E enjte, 18.04.2024, 03:18 AM (GMT+1)

Editorial

Sami Islami: Quo vadis politika shqiptare?

E shtune, 26.12.2009, 09:01 PM


QUO VADIS POLITIKA SHQIPTARE?

Nga Sami ISLAMI

Këto ditë, të ftuar nga qeveria  shqiptare , dy-tre deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe një kryetar i një komune të sapo formuar(serbe), nën udhëheqjen e Sllobodan Petroviqit,  e vizituan Shqipërinë. Për mua kjo vizitë qe shumë interasante , si nga  shkaku pse u ftuan, po ashtu edhe nga shkaku që u pritën nga përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shqiptare, duke filluar nga presidenti z. Topi, kryeministri  z. Berisha, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm z.  Meta, kryetarja e kuvendit  Zonja Topalli!... Kreu i politikës shqiptare, madje, nuk ngurroi ta quante  këtë vizitë edhe  si “vizitë historike” dhe për komunitetin serb në Kosovë si “vlerë shumë të rëndësishme” (Çfarë vlere të rëndësishme paska pasur kjo vizitë?)!
Zoti Berisha, shumë i entuziazmuar edhe i ndau një “ndihmë”  prej 400 mijë eurosh për komunën e re të Graçanicës. Aferim të qoftë, zoti Berisha!  A ka ndihmë më të madhe se kjo për decentralizimin, që më shumë se askujt tjetër i shkon për shtat  Serbisë (sigurisht nëpërmjet të serbëve të Kosovës)?  Megjithatë mirë bëri qeveria shqiptare që ia akordoi kësaj komune këtë dhuratë nga se kjo komunë e re vërtetë kishte nevojë për ndihmë! Le të vazhdojë kështu;  kryeministri i Kosovës t’iu japë serbëve  traktora, kryeministri i Shqipërisë të holla  (para)! Ah sikur t’i kishte dhënë z. Berisha  edhe nja 400.000 euro të  tjera edhe për  Parteshin (se edhe kjo është komunë etnike serbe e formuat tash)!  Dhe kjo „ndihmë“ e zotit  Berisha erdhi tamam kur Shqipëria po ballafaqohej (siç mora vesh në media) me krizë të vetë finaciare! Kjo i bie sikur ajo fjala popullore „punët në shtëpi tollovi, e jep ndihmë në komshi“ .
Po  Berisha nuk u ndal me kaq. Ai doli publikisht dhe e ftoi presidentin Tadiq ta vizitonte  Shqipërinë! Bile tha: „Ne jemi duke punuar që ta presim presidentin Tadiq këtu, sepse tani jemi duke ndërtuar politika të reja rajonale“! Mirë fort! Po ç’t’i bësh kur  në të njejtën kohë  ministri i punëve të jashtme të  Serbisë  Vuk Jeremiq, që është dora e djathtë e Tadiqit,  doli në televizion dhe bëri ftesë edhe një herë nga të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosoven,  të mos e bëjnë këtë! Pa marrë parasysh deklaratat e këtij të fundit, pra të Jeremiqit, zoti Ilir  Meta, si duket mezi kishte pritur të vinte në postin e zv. kryeministrit dhe të ministrit të jashtëm për t’u takuar me  të.  Nuk di a e dëgjoi këtë prononcim (dhe pronocime të tjera të kësaj natyre) të  Jeremiqit z. Berisha e z. Meta?  Si ta quajmë këtë politikë të Shqipërisë zyrtare?  Kjo politikë  zoti  Berisha dhe z. Meta nuk është „politikë rajonale“ po „politikë inferiore“,thënë ndryshe  politikë e shërbëtorit! A mos po kujtoni se Evropa do t’ju shpërblejë për këto „iniciativa“ që po dëshironi t’i realizoni me Serbinë? Aspak! Serbia me gjithë ato luftëra që i bëri, me gjithë ato masakra që i bëri në Kosovë e në tërë ish Jugosllavinë, çuditërisht  fitoi liberalizimin e vizave para Shqipërisë! Nuk është e çuditshme që të futet edhe në BE para Shqipërisë. Ju vraponi pas saj po deshët! Shkoni për vizita në Beograd (sigurisht ju pronojnë) dhe ftoni për vizita në  Shqipëri (ndoshta ju vijnë)!
Mirë që qeveritarët shqiptarë kishin shfaqur mendimin të takoheshin me krerët  serbë, por jam kurioz të di, a thua çfarë do kishte biseduar  Meta me  Jeremiqin, ose  Berisha  me Tadiqin? Sigurisht do t’u kishin thënë fqinjve serbë,  se ne jemi të gatshëm të “fillojmë një jetë të re dhe të fillojmë marrëdhënie të reja”. S’ka gajle që Kosovën e sakatuat (dhe që nuk kërkuat falje, as që nuk e keni ndër mend të kërkoni falje fare!)! S’ka gajle që Kosovën, le që s’po e pranoni, por që po propagandoni për të mos e njohur as shtetet e tjera! S’ka gajle që  në territorin serb janë  në varreza masive apo të zhdukur krejt edhe më shumë se 2000 shqiptarë të Kosovës! S’ka gajle që 2000 nëna shqiptare të Kosovës presin një lajm për bijtë e tyre! S’ka gajle që e dogjët Kosovën. S’ka gajle që provuat ta pastroni Kosovën nga elementi shqiptar. Fundja s’ka gajle që gjatë luftës së  Kosovës u futët , madje,  në territorin tonë me kilometra në thellësi duke na vrarë dhe duke vu mina! S’ka gajle që vdiqën shumë banorë të trevës kufitare veriore nga minat e ushtrisë suaj që i kishin “mbjellë” gjatë tërheqjes…!
I vetmi politikan, i cili u pronocua haptas se nuk bënte që Meta ta takonte Jeremiqin ishte z.Pandeli  Majko. Ai, me të drejtë, në një intervistë televizive ishte kategorik që një vizitë e tillë do të ishte e pakuptimtë dhe shumë e dëmshme si për  Shqipërinë po ashtu edhe për Kosovën.

Po ta shikonim situatën për një çast në drejtim të kundërt. Po  të kishte ndodhur që,  qoftë edhe ndonjë minoritet serb (e të mos flasim për një komb të tërë , siç ndodhi me popullin e Kosovës) të prekej në atë mënyrë nga shqiptarët apo nga dikush tjetër, a e dini ju se çfarë do të bënte  Serbia? Ajo, më të voglën punë që do ta bënte do t’i trazonte të gjitha institucionet ndërkombëtare deri në  OKB. Nuk ma merr mendja se ajo do të ishte e gatshme të bisedonte më me shqiptarët pa kërkuar këta të fundit , së paku falje publike.  Kështu do të kishte  vepruar Serbia për të vetët. Shqiptarët jo. Pse ndodh ky inferioritet ndaj Serbisë  nuk e di. Serbia  e di se minoriteti serb në Kosovë është më i privilegjuari nga të gjithë minoritetet e tjera, që jetojnë në Evropë dhe prapë as kjo asaj  nuk i mjafton.

Në anën tjetër Serbia, le që nuk po mërzitet aspak për krimet e bëra në Kosovë e gjetiu, po ajo  në vazhdimësi po bën trysni edhe më të madhe në faktorin shqiptar në Kosovën Lindore, në pjesën veriore të Kosovës (përfshirë këtu edhe Mitrovicën e veriut).  Në  Medvegjë pothuaj se elementi shqiptar ka rënë në minimum, në Bujanoc, përpjestimi serbë- shqiptarë ka rënë diku 50 me 50, sepse një pjesë e madhe e tyre janë shpërngulur (kurse ka qenë 70% me 30% në favor të shqiptarëve). Ka mbetur vetëm Presheva, e cila  është vu në shënjestër për ta ndryshuar edhe atje pasqyrën demografike.  E politika shqiptare si ajo e Kosovës poashtu edhe ajo e  Shqipërisë, si duket nuk janë duke “i parë” këto zhvillime.

Politika shqiptare gjithnjë është treguar “dorëlirë”.  Në këtë mënyrë veproi  edhe atëherë kur Maqedonia u “nda” nga ish Jugosllavia dhe u “formua” shtet. Në atë kohë Shqipëria nxitoi ta njihte si shtet, pa asnjë kusht, edhe pse e dinte mirë se rreth  40% të banorëve të saj janë shqiptarë. Shqipëria do të duhet të merrte garancione,  me kohë, (para se ta njihte, bile ta kushtëzonte kështu  njohjen e Maqedonise) që shqiptarët të mos mbesin pakicë, ashtu siç i trajtoi politika sllave deri vonë. Politika shqiptare do të duhej të kërkonte paraprakisht që shqiptarët në Maqedoni  të njiheshin si element shtetformues. Mu për këtë shkak politika maqedonase  tani po përpiqet që shqiptarët t’i trajtojë si qytetarë të kategorisë së dytë edhe pas marrëveshjes së Ohrit.
Nëse nuk di diçka  , thotë një fjalë popullore, shiko si punojnë të tjerët (të mençurit)  dhe mësohesh!   Serbia për një të drejtë legjitime të popullit shqiptar, për të pasur shtetin e tyre,  e çoi madje çështjen në Hagë. Në të njetën kohë politika shqiptare, le që nuk i kërkon përgjegjësi kësaj politike anti shqiptare  për  mënxyrat që i ka bërë popullit shqiptar të Kosovës, po kërkon që të bashkëpunojë me një politikë që deshi ta shfaroste  hiç më pak se gjysmën e popullit të vet!
Nuk di se a është e vetëdijshme politika shqiptare,  se politika serbe nuk ndërrohet  qoftë edhe  nëse ndërrohen politikanët. Jo,  ajo është e njëjtë. Politika e sotme serbe është si ajo  në kohën e Car Dushanit, si  në kohën e Millosheviqit, si  kjo në kohën e Tadiqit. Ata e kanë një politikë. Politikën serbe nuk e bën as Millosheviqi, as  Tadiqi, as Jeremiqi. Politikën e Serbe e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë kisha ortodokse  serbe dhe  akademia serbe. Tadiqi dhe  Jeremiqi  janë dy marioneta që e zbatojnë këtë politikë.

Kjo  është e vërteta. Po nuk e di se deri kur politika shqiptare do të sheh ëndrra në pikë të ditës?


(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora