Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Frashëri: Kur Presidenti i Republikës flet si OJQ!

| E hene, 08.10.2007, 05:00 PM |


Nga Av. Kastriot FRASHËRI*

Kastriot FRASHËRI
Çuditë në këtë vend, mesa duket, nuk paskan të sosur. Më i fundit, i vetërreshtuar në këtë teatër komik të politikës shqipe, mbushur me aktorë të tipit “Kreshnikët e ZMQ-O(J)F”, është vetë Presidenti i Republikës, Bamir Topi.Megjithëse i ri në detyrë dhe me formim të cunguar profesional, ai nuk nguroi dje nga qyteti i Vlorës për të “numëruar”, sipas tij, problemet që ka sistemi gjyqësor dhe ndikimin që ka mbi të politika. Në këtë shaka të radhës, por të errët për të ardhmen e sistemit të drejtësisë, dje presidentit Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i duhej të dilte nga vetmia e Tiranës dhe medoemos të kalonte gëzueshëm fundjavën në bregdetin e mrekullueshëm jonian dhe për këtë u gjend si zgjidhje një OJF. Një OJQ-që, nga ato që kakarisjet e tyre, nuk ndihen as tek dera e fqinjit për shkak të sharlatanizmit dhe integritetit të munguar profesional dhe shoqërore të lidershipit, për të cilët thuhet se nuk i besojnë as familjarët e miqtë e tyre. Madje Kreshnikut (tashmë të katapultuar, jo për merita profesionale dhe të dypunësuar si anëtar i KLD-së), për të justifikuar superfinancimet që me mjeshtëri arrin të zhvatë në emër të shoqërisë civile, i duhej një foto me kryetarin e shtetit për të vazhduar suksesshëm “misionin” e radhës me “elokuencën” e tij brilante për interesa të ngushta personale. Në “konferencën” e radhës për gjyqësorin shqiptar me temë "Reforma në pushtetin gjyqësor dhe prokurori, sfidë e kohës", nën sloganin populist “Drejtësia (pa) drejtësi (ar)miku i qytetarëve”, organizuar nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ) dhe "Transparency Internacional", u tentua të flitej për gjyqësorin dhe gjendjen që ndodhet, por si çdo herë për shkak të keqorganizimit apo familjaritetit, këto tryeza përfundojnë si aktivet e qëmotshme të komunistëve të partisë. Reforma apo reformimi i drejtësisë, sikundër doli qartë në këtë konferencë, nuk mund të kuptohet apo kryhet me idetë e "Kreshnikut makiavelist” me moton për t’u pasuruar sa më shumë nga fondet që i japin donatorët, nga ku thuhet se ky u paguan përqindjen drejtuesve të bamirësve të tij, por me kontributin dhe prezencën e të gjithë faktorëve që kërkon detyrimisht një debat të gjerë dhe të gjatë mbi baza profesionale, ku duhet të flasin specialistët e shtetit të së drejtës, gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe jo manekinët dhe miqtë e tyre që paguhen me pesëmijë lekë nga organizatorët për të mbushur sallat e këtyre pseudokonferencave. I bashkuar në frontin e tam-tameve të pjesës më të errët të OJQ-ve që për të përvetësuar sa më shumë dollarë broçkullisin marrëzira, Presidenti i Republikës e ka të vështirë të kuptojë se përgjegjësi për gjendjen e krijuar në sistemin e drejtësisë ka edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin prej disa muajsh e kryeson, e që dëshmon se qëndron indiferent dhe jo në nivelin e tij kushtetues, ndryshe nuk mund të shpjegohet që ky institucion përgjegjës, duke ditur gjendjen ku ndodhet ky pushtet gjyqësor, reagimet dhe qëndrimet e herëpashershme të mjaft institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe të vendit, shohim shumë pak analiza apo masa për reformimin. Kush mund ta pengojë vallë kryetarin e tij të bëjë një analizë të veprimtarisë së këtij këshilli? A nuk do të ishte mirë dhe e besueshme që kjo analizë apo kritikë të niste së pari nga brenda institucionit që kryeson?! Çfarë e pengon vallë presidentin?!... Nuk është hera e parë që kreu i shtetit shfrytëzon tribuna të tilla për të akuzuar “prokurorinë se është apatike dhe se reforma në drejtësi duhet të bëhet sa më shpejt”. Të përgjithësosh kështu një institucion të tërë, të vlerësosh kështu veprimtarinë e një trupe të tërë prokurorësh, do të thotë se nuk mund të shikosh përtej syzeve me ngjyrë të partisë që të dhuroi kolltukun presidencial. Nuk është faji i këtyre prokurorëve që, me gjithë vështirësitë e kohës dhe të këtij tranzicioni të tejzgjatur, luftojnë përditë me krimin, korrupsionin dhe fenomene të tjera për të dhënë drejtësi. Ata nuk mund të fajësohen se Bamiri (president) nuk shkëputet dot nga Bamir Topi nënkryetar partie. Në këtë rast nuk dua të justifikoj veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi për shkarkimin e tij, jam shprehur me 2-3 editoriale në media që prej vitit 2004, por është e papranueshme që reforma në drejtësi të personalizohet me zëvendësimin e emrit të kreut të akuzës. Ju zoti president me veprimet tuaja, duke e paragjykuar këtë rast, tashmë e humbët shansin dhe besimin e publikut për reformimin e këtij institucioni. Është e paimagjinueshme, madje e dënueshme, zoti President i Republikës, që në fjalimet tuaja përmendni faktin që “shpeshherë interesat e politikës përplasen me drejtësinë” dhe për këtë kërkoni me ngulm që “në të gjithë sistemin e drejtësisë do të ketë një reformë të thellë”. Po si mund të kryhet një reformë e tillë nën trysninë dhe kërkesat skandaloze të politikës zoti president? Kemi dëgjuar të flitet për reformë, të gjithë flasin, por ende nuk po dëgjohet zëri apo mendimi i specializuar i atyre që janë të interesuar, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, aktorëve të tjerë të shoqërisë, përfshirë këtu dhe ata që merren me administrimin e drejtësisë. Nuk është e drejtë që për interesa madhore që kanë të bëjnë me interesa të gjera publike, kur flitet për ekzistencën apo përbërjen e institucioneve kryesore të shtetit, të gjithë shqiptarët duhet t’u imponohen vullnetit (jo)fitimprurës të ZQM, sponsorizuesve të dyshimtë të USAID-it, apo vullnetit vunerabël të një mazhorance. Është interesant fakti se ndërsa numri i OJF-ve rritet vërehet se numri i problemeve sociale dhe krimit rritet pambarimisht! Por larg qëllimeve spekulative të show-t të radhës, të sajuar dhe sponsorizuar nga aventurierë dhe diletantë, në këtë takim, kreu i shtetit, nga sa u mësua nga komentet e medias, u ndodh përballë kundërshtimeve të ashpra profesionale të trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të pranishëm të kësaj treve që e duan drejtësinë, luftojnë e punojnë për të. Për të gjithë, tashmë, është e njohur se përgatitja dhe aplikimi i një reforme te studiuar, është kërkesë imperative e kohës për ta sjellë sistemin e drejtësise në standarde bashkëkohore dhe pa arritur këto standarde siguria dhe paqja e brendshme do të jenë gjithnjë të rrezikuara, por dhe rruga e integrimit të Shqipërisë në Europë do të jetë e largët. Sot, shoqëria shqiptare është e lodhur deri në mërzi nga dyzimet intelektuale apo seksuale të një pjese të pseudoelitës së superpaguar OJF-iste, që me protagonizmin e tyre bajat i kanë shkaktuar një dëm të pallogaritshëm mendimit politik shqiptar, mungesën e debatit publik dhe detyrimisht mungesën e alternativave. Institucionet e Shoqërisë Civile, si kudo në botë, janë burime idesh, alternativash, informacioni, mendimesh ekspertësh të pavarur nga institucionet politike, të cilat tentojnë të mbajnë një balancë kritike përballë alternativave qeveritare; prania e tyre është e domosdoshme për vazhdimësinë e demokracisë dhe të zhvillimit të aktivitetit të lirë në hapësirat demokratike. “Kreshnikëzimi” i KLD-së, tashmë është një realitet, një praktikë dhe veprim dhe për këtë ju, zoti President, keni përgjegjësinë direkte për degradimin e veprimtarisë së këtij institucioni që për fat të keq nën bekimin tuaj administron drejtësinë...

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare