Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Bir i paharruar i vendlindjes, Malësi e Gjakovës

| E merkure, 23.12.2009, 10:00 PM |


BIR I PAHARRUAR I VENDLINDJES, MALËSI E GJAKOVËS
(Kujtojmë studiuesin dhe pedagogun, Prof. Dr. XHELADIN GOSTURANI)

Nga Prof. as. Dr. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
    
Mbaj mend se në një ditë të zakonshme, si shpesh më parë, erdhi të më takonte në zyrë e, si i thonë fjalës, të pinim bashkë një kafe bashkërahinasi im, Xheladin Gosturani. Meqenëse ishte i pamundur nga gjendja shëndetësore, më parë, i kishim bërë vizita në shtëpi dhe pedagogut e mikut tonë të përbashkët, Prof. Dr. Mahir Domit-Akademik. Nga një takim i tillë, ruaj edhe këtë fotografi të rrallë, që po e publikoj tani, bashkë me këtë shkrim-nderimi për jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur.
Me atë thjeshtësinë që e dallonte, pasi shënoi autografin,  Xhela, siç i thërrisnim në afërsi, më vuri përpara librin e tij të ri: "Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit". Siç është e natyrshme, u gëzova shumë dhe e urova nga zemra për këtë punë të tij të çmuar. Gjithashtu, më tregoi se kishte në procesin e shtypit një vëllim me studime dialektologjike dhe priste që Komisioni i Kualifikimit Shkencor t'i jepte atij titullin "Profesor". Rasti e solli që njoftimin për miratimin e këtij titulli e mora vesh menjëherë dhe shkova ta takoja në zyrën, ku punonte, në Institutin e Gjuhësisë e Letersisë, pranë Akademisë së Shkencave  dhe t'i uroja suksese të mëtejshme.
Por as at ditë dhe as kur njoftimi për titullin u publikua në shtyp, Xheladinin nuk e gjeta! Nuk e dija se dashamiri e kolegu im ishte në spital, që nuk do ta takoja kurrë më dhe se, papritur, më 19 shkurt 2000 do të  merrja lajmin aq të hidhur, se ai kishte ndërruar jetë. Ishte ndarë, kështu, përgjithnjë nga familja, të afërmit, kolegët dhe nga të gjithë  ata, që e njohën, e deshën dhe e respektuan. Ndërsa tani,
pas kaq vjetësh kur shkruaj këto radhë, sjell ndërmend me mall, dhimbje e krenari jetën e tij, veprën e mirë që ai la pas.
    Kishte lindur më 11.06.1942, në fshatin Gosturan të krahinës së Gashit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen pedagogjike në qytetin e Shkodrës, më 1961. Pastaj shërbeu mësues në shkollat 8-vjeçare: në qytetin "Bajram Curri" e në fshatin Tpla, të atij rrethi. Ndërsa në vitin 1964 i nisi studimet në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës. Pasi i  kreu aty studimet me përfundime shumë të mira, dy vjet, pra deri në vitin 1970, punoi mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Buçaj, në vendlindjen e atdhetarit të njohur Ali Ibër Neza, i cili do t'i shërbente më vonë  për të shkruar një libër për të.
    Në vitet si mësues dhe  student, Xheladini shfaqi interes të veçantë për hulumtimin, mbledhjen dhe studimin e dëshmive dialektologjike. Për këtë arsye, në shtator të vitit 1970, atë e caktuan bashkëpunëtor shkencor në departamentin e gramatikës dhe të dialektologjisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave, ku ishte deri në fund të jetës së tij.
Gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar punën e frytshme në  studimet dhe botimet e ndryshme, ai mbrojti desertacionin në fushën e dialektologjisë dhe mori gradën "Doktor i Shkencave".  Ndërsa, siç përmendëm më lart,  pak para se të ndahej nga jeta,  Komisioni  i Kualifikimit Shkencor, pranë  Këshillit të Ministrave i dha atij titullin "Drejtues Kërkimesh", i barazvlershëm me titullin "Profesor". Këtë gjë e meritonte plotësisht se, me ngulm e pasion, iu përkushtua studimeve në fushën e gjuhësisë shqiptare e më gjerë.
    Ndër punimet më të rëndësishme gjuhësore të Prof.Dr. Xheladin Gosturanit janë librat: "Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe" (bashkautor dhe që u botua më vonë), "Historia e Gjuhësisë Botërore gjatë shekujve dhe disa çështje teorike te saj" (Tiranë, 1998), "Historia e Albanologjisë"(Tiranë, 1999) dhe "Studime në fushën e dialektologjisë shqiptare"(Tiranë, 1999).
    Në pjesën e parë të librit "Historia e Albanologjisë" ( kushtuar Prof.Dr.Mahir Domit-Akademik), me titullin "Gjuha shqipe gjatë shekujve", ka pasqyruar  në mënyrë të përmbledhur  tërë zhvillimi historik të gjuhës shqipe, që
nga lashtësia, duke e vështruar atë si një gjuhë indoevropiane. Në vijimësi , ka trajtuar  lidhjet e shqipes më gjuhët  e gadishullit të Ballkanit, gjë që çoi në formimin e njësisë gjuhësore  të kësaj treve ose afrinë kulturore ballkanike. Me interes janë paraqitur në këtë pjesë të librit marrëdhëniet e ndërsjellta: rumune-shqiptare, sllave-shqiptare dhe greke-shqiptare.
Në pjesën e dytë e këtij libri flitet për  mendimin shkencor, vendës dhe të huaj, deri në ditët tona, lidhur me origjinën e gjuhës shqipe, strukturën e saj gramatikore dhe prejardhjen e popullit tonë.  E ndarë në katër periudha, studimi i  shqipes  dëshmohet me vepra, studime, punime dhe artikuj të shumtë, nga autorë shqiptarë, arbëreshë dhe të vendeve tjera.
    Po kështu, në këtë libër të terheq vëmendjen edhe periudha e fundit, pra pas Luftës së Dytë Botrërore, ku nënvizohen arritjet kryesore të gjuhësisë shqiptare në këtë lëmë, duke u qartësuar dhe qendrat albanologjike kryesore, si dhe studiuesit më të përmendur sot në Botë.
    Ndërsa në librin "Historia e gjuhësisë botërore gjatë shekujve", autori. Gosturani  u ka paraqitur lexuesve, pedagogë e studentë të  shkollave të larta, mësues, studiues  dhe intelektualë të tjerë, të interesuar për këtë fushë të dijes, një vepër të parë të këtij lloji në gjuhën shqipe nga fusha e linguistikës, mjaft e dobishme për një rreth  të gjerë lexuesish. Aty flitet për natyrën e gjuhës në përgjithësi, lidhjen e saj me mendimin, botën shpirtërore të njeriut dhe përbërjen strukturore të saj, për rrymat dhe shkollat e ndryshme gjuhësore që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, për ndihmesën e dhënë nga një plejadë gjuhëtarësh botërorë, si: Rask, Bopp, Gtim, Humbold, Shlajher; për metodat e disallojshme, që përdoren për studimin e gjuhës, si dhe për klasifikimin e gjuhëve të Botës.
    Librit ia shton rëndësinë kapitulli i fundit, me titull:"Gjuha shqipe në shekuj", që plotëson kuadrin e përgjithshëm të çështjeve dhe e njeh lexuesin tonë me historinë e gjuhës së vet. Aty jepet përgjigje për disa pyetjeve dhe shqetësime, që kanë lindur e lindin gjatë periudhave të ndryshme historike. Në botimin në fjalë, dëshmohet edhe për ndihmesën e popujve dhe dijetarëve të njohur, në zhvillimin dhe përparimin e dijeve njerëzore.
    Gjithashtu,  Xh.Gosturani  kishte përfunduar tri monografi e gjashtë studime të thelluara në fushën e gjuhësisë, sidomos për të folme të Malësisë së Gjakovës dhe të krahinave të tjera. Ka botuar dhjetëra artikuj studimorë në gazeta e revista, kryesisht në ato shkencore.
    Me vlera të veçanta janë edhe librat e Prof.Dr. Xheladin Gosturanit për figura të shquara atdhetare e ngjarje të mëdha historike, si: "Atdhetari e luftëtari Jakup Ferri" (Tiranë, 1982); "Heroi i Popullit Ramë Sadri Metaliaj"(bashkautor),Tiranë,1985; "Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit" (Tiranë, 1999). Janë domethënëse fjalët që ka shkruar në hyrjen e librit të tij të fundit: "Populli Shqiptar ruan kujtimin e veprës së madhe patriotike të atdhetarëve të tillë si Ali Ibra, të cilët nuk kursyen asgjë në luftën për të siguruar unitetin kombëtar e shtetëror të popullit tonë. Prandaj gjithmonë do t'u rezervojmë nderim e admirim, respekt e mirënjohje".
    Prof. Gosturani u dallua, gjithashtu, në punën e pasionuar si pedagog i jashtëm për lëndët dialektologji e sintaksë të gjuhës shqipe,  në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës. Udhëhoqi me sukses diploma  universitare e pasuniversitare.
    Atë e karakterizonte korrektësia, vullneti e përkushtimi në punë, serioziteti  dhe aftësia argumentuese në  temat e tij të studimeve e botimeve, si në fushën e gjuhësisë dhe në atë të historisë sonë kombëtare. Kurdoherë, pati shembull frymëzimi në punë  pedagogët e gjuhëtarët tanë më të shquar. Veçanërisht, ishte i ndjeshëm e i përkushtuar për trajtimin e të folmes dhe historisë së vendlindjes dhe të Kosovës, të cilat i njihte aq mirë. Megjithëse kishte shumë vite më banim në Tiranë, vazhdimisht shkonte për punë ose me pushime në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe çmallej me tokën e të parëve, me të afërmit, me kolegë e miq të dashur. Pranadaj është i natyrshëm vlerësimi, që iu bë Xheladin Gosturanit në vendlindje, pas vdekjes, duke i dhënë emrin e tij një shkolle 9-vjeçare.
Disa herë kishte kaluar edhe nëpër  fshatra e qytete të Kosovës dhe kishte qëmtuar, si bleta nektarin, fjalën e lashtë e të vyer të popullit. Pastaj, me saktësi shkencore, kishte bërë analizën dhe studimin e nevojshëm të dukurive dialektologjike, duke realizuar kështu një studim voluminoz, me mbi  600 faqe, të cilin Xheladini e kishte gati për botim. Në vitin 2005, në botimin shkencor “Dialektologjia Shqiptare”-VII, u publikua studimi i tij me vlera, në 155 faqe,  “Struktura gramatikore e së folmes së Elbasanit dhe leksiku i saj”.
    Shpesh, me atë heshtjen e tij, Xheladin Gosturani fliste dhe dëshmonte shumë, në radhë të parë njeriun e punës, atdhetarin e spikatur, që mbi gjithçka vë interesat e popullit të vet.  Ai do të mbetet i paharruar jo vetëm për të afërmit, por dhe për ish-nxënësit e ish-studentët e tij, për kolegët dhe gjithë të dashurit e të njohurit e tij. Trupi i tij tani prehet i qetë në vendlindje, aty në fshatin  Gosturan, rrëzë malit të lartë të Shkëlzenit dhe kundruall  Kosovës martire, për të cilat dëshmoi përherë zell e përkushtim.

Tiranë, 23 dhjetor 2009