E enjte, 28.03.2024, 11:59 AM (GMT)

Editorial

Isa Mulaj: Cilat janë “enigmat” e vështirësive dhe pengesave rreth (mos)privatizimit të Brezovicës?

E hene, 28.12.2009, 07:57 PM


Cilat janë “enigmat” e vështirësive dhe pengesave rreth (mos)privatizimit të Brezovicës?

Nga Isa Mulaj
Kryetar i Këshillit Drejtues, Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)

Përmbledhje

Në mesin e ngjarjeve nga lëmi i ekonomisë në Kosovë gjatë vitit 2009 e cila tërhoqi vëmendjen e shpeshtë në media, institucione, dhe publik, padyshim ishte çështja e (mos)privatizimit të kompleksit turistik-hotelier “Brezovica”. Tema ishte nxehur sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit, kur ky kompleks do të dilte në ankand për transformim pronësor dhe privatizim. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i kishte filluar përpjekjet në këtë drejtim më 2006. Pas më shumë se tri viteve ose në nëntor 2009, përpjekjet rezultuan në dështimin ose tërheqjen nga ankandi i shitjes pjesë-pjesë, dhe atë për herë të dytë radhazi, respektivisht nga vala 40 dhe 41 e privatizimit në Kosovë. Fillimi i privatizimit të saj është shtyrë për vitin e ardhshëm. Megjithatë, ka disa pyetje dhe dilema kyçe për të kaluarën dhe të ardhmen e saj që meritojnë të shtjellohen nga disa këndvështrime. Ky artikull ka për qëllim të analizoj disa nga vështirësitë dhe pengesat e gjertanishme në privatizimin e “Brezovicës”, dhe të vë në pah problemet eventuale që mund të dalin në të ardhmen.  

Fjalët çelës: Brezovica, Ligji në Fuqi, masat e dhunshme, transformimi pronësor, AKP, privatizimi.

1. Një profil i shkurtër i Brezovicës

“Jepja Qeverisë [së Kosovës] armët ta luftoj armikun tënd, dhe ajo do t’i shfrytëzoj ato kundër juve” – Harry Browne.

Brezovica është rajon turistik veror dhe dimëror që shtrihet në juglindje të Kosovës, më konkretisht në komunën e Shtërpcës, përgjatë Malit të Sharrit në kufi me IRJ të Maqedonisë, rreth 60km nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina. Komuna e Shtërpcës llogaritet se i ka afër 14.000 banorë, ku mbi 2/3 janë serbë dhe pjesa tjetër shqiptarë. Komuna është e njohur për qendrën e saj të skijimit dhe pushimeve verore në kompleksin e quajtur Brezovica. Gjatë epokës socialiste, kompleksi funksiononte si ndërmarrje në pronësi shoqërore. Është njëra ndër qendrat më të njohura dhe më të mëdha turistike dhe të rekreacionit në Evropën juglindore. Shtrihet në lartësinë mbidetare prej 900m deri në 2.500m. Vetëm hapësira e skijimit vlerësohet se i ka afër 2.500 hektarë. Si kompleks atraktiv turistik veror dhe dimëror, në mes tjerash, përbëhet nga dy hotele luksoze (Narcis dhe Molika), pesë teleferikë, shtigje të skijimit me gjatësi mesatare prej 3.000m, dhe 300 vila të ndryshme që lëshohen dhe mund të merren me qira.
Kohëve të fundit, privatizimi i pjesshëm apo i tërësishëm i këtij kompleksi është bërë mollë sherri ndërmjet disa institucioneve dhe akterëve si: AKP-së, udhëheqjes serbe të komunës së Shterpcës, ndërmarrjes Inex nga Beogradi, e pse jo edhe ndërmjet qeverisë së Kosovës, Serbisë, dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Gjatë sundimit të masave të dhunshme të Serbisë (1991-1999) nëpër ndërmarrjet shoqërore në Kosovë, kompleksi Brezovica ishte integruar në kuadër të ndërmarrjes turistike-hoteliere në pronësi shtetërore “Inex” nga Beogradi. Pra, me Brezovicën është bërë një transformim pronësor nga pronësia shoqërore në atë shtetërore, por jo privatizimi. Në atë pronësi të formuar gjendet edhe sot, porse pyetja është nëse ai transformim ka qenë i ligjshëm atëherë, dhe a njihet si i tillë sot. Kjo ka rëndësi shumë të madhe të sqarohet, ose së paku të njihet si një ndër pengesat më të mëdha për privatizim, në kuptimin që ka krijuar paqartësi se kush e ka të drejtën e privatizimit të Brezovicës. Pavarësisht transformimin pronësor dhe integrimin në pronësi shtetërore në një ndërmarrje tjetër, dhe tani në një shtet tjetër, ekziston një konsensus se privatizimi i saj duhet të bëhet në të ardhmen. Agjencia e Privatizimit të Serbisë e kishte shpallur ankandin për privatizimin e saj, por këtë nuk e kishte pranuar UNMIK-u. Më vonë, privatizimin e saj e shpalli dy herë AKP-ja, por këtë nuk e pranoj komuniteti serb në Shtërpcë. Në opinion është krijuar bindja se në privatizimin e këtij kompleksi është e përfshirë edhe politika dhe se kërkohet pëlqimi i saj.

2. Të çfarë natyre janë pengesat rreth privatizimit?

Zyrtarët e AKP-së deklarojnë me bindje se pengesat në privatizimin e Brezovicës janë të natyrës teknike, se politika nuk mund të pengojë, dhe se privatizimin e shohin si detyrim ligjor dhe kushtetues. Ata, në mesin e tyre, zëvendës drejtori Shkumbin Bicaj, shpesh e kanë theksuar në media se Beogradi dhe komuniteti serb i Shtërpcës nuk mund ta pengojnë privatizimin në Kosovë, në rastin konkret të Brezovicës. Për më tepër, ai i referohet mandatit të qartë të AKP-së për privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve në pronësi shoqërore që gjenden në territorin e Kosovës, dhe përmend Kushtetutën e Kosovës, respektivisht nenin 65.1 të saj, ligjin mbi AKP-në, dhe ligjet e tjera në fuqi që i nënshtrohen Pakos së Ahtisaar-it. Çka thotë neni 65.1 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës?

“Kuvendi i Republikës së Kosovës: (1) miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme”.   
 
Në këtë nen të Kushtetutës nuk përmendet gjë për privatizimin dhe AKP-në, por tregon për kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Edhe pse është nxjerrë jashtë kontekstit, do ta mbajmë mend këtë nen gjatë analizës së mëvonshme se çfarë ligjesh mund apo nuk mund të nxjerrë Kuvendi. Ndërkaq, për Ligjin në Fuqi, Planin e Ahtisaar-it, Ligjin e AKP-së, do të diskutojmë më vonë. Për momentin, mjafton të njihemi shkurtimisht me dy përpjekjet serioze të fundit të AKP-së në privatizimin e Brezovicës. Në valën e 40-të të privatizimit në Kosovë, AKP-ja kishte shpallur në ankand të shitjes kafeterinë “Shtërpca”, restorantin “Kasollja Brezovicë”, dhe kasollen e vogël “Murzhicë-Brezovicë”. Me këtë AKP-ja lajmëroj se ka filluar privatizimi i kompleksit. Ka pasur shumë interesim në blerjen e këtyre njësive të vogla, por blerësit dhe/ose investitorët u larguan pas presionit serb nga enklava e Shtërpcës. AKP-ja tërhoqi nga ankandi këto tri njësi nga vala e 40-të dhe të njëjtat i barti në ankandin e valës vijuese të cilën e shpalli në muajin nëntor të këtij viti. Shpejt morëm vesh se të tri objektet e rishpallura në ankandin e valës 41, u tërhoqën, ose shitja e tyre u anulua. AKP-ja e njoftoj opinionin publik se tërheqja e dytë nga ankandi i të njëjtave ndërmarrje ose objekte, ishte bërë për të mos e prishur disponimin e serbëve lokalë në zgjedhjet komunale të Kosovës që u mbajtën me 15 nëntor 2009, dhe se fillimi i privatizimit të Brezovicës është çështje teknike që do të zgjidhet deri në fund të dhjetorit 2009, e më së largu deri kah mesi i janarit 2010. Këto pohime të AKP-së i përgënjeshtroj menjëherë sekretari për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, duke thënë se zgjedhjet komunale të 15 nëntorit nuk kishin fare lidhje me fillimin e privatizimit të Brezovicës. Sipas deklarimeve të tij, arsyeja kryesore dhe e vetme e tërheqjes së tri objekteve nga ankandi i valës së 41-të, ishte fakti se AKP-ja nuk e kishte marrë lejen nga strukturat paralele serbe në Shtërpcë, të cilat mbajnë qëndrimin e Beogradit lidhur me Brezovicën si tërësi apo pjesë të saj. Kur dalin në shesh këto dy pikëpamje të kundërta, duket se AKP-ja nuk ka informuar si duhet për arsyen e vërtetë të shtyrjes së privatizimit. Që të kuptojmë më mirë se nga erdhën këto kundërthënie, kush ka më shumë e më pak të drejtë, në vijim shqyrtojmë burimin e shumicës së pengesave.  
Me herët e përmendëm të ashtuquajturin Ligji në Fuqi, të cilit i referohet edhe AKP-ja dhe legjislacioni në Kosovë. Atëherë, pyetja logjike është se çka thotë ai ligj, ose cilat ligje janë të zbatueshme në Kosovë? Për Ligjin në Fuqi, UNMIK-u kishte nxjerrë dhe miratuar rregullore të veçantë, e cila mban numrin 1999/24 dhe datën 12 dhjetor 1999. Në nenin 1.1 të kësaj Rregullore, thuhet:

“Ligji në Fuqi në Kosovë përfshin:
(a)    Rregulloret e shpallura nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe instrumentet ndihmëse të nxjerra në përputhje me to dhe
(b)   Legjislacionin në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989”.

Ky formulim duket se i përjashton të gjitha ligjet e Serbisë që janë nxjerrë për Kosovën gjatë administrimit të dhunshëm prej datës 24 mars 1989 deri më 12 qershor 1999. Kështu mund të kuptohet derisa marrim jashtë kontekstit nenet e caktuara të ligjeve sikur AKP-ja për mandatin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore (në vijim NSH) nëpër enklavat serbe të Kosovës. Mirëpo, nëse vazhdojmë leximin e kësaj Rregulloreje, konstatojmë se gati të gjitha ligjet e Serbisë gjatë viteve 1990-ta në Kosovë, janë në fuqi edhe sot, sidomos ato që kanë të bëjnë me transaksionet pronësore të Serbisë me NSH të Kosovës. Neni i radhës 1.2, për zbrazësitë juridike ose përjashtimin që e bënë në nenin 1.1, ndër të tjera thekson: “..por mbulohet nga një ligj  tjetër në fuqi në Kosovë pas 22 marsit 1989, i cili nuk është diskriminues dhe është në përputhje me nenin 1.3 të kësaj rregulloreje, atëherë gjykata, organi ose personi, si përjashtim, e zbaton atë ligj», ndërsa në nenin 1.3 i referohet një numri të konventave ndërkombëtare për standardet e të drejtave të njeriut, duke filluar me “Deklaratën universale për të drejtat e njeriut” të 10 dhjetorit 1948. Kjo përmbajtje është bartur e pandryshuar edhe në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/59 të datës 27 tetor 2000 për Ligjin në Fuqi në Kosovë. Çfarë domethënie ka Ligji në Fuqi për privatizimin në Kosovë dhe masat e dhunshme të Serbisë në NSH të Kosovës?

2.1. Si i zbatoi Serbia masat e dhunshme?

Ndonëse i formuluar kryesisht për të drejtat e njeriut pa ndonjë referencë ndaj të drejtave ekonomike dhe transaksioneve pronësore, Ligji në Fuqi i njeh shumicën e transformimeve pronësore të cilat i ka bërë Serbia në Kosovë gjatë masave të dhunshme. Kjo për shkakun se abuzimi me të drejtat e njeriut duket si diçka e ndarë me transformimet pronësore që i ka bërë Serbia, duke përfshirë edhe masat e dhunshme nëpër NSH të Kosovës. Referenca ndaj Deklaratës universale për të drejtat e njeriut, dhe konventave tjera ndërkombëtare, për ligjet e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1990-ta nëse janë zbatuar në mënyrë “jo diskriminuese” kur kanë ndodhur proceset e transformimeve pronësore dhe integrimit të NSH nga Kosova me ato në Serbi, i jep shumë të drejta Serbisë. Ja pse:
Serbia së pari ka futur masat e dhunshme në shumicën dërmuese të NSH në Kosovë dhe ka përjashtuar nga puna menaxhmentin dhe punëtorët shqiptarë me shumicë. Nga gjithsej 164.000 punëtorë që vlerësohej se ishin të punësuar në sektorin shoqëror të ekonomisë së Kosovës në vitin 1989, vetëm ndërmjet vitit 1990 dhe 1992 ishin përjashtuar më shumë se 130.000, kuptohet, të gjithë shqiptarë. Deri në vitin 1993, masat e dhunshme ishin futur në 237 NSH (nga gjithsej 558). Në të njëjtën kohë, Serbia fillon ta plotësoj “vakuumin” e krijuar vetë, me punëtorë dhe menaxhment serb nga Kosova, Serbia, Bosnja, Kroacia, duke përfshirë këtu edhe disa serbë të ardhur nga Shqipëria (a iu kujtohet spikerja Rajmonda Kërxhiq në ish-TVP?). Një pjesë e punëtorëve shqiptarë nuk është përjashtuar dhe ka vazhduar të punojë në NSH gjatë viteve të masave të dhunshme, kryesisht kamerierët, pastruesit, punëtorët mekanik, rojet, dhe të tjerët në punët e ngjashme operative. Ka pasur edhe disa në funksione udhëheqëse si kukull. Derisa në njërën anë vazhdonte spastrimit etnik nga puna dhe ndryshimi i strukturës etnike, në anën tjetër nuk ka vërejtje në strukturën pronësore të NSH. Kishim të bëjmë vetëm me diskriminim në baza kombëtare dhe shkelje e te drejtave të njeriut, që do të thotë përjashtime arbitrare nga puna. Fatkeqësisht, ligji për AKP-në Nr. 03/L-067 i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 21 maj 2008, nuk ka të bëjë fare me këtë diskriminim. Ligji sikurse dy rregulloret paraprake për Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – AKM  (Rregullorja e UNMIK-ut Nr. 2002/12 dhe 2005/18) flasin për transformimet pronësore gjatë sundimit të Serbisë, e jo për diskriminimet më herët të te drejtave të njeriut. Përpos referencës ndaj Ligjit në Fuqi në bazë të te cilit AKP-ja zotohet se do të punoj (duke mos e ditur domethënien e tij), ja se çka tutje thotë neni 3 i Ligjit Nr. 03/L-067 te kapitulli i Përkufizimeve, për Transformimin (pronësor):

“Transformim” lidhur me personin juridik do të thotë cilado nga të mëposhtmet: bashkimi, transformimi, (ri-)regjistrimi, inkorporimi si shoqëri aksionare apo si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, si ortakëri apo si person tjetër juridik, ....ngjarje apo procesi tjetër përmes të cilit ndryshohen cilado nga të poshtëshënuarat lidhur me atë subjekt: identiteti ligjor, forma apo natyra, ose forma apo natyra e pronësisë apo kapitalit, selia, dhe nëse ngjarja apo procesi i tillë apo ndonjë pjesë e tij ka ndodhur në cilëndo kohë ndërmjet 22 Marsit 1989 dhe 13 Qershorit 2002”.      

Fjala e parë që haset në kuptimin e transformimit (gjithnjë sipas Ligjit për AKP-në) është bashkimi. Pas saj vjen transformimi. Në fjalinë e fundit jepet edhe periudha kohore (22.03.1989 – 13.06.2002) për identifikim më të lehtë se për cilin bashkim dhe transformim bëhet fjala, që saktësisht do të thotë se kemi të bëjmë me integrimet e NSH nga Kosova me ato të Serbisë, dhe transformimet e tyre pronësore (duke përfshirë edhe privatizimin) që i kishte bërë regjimi i Millosheviqit deri më 12 qershor 1999. Jo rastësisht, Ligji për AKP-në e zgjatë periudhën e transformimit pronësor deri më 13 qershor 2002, sepse në atë ditë ishte nxjerrë rregullorja e parë për privatizimin në Kosovë, ajo për themelimin e AKM-së. Nuk dihet arsyeja e zgjatjes së afatit kohor për kuptimin e transformimit prej 13 qershorit 1999 kur Serbia u largua nga Kosova (pjesërisht) deri më 13 qershor 2002, meqenëse kjo periudhë ka qenë boshe për transformimet pronësore dhe privatizimin e NSH. Apo, mos AKP-ja ka menduar se, nëse Serbisë nuk i ka mjaftuar koha për të bërë transformime pronësore në Kosovë deri më 13 qershor 1999, mund të llogarisë edhe në ndonjë transaksion pronësor në letër që ka mundur ta bëjë deri më 13 qershor 2002!? Kur jemi te letrat, duhet theksuar edhe djegien skandaloze të dokumenteve të rëndësishme rreth transaksioneve pronësore dhe privatizimit në Kosovë, që ndodhi në fund të muajit gusht 2008.
Krahas futjes së masave të dhunshme, Serbia nxirrte ligje për transformimin pronësor të NSH, siç ishte “Ligji mbi kushtet dhe procedurat për transformimin e pronës shoqërore në forma tjera të pronësisë” (Gazeta Zyrtare e RS të Serbisë Nr. 48, 05 gusht 1991). Vendimin për privatizimin duhej ta merrnin vetë ndërmarrjet. Kur ky ligj filloj të mbërrijë dhe të zbatohet në NSH të Kosovës, kishte domethënie të qartë; NSH ishin nën masat e dhunshme nga Serbia, me shumicën e punëtorëve shqiptarë të përjashtuar dhe numrin e punëtorëve serbë të rritur. Vendimet për format e integrimit të NSH me ndërmarrjet në Serbi dhe transformimin pronësor të tyre, dihej se kush i merrte. Pas hipërinflacionit të vitit 1993, qeveria e Serbisë më 1994 vendosi të ndal format e integrimit, transformimit, dhe privatizimit “vullnetar”. Prona shoqërore u transformuar në pronë shtetërore. Pas deklarimit të NSH-ve në Kosovë si pronë shtetërore (përfshirë këtu edhe Brezovicën) Serbia nxori ligjin mbi “Transformimin pronësor” (Gazeta zyrtare e RS Nr. 32/97) më 21 korrik 1997, i cili jepte kornizën e privatizimit të pronës (tani) shtetërore. Ligji si ligj nuk diskriminonte askënd. Madje, nëse u kujtohet, ish-shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Xholi Dikson (tani më duket se punon si përfaqësues i UNMIK-ut ose ndonjë organizmi ndërkombëtar për Kosovën në Beograd) kishte rekomanduar se, në mungesë të ligjit për privatizimin e NSH-ve në Kosovë, UNMIK-u mund ta zbatonte atë ligj të Serbisë. Ç’është e vërteta, ligji serb ishte jo diskriminues, porse në kohën kur ishte nxjerrë dhe po zbatohej (korrik 1997 – qershor 1999) në Kosovë, i bënte pronarë dominues të NSH menaxhmentin e masave të dhunshme dhe një numër të rritur të punëtorëve serbë që ishin punësuar pas largimit të shqiptarëve me shumicë në fillim të viteve 1990-ta. Këtu gjendet sekreti publik i Ligjit në Fuqi në Kosovë. Nëse bëni pyetjen se a ishte ligji serb i transformimit pronësor i vitit 1997 (dhe deri diku edhe ai i vitit 1991) diskriminues dhe a është zbatuar në mënyrë diskriminuese kundër shqiptarëve, përgjigja është jo. Diskriminues mund të jetë vetëm fakti se mjetet nga shitjet e aksioneve të ndërmarrjeve duhej të shkonin në fondet e ndryshme të Serbisë, të cilat nuk do t’i kishin interesuar shumë punëtorëve, qofshin serbë apo shqiptarë, meqenëse si serbi ashtu edhe shqiptari duhej të paguanin për aksione që të bëhen pjesëmarrës privat në ndërmarrjet që privatizoheshin. Kjo do të ishte përgjigja e shkurtë për hutinë që kanë shumë njerëz se a ishin ligjet serbe të transformimit pronësor në Kosovë diskriminuese dhe a janë zbatuar në mënyrë diskriminuese.

2.2. (Keq)kuptimi i legjislacionit dhe gjendja në terren

Gabimi trashanik në legjislacionin e Kosovës me të cilin (ç)rregullohet privatizimi, është referenca ndaj “Deklaratës universale për të drejtat e njeriut” kur merr për bazë ligjet e Serbisë që zbatoheshin në Kosovë gjatë viteve 1990-ta. Kur Ligji në Fuqi në Kosovë mbështetet në këtë Deklaratë duke e përmendur atë në kontekst të te drejtave të njeriut, e jo në të drejtat pronësore, atëherë fitohet përshtypja se me rastin e transformimeve pronësore të Serbisë në Kosovë kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave pronësore si dukuri e veçantë jashtë të drejtave të njeriut. Ligji në Fuqi i mban si të ndara të drejtat pronësore nga të drejtat e njeriut. Në fakt, ashtu edhe janë. Nëse ia jepni për shqyrtim ligjin serb të vitit 1997 mbi transformimin pronësor dhe privatizimin në Kosovë ndonjë eksperti ligjor të huaj, ai/ajo do t’iu tregoj se aty nuk ka kurrfarë diskriminimi ose shkelje të te drejtave të njeriut. Nëse kthehemi në praktikën e atij ligji, vërtetohet se zbatimi i tij është bërë në mënyrë jo diskriminuese. Mirëpo, këtu ekziston thelbi i problemit me Ligjin në Fuqi. Siç e theksuam jo vetëm një herë, Serbia në fillim ka bërë spastrimin e shumicës së NSH nga menaxhmenti dhe punëtorët shqiptarë duke i zëvendësuar ata me serbë. Mandej ka kaluar në transformimin e pronës, integrimin e NSH me ndërmarrje në Serbi, dhe privatizimin. Të gjitha këto thuhet se janë bërë në përputhje me ligjet e atëhershme, madje duke ua dhënë mundësinë ndërmarrjeve të zgjedhin për format e transformimit pronësor, integrimit me ndërmarrje tjera dhe privatizimit. Meqenëse NSH në Kosovë pas futjes së masave të dhunshme qeveriseshin nga serbët dhe ishin në duar të tyre, atëherë rezulton se transformimet pronësore dhe privatizimi në Kosovë janë bërë në mënyrë jo diskriminuese. Deklarata universale për të drejtat e njeriut nuk ka se çka të thotë në këtë drejtim. Asaj mund t’i referohemi në rastet e torturave ndaj shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit, por kjo është diçka tjetër dhe e ndarë nga ligjet serbe për transformimin pronësor. Fatkeqësia e AKP-së dhe e Kuvendit të Kosovës është se vazhdojnë ta ngatërrojnë çështjen e të drejtave pronësore me të drejtat e njeriut. Serbisë tani po i interesojnë të drejtat pronësore, e jo të drejtat e njeriut. AKP-së dhe Kuvendit të Kosovës po i intereson a janë shkelur të drejtat e njeriut kur janë bërë transformimet pronësore në Kosovë nga Serbia. Nëse po, atëherë për këtë duhet të ankohen më shumë serbët, sepse ata ishin shumica dhe udhëhiqnin me NSH në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të viteve 1990-ta. Nëse një numër i madh i NSH nga Kosova janë integruar me ndërmarrje në Serbi, atëherë këtu nuk ka pasur shkelje të drejtave të njeriut, sepse, për integrim ka vendosur vetë ndërmarrja në Kosovë e udhëhequr nga serbët. Kështu AKP-ja dhe Kuvendi i Kosovës bien pre e manipulimeve ligjore duke u thirrur në ligjet e Serbisë se a kanë qenë diskriminuese apo jo, dhe nëse janë zbatuar në formë diskriminuese, por duke mos lejuar sqarimin e shkaqeve dhe pasojat që i kanë lënë sot e kësaj dite ato ligje pas futjes së masave të dhunshme. Ligji në Fuqi niset nga një pikë e caktuar dhe aspekte të caktuara, d.m.th. natyrën ose përmbajtjen e ligjeve të Serbisë dhe mënyrën se si janë zbatuar ato, por anashkalon qëllimshëm veprimet në terren ose masat e dhunshme. Kur krijohet ky realitet i ri në NSH, atëherë nuk ka arsye pse të mos ketë ligje jo diskriminuese, demokratike, madje edhe simpatike. Dhe këtu vijmë te fokusi i problemit për rastin e Brezovicës – gjendja në terren.
Pavarësisht se kontrollin në terren ndaj Brezovicës e kanë serbët dhe mangësitë serioze në ligjin e privatizimit i cili në një far forme i pranon transformimet pronësore të bëra nga Serbia, AKP-ja vazhdon marketingun e saj për pengesat “teknike” rreth privatizimit të Brezovicës. AKP-ja e sheh privatizimin e Brezovicës si obligim Kushtetues që rrjedh edhe nga Plani i Ahtisaari-t, porse harron çka thotë Plani i Ahtisaari-t më në detaje te kapitulli për decentralizimin, vetadministrimin e komunave serbe, lidhjet e tyre horizontale që duhet t’i kenë ndërmjet vete, dhe lidhjet vertikale me Beogradin. AKP-ja e di se Plani i Ahtisaari-it qëndron mbi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kësaj po ia shtojmë edhe Ligjin në Fuqi që lidhja të bëhet më e fortë, sepse në këtë po insiston AKP-ja dhe Kuvendi i Kosovës. Atëherë, mos është duke na dalë misioni i AKP-së fantazmë?
Nëse është në pyetje vetëm shitja e Brezovicës sa për të thënë se ne (AKP) po e bëjmë, këtë mund ta bëjë Serbia më shpejt dhe pa problem. Nuk ka kurrfarë rëndësie për Kosovën se a bënë privatizimin Serbia apo AKP-ja. Pse? Sepse sipas ligjit, mjetet nga shitja nuk kanë destinim të caktuar nëse shitjen e bënë AKP-ja. Gjithashtu, AKP-ja dhe Oda Speciale kanë treguar një mospërfillje të lartë ndaj ndarjes së 20 përqindëshit punëtorëve në NSH që janë shitur deri më sot. Edhe ky problem e ka burimin te Ligji në Fuqi që krijon paqartësi se cili punëtor mund të jetë i përzgjedhur ta marrë 20 përqindëshin. Këtu tani është rasti ta përmendim Deklaratën universale për të drejtat e njeriut. Sepse, ligji për AKP-në është një ligj diskriminues që është zbatuar dhe vazhdon si i tillë në mënyrë diskriminuese. Adresa e ankesës tani është AKP-ja, Oda Speciale, e sidomos Kuvendi i Republikës së Kosovës që e nxori këtë ligj pas shpalljes së pavarësisë. Blerësve privat mund t’ia shes Brezovicën edhe Serbia. Për juve si blerës, nuk ka rëndësi a ia paguani paratë Serbisë apo AKP-së. Nëse ia paguani AKP-së, ato para mbahen të ngrira ose deponohen jashtë Kosovës, kërkesat e çfarëdoshme kreditore ndaj Brezovicës që mund t’i paraqes çfarëdo ndërmarrje nga Serbia duhet paguar nga fondi i AKP-së, dhe nëse mjetet nga shitja e Brezovicës nuk mjaftojnë për shlyerjen e atyre kërkesave (pavarësisht në formën dhe mënyrën si janë krijuar), atëherë duhet paguar nga mjetet e shitjes së ndërmarrjeve tjera në Kosovë, për shembull të Hotelit Grand.
Problem i ngjashëm me privatizimin e Brezovicës do të jetë edhe rasti i kompleksit Trepça dhe disa ndërmarrjeve tjera nëpër enklavat serbe brenda Kosovës. AKP-ja le të thirret në mandatin e saj për privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve që gjenden në territorin e Kosovës, ndërsa enklavat serbe le të thirren në Ligjin në Fuqi, kontrollin në terren, Planin e Ahtisaar-it që i bënë komunat me shumicë serbe mini-shtete brenda Kosovës me bekimin e askujt tjetër pos politikës zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të saj absurd dhe të dëmshëm. Kuvendi gjoja sipas nenit 65.1 e paska kompetencën e nxjerrjes së çfarëdo ligji. Nëse kjo është e vërtetë, kush e ndalon Kuvendin të nxjerrë ligje më të mira për të na nxjerrë nga gjithë kjo turbullirë e privatizimit? Mos të harrojmë se po ky Kuvend që ka nxjerrë ligjin për AKP-në, nuk e njeh privatizimin e rregullt të disa ndërmarrjeve nga rajoni i Gjakovës që është bërë në fillim të viteve 1990-ta me ligjin federativ, i njohur si Ligji i Markoviqit, i cili ishte në fuqi për tërë Jugosllavinë. IRJ e Maqedonisë, përkundër se ishte shtet i pavarur dhe kishte nxjerrë ligjin e vetë të privatizimit më 1993, ka vazhduar dhe lejuar privatizimin e NSH sipas ligjit të Markoviqit deri më 1995. Por Kuvendi (absurd) i Kosovës dhe fantazma AKP nuk i njohin privatizimet e rregullta me ligje demokratike si ai i Markoviqit; i njohin në heshtje ligjet e Millosheviqit për transformimin pronësor dhe privatizimin nga Serbia në Kosovë. Kuvendi në ligjin për AKP i njeh në heshtje ligjet e Serbisë dhe zbatimin e tyre, duke u munduar të na hedh pluhur syve me shprehjet si “nëse nuk ka qenë diskriminues”, “nëse është zbatuar në mënyrë jodiskriminuese”, “dhe”, “ose”, “nëse”, “Deklarata universale..”, “konventat si vijon”, u budallallëqe tjera që u ka dalë boja.   

3. Përfundimi

Sa herë u ka ndodhur t’iu interesojnë problemet e privatizimit në Kosovë, më së shumti keni hasur në qëndrimet zyrtare të asaj forme që lënë përshtypjen se vështirësitë e “papritura” janë të rastit ose pikin nga qielli si probleme teknike. Në fakt, nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kështu. Pse ndodhin gjithë këto vështirësi, pengesa dhe të papritura gjatë procesit të privatizimit dhe pas tij, sidomos kohëve të fundit me rastin më të theksuar, atë të Brezovicës? Përgjigja e duhur dhe më e plotë ishte a pamundur të sigurohet nëse nuk kthehemi prapa në kohë ta kuptojmë gjenezën e problemit.
Kombinimi i shumë faktorëve, rrethanave, ngjarjeve, legjislacionit, institucioneve, kompetencave, qasjeve, interpretimeve, këndvështrimeve nga aktorë të ndryshëm,  përkatësisë etnike, dhe perceptimit të problemeve, ka sjellë deri të vështirësitë dhe pengesat e pritura në privatizimin e Brezovicës, dhe do të sjellë edhe te NSH tjera nëpër enklavat serbe të Kosovës. Vonesat dhe pengesat në privatizimin e kompleksit të Brezovicës janë rezultat i problemeve të trashëguara nga AKM-ja në AKP pa ndonjë ndryshim të theksuar. Ato janë të lidhura me legjislacionin e privatizimit në Kosovë, ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, dhe mbi të gjitha, gjendjen në terren ku kontrollin ndaj kompleksit e kanë serbët. Edhe pse ndërmarrja në fjalë është në territorin e Kosovës, kontrolli faktik në terren krahas zbrazëtirave dhe paqartësive juridike, kanë sjellë të këto mosmarrëveshje të pritshme. Asgjë nuk është e rastit në pengesat që po i hasim sot derisa AKP-ja nuk merret me origjinën e problemit dhe t’i qaset zgjidhjes së tij nga substanca.
Tani në teori jemi shtet i pavarur dhe do të ishim në gjendje të nxjerrim çfarëdo ligji. AKP-ja po e thotë këtë duke u mbështetur në nenin 65.1. të Kushtetutës së Republikës dhe kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Por ka disa pengesa siç është Plani i Atisarit (Ahtisaari), i cili AKP-në e ka paraparë si vazhdimësi të AKM-së. AKP-ja nëse është e kufizuar të ndërmarrë diçka më shumë, së paku mund të bëjë disa zgjidhje juridike që të tregoj se kompetencat e saj brenda territorit të Kosovës janë më të mëdha se të paraardhëses së saj. Në këtë pozitë çfarë është sot AKP-ja, duhet të marrë pëlqimin nga Beogradi dhe komuniteti serb në komunën e Shtërpcës për privatizimin e Brezovicës. Kështu AKP-ja na del si një institucion me kompetenca më të vogla se të Beogradit dhe komunitetit serb në Kosovë në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore nëpër enklavat serbe, çka teorikisht nuk do të duhej të ishte. Me këtë vërtetohet se Brezovica ka qenë më lehtë të privatizohet nën administrimin e UNMIK-ut kur filloj procesi i privatizimit, se që është tani kur jemi shtet i pavarur. Në vend se të ndodhte e kundërta, ky paradoks nuk kërkon përgjigje rreth shkaqeve sa kërkon gjykim dhe llogaridhënie.
Sipas qëndrimit të AKP-së, privatizimi i Brezovicës është problem teknik. Kjo është e vërtetë. Të gjitha problemet teknike gjenden në Kuvendin e Kosovës dhe AKP. Ata mund të fillojnë zgjidhjen e tyre menjëherë. E vetmja pyetja për ta është: A nuk po doni, apo nuk po dini? Po ta lëmë me këto dy pyetje përmbylljen, lexuesit e zakonshëm do të thoshin se nuk ka pasur nevojë të shtohet kjo pjesa e dytë e pyetjes “apo nuk po dini” dhe vlen vetëm pjesa e parë, që do të thotë se, së pari nuk po duan. Kjo tash vetvetiu e nxjerr pyetjen “pse” (nuk po duan)? Përgjigja nuk nxjerr pyetje tjetër pos asaj që njëherë doli si pyetje, se “nuk po dinë”. Me gjasë, pavarësisht peshës së njërës ndaj tjetrës pyetje, përgjigja është – të dyja – edhe  nuk po donë, edhe nuk po dinë.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora