E enjte, 25.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Nazmi Seitaj: Genci dhe Vilsoni - Një ditë vjeshte në Bërzeshtën e poetëve martirë

E diele, 27.12.2009, 07:59 PM


Genci dhe Vilsoni: Një ditë vjeshte në Bërzeshtën e poetëve martirë

Nga Nazmi Seitaj

Makina ndaloi tek Rrapi i Bërzeshtës. Po bëhen pesëmbëdhjetë vjet që nuk kam ardhur në këtë vend dhe kam shumë emocione. Erdha së bashku me gazetarin, telekronistin dhe kameramanin Taulant Ceka për të realizuar një dokumentar për poetët martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Më erdhi ndërmend ajo kohë e shkuar dhe e largët kur poetët e ëndshëm të Bërzeshtës më prisnin përherë me dashuri dhe bujari teksa talenti i tyre në artin poetik, mençuria dhe delikatesa e tyre të preknin në shpirt dhe të linin mbresat e një Moxarti të qeshur që me muzikën e tij të mbush në zemër me tërë diellin gazmor të tingujve që shpërthejnë nga zemra e një njeriu me ndjesi të mëdha.
Sapo zbritëm nga makina, Taulant Ceka që shkelte për herë të parë në Bërzeshtë u impresionua nga ai rrap monumental, ndaj nxori kamerën duke ardhur rrotull trungut të tij e duke filmuar me kujdes e me merak si për një madhështi që rrallë të jepet rasti në jetë për ta parë.
Ishin ditët e fundit të nëntorit e megjithatë dielli ndriçonte ëmbël e ngrohtë. Vjeshta e vitit 2009 praroi gjatë me arin e gjetheve ndër drurë ngaqë të ftohtit dhe bryma u kursyen në këtë stinë të bukur dhe të dashur të poetëve tanë martirë që u kënduan me aq dashuri me ato vargje poezie të cilat i ruanin me dhimbsuri brenda shpirtit të tyre...
Donim të xhironim sa më shumë por dhe sa më shpejt se dita ishte e shkurtër dhe dielli në Bërzeshtë fshihet herët prapa malit të Krastës përtej shkëmbenjve të hirtë të saj, por edhe gotat e rakisë të shoqëruara me fruta molle e arra nën kurorën e rrapit që na afroi një fshatar nuk mund ti linim gjatë aty. U ulëm, ngritëm gotat dhe uruam njëri tjetrin. Sapo ktheva gotën ndjeva shijen e rakisë së kumbullës, shije kjo karakteristike e rakisë së Bërzeshtës dhe atëherë solla ndërmend atë kohë të shkuar kur poetët ishin gjallë dhe ne uleshim të pinim pak por të lexonim shumë. Genci ishte një këndonjës që ligjëronte aq sa na rrëmbente me atë zë të ëmbël si violinçeli dhe ne e linim mënjanë shishen e rakisë. Hygoi, Gollsuorthi, Barbysi e Paustovski na bënin të harronim gjithçka.
- I mban mend poetët?- e pyeta fshatarin, një burrë i qeshur që rrezatonte në sy mirësi.
- Kam qënë shumë i vogël, - na tha ai, - vetëm Gencin mbaj mend pak, si në ëndërr e si në mjergull duke shkundur arra. Vinte pak i gjatë dhe i hollë, kështu më kujtohet.
Vështrova fshatin përreth me mall. Shtëpinë e Vilsonit edhe pse nuk dukej e kishim aty pranë si nja njëqin hapa larg duke ecur përgjatë çezmave të rrapit në një shteg të shulmë, ndërsa shtëpia e Gencit paksa larg rrapit e në qendër të fshatit ishte rrënuar e nuk shihej më. Vetëm një fragment i vogël muri i mbetur te njëri kënd i shtëpisë mezi shquhej. Më pushtoi një brengë e thellë aqsa nuk pata guxim të pyesja për manin e vjetër nëse kishte mbetur apo jo në krye të oborrit. Por, me sa dukej, ai dëshmitar i moçëm nuk qëndronte më në këmbë përndryshe do ti shihja gjethet e tij të arta. Ngrita kokën lart dhe vështrova kurorën e madhe të rrapit. Gjethet e tij ishin vyshkur të tëra në ngjyrën e ndryshkut të vjetër të hekurishteve. Ngrica e parë sapo të bjerë do ti rrëzojë të tëra njëherësh gjethet dhe rrapi i madh do të presë i qetë dëborën e dimrit. Por ende ishte një vjeshtë e butë e ngrohtë dhe po aq e butë e ngrohtë e paqësore ishte Bërzeshta. Kohët kanë ndryshuar, Bërzeshta nuk ka si të jetë më e vrazhdët e egër dhe armiqsore për njerëzit e truallit të saj. Ja, për këto ditë të ngrohta e paqësore patën ëndërruar poetët dhe për këtë ata i vranë. Ajo ishte një vrasje makabre e pushtetarëve që donin të mbanin themelet e ndërtesës së tyre me gjak martirësh por ja që ata nuk e mbajtën dot atë se ngadhnjimi i shpirtrave të tyre të mëdhenj i mposhti ata. Martirët ishin drita ndërsa pushtetarët e zinj ishin errësira. Drita triumfon gjithmonë mbi errësirën dhe dielli i lirisë në botë pushton hapësira të mëdha. “Simfonia e Nëntë e Beet’hovenit do të na thërrasë gjer në fund për lirinë e përbotëshme.” (kështu shprehej G.Leka duke dëgjuar atë sinfoni në 200 vjetorin e lindjes së L.V.Beet’hovenit) Këtë poetët tanë martirë e kanë ditur shumë mirë ndaj e ëndërronin lirinë me shpresa të mëdha.
U afruam te shtëpia e Vilsonit, hapëm trinën e gardhit dhe hymë në oborr. Taulantit iu drodh kamera në dorë. Ajo ndërtesë e lashtë, e gurtë, e lartë e fortë dhe e bukur kishte mbetur e braktisur dhe me tërë bardhësinë e hershme të gëlqeres dhe shndritjen e diellit mbi të prapë se prapë shfaqej brengshëm pikëllimi i thellë i vetmisë së saj...
I erdhëm rrotull shtëpisë duke filmuar dhe në një moment ndaluam aty në anën e prapme të saj. Nën këmbët tona kërcisnin arrat e rëna nga degët e një peme. Vështruam lart dhe pamë kokrrat e arrave me ato lëvozhgat e hapura e krejt të thara nga koha e më të shumtat të rëna në tokë.
-Pa shiko se çfarë arrash,- më tha Taulanti,- askush nuk është kujdesur që ti vjelë,- Ja, kësaj i thonë braktisje e shtëpisë....
Si zumë të çanim e të hanim disa arra m’u kujtua Vilsoni kur nxirrte arra nga xhepi i tij dhe mi jepte që ti çaja. Dhe ja sesi Vili i dashur po na gostiste përsëri me arra aty te shtëpia e tij...
Donim të hynim brenda në shtëpi e të filmonim ato dhoma ku Vilsoni kishte lindur, ishte rritur e kishte kaluar atë jetë të shkurtër që ja ndërprenë...Por dera e madhe ishte e zënë. Atëherë aty në katin e parë nga një dritare e hapur dhe me xhama të thyera hodhëm sytë të shikonim dhomën e bibliotekës ku Vilsoni mbante librat e tij të shtrenjtë. Por në ato mure të zhveshura nuk kishin mbetur tjetër përveç vrragave që lë shiu kur bie me rreshkë nga çatija e me rrasat e rëna të gurëve nëpër trarët e kalbur.
E vështrova me një ndjenjë të trishtë atë dhomë të zbrazur nga ato libra që Vilsoni i kishte mbledhur me mundin e një kërkuesi ari në Alaskë dhe që pastaj disa nga ato ja sekuestruan agjentët e sigurimit të diktaturës komuniste. Shumë libra të tjera Vilsoni i groposi që ti fshihte por mjaft nga ato ju dëmtuan se u kalbën në dhe. Së bashku me ato libra Vilsoni mund të ketë groposur edhe krijime të tija origjinale apo përkthime që nuk kanë qenë të pakëta. Por disa nga ato edhe mund ti ketë vetasgjësuar se siç më ka thënë Genc Leka në takimin që kam bërë me të për herë të fundit, dy muaj para se ta arrestonin. Disa fletore me poezi e përkthime Vilsoni i kishte vendosur nën një tavolinë mesi, në dhomën e pritjes dhe atyre që e kontrolluan as që u vajti mendja të shihnin se çfarë kishte nën atë tavolinë. Por ato krijime apo përkthime që i shpëtuan kontrollit edhe mund ti ketë groposur së bashku me librat nëpër thasët e kauritit e që mandej pas pesëmbëdhjetë vjetësh kur i nxorën nga dheu i gjetën të dëmtuara. (Për fshehjen e librave nën dhe më ka treguar mbas shembjes së diktaturës, një nga kushërinjtë e Vilsonit, Mit’hat Blloshmi nga Bërzeshta. Veç kësaj Mit’hati më dëshmoi se: Vilsonit pas kontrollit që i bënë agjentët e sigurimit, ne të afërmit e tij duke parë se po i rrezikohej koka, i thamë që të arratisej por Vilsoni na tha “Tani është vonë dhe nuk janë të pakët ata që më përgjojnë dhe më ruajnë”. Këtë firo në krijimtarinë Vilson Blloshmit unë e vë re duke bërë krahasimin midis atyre poezive që kam parë nëpër fletoret e tij e ato bëheshin shumë. Vetëm essetë e Viktor Hygoit nga vepra e tij monumentale: “ Literaturë dhe Filizofi e përzjerë “ e cila në një kapitull të veçantë përfshinte gjenitë ; Dante, Servantes, Eskil, Shekspir, Beet’hoven e sa e sa të tjerë të cilët pena e poetit të ri shqipërues Blloshmi i pati përkthyer me një përkushtim të jashtëzakonshëm, pra vetëm këto shqipërime nga V.Hygo do të rroknin një vëllim të tërë. Dhe kështu duke bërë krahasimin me ç’ka patur e ç’ka mbetur duket sheshit se nga tërë ajo krijimtari e vrullshme dhe e begatë e poetit Blloshmi pak kanë shpëtuar. Por edhe nga biblioteka e tij e mbetur sot, ato më të mirat libra do të jenë asgjësuar.
Që nga ato ditë vjeshte të vitit 1975 kur Vilsoni u martua ishin bërë plot 34 vjet që nuk kisha ardhur në atë shtëpi. Edhe atëherë erdha fshehtas, natën me Gencin dhe kjo shtëpi ishte plot me njerëz. Ndërsa tani pas kaq vitesh në këtë ditë me diell e me një vjeshtë kaq të praruar më bëhej se do ta gjeja aty sërish Vilsonin me një larus të madh në duar...Ndërsa Genci që ecte përpara meje në atë shteg të ngushtë më thoshte: “Shiko sesi shkëlqejnë njësoj dielli dhe liria dhe ne po shkojmë te Vilsoni në mes të ditës. I thyemë prangat dhe burgjet e shpirtit pluhur i bëmë...” Por kjo nuk qe veçse një ëndërritje. Dielli dhe liria shkëlqenin vërtetë por poetët nuk ishin më aty dhe nga ajo shtëpi e bardhë dhe e braktisur më bëhej se dëgjoja Rekuiemin e Moxartit me tingujt e tij tronditës që rrëfenin brengën e mortit të poetëve martirë teksa shpirtrat u shndrijnë e ngadhnjejnë nëpër vargjet e tyre...
Mbi shtëpinë e Vilsonit po zbrisnin nga mali ca kuaj të ngarkuar me lende lisi të prera. Dimri është afruar në prag të derës dhe fshatarët stivosin drutë nëpër oborre. Dimri, dëbora, të ftohtit... Këto po mendoja ato çaste dhe më erdhi ndërmend një nga ato rrëfimet gjithë dritë e gjithë vuajtje të Vilsonit për të lexuar në gjuhën frënge shkrimtarët e tij të preferuar:
“Duke kërkuar herë pas here për të lexuar libra në gjuhën frënge arrita të gjej një burim tek një farmacist i vjetër në Korçë. Kuptohet që ai ruhet e nuk pranon ti venë në bibliotekë dosido ndaj i gjeta një të afërt t’i thoshte t’më pranonte në shtëpinë e tij. Flitet se ai ka studiuar në Paris madje dhe ka punuar atje për disa vite. U nisa për në Korçë në të të hyrë të shkurtit, binte dëborë e frynte me të madhe. Gjatë rrugës mardha se hipa në një karroceri skode të mbuluar me një mushama të çjerrë e gjithë vrima.
Makina më la pa arritur mirë në Korçë dhe mu desh të ecja gjatë më këmbë e nëpër dëborë gjersa arrita te ajo rrugicë e ngushtë që të çonte te shtëpia e farmacistit. Ju afrova portës dhe trokita. Nuk vonoi dhe portën ma hapi një djalë i gjatë e i bëshëm si nja tridhjetë vjeç a ndoshta pak më i madh dhe si t’ma dinte hallin më tha me pikëllim:
-Përse bre ke ardhur në këtë të ftohtë? Prej këtu je?
-Po ti cili je? -, e pyeta me dyshim,- i farmacistit je?
-E mo, i biri jam. Për te biblioteka ke ardhur? Ai i Goles je ti? Ja ku po të shikon babai nga dritarja, i ka thënë Golia për ty. - Farmacisti mi kishte drejtuar gjyslyket dhe nuk mi shqiste.
-Vetëm për këtu ke ardhur apo ke dhe ndonjë punë tjetër?- më pyeti sërish djali i farmacistit dhe ma bëri me dorë të hyja brenda.
-Vetëm për këtu, - iu përgjigja unë duke menduar se diçka nuk shkonte mirë.
-Po nga ke ardhur se nuk më the.
-Nga Qukësi.
-Bah, ç’paske bërë, - më tha ai me keqardhje,- po ku lexohet në këtë të ftohtë! I ke mendte ti ore?!
Aty për aty mësova nga i biri se farmacisti nuk kishte ngrohje në bibliotekë. Ruhej se i digjeshin librat. Më kishin thënë për të se ishte njeri i sertë, me huqe, koprac e ironik.
Farmacisti nuk ma ndau vështrimin dhe kur i vajta përballë më pyeti se nga vija e sapo i tregova se nga, ai më pa me një ftohtësi të tillë që më dha të kuptoja se asqë ja mbushja synë. Me sa kuptova ato që i kishte thënë Golia për mua nuk ia kishin mbushur mendjen.
Ai ishte një plak i hollë e i gjatë që i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Pasi ma dha dorën plogët e me përtesë më futi në bibliotekë dhe më tha të merrja për të lexuar ç’të doja. Bibliotekën e kishte vendosur në një dhomë të madhe në katin e dytë të ndërtesës. Raftet e larta të mëdha e të ndara nga njëra - tjetra ishin të njëllojta e të punuara nga një dorë mjeshtëri. Ato ishin të gdhendura, të lustruara të tëra, me kanata e me xhama që shkëlqenin nga pastëria. Çdo kanat kishte bravën e saj dhe të gjithë çelsat mbaheshin mbyllur në një sirtar të veçantë dhe ky sirtar kishte çelsin e tij dhe ky çelës mbahej gjithmonë në xhepin e farmacistit. Dukej qartë se biblioteka kishte një pronar të rreptë.
Në mes të dhomës ishte vendosur një tavolinë e gjatë rrethuar me karrike ku mund të uleshe e të lexoje sa orë që të doje e kë libër të doje ose mund të merrje disa libra njëherësh qofshin këto të vogla, voluminoze apo të serisë enciklopedike. Vetëm se një gjë ishte e prerë: për çdo orë leximi do t’i paguaje farmacistit dhjetë lekë dhe kjo nuk kushtonte pak.
Duke menduar se ç’farë libri të merrja më vajtën sytë tek përmbledhja e plotë e librave të Stendalit dhe mbeta aty. Të lidhura bukur, me kapakë të trashë e me varak të praruarë si prej ari. Sytë më bënin xixa, fytyra po më qeshte. Farmacisti mu afrua dhe më tha:
-Stendalin po shikon? Po a e di ti se cili është Stendali? - më pyeti me provokim.
- Stendali shkrimtar apo qyteti me emrin Stendal,- i thash unë duke i kujtuar qytetin e vogël sakson nga i cili Anri Bejli kishte marrë atë pseudonim.
Farmacisti u mvrejt dhe ngriti mbi hundë syzet me dorën e tij të thatë. U thye që me sulmin e parë ndaj u shmang paksa. U afrua te drirarja gjoja për të shtrënguar dorezën e saj ndërsa mendohej për ndonjë goditje tjetër. Jashtë nuk pushonte së rëni dëborë.
Në kohën që unë zgjodha tri libra dhe u ula ti lexoja farmacisti më tha:
-Unë po dal. Nëse të duhet ndonjë libër tjetër apo ke ndonjë problem, shtyp butonin e ziles elektrike këtu në anë të derës dhe unë vij menjëherë. Sot bën shumë ftohtë por ti je i ri... Edhe Stendali në Moskë, gjatë dimrit në fushatën e Napoleonit kur acari arrinte nën dyzetë gradë dhe zogjtë ngrinin në fluturim e binin në tokë, lahej, rruhej, vishej ëndshëm dhe ulej të shkruante. Edhe unë kur dua të studioj këtu vij e lexoj në të ftohtë se librat e këtyre rafteve nuk dalin kurrë nga pragu i kësaj dere e të lexohen në kuzhinë a gjetiu, nëpër pluhura e nëpër yndyrna. Libri nuk përdhoset.
Isha i lodhur nga rruga, i mardhur, i mpirë nga të ftohtit dhe pak i uritur e nuk dija si do të mund të lexoja aty aq gjatë. Si vallë nuk më thanë të ngrohesha paksa pranë stufës së tyre në kuzhinë apo të më sillnin aty për pakë ndonjë mangall, vetëm për pakë sa ta merja veten. Farmacisti më përmendi Stendalin e me këtë donte t’më thyente. Nëse unë nuk do ti rezistoja dot atij të ftohti ashtu si Stendali, atëherë farmaciti do t’më përcillte te shkallët me atë vështrimin e tij ironik e përbuzës dhe unë nuk do mund të vija herë tjetër në bibliotekën e tij aq të pasur me libra në gjuhën frënge që më lanë pa mend. Vendosa të rrija aty gjatë duke lexuar Andre Shenienë, Floberin dhe një vëllim nga një seri voluminoze e një enciklopedie muzike ku shkruhej për Bahun, Bramsin, Beet’hovenin, Berliozin, Bizenë e Busonin me të tjerë. Qëndrova aty gjatë gjersa u bëra kallkan dhe së fundi shtypa butonin e ziles elektrike. Farmacisti erdhi, hapi derën dhe më vështroi me vëmendje duke u munduar t’më gjente ndonjë shenjë pezmatimi a rraskapitje trupore nga cikna e dëborës që po drithmonte Korçën, por unë qëndrova e nuk e dhashë veten.
-U bënë plotë katër orë pa pesëmbëdhjetë minuta që po lexon,- më tha farmacisti duke më rrëfyer sahatin e tij të xhepit me kapakun që e mbante hapur, - dhe të bëjnë tridhjetë e shtatë lekë e gjysëm për t’më dhënë.
I dhashë në dorë dyzetë lekë kartëmonedha dhe nuk i pranova t’më kthente reston. Ai u mundua t’më buzëqeshte ashtu ftohtë e pa zemër po kur pa shikimin tim të rreptë, i ngriu në fytyrë një ngërdheshje e zbetë dhe e shëmtuar”.

Ata kuaj të ngarkuar me dru që më kujtuan dimrin dhe të ftohtin, më zgjuan edhe kujtesën për atë rrëfim të ndritur të Vilit dhe kjo më sëmboi në zemër. Ishte koha kur martirët vuanin për dritën e diturisë se ajo dritë ishte ajri i shpirtit të tyre, se ajo dritë ishte pulsi i zemrave të tyre.
Kuajt bënë teposhtë dhe ne morëm shtegun poshtë për te shtëpia e Genc Lekës. Taulant Ceka vështroi nga dielli dhe më tha të shpejtonim. Edhe për pak do të perëndonte. Edhe ne rendëm për te shtëpia e Genc Lekës... Por aty vetëm vendi ka mbetur se nuk ka më shtëpi. Askush nuk u kujdes që ta ruante atë shtëpi. Poetëve që do të vinë më pas kur të lexojnë vargjet e tij do t’u dhembë kjo. Lamë rrugën dhe u kthyem te shtegu mes gurëve të murnajave të ulëta e të lashta që na çonin te shtëpia e Gencit. Eca i ngashëryer gjer te trina e oborrit duke vështruar me dhimbje të madhe atë fragment muri që kishte mbetur nga ajo shtëpi e dhimbjeve të mëdha e ai kënd ishte vendi më i dhimbsur i asaj shtëpie. Aty Genci mbante sëndukun e librave, aty Genci mbante poezitë e tij, aty mbante tërë ato shkrime të studimeve shkencore për institutin e gjuhësisë.
Erdhëm gjer te trina...Por ç’them edhe unë...Aty nuk ka më trinë. Në vend të trinës kanë vënë një rrjetë teli që të mos hyjë njeri. Edhe mani i lashtë nuk ishte më aty. Nuk ishte më ai dëshmitar ku ne ishim parë për herë të fundit aty ku ishim përqafuar për herë të fundit dhe ishim ndarë për jetë të jetëve. Poeti nuk jeton më, shtëpia nuk jeton më, mani nuk jeton më, jetojnë vetëm kujtimet për poetin. Shpirti i tij ngadhnjen me dritën e diellit.
Taulanti nxori kamerën të filmonte. Filmoi atë fragment murnaje të mbetur shtëpije që nesër nuk do të jetë më...Filmoi oborrin, kopshtin e vjetër dhe hapsirën e largët qiellore mbi majëlartën e Shebenikut nga ku poetit i mbeteshin sytë duke vështruar yjet e ndritur në mbrëmjet e majit.
Taulanti uli kamerën, heshti dhe ra në mendime.
-Të kujtohet ndonjë poezi e Gencit?- më pyeti Taulanti pas pak.
U mendova dhe solla ndërmend një poezi të poetit që e ka shkruar në korrik të vitit 1966 dhe që e kam gjetur një vit më parë:

MBAS NDARJES

Ti ike larg si yll me vezullime
(Se tok me mua s’mund të rrije dot)
Ndaj si një plak që bie në mendime
Shtatori, hesht në fund të dhimbjes sime
Dhe brengat një nga një m’i zgjon me lotë.

Dikur do vij nga larg me plot dëshirë
Që të të hap ty zemrën përsëri
Sa këngë dridhen sonte në hapësirë,
Sa yje ndrisin sonte në errësirë
Në botë ka njerëz fort të mirë,
Por veç të tillë zemër s’ka njeri.

Ndër më të shtrenjtat këngë nëpër vite
Nga larg do të ndjesh veç zërin tim
Në shpirt të pastër do më kesh për jetë
Dhe do të këndosh me zemër siç din:
Ku je o dashuri e pashembullim?!

E citova atë poezi me zë të dridhur e me ngashërim ndërsa dielli kapërxeu prapa shkëmbenjëve të hirtë të Krastës. Nga shkëmbenjtë e përhirtë zuri të varej poshtë mugu gri si të sillte nga largësia e viteve atë brengë të thellë të poetëve që ata e derdhnin me dhimbje në vargjet e tyre për vjeshtën. Bashkë me mugun filloi të kumbonte era dhe atëherë mu bë se fëshfërinin gjethet e manit e megjithatë nuk e ktheve kokën prapa të shikoja prarimin e tyre...Le t’më drithmonin më mirë kujtimet e viteve të shkuara në atë mug mbrëmje e në atë mug jete...
Taulanti ecte përpara meje i kredhur në meditimet e filmit, në artin e tij të kamerës. Po largoheshim nga Bërzeshta të heshtur e të menduar, ndërsa kujtimi i poetëve më mbante aty e nuk donte të më lëshonte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora