E enjte, 28.03.2024, 03:43 PM (GMT)

Faleminderit

Shote Galica

E hene, 31.12.2007, 11:30 AM


Azem dhe Shote Galica
Është zor të gjesh rast tjetër, kur gruaja zëvendësoi burrin e vrarë, komandantin e një çete të armatosur dhe ta ringjallë atë me kushtrimin e saj luftarak:"O, prite Azem Galicën..."! Mbetet si spikama më evidente në artin e gjallë të një populli, kur dy bashkëluftëtarëve, njëherazi edhe dy bashkëshortëve, u këndohet me të njejtat tone dhimbje, krenarie e lavdie.
Kjo është Shote Galica, bija e Drenicës dhe nuse në Drenicë, personazhi i parë në ninullat e veriut, shqipe në Bjeshkët e Namuna të Kosovës.Te kjo bijë Shqipërie, qe përkryer shartimi i bukurisë me fisnikërinë, i trimërisë me mençurinë, i rreptësisë me drejtësinë, i çlltërsisë me ndershmërinë. Dashuria dhe urrejtja e shpirtit kishin kahet e veta të motivuara prerë.

Kur u lind Shote Galica, ( emri i saj është Qerime. Shotë i mbeti nga thirrjet përkëdhelëse të prindërve) në vitin 1895 , në vatrat e Fushë - Kosovës, Drenicës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, flitej për burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për meritat e organizatës mbarëshqiptare, që e rrethoi me gjokse të nxehta Shqipërinë, për ta shpëtuar nga coptimi, Rrëfenjat për Abdyl Frashërin Sulejman Vokshin. Ali Pashë Gucinë. Ali Ibër Nezën, për Imer Prizrenin e Isuf Sokolin, për Imajl Hysenin e Krasniqes, që u nis për në Shtimje, atë ditë që martohej,(ai nuk u kthye më kurrrë, madje as trupi nuk ju gjet), flitej me krenari të pashoqe për Mic Sokolin që mbylli me gjoks grykën e topit armik. Këto e të tjera tregime për mbrojtësit e Plavës e të Gucisë, të Hotit e të Grudës, për qëndresën e ulqinakëve, që u rrethuan nga toka e nga deti, gatuan shpirtin heroik të Shote Galicës, të heroinës sypatrembur, që do të hynte në historinë e vendit të vet me paragrafë zjarri. Ajo ishte 18 vjeçe, kur Konferenca e Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, për të plotësuar interesat dhe lakmitë e të tjerëve, preu nga tërësia e trungut iliro-shqiptar, Kosovën. Kjo padrejtësi historike, të cilën nuk po din a nuk duen ta ndreqin kohët as pas 100 vjetësh, tronditi tërë qënien e Shote Galicës, kockat dhe gjakun . Ajo u vesh si burrë për të luftuar si burrat.

Populli e admiroi atë qëndrim, duke e veshur me artin e vet:
" Dada Shotë me tirq galana
Burrë mbi burrë, ma trim se zana;
Dada Shotë me kapuç qenari,
Nepër shekuj, zog shqiptari..."

Pas atij vendimi arbitrar të Konferencës së Ambasadorëve, kur u përgjysmua Shqipëria në favor të fqinjëve, në Kosovë u vendos regjimi ushtarak serbo-malazez. Filluan masakrimet, pushkatimet dhe dëbimet e shqiptarëve nga dheu i tyre. Dhjetra , mijëra u torturuan dhe u vranë; 60 mijë të tjerë u shpërngulën me dhunë të egër. Në Luftën e parë botërore ( 1914-1918), mbi trevën e Kosovës dardane, u dyndën ushtritë austro-hungareze e bullgare: Shote Galica ishte në vijën e parë të luftës kundër armiqëve të rinj. Siç dihet, në Luftën e parë botërore, Shqipëria mbajti qëndrim asnjanës, megjithatë konferenca e shteteve fituese të kësaj lufte, që u mblodh në Paris në vitin 1919, i trajtoi me rëndësi ato vende që humbën luftën. Ajo mori parasysh pretendimet e tri monarkive fqinje ( Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë) në dëm të pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Në ato kushte historike, vendlindja e Shotës e krejt Kosova përjetoi genocid të ri. Mbretëria serbo-kroate-sllovene, duke e menduar Kosovën si pjesë të saj, intensifikoi vendosjen e kolonëve sllavë , grabitjen e tokës dhe përzënien e shqiptarëve. Gjatë 20 vjetëve në vijim, 1918-1941, u morën 200 mijë hektarë tokë dhe u nxorrën jashtë trojeve të tyre 250 mijë shqiptarë.

Atëherë shpërtheu ajo lëvizje e gjerë, në shtatë e në shtatëdhjetë, të cilën e udhëhoqi Komiteti "Mbrojtja kombëtare e Kosovës". Përkrah trimave të njohur, Idriz Seferit, Ramë Vllasës, Mulla Agan Kajës, Kerit të Sadri Bardhit, Sadik Ramës të Gjurgjevikut, Mehmet Konjuhit, u gjend edhe Shote Galica me Azemin. Të dy bashkëshortët krah për krah komandonin çetën e armatosur, të dy ata midis 10 mijë të tjerëve në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, që ngriti në këmbë Prizrenin, Gjakovën , lstogun e Rugovën. Prijësit kryesorë të saj ishin Sadik Rama, Azemi dhe Shota, që u shquan për trimëritë që treguan edhe në luftimet e përgjakshme të krahinës së Llapit. Krijimi i zonës së lirë të Drenicës dhe zonës neutrale të Junikut si bazë kryengritjesh dhe qëndrese, afirmuan idealet e Shotës dhe trimave të tjerë në luftën përçlirim dhe bashkim kombëtar. Nusja kosovare, gjatë 12 vjetëve luftë, mori pjesë në më shumë se 40 përleshje të armatosura kundër serbëve. Për ti shpëtuar ndjekjes së paprerë, nga fundi i vitit 1926, u vendos në Shqipëri, pasi dy vjet më parë i ishte vrarë, i shoqi, Azemi.

Veriu i Shqipërisë, trimëritë, dufet e thella, krisjet dhe xhëmët e mëdha i ka regjistruar në historinë e tij orale në këngë. Kjo ndjeshmëri ka shprehur detyrimin atdhetar për të mos harruar të mirat e mëdha dhe as të këqiat e mëdha.

Në vitet 30 të shekullit të shkuar u këndua një këngë e re që kishte brenda vetes, një paralele tmerri . Ajo mbetet vërtetësi, dëshmi kolektive dhe akuzë e rëndë.

" Kur ta kthyem Kosovë shpinën
E lamë borë, e gjetëm dimën.."

Kosovarët e ndjekur nga serbët, gjetën në dheun amë tiraninë zogiste. Në bjeshkë bora dhe dimri kanë një kuptimësi. Shote Galica vdiq në vitin 1927 në Fushë-Krujë, në varfëri të thellë, në vetmi dhe mjerim të plotë. Atë e vrau ai që eleminoi Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin e shumë të tjerë. Në rastin e Shotës, vrasësi i regjur, gjeti një mënyrë tjetër; përbuzjen, harrimin, izolomin dhe varfërinë. Ai nuk harroi një fakt. Shote Galica me pushkë në dorë, u doli përpara gardistëve të bardhë dhe mercenarëve të Zogut kur po ktheheshin me sy të përgjakshëm për të shtypur Fanolistët. Këtë fund tragjik pati kosovarja e pavdekshme, që u shua në lulen e rnoshës së saj 32 vjeçare, ajo që kishte humbur në luftra 22 anëtarë të familjes.

Kjo bijë Shqipërie i meriton lulet e mirënjohjes mbi varr e atje ku i ka shtatoret në 75-vjetorin e vdekjes. Kështu pozicionohet e sotmja ndaj së djeshmes që shkroi historinë e kohës së re për shqiptarët. Këto buqeta lulesh shprehin mençurinë, dashurinë dhe janë brenda karakterit mbarëkombëtar të shqiptarëve. Lulet humbasin përkushtimin kur jepen si në rastin e vejushës plakë të atij që e vrau pa plumba Shote Galicën. Në këto raste dhënia e luleve, krejt e pamotivuar është hipokrizi politike, apo politikë infantile.

Shpesh jemi mrekulluar nga shembujt e heroizmit që kemi lexuar në historitë e popujve të tjerë, i kemi nënvizuar në bisedat tona pa ditur dhe aq mirë çfarë ka brenda Panteoni ynë. Pse duhet të na befasojë aq shumë kalimi i alpeve nga Hanibali për të hyrë në portat romake, kur heroina jonë Shote Galica kaloi 12 dimra në breshër, në borë e në thëllimin e e egër.

Me emrin e kësaj heroine u ngritën në luftë për lirinë e Kosovës, djemtë dhe vajzat e UÇK-së. Heroizmin e Shote Galicës nga Drenica e ngriti edhe më lart Adem Jashari i Drenicës, që u flijua me të 30 pjesëtarët e familjes për ato ideale që u vranë Azemi e Shota.

Po i kthehemi kryefjalës së këtij shkrimi, kryefjalës që e ka zgjimin në popull:
" Po e përvetë Shari Drenicën
Ku e kemë Shote Galicën...?".
Jehona: " Në çdo mal e në çdo gurë, S'të harron Shqipëria kurrë":



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora