E shtune, 14.12.2019, 01:22 PM (GMT)

Komente

Krizat martesore dhe vetflijimi i dikujt

E shtune, 06.10.2007, 06:55 PM


Nga Albert Zholi

Marrëdhëniet e martesës duket se në Shqipëri, ashtu si në gjithë botën, kanë hyrë në një krizë me përmasa të frikshme. Krizë që i ka rrënjët tek problemet e shumta ekonomike, tek tradhtia dhe tek qerthulli karakterial i shoqërisë që pasojat i lë në institucionin më të rëndësishëm të shoqërisë, që është familja.Në fillim të mijëvjeçarit të ri, nëse do i hedhim një shikim familjes kontemporeane, do çuditemi. Kjo sepse do të shohim se një përqindje e madhe të familjeve shqiptare marrëdhëniet bashkëshortore janë kthyer në një shkretëtirë marrëdhëniesh. Prej disa vitesh ato janë kthyer në martesa të bardha, ku secili jeton për llogari të vet, dhe mbijetohet vetëm për hir të fëmijëve dhe për opinion. Në mënyrë simbolike dikush e përshkruan martesën si një shesh beteje:”Kudo që hedh sytë, shikoj trupa të hedhur andej-këtej në faza të ndryshme të vdekjes dhe duke vdekur--divorc, izolim, marrëdhënie abuzive dhe të kalbura, të gjitha llojet e shkretimit.”Në anketimet e ndryshme të bëra me persona të besuar, kupton, se pjesa më e konsiderueshme e familjeve ka kapitulluar misionin e saj. Marrëdhëniet janë të ngurta, herë-herë të gënjeshtërta dhe disa herë të shtira. Duke qenë se familja është një nga elementet më të rëndësishme të një shoqërie, pra një nga shtyllat e saj, mund të themi se shpërbërja e saj minon shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe pa dyshim dhe vendin. Por pavarësisht se flasim për statistika dhe përqindje popullore viktimat reale të divorcit janë fëmijët. Dhe në Shqipëri ka mbi njëmijë fëmijë nga viti 1990, që vuajnë çdo vit dhembshurisht ndarjen e prindërve të tyre. Vuajtjet e fëmijëve janë nga më të larmishmet nga fizike tek shpirtërore e më gjerë. Pjesa më e madhe e fëmijëve nuk e takojnë më dot prindin e tyre, një pjesë përjeton degradimin që pëson prindi i tyre nga divorci, varfëria e madhe e kryefamiljarisë detyron shumë herë të kryejnë punë jashtë moshës së tyre, por dhe fëmijë që bëhen viktima të përhershme të egoizmit të prindërve, të dhunës së babait ndaj nënës së tyre e shumë eksperiencave nga më të dhimbshmet brenda familjes. Por ndërsa jetojnë me ankth fëmijërinë e tyre, përjetojnë dhimbje të mëdha shpirtërore në adoleshencë, dëmi më kolosal që ato pasojnë është besimi tek e ardhmja. Divorcet e prindërve krijojnë një mendim negative për martesën dhe dobësojnë besimin e fëmijëve të të divorcuarëve për të pasur një të ardhme në familje. Logjikisht kështu duhet të shkojë. Të paktën psikologët e thonë këtë element në statistikat e tyre me zë të lartë. Realisht nuk qëndron si problem. Ka një numër të madh të rinjsh që shkojnë me kënaqësi drejt altarit. Bile nga anketimet që bëhen mes studentëve, pothuajse 99% e tyre mendojnë të martohen, duke lënë një përqindje fare të papërfillshme për refuzim të martesës. Pse ndodh atëherë kjo? Pra dalim në përfundimin që dhe pse ka, kaq shumë divorce, përsëri njerëzit nuk duan të mbesin vetëm. Njerëzit duan ta ndajnë jetën me dikë që i do. Edhe pse tërheqja seksuale është një pjesë e rëndësishme e dëshirës për intimitet, këto dëshira për t'u lidhur fort me një person tjetër nuk janë vetëm për seks. Kjo dëshirë e zjarrtë për t'u njohur dhe vlerësuar nga dikush tjetër vjen nga mënyra si jemi projektuar që në fillim dhe se si jemi rritur me këtë mentalitet, dhe s’mund të bëjmë dot ndryshe. Pse ndodh atëherë që kaq shumë njerëz, të cilët dëshirojnë dhe kanë nevojë për të qenë pranë dikujt, përfundojnë të divorcuar, shpeshherë të mbushur me zemërim dhe zhgënjim? Shumica e atyre që martohen përpiqen të arrijnë një lidhje të fortë e të qëndrueshme të bazuar kryesisht tek ndjenjat. Në shumicën e marrëdhënieve dashuria dhe pranimi vazhdojnë për aq kohë sa personi tjetër po plotëson një nivel të caktuar pritjeje. Nëse ndjenjat janë të ngrohta, burri dhe gruaja mund ta shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, i shpërfillin karakteristikat e mërzitshme të partnerit, komunikojnë siç duhet dhe akoma shprehin afeksion. Por kur ndjenjat ftohen, njëri ose të dy së bashku mësojnë se nuk kanë asnjë rezervë apo aftësi për të dashur një person me sa duket të papërsosur. Tashmë nevojat nuk plotësohen, gjë që shkakton lëndim, nxit vetëmbrojtje, dobëson komunikimin e mirë, shton keqkuptimet, provokon konflikt dhe i hedh zjarr zemërimit dhe trishtimit. Nëse falja dhe pajtimi nuk e ndalin këtë spirale në rënie, aftësia për ta dashur njëri-tjetrin paralizohet. Ky model në pothuajse të gjitha marrëdhëniet mund të shmanget për aq kohë sa çështjet e nxehta që provokojnë egoizmin nuk ekzistojnë apo janë hijëzuar. Por herët a vonë realiteti godet. Me gjithë qëllimet më të mira të një çifti, ata kuptojnë se dy njerëzve të pavarur nuk mund t'u plotësohen të gjitha nevojat e tyre gjatë gjithë kohës. Që një marrëdhënie të funksionojë siç duhet, kërkohet bashkëpunim dhe të dy personat duhet të mohojnë shumë nga dëshirat e tyre personale. Egoizmin duhet të zëvendësojë vetëflijimi. Një person mund ta bëjë këtë fare mirë për njëfarë kohe në martesë, por pastaj durimi humbet. Vetëflijimi nuk është i natyrshëm; egoizmi po. Pse ndodh kështu? Në qoftë se do të jetonim në një botë ku njerëzit të ishin të përsosur, atëherë martesat tona do të gumëzhinin nga harmonia e plotë. Por ne nuk jetojmë në një botë të përsosur. Me sinqeritet të plotë mund të thuhet se të gjithë ne jemi të ndikuar nga prirja jonë drejt egoizmit dhe "mëkatit". Çfarë është mëkati? Shpesh zgjedhim të bëjmë gjërat e gabuara, jo gjërat e duhura. Ne mund të jemi egoistë, të ulët, lëndues, të hidhët, arrogantë, jo të gatshëm për të falur dhe kështu me radhë. Nuk është çudi që burrat dhe gratë e kanë të vështirë të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Por ndërsa kemi kaq shumë probleme në familjen tonë çuditemi me pamjen që shohim tek fqinji apo tek miqtë tanë. Janë gjithnjë të qetë, të respektueshëm e mbi të gjitha duket se çdo gjë u shkon mbarë. Në fakt në atë familje ekziston gjithnjë dikush që vetëflijohet, dikush që toleron, dikush që interesat e familjes i ka vënë mbi interesat e vetvetes. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT