E enjte, 25.04.2024, 05:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Juliana Pasha fiton Festivalin me këngën e Ardit Gjebresë, shkon në Evropian

E hene, 28.12.2009, 07:59 PM


Nga Alma Mile

"Nuk mundem pa ty", kënga e kënduar nga Juliana Pasha, me muzikë të Ardit Gjebresë, tekst të Pirro Çakos, orkestrim të Shpëtim Saraçit u shpall kënga fituese e edicionit të 48-të Festivalit të Këngës në RTSH. U zhvillua mbrëmë në Pallatin e Kongreseve nata finale e edicionit të 48-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Pas një gare maratonë e moderuar nga këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, juria e përbërë nga emra të njohur të muzikës dhe spektaklit votuan në mënyrë të hapur këngët pjesëmarrëse, nga dolën edhe tre vendet e para. Përveç shkrimtarit Agron Tufa, i cili e vlerësoi me 13 pikë, pjesa tjetër e jurisë votoi në mënyrë unanime këngën e Gjebresë me nga 20 pikë. Në vend të dytë u rendit kënga "Në pasqyrë" e kënduar nga Anjeza Shahini, me muzikë të Sokol Marsit dhe tekst të Jorgo Papingjit dhe në vend të tretë, kënga "Gjëra të thjeshta" e kënduar nga Kamela Islami, me muzikë të Kristi Popës dhe tekst të Florian Zykos.
Ishin 18 këngëtarë "big" dhe dy fituesit e natës së të rinjve, ata që u ngjitën mbrëmë në skenën e Pallatit të Kongreseve, në natën finale të festivalit të RISH-së. Nën regjinë e Osman Mulës, drejtim artistik të Selim Ishmakut, skenar të Genc Ymerajt, skenografi të Carlo Cane-s, këngëtarë e kompozitorë të njohur risollën për të tretën herë këngët e tyre. Edicioni i këtij viti mund të quhet edhe si një vit rikthimesh, pasi riktheu në këtë festival të traditës kompozitorë si Agim Krajka, Ardit Gjebrea, i cili këtë vit na u shfaq edhe si tekstshkrues, Dorian Nini, Kristi Popa e Bojken Lako, etj., të cilët duket se kanë nisur të ribesojnë në këtë ngjarje të muzikës së lehtë. Por nuk munguan as kompozitorë, tashmë të përhershëm në skenën e fundvitit, si Adrian Hila, Pirro Çako, Edmond Zhulali, Agim Poshka, etj. Apo tekstshkrues si Jorgo Papingji, Pandi Laço, Timo Flloko, Pirro Çako, etj. Mes këngëtarëve "big" u renditën Juliana Pasha, Rovena Dilo, Teuta Kurti, Anjeza Shahini, Kejsi Tola, Pirro Çako, Endri dhe Stefi Prifti, Flaka Krelani, Era Rusi, etj. Prej vitit 2004, kur Shqipëria filloi të marrë pjesë në Festivalin Evropian, kompozitorët kanë nisur t'ia përshtatin disi krijimet e tyre natyrës së këtij aktiviteti. (Ndonëse fituese kanë dalë edhe balada. Kujtojmë këngët e Frederik Ndocit dhe Olta Bokës). Kjo lloj përshtatshmërie u vu re edhe në këtë edicion, ku garuan këngë ritmike, të stilit dance, apo me motive të spikatura folklorike shqiptare, si këngët e kënduara nga Rusi, Lako, Kurti, apo Krelani. Këndimit live të këngëtarëve këtë vit iu shtua edhe shoqërimi i back vokaleve, të cilët gjithashtu kthehen në këtë skenë pas vitesh.
Festivali i këtij viti, i cili jo rastësisht u përzje me atmosferën e festave, u zhvillua në katër net. Ishin këngëtarët "big", ata që hapën siparin e këtij edicioni, me performancën e tyre të parë. Nata e dytë, iu kushtua e gjitha të rinjve. Plot 18 këngëtarë të rinj dhe grupe, u ngjitën në skenën e Kongreseve, ku interpretuan krijime të kompozitorëve të njohur, si Agim Krajka, i cili ia besoi këngën e tij "Broadway" Goldi Halilit, apo Alfred Kaçinari, Gjergj Jorgaqi, etj. Nata e tretë ishte më shumë një natë spektakli. Këngëtarët "big" u ngjitën në skenë të shoqëruar nga të tjerë interpretues, apo edhe kompozitorë të njohur, duke e risjellë këngën në variantin e dueteve. Kështu u ngjitën në skenë këngëtarë si Aleksandër Gjoka, Soni Malaj, Redon Makashi, grupi "Burn", Jonida Maliqi, Olta Boka, Rosela Gjylbegu e Eliza, etj. Duke qenë se këngët ishin të regjistruara, kjo natë ishte më e çtensionuar se dy të parat, ku nuk munguan edhe pyetjet e shkurtra për këngëtarët nga ana e prezantuesve. Gjithnjë, duke iu përshtatur Eurosongut, një pjesë e mirë e këngëve ishin të shoqëruara nga performanca koreografike, të përgatitura nga koreografi Julian Bulku, i cili prej vitesh ushtron karrierën e tij në Greqi. (Bulku përgatiti koreografinë e Kejsi Tolës në Eurosongun e Moskës). Gjatë netëve nuk munguan numrat koreografikë, kolazhet, apo interpretimet e dy prezantuesve-këngëtarë Cani dhe Skënderaj. Por nata me më shumë emocione ishte padyshim ajo e mbrëmshmja, e cila shpalli edhe fituesin e radhës, i cili do të na përfaqësojnë në Festivalin Evropian. Ndryshe nga vitet e tjera organizatorët nuk e panë të udhës të sillnin ndonjë të ftuar të huaj, për të "mbushur" pauzën që krijohet gjatë vendimmarrjes së jurisë. Ishte një edicion tërësisht shqip.

Juria
Edhe këtë vit juria votoi në mënyrë të hapur për këngët konkurrente në Festivalin e RTSH-së. Këngët në natën finale u votuan me pikë nga 1-20. Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të muzikës shqiptare, si kompozitori dhe këngëtari Luan Zhegu, redaktori i muzikës Shaban Ibrahimi, producentja Zana Çela, violinisti Olen Çezari, kantautori Saimir Braho, kompozitori Flamur Shehu, shkrimtari Agron Tufa.

Shtatë herë në Evropian
Juliana Pasha përfaqëson për të shtatën herë Shqipërinë në Festivalin Evropian. Ishte Anjeza Shahini me këngën "Imazhi yt", që ngriti siparin dhe e vetmja që ka arritur një pozicion të mirë në renditjen përfundimtare. Në 6 pjesëmarrjet e shkuara, Shqipëria është përfaqësuar me dy krijime të dyshes Edmond Zhulali - Agim Doçi, me tri këngë të krijuara nga Adrian Hila dhe Pandi Laço dhe një krijim të Klodian Qafokut. Fituesi i këtij viti do të përfaqësojë këngën shqiptare në skenën e Eurosongut, i cili vitin që vjen do të organizohet në Norvegji.

Orkestra "live"
Interpretimi 100% live i Orkestrës së RTSH-së u konsiderua si një nga pikat më të forta të këtij edicioni. Për vite me radhë, vetëm një pjesë e orkestrës ka interpretuar vërtet, ndërsa pjesa tjetër ka qenë thjesht për fasadë. Këtij viti organizatorët premtuan vetëm interpretim "live". Por vetëm gjatë dy netëve ai ishte i tillë. Gjatë natës së të rinjve, orkestra nuk figuronte fare në skenë, ndërsa natën e tretë, këngët ishin të regjistruara.

Nata e të rinjve, ende herët
Pas kaq vitesh, Festivali i Këngës në RTSH u zhvillua në tri net. Strukturës së ngritur një vit më parë nga ish-drejtori artistik Pirro Çako dhe regjisori Pali Kuke, të cilët sollën natën e dueteve, iu shtua nata e të rinjve. Dikur një traditë e festivalit, e kthyer në e tillë, sidomos pas shkrirjes së festivalit "Këngët e Stinës". Rikthimi i kësaj nate u mendua për t'i dhënë "freski" festivalit me emra dhe zëra të rinj, por edhe për t'u dhënë një dorë këtyre të fundit për t'u afirmuar në këtë skenë kaq të rëndësishme. Kompozitorë me emër u impenjuan për të krijuar për këta të rinj, si Krajka, Kaçinari, Tërkuçi, Jorgaqi... Në dukje një ide shumë e mirë, por skena tregoi tjetër gjë. Mes 18 këngëve në garë, interpretimet e mira numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Shumë stonime dhe interpretime të dobëta. Kemi para aktivitete rinore, apo gara fëmijësh, shumë më të mira se kaq. Ishte çështje emocionesh, teknike, apo përzgjedhjeje? Të përballosh live një skenë si ajo e Pallatit të Kongreseve nuk është e thjeshtë. Edhe emra të njohur kanë dështuar ndonjëherë e ndoshta të rinjtë duhet të maturohen edhe ca, deri sa të shkojnë në festivalin e RTSH-së.

Çmimet

Çmimi i parë:
"Nuk mundem pa ty", Juliana Pasha, 133 pikë
Çmimi i dytë:
"Në pasqyrë", Anjeza Shahini, 118 pikë
Çmimi i tretë:
"Gjëra të thjeshta", Kamela Islami, 115 pikë
Fituesi i të rinjve
Çmimi i parë: Iris Hoxha me "Zërin tim ta ndjesh"



(Vota: 4 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora