E enjte, 28.05.2020, 01:47 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Shqipëria Natyrale

E shtune, 19.12.2009, 11:00 PM


Shqipëria Natyrale

(Refleksione për librin “Platforma e Shqipërisë Natyrale” nga Koço Danaj)

Nga Dorian Koçi
Studiues

Disa pyetje vinë natyrshëm ndërmend në  përvjetorët e festës kombëtare të 28 Nëntorit. A është kjo festa kombëtare që duhet të festojmë? A është Shqipëria ajo që është caktuar nga Konferenca e Londrës?A e pranojnë shqiptarët këtë realitet dhe sa të lirë janë sot shqiptarët të shprehin disa të vërteta për gjendjen e tyre në Ballkan?
Këto pyetjeve të cilat përsiaten gjithandej nga Ulqini në Preshevë, nga Prishtina në Shkup e Tiranë, shpesh herë të papërfillshme elitat “evropianiste” gjejnë përgjigje në librin e analistit Koço Danaj “Platforma e Shqipërisë Natyrale”. Sa herë që përmendet fjala platformë në Ballkan, studiuesve, dhe politikanëve u vjen ndërmend platformat nacionaliste të Serbisë dhe Greqisë, mbi bazën e të cilave u caktuan kufijtë e Ballkanit në shekullin e kaluar. Normalisht që nuk do të kishte asnjë gjë të keqe nëse këto platforma do përmbanin në vetvete vetëm sensin e mirë të formimit të shteteve-komb brenda kufijve të vërtetë të tyre, por kur kujton Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, spastrimet etnike dhe vrasjet në masë për të realizuar ëndrrat e tyre të zgjerimit në kurriz të kombeve të tjerë, çdo politikan në Bruksel dhe Uashington rrëqethet.
 Sot problemet që ka trashëguar rajoni, të shprehura shpesh herë në konflikte të ngrira por dhe në konflikte të hapura si rasti i Bosnjës dhe Kosovës janë “peshqeshi” që promovimi, mbështetja dhe zbatimi i këtyre platformave nacionaliste u bë në mënyrë të dhunshme në Ballkan. Për të ilustruar vetëm sesi u caktuan kufijtë e Shqipërisë mjafton të kujtojmë deklaratën e Ministrit të jashtëm britanik Sir Edward Grey-it kur u pyet në dhomën e Komuneve për Shqipërinë
 “U vendos që bregdeti dhe Shkodra ti mbeten Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni, Dibra dhe pas shumë bisedimesh dhe Gjakova të lihen jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje lë një pjesë të madhe territori për tu ndarë midis Serbisë dhe Malit të Zi si fryt i fitores së tyre.” Sot gjithkush në botë e di se popullsia e Pejës, Prizrenit, Dibrës dhe Gjakovës ishin shqiptare dhe vazhdojnë të jenë shqiptare, por edhe pas ndërhyrjes në Kosovë dhe krijimit të shtetit të Kosovës, qytetarët e Pejës, Prizrenit e Gjakovës e kanë të ndaluar me kushtetutën e shtetit të tyre që të bashkohen me një shtet të tretë(kupto Shqipërinë) kurse qytetarët e Dibrës duhet të pajisen me pasaporta ku kombësia e tyre do shënohet maqedonas. Arsyeja se pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë në pesë shtete në Ballkan, disa politikanë në Bruksel e justifikojnë me faktin se duhet të ruhet stabiliteti i brishtë i Ballkanit dhe për hir të kësaj, shqiptarët duhet të pranojnë të jetojnë në 5 shtete. Por a ka në fakt në këtë arsye ndonjë gjë të re?
Po të lexojmë prapë se ç’thotë Edward Grey më 1913 marrim sërish një përgjigje të saktë. “Arritja e kësaj marrëveshje ishte esenciale për paqen e Evropës dhe sipas mendimit tim ajo u arrit në kohën e duhur për të ruajtur paqen midis fuqive të mëdha”. Në fakt jo më pak se një vit më vonë krisma e revolverit që vrau Arqidukën Ferdinand në Sarajevë shkatërroi paqen evropiane dhe kontinenti plak u zhyt në Luftën e Parë Botërore,dhe si rrjedhojë caktimi i kufijve të Shqipërisë nuk shërbeu për asgjë,por haraçin e kësaj marrëveshje shqiptarët kanë një shekull që e mbajnë mbi kurriz.
“Platforma e Shqipërisë Natyrale” nëse zbatohet nuk do tu lërë pas brezave në Ballkan ndonjë “peshqesh” të padëshirueshëm pasi ajo nuk mbështetet në popullsi imagjinare dhe mite të së kaluarës por në qëllime të çiltërta dhe realiste. Pikërisht këtu ajo ndryshon me platformat e vendeve fqinje pasi idetë e saj përqendrohen në mbrojtjen e kombit dhe territoreve të shqiptarëve dhe jo drejt agresionit, ekspansionit apo shovinizmit ndaj vendeve dhe popujve të tjerë. Ajo është një dishepulle e filozofisë politike që shprehte Sami Frashëri tek “Shqipëria çka  qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”...  “ se qëllim i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën, kombin e tyre, tu rrinë kundrejt intrigave të armiqve të tyre të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e mendimeve të Grekëve dhe Sllavëve të cilat po rrëmojnë themelet e po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Platforma ashtu si e bën të qartë dhe në titull nuk është për “Shqipërinë e Madhe”-një term i mbushur plot me keqkuptime, por për Shqipërinë e vërtetë , atë natyrale. Shqipëria e Madhe mund të ishin pretendimet e shqiptarëve për Pazarin e Ri të Sanxhakut apo për Jutbinën e eposit të Kreshnikëve,kurse Shqipëria Natyrale janë të gjitha trojet që në shumicë banohen nga shqiptarë. Por a janë të lirë shqiptarët që ti shprehin të vërtetat e hidhura për gjendjen e kombit të tyre? Natyrisht që po, pasi era e ndryshimeve sidomos pas viteve 90’ nuk krijon më shanse për persekutim të atyre që kërkojnë të shprehin lirisht mendimet e tyre. Zëra të ndryshëm që shprehin realitetin e hidhur të një kombi të ndarë në 5 shtete mund të dëgjosh që nga Ulqini, Prishtina, Presheva, Shkupi e Tirana. Gjithsesi pyetja në shekullin e XXI nuk shtrohet më a je i lirë të shprehesh por sa mundësi ke për të realizuar ato që shpreh. Në këtë kontekst shqiptarët në këtë 28 Nëntor festimi të pavarësisë kombëtare nuk kanë se ç’të shtojnë më tepër këtij festimi veçse gjërave që u lejohen të thonë. Pasi për të realizuar ato që dëshirojnë u duhet në rrallë të parë të zhbëjnë Konferencën e Londrës të 1913 dhe ashtu siç thotë platforma të krijojnë premisat për Konferencën e Londrës 2 të Shqipërisë Natyrale. A është e lehtë për tu realizuar kjo? A është e gjitha një utopi dhe shqiptarët duhet të futen në Evropë të ndarë në 5 shtete? “Në fillim ishte fjala”-thuhet në librat e shenjtë dhe kjo platformë në fakt është libri i shenjtë i çdo shqiptari të mirë dhe patriot që beson në Shqipërinë e vërtetë, në Shqipërinë Natyrale.


(Vota: 20 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora