E premte, 19.04.2024, 12:30 PM (GMT+1)

Mendime

Shfaqja zgjati ca si shumë

E merkure, 10.10.2007, 09:30 PM


Nga Fabian Topollaj

Shfaqja nuk mundej të vazhdonte më, madje e kaloi cakun.

“Mjaft”-i nuk mundi të ishte lëvizja civile e inspiruar prej ëndrrave të kristalta të disa të rinjve të shkolluar, as një përpjekje për të zgjuar apatinë qytetare dhe për t`i mësuar ata se duhet të reagojnë, kur shteti shkel atë që Rusoi e quajti kontratë sociale. Ndoshta ajo u nis si e tillë, por kurrsesi ajo nuk arriti të kapërcente qëllimet e ngushta të drejtuesve të saj dhe të dilte jashtë mënyrave të vjetra të të bërit politikë në Shqipëri.

Duke shfrytëzuar krizën e besimit në vend ndaj politikës dhe qeverisjes së gjatë dhe të korruptuar socialiste, “Mjaft”-i arriti në fillimet e tij të jepte përshtypjen e një lëvizjeje ndryshe, një grupimi të ri, i cili kishte një tjetër vizion për vendin. Është e kahershme simpatia që kemi ne shqiptarët kundrejt figurave të reja. Mjafton që të jetë në moshë të re dhe të mos jetë i konsumuar mediatikisht dhe për ne është ok. Mjafton që të mos jetë i anatemuar për korrupsion dhe nuk është e nevojshme ta vëmë në provë ndershmërinë e tij. Mjafton që të ketë mbaruar një fakultet në perëndim dhe të ketë përfunduar disa mastera për t`i ngjitur nofkën ‘i zgjuar’ apo të ketë disa aftësi oratorike për të vënë dorën në zjarr për qëllimet e mira, të cilat përfaqëson ky personazh. Dhe kjo jo për faj të intelektit të shqiptarëve sesa për faj të një tranzicioni të tejzgjatur në vend që të imponon të insistosh në ndryshimin e klasës politike. Dhe e gjithë kjo ka mjaftuar pra që lëvizjet rinore në vend të ndiqen me simpati prej shqiptarëve, siç ndodhi edhe me të rinjtë e “Mjaft”-it. Veçse zhgënjimi nuk do të mund të vononte, kur, si kameleoni që i përshtatet ambientit, këta djem dhe vajza të ktheheshin në një instrument krejt të rëndomtë të analeve më të ndyra të politikës shqiptare, të përfaqësonin mënyrat më të urryera të të bërit protagonizëm. Ata nuk arritën të ishin të baraslarguar prej kaheve politikë në vend për t`i shërbyer kauzës së tyre të shpallur dhe nuk arritën të gjeneronin një mënyrë të re të të bërit politikë në vend. Të kapur që në fillim prej pushtetit jo të pastër ekonomik, drejtuesit e kësaj lëvizjeje shumë shpejt u futën në sqetullën e liderit aktual të opozitës shqiptare dhe e përdorën të gjithë fuqinë e tyre mediatike për interesa të vogla personale dhe të asaj pjese të politikës, së cilës ata i shërbenin. Le t`i cekim me radhë (me aq sa mund të përmenden në një shkrim) mëkatet e rrugëtimit disavjeçar të “Mjaft”-it.

“Mjaft”-i nuk mundi të ishte më shumë se një grupim i ngushtë njerëzish që e përdorën këtë lëvizje për interesa krejt personale. Dy vjet më parë, “Mjaft”-i, në një dyzinë konferencash për shtyp, denoncoi një afer, siç e cilësonin ata, të Fakultetit Juridik të Tiranës me atë të Tetovës. Sipas tyre, nëpërmjet një skeme korruptive drejtuesit respektivë të fakulteteve transferonin studentë nga fakulteti jashtë trojeve të vendit brenda tij. Kjo histori një ditë të bukur si me një të rënë të lapsit pushoi së ekzistuari, a thua se ngjarja u sqarua. Pak ditë pasi “Mjaft”-i e “harroi” historinë korruptive, Veliaj na u shfaq student në vitin e parë në këtë fakultet, pa qenë fare kandidat në konkurset që bëheshin asokohe për t’u pranuar në universitetin e Tiranës. Denonicimi i aferës nuk ishte tjetër veçse gjoba e radhës.

Ata nuk arritën të përfaqësonin një mendësi moderne të të bërit karrierë dhe protagonizëm në zhvillimin e debatit politik në vend. Që në fillimet e saj kjo organizatë pjesën më të madhe të energjive e shpenzoi për zvogëlimin dhe eliminimin e rolit që kishin organizma të ngjashme me të. Nuk ishte e rastit që Erioni shumë shpejt do të përdorte të gjitha format që OJF-ve të tjera t’iu bllokoheshin fondet, si dhe të mos përfilleshin në debatin mediatik. Të gjithë e kujtojmë që ishte “Mjaft”-i që shpalli luftë të hapur me organizma të tilla si Këshilli Rinor, Parlamenti Rinor dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, në mënyrë që të faktorizonte veten dhe të monopolizonte atë që quhet shoqëri civile.

“Mjaft”-i nuk mundi të fitonte luftën me apatinë qytetare në vend dhe kjo, sepse, me selektivitetin që përdornin në zgjedhjen e problematikave, e humbën shpejt besueshmërinë në sytë e qytetarëve. Ata bërtitën për mungesën e ujit në Tiranë, por kurrë nuk i kërkuan bashkisë që të merrte në duar administrimin e ujësjellësit të kryeqytetit. Ata denoncuan korrupsionin në sistemin arsimor, por kurrë nuk u artikuluan për mungesën e ngrohjes në shkollat e Tiranës dhe për suva shkollash të rikonstruktuara që binin mbi koka nxënësish. Ata satirizuan shumë herë drejtues dhe funksionarë të PS (siç vepruan me deputetët pro Nanos apo me vetë këtë të fundit, kur bënte mungesa në seancat plenare), por kurrë nuk e bënë këtë me kryetarin e ri të PS dhe ndjekësit e tij.

Në fund, ata nuk arritën të ishin një organizatë jopolitike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora