E hene, 06.04.2020, 10:12 AM (GMT+1)

Editorial

Gjon Keka: Trazimi i martesës politike

E diele, 27.12.2009, 08:59 PM


Trazimi i martesës politike

Nga Gjon KEKA

Ngjarjet që lamë pas në këtë fundvit janë përcjellë me një atmosferë jo edhe aq të këndshme, duke ditur se proceset politike në shtetin mbikëqyrur të Kosovës kanë prodhuar më shumë drama shekspiriane dhe lojëra tetatrale politike, mjaft të rrezikshme që nga njëra anë i kanë lëkundur rrënjët e demokracisë, ndërsa në anën tjetër i kanë shkundur në tërësi elementet e inxhinierisë politike dhe të institucioneve të reja të ndërtuara me mjaft mund dhe sakrificë se sa që kanë prodhuar aftësi të shtetndërtimit, avancimit të shtetit juridik e modern, si dhe futjes së rrënjëve të demokracisë në jetën institucionale e shtetërore. Kështu që procesi i shtetndërtimit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë para një vit e ca ka ecur nëpër rrugë mjaft me gurë që hidhnin pushtetarët nga epshi i tyre më shumë për pushtet se sa për ndërtim të shtetit demokratik, modern dhe aspirues në rrugën e integrimeve euroatlantike. Prandaj në këtë mënyrë mund të nënvizohet se gjatë këtyre viteve që lamë pas janë anashkaluar vendosja e një demokracie të brendshme institucionale e shtetërore, janë anashkaluar punët në forcimin e rendit dhe të shtetit juridik, pastaj janë lënë anash problemet sociale dhe ekonomike, si dhe nuk janë hequr qafe fenomenet siç janë: korrupsioni, krimi i organizuar dhe rreziku nga terrorizmi.

Premtimet dhe shpresat e rrejshme

Gjithashtu në vitin që po lëmë pas janë shfaqur edhe disa probleme politike të brendshme, të cilat kishin zanafillën nga premtimet dhe shpresat e rrejshme të krijuara para dhe pas pavarësisë nga liderët shtetërorë se pavarësia ishte problemi kyç dhe se më pastaj do vijë parajsa dhe se punët, shteti dhe e ardhmja do të ndërtohej më ‘shkop magjik’, por ata nuk kishin menduar se përgjegjësit për ndërtimin e shtetit janë përgjegjësi kombëtare e shtetërore që duhet kryer me dinjitet e moral të lartë politik e kombëtar, pa marrë parasysh dallimet politike brenda partiake dhe koalicioneve të panatyrshme, si dhe një fushë të tërë punësh që kishin mbetur në letër dhe në gojët gënjeshtare të liderëve politikë të Kosovës edhe në këtë fundvit. Prandaj, Kosova për shkak të mospunës së institucioneve qeverisëse mbeti pjesë e pritjes edhe shumë vjet e procesit të integrimeve euroatlantike, e që në bazë të punëve që janë bërë nga ana e institucioneve të Kosovës ajo mund të hyjë në procesin e integrimeve evropiane aty afër vitit 2015 e tutje. Këto dhe shumë probleme të tjera kanë penguar proceset e shtetndërtimit dhe kryerjes së disa punëve të shtëpisë që ishin të obligueshme dhe të rëndësishme për proceset e gjithëmbarshme të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe proceseve të ardhshme të integrimit në unionin evropian. Pastaj së fundi edhe përkundër moszbatimit të Kushtetutës në tërësi për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme sipas Kushtetutës dhe pakos finale të emisarit Marti Ahtisari, u vendos që në një mënyrë apo tjetër të njolloset demokracia e re dhe të mbyllet fryma e pluralizmit politik e demokratik dhe dhënies së hapësirës popullit për ta ndier nevojën e ndryshimeve, kjo rrugë e zgjedhur si një kompromis minimal me partitë e tjera politike nga ana e institucioneve të shtetit të mbikëqyrur për mbajtjen vetëm të zgjedhjeve lokale e largoi syrin e popullit drejt ndryshimeve të mëdha dhe nevojës për të aplikuar për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, demokracinë e drejtpërdrejtë dhe për ta shfaqur në tërësi funksionimin e saj si dhe për të parë ndikimin e oksigjenit shpirtëror dhe atij demokratik në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Nga kjo u vendos që zgjedhjet lokale të mbahen në nëntor respektivisht më 15 nëntor të këtij viti që po lëmë pas, prandaj zgjedhjet që u mbajtën në këtë nëntor dhe që vazhduan edhe më disa vende në balotazh disa javë më pas, respektivisht më 13 dhjetor, shpërfytyruan në tërësi krizën e brendshme politike dhe institucionale në mes të partive në koalicion, LDK-PDK. Këto zgjedhje si duket nxorën në pah karrocën e thyer që në fillim të martesës së pazakonshme të këtij koalicioni, por që sheshit do dilte vetëm në këto zgjedhje që ishin minimalisht demokratike, me një kulturë politike tepër të vogël, si dhe me një fjalor politik të paedukuar dhe të papërmbajtur nga ana e partive politike. Edhe pse këto zgjedhje u mbajtën për herë të parë që nga deklarimi i pavarësisë së Kosovës, ato më shumë i ngjanin një teatri politik dhe një drame që luanin partitë politike në koalicionin qeverisës, duke deformuar kështu proceset politike dhe demokratike si dhe duke humbur imazhin e të qenit zgjedhje historike e demokratike, thjesht ato u shndërruan në zgjedhje e më të fortit apo zgjedhje që prodhojnë dhe provokojnë kriza institucionale e politike dhe që çojnë ujë në mullirin e trazimit të proceseve politike, por edhe të ndaljes së proceseve institucionale qeverisëse në mes të rrugës së divorcit, i parashikuar që në fillim të këtij koalicioni të paqëndrueshëm në thelb.

Drama e koalicionit

Ky teatër politik dhe kjo dramë e koalicionit qeverisës ishte mjaft komplekse, herë-herë e pakuptueshme, për shkak të krizës së brendshme politike e institucionale, gjë që kjo karrocë e martesës së pazakonshme ishte nisur që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me thyerje të brendshme, e që shtynin proceset me bërryla dhe që mbanin martesën e pazakonshme vetëm sa për të shijuar sa më shumë pushtetin dhe majën e tij. Mirëpo, këto lojëra teatrale që kishin filluar nga institucionet dhe qeverisja e koalicionit për çdo ditë i zhvishte nga prapaskena dhe i vinte në skenë e vërteta ashtu që kjo lloj martese politike të shpaloste fytyrën e saj të plotë.
Në kuadër të kësaj mund të thuhet se liderët politikë e institucionalë në mënyrë të qartë e përcaktuan dhe i vënë emrin proceseve politike shtetërore si liderë politikisht të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm ndaj proceseve politike të Kosovës drejt shtetndërtimit dhe rrugës së proceseve të integrimit në familjen evropiane. Kështu që këto zgjedhje treguan në mënyrë të qartë se viti i ardhshëm do jetë vit i zgjedhjeve të mundshme të parakohshme, pastaj si një vit shumë i ngarkuar dhe me ndryshime të mëdha në skenën politike e institucionale të Kosovës, si dhe një vit syçelje ndaj ngjarjeve të tjera që do pasojnë me zbardhjen e shumë çështjeve të brendshme politike në Kosovë.
Sidoqoftë gjatë kësaj kohe kishim edhe vënien në peshore të deklarimit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe aty u pa qartë se e vërteta historike dhe deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë më të drejtën ndërkombëtare, respektivisht të drejtën e popujve për vetëvendosje. Të vërtetën historike dhe vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur nuk mund t’ia heq askush dhe asgjë, kjo është e drejtë thelbësore e kombeve dhe popujve. Ky proces tregoi qartë se Kosova ka të drejtë dhe nga kjo mund të thuhet se është ngritur një shkallë e re besimi e shteteve të tjera që kanë qenë në pritje apo edhe atyre që tanimë e shohin si një realitet historik, praktik dhe të legjitimuar deklarimin e pavarësisë së Kosovës dhe mendojnë të vendosin pas këtij procesi rreth aktit të njohjes së shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.
Dhe, krejt në fund, liderët politikë të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës duhet që ngadalë e të heqin dorë nga retorika dhe hiperbolizimet që bëjnë dhe të merren me substancën e institucioneve të shtetit, ta ndërtojnë shtetin juridik e modern dhe ta veshin atë me dinjitet dhe demokraci të shendosh, si dhe të punojnë shumë në trasimin e rrugës drejt proceseve të integrimit në bashkimin evropian. Po ashtu liderët politikë duhet që t’i heqin rrënjët në dëshirat dhe epshet e tyre nga pasioni për pushtet dhe t’i lënë rrënjët e demokracisë të futën në pushtetin shtetëror dhe në tërë sistemin institucional e politik të vendit, ashtu që të japë frytin e sa duke ditur se vetëm duke punuar me përkushtim dhe profesionalizëm në të mirën e të gjithë qytetarëve të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe rruga drejt të ardhmes më të mirë bëhet më e shkurtër, më e dukshme dhe më e afërt. Gjithashtu liderët politikë nuk duhet të mendojnë si një elefant në mesin e qytetarëve të saj dhe vullnetit të tyre, por të thirren dhe të marrin çdoherë mendimin dhe vullnetin e popullit të Kosovës, sepse vullneti i popullit është i vetmi vullnet legjitim dhe i pranueshëm nga të gjithë, si brenda ashtu edhe jashtë. Shëndeti i demokracisë dhe i tërë popullit të Kosovës varet nga lëvizjet e politikës dhe të zgjedhurve se në që drejtim janë duke e quar anijen dhe mbi ç’shina ecin ato, duke ditur se efikasiteti i politikës institucionale të shtetit ka dy hallka të pandashme; atë të efikasitetit të brendshëm-besimi se mund të arrijnë të kuptojnë punën, përgjegjësit dhe influencën e politikës shtetërore në mënyrë demokratike e të shëndosh dhe efikasitetit të jashtëm- besimin se Qeveria dhe institucionet në përgjithësi të shtetit do t’i përgjigjen kërkesave dhe detyrimeve shtetërore. Liderët politikë nuk duhet t’i ngjasojnë liderëve të verbër që përmbytin ardhmërinë e shtetit me duart e tyre, por liderëve largpamës, vizionarë, që ndërtojnë dhe kanë ambicie të shëndosha për ta çuar shtetin e mbikëqyrur të Kosovës drejt rrugës së duhur të progresit dhe proceseve të integrimit në sistemin e vlerave evropiane.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT