E enjte, 24.09.2020, 12:50 PM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani & Arzie Zeneli: Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt

E marte, 22.12.2009, 10:10 PM


Vlerat historike dhe arkitektonike të kullës së Sylejman-Fazli Tahirajt në fshatin Terdec të Drenicës

Nga Qazim Namani & Arzie Zeneli

Kulla është e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, nuk dihet viti i saktë i ndërtimit, thuhet se e kanë ndërtuar gogët nga Rahaveci. Kulla e ka një historik të lavdishëm. Në këtë kullë gjatë vitit 1914 ka qëndruar Isa Boletini. Tri vite me radhë këtu është strehuar Rrustë Kabashi nga Prizreni, gjithashtu kjo kullë ka shërbyer për strehimin e shumë figurave të rëndësishme kombëtare që vepruan në këto anë si: Azem Bejta, Shote Galica, Mehmeti i Vogël, Dan Daroci etj.

Gjatë luftës së dytë botërore në këtë kullë kanë qenë të strehuar Xhevat begu, Sefedin begu nga Peja, si dhe Murat Kushumlia nga Prishtina.
Për përjetimet e Sylejman Fazli Tahirajt  në burgjet serbe kanë  shkruar edhe gazetat ditore
Për përjetimet e Sylejman Fazli Tahirajt në burgjet serbe kanë shkruar edhe gazetat ditore
Familja në fjalë është rrethuar disa herë nga xhandarmëria serbe, kulla nuk është djegur por është rrënuar vetvetiu nga vjetërsia.

Në vjeshtën e vitit 1953 Sylejmani akuzohet se në këtë kullë i kishte strehuar kaçakët dhe dërgohet në burgun e Skenderajt ku qëndroi një vit, për të shpëtuar nga torturat sa ishte në burgun e Skenderajt kërcej nga kati i tretë por mbeti gjallë. Prej Skenderajt transferohet në burgun e Pejës dhe qëndron 5 muaj ku dënohet me 4 vite burg. Prej Peje dërgohet në burgun e Nishit prej ku transferohet në Goli-Otok. Në Golio-Tok qëndroi në burg së bashku me shumë veprimtarë dhe patriot tjerë shqiptar si Qamil Brovina, mulla Zekë Bërdynajn ng Radaci, Ibrahim Gashin etj.

Të dhënat e cekura më lartë dëshmojnë se kjo kullë ka një histori të lavdishme dhe për nga aspekti historik dhe arkitektonik është me rëndësi të bëhet konservimi i saj.
Kulla ka pas vlera të larta arkitektonike, muret e jashtme janë të punuara me gurë me një trashësi prej 80cm, ndërsa muret e brendshme ishin prej konstruksionit të drurit dhe të mbushura me llaç balte. Muret e jashtme ishin te përforcuara me breza druri me një distancë prej 1m njëra prej tjetrës. Në katin ë parë ishte shtëpia e zjarrit e pajisur me oxhak dhe rafte për vendosjen e enëve shtëpiake dhe një dhomë tjetër ku mbaheshin kafshët. Në katin e dytë ishte oda me dimensione 5x5m dhe pjesa tjetër ishte korridor me gjerësi 1.3m i cili shkonte gjatë gjithë gjatësisë së brendshme të kullës ku përmes të cilit shfrytëzohej nyja sanitare e cila ishte punuar me dalje nga muret periferike. Është karakteristikë se në korridorin e katit të dytë ne murin ballor ishte e punuar “Avdesoja” prej guri, nga e cila me tuba përcillej uji jashtë mureve të kullës. Lidhja e kateve bëhej përmes shkallëve të brendshme të punuara prej druri. Lidhja me katin e dytë bëhej  edhe përmes shkallëve të jashtme në anën veriore. Hyrja kryesore e kullës ishte në anën lindore.

Avdesorja  e punuar prej guri
Avdesorja e punuar prej guri
Në anën jugore të kullës në vitin 1965 ishte ndërtuar edhe shtëpia ndihmëse me dimensione 19,20m x 6.5m. Shtëpia ishte përdhese e punuar po ashtu prej gurit. Shtëpia kishte 3 dhoma gjumi të lidhura përmes korridorit dhe shtëpinë e zjarrit të punuar po ashtu me oxhak.

Kulla së bashku me shtëpinë ndihmëse përbënin një kompleks urban mjaftë të avancuar për kohën, që dëshmojnë një kulturë të lartë të jetesës.

Nga dëmet e shkaktuar gjatë luftës 1999 dhe dëmet klimatike që u bënë nga pamundësia për ta mirëmbajtur këtë kompleks urban me vlera historike dhe arkitektonike ndikuan që sot të mbesin si rrënoja përkujtimore për familjarët dhe popullatën shqiptare të Drenicës.

Kryesisht kullat në Drenicë janë ndërtuar me përdhes dhe kat, por ka edhe të ndërtuara në më shumë kate. Në përdhese një dhomë ishte me oxhak ndërsa në shumë raste në kthinën tjetër mbaheshin shtazë të trasha si: viça të porsalindur, shtazë ë sëmura dhe ndonjë lopë për mjelje. Këto kthina ishin të lidhura me korridor prej ku  behej  lidhja përmes shkallëve me odën ë burrave në katin e dytë dhe me qilar. Dhomat Janë të ndriçuara me dritare edhe shpesh kanë edhe kapakë masiv prej dërrasave.  
Zakonisht kthina ku mbaheshin shtazët e kishte edhe një hyrje tjetër prej oborrit. Në Drenicë kullat janë të ndërtuara prej gurit ose edhe prej tullave të pjekura. Kullat më të bukura gjenden në fshatin Polluzhë, ato janë dy kate dhe përdhese. Në Drenicë vlen të përmenden
Oxhaku i punuar në shtëpinë ndihmëse
Oxhaku i punuar në shtëpinë ndihmëse
edhe kullar e Ukë Gecit në Llaushë, kulla e Abdylajve ne Dobroshec etj.

Bazuar në burimet historike bëhet fjalë për origjinën e shqiptarëve të Drenicës. Praninë e shqiptarëve  e hasim një toponimi në kohën e Uroshit I i cili rreth vitit 1253 e regjistroi në fshatin Krushec në Drenicë. Gjatë regjistrimit të fshatrave në malet e Deviçit përmenden: Fusha e Bardhë, Përroi i Deviqit dhe Përroi i Arbanëve i cili derdhej në lumin e Klinës.
Te shqiptarët e Drenicës besohej se nuk është mirë për familje të përdoret druri i “Brekisë” për ndërtimin e shtëpive, apo ndërtime tjera sepse besohej se sjell vdekje në familje. Po ashtu besohej se nuk është mirë për familjen që të ndërtohet shtëpia me material të ndonjë kishe të vjetër, nga materiali i mureve të tyre dhe objekteve të shenjta  tjera. Besohej s e familja që jeton në këto shtëpi do të ketë fatkeqësi dhe vdekje.
Kur fillonte të ndërtohej shtëpia ftoheshin dy  të moshuar të afërm apo fqinjë për të vlerësuar vendin e ndërtimit të shtëpisë. Nëse nuk shkonin punët mbarë në shtëpinë e re, ndërrohej trualli ajo shtëpi rrënohej dhe zgjidhej vend tjetër për të ndërtuar shtëpi.
Kur ndërtohej shtëpia e re zakonisht therej qengj apo ndonjë kafshë tjetër. Sipas traditës me gjakun e kafshës së therur përgjakej ana jugore e themeleve të shtëpisë së re. Kur familjarët shkonin për të banuar në shtëpi të re ftoheshin fqinjit dhe miqtë për darkë. Në oborrin e shtëpisë therej shtaza dhe me mishin e saj ju përgatitej darka të ftuarve.
Në shtëpinë e re për të banuar familjarët e fillonin jetën të dielën në mbrëmje apo të enjten në mbrëmje sepse këto ditë konsideroheshin se janë ditë fati për banorët e shtëpisë së re. Në kokën e shtazës së therur që murosej në themele të shtëpisë vendosej një monedhë e vjetër e argjendit.
Rrënojat e kullës dhe shtëpisë ndihmëse
Rrënojat e kullës dhe shtëpisë ndihmëse
Kullat në Drenicë janë të murosura me tulla të pjekura ose gurë. Kullat më të bukura janë në fshatin Polluzhë ku ka kulla edhe në tri kate. Në katin përdhese ishte


ahuri për shtazë të trasha, kati i dytë shërbente për vendosje të familjarëve, ndërsa në katin e tretë ishte oda që shërbente për mysafir. Një kullë në fshatin Bajincë në Drenicën e epërme e kishte në fasadë një orë me akrep dhe në kullë ishte edhe mbishkrimi i mjeshtrit Tosha Kitani prej Rahaveci dhe viti i ndërtimit 1926.

Për kullat e Drenicës studiuesi serb Tatomir Vukanoviqi i cili i bëri hulumtimet e tij në terren prej vitit 1934 e deri më 1937 në librin e tij “Drenica” shkruan se kullat e Drenicës paraqiten si formë kalimtare ndërmjet kullës Dukagjinase dhe kullës shqiptare të Kosovës. Kjo formë kalimtare ka të bëjë kryesisht me madhësinë, sipërfaqen, dhe vlerën ndërmjet dy tipave të kullave të përmendura, më ç’rast si më e mirë radhitet kulla Dukagjinase. Siç shihet shtrirjen gjeografike të kullave në të gjitha trevat shqiptare e pranojnë edhe vet studiuesit serb.
Për shtrirjen e kullave në territorin e Kosovës dhe më studimin e saj janë marrë disa studiues shqiptarë , dhe të huaj. Ndër studiuesit shqiptarë për kullat në rrafshin e dukagjinit veçohen Fejaz Drançolli dhe Flamur Doli. Studimet më të detajuara i ka bërë Prof. Dr. Fejaz Drançolli i cili me veprat e tij “Kulla Shqiptare” të botuar në vitin 2001 dhe “Rrënimi i Kullës Shqiptare” të botuar në vitin 2004, i përmbylli mungesën e studimit të kullës shqiptare në Rrafshin e Dukagjinit.
Harta 1. e hartuar në Ministrinë e Planifikimit Hapsinor
Harta 1. e hartuar në Ministrinë e Planifikimit Hapsinor
Më poshtë po japim hartën për shtrirjen e kullave në hapësirën gjeografike të Kosovës, të cilën e publikoi Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Harta është punuar në vitin 2004 sipas të dhënave që ka ofruar Divizioni i Trashëgimisë Kulturore në MKRS. Këto harta u punuan nga disa arkitekt me njohuri të pakta profesionale. Hartat janë shpërnda edhe te ndërkombëtarët pa u konsultuar me zyrtarët profesionalë në Divizionin e Trashëgimisë. Kjo hartë tregon më së miri për pasojat që ka pësuar trashëgimia  kulturore, nga ndarjet e tilla etno-kulturore kur dihet se kullat janë shtrirë në tërë hapësirat shqiptare në Ballkan. Këto harta i  publikoi Instituti për Planifikim Hapësinor si dokument pune “Profili i Zhvillimit Hapësinor të Kosovës” fq. 33.

Publikimi i kësaj harte, nuk tregon realitetin sepse nga burime të shumta është dëshmuar prania e kullave edhe në trevat tjera të Kosovës, ku edhe tani disa prej tyre ju përballuan djegieve gjatë shekullin XX. Duhet theksuar se kishte shumë kulla në të gjithë hapësirën gjeografike të Kosovës. Në Boletin  është kulla e Isa Boletinit, në Janjevë ende ekziston kulla.

Në Malet e Shalës po ashtu janë të njohura tri kulla në fshatin Karaqë, në Breglum (Nadakoc), Kullë (Kollë) etj. Në fshatin Herticë janë të njohura katër kulla.
Prania e kullave deri në ditët e sotme haset edhe në malet e Gallapit, Karadakut dhe treva tjera ku banonin me shekuj shqiptarët edhe pse disa treva shqiptare ishin djegur disa herë gjatë shekullit XX nga forcat ushtarake e policore serbe.


(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora