nga jeta.

Kjo këngë është mirëpritur nga publiku. Por ka pasur edhe reagime me qarqe të ndryshme politike. A e keni kënduar këtë këngë sepse jeni me LDK-në, apo sepse e keni ndjerë shpirtërisht që presidenti Rugova e meritonte një këngë të tillë?

Të them të drejtën LDK-ja zinte një vend të veçantë për mua në atë kohë. Por kënga nuk ka ndonjë qasje politike, sepse unë jam një artiste dhe politikën e bëjnë ata që dinë ta bëjnë. Ideja erdhi për arsye se unë e kam dashur presidentin e ndjerë si individ dhe e vlerësoj shumë për punën që ka bërë për Kosovën. Ai e ka merituar, nuk ka diskutim këtu, ne duhet të kishim bërë edhe më shumë për të. Megjithatë, tani edhe disa kolegë të mi i kanë kushtuar shumë këngë të mira Dr.Rugovës, por unë jam krenare që e kam bërë e para.

A jeni takuar ndonjëherë me presidentin Rugova?

Unë kam jetuar jashtë Kosovës dhe nuk e kam takuar personalisht asnjëherë. Por më ka mbetur shumë merak të rri me të dhe ti tregoj se sa shumë e kam dashur. Ndoshta edhe kam pasur shumë mundësi që takohem me të, por kam bërë gabim dhe fatkeqësisht nuk e kam takuar asnjëherë.

Pse kjo këngë nuk është transmetuar aq shumë në televizonet muzikore. Për inat tuajin apo për përmbajtjen e këngës?

Për mendimin tim është një gabim se nuk duhen të politizohen të gjitha gjërat. Mediat duhet të jenë gjithmonë të gatshme për të informuar popullin, dhe për ti bërë njerëzit të ndihen mirë. Shumë më kanë pyetur për këtë çështje, por nuk e di, nuk kam pasur ndonjë keqkuptim me askënd. Por ndoshta duhet të jetë përmbajtja e këngës ajo që i “frikësoi” televizionet.

Edhe sa do të jeni “gjallë” në skenë?

Përjetësisht, deri sa të kem frymë dhe ti kem njerëzit që dashurojnë këngën dhe muzikën që unë e bëj.

A gatuani ndonjëherë?

Gatuaj shumë mirë, sepse e kam pasion kuzhinën. Gatuaj shpesh, sepse unë jam nënë dhe duhet tu përkushtohem dëshirave të fëmijëve të mi.

Çfarë keni përfituar nga muzika?

Ana materiale për mua nuk ka qenë shumë e vlefshme. Unë me muzikën kam fituar shumë. Kam fituar zemrat e shumë shqiptarëve, kam fituar një reputacion, dhe një emër. Me muzikën unë ndihem e plotësuar.

Sa është e pasur Arbëria?

Ekonomikisht nuk jam shumë e pasur, por shpirtërisht jam shumë e pasur.

Ku e sheh veten pas 20 vitesh?

Nuk e di. Së pari shpresoj të më japë Zoti jetë. Janë shumë 20-vjet, dhe vërtet nuk di çfarë të mendoj. Dëshira ime e madhe është që të më jepet mundësia të këndoj, derisa të kem edhe frymë.





(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora